• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERDHI DHE SHKOI Z. ESCOBAR – PO TASH?

December 10, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidenceJa shkoi në Tiranë, shikoi, u përshëndet me disa dhe u këthye. Fjala është për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar. Nuk besoj se me vizitën e tij në Tiranë fitoi gjë, për t’iu referuar asaj thënjes së famshme të Jul Çezarit, “Veni, vidi, vinçi”, megjithëse Z. Escobar nuk kishte ardhur për të fituar gjë fare, pasi ishte një vizitë krejt e zakonshme, pjesë e një vizite rutinë në rajon. E tillë ishte para njoftuar edhe nga ambasada amerikane në Tiranë.

Por, siç e ka zakon media shqiptare, prisnin se diplomati i lartë amerikan do vinte në Tiranë mbi një kal të bardhë dhe do zgjidhte të gjitha problemet e politikës shqiptare—madje prania e tij do të zgjidhte edhe problemet brenda Partisë Demokratike, se zyrtari i lartë do të sillte informacion aq të dëmshëm kundër Sali Berishës sa që do ta asgjësoj atë para Kuvendit të planifikuar të demokratëve me 11 dhjetor. 

Por po të dëgjoje disa media të oborrit, para vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë, ai po vinte në Shqipëri me një shkop të madh për tu renë disa kokave dhe po të ishte nevoja marinsat amerikanë janë gati jashtë Tiranës, të gatëshëm të kontrollonin rrugët e Tiranës, për t’i ndalur hovin Sali Berishës, si rrejdhim i mbështetjes për ‘të, në “foltoret” e kohëve të fundit. Asgjë nuk ndodhi, veçse u harxhuan kot aq shumë orë debatesh boshe, sa që analistët do të kishin bërë më mirë t’i kalonin ato orë me fëmijtë dhe me familjet e tyre.

Nëqoftse shikojmë për fitues dhe humbës të kësaj vizite, krejtësisht të zakontë, media shqiptare, ose më mirë të them një pjesë e madhe e medias shqiptare, ishte humbëse, sepse parashikuan se me ardhjen e Z. Escobar në Tiranë do bëhej nami, “heads will roll”, sipas asaj frazës anglisht. Unë nuk prisja namin nga kjo vizitë, prisja vetëm që për të pasur një pasqyrë më të qartë se ç’po ndodhë në Shqipëri në këtë kohë krize politike, me një shkrim modest, i kisha bërë thirrje zyrtarit të lartë amerikan, që gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, përveç ambasadës dhe karakterave të zakonshëm të politikës shqiptare, të takohej edhe me grupe të tjera, të përjashtuara nga proceset politike të këtyre 30-viteve, ashtuqë të ketë një ide se çfarë mendon pjesa tjetër e shqiptarëve që nuk i pyet askush, për asgjë. 

Fatkeqësisht, duket se ai nuk u takua me askënd tjetër, përveç zyrtarëve të ambasadës, të qeverisë Rama dhe të përfaqsuesve të Partisë Demokratike që kontrollohet nga Lulzim Basha. Grupet jo-qeveritare janë humbës nga kjo vizitë, pasi Z. Escobar nuk u takua me ndonjë prej tyre, por edhe unë jam humbës që bëra thirrje për një takim të tillë që nuk ndodhi, për asgjë tjetër, veçse nga përvoja ime kam parë se zyrtarët amerikanë kanë nevojë të dëgjojnë edhe zëra të tjerë të shoqërisë shqiptare — dhe jo vetëm të marrin informacionin nga qarqet zyrtare të qeverisë shqiptare, qoftë edhe opozitës, si dhe nga ambasada.  Megjithse një vend i vogël, shoqëria shqiptare është mjaft e ndërlikuar dhe nevojitë njohje më të mirë nga të huajt, duke pasur edhe historinë jo të largët të Shqipërisë, si pikë referimi. 

Por uroj që Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar, të largohet sadopak fitues nga vizita e tij e shkurtër në Tiranë, me një shije sadopak të vogël, për faktin se sa e çuditshme, për të mos thënë e çmendur, është politika shqiptare. Dhe i vetdijshëm se kur në kazanin e asaj politike futen edhe gishtërinjë të huaj – ajo politikë humb fare busullën e normalitetit dhe atëherë as dreqi nuk e ve në terezi, madje as edhe një zyrtar i një vendi mik si, Z. Escobar. Por uroj që Z. Escobar të këtë porositur ambasadën tonë në Tiranë se klasa politike shqiptare pas 30-vjet “post-komunizëm”, ka nevojë që vetë t’i zgjidh problemet e saja të vet-krijuara, pasi Shqipëria është e tyre dhe e popullit shqiptar, që kjo klasë politike përfaqëson. Dhe se është në dorë të shqiptarëve të vendosin vet se kush do jenë udhçheqsit e tyre, tani dhe në të ardhmen.

Atëherë, pasi vizita e Z. Escobar në Tiranë, erdhi e shkoi — çfarë do ndodhë në skenën politike shqiptare të shumë pritur, për dy tre javët e ardhëshme. Unë besoj se sa i përket Amerikës, asgjë dramatike nuk do të ketë në skenën e politikës shqiptare, lajm i keq ky ndoshta për disa që presin ndërhyrjen amerikane për t’i rregulluar “punët e Shqipërisë” — duke pasur parsysh shpalljen “non grata” të Dr Sali Berishës nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Fatkeqësi që ka ardhur deri në këtë pikë, por siç duket dy kuvendet e planifikuar të Partisë Demokratike do të mbahen. Do të zgjidhen zyrtarë të ri, Partia Demokratike do mbijetojë, Shtetet e Bashkuara, siç deklaroi edhe Z. Escobar në Tiranë, do bashkpunojnë me Partinë Demokratike, spas interpretimit tim, kushdo që ta drejtojë atë. Nuk besoj se në këtë mes, Washingtoni nuk do të ndërhyjë, se pse nuk ka të drejtë dhe as nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të një partie të një vendi anëtar të NATO-s.  A u kujtohet debati para 8 vitesh mbi çeshtjen e armëve kimike. Të gjithë thonin në atë kohë se Amerika ose NATO do ia impononte Shqipërisë që t’i pranonte armët kimike nga Siria.  Frank SHKRELI/ Amerika nuk do t’i imponojë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë | Gazeta Telegraf

As kësaj radhe, Amerika nuk do të imponojë një zgjidhje për demokratët shqiptarë. Ata duhet t’i zgjidhin vet mosmarrveshjet midis tyre. As Partia Demokratike, as Shqipëria nuk janë vasale të Shteteve të Bashkuara as të ndonjë vendi tjetër. Historikisht, kjo nuk është në natyrën e politikëbërjes së Shteteve të Bashkuara karshi vendeve mike dhe aleate, megjithëse nga ndonjëherë, në rastin e Shqipërisë, mund të duket e tillë sepse vet politika shqiptare kërkon dhe lejon ndërhyrje të tilla të ngutshme dhe të pa menduara mire nga ndonjë individ ose ent zyrtar. Por, normalisht, nuk ndodh ashtu. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur, vazhdimisht, një politikë pragmatike ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri, me ndonjë përjashtim të vogël, ndoshta. Ashtu do të ndodh edhe tani. 

Besoj se fjala pragmatizëm, është edhe mesazhi që doli nga vizita e djeshme në Tiranë e Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar.

Frank Shkreli 

Filed Under: Politike

LIDERSHIPI ETIK

December 9, 2021 by s p

IRIS HALILI

“Mendo, thuaj dhe vepro njëlloj” – Gandi

Studiuesit kanë arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se janë më etikë se mesatarja e atyre që i rrethojnë (Trevino et al., 2000). Në fakt, realiteti tregon se shumë herë e rëndësishme nuk është vetëm çfarë në mendojmë për veten por edhe çfarë vlerësimi kanë të tjerët për ne. Liderët nuk bëjnë përjashtim nga ky gjykim. Është një fakt I pakontestueshëm që etika e një lideri e merr vlerësimin vetëm nga opinioni i ndjekësve. Lideri më shumë se kushdo prodhon atë që ai vetë përfaqëson në sytë e ndjekësve. Ky raport sjell atë që quhet reputacion. Lideri udhëheq përmes reputacionit të tij. Reputacioni i lartë te një lider nuk është gjë tjetër vetëm se një fjalë ndryshe për të përshkruar liderin me etikë të lartë. Një lider etik do prodhojë një organizatë, shoqëri apo ndjekës po të tillë. “Etika është vetë shpirti i lidershipit”, thotë Joanne Ciulla në librin e saj me të njëjtin titull (1998). Kjo shprehje është bërë tashmë klasike në studimet mbi lidershipin. Po ku dhe si shfaqet etika në lidership? Cili lider meriton të quhet me etikë të lartë e cili jo? Cila është pika vendimtare që e ndan liderin etik nga ai që nuk është i tillë? Ka shumë faktorë dhe cilësi që përcaktojnë fatin e një lideri, por vetëm njëri jep veton finale dhe ky është vendimi apo vendimet e ndërmarra. Proverbi popullor, “Veprat flasin më fort se fjalët” mbetet aktual edhe kur flasim për lidershipin. – “Lidershipi është veprim”. Kjo do të thotë se ndjekësit harrojnë shpejt atë çka tha lideri, por ata nuk harrojnë kurrë atë që bëri lideri. Përkufizimi kyç që emërton liderin nga jo lideri është – “Që të jesh lider, duhet të kesh ndjekës. Lider pa ndjekës nuk ka dhe nuk mund të ketë”. Shumë figura që mund të mos duam t’i numërojmë si liderë, kanë qenë të tillë, pasi ata kanë pasur mijëra ndjekës që i kanë frymëzuar dhe drejtuar. Por nëse je lider etik apo jo, për këtë vlerësimin e japin të tjerë faktorë. Për t’u bërë më konkretë, le të krahasojmë Gandin me Hitlerin. Ata të dy arritën të frymëzojnë mijëra ndjekës. Por ndërsa Gandi arriti të marrë vendime etike që rezultuan progresiste, Hitleri bëri krejt të kundërtën. Pra për të dy liderët notën finale nuk e dha forca e frymëzimit te ndjekësit por e dhanë veprimet e tyre etike. Por ç’do të thotë të veprosh në mënyrë etike? Mes shumë e shumë përcaktimeve rreth kësaj dileme shprehja e Gandit mbetet më universalja. Sipas tij “Tëjesh i arrirë në aspektin etik, do të thotë të mendosh, të flasësh dhe të veprosh njëlloj”. Kjo frazë në detaje përmbledh të gjithë sintezën e qenies me etikë të lartë. Pikë së pari, ky përcaktim rrëfen se individi që mendon dhe flet njëlloj është i kthjellët, i pastër dhe i sinqertë me veten. Çdo ndershmëri fillon së pari nga vetja. Çdo etikë gjithashtu. Vetëm një njeri që është i sinqertë meveten, mund të jetë me të tjerët e mund ta kërkojë këtë te të tjerët. Ndërkohë të veprosh realisht atë çka ke menduar dhe thënë do të thotë të kesh një integritet dhe moral të lartë personal si dhe kjo padyshim rrëfen për një karakter të forte e guxim human tepër të arrirë. Kontradikta më e madhe ku kalojnë shumë njerëz është pasja apo jo e forcës humane brenda vetes për të thënë hapur mendimet apo edhe për të hedhur hapin e madh, për të kthyer në akt atë çka ata mendojnë. Në fakt një lider etik, sikundër një individ etik, duhet medoemos t’i kalojë të tri fazat: duhet të jetë e sinqertë dhe besnike; të flasë për ato në të cilat beson dhe të punojë për t’i realizuar ato që thotë. Sikur vetëm njëra prej tyre të ketë çarje, etika humbet e përdhoset. Kjo vijë e pandërprerë dhe në unison e asaj që mendon, thua dhe vepron njëlloj është në fakt shkalla më lartë e etikës. Pas kësaj analize arrijmë në përfundimin se mund të konsiderohet me etikë të lartë ai lider që nuk tradhton asnjërën prej këtyre tri hapave gandeske, që do t’i quanim ndryshe trekëndëshi gandesk i virtytit etik. Tradhtia qofte edhe e njërës pikë prish balancën në trekëndësh dhe e deformon të tërën. Sinqeriteti i liderit dhe etika e tij fillon në fakt temendimi si i tillë. Dhe mendimi nuk është as më shumë dhe as më pak vetëm se shfaqja e moralit personal të liderit. Mendimet e mira vijnë vetëm nga një karakter i mirë, ndërkohë që thënia hapur e mendimeve është serish rezultat i një karakteri të fortë, që shfaq kurajë morale. Kjo e bën liderin transparent dhe të besueshëm në sytë e ndjekësve. Kuptohet se jo çdo vendim i moralshëm për një grup social është i tillë për një grup tjetër, apo një vendim i drejte në një kohë mund të mos mbetet I tillë në një kohe tjetër apo nga një kulturë në një tjetër. Megjithatë, historia ka rrëfyer se vendimet etike i kanë rezistuar të gjitha kohëve. Vendimi etik mund të jetë guximtar për momentin, por me siguri ai është hapi I madh i një epoke të re që do të sjellë progres. Martin Luter King është një shembull klasik për këtë. Natyrshëm tani lind pyetja se ç’e shtyn një lider të marrë vendime etike? Vendimi etik është vendimi i ndershëm; është ai që rrëfen transparence dhe vërtetësi. Ndershmëria si virtyt është pjese e moralit dhe karakterit të individit. Aristoteli theksonte: “Ne jemi ajo që në përsërisim se bëri çdo ditë”. Kjo do të thotë se nëse në e kthejmë në zakon ndershmërinë ajo do na kthehet në karakter e ky i fundit na drejton në çdo hap. Nuk është rastësi që të gjithë studimet e lidershipit na çojnë në konkluzionin që lider i shkëlqyer është ai që ka karakter të shkëlqyer, pasi lideri me karakter të shkëlqyer do të marre vendime etike dhe këto vendime janë të vetmet që i çojnë ndjekësit në progres. Pennino në vitin 2002 kreu një studim për marrë-dhënien midis vendimmarrjes dhe moralit të liderit. Deri në atë kohe shkollat e lidershipit nuk kishin një rezultat për këtë marrëdhënie. Ai arriti të studiojë vendimmarrjet e 270 drejtuesve në disa kompani amerikane dhe doli në konkluzionin se sa më etik të jetë lideri aq më vendime të drejta dhe afatgjata është në gjendje të marre ai. Ndërkohë shumë studiues janë nxitur të mësojnë nëse faktorë të tjerë të jashtëm kanë efekt në vendimet etike apo jo të liderit. Në studimet e tyre ata kanë shtruar hipoteza të tilla për shembull, si dhe sa, apo në ç’mënyrë ndikon stresi në vendim, apo sa ndikojnë interesat personalë të liderit në vendimet që merr; apo si ndikojnë situatat jo të qarta me të cilat ai mund të përballet. Ndonëse këta faktorë janë parë si ndikues, rezultatet e studimeve kanë rrëfyer se efektet e tyre në vendimmarrje kanë qenë gjithmonë anësore. Në fund, notën finale e ka dhënë morali i liderit dhe karakteri i tij. Pra shtysa e vetme që e shtyn një lider të marrë vendime etike është as më shumë dhe as më pak, por morali dhe karakteri i tij i lartë. Ndaj për ta mbyllur mund të themi se nëse etika është shpirti i lidershipit, morali dhe karakteri i liderit, janë shpirti i etikës.

Filed Under: Politike

Asociacioni ka lind ne Bruksel, por mund te sfidohet vetem ne Washington

December 8, 2021 by s p

Shkruan: Faton Bislimi/

Pranëvera e vitit që po vije do të jetë më e ngrohtë se secila verë që kemi përjetuar deri më tani. Jo në kuptimin meteorologjik, por në atë politik. Kosova do të gjendet edhe njëherë para vendimeve të mëdha. Çdo ditë e humbur sot, e rritë koston që do na duhet eventualisht ta paguajmë nesër.

Çdo huqje diplomatike sot (e të tillat janë të panumërta në MPJ) është kosto nesër. Angazhimi totalisht ad hoc e kryesisht edhe i munguar krejtësisht në avansimin e përkrahjes për Kosovën në qendrat e vendimmarrjes politike botërore, e vecanërisht në Capitol Hill, është shenjë alaramente për dëshmtim nesër, ngase “dështimi për t’u përgatitur, është përgatitje për dështim!”

Nuk mjaftojnë vizitat jashtë vendit sa për photo-op e pa asnjë rezultat konkret. Nuk është zgjidhje assesi ‘kontraktimi i firmave lobuese në Washington, DC’ siç po përgatitet të bëjë MPJ e jonë ngase siç kemi parë në të kaluarën, janë shpenzuar me miliona euro për “lobim” e janë arritë zero, ama bash zero, rezultate për vendin.

Edhe nëse duam, e kemi të pamundur që me ‘pagesa për lobim’ të arrijmë të fitojmë betejën diplomatike aty ku ka nevojë më së shumti. Nëse MPJ mendon se në ditët apo javët në vijim nënshkruan kontratë lobimi me një ose dy firma në SHBA (të dyja që i njohim thellësisht), le ta dijë se nuk do të arrijë as rezultatin më të vogël. Kosova në përgjithësi e MPJ në veçanti e kanë kaqikun e vogël financiar për të fituar betejën diplomatike me para për firma lobiste që sot punojnë për neve, realisht për paret tona, e neser edhe për ato të tejtërkujt. Fundja, dollari amerikan nuk njehë kombësi e as shtet.

MPJ e ka për obligim kryesor, bashkë me krejt qeverinë, që fokusin ta kenë tek ripërtrirja e përkrahjes së parezervë amerikane për Kosovën. Nëse krejt klasa jonë politike – pozitë e opozitë – janë të bindura se nuk do të lejohet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me të drejta ekzekutive, atëherë ekziston veç një mënyrë se si mund ta shpëtojmë Kosovën nga kjo kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht BE-së: ne duhet që dje, sepse edhe sot veç jemi vonë, të ishim duke punuar intensivisht me miqët tanë të vërtetë në Capitol Hill në Kongresin e SHBA-ve për t’i bindur ata se ky Asociacion e dëmton Kosovën dhe një Kosovë e dëmtuar, e lëndon interesin gjeo-strategjik amerikan në Ballkan e më gjerë.

Ne ende i kemi njerzit që na ndihmojnë në këtë kauzë, ashtu siç na kanë ndihmuar të çlirohemi e të pavarësohemi. Dhe, për këtë, flasin kajrtë faktet historike. Mjafton të bëni një kërkim në Google apo në YouTube për Joe DioGuardin dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe e shihni me sytë tuaj. Që nga viti 1985 e këndej, lidhja jonë me Amerikën zyrtare dhe përkrahje e Washingtonit për kauzën tone kombëtare bëhet përmes DioGuardit dhe shumë e shumë figurave tjera kyçe të politikbërjes amerikane me të cilat na ka lidhë fillimisht pikërisht DioGuardi.

Edhe DioGuardi edhe Liga mbesin edhe sot e kësaj ditë gardianë të vërtetë të lidhjeve tona unike me Amerikën. Sepse, ata këto lidhje i ndërtuan me punë të sinqertë, me fakte historike, me argumente kritike, me perkrahje te mergates sone ne Amerike, dhe me bazë në interesin gjeo-strategjik amerikan, në përputhje të së cilit është edhe vet kauza jonë kombëtare.

Kosova sot ndihmohet duke ruajtur këto miqësi të krijuara tash e mbi tri dekada e jo duke hargjuar kot paranë publike me firma lobiste pa asnjë rezultat konkret. MPJ këtë duhet ta ketë mëse të kjartë.  Një miqësi e ndërtuar për dekada, as nuk blihet as nuk shitet. Edhepse po humbim miq të mëdhenjë si McCain e pardje edhe Dole psh, lidhjet me njerzit e tyre nuk kanë vdekë. Përkundrazi, respekti i tyre tek kolegë tjerë është enorm i madh dhe aset veç i atyre që punuan me këta burrështetas për vite të tëra, siç janë Joe e Shirley DioGuardi dhe Liga!

Nuk ka shembull më të mirë se sa deklarata e Kryetarit të Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve, z. Bob Menendez, i cili në takim me Ligën shprehet kategorikisht kundër Asociacionit me të drejta ekzekutive. Kjo është beteja që duhet fituar me secilin lider tjetër kyç të Kongresit të SHBA-ve. Dhe, pos Ligës e DioGuardit bashke me znj. Cloyes, nuk ka kush që mundet me pas më shumë sukses në këtë drejtim.

MPJ mund të bëjë çfarëdo kontrate lobiste për të ndrequr imazhin e vet pak ndoshta, por assesi për t’i ndihmuar Kosovës realisht. Jemi në kohën kur edhe minutat e humbur do t’i kushtojnë gjeneratave të ardhëshme. Jemi në kohën e veprimit konkret, të përbashkët, për interesin kombëtar të shtetit tone, jo për rregullimin kozmetik diplomatik.

Kushdo që mendon se “kompromiset e dhimbëshme” që janë përmendur nga amerikanët janë hajgare, është vet veçse një hajgaregji në politikë. Nëse duam t’i sfidojmë suksesshëm këto “kompromise,” rrugën e dijmë (e kemi parë tash e mbi tri dekada), veç a e kemi vullnetin! E përveç vullnetit, na duhet edhe dija, përvoja, njohja e kuluareve të Capitol Hill-it. Përndryshe, kur të jemi para aktit të kryer me marrëveshjen finale mbi tavolinë, ikja nga përgjegjësia do të jetë e pamnudur.

Dr. Faton Bislimi është Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK.

Filed Under: Politike

“Skënderbeu” i Gentile Belinit është plot vitalitet, ëmbëlsi e fisnikëri, rrezaton botën shpirtërore të tij

December 7, 2021 by s p

Vijon nga numri i kaluar…

Nga Fotaq Andrea & Dritan Muka

Prof. Lutfi Alia, me një analizë të hollësishme bazuar në dokumente e kronika të kohës, ka komentuar vizitën e fundit të gjatë të Skënderbeut në Itali (dhjetor 1466-fundi i marsit l467), duke na e shfaqur Heroin në Firence në shkurt 1467, ku u takua me Dukën e Madh të Toskanës Pietro di Medicis në Castel Leone, “i cili, kur dëgjoi rrëfimet për masakrat që kishte kryer ushtria turke [në Shqipëri], i përlotur i dha [Skënderbeut] një ndihmë financiare bujare”57. Dhe Alia vijon më tej me tri letrat e Terenzi Lorenzos të 11 e 13 shkurtit 1467, i cili i shkruan madje edhe Dukës Sforzza të Milanos për të ndihmuar financiarisht Skënderbeun.58 Pra, si arriti të marrë rreth 15 mijë dukate ari, tek vizitoi për ndihma Napolin, Romën, Firencen – që është pika e mesit e distancës Romë-Venecie, dhe kur Lorenzo ka marrë përsipër t’i shkruajë dukës së Milanit për ndihma (sa larg për të kalëruar gjer atje!) dhe, nga ana tjetër, kur vetë Papa Pali II, venecian për nga origjina, e kishte këshilluar fort Skënderbeun të shkonte në Venecie –, nuk ka, në këtë rast, si të mos mendojmë me të drejtë që Sinjoria e lartë do të ishte dhe duhej të ishte destinacioni i fundit i udhëtimit të gjatë të shpurës kastriotine për t’u ndodhur aty gjatë festimeve të Karnavaleve, konkretisht në dhjetëditëshin e fundit të shkurtit 1467, kur do të realizohej edhe portreti ynë i Skënderbeut nga Belini. 

Për më tepër që, siç kemi vënë në dukje, tradita gojore e mbështet këtë fakt historik, që Gentile ka realizuar portretin origjinal të Skënderbeut dhe kur dimë, nga ana tjetër, se Marino Sanudo është shprehur qartë e prerë se Skënderbeu ka qenë në Venedik pikërisht në këtë periudhë.59 Po ashtu edhe Kenner, të cilit Faik Konica i referohet në dy shkrimet e tij tek “Albania” për portretet më të lashta të Skënderbeut. Dhe dimë që Kenner mbështetet në krejt dokumentacionin arkivor të Vjenës që përherë e më shumë po bëhet i hapur e i numerizuar.

Në veprën Histoire du Carnaval à Venise (Grenoble, 2017), Prof. Gilles Bertrand, vë në dukje se “Tek kishte fituar një status diplomatik dhe politik në dorës së parë në Europë, Venecia e shekullit XV dhe e fillimit të shekullit XVI synonte të shpaloste pasuritë e veta, bukurinë dhe elegancën e saj për nder të sovranëve që e vizitonin përherë e më shumë.”60 Është republika e parë që kishte krijuar një qeveri të vërtetë parlamentare dhe dozha ishte figurë simbol, primus inter pares (i parë ndër të parët) që mbante titullin e kurtuazisë “Il Principe”, me autoritet princëror, i barabartë me Papën, perandorin dhe mbretërit e Europës. Por po aq e më shumë, në shkallë fisnikërie, do shfaqej në Venedik më 1467 edhe Princi i Arbërit Gjergj Kastrioti tek vinte drejtpërdrejt nga sheshi i luftës, si figurë emblematike e qëndresës antiosmane, si aktor kryesor i Historisë së kohës së tij, që do pritej në Venecie vërtet me nderimet që i takonin, por brendapërbrenda takimesh private e të fshehta, kur atmosfera festive e karnavaleve do mbulonte gjithçka. Vizita e Kastriotit do të ishte pra incognito, jo si ajo e Janit të Parë të Madh të Portugalisë, e perandorit bizantin Jani VII Paleolog, e dukës S. Sforza Visconti, e perandorit gjerman Frederiku III, të cilët ishin pritur e do priteshin nga Këshilli i të Dhjetëve gjithë pompozitet e salltanet, pa hallet dhe telashet e Heroit shqiptar. Për më tepër që edhe vetë shpura e këtij të fundit ishte mjaft e kufizuar në numër: Pal Engjëlli, Dhimitër Frangu, familja e shtrenjtë, Donika e djali, Gjoni II, Qytetar Nderi i Venedikut, dhe pesë-gjashtë kalorës kreshnikë që e shoqëronin Kapedanin ngado. E megjithatë,, misioni i tij ishte tepër i lartë e tepër fisnik: veç të kërkonte ndihma për të mbrojtur e shpëtuar popullin e tij të martirizuar, që po hiqte njëmijë e një të zeza apo vetë të zezën e ullirit, pa paqe një ditë. Kërkesë kjo e ligjshme, larg çdo pompoziteti spektakular. 

Ja pra, ky Skënderbe, me botë aq të trazuar shpirtërore do të shfaqej para Gentiles, që i njihte tashmë shqiptarët shtatlartë tek vinin nga fusha e betejës dhe zonat veriore të Arbërisë, të njohura përgjithësisht për lartësi e bukuri trupore mashkullore dhe për trupa femërore plot hajthmëri shtojzovalleje, siç do shprehej shekuj më vonë francezi Pouqueville. Ky Skënderbe i pashëm, plot vitalitet e forcë trupore të jashtëzakonshme, i cilësuar gladiator modern, do shfaqej nga ana tjetër edhe në një gjendje shpirtërore disi të trazuar para syrit të pagabueshëm të gjeniut Gentile, i cili, me aftësi të pazakontë, zbërthente në vend për nga përbrenda krejt botën shpirtërore të personazheve që pozonin para tij. Dhe i duhej atëherë shumë ngrohtësi zemre, shumë poezi peneli të çiltër, thellësi ndjenje e vërtetësi shprehëse për të dhënë fuqishëm një portret të Heroit shqiptar larë në lumin e praruar të dritës diellore, me të kuqen e ngrohtë melankolike, por me simbolikë e ekspresivitet të lartë. Duhej pra, as më shumë e as më pak, një Skënderbe me status “fotografik”, plotësisht i identifikueshëm, por edhe i bukur e jetësor, një Skënderbe hero i vërtetë. Këtë mision të lartë, tepër fisnik për familjen e Kastriotit dhe kombin e Arbrit në radhë të parë, Gentile do ta realizonte me sukses, duke e shfaqur Heroin shqiptar me status përjetësie, sikurse tërë portretet e tij që mbartin gjenialitet artistik. 

Se kush ishte Skënderbeu për Venedikun apo Venediku për Skënderbeun, këto raporte bilaterale nuk kishin rëndësi për piktorin Gentile që ndodhej përballë Heroit, dhe që i përmbahej porosisë së marrë nga Këshilli i lartë: të bënte një “Skënderbe” origjinal e të bukur, një dhuratë të çmuar – kjo dhe vetëm kjo kishte rëndësi për të. Nuk i duheshin politikat dyfishe apo raportet e ngushta diplomatike, me ulje-ngritje, midis Arbërisë e Sinjorisë, që datonin historikisht që nga koha e Gjonit I Kastrioti, ati i Skënderbeut. As që i duhej po ashtu se Sinjoria e tij e Shën Markut dhe vetë Papati, prapa luksit të shfrenuar dhe arit vezullues “shumë herë vishnin lëkurën e dhelprës, para lëkurës së luanit, kur hordhitë osmane përhapeshin me shpejtësi si re karkalecash e që si kometë errësonte diellin dhe vishte me zi gjithçka”61, duke u dyndur në Arbëri në prag të Apenineve. Ai ndodhej përpara Heroit shqiptar të frontit të luftës, shoqëruar vetëm nga e shoqja Donika, nga i Biri 13-vjeçar Gjoni II, “Qytetar Nderi i Venedikut”, si dhe nga një Luftëtar fort i besuar i Heroit Dhimitër Frangu. Ndodhej kësisoj në rolin e tij të piktorit zyrtar të Sinjorisë përpara Heroit shqiptar, siç do të ndodhej edhe vite më vonë përballë kundërshtarit të egër të Skënderbeut apo sulltanit të tmerrshëm të kohës Mehmetit II, Fatiut të Kostandinopojës, për ta pikturuar e përjetësuar edhe atë në tablotë e famshme të penelit të tij që komentohen gjatë edhe sot e kësaj dite.  

Siç e kemi theksuar mëse një herë, Gentile dhe vëllai i tij Giovani i njihnin arbrit që herët, por edhe piktorët e talentuar me origjinë arbërore, me të cilët ata bashkëpunonin ngushtë rreth viteve 1500. Madje personazhet e tij arbër Gentile i kishte vendosur edhe në qendër të kompozimeve të veta. Po ndalemi me këtë rast në një zbulim të rrallë nga ana jonë të kohëve të fundit. Na del në mënyrë të dokumentuar se një princ kastriotas është pikturuar në vaj nga Giovani Belini në fillim të viteve 1500, ku konkretisht thuhet: “La testa incorniciata di un ritratto di naturale di un principe Castriota, a olia – Giovani Belino” (fig.16), “Koka e kuadratuar e një portreti të natyrshëm të një princi Kastriot, në vaj – Giovani Belini”.62 

Dy hamendësime mund të bëjmë se për cilin princ kastriotas bëhet konkretisht fjalë këtu: ose për Gjonin II Kastrioti, djalin e Skënderbeut, ose, në mos, për nipin Ferrante Kastrioti, si dy figura qëndrore kastriote që trashëgojnë në linjë familjare titullin “Princ” në vitet 1500-1520. Dhe nuk mund të mos mbajmë këtu parasysh edhe skicat e portreteve të këtyre figurave në Museo “Pietro Cavoti”, Galatina dhe tre botimet e studiuesit pasionant të Kastriotasve Ylli Polovina. Zbulimi edhe fizikisht i portretit të “Princit Kastrioti” nën penelin e famshëm të Giovani Belinit, do të ishte një tjetër arritje e çmuar e ikonografisë kastriotine dhe ndoshta një ditë edhe kjo perlë e rrallë do fillojë të ndrisë nga Arkivat e Vjenës a gjetkë. 

Është tashmë e qartë se krahu i djathë dhe njeriu më i besuar i Skënderbeut në vitet e fundit të jetës së tij do të ishte i riu 22-23-vjeçar Dhimitër Frangu, figura e të cilit sot po vihet në qendër diskutimesh të rëndësishme dhe po bëhet objekt studimesh serioze, sidomos pas përkthimit në shqip dhe botimit të veprës së Frangut nga Lek Pervizi63. Përherë e më shumë po mbështetet teza e G.M. Bonardo (v.1584), e P. Rodota, Ch. Hoph dhe F. Pall, pasuar nga studiuesit shqiptarë F. Noli, Dh. Shuteriqi, K. Xoxi, K. Frashëri, P. Xhufi, Y. Jaka, A. Plasari, M. Prenushi, etj. se autori i Veprës “Commentario delle cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg… ” është Dhimitër Frangu,64 i cili e ka shkruar këtë vepër për herë të parë në latinisht më 1480, por që mbeti në gjendje dorëshkrimi deri më 1539, kur do përkthehej e do botohej në italisht nga nipi i tij Pal Pjetër Engjëlli, dhe më pas, më 1541, vepra do botohej edhe nga Paulo Jovio. 

E vlerësojmë dhe ngrejmë lart figurën dhe veprën e Dhimitër Frangut, dëshmitarit okular e objektiv të jetës së Kastriotit të Madh, të cilit ai i shërbeu me besnikëri si thesarmbajtës i tij, duke shkruar, si i pari historian, 12 vjet pas vdekjes së Heroit, me shumë dashuri, përkorë e finesë bëmat e TënëZotit Skënderbe. Vërejmë, në kalim e sipër, se albanologu Emile Legrand, duke botuar më 1892 “110 Letrat greke të Francesco Philelphus” (1398-1481)65, nxjerr në pah se ky dijetar italian i fillimit të Rilindjes mbante lidhje me anë letrash me mjekun Thomas Francos (Thoma Frangu) nga Koroni i Greqisë në vitet 1454-55 (tetë letra në latinisht). Prof. Legrand përmend me këtë rast Dhimitër Frangun për të nxjerrë në pah se “ky mbiemër nuk ishte i rrallë në atë kohë mes grekëve”, (shtojmë: edhe arbërve), duke cituar Pompilio Rodotën. Do të ishte me interes këtu një studim i thelluar për të parë familjen fisnike arbërore Frangu përhapur në shek. XIV nga Kroacia në Greqi përmes Arbërisë së kohës, si dhe lidhjen e gjakut mes Dhimitër Frangut e Thoma Frangut.

Por çka na intrigon edhe më shumë këtu është ilustrimi i Cola Rapipcano-s te faqja e parë e kodikut të Fiocco-s të vitit 1465, që paraqet skenën kur një prift domenikan po dorëzon dorëshkrimin te një fisnik në shenjë dhurtate (fig.17). Përse kjo “skenë”, përse në këtë faqe të parë? Kush është ky fisnik? I çuditshëm për më tepër na duket fakti që portreti i Skënderbeut jepet si ilustrim në faqe të fundit të kodikut, kur logjika më e thjeshtë do të kërkonte që ky portret i një personaliteti të lartë duhej të ishte në faqe të parë, përderisa vetë kodiku i është dhënë dhuratë Heroit Shqiptar. Pale që ky ilustrim i faqes së parë, me idenë e dhuratës na shfaqet mu si një “mballomë”, që fsheh nën vetvete ndoshta një emblemë fisnikërore të një porositësi të mëparshëm të Kodikut, sipas praktikës së realizimit të kodikëve me anë porosie. Kjo “mballomë” duket qartë edhe me sy të lirë duke ndjekur ndërprejen brutale që u bëhet degëve të hardhisë nga korniza e praruar e miniskenarit, brenda të cilit vërehen fshirje në të dy krahët e ilustrimit. Një manipulim i tillë nga ana e piktorit të shquar Rapicano dëshmon për faktin se kodiku i Fiocco-s 1465 ka qenë i përgatitur paraprakisht për tjetër “destinacion”. Por që, në çast të fundit, Cola Rapicano duhet të jetë thirrur urgjentisht në Romë nga Napoli për dhuratën speciale, me qëllim që ta bënte Skënderbeun portret origjinal në miniaturë, pikërisht në gjysmë-fletën bosh të faqes së fundit të kodikut, duke kompozuar, nga ana tjetër edhe ilustrimin e faqes së parë për të fshehur gjurmët e një emblemë ekzistuese të mëparshme në kodik. 

Tek këqyrim me vëmendje ilustrimin e faqes parë: “Një prift dhuron një libër te një fisnik”, nuk ka si të mos vërejmë se te portreti i fisnikut na shfaqet një djalë i ri shtatlartë, gjithë energji e freski, pa mjekër, me flokë të gjata e me pelerinë luksoze. Priremi në këtë rast ta identifikojmë këtë personazh me Dhimitër Frangun, duke marrë si dhuratë kodikun e shtrenjtë të Fiocco-s që përmban portretin e Princit të Arbrit të cilit ai i shërbente gjithë devotshmëri tek e shoqëronte kudo gjatë vizitave në Itali. Asgjë nuk del nga asgjëja, asgjë nuk është e rastësishme dhe e zhveshur nga kuptimësia, apo jashtë kontekstit historik, sidomos te kodikët, që mbartin simbolikë të fuqishme. Përkundrazi, gjithçka është e qëllimshme, në vendin e vet dhe shpreh kuptim të caktuar, mjaft që të “deshifrohet”. A nuk është impresionues vetë fakti që KryeHeroi 68 vjeçar Skënderbe shoqërohet në takime të sferave të larta në Itali nga një Djalosh bukurosh arbër, 22-23-vjeçar, shtatlartë e i hajthëm, që e mbron Kapedanin e vet si sytë e ballit?!…

6. Konkluzione. “Skënderbeu” i Gentile Belinit – Pasaparta e Nderit 

e Kombit Shqiptar

Para së gjithash, lypset të nënvizojmë se analiza e një vepre artistike, si në rastin e portretit SCANDER BECO do të kërkonte nga ana jonë parashtrimin dhe përdorimin me maturi të mjeteve të fuqishme shprehëse të kritikës artistike dhe të vetë historisë së artit belinesk. Po ashtu edhe argumente e referenca të gjithanëshme të karakterit historik e bibliografik. 

Na duhej të shmangnim interpretimet subjektive, inkoherencat, polemikat shterpë, pa rënë në pështjellime, larg absurditeteve pseudo-shkencore që, nëpërmjet mohimit brutal të paargumentuar, kërkojnë të errësojnë e t’i presin rrugën çdo risie e zbulimi.  

U munduam nga ana tjetër, të ndjekim nga afër, si “me lupë”, saktësinë e krejt tipareve të portretit SCANDER BECO, qoftë të marra veçmas, qoftë në harmoninë e tyre të plotë, duke vënë në përdorim aty ku duhej mjetin e domosdoshëm e të fuqishëm të krahasueshmërisë portretuale. Në këtë mënyrë, përcaktuam si objektiv t’i bëjmë veprës njëfarësoj radioskopinë fizike të paraqitjes së saj, duke u orvatur për aq sa mundëm të depërtojmë në labirintet e mbijetesës së saj historike.

Për më tepër që vetë gjendja e mjerë fizike e paraqitjes së portretit (gati i sfumuar) – tek ka humbur pothuajse krejt nga shkëlqimi i dikurshëm i origjinalit -, na bindi e na siguroi, falë të dhënash materiale të pranishme dhe falë elementësh organikë piktorialë, se kemi të bëjmë me portretin e Skënderbeut të Gentile Belinit, konsideruar i humbur në rrjedhë të shekujve, një vepër pamëdyshje unikale, nxjerrë drejtpërdrejt nga dorë e Belinit. Dhe aspak një vepër e Shkollës së Belinit apo vepër atribuar Mjeshtrit të Madh.

Në të njëjtën kohë, u përpoqëm t’i shmangemi prirjes konstatative të derisotme të Historisë së ikonografisë kastriotine që kufizohet thjesht në “lëvizjet” lart e poshtë të objekteve dhe portreteve të Heroit, por pa një analizë të mirëfilltë apo pa një historik të plotë sidomos lidhur me portreturën kastriotine.

Rrjedhimisht, për vetë argumentet e shumta që parashtruam, shohim te “Skënderbeu” i Gentile Belinit portretin origjinal, real e autentik të Heroit Kombëtar Shqiptar, që na shfaqet si një pasaportë nderi e mbarë kombit shqiptar.

Dhe janë pikërisht baza e fuqishme historike dhe analiza e thellë e teknikës portretuale të Gentile Belinit që na siguruan për vërtetësinë e veprës SCANDER BECO, duke e mbështetur krejt argumentimin tonë shkencor në një bibliografi të pasur, me emra studiuesish autoritarë, shqiptarë e të huaj, skënderbegologë seriozë, të djeshëm e të sotëm. Po ashtu, gjithçka e vëzhguam dhe analizuam në lidhje të ngushtë organike me vektorët themelorë të shkencës skënderbegiane, veçanërisht me ikonografinë dhe tipologjinë ekzistuese kastriotine. 

Shqyrtuam dhe u munduam të analizojmë mjeshtërinë portretuale të Gentiles gjatë përdorimit dhe harmonizimit të një minimumi të domosdoshëm ngjyrash në raport të ngushtë me dritën natyrore, me shkëlqimin diellor reflektuar nga lart. Kjo mjeshtëri shfaq te portreti SCANDER BECO dhe te krejt portretet e tjera të Belinit një art të shkallës së epërme, me modelim të formës nëpërmjet ngjyrës, me degradim të hijshëm të dritës, perspektivës e ngjyrës, duke dhënë tipare të proporcionuara, trajtuar në unitet dhe gjithë ekspresivitet, falë një peneli të lirshëm, të shtruar e të ëmbël. Në veçanti, e kuqja rubin ndrin si ngjyra bazë e portretit real e realist SCANDER BECO, pa qenë kurrsesi e rastësishme, por e kërkuar me vetëdije, për vetë simbolikën e fuqishme që mbart.

Me vërtetësi të natyrshme e të mahnitshme, me mprehtësi karakteri dhe ekspresivitet të plotë, portreti belinesk i KryeHeroit Shqiptar shfaq njëkohësisht edhe botën e tij të brendshme, një gjendje emocionale të caktuar, duke vendosur me shikuesin, sipas shprehjes së prof. André Chastel, një “komunikim afektiv.”66 Sharmi i vështrimit dhe balli i praruar janë pikërisht pikat kulmore të këtij portreti, janë ana më piktoreske e tij.

Edhe pse portreti i Skënderbeut të Belinit shfaqet në shkurt 1467 plot energji, vitalitet e gjithfuqishmëri, kur nuk do të vononte që t’i jepte dërrmën renegatit Ballaban së bashku me të vëllanë,  prapëseprapë, një hije zhgënjimi e trishtimi “helmon” njëfarësoj portretin e tij, si të parandjejë një fund e një largim të afërm, të përtejshëm nga kjo botë, por të përjetshëm në kujtesën dhe vetëdijën kombëtare. As dhjetë muaj pas realizimit të këtij portreti, ai ndërron jetë, mbërthyer papritur keq nga ethet e “malaries” (?!) Sikur ethet të na u shkaktuakan veç nga plazmodiumi e jo gjë tjetër dhe anofelat e Lezhës të na pickuakan veç Heroin atë janar të 1468-ës?!…

Duke pasur parasysh pohimin e kritikut të artit Arsène Alexandre sipas të cilit “Shkolla veneciane, nëna e kolorit modern,  fillon vetëm kur Gentile Belini futi ngrohtësinë e  e kolorit oriental në Venedik”67, kemi të drejtë të pohojmë gjithashtu se portreti i Skënderbeut të Gentiles bën pjesë ndër të parat portrete artistike të njerëzve të mëdhenj që bënin Histori që në gjallje të tyre, dhe mund të jetë ndoshta edhe portreti i parë i një princi të huaj pikturuar në Venedik, kur pas tij filluan të shtohen vizitat e sovranëve që do pasonin në Republikën e Shën Markut.

Po ashtu, duke pasur parasysh pohimin e kritikut rumun të artit Victor Stoichita se “…konteksti historik i dërgimit të Belinit në Kostandinopojë [më 1479] për të realizuar portretin e sulltan Mehmetit II është tentativa për paqe me Osmanët,”68 edhe ne kemi të drejtë të parashtrojmë: konteksti historik i realizimit të portretit të Skënderbeut nga Belini është tentativa për t’i fërkuar krahët e marrë me të mirë Heroin e Arbërisë, që ndodhej prej një çerek shekulli në vijën e parë të qëndresës antiosmane dhe vetë Arbëria ishte shndërruar në digë ndalëse të valës dyndëse osmane në Ballkan, gati për të shpërthyer në Apenine e Europë. 

Vitet 1466-1467 do të shënonin kulmin e luftës shqiptaro-turke, shfarosje masive të popullsisë arbërore, kur u masakruan më 1466, 15 mijë vetë dhe më 1467, 10 mijë pleq, gra e fëmijë të pambrojtur, të zënë robër.69 Vendi ishte krejt i rrënuar, kështjellat nuk qëndronin më në këmbë dhe ushtritë osmane 150-200 mijë vetëshe dyndeshin parreshtur si mizë lisi mbi Arbëri, tek kryenin dhunime, vrasje e mizori të papara, djegie plaçkitje e kërdi. Dhe bota fliste për luftë të padëgjuar ndonjëherë,70 për tërbime ulëritëse të Ballabanit e Mehmeti II që kishte mposhtur Kostandinopojën, por Krujën jo! Në këto kushte, cila vallë do mund të ishte gjendja e vërtetë shpirtërore e Skënderbeut?… Kur edhe vetë “Venediku ishte gati të hidhte të hollat në kanal se sa të shpenzonte në Shqipëri”.71

Ja, ky është Skënderbeu i vërtetë në këtë portret, me pamje të plotë reale, të jashtme e të brendshme, fizike e shpirtërore. Ky është i Madhi Skënderbe nga i Madhi Gentile Belini, një binom ku ndërthuren madhështia e Heroit shqiptar me madhështinë e piktorit gjenial të Rilindjes europiane. Sepse falë këtij portreti, tek artisti ne pamë Belinin, Heroin e penelit, dhe te SCANDER BECO ne pamë Heroin e krenarisë historike shqiptare, simbolin e lirisë dhe të shpirti të paepur të kombit shqiptar. 

Filed Under: Politike

Kryeministri Kurti për gazetën malazeze “Pobjeda”: Vuçiq nuk po e përmend më ndarjen, po kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës

December 6, 2021 by s p


Tamara Nikçeviq

Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Rusia me fqinjët e saj: entitetin boshnjak-hercegovinas Republika Srpska po përpiqet ta shndërrojë në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi: ajo këto shtete i konsideron si të përkohshme dhe angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësinë e tyre.

Për shkak të “mosmarrëveshjeve” tradicionale mes shteteve të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, të cilat janë përshkallëzuar muajt e fundit, në qarqet politike dhe mediale perëndimore, rajoni ynë trajtohet sërish sikurse në vitet 1990 – si një fuçi baruti. Shkaku i të gjitha konflikteve, ashtu sikurse në vitet e nëntëdhjeta, është Serbia, d.m.th. politika e saj e ndërhyrjes pak a shumë të hapur në punët e brendshme të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.


Në një intervistë ekskluzive për “Pobjeda”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se ndaj vendeve të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë së madhe, Serbia sot po sillet në mënyrë paternaliste dhe hegjemoniste, tamam si një “Rusi e vogël”.

Dëshmi për këtë janë edhe tensionet e fundit në kufirin Serbi-Kosovë, pas të cilave forcat e Kosovës u detyruan të reagojnë. Dy muaj pas incidentit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pohon se pavarësisht trazirave në kufi, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur të pandryshuara.

„Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta: nuk janë as më të mira e as më të këqija“, shpjegon kryeministri Kurti. „ Kemi të bëjmë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, i cili është autokratik dhe me prirje nga Moska. Nga ana tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme.

POBJEDA: Cilat janë problemet e Kosovës?

KURTI: Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta marr me mend dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë. 


POBJEDA: A varen paqja dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nga marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës?

KURTI: Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për paqe dhe stabilitet afatgjatë dhe për t’i arritur ato, ne kemi nevojë për demokraci, drejtësi dhe zhvillim, të cilat janë edhe baza e vlerave evropiane. Fatkeqësisht, situata aktuale në Ballkanin Perëndimor duket si një kopje në miniaturë e Federatës Ruse. 


POBJEDA: Në çfarë kuptimi?

KURTI: Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Rusia me fqinjët e saj: entitetin boshnjak-hercegovinas  Republika Srpska po përpiqet ta shndërrojë në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi: ajo këto shtete i konsideron si të përkohshme dhe angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj për të shkatërruar shtetësinë e tyre.
Janë dy shkaqe të tensioneve në rritje që po prodhon Serbia.


POBJEDA: Cilat janë ato?

KURTI: Mungesa e demokracisë dhe dështimi për t’u përballur me të shkuarën. Serbia po i eksporton këto dy defekte të brendshme në rajon, duke e destabilizuar atë. Në këtë kuptim, Serbia po e kupton dialogun mes dy vendeve tona si dialog për statusin e Kosovës, për çështjet e brendshme të Kosovës, dhe jo atë që ai realisht është: dialog për statusin e marrëdhënieve tona dhe normalizimin e tyre. Për ta pranuar këtë, Serbia duhet të ndryshojë shumë: duhet të demokratizohet, të vendosë shtetin e së drejtës, të përballet me të kaluarën… Së fundi, duhet të krijojmë një lloj simetrie të reciprocitetit të të drejtave të pakicave.

POBJEDA: Cila ka qenë arsyeja specifike e tensionit në muajt e fundit?

KURTI: Marrëveshja e Brukselit për targa të regjistrimit ka skaduar më 15 shtator 2021, kështu që në përputhje me detyrimet dhe të drejtat e qytetarëve vendosëm për reciprocitet. Ka më shumë se dhjetë vite që qytetarët tanë shkojnë në Serbi, por gjatë hyrjes ata janë të detyruar të paguajnë pesë euro dhe të vendosin targa të përkohshme serbe. Ky parim nuk vlente për automjetet nga Serbia që hynin në Kosovë. Si shtet kemi vendosur të vendosim masën e reciprocitetit, pas së cilës pjesëtarët e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë kanë bllokuar rrugët. Qeveria ishte e detyruar të dërgojë një njësi speciale për të mbrojtur policinë tonë kufitare, pasi bllokada serbe ishte e pazakontë – barrikada dhe buldozerë. Në ndërkohë është djegur qendra e regjistrimit të automjeteve në Zubin Potok – për fat të mirë nuk ka shpërthyer një granatë dore – dhe është e qartë se bëhet fjalë për një sulm të organizuar ndaj institucioneve të vendit tonë. 


POBJEDA: Kush mori pjesë në këtë? Kush janë personat që kanë organizuar barrikadat dhe bllokadat?

KURTI: Të dhënat nga institucionet tona të sigurisë tregojnë se bëhet fjalë për persona me precedentë penalë. Disa prej tyre morën pjesë edhe në tentativën për grushtshtet në Mal të Zi, në vitin 2016.

Tashmë e përmenda që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por nuk mund të kërkojë nga ne që të mos e njohim veten. Ne duam të largojmë barrierat, por përderisa Serbia insiston në barriera, ne ligjërisht do t’i përgjigjemi kësaj.



POBJEDA: Ju e dini se nocioni “reciprocitet” ndryshe interpretohet në Serbi, ndryshe në Kosovë.  

KURTI: Qytetarët e Republikës së Kosovës gjithmonë kanë kërkuar që të trajtohen ashtu siç i trajton Kosova qytetarët e vendeve të rajonit. Ne kërkojmë marrëdhënie të barabarta ndërshtetërore, respektim të të drejtave universale dhe drejtësi mes shoqërive. Me fjalë të tjera, Republika e Kosovës dëshiron që qytetarët, ndërmarrësit, profesionistët, punëtorët e saj të trajtohen njësoj si qytetarët e vendeve të tjera – pa paragjykime, pa pengesa, me respektin e duhur për kryerjen e aktiviteteve jetësore dhe profesionale. Qytetarët e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës nuk duhet të diskriminohen apo të pengohen në synimin e tyre eventual për të bashkëvepruar me autoritetet serbe në një kontekst komercial, qytetar apo ndonjë kontekst tjetër shtetëror.


POBJEDA: ,,Ne duam t’u lëmë kohë shtesë disave në Prishtinë për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse ata nuk duan, ne do të marrim masa me qëllim të mbrojtjes së interesave të Serbisë.“ – tha së fundi presidenti Aleksandar Vuçiq. Si e keni kuptuar këtë porosi? 

KURTI: Nuk e kam kuptuar. Sa herë që Serbia thotë se po mbrohet, ta dini se ajo po sulmon. Ne kemi qenë të bindur për këtë për të paktën tre dekadat e fundit.

Këtë e pamë edhe në rastin e aplikimit të reciprocitetit të targave dhe situatën e krijuar në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje. Fatkeqësisht, Serbia reagoi ashpër edhe atëherë, duke mbledhur trupa në kufi, duke përfshirë tanke T-72, autoblinda “Lazar” 3 dhe mjete luftarake multi-funksionale BOV M16 MILOŠ; në të njëjtën kohë, angazhoi avionë luftarakë rus MIG29, si dhe helikopterë të prodhimit rus për fluturime ndërkufitare.

Serbia shpenzon shumë më tepër për ushtrinë sesa pesë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku. Përkundër kësaj, ajo ka marrë ndihmë dhe donacione nga BE-ja, pa detyrimin për të zbatuar vlerat evropiane. Serbia në vend që të demokratizohet, ajo është militarizuar nga Rusia dhe Kina.



POBJEDA: Në kohën e incidentit në kufirin e dy vendeve tuaja, ambasadori i Federatës Ruse në Beograd ka vizituar kufirin i shoqëruar nga ministri i luftës Nebojša Stefanović. Cili është mesazhi? 

KURTI: Ndërkohë që ministri i Mbrojtjes i Serbisë dhe ambasadori rus në Beograd po inspektonin forcat ushtarake serbe në pikën kufitare Jarinje, ku ndodheshin edhe automjete të blinduara, mbi ta kishin fluturuar avionët ushtarak MiG-29 që Serbia i kishte marrë nga Federata Ruse. Në atë moment, pa fajin e Kosovës, tensionet u rritën ndjeshëm. Synimi ishte të na frikësonin, të na kërcënonin…


POBJEDA: A ju frikësuan?

KURTI: Natyrisht që jo. Kosova nuk u tërhoq, në fund gjithçka përfundoi në Bruksel. Jam i kënaqur që kemi arritur të vendosim një masë reciprociteti për targa të regjistrimit. 


POBJEDA: Kur flasim për Federatën Ruse, ai vend ka gjashtëmbëdhjetë vjet që ka zyrën e tij ndërlidhëse në Kosovë, e cila punëson dhjetëra diplomatë. Kohët e fundit ju shpallët dy diplomatë rusë të kësaj zyre të padëshiruar dhe “të rrezikshëm për sigurinë kombëtare”. Cili është roli dhe funksioni i zyrës ndërlidhëse ruse në përgjithësi? 

KURTI: Dy zyrtarë rusë në Kosovë i shpallëm persona non grata për shkak të aktiviteteve të tyre të dëmshme me të cilat cenonin sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Institucionet tona nuk do të hezitojnë të veprojnë sa herë që cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend. Në raport me të gjitha shtetet ballkanike, Kosova është kundërshtarja më e madhe e politikës dhe ndikimit të Federatës Ruse. Në këtë drejtim, institucionet shtetërore të Kosovës punojnë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të.


POBJEDA: Çfarë saktësisht nënkuptoni kur thoni se Kosova e kundërshton ndikimin e Rusisë?

KURTI: Është e qartë se Rusia vazhdimisht po përpiqet të dobësojë BE-në, deri në pikën e shpërbërjes së saj. Ashtu siç Serbia është nostalgjike për Jugosllavinë, e cila ishte e dominuar dhe në të cilën Slobodan Milosheviqi komandonte ushtrinë jugosllave në vitet 1990, edhe presidenti i Rusisë është nostalgjik për kohën e BRSS-së, kur forcat sovjetike sundonin vendet e Evropës Lindore. Kjo nostalgji për pushtet është një ngjashmëri shtesë midis Rusisë dhe Serbisë, e cila rrit rrezikun për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, besoj se përpjekjet tuaja do të dështojnë. Ne i njohim mirë edhe aleancat dhe partneritetet tona me Perëndimin janë të palëkundura.


POBJEDA: Serbia po pretendon se Kosova nuk e respekton marrëveshjen e Brukselit, d.m.th që po refuzon formimin e Bashkësinë e Komunave Serbe në veri të Kosovës. A kanë të drejtë ata që e shohin BKS-në si Republika Srpska e re në Ballkan?

KURTI: Gjatë vitit 2013 është bërë presion i madh te deputetët që të arrihet kjo marrëveshje sa më shpejt. Mungonte transparenca dhe informacioni. Sot, institucionet e Kosovës drejtohen nga njerëz që kundërshtuan marrëveshjen në vitin 2013 dhe që arritën një fitore plebishitare në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.



POBJEDA: Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Ju?

KURTI: Ashtu është. Së dyti, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga dhjetori 2015 me të drejtë thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është i integruar në sistemin ligjor dhe kushtetues të Kosovës. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese konstatoi se vetë ideja e AKS-së shkel 23 nene të Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk parasheh asnjë integrim territorial në baza etnike. Ne kemi një krijesë të tillë në BeH: quhet Republika Srpska, është ndërtuar në Dejton dhe i shërben Beogradit dhe jo serbëve. Prandaj Beogradi dëshiron një krijesë të ngjashme edhe në Kosovë. Në BeH kemi një shtet që nuk është republikë dhe brenda saj një republikë që nuk është shtet. Brenda Kosovës, Beogradi dëshiron një Asociacion që do të quhet republikë, por nuk do të jetë shtet. Shpresoj se kemi nxjerrë disa mësime nga e kaluara dhe kemi studiuar dhe analizuar si duhet Serbinë dhe politikën e saj. Të cilën, për fat të keq, e ndjemë në lëkurën tonë.



POBJEDA: Në shkurt 2020, Matthew Palmer, atëherë i dërguari special i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, dhe sot një njeri kyç i SHBA-së për reformën zgjedhore në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk përjashtoi mundësinë e “shkëmbimit të territoreve” midis Serbisë dhe Kosovës në një intervistë me EU Observer. A i ka ardhur fundi kësaj ideje të rrezikshme përfundimisht? 

KURTI: Unë dua që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për shkëmbimin e territoreve. Ne jemi një shtet demokratik dhe zgjidhje të tilla nuk do të jenë në tavolinë. Fitorja ime në zgjedhje tregoi se populli i Kosovës nuk dëshiron ndarje të territoreve. Mendoj se as serbët nuk e duan këtë. Ndarjen e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Por, prej kur unë jam kryeministër, Aleksandar Vuçiq nuk e përmend më demarkacionin me shqiptarët dhe zgjidhjet territoriale. Në vend të kësaj, ai kërkon “bosnjëzimin” e Kosovës: një entitet autonom serb brenda Republikës sonë për ta bërë Kosovën një shtet jofunksional. Ai nuk ia arriti, sigurisht. Nuk ka ndarje të Kosovës.



POBJEDA: Presidenti Aleksandar Vuçiq e kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve në Bruksel me “kthimin e situatës në gjendjen e para 20 shtatorit”. 

KURTI: Bisedimet midis grupeve teknike të udhëhequra nga kryenegociatorët janë duke u zhvilluar në Bruksel. Suksesi i negociatave dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë varen në radhë të parë nga gatishmëria e Beogradit për të ndryshuar qasjen e tij dhe vetveten. Në Serbi nuk ka pluralizëm. E keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Dhe ai shtet është kisha. Dhe kjo kishë është partia. Nuk ka pluralizëm. Ata thjesht aktrojnë  se janë demokraci.



POBJEDA: A e keni përshtypjen se kryeministri Edi Rama më mirë po kuptohet me Presidentin e Serbisë se sa me Juve? 

KURTI: Së fundmi, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë patën një takim të përbashkët, gjatë së cilës ne së bashku me kryeministrin Rama dhe ministrat e tij nënshkruam trembëdhjetë marrëveshje të reja bashkëpunimi. Takimi i dy qeverive dhe marrëveshjet e nënshkruara janë në sfondin e integrimit në BE, që është perspektiva jonë. Marrëveshjet si këto do të na lejojnë të përkthejmë vizionet dhe programet e të dyja qeverive në veprime më konkrete, në mënyrë që të jenë efikase dhe frytdhënëse.



POBJEDA: Ju nuk iu përgjigjët pyetjes sime, ndaj më lejoni ta provoj këtë: kryeministrat Rama, Zoran Zaev dhe presidenti Vuçiq u propozojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor projektin “Ballkani i Hapur”. A është kjo ide e pranueshme për Kosovën?   

KURTI: Nuk mund të kemi Ballkan të Hapur derisa Serbia të jetë e mbyllur për Kosovën, derisa të mos na pranojë pasaportat, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat dhe vulat e Kosovës. Ballkani i Hapur më shumë i ngjan një Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçanërisht nga Federata Ruse dhe Kina; e hapur ndaj autokracisë, korrupsionit, kriminelëve të luftës… Të gjitha këto në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Në një farë mënyre, nga këndvështrimi i Serbisë, Ballkani i Hapur do të thotë që vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten të hapura ndaj Federatës Ruse dhe Kinës ashtu siç është e hapur Serbia. Kosova e kundërshton këtë synim, duke insistuar se Evropa është kontinenti ynë dhe BE-ja është fati ynë.



POBJEDA: Deri në çfarë mase jokonsistenca dhe pasiviteti i asaj BE-je, si dhe mbyllja e syve ndaj qasjes së Presidentit Vuçiq ka kontribuar në destabilizimin e rajonit? 

KURTI: Disa vende anëtare të BE-së e kanë kthyer konsensusin si gjithëpërfshirje në një “armë vetoje”, e cila po keqpërdoret si nga Serbia ashtu edhe nga Rusia.



POBJEDA: A e kupton këtë administrata e re amerikane? Çfarë prisni nga rikthimi i tyre në Ballkan? 

KURTI: Ne gjithmonë e mirëpresim angazhimin amerikan në Ballkan, por SHBA-ja vendos vet për llojin dhe intensitetin e angazhimit. Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me administratën e Presidentit Biden për të forcuar demokracinë, për të zbatuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO dhe BE dhe për të thelluar miqësinë ashtu që të sigurohet paqja dhe siguria e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë. Prania e trupave amerikane në Kosovë është një manifestim i përkushtimit të Amerikës për Kosovën dhe sovranitetin e saj, por edhe për paqen në rajon dhe Evropë, si dhe luftën kundër parandalimit të përhapjes së faktorëve keqdashës të palëve të treta.

Si partneri ynë strategjik, SHBA-të i kanë dhënë besimin vendit tonë, kështu që Forca e Sigurisë së Kosovës për herë të parë është pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21” në territorin e Republikës sonë. Pjesëmarrja e forcave të Kosovës në stërvitjen, në të cilën morën pjesë 27 shtete, ndërsa 16 prej tyre ishin nikoqire, dëshmon qartë synimin e Kosovës për të krijuar një mjedis të sigurt dhe paqësor në Evropë dhe më gjerë. Mbështetja e ushtrisë amerikane gjatë kësaj stërvitjeje është hallkë në zinxhirin mbështetës të SHBA-së për zhvillimin e vendit tonë, e veçanërisht për ndërtimin e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

FSK-ja shërbeu në mënyrë paqësore gjatë zbarkimit të parë të përbashkët me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe ndihmoi partnerët e SHBA-së dhe NATO-s në evakuimin e refugjatëve afganë, duke demonstruar aftësinë e saj për të shërbyer krah për krah me vendet anëtare të NATO-s.


POBJEDA: Një raport i ri progresi i Komisionit Evropian për Kosovën tha se “paqëndrueshmëria politike në Kosovë ka kufizuar veprimin e qeverisë, duke përfshirë reformat e lidhura me BE-në”. Situata në veri të Kosovës u cilësua si “sfiduese”, veçanërisht në aspektin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes. A jeni të kënaqur me raportin e KE-së?

KURTI: Raporti vjetor mat progresin në dy periudha gjashtëmujore – para dhe gjatë qeverisjes sonë, të cilat ndryshojnë si dita me natën. Në gjashtë muajt e fundit të qeverisjes sonë kemi stabilitet institucional, legjitimitet demokratik dhe besim të lartë tek institucionet nga ana e qytetarëve, që është një progres i madh shoqëror. Në fushën e sundimit të ligjit, në gjashtë muajt e parë të qeverisjes sonë miratuam Strategjinë e Sundimit të Ligjit, Projekt Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Agjencinë Kundër Korrupsionit, finalizuam draft dokumentin për verifikim dhe projektligjin e parë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar. E gjithë kjo do të forcojë dhe përmirësojë sistemin gjyqësor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.  

Në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nga data 1 prill deri më 30 shtator 2021 janë kryer 519 bastisje dhe 283 aksione policore. Po ashtu kemi intensifikuar luftën kundër kontrabandës, evazionit fiskal dhe krimit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në fushën e vaksinimit dhe menaxhimit të pandemisë gjatë nëntorit 2021, kemi pasur një numër njëshifror të vdekjeve nga Covid-19; ne kemi dhënë mbi 1.6 milionë doza të vaksinës, 64 për qind e popullsisë mbi 16 vjeç janë me një dozë, ndërsa 57 për qind kanë marrë dy dozat. Ne jemi ende vendi i parë në rajon për sa i përket vaksinimit të popullsisë, që është një progres i padiskutueshëm.


POBJEDA: Cilët janë treguesit ekonomik?

KURTI: Ekonomia konkurruese dhe zhvillimi ekonomik janë kritere të rëndësishme për përparimin drejt BE-së. Bazuar në projeksionet dhe statistikat aktuale për zhvillimin ekonomik, presim që në fund të këtij viti të kemi një rritje dyshifrore mbresëlënëse, e cila do të na forcojë ne si vendin me përqindjen më të lartë të zhvillimit ekonomik në Evropë. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9 për qind. Të ardhurat buxhetore janë rritur për një të tretën, kemi ulur shumë shpenzimet e qeverisë dhe Kuvendi ka miratuar buxhetin për vitin 2022, i cili është 8.7 për qind më i lartë se rishikimi i buxhetit nga viti në vit. Qarkullimi në ekonomi u rrit me 30 për qind, eksportet me 68 për qind. 



POBJEDA: Pse, atëherë, Vetëvendosje fitoi vetëm katër komuna në zgjedhjet lokale në Kosovë të 17 tetorit? Çfarë nuk ishte e qartë për qytetarët? 

KURTI: Ndoshta ka pasur lëshime nga ana jonë, nga ana e strukturave tona. Megjithatë, besoj se qytetarët nuk e duan më pak Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundrazi. Në zgjedhjet e 17 tetorit ishim të parët me numrin e përgjithshëm të votave në nivel vendi, ashtu si në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, zgjedhjet lokale, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, janë një lloj tjetër loje dhe rregullash zgjedhore. Është pak a shumë si tenisi, ku mund të fitosh shumë gema, por në fund të humbësh setin. Sipas totalit të votave të qytetarëve jemi të parët në Republikë në zgjedhjet lokale, ndonëse kryetar komunash do të kemi vetëm në katër komuna. Aty ku jemi në opozitë do të bëjmë një opozitë të mirë dhe të fortë; aty ku jemi në pushtet do të bëjmë një qeveri të mirë dhe efikase.


Serbët në Kosovë nuk janë qytetarë të dorës së dytë 


POBJEDA: Cili është statusi i serbëve në Kosovë? A janë, siç pretendon Beogradi zyrtar, qytetarë të rendit të dytë?

KURTI: Nuk janë. Serbët në Kosovë përbëjnë pesë deri në gjashtë përqind të popullsisë dhe nuk janë të diskriminuar. Si Qeveri e Kosovës, programi ynë do t’i ndihmojë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse i pyet serbët në Kosovë se cilat janë ankesat apo kërkesat e tyre kryesore, ata do t’ju thonë puna dhe drejtësia.

Është interesant fakti që asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar që Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk është zbatuar. Beogradi është ai që gjithmonë është zemëruar. Ajo që Serbia po përpiqet t’i imponojë shtetësisë së Kosovës dhe rendit tonë kushtetues nuk është dëshira apo vullneti i serbëve të Kosovës, por shprehje e aspiratave hegjemoniste të Serbisë.


Jemi të përkushtuar për afirmimin e komunitetit malazez


POBJEDA: Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2020?

KURTI: Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha. Axhenda e reformës është premtuese, sepse kemi hapësirë për të intensifikuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të cilin duhet ta luftojmë së bashku në të dyja anët e kufirit. Gjithashtu, mund të bëhet më shumë për të lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për të hequr barrierat për zhvillim më të madh ekonomik dhe investime në të dy vendet. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të koordinojmë aktivitetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Malit të Zi në iniciativat rajonale. Ne i jemi mirënjohës Malit të Zi për mbështetjen dhe angazhimin e tij në organizatat ndërkombëtare. Kosova dhe Mali i Zi ndajnë aspirata të përbashkëta për anëtarësim në BE dhe janë partnerë në përpjekjet e përbashkëta për demokratizimin dhe zhvillimin e rajonit.


POBJEDA: Komuniteti malazez në Kosovë, siç është paralajmëruar në maj të këtij viti, duhet të bëhet kategori kushtetuese e Republikës së Kosovës sikurse serbët dhe boshnjakët dhe të fitojë statusin e pakicës. A kanë malazezët në Kosovë sot statusin e pakicës? 

KURTI: Së bashku me përfaqësuesit e komunitetit malazez në Kosovë, jemi të përkushtuar për afirmimin e pozitës së komunitetit malazez, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve të besimit dhe fqinjësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Ne dëshirojmë që shqiptarët në Mal të Zi dhe malazezët në Kosovë të gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre kolektive kulturore dhe politike, gjë e cila është një bazë e shëndetshme për marrëdhënie të mira mes dy vendeve tona dhe për një të ardhme më të mirë për të dy kombet.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT