Vijon nga numri i kaluar…
Nga Fotaq Andrea & Dritan Muka
Prof. Lutfi Alia, me një analizë të hollësishme bazuar në dokumente e kronika të kohës, ka komentuar vizitën e fundit të gjatë të Skënderbeut në Itali (dhjetor 1466-fundi i marsit l467), duke na e shfaqur Heroin në Firence në shkurt 1467, ku u takua me Dukën e Madh të Toskanës Pietro di Medicis në Castel Leone, “i cili, kur dëgjoi rrëfimet për masakrat që kishte kryer ushtria turke [në Shqipëri], i përlotur i dha [Skënderbeut] një ndihmë financiare bujare”57. Dhe Alia vijon më tej me tri letrat e Terenzi Lorenzos të 11 e 13 shkurtit 1467, i cili i shkruan madje edhe Dukës Sforzza të Milanos për të ndihmuar financiarisht Skënderbeun.58 Pra, si arriti të marrë rreth 15 mijë dukate ari, tek vizitoi për ndihma Napolin, Romën, Firencen – që është pika e mesit e distancës Romë-Venecie, dhe kur Lorenzo ka marrë përsipër t’i shkruajë dukës së Milanit për ndihma (sa larg për të kalëruar gjer atje!) dhe, nga ana tjetër, kur vetë Papa Pali II, venecian për nga origjina, e kishte këshilluar fort Skënderbeun të shkonte në Venecie –, nuk ka, në këtë rast, si të mos mendojmë me të drejtë që Sinjoria e lartë do të ishte dhe duhej të ishte destinacioni i fundit i udhëtimit të gjatë të shpurës kastriotine për t’u ndodhur aty gjatë festimeve të Karnavaleve, konkretisht në dhjetëditëshin e fundit të shkurtit 1467, kur do të realizohej edhe portreti ynë i Skënderbeut nga Belini.
Për më tepër që, siç kemi vënë në dukje, tradita gojore e mbështet këtë fakt historik, që Gentile ka realizuar portretin origjinal të Skënderbeut dhe kur dimë, nga ana tjetër, se Marino Sanudo është shprehur qartë e prerë se Skënderbeu ka qenë në Venedik pikërisht në këtë periudhë.59 Po ashtu edhe Kenner, të cilit Faik Konica i referohet në dy shkrimet e tij tek “Albania” për portretet më të lashta të Skënderbeut. Dhe dimë që Kenner mbështetet në krejt dokumentacionin arkivor të Vjenës që përherë e më shumë po bëhet i hapur e i numerizuar.
Në veprën Histoire du Carnaval à Venise (Grenoble, 2017), Prof. Gilles Bertrand, vë në dukje se “Tek kishte fituar një status diplomatik dhe politik në dorës së parë në Europë, Venecia e shekullit XV dhe e fillimit të shekullit XVI synonte të shpaloste pasuritë e veta, bukurinë dhe elegancën e saj për nder të sovranëve që e vizitonin përherë e më shumë.”60 Është republika e parë që kishte krijuar një qeveri të vërtetë parlamentare dhe dozha ishte figurë simbol, primus inter pares (i parë ndër të parët) që mbante titullin e kurtuazisë “Il Principe”, me autoritet princëror, i barabartë me Papën, perandorin dhe mbretërit e Europës. Por po aq e më shumë, në shkallë fisnikërie, do shfaqej në Venedik më 1467 edhe Princi i Arbërit Gjergj Kastrioti tek vinte drejtpërdrejt nga sheshi i luftës, si figurë emblematike e qëndresës antiosmane, si aktor kryesor i Historisë së kohës së tij, që do pritej në Venecie vërtet me nderimet që i takonin, por brendapërbrenda takimesh private e të fshehta, kur atmosfera festive e karnavaleve do mbulonte gjithçka. Vizita e Kastriotit do të ishte pra incognito, jo si ajo e Janit të Parë të Madh të Portugalisë, e perandorit bizantin Jani VII Paleolog, e dukës S. Sforza Visconti, e perandorit gjerman Frederiku III, të cilët ishin pritur e do priteshin nga Këshilli i të Dhjetëve gjithë pompozitet e salltanet, pa hallet dhe telashet e Heroit shqiptar. Për më tepër që edhe vetë shpura e këtij të fundit ishte mjaft e kufizuar në numër: Pal Engjëlli, Dhimitër Frangu, familja e shtrenjtë, Donika e djali, Gjoni II, Qytetar Nderi i Venedikut, dhe pesë-gjashtë kalorës kreshnikë që e shoqëronin Kapedanin ngado. E megjithatë,, misioni i tij ishte tepër i lartë e tepër fisnik: veç të kërkonte ndihma për të mbrojtur e shpëtuar popullin e tij të martirizuar, që po hiqte njëmijë e një të zeza apo vetë të zezën e ullirit, pa paqe një ditë. Kërkesë kjo e ligjshme, larg çdo pompoziteti spektakular.
Ja pra, ky Skënderbe, me botë aq të trazuar shpirtërore do të shfaqej para Gentiles, që i njihte tashmë shqiptarët shtatlartë tek vinin nga fusha e betejës dhe zonat veriore të Arbërisë, të njohura përgjithësisht për lartësi e bukuri trupore mashkullore dhe për trupa femërore plot hajthmëri shtojzovalleje, siç do shprehej shekuj më vonë francezi Pouqueville. Ky Skënderbe i pashëm, plot vitalitet e forcë trupore të jashtëzakonshme, i cilësuar gladiator modern, do shfaqej nga ana tjetër edhe në një gjendje shpirtërore disi të trazuar para syrit të pagabueshëm të gjeniut Gentile, i cili, me aftësi të pazakontë, zbërthente në vend për nga përbrenda krejt botën shpirtërore të personazheve që pozonin para tij. Dhe i duhej atëherë shumë ngrohtësi zemre, shumë poezi peneli të çiltër, thellësi ndjenje e vërtetësi shprehëse për të dhënë fuqishëm një portret të Heroit shqiptar larë në lumin e praruar të dritës diellore, me të kuqen e ngrohtë melankolike, por me simbolikë e ekspresivitet të lartë. Duhej pra, as më shumë e as më pak, një Skënderbe me status “fotografik”, plotësisht i identifikueshëm, por edhe i bukur e jetësor, një Skënderbe hero i vërtetë. Këtë mision të lartë, tepër fisnik për familjen e Kastriotit dhe kombin e Arbrit në radhë të parë, Gentile do ta realizonte me sukses, duke e shfaqur Heroin shqiptar me status përjetësie, sikurse tërë portretet e tij që mbartin gjenialitet artistik.
Se kush ishte Skënderbeu për Venedikun apo Venediku për Skënderbeun, këto raporte bilaterale nuk kishin rëndësi për piktorin Gentile që ndodhej përballë Heroit, dhe që i përmbahej porosisë së marrë nga Këshilli i lartë: të bënte një “Skënderbe” origjinal e të bukur, një dhuratë të çmuar – kjo dhe vetëm kjo kishte rëndësi për të. Nuk i duheshin politikat dyfishe apo raportet e ngushta diplomatike, me ulje-ngritje, midis Arbërisë e Sinjorisë, që datonin historikisht që nga koha e Gjonit I Kastrioti, ati i Skënderbeut. As që i duhej po ashtu se Sinjoria e tij e Shën Markut dhe vetë Papati, prapa luksit të shfrenuar dhe arit vezullues “shumë herë vishnin lëkurën e dhelprës, para lëkurës së luanit, kur hordhitë osmane përhapeshin me shpejtësi si re karkalecash e që si kometë errësonte diellin dhe vishte me zi gjithçka”61, duke u dyndur në Arbëri në prag të Apenineve. Ai ndodhej përpara Heroit shqiptar të frontit të luftës, shoqëruar vetëm nga e shoqja Donika, nga i Biri 13-vjeçar Gjoni II, “Qytetar Nderi i Venedikut”, si dhe nga një Luftëtar fort i besuar i Heroit Dhimitër Frangu. Ndodhej kësisoj në rolin e tij të piktorit zyrtar të Sinjorisë përpara Heroit shqiptar, siç do të ndodhej edhe vite më vonë përballë kundërshtarit të egër të Skënderbeut apo sulltanit të tmerrshëm të kohës Mehmetit II, Fatiut të Kostandinopojës, për ta pikturuar e përjetësuar edhe atë në tablotë e famshme të penelit të tij që komentohen gjatë edhe sot e kësaj dite.
Siç e kemi theksuar mëse një herë, Gentile dhe vëllai i tij Giovani i njihnin arbrit që herët, por edhe piktorët e talentuar me origjinë arbërore, me të cilët ata bashkëpunonin ngushtë rreth viteve 1500. Madje personazhet e tij arbër Gentile i kishte vendosur edhe në qendër të kompozimeve të veta. Po ndalemi me këtë rast në një zbulim të rrallë nga ana jonë të kohëve të fundit. Na del në mënyrë të dokumentuar se një princ kastriotas është pikturuar në vaj nga Giovani Belini në fillim të viteve 1500, ku konkretisht thuhet: “La testa incorniciata di un ritratto di naturale di un principe Castriota, a olia – Giovani Belino” (fig.16), “Koka e kuadratuar e një portreti të natyrshëm të një princi Kastriot, në vaj – Giovani Belini”.62
Dy hamendësime mund të bëjmë se për cilin princ kastriotas bëhet konkretisht fjalë këtu: ose për Gjonin II Kastrioti, djalin e Skënderbeut, ose, në mos, për nipin Ferrante Kastrioti, si dy figura qëndrore kastriote që trashëgojnë në linjë familjare titullin “Princ” në vitet 1500-1520. Dhe nuk mund të mos mbajmë këtu parasysh edhe skicat e portreteve të këtyre figurave në Museo “Pietro Cavoti”, Galatina dhe tre botimet e studiuesit pasionant të Kastriotasve Ylli Polovina. Zbulimi edhe fizikisht i portretit të “Princit Kastrioti” nën penelin e famshëm të Giovani Belinit, do të ishte një tjetër arritje e çmuar e ikonografisë kastriotine dhe ndoshta një ditë edhe kjo perlë e rrallë do fillojë të ndrisë nga Arkivat e Vjenës a gjetkë.
Është tashmë e qartë se krahu i djathë dhe njeriu më i besuar i Skënderbeut në vitet e fundit të jetës së tij do të ishte i riu 22-23-vjeçar Dhimitër Frangu, figura e të cilit sot po vihet në qendër diskutimesh të rëndësishme dhe po bëhet objekt studimesh serioze, sidomos pas përkthimit në shqip dhe botimit të veprës së Frangut nga Lek Pervizi63. Përherë e më shumë po mbështetet teza e G.M. Bonardo (v.1584), e P. Rodota, Ch. Hoph dhe F. Pall, pasuar nga studiuesit shqiptarë F. Noli, Dh. Shuteriqi, K. Xoxi, K. Frashëri, P. Xhufi, Y. Jaka, A. Plasari, M. Prenushi, etj. se autori i Veprës “Commentario delle cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg… ” është Dhimitër Frangu,64 i cili e ka shkruar këtë vepër për herë të parë në latinisht më 1480, por që mbeti në gjendje dorëshkrimi deri më 1539, kur do përkthehej e do botohej në italisht nga nipi i tij Pal Pjetër Engjëlli, dhe më pas, më 1541, vepra do botohej edhe nga Paulo Jovio.
E vlerësojmë dhe ngrejmë lart figurën dhe veprën e Dhimitër Frangut, dëshmitarit okular e objektiv të jetës së Kastriotit të Madh, të cilit ai i shërbeu me besnikëri si thesarmbajtës i tij, duke shkruar, si i pari historian, 12 vjet pas vdekjes së Heroit, me shumë dashuri, përkorë e finesë bëmat e TënëZotit Skënderbe. Vërejmë, në kalim e sipër, se albanologu Emile Legrand, duke botuar më 1892 “110 Letrat greke të Francesco Philelphus” (1398-1481)65, nxjerr në pah se ky dijetar italian i fillimit të Rilindjes mbante lidhje me anë letrash me mjekun Thomas Francos (Thoma Frangu) nga Koroni i Greqisë në vitet 1454-55 (tetë letra në latinisht). Prof. Legrand përmend me këtë rast Dhimitër Frangun për të nxjerrë në pah se “ky mbiemër nuk ishte i rrallë në atë kohë mes grekëve”, (shtojmë: edhe arbërve), duke cituar Pompilio Rodotën. Do të ishte me interes këtu një studim i thelluar për të parë familjen fisnike arbërore Frangu përhapur në shek. XIV nga Kroacia në Greqi përmes Arbërisë së kohës, si dhe lidhjen e gjakut mes Dhimitër Frangut e Thoma Frangut.
Por çka na intrigon edhe më shumë këtu është ilustrimi i Cola Rapipcano-s te faqja e parë e kodikut të Fiocco-s të vitit 1465, që paraqet skenën kur një prift domenikan po dorëzon dorëshkrimin te një fisnik në shenjë dhurtate (fig.17). Përse kjo “skenë”, përse në këtë faqe të parë? Kush është ky fisnik? I çuditshëm për më tepër na duket fakti që portreti i Skënderbeut jepet si ilustrim në faqe të fundit të kodikut, kur logjika më e thjeshtë do të kërkonte që ky portret i një personaliteti të lartë duhej të ishte në faqe të parë, përderisa vetë kodiku i është dhënë dhuratë Heroit Shqiptar. Pale që ky ilustrim i faqes së parë, me idenë e dhuratës na shfaqet mu si një “mballomë”, që fsheh nën vetvete ndoshta një emblemë fisnikërore të një porositësi të mëparshëm të Kodikut, sipas praktikës së realizimit të kodikëve me anë porosie. Kjo “mballomë” duket qartë edhe me sy të lirë duke ndjekur ndërprejen brutale që u bëhet degëve të hardhisë nga korniza e praruar e miniskenarit, brenda të cilit vërehen fshirje në të dy krahët e ilustrimit. Një manipulim i tillë nga ana e piktorit të shquar Rapicano dëshmon për faktin se kodiku i Fiocco-s 1465 ka qenë i përgatitur paraprakisht për tjetër “destinacion”. Por që, në çast të fundit, Cola Rapicano duhet të jetë thirrur urgjentisht në Romë nga Napoli për dhuratën speciale, me qëllim që ta bënte Skënderbeun portret origjinal në miniaturë, pikërisht në gjysmë-fletën bosh të faqes së fundit të kodikut, duke kompozuar, nga ana tjetër edhe ilustrimin e faqes së parë për të fshehur gjurmët e një emblemë ekzistuese të mëparshme në kodik.
Tek këqyrim me vëmendje ilustrimin e faqes parë: “Një prift dhuron një libër te një fisnik”, nuk ka si të mos vërejmë se te portreti i fisnikut na shfaqet një djalë i ri shtatlartë, gjithë energji e freski, pa mjekër, me flokë të gjata e me pelerinë luksoze. Priremi në këtë rast ta identifikojmë këtë personazh me Dhimitër Frangun, duke marrë si dhuratë kodikun e shtrenjtë të Fiocco-s që përmban portretin e Princit të Arbrit të cilit ai i shërbente gjithë devotshmëri tek e shoqëronte kudo gjatë vizitave në Itali. Asgjë nuk del nga asgjëja, asgjë nuk është e rastësishme dhe e zhveshur nga kuptimësia, apo jashtë kontekstit historik, sidomos te kodikët, që mbartin simbolikë të fuqishme. Përkundrazi, gjithçka është e qëllimshme, në vendin e vet dhe shpreh kuptim të caktuar, mjaft që të “deshifrohet”. A nuk është impresionues vetë fakti që KryeHeroi 68 vjeçar Skënderbe shoqërohet në takime të sferave të larta në Itali nga një Djalosh bukurosh arbër, 22-23-vjeçar, shtatlartë e i hajthëm, që e mbron Kapedanin e vet si sytë e ballit?!…
6. Konkluzione. “Skënderbeu” i Gentile Belinit – Pasaparta e Nderit
e Kombit Shqiptar
Para së gjithash, lypset të nënvizojmë se analiza e një vepre artistike, si në rastin e portretit SCANDER BECO do të kërkonte nga ana jonë parashtrimin dhe përdorimin me maturi të mjeteve të fuqishme shprehëse të kritikës artistike dhe të vetë historisë së artit belinesk. Po ashtu edhe argumente e referenca të gjithanëshme të karakterit historik e bibliografik.
Na duhej të shmangnim interpretimet subjektive, inkoherencat, polemikat shterpë, pa rënë në pështjellime, larg absurditeteve pseudo-shkencore që, nëpërmjet mohimit brutal të paargumentuar, kërkojnë të errësojnë e t’i presin rrugën çdo risie e zbulimi.
U munduam nga ana tjetër, të ndjekim nga afër, si “me lupë”, saktësinë e krejt tipareve të portretit SCANDER BECO, qoftë të marra veçmas, qoftë në harmoninë e tyre të plotë, duke vënë në përdorim aty ku duhej mjetin e domosdoshëm e të fuqishëm të krahasueshmërisë portretuale. Në këtë mënyrë, përcaktuam si objektiv t’i bëjmë veprës njëfarësoj radioskopinë fizike të paraqitjes së saj, duke u orvatur për aq sa mundëm të depërtojmë në labirintet e mbijetesës së saj historike.
Për më tepër që vetë gjendja e mjerë fizike e paraqitjes së portretit (gati i sfumuar) – tek ka humbur pothuajse krejt nga shkëlqimi i dikurshëm i origjinalit -, na bindi e na siguroi, falë të dhënash materiale të pranishme dhe falë elementësh organikë piktorialë, se kemi të bëjmë me portretin e Skënderbeut të Gentile Belinit, konsideruar i humbur në rrjedhë të shekujve, një vepër pamëdyshje unikale, nxjerrë drejtpërdrejt nga dorë e Belinit. Dhe aspak një vepër e Shkollës së Belinit apo vepër atribuar Mjeshtrit të Madh.
Në të njëjtën kohë, u përpoqëm t’i shmangemi prirjes konstatative të derisotme të Historisë së ikonografisë kastriotine që kufizohet thjesht në “lëvizjet” lart e poshtë të objekteve dhe portreteve të Heroit, por pa një analizë të mirëfilltë apo pa një historik të plotë sidomos lidhur me portreturën kastriotine.
Rrjedhimisht, për vetë argumentet e shumta që parashtruam, shohim te “Skënderbeu” i Gentile Belinit portretin origjinal, real e autentik të Heroit Kombëtar Shqiptar, që na shfaqet si një pasaportë nderi e mbarë kombit shqiptar.
Dhe janë pikërisht baza e fuqishme historike dhe analiza e thellë e teknikës portretuale të Gentile Belinit që na siguruan për vërtetësinë e veprës SCANDER BECO, duke e mbështetur krejt argumentimin tonë shkencor në një bibliografi të pasur, me emra studiuesish autoritarë, shqiptarë e të huaj, skënderbegologë seriozë, të djeshëm e të sotëm. Po ashtu, gjithçka e vëzhguam dhe analizuam në lidhje të ngushtë organike me vektorët themelorë të shkencës skënderbegiane, veçanërisht me ikonografinë dhe tipologjinë ekzistuese kastriotine.
Shqyrtuam dhe u munduam të analizojmë mjeshtërinë portretuale të Gentiles gjatë përdorimit dhe harmonizimit të një minimumi të domosdoshëm ngjyrash në raport të ngushtë me dritën natyrore, me shkëlqimin diellor reflektuar nga lart. Kjo mjeshtëri shfaq te portreti SCANDER BECO dhe te krejt portretet e tjera të Belinit një art të shkallës së epërme, me modelim të formës nëpërmjet ngjyrës, me degradim të hijshëm të dritës, perspektivës e ngjyrës, duke dhënë tipare të proporcionuara, trajtuar në unitet dhe gjithë ekspresivitet, falë një peneli të lirshëm, të shtruar e të ëmbël. Në veçanti, e kuqja rubin ndrin si ngjyra bazë e portretit real e realist SCANDER BECO, pa qenë kurrsesi e rastësishme, por e kërkuar me vetëdije, për vetë simbolikën e fuqishme që mbart.
Me vërtetësi të natyrshme e të mahnitshme, me mprehtësi karakteri dhe ekspresivitet të plotë, portreti belinesk i KryeHeroit Shqiptar shfaq njëkohësisht edhe botën e tij të brendshme, një gjendje emocionale të caktuar, duke vendosur me shikuesin, sipas shprehjes së prof. André Chastel, një “komunikim afektiv.”66 Sharmi i vështrimit dhe balli i praruar janë pikërisht pikat kulmore të këtij portreti, janë ana më piktoreske e tij.
Edhe pse portreti i Skënderbeut të Belinit shfaqet në shkurt 1467 plot energji, vitalitet e gjithfuqishmëri, kur nuk do të vononte që t’i jepte dërrmën renegatit Ballaban së bashku me të vëllanë, prapëseprapë, një hije zhgënjimi e trishtimi “helmon” njëfarësoj portretin e tij, si të parandjejë një fund e një largim të afërm, të përtejshëm nga kjo botë, por të përjetshëm në kujtesën dhe vetëdijën kombëtare. As dhjetë muaj pas realizimit të këtij portreti, ai ndërron jetë, mbërthyer papritur keq nga ethet e “malaries” (?!) Sikur ethet të na u shkaktuakan veç nga plazmodiumi e jo gjë tjetër dhe anofelat e Lezhës të na pickuakan veç Heroin atë janar të 1468-ës?!…
Duke pasur parasysh pohimin e kritikut të artit Arsène Alexandre sipas të cilit “Shkolla veneciane, nëna e kolorit modern, fillon vetëm kur Gentile Belini futi ngrohtësinë e e kolorit oriental në Venedik”67, kemi të drejtë të pohojmë gjithashtu se portreti i Skënderbeut të Gentiles bën pjesë ndër të parat portrete artistike të njerëzve të mëdhenj që bënin Histori që në gjallje të tyre, dhe mund të jetë ndoshta edhe portreti i parë i një princi të huaj pikturuar në Venedik, kur pas tij filluan të shtohen vizitat e sovranëve që do pasonin në Republikën e Shën Markut.
Po ashtu, duke pasur parasysh pohimin e kritikut rumun të artit Victor Stoichita se “…konteksti historik i dërgimit të Belinit në Kostandinopojë [më 1479] për të realizuar portretin e sulltan Mehmetit II është tentativa për paqe me Osmanët,”68 edhe ne kemi të drejtë të parashtrojmë: konteksti historik i realizimit të portretit të Skënderbeut nga Belini është tentativa për t’i fërkuar krahët e marrë me të mirë Heroin e Arbërisë, që ndodhej prej një çerek shekulli në vijën e parë të qëndresës antiosmane dhe vetë Arbëria ishte shndërruar në digë ndalëse të valës dyndëse osmane në Ballkan, gati për të shpërthyer në Apenine e Europë.
Vitet 1466-1467 do të shënonin kulmin e luftës shqiptaro-turke, shfarosje masive të popullsisë arbërore, kur u masakruan më 1466, 15 mijë vetë dhe më 1467, 10 mijë pleq, gra e fëmijë të pambrojtur, të zënë robër.69 Vendi ishte krejt i rrënuar, kështjellat nuk qëndronin më në këmbë dhe ushtritë osmane 150-200 mijë vetëshe dyndeshin parreshtur si mizë lisi mbi Arbëri, tek kryenin dhunime, vrasje e mizori të papara, djegie plaçkitje e kërdi. Dhe bota fliste për luftë të padëgjuar ndonjëherë,70 për tërbime ulëritëse të Ballabanit e Mehmeti II që kishte mposhtur Kostandinopojën, por Krujën jo! Në këto kushte, cila vallë do mund të ishte gjendja e vërtetë shpirtërore e Skënderbeut?… Kur edhe vetë “Venediku ishte gati të hidhte të hollat në kanal se sa të shpenzonte në Shqipëri”.71
Ja, ky është Skënderbeu i vërtetë në këtë portret, me pamje të plotë reale, të jashtme e të brendshme, fizike e shpirtërore. Ky është i Madhi Skënderbe nga i Madhi Gentile Belini, një binom ku ndërthuren madhështia e Heroit shqiptar me madhështinë e piktorit gjenial të Rilindjes europiane. Sepse falë këtij portreti, tek artisti ne pamë Belinin, Heroin e penelit, dhe te SCANDER BECO ne pamë Heroin e krenarisë historike shqiptare, simbolin e lirisë dhe të shpirti të paepur të kombit shqiptar.