IRIS HALILI
“Mendo, thuaj dhe vepro njëlloj” – Gandi
Studiuesit kanë arritur në përfundimin se pjesa më e madhe e njerëzve besojnë se janë më etikë se mesatarja e atyre që i rrethojnë (Trevino et al., 2000). Në fakt, realiteti tregon se shumë herë e rëndësishme nuk është vetëm çfarë në mendojmë për veten por edhe çfarë vlerësimi kanë të tjerët për ne. Liderët nuk bëjnë përjashtim nga ky gjykim. Është një fakt I pakontestueshëm që etika e një lideri e merr vlerësimin vetëm nga opinioni i ndjekësve. Lideri më shumë se kushdo prodhon atë që ai vetë përfaqëson në sytë e ndjekësve. Ky raport sjell atë që quhet reputacion. Lideri udhëheq përmes reputacionit të tij. Reputacioni i lartë te një lider nuk është gjë tjetër vetëm se një fjalë ndryshe për të përshkruar liderin me etikë të lartë. Një lider etik do prodhojë një organizatë, shoqëri apo ndjekës po të tillë. “Etika është vetë shpirti i lidershipit”, thotë Joanne Ciulla në librin e saj me të njëjtin titull (1998). Kjo shprehje është bërë tashmë klasike në studimet mbi lidershipin. Po ku dhe si shfaqet etika në lidership? Cili lider meriton të quhet me etikë të lartë e cili jo? Cila është pika vendimtare që e ndan liderin etik nga ai që nuk është i tillë? Ka shumë faktorë dhe cilësi që përcaktojnë fatin e një lideri, por vetëm njëri jep veton finale dhe ky është vendimi apo vendimet e ndërmarra. Proverbi popullor, “Veprat flasin më fort se fjalët” mbetet aktual edhe kur flasim për lidershipin. – “Lidershipi është veprim”. Kjo do të thotë se ndjekësit harrojnë shpejt atë çka tha lideri, por ata nuk harrojnë kurrë atë që bëri lideri. Përkufizimi kyç që emërton liderin nga jo lideri është – “Që të jesh lider, duhet të kesh ndjekës. Lider pa ndjekës nuk ka dhe nuk mund të ketë”. Shumë figura që mund të mos duam t’i numërojmë si liderë, kanë qenë të tillë, pasi ata kanë pasur mijëra ndjekës që i kanë frymëzuar dhe drejtuar. Por nëse je lider etik apo jo, për këtë vlerësimin e japin të tjerë faktorë. Për t’u bërë më konkretë, le të krahasojmë Gandin me Hitlerin. Ata të dy arritën të frymëzojnë mijëra ndjekës. Por ndërsa Gandi arriti të marrë vendime etike që rezultuan progresiste, Hitleri bëri krejt të kundërtën. Pra për të dy liderët notën finale nuk e dha forca e frymëzimit te ndjekësit por e dhanë veprimet e tyre etike. Por ç’do të thotë të veprosh në mënyrë etike? Mes shumë e shumë përcaktimeve rreth kësaj dileme shprehja e Gandit mbetet më universalja. Sipas tij “Tëjesh i arrirë në aspektin etik, do të thotë të mendosh, të flasësh dhe të veprosh njëlloj”. Kjo frazë në detaje përmbledh të gjithë sintezën e qenies me etikë të lartë. Pikë së pari, ky përcaktim rrëfen se individi që mendon dhe flet njëlloj është i kthjellët, i pastër dhe i sinqertë me veten. Çdo ndershmëri fillon së pari nga vetja. Çdo etikë gjithashtu. Vetëm një njeri që është i sinqertë meveten, mund të jetë me të tjerët e mund ta kërkojë këtë te të tjerët. Ndërkohë të veprosh realisht atë çka ke menduar dhe thënë do të thotë të kesh një integritet dhe moral të lartë personal si dhe kjo padyshim rrëfen për një karakter të forte e guxim human tepër të arrirë. Kontradikta më e madhe ku kalojnë shumë njerëz është pasja apo jo e forcës humane brenda vetes për të thënë hapur mendimet apo edhe për të hedhur hapin e madh, për të kthyer në akt atë çka ata mendojnë. Në fakt një lider etik, sikundër një individ etik, duhet medoemos t’i kalojë të tri fazat: duhet të jetë e sinqertë dhe besnike; të flasë për ato në të cilat beson dhe të punojë për t’i realizuar ato që thotë. Sikur vetëm njëra prej tyre të ketë çarje, etika humbet e përdhoset. Kjo vijë e pandërprerë dhe në unison e asaj që mendon, thua dhe vepron njëlloj është në fakt shkalla më lartë e etikës. Pas kësaj analize arrijmë në përfundimin se mund të konsiderohet me etikë të lartë ai lider që nuk tradhton asnjërën prej këtyre tri hapave gandeske, që do t’i quanim ndryshe trekëndëshi gandesk i virtytit etik. Tradhtia qofte edhe e njërës pikë prish balancën në trekëndësh dhe e deformon të tërën. Sinqeriteti i liderit dhe etika e tij fillon në fakt temendimi si i tillë. Dhe mendimi nuk është as më shumë dhe as më pak vetëm se shfaqja e moralit personal të liderit. Mendimet e mira vijnë vetëm nga një karakter i mirë, ndërkohë që thënia hapur e mendimeve është serish rezultat i një karakteri të fortë, që shfaq kurajë morale. Kjo e bën liderin transparent dhe të besueshëm në sytë e ndjekësve. Kuptohet se jo çdo vendim i moralshëm për një grup social është i tillë për një grup tjetër, apo një vendim i drejte në një kohë mund të mos mbetet I tillë në një kohe tjetër apo nga një kulturë në një tjetër. Megjithatë, historia ka rrëfyer se vendimet etike i kanë rezistuar të gjitha kohëve. Vendimi etik mund të jetë guximtar për momentin, por me siguri ai është hapi I madh i një epoke të re që do të sjellë progres. Martin Luter King është një shembull klasik për këtë. Natyrshëm tani lind pyetja se ç’e shtyn një lider të marrë vendime etike? Vendimi etik është vendimi i ndershëm; është ai që rrëfen transparence dhe vërtetësi. Ndershmëria si virtyt është pjese e moralit dhe karakterit të individit. Aristoteli theksonte: “Ne jemi ajo që në përsërisim se bëri çdo ditë”. Kjo do të thotë se nëse në e kthejmë në zakon ndershmërinë ajo do na kthehet në karakter e ky i fundit na drejton në çdo hap. Nuk është rastësi që të gjithë studimet e lidershipit na çojnë në konkluzionin që lider i shkëlqyer është ai që ka karakter të shkëlqyer, pasi lideri me karakter të shkëlqyer do të marre vendime etike dhe këto vendime janë të vetmet që i çojnë ndjekësit në progres. Pennino në vitin 2002 kreu një studim për marrë-dhënien midis vendimmarrjes dhe moralit të liderit. Deri në atë kohe shkollat e lidershipit nuk kishin një rezultat për këtë marrëdhënie. Ai arriti të studiojë vendimmarrjet e 270 drejtuesve në disa kompani amerikane dhe doli në konkluzionin se sa më etik të jetë lideri aq më vendime të drejta dhe afatgjata është në gjendje të marre ai. Ndërkohë shumë studiues janë nxitur të mësojnë nëse faktorë të tjerë të jashtëm kanë efekt në vendimet etike apo jo të liderit. Në studimet e tyre ata kanë shtruar hipoteza të tilla për shembull, si dhe sa, apo në ç’mënyrë ndikon stresi në vendim, apo sa ndikojnë interesat personalë të liderit në vendimet që merr; apo si ndikojnë situatat jo të qarta me të cilat ai mund të përballet. Ndonëse këta faktorë janë parë si ndikues, rezultatet e studimeve kanë rrëfyer se efektet e tyre në vendimmarrje kanë qenë gjithmonë anësore. Në fund, notën finale e ka dhënë morali i liderit dhe karakteri i tij. Pra shtysa e vetme që e shtyn një lider të marrë vendime etike është as më shumë dhe as më pak, por morali dhe karakteri i tij i lartë. Ndaj për ta mbyllur mund të themi se nëse etika është shpirti i lidershipit, morali dhe karakteri i liderit, janë shpirti i etikës.