• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse duhet bërë kujdes me rivendosjen në skenë të veprave të realizmit socialist?

December 5, 2021 by s p

Dr. Hasan Bello/


Për shkak të mungesës së legjislacionit të nevojshëm dhe praktikave më të mira të vendeve ish-komuniste për procesin e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare pas viteve 90-të, ende sot e kësaj dite vazhdojmë të pësojmë tronditje sociale njëra pas tjetrës. Në radhë të parë kjo vjen për mungesë ndershmërie dhe sinqeriteti, të elitës politike dhe intelektuale. Rivënia në skenë e veprave të realizmit socialist kërkon kujdes të madh, sepse ato janë shkruar në funksion të propagandës dhe legjitimojnë në aspektin estetik, terrorin komunist të diktaturës dhe Sigurimit të Shtetit. Për shembull çfarë ndjesie do të kishin familjarët e të ekzekutuarve padrejtësisht në kënetën e Maliqit, sikur romani “Këneta” të rivihej në skenë? Në fakt, edhe pas viteve 90-të ai është shfaqur me qindra herë, në çdo orë të ditës në kanalet kombëtare, pa “pullë”! Ky roman legjitimon në mënyrë monstruoze sajesat dhe vrasjet e inxhinierëve të pafajshëm nga Sigurimi i Shtetit me akuzën se ata po sabotonin tharjen e kënetës së Maliqit në bashkëpunim me amerikanët. Nga viti 1959 kur u botua deri në vitet 80-të ky roman ka njohur fatkeqsisht 19 ribotime me tirazh të lartë dhe 4 përkthime në gjuhë të huaj. Kjo nuk është rastësi. Por strategji. Gënjeshtra duke u përsëritur bëhet më e besueshme…E njëjta gjë vlen edhe për komedinë e shkruar nga Besim Levonja, koleg dhe pjesë e mekanizmit letrar-propagandistik, siç ishte Fatmir Gjata.

Filed Under: Politike

EDHE SHQIPTARËT E BOSTONIT, FESTUAN “RRETH FLAMURIT TË PËRBASHKUAR”

December 4, 2021 by s p

Nga Fuat Memelli


Shoqata “Mass. Besa” me qendër në Boston, promotorja e organizimit të veprimtarive në këtë qytet dhe qytetet e tjerë rreth tij, për arsye të kovitit, nuk e la të kalojë në heshtje ditën e Flamurit. Si mund të heshtnin në këtë ditë kaq të shënuar shqiptarët e Bostonit, qytetit ku kishte folenë e saj “Vatra” e gazeta “Dielli”, ku kanë punuar e jetuar Fan Noli, Faik Konica e patriotë të tjerë?! Zëri i saj u dëgjua dhe plot shqiptarë u mblodhën në restorantin “Alba” në Quincy me pronar shqiptarin, Leonard Keka. Për vite me rradhë ata e kanë përkujtuar këtë ditë të shënuar kombit shqiptar në sheshin pranë bashkisë së Bostonit. Për arësye te kovitit, këtë vit bashkia nuk i lejoi, prandaj ata e ndrruan “stacionin” e festimit. Lokali ishte zbukuruar si për festë me dy flamurë, atë shqiptar dhe amerikan. Takimin e hapi kryetari i ri shoqatës “Mass. Besa”, Sokol Lulushllari. Pasi falenderoi pjesëmarrësit për ardhjen e tyre dhe uroi për ditën e Pavarësisë, ai ftoi të gjithë të mbajnë një minutë heshtje për 46 viktimat e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që ndrruan jetë në territorin bullgar. Ishte ky një gjest ngushëllimi dhe solidariteti me familjet e viktimave. Fatkeqësisht Shqipëria jonë nuk shpalli ditë zie, ashtu siç shpalli Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Në sallë jehuan pastaj tingujt e himnit amerikan dhe shqiptar. Një grup amerikanësh që u ndoshën aty pranë, sapo dëgjuan himnet u ngritën në këmbë dhe me dorën para gjoksit sipas traditës së tyre, iu bashkuan nderimit të flamujve tok me shqiptarët. Mark Kosmo, kryetari veteran i Shoqatës “Mass. Besa”, një veprimtar i palodhur i saj, ndër të tjera theksoi:”Jam shumë i gëzuar që pas dy vjetësh mblidhemi së bashku për të festua. Më vjen mirë që shoh këtu shokë të vjetër dhe të rinj”. Një përshëndetje të veçantë bëri At Theofan Kajo, i cili ka zëvendësuar në kishën e Shën Gjergjit, At Artur Liolinin, vazhduesin e Nolit te kjo kishë. “Ndjej kënaqësi të veçantë tek ju shoh të mbledhur rreth dy flamujve, atij shqiptar dhe amerikan. Kështu duhet të jemi gjithjëmonë të bashkuar”. At Arturi kohët e fundit nuk ka qënë mirë me shëndet, por megjithatë erdhi të festojë , ashtu siç ka shkuar vite me rradhë. Tek e takojnë pjesëmarrësit dhe e falenderojnë për pjesëmarrjen, i prekur nga respekti që i bëjnë shqiptarët, u thotë:” Si të mos vinja sot këtu në këtë ditë të kaq të shënuar?!” Për festën e Pavarësisë foli edhe krijuesi Namik Selmani, i cili ndër të tjera theksoi se Dita e Pavarësisë, është kryefesta e shqiptarëve, kudo që ndodhen. Edhe shqiptarë të Kosovës si gjithmonë ishin të pranishëm në ditën ne Flamurit. Veprimtari i palodhur i kësaj shoqate, Hafiz Kabashi, pasi përshëndeti të pranishmit uroi që një ditë Shqipëria e Kosova të bashkohen, ashtu siç kanë qënë ndër shekuj. Nuk mund të mungonin në këtë ditë të shënuar nxënësit e shkollës shqipe në Boston. Ata kënduan së bashku këngë patriotike, duke marë si ”shpërblim” duartrokitjet e pjesëmarrësve. Petrit Alibej, një nga veprimtarët e komunitetit shqiptar në Boston, në fjalën e tij vlerësoi kontributin e shquar të Ismail Qemalit, Isa Buletinit dhe patriotëve të tjerë, që bënë të mundur shpalljen e ditës së Pavarësisë. Pastaj recitoi plot emocion poezinë e famëshme të Fan Nolit, Himni i Flamurit.” O flamur gjak, o flamur shkabë/o vend e vatër, o nënë e babë/ lagur me lotë, djegur me flakë/ flamur i kuq, flamur i zi/ flamur që lind Shën Kostandinin/pajton islamnë dhe krishtërimin/ shpall midis feve vllazërimin/ flamur bujar për njerëzi”, etj. Nën tingujt e muzikës vazhduan pastaj këngët dhe vallet e bukura shqiptare, të cilat sillnin pranë flladin e atdheut që u mungon emigrantëve shqiptarë. Një valle e veçantë u luajt atë ditë nga Petrit Alibej dhe Namik Selmani. Ishte vallja e njohur çame e Osman Takes. Me një foto të përbashkët u mbyll kjo veprimtari kushtuar 109 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Të pranishmit u shpërndanë duke marë me vete mbresa dhe emocione të veçanta që ngallin takimet “rreth flamurit të përbashkuar”, të cilat mbajnë ndezur zjarrin e shqiptarizmës.Fotot Bujar Veseli

Filed Under: Politike

RREZIKU RUS NË BALLKANIN PERËNDIMOR

December 3, 2021 by s p

PhD DRITAN DEMIRAJ

(STRATEGJIA RUSE E LUFTËS KIBERNETIKE, HIBRIDE, KONFLIKTIT MEINTENSITET TË ULËT DHE DIZINFORMIMIT NËPËRMJET PËRDORIMITAKTIV TË MEDIAVE SOCIALE DHE JO VETËM).

Prej disa muajsh vëmendja e SHBA-ve, BE-së, NATO-s, shërbimeve inteligjente civile dhe ushtarake është përqëndruar në zhvendosjen e mbi 90.000 trupave ruse së bashku me teknikën e avancuar ushtarake në kufirin lindor të Ukrainës me frikën se mund të përsëritet skenari i vitit 2014, kur Rusia në mënyrë të njëanshme vendosi pushtimin dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë. Këtyre provokimeve i është shtuar edhe presioni që po i bën BE-së pas vendosjes nën sanksione edhe presidenti i Bjellorusisë, diktatori Aleksandër Lukashenko, veprimet e të cilit kanë provokuar futjen e shumë refugjatëve nga Lindja e Mesme në kufijtë e Polonisë, Lituanisë dhe Latvias. Por agresiviteti i ditëve të sotme të Rusisë, nuk është asgjë tjetër më shumë sesa vazhdimi i një plani të qartë 20 vjeçar, i cili vazhdon të zbatohet dhe “suksesi” i saj në gjykimin tim ka ardhur si pasojë e veprimeve, kundërveprimeve dhe masave të dobëta, joproduktive të SHBA-ve (sipas vetë ish zyrtarëve më të lartë të agjensive të sigurisë në SHBA), NATO-s, BE-së dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm në botë. Në këtë shkrim do të mundohem të analizoj përmes disa ngjarjeve dhe fakteve strategjitë e Rusisë, implementimi i së cilave ka bërë që Rusia të shtojë rreziqet, kërcënimet dhe agresivitetin e saj kundër Ukrainës, madje duke kërcënuar edhe se do ta pushtojë atë nëse kalohen “vijat e kuqe” të Kremlinit. Po kështu kemi parë ndërhyrjen e saj në të kaluarën në Gjeorgji, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinë, Republikën e Kosovës sidomos në këtë të fundit duke përdorur strategjinë e saj të dizinformimit, propagandën, veprimet destabilizuese në veri të vendit, duke implementuar “fuqinë e butë” në bashkëpunim me aleatin e saj strategjik në Ballkanin Perëndimor, Serbinë dhe ministrin e propagandës së Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç.1. Në vitin 2004, Rusia filloi të përdorë gjerësisht strategjinë e korruptimit të zgjedhjeve si një përpjekje për të dëmtuar sigurinë e proceseve dhe institucioneve demokratike në vendet e interesit të saj kombëtar. Pas disa përpjekjeve për rreth një dekadë në raport me sistemet elektronike që monitoronin dhe vendosnin përfundimin e rezultateve të makinerisë zgjedhore, Kremlini dhe dy drejtoritë e tij kryesore të inteligjencës ai ushtarak (GRU) dhe drejtoria e shërbimit të huaj të inteligjencës (SVR) përmirësuan dhe modifikuan objektivat dhe qasjen e tyre. Në vitin 2004, Rusia mbështeti fuqishëm gjatë fushatës elektorale kandidatin pro rus Viktor Janukoviçin, duke i dhënë fushatës së tij më shumë se 300 milionë dollarë dhe duke helmuar kundërshtarin e tij kryesor Viktor Jushçenko. Në fakt kjo ndërhyrje provokoi atë që në ditët e sotme njihet si “Revolucioni Portokalli” në Ukrainë.2. Strategjia e Putinit fillimisht filloi të testohej dhe u ekzekutua në vitin 2007 në Estoni. Në vitin 2007, qeveria e Estonisë mori vendim për të hequr monumentin e Luftës së II-të Botërore, atë që njihej si “Ushtari i Bronxit” nga kryeqyteti Tallinn, duke e çuar në një varrezë ushtarake në periferi të kryeqytetit. Vendimi për largimin e saj ishte i diskutueshëm, për shkak se ky monument ishte një simbol përçarës. Ai pasqyronte fitoren e Ushtrisë së Kuqe mbi nazistët, ndërsa për Estoninë dominimin e tyre nga Rusia. Përgjigja e Moskës për heqjen e statujës ishte ekzekutimi i një sulmi kibernetik, i cili paralizoi menjëherë të gjithë vendin, duke ç’aktivizuar gjithë shërbimet online të bankave, mediat sociale dhe të gjithë aktivitetin e ministrive të saj. 3. I njëjti sulm kibernetik u ekzekutua edhe kundër qeverisë së Gjeorgjisë pak më parë se të realizohej pushtimi i saj në vitin 2008. Ky pushtim u realizua në momentin kur SHBA-të kishin përfunduar ristrukturimin e gjithë ushtrisë së saj, duke investuar disa qindra milionë dollarë në reformat e mbrojtjes së ushtrisë së Gjergjisë, e cila ishte pranë marrjes së ftesës për tju bashkuar NATO-s. Gjatë fillimit të konfliktit ushtarak në muajin gusht 2008, i cili siguroi pushtimin e Abkazisë dhe të Osetisë së Jugut nga territori i Gjeorgjisë, Putini përdori si justifikim “Precedentin e Kosovës” me qëllim që të ligjitimonte njohjen ndërkombëtare të këtyre dy republikave, të cilat në ditët e sotme njihen vetëm nga Rusia, Venezuela dhe Nikaragua. Rasti i Gjeorgjisë, tregoi përpjekjet e Rusisë që të përdorte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të realizonte strategjinë e përdorimit të politikës së saj të jashtme në vendet e interesit të ish republikave të Bashkimit Sovjetik.4. Në vitin 2009, Kremlini arriti që të sigurojë fitoren e partisë anti Europiane Pyrrik në Modavi. Megjithëse kjo parti nuk arriti të formonte qeverinë, ajo e detyroi Bashkimin Europian që të ishte më i vëmendshëm në zgjedhjen e ardhshme parlamentare që u zhvilluan në fund të vitit 2009, duke mundësuar fitoren e partive pro Europiane në Modavi.5. Në vitin 2010, Rusia përsëri arriti që me përfshirjen efektive të operativëve të GRU-së dhe të shërbimit të huaj të inteligjencës (SVR) të siguronte fitoren në zgjedhjet presidenciale të presidentit pro rus Viktor Janukoviç në Ukrainë, por në vitin 2014 ai nuk arriti të rizgjidhej, pavarësisht ndërhyrjes aktive të këtyre njësive dhe aplikimit të operacioneve kibernetike, duke përdorur sulme kibernetike me qëllim ndërrimin e rezultatit zgjedhur dhe ‘infektimin’ e serverave ku ndodheshin rezultatet e votave. 6. Të gjitha strategjitë sa më lartë por jo vetëm, krijuan kushtet për pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Në vitin 2014 gjatë pushtimit të Gadishullit të Krimesë Rusia përdori aktivisht luftën hibride. Arkitekti i luftës hibride në Rusi është Gjenerali Valeri Gerasimov, një veteran i luftës së II-të Ruso-Çeçene, i cili u emërua nga presidenti Putin si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë në vitin 2012 dhe vazhdon edhe në ditët e sotme. Një vit pas emërimit të tij, ai publikoi doktrinën e re të luftës së ushtrisë Ruse. Gjenerali Gerasimov e konsideronte luftën konvencionale midis ushtrive të mëdha si diçka që i kishte kaluar koha. Në vend të saj, ai propozonte: “Kryerjen e operacioneve në distanca të largëta, veprime aktive kundër kundërshtarëve, operacione aktive sa i përket fushës së informacionit dhe pajisjeve që i shpërndanin ato. Sipas tij, hapësira e informacionit krijonte mundësi për mundësi asimetrike për të luftuar një kundërshtar të fuqishëm. Është e nevojshme një strategji dhe një model i ri operacionesh ushtarake pasi rregullat e luftës kanë ndryshuar. Aktorët dhe mjetet jo ushtarake janë të rëndësishme për të arritur objektivat politike, strategjike dhe në shumë raste ato kalojnë edhe fuqinë e përdorimit të armëve dhe efektivitetin e tyre”. Kjo në Rusi quhet “Doktrina Ushtarake Gerasimov” ose “Lufta e Gjeneratës së Re”. “Doktrina Ushtarake Gerasimov” u ‘armatos’ në momentin kur Putini urdhëroi pushtimin e Gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duke pushtuar në të njëjtën kohë edhe rajonin lindor të Ukrainës, Donbass. “Lufta hibride është një kombinim i shkëlqyer i befasisë, paqartësisë, konfuzionit dhe mohimit të besueshëm, në atë mënyrë që mundëson ndalimin e çdo reagimi efektiv”. Në fillim të sulmit, hakerat rusë sulmuan rrjetin elektrik të Ukrainës, duke nxjerrë jashtë përdorimit tri sistemet shpëndarëse të kompanive të energjisë, duke shkaktuar kaos të madh në vend. Më pas, njerëzit e Gerasimovit ‘njerëzit e vegjël të gjelbër’ pra forcat e operacioneve speciale ruse, të pajisur me pajisjet me moderne të ushtrisë, pa uniforma dhe me maska në kokë, morën kontrollin e të gjitha pikave strategjike të Gadishullit të Krimesë. Në të njëjtën kohë, në terren u dislokuan edhe mercenarët e “Grupit Wagner”, grup i cili u shfaq për herë të parë në vitin 2014 në rajonin e Luhanskut në Ukrainë. Mercenarët rusë dhe serbë u përfshinë në betejën për marrjen e kontrollit të aeroportit në verën e vitit 2014.Si përfundim, sulmet ruse në territorin e Ukrainës dhe në Gadishullin e Krimesë ishin analoge me strategjinë ushtarake të Rusisë, e cila njihet si përdorimi i maskimit dhe mashtrimit taktik ose “maskirovka”. Gjatë kësaj strategjie, kombinohen mirë dizinformimi dhe mohimi i veprimit. Kësaj strategjie në të njëjtën kohë i është shtuar edhe teknologjia përçarëse, hapësira kibernetike, fushatat intensive të dizinformimit, përmbysjet politike, influencimi i zgjedhjeve nëpërmjet manipulimit të serverave, etj me qëllim që t’i mundësojë forcave konvencionale dhe jo konvencionale fitoren kundër kundërshtarit. 7. Në vitin 2015 njësitë e luftës kibernetike të Rusisë sulmuan aktivisht serverat e Parlamentit të Ukrainës, me qëllimin e vetëm që të testonin kapacitetet e tyre operacionale dhe të përgatiteshin për njërin nga operacionet e tyre më të sukseshme në histori, realizimin e sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në vitin 2016. Kjo u konfirmua edhe nga drejtuesi i operacioneve amerikane kundër shërbimeve Ruse deri në vitin 2015 Steven Hall, i cili në atë kohë deklaroi se: “Njësitë ruse të luftës kibernetike sulmuan parlamentin e Ukrainës dhe Parlamentin Gjerman, Holandez, etj duke kontribuar në dëmtimin e demokracisë dhe uljen e besimit të qytetarëve dhe të shoqërisë në atë cilën jetojnë. Nga ana tjetër, kjo i paraprihej edhe testimit se deri ku do të arrinte kundërveprimi i tyre? Ne (amerikanët) dështuam në atë kohë të kuptonim se rusët kishin aftësi të ekzekutonin një luftë hibride, e cila nënkupton realizimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me dizinformimin e publikut nëpërmjet përdorimit aktiv të mediave sociale”.8. Pas sulmit me raketa kundër ambasadës ruse nga militantët e Ushtrisë së Lirë Siriane në Damask në datën 13 tetor 2015, sulmit terrorist të datës 31 tetor 2015 në avionin e linjës ruse nga Egjipti në Saint Petërsburg ku u vranë 224 pasagjerë në bord, pas rrëzimit të avionit rus SU-24 nga një avion F-16 turk në kufi me Turqinë, etj presidenti Putin urdhëroi dislokimin e avionëve luftarakë, sistemeve të mbrojtjes kundërajrore S-400, njësive të forcave speciale dhe grupin mercenar “Wagner” në muajin tetor 2015 që të fillonin operacionet luftarake në luftën kundër ISIS-it. Në të vërtetë qëllimi i Putinit ishte kundështimi dhe ulja e fuqisë së SHBA-ve në rajon dhe më e rëndësishme përdorimi i territorit të Sirisë për dy qëllime kryesore:1. Testimi i të gjithë sistemeve të reja ushtarake të avionëve Su-35, Su-57, testimi i kapaciteteve të përdorimit të raketave detit “Caliber NK” nga nëndetëset bërthamore, testimi i sistemeve të reja kundërajrore S-400, teknika e re e artilerisë 2S19 Msta-S dhe TOS-1 220 mm, tanket e reja T-90, helikopterët Mi-35M dhe KA-52, dislokimi i forcave speciale, etj. 2. Ti tregonte botës perëndimore dhe më gjerë, se bota tashmë nuk ishte më njëpolare dhe se asnjë vendim për çështje të rëndësishme ndërkombëtare nuk mund të zgjidhej pa konsensus, bashkëpunim dhe marëveshje me Rusinë. Për këtë qëllim ata realizuan mbi 30.000 sulme nga ajri duke vrarë mbi 5000 terroristë dhe shkatërruar mbi 200 facilitete terroriste. Në të njëjtën kohë deri në fillim të vitit 2017, numri i personelit të Grupit Wagner në Siri arriti në 5500 efektivë. Pas fitores në Siri, në muajin mars 2019 Gjenerali Gerasimov deklaroi se: “Lufta Civile në Siri ishte një shembull i suksesshëm i avancimit të mbrojtjes së interesave kombëtare Ruse përtej kufijve tanë shtetërorë”. 9. Të gjitha këto sulme i paraprinë përgatitjes për sulmet që Russia do të realizonte kundër fushatës së zgjedhjeve presidenciale Amerikane në vitin 2016. Në muajin gusht të vitit 2016, ndërkohë që fushata elektorale po afrohej presidenti Obama urdhëroi të gjitha (17) agjensitë e inteligjencës amerikane që të investigonin me intensitet ndërhyrjen ruse. Pas këtij hetimi, doli se të gjitha sulmet kibernetike ishin urdhëruar drejtëpërsëdrejti nga Kremlini. Njësitë ruse të luftës kibernetike kishin penetruar makinat elektorale në më shumë se 39 shtete të Amerikës. 10. Në muajin tetor të vitit 2016 njësitë e shërbimeve sekrete ruse GRU dhe (SVR) intervenuan në mënyrë aktive duke realizuar një fushtatë dizinformacioni me qëllim që të manipulonin rezultatet zgjedhore në funksion të një partie serbe, e cila mbështeste influencën ruse dhe që ishte krejtësisht kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Megjithë investimet e mëdha dhe financimet e shumta me para kesh në mbështetje të kandidatit të opozitës e cila mbështeste Rusinë dhe Serbinë, krijimit të shumë websiteve të reja, përhapjes së informacioneve të rreme në mediat sociale, kryerjes së sulmeve kinernetike kundër qeverisë së Malit të Zi, planit për të vrarë presidentin Gjukanoviç, marrjen me forcë të qeverisë së Malit të Zi, etj përsëri zgjedhjet e fituan nga Gjukanoviçi dhe shërbimet inteligjente të Malit të Zi arrestuan 20 shtetas serbë dhe rusë, të cilët në krye të këtyre operacioneve kishin dy kolonelë të GRU-së ruse. 11. Në vitin 2017, SHBA-të e kishin të qartë se Rusia po ndiqte një strategji agresive për të dëmtuar rëndë demokracinë në SHBA dhe në vendet Perëndimore. Që nga ajo kohë, Rusia filloi aktivisht përdorimin e sulmeve kibernetike dhe fushatat e luftës informative dhe dizinformimit kundër zgjedhjeve në vende të ndryshme të BE-së. 12. Në fillim të vitit 2018, njësitë sekrete ruse realizuan një sulm të fuqishëm kibernetik ‘NotPetra’ në Ukrainë, si pasojë e të cilit fillimisht u infektuan serverat e të gjithë ministrive të qeverisë së Ukrainës, kompanitë e energjisë, sistemi i metrove, bankat, etj.13. Në vazhdim të politikës së tyre destructive, gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, ambasada e Rusisë në Shkup u përfshi aktivisht në këto zgjedhje. Diplomatët e kësaj ambasade në bashkëpunim me shumë agjentë të tjerë të shërbimeve sekrete të maskuar nën petkun e diplomatit, ndërhynë në zhvillimet politike të vendit, duke mbështetur vazhdimisht në përhapjen e propagandës anti-perëndimore, kundër NATO-s, me qëllim minimin e demokracisë dhe të proceseve demokratike në vend. Sipas “The Guardian” spiunët dhe diplomatët e shërbimeve ruse janë të përfshirë prej më shumë se një dekade në përhapjen e lajmeve të rreme dhe provokimeve për prishje qetësie në vend. Ata kanë mbështetur haptazi ish kryeministrin Gruevski, drejtues i partisë VMRO-DPMNE, i cili prej një kohë të gjatë ishte orientuar nga Moska për të mbështetur projektet e tyre politike dhe të bisnezit. Sipas raportit të BIRN-it, “Russia insiston se KM Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO DPMNE kishin fituar zgjedhjet në datën 11 dhjetor. 14. Edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Ministria e Jashtme e Rusisë dhe shërbimet e saj sekrete janë të përfshira në destabilizimin e situatës, duke mbështetur ndarjen e Republikës Serbska nga Bosnja dhe bashkimin e saj për të forcuar aleatin e tyre të vetëm në Ballkan, Serbinë. Jo më shumë se para dy javëve presidenti i Republikës Serbska Milorad Dodik kërcënoi se asgjë nuk e ndalonte atë që të kërkonte bashkimin me Serbinë, madje ai deklaroi se kishte marrë mbështetje nga Putini të cilin për këtë çështje priste që ta takonte shumë shpejt. Mbështetja e presidentit të Republikës Serbska në vitin 2021, duke marrë në konsideratë investimet e realizuara nga Rusia në këtë republikë, janë shenja të qarta se Rusia e mbështet Serbinë duke krijuar kushtet për rritjen e pavarësisë së tyre në ekonominë e Serbisë, duke e bërë atë një objektiv për investimet strategjike Ruse në Ballkanin Perëndimor. 15. Sa i përket Republikës së Kosovës, Rusia ka qënë shumë aktive për të bllokuar në çdo rast anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Propaganda e mediave ruse në Ballkan ka përjetuar rritjen e publikimeve të rreme për Kosovën vitet e fundit përmes mediave dhe websiteve të ndryshme me Sputnik-un në krye. Në shumë vende përhapja e lajmeve të rreme konsiderohet si kërcënim i sigurisë kombëtare. Në vazhdimësi të objektivave të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Kosova sulmohet nga propaganda e rreme e Sputnikut në të gjitha gjuhët, me qëllim që të pasqyrohet si një shtet i dështuar në komunitetin ndërkombëtar. Një pikë tjetër me anë të së cilës Rusët e sulmojnë Kosovën, është edhe lidhja e disa qytetarëve të Kosovës me krimin e organizuar, numrin e madh të qytetarëve të Kosovës në të kaluarën si luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak. Në vazhdimësi të politikës antishqiptare, diplomacia ruse në datën 4 shtator 2019 nëpërmjet zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë znj. Maria Zaharova, deklaroi se diplomacia ruse ka identifikuar si një rrezik të madh që i kërcënohet në të ardhmen e afërt Ballkanit dhe Europës nga terroristët shqiptarë. Konkretisht ajo deklaroi si shqetësim ndërkombëtar se: “Në vëmendjen tonë Kosova vazhdon të jetë një kështjellë e terrorizmit. Shqiptarët kosovarë të rekrutuar dhe të stërvitur tek ISIS-i, po kthehen në rajon nga zonat e luftës. Ata e dinë ku po kthehen. Kjo përbën një gropë të zezë, ata mendojnë se mund të ripërtërihen dhe pastaj të përdorin forcën në një rajon tjetër. Kjo çështje krijon rreziqe të dukshme sigurie në Ballkan dhe në Europë”. Alarmet antishqiptare të diplomacisë ruse për të ashtuquajturin “rrezik terrorist shqiptar” janë hiperbola të dizinformacionit klasik rus. Padyshim që kjo propagandë është e pabesueshme për dy arsye.Së pari: Rusia në datën 24 gusht 2014, pushtoi Ukrainën duke shkaktuar mbi 4500 të vrarë, duke vazhduar edhe sot ta kërcënojë se do ta pushtojë.Së dyti: Rusia është një nga shtetet që renditet në vendet e para sa i përket “kontributit” në furnizimin me mbi 6000 luftëtarë të huaj xhihadistë të cilët kanë luftuar për/me ISIS-in dhe JN-in. Të mos harrojmë që ministrat e mbrojtjes së ISIS-it kanë qënë shtetasit Tarkhan Tayumurazovich Batirashvili, ose ndryshe a.k.a. Omar al-Shishani, “Omar Çeçeni” dhe pas vdekjes së tij Gulmurod Salimovich Khalimov, komandant ushtarak Islamik Taxhik, ish kolonel dhe komandant i Forcave Speciale të policisë në MPB të Taxhikistanit deri në vitin 2015 kur iu bashkua ISIS-it. Së fundi, është evidente se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë zhvilluar politika dhe veprime efiçente, të cilat kanë si qëllim që të parandalojnë influencën e Rusisë dhe veprimet destruktive që ajo paraqet përpara këtyre vendeve dhe Republikës së Kosovës. Vitet e fundit Bosnia Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova janë përballur me aktivitete të shumta të propagandës ruse dhe të lajmeve të rreme nga autlete dhe media që pronarë dhe financuesit e tyre i kanë nga Rusia, të cilat shpërndajnë emisionet dhe lajmet e tyre në gjuhën serbe si psh Sputnik dhe Russia Today (RT). Mediat ruse të cilat i prodhojnë materialet e tyre në gjuhën serbe si psh: R Magazin, Nova Srpska, Politicka Misao, Radio dhe TV Sputnik, kanë si target komunitetin serb i cili jeton në komunat serbe në veri të Kovovës. Përmes këtyre mediave, ata shpëndajnë lajme të rreme duke kontribuar në rritjen e frikës së këtyre banorëve. Qeveria e Albin Kurtit në të ardhmen duhet që të jetë më e vëmendshme sa i përket kontrollit të lajmeve dhe kundërshtimit të këtyre narativave antiperëndimore.D.D. Michigan. Dhjetor 2021.

Filed Under: Politike Tagged With: Dritan demiraj

PËRJETËSIA E SAKRIFICËS HYJNORE TË FAMILJES JASHARI

December 2, 2021 by s p

      (Adem Jashari, Simbol i qëndresës frymëzues i lirisë)

                                        -Kumtesë

Prof. dr. Nusret Pllana 

Janë bërë 23 vjet nga rënia heroike e Adem Jasharit dhe familjes së tij. Ai ishte edhe është Komandanti Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka krijuar shenjat e shenjta të përmasës kombëtare, andaj është kthyer në legjendë. Jo rastësisht, andaj, përkundër të gjitha rregullave të luftërave, pas rënies së Komandantit,  ushtria e tij çlirimtare, në vend që të dorëzohej dhe të mundej, ajo rritet dhe del fitimtare. Prandaj, në jetën e popujve ndodhin ngjarje të mëdha dhe të vogla historike. Me kalimin e kohës, këto ose bëhen përmasë e kujtesës historike dhe kombëtare te popujt historikë, ose zbresin në zonën e kujtesës folklorike, te popujt historikë. Komandanti Legjendar, Adem Jashari, është bërë shenjë e epokës së lirisë së shqiptarëve, duke hapur procesin e madh historik të bashkimit kombëtar. Pa Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa çlirimin dhe lirinë e Kosovës, ky proces i madh historik i bashkimit kombëtar ishte lënë në harresë.

Hyrje

Jeta historike e popullit shqiptar, nëpër të gjitha ngjarjet  e lakadredhat e mëdha të historisë, para se të përmbyste padrejtësitë historike, ka krijuar bërthamën kombëtare, e cila me veprimin e saj historik, ndryshon ecjen së prapthi të historisë, siç kishte ndodhur me historinë e shqiptarëve, kur i ishte përgjysmuar gjeografia kombëtare dhe kur gjysmën e popullit e kishte të robëruar. Bërthama kombëtare, që përmbys padrejtësitë historike, i ngjan vullkanit, krateri i të cilit mund të jetë i vogël, por kur shpërthen, rrënon çdo gjë para vetes. Një bërthamë të këtillë e kishte krijuar mesjeta shqiptare me Skënderbeun. Kështu që lufta e kësaj bërthame kombëtare zgjati 25 vjet kundër perandorisë më të madhe të botës. Një bërthamë tjetër, ishte ajo e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, që krijoi edhe forcën ushtarake për të mbrojtur tërësinë e tokave shqiptare. Kurse, që pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, tokat shqiptare, edhe me nënshkrimet e qendrave evropiane të kohës, ishin copëtuar dhe ishin degdisur në disa xhuxh shtete të Ballkanit. Duhej  një shekull jetë, përpjekje, përgjakje, burgosje, helmime, luftëra nga më të ndryshmet, derisa në gjirin e popullit shqiptar ishte krijuar bërthama kombëtare, së cilës i printe Adem Jashari. Ai ishte pjesë e të gjitha lëvizjeve shqiptare, që bënin përpjekje të dëshmonin para botës se Kosova ishte e pushtuar, kurse populli i saj, ishte i robëruar. Nga data 28 nëntor të vitit 1997, kur del publikisht, edhe me urdhër të Komandantit Legjendar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bërthama kombëtare që i printe Adem Jashari, bëhet arma e çlirimit dhe e lirisë së kësaj pjese të atdheut, që quhet Kosovë.   

Në jetën e popullit shqiptar ka shenja të ecjes së tij nëpër histori, që ose janë harruar me kohën, do të thotë nuk janë bërë kujtesë historike, ose ende nuk u është bërë vendi në histori, ose janë bërë shenjë e kujtesës kombëtare të shqiptarëve, pa marrë parasysh se çfarë fati kishin tokat shqiptare nëpër rrënojat e historisë.

Kjo jetë historike e popullit shqiptar, ka krijuar atë Trionë e Madhe, që e njeh tërë bota, Gjergj Kastriotin – Skënderbeun që ishte bërë mburojë e Evropës kundër hordhive osmane për 25 vjet me radhë, Nënë Terezën, që ishte bërë simbol i humanizmit dhe dashurisë njerëzore, kurse sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes së tij, që ishte e përmasave hyjnore, kishte vënë në lëvizje shqiptarët dhe botën që e donin lirinë gjithandej globit tokësor.

Njëra prej këtyre shenjave, që ka përmbysur shekuj robërie të historisë së shqiptarëve, është edhe sakrifica hyjnore e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Këto shenja janë të shenjta, jo vetëm me përmasën e tyre historike, por edhe me përmasën e tyre kombëtare dhe njerëzore. Këtë e dëshmon edhe vetëm një fakt i vetëm. Për këto vjet, më shumë se 13 milion shqiptarë, por edhe të huaj, janë përkulur dhe kanë bërë nderim para luftës, rënies dhe lirisë së tij, të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit dhe të familjes së tij.

1. 1. Historia dhe legjenda e rënies

Dikush mund të thotë se këto shenja kanë diçka hyjnore në radhën e ndodhjes së tyre. Do të thotë, një fat përcaktues suprem i ecjes së këtillë të jetës së popullit shqiptar. Dikush tjetër mund të thotë se këto shenja kanë diçka nga mungesa e gjatë e dinjitetit në jetën historike të shqiptarëve, andaj duhej sakrifica hyjnore e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe e familjes Jashari, që t’i kthehej dinjiteti një populli të tërë, jo vetëm pjesëve të tij të pushtuara. Pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, asgjë më nuk është si kishte qenë, as Shqipëria londineze, as Kosova, as pjesa shqiptare e Maqedonisë, as pjesa shqiptare e Malit të Zi, as shqiptarët e Kosovës Lindore, por as shqiptarët e mërgatës së madhe shqiptare, njërës nga mërgatat më tragjike në historinë e njerëzimit. 

Me këtë rast, nuk do të merrem me rrugën jetësore të shqiptarëve deri më 5 mars 1998. Jo vetëm pse dihet, por ngase nuk e kam ndër mend të shkruaj për rrënojat e mëdha historike të shqiptarëve të robëruar të Kosovës. Sado që po sjellë vetëm një fakt të vogël historik, për të prekur vetëm një aspekt të përgatitjes së kësaj bërthame kombëtare që i printe Adem Jashari, i cli pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në ilegalitet duke u marrë me veprimtari guerile atdhetare. Komandanti i ardhshëm Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, kishte organizuar dhe mbështetur thuajse të gjitha aksionet që kanë ndodhur, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën. Jo një ditë, apo një javë ose një muaj para 28 nëntorit të vitit 1997, por shumë kohë më parë. Në vitin 1994, në vjeshtën e atij viti, Shërbimi Sekret Serb, që përcillte secilën fjalë dhe secilin veprim të shqiptarëve, zë në befasi dhe e arreston njërin prej bashkëveprimtarëve të Adem Jasharit, Besim Ramën nga Prekazi.

Serbia pushtuese, kishte organizuar dhe kishte mbajtur publikisht procesin gjyqësor kundër këtij grupi. Vendimet për dënimin e grupit që kishte marrë Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ishin njësoj sikur të dënoheshin kriminelët e luftës. Me këtë rast, shpallen fajtor, si terroristë, Adem Jashari, Besim Rama, Ilaz Kodra, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Fadil Kodra, Zenun Kodra, Nuredin Lushtaku, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, ldriz Asllani, Ali Jonuzi dhe Jakup Nura. Adem Jashari ishte dënuar me 20 vjet burg, në mungesë. Në kohën kur mbaheshin gjyqe të këtilla në Kosovë, dihej se ekzistonte një bërthamë çlirimtare, që i kishte vënë vetes detyrë të çlironte Kosovën dhe pjesët e tjera të tokave shqiptare, që Evropa ia kishte lënë ish-Jugosllavisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913.

 Prandaj, edhe për veprimtarinë luftarake dhe atdhetare, për qëllimin e kësaj bërthame kombëtare, që ishte lufta çlirimtare e Adem Jasharit, e dinte edhe politika pacifiste e asaj pjese të Kosovës që shpresonte dhe shihte ëndërr me sy hapur se liria ose vjen nga qielli, ose e sjellë dikush nga jashtë, ose çdo javë duke mbajtur Konferenca për shtyp, andaj  këto ngjarje dhe zhvillimet e kësaj natyre i shikonin me mosbesim dhe skepticizëm.

Mirëpo, përkundër këtyre ngjarjeve që zhvilloheshin kudo në Kosovë, përditshmëria politike dhe jeta që bënin shqiptarët e këtyre viteve, ishte jashtë logjikës së veprimeve që bënte bërthama çlirimtare e Adem Jasharit. Në këtë kohë, të thuash se shqiptarët ishin të robëruar deri në këtë vit dhe deri në këtë datë, kishte që thoshin se nuk kemi qenë të robëruar. Ka të tjerë që dilnin edhe nëpër botë e thoshin, nuk ishim aq keq, sepse kishim edhe republikë në kuadër të Jugosllavisë. Më tutje, kishte që dilnin e thoshin se kurrë nuk kemi qenë plotësisht të robëruar, ngase përherë kemi rezistuar kundër pushtuesit, ani çka se nuk e kemi hequr robërinë. Nga të gjitha këto, shqiptarët e atyre viteve të luftës çlirimtare të Adem Jasharit, kishin zënë të besonin se ndoshta të gjitha këto kishin diçka nga e vërteta. Mirëpo, për fat të keq, të të gjithë këtyre iluzionistëve shqiptarë, historia nuk merret as me gjysmë të vërtetat, aq më pak me çerek të vërteta, por nuk merret fare as me të vërtetat që janë vetëm fjalë. Historia e një populli historik merret vetëm me veprimet historike të atij populli, veçmas kur është fjala për lirinë e tij, për dinjitetin kombëtar të tij, për luftën kundër robërisë së tij. Në këtë rrafsh të kuptimit të historisë, Lufta Çlirimtare e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, ishte veprim historik me përmasë kombëtare. Do të thotë, nëse historia merret vetëm me kategorinë e këtillë të veprimeve të një populli që mëton të jetë historik, atëherë mund të thuhet se më 5 mars 1998, shqiptarët e kishin fituar lirinë. Më 5 mars 1998 shqiptarët vunë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur si popull historik. Më 5 mars 1998 shqiptarët përmbushën kërkesën elementare historike për ta mundur robërinë – bënë veprime historike për ardhmërinë e tyre. Të gjitha këto kishin ndodhur nën drejtimin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe sakrificës të përmasës mitologjike të familjes së tij-familjes së madhe Jashari.

Veprimtarët e bërthamës kombëtare të Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, me aktin e sakrificës së tyre janë bërë pjesë e përjetësisë së jetës shqiptare, kudo që është ajo, sepse duke i dhënë besën tokës së atdheut, janë bërë shenja shprese të jetës së re, që po lindte pas më shumë se një shekull përgjysmimi dhe robërie. Me veprimin e tyre historik, sepse vetëm lufta për liri është veprim i tillë, Komandanti Legjendar dhe familja e tij, ia kthyen dinjitetin njeriut shqiptar, i dhanë frymë të re lirisë sonë. Mirëpo, në anën tjetër, duke shqyrtuar këtë përmasë flijimi, diçka që nuk e ke as në lashtësitë e popujve të tjerë të botës, as në librat e feve të ndryshme, doemos ringjallen kronikat e kohëve të përgjakshme si dhe luftërat e parreshtura për lirinë e atdheut.
Shenjat e shenjta që ka krijuar rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familja e tij, e bën pjesë të veprimit historik edhe kujtesën tonë kombëtare, të ndaluar nga dhuna e pushtuesit, siç janë kujtimet e Hasan Prishtinës “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912”, pastaj, është e pamundur të mos kujtohet kryevepra e Mihal Gramenos “Kryengritja shqiptare”, për luftën kundër pushtuesit në Mashkullore dhe në tërë Jugun e atdheut, doemos vjen në kujtesën tonë historike, vepra me peshë të veçantë historike e Risto Siliqit: “Pasqyrë e ditëve të përgjakshme”, që e bën, përveç të tjerash, kujtesë të përmasës kombëtare ngritjen e Flamurit Kombëtar në Deçiç, në kryengritjen e vitit 1911. Të gjitha këto ngjarje, janë bërë pjesë e luftës, qëndresës, rënies dhe përjetësisë së familjes Jashari, kurse luftës çlirimtare të Komandantit Legjendar i ka dhënë përmasë kombëtare.

Lufta e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe bërthamës së tij kombëtare, nuk ishte vetëm përpjekje për t’ia kthyer pushkën armikut, por ishte në radhë të parë mundësi reale e organizimit të një ushtrie nga radhët e popullit (që është shenjë e parë e popullit historik). Ky popull, njohur e panjohur Komandantin Legjendar, ia kishin ditur, apo nuk u kujtohej emri i tij, kur ai kishte rënë, ky popull pra, në ato çaste nuk kishte asgjë të veten: ishte pa shtet, pa pushtet, pa ushtri. Në ballë të kësaj ushtrie ishte një njeri, që me veprimin e vet historik vuri në altarin e lirisë, jo vetëm jetën e tij, por jetën e tërë familjes, me një vetëdije hyjnore. 

Këtu, tashti prishen të gjitha rregullat që mësohen në akademitë ushtarake, se kur vritet, kur zihet rob, kur nxirret nga radhët e luftës, komandanti, ose udhëheqja e asaj lufte, atëherë pushtuesi e ka fituar atë luftë, atëherë mund të vazhdojë edhe më tej robëria, shfrytëzimi, nëpërkëmbja e dinjitetit të atij populli. Por, ndodhi e kundërta e këtij rregulli, e kësaj doktrine, sepse në radhë të parë, sakrifica ishte e përmasave hyjnore, ishte e përmasave antologjike, diçka qiellore që vinte dhe mbillte shpresën e madhe, se kësaj radhe, historia ishte në anën e popullit shqiptar. 

Më 5 mars 1998, u vu në themelet e lirisë së shqiptarëve Komandanti  Legjendar, Adem Jashari, duke u bërë frymëzues i lirisë i brezave të shqiptarëve, sepse kur vritej babai, armën e lirisë e merrte i biri, pa marrë parasysh i kishte mbushur ende 18 vjet, apo ishte ende fëmijë, sepse kur vritej vëllai, pushkën e merrte motra, pa marrë parasysh ishte e fejuar, apo ende priste djaloshin që do t’ia falte zemrën. Pra, liria erdhi duke u rritur, siç po vjen duke u rritur, pa marrë parasysh se çka thonë politikanë të ndryshëm të Kosovës, të pasluftës së UÇK-së, qoftë për karrierë politike dhe diplomatike, qoftë për të fituar më shumë vota në zgjedhjet që bëhen një herë në tre, apo katër vjet. Po ashtu, pa marrë parasysh edhe çka thonë veprimtarë atdhetarë të ndryshëm, që kanë dhënë shumë për Kosovën, ngase Kosova nga 5 marsi i vitit 1998 ka lirinë, ka dinjitetin historik dhe e ka hequr robërinë shekullore. 


1. 2. Koha në Kosovë matet me Luftën e Komandantit Legjendar

Nga kjo datë, koha në Kosovë matet me Kosovën e paraluftës së UÇK-së dhe Kosovën e pas kësaj lufte.  

Me 5 mars të vitit 1998, Komandanti Legjendar i lirisë sonë, Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit, gjatë tërë historisë së qëndresës së këtij populli në luftën për liri. Në këtë datë dhe në këtë ditë, Komandanti bashkë me familjen, kishin thënë njëzëri: -Nuk do të dorëzohemi për së gjalli! Pastaj, ishte bërë një heshtje e gjatë, sa njeriut i dukej se nuk kishin folur kurrë. Atëherë, Anteu i lirisë kishte thënë: – Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!

Prapë ishte bërë heshtje e gjatë. Sa dukej, kishte mbetur pa u thënë argumenti i veprimit historik, që është lufta për liri, andaj Komandanti Legjendar Adem Jashari, u kishte thënë babait – bacës Shaban, të vëllait Hamzës, nënës Zahide, djemve dhe vajzave, nipave dhe mbesave, grave dhe nuseve të shtëpisë, dajave dhe kushërinjve, u kishte thënë luftëtarëve të lirisë së Kosovës: – Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime . Pastaj, duke e ditur se Kosova ishte vetëm pjesë e atdheut, Komandanti u kishte thënë luftëtarëve të tij: – Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne, sesa Atdheu. Kështjella e lirisë së Kosovës, kishte ushtuar nga zërat e të gjithë Jasharëve, sa i kishte dëgjuar edhe qielli.

Këtu tashti prishet edhe mundësia e kërkimit të ndonjë shëmbëllimi në historinë e përbotshme, siç bëjnë ndonjëherë historianë dhe sociologë shqiptarë, që ende nuk janë liruar nga mendësia e të shkruarit të historisë vetëm duke akuzuar, ose vetëm duke u ankuar për fatin e rëndë të popullit që i takojnë. Kërkimi i shëmbëllimeve në historitë e popujve të ndryshëm të botës, është i pavlefshëm, edhe për shkakun se shqiptarët ishin formuar si komb, por u ishte copëtuar shteti dhe gjeografia kombëtare. Një pjesë e tyre e kishte shtetin, njëherë e një kohë një shtet demokratik, pastaj monarkinë, kurse pas Luftës së Dytë Botërore një shtet ideologjik, në fund, edhe shtet demokratik. Dhe, për çudi, as në kohën e shtetit monarkik, as në kohën e shtetit ideologjik, as në kohën e shtetit demokratik, nuk kishte të drejtë, ose nuk e lejonin të bënte një veprim historik, pra, të luftonte për lirinë e pjesëve të robëruara të popullit të tij, të luftonte për kthimin e pjesëve të copëtuara të gjeografisë së tij kombëtare. 

Tashti prishet, pra, edhe rregulli i tretë i luftës për liri, i luftës për dinjitet historik, i luftës kundër robërisë. Prishet ky rregull, edhe nga fakti se ekzistonin marrëveshje ndërshtetërore, marrëveshje ndërkombëtare të të gjitha niveleve, ku, pos të tjerash, thuhej se asgjë nuk mund të ndryshohej me dhunë. Por liria si fitohet, pyesnin shqiptarët fjalamanë. Liria fitohet me fitimin e të drejtave të njeriut, na thoshin herë ndërkombëtarët monarkistë, herë ndërkombëtarët ideologjikë, herë ndërkombëtarët demokratë. Do të thotë, nuk dilte asnjë formacion shoqëror, as kombëtar, as ndërkombëtar që të na sillte lirinë, që të na e kthente dinjitetin, që të na e hiqte robërinë. 

Andaj, kur Komandanti Legjendar, Adem Jashari, me sakrificën e tij të përmasës kombëtare, bashkë me sakrificën e familjes së tij, të përmasës së shenjtë, Kosova, si zemër e çështjes së pazgjidhur shqiptare u shndërrua në fushëbetejën më të përgjakshme që nga lufta e fundit botërore e këndej. Shenjat e sakrificës së tyre u bënë të shenjta, jo vetëm nga fakti se ishin veprime historike, por edhe për përmasën e shenjtë të sakrificës së familjes Jashari. Ishin pushkët e lirisë, pra, ato që e tmerruan, së pari armikun tonë shekullor, Serbinë pushtuese e gjenocidale, që në Kosovë po përdorte të gjitha Programet për zhdukjen e shqiptarëve, të cilat njëherë e një kohë i kishte zbatuar vetëm Hitleri kundër hebrenjve. I kishte lëkundur deri në themele edhe qendrat evropiane dhe botërore të vendosjes. Ata që kanë interesim për të mësuar, për të kuptuar dhe së fundit, për t’u vetëdijësuar se asnjë luftë çlirimtare nuk bëhet, nëse nuk ka përmasë kombëtare, mund të marrin dhe të lexojnë edhe shtypin shqiptar të kohës, edhe shtypin ndërkombëtar të atyre viteve dhe do ta shohin qartë e mirë, si është trajtuar jo vetëm robëria e Kosovës, por edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Komandanti Legjendar, jo vetëm i kohës sonë, Adem Jashari, në ndërgjegjen e shqiptarëve të robëruar, në vetëdijen historike të luftëtarëve të lirisë, pra në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e të gjithë liridashësve shqiptarë, pa marrë parasysh e kishin pushkën në krahë, apo dërgonin veshmbathje, ushqim, gjak e barëra për të plagosurit, është ngulitur jo vetëm si idhull, si dëshmi që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unik i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesiu, ai që përhapi besimin në një perëndi, pra, Adem Jashari është hyjnori  i realizuar i këtij shekulli, edhe si frymëzim për të ecur nëpër rrugët e ardhshme të historisë kombëtare, sepse ka hapur procesin e madh të bashkimit kombëtar, është shpëtimtari që e kemi pritur sa një shekull, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.

Andaj duhej sakrifica madhore e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe sakrifica e familjes Jashari, që vetëdijësuan botën hap pas hapi, shkallë, shkallë, me përpjekje dhe me përgjakjen e secilës pëllëmbë të tokës së Kosovës, se shqiptarët po bënin një veprim të domosdoshëm historik, me ç’gjë dëshmuan se janë popull historik. Atëherë bota u lëkund, qoftë për të parë çka ndodhte, qoftë “për të ndrequr” diçka në ndërgjegjen e tyre, si pjesëmarrëse në një krim të përmasës kombëtare, ngase Evropa ishte ajo që e kishte copëtuar gjeografinë kombëtare dhe pjesë të popullit shqiptar, qoftë për të ndihmuar që përgjakja e shqiptarëve të ishte mundësisht sa më e vogël. Shqiptarët, që ishin pjesë e kësaj lufte, nuk ka nevojë të zihen ngojë. Ata kryen detyrimin e tyre për lirinë. Shqiptarët, që kurrë nuk kanë bërë asgjë për ardhjen e lirisë, nuk ka nevojë dhe nuk duhet të flitet për ta, sepse ata vdesin nga pak për çdo ditë, një vdekje e heshtur, si pjesë e vdekjes së një populli, që harrohet pas asimilimit, siç harrohen krye tri ditësh dasmat e këqija tallava.

Kësisoj, më 5 mars 1998, Komandanti Legjendar, Adem Jashari dhe familja Jashari, krijuan shenjat e shenjta të jetës historike të shqiptarëve, në mungesë të të cilave, pra në mungesë të këtyre shenjave, aq shpesh na ka humbur rruga nëpër rrënojat e historisë, sa duhej kjo përgjakje e Kosovës, që shqiptarët ta kuptojnë se atdheu i tyre ishte dhe është i copëtuar.  Në këtë kohë, aspak nuk është e rëndësishme se çka thonë shqiptarët fjalamanë, siç nuk është aspak e rëndësishme se çka thotë bota, që me pragmatizmin e saj bëhet hipokrite. Nuk është me rëndësi, qoftë edhe nga shkaku i vetëm se më 5 mars 1998, lufta për liri e shqiptarëve mori fytyrën e njeriut, lufta e shqiptarëve për dinjitet u bë e përmasës kombëtare, lufta e shqiptarëve kundër robërisë, përmbysi hipokrizinë e qetësisë së rrejshme të marrëveshjeve ndërkombëtare, që për hir të lëkurës së vet, sakrifikonte pjesë të një populli, sakrifikonte historinë e një populli, sakrifikonte pjesë të gjeografisë së një atdheu, sakrifikonte, në fund të fundit, mundësinë e zgjidhjes së drejtë të çështjes së pazgjidhur shqiptare.

1. 3. Rrafshi historik i sakrificës së Familjes Jashari

Nëse sakrifica e përmasës kombëtare e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe sakrifica sublime e familjes Jashari, e 5, 6 e 7 marsit të vitit 1998, shihet jashtë këtij rrafshi historik dhe jashtë kësaj përmase kombëtare, atëherë në shqyrtimin e veprimeve historike të një populli, ende ka folklorizëm, që ndonjëherë e banalizon historinë, ka shpjegim ideologjik, kur dihet se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare kishte vetëm ideologji kombëtare, andaj, si e tillë, nuk ka prodhuar as atdhetar as tradhtar. Dëshmi për këtë është edhe fakti, se nuk ka pasur asnjë proces gjyqësor ndaj atyre që ishin kundër luftës. Përkundrazi, ndërkombëtarët krijuan gjyqe ku akuzoheshin, si po akuzohen edhe tashti, vetëm çlirimtarët. Prandaj, në fund të fundit, në trajtimin, në shqyrtimin dhe në pranimin e luftës çlirimtare të Adem Jasharit,  ka hile ndërkombëtare, qoftë edhe me fytyrë demokratike.

Gjatë luftimeve të 5,6 dhe 7 marsit 1998, kishin rënë dëshmorë 59 anëtarë të familjes së ngushtë të Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së gjerë Jashari të Prekazit të ulët të Drenicës, si dhe tre miq e nipa që kishin  ndodhur në këtë familje më 5,6 dhe 7 mars 1998. Në këtë luftë të pabarabartë (një familje përballë një shteti pushtues e gjenocidial) mbijeton vetëm fëmiu 11 vjeçar, Besarta (Hamëz) Jashari, e cila sot është heroinë e ‘gjallë’, bashkëshorte e Valon Loshit dhe nënë e mrekullueshme e dy djemëve të saj, Dylit dhe Nolit. 

Më 5, 6 e 7  mars të vitit 1998, ngjarjet që rrokullisën robërinë e Kosovës, kërkuan të krijohen shenja të shenjta, në mënyrë që të qëndronte në këmbë liria e kësaj pjese të atdheut, pra janë krijuar, deshën apo nuk deshën shqiptarët, i pranuan apo nuk i pranuan ndërkombëtarët, janë shenja të përmasës kombëtare për shqiptarët si popull historik (se vjen një ditë, edhe Shqipërisë londineze nuk i mjafton vetvetja), kurse për shqiptarët e Kosovës, si pjesë e një populli historik, kanë përmasë shoqërore dhe kombëtare, ngase ata nuk mund të bëjnë jetë politike dhe shoqërore pa këtë përmasë historike dhe kombëtare të sakrificës sublime të Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të familjes Jashari, të cilat u bënë shenja të shenjta në jetën historike dhe kombëtare të popullit shqiptar, kudo që është dhe kudo që mund të jetë nesër.

Dua të sjell vetëm një shenjë kujtese, për të gjithë harrestarët shqiptarë, për të gjithë pushtetarët e këtyre 23 vjetëve, që nga rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, që nuk kishin mundësi t’i gjenin një vend për shtatoren e tij në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, për të gjithë ardhësit dhe shkuesit ndërkombëtarë, që Kosovën e kanë vetëm si treg të mëditjeve zyrtare, pa i përzier këtu ato qeveri dhe ato vende, që ju kanë bërë krahë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i kanë dhënë përmasë ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja, edhe pse Gjykata Speciale, që thuhet se është e Kosovës, por Selinë e ka në Hagë të Holandës, e thotë sa herë mban konferenca statusore kundër çlirimtarëve tanë, se ajo nuk ishte luftë çlirimtare, por ‘‘konflikt i armatosur jondërkombëtarë’’, duke bërë përpjekje që të përmbyset përmasa e këtyre shenjave edhe pas 23 vjetësh nga rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij.

Përfundim

Kësaj radhe, më është mbushur mendja të sjellë një dëshmi shumë të veçantë, qoftë për nga shtrirja, qoftë për nga madhështia, por qoftë edhe për nga porosia kombëtare që jep. Shikoni se çka ndodh qe 23 vjet në Prekaz. Vetëm shikoni kush rri gatitu para Varrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe asaj sakrifice hyjnore të familjes së tij. Bëjnë nderim fëmijë e të moshuar, bashkëluftëtarë të orëve të para e ikanakë të mjerë, që sot rrahin gjoks se kanë bërë aq beteja me Komandantin, nuse të reja që të hutojnë me mjegullën e tyre të bardhë dhe nëna dëshmorësh, gra që nuk kanë pasur kohë të bëjnë asnjë palë çorapë për ushtarët e lirisë, dhe nëna plaka, që i kanë kthyer bukë Hasan Prishtinës e Bajram Currit, intelektualë, që nuk u bëri goja punë të thonë një fjalë të mirë për këtë ushtri dhe për këtë luftë, por edhe të atillë që fyen sa mundën, dijetarë që i bëjnë nder kombit dhe gënjeshtarë që flasin në emër të kombit, si për kopshtin e babait të vet; pushtetarë, që ndryshe flasin para nesh, popullit të zakonshëm, ndryshe në televizion, ndryshe me të huajt, por edhe pushtetarë zhvatës dhe intrigantë, që vetëm në kohë zgjedhjesh e kanë plot gojën dëshmorë dhe familje të dëshmorëve; hierarkë fesh dhe ritesh të ndryshme, feja e të cilëve e lejon apo nuk e lejon luftën; gjeneralë dhe ushtarakë të proviniencave dhe të ushtrive të popujve të ndryshëm; burra shtetesh, që na kanë sharë dhe lavdëruar njësoj, varësisht nga interesi i tyre; idealistë, që nuk janë të kënaqur me asgjë, as me Varrin e Komandantit Legjendar; hipokritë, që sa derdhin lot, kthejnë kokën dhe zgërdhihen; injorantë, që dinë çdo gjë, edhe si do të ishte bërë pavarësia e Kosovës pa asnjë fishek të zbrazur. 

Në fund, vijnë ata për të cilët ka kuptim gjaku i derdhur për liri, gjaku i mijëra e mijëra dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, gjaku edhe i 1392 fëmijëve tanë të vrarë nga Serbia pushtuese e gjenocidiale gjatë viteve 1998/1999, gjaku edhe 40 fëmijëve tanë të vrarë nga barbaria serbe gjatë viteve 1981/1997,  për të  cilët, edhe sot e 23 vite, Kosova nuk ua ngriti qoftë edhe një OBELISK të vetëm. Vijnë radhët e mëdha të njerëzve, të atyre njerëzve, që nuk flasin shumë, që nuk mburren shumë, që u vjen keq që nuk kanë mundur të bëjnë më shumë për luftën, për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë e pjesës së robëruar të atdheut dhe që gëzohen se kanë ku të luten për lirinë dhe jetën e tyre.

Qoftë vetëm për këtë shkak, sakrifica madhore e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrifica sublime e familjes Jashari është shenjë e shenjtë e përmasës kombëtare në kujtesën historike të shqiptarëve. Rënia e tyre është frymëzim i përjetshëm për të gjithë shqiptarët, që së paku  njëherë në vit ju bie ndërmend se atdheu i tyre është Shqipëria. 

Është frymëzim, edhe për ata që as në kohën e Luftës së UÇK-së, nuk kishin dhënë asnjë qindarkë, kurse tashti rrahin gjoks se kishin qenë pjesë e luftës, andaj, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, Sami Frashëri ka thënë se, “Kush nuk derdh një pikë gjak për tokën e vet, kush nuk jep asnjë qindarkë, ai s’ka të drejtë të varroset në   të”.   

Burimet:

                                                                                       1. Jusuf Gërvalla, Shenja të shejta, Shkup, 1980 

2. Nezir Myrtaj, Jehonë lufte: komente, 6 janar – 21 qershor 1999, Prishtinë, 2002

3. Emin Kabashi, Përmasa kombëtare e luftës së UC̦K-së, Prishtinë, 2005

4. Bedri Islami, Përjetësia e dyfishtë: Fehmiu dhe Xheva, një jetë e shfaqshme, Tiranë, 2008

5. Bedri Tahiri, Adem Jashari-Legjendë e legjendave, (botimi 10), Prishtinë, 2018

6. Bedri Islami, 28 nëntori është dita e lindjes së Adem Jasharit, gazeta Dita, 19 dhjetor  

                          2013

7. Ahmet Qeriqi, Adem Shaban Jashari (28.11.1955 – 7.3.1998), Prishtinë, 2020

8. Bedri Islami, Çfarë e bëri dhe çfarë e bën edhe sot Adem Jasharin krejt të veçantë në       

                          historinë e kombit tonë?, Epoka e re, fejton, 2020

9. Raporti për vrasjen e Adem Jasharit, ‘‘BBC’’, më 7 mars të vitit 1998 

10. “The Neë York Times”, më 9 mars të vitit 1998

11. Sami Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, Prishtinë, 1978

Prishtinë, nëntor, 2021 

Filed Under: Politike

SPEKTRI I AUTIZMIT DHE EDUKIMI

December 1, 2021 by s p

Nga Fatjona R. Lubonja Ed.D

*Fatjona R. Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë dhe Behavior në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvard.

Bazuar në statistikat, megjithëse të pakëta, në Shqipëri numri i fëmijëve që vuajnë nga aftësitë e kufizuara intelektuale apo problemet mendore është më i lartë në krahasim me patologjitë e tjera të fëmijëve (WHO-AIMS Report, 2006). Në një intervistë me Pediatre Dr. Gj, duke u bazuar në datat e marra përgjatë 20-vjetëve të fundit nëpërmjet vizitave të fëmijëve të regjistruar ka një rritje të numrit të fëmijëve të diagnostikuar me spektrumin e autizmit apo aftësi të kufizuara intelektuale. Me rritjen e rasteve, fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale janë “në rrezik”, kur ekziston një pabarazi midis kuptimit të këtyre ç’rregullimeve, trajtimit, edukimit dhe nevojave themelore të tyre. Shoqëria ka nevojë për ndërhyrje përdrejt të një trajtimi cilësor që i lejon fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale të mbijetojnë në një mjedis të vështirë. Gjithashtu, duke i kuptuar këto ç’rregullime, kërkohet një reflektim etik i shoqërisë për të ndaluar diskriminimin apo etiketimin në gjuhën/fjalorin e përditshëm kundrejt një individi, fëmijë apo i rritur, me këto ç’rregullime. Ç’farë mendohet se shkakton autizmin apo aftësi të kufizuara intelektuale? Spektri i ç’rregullimit të autizmit është një nga këto probleme që kërkon vëmëndje për faktin se është akoma i paqarte se ç’farë e shkakton në origjinë një ç’rregullim të tillë. Studimet e fundit (Lavy, J. A., et. al. 2021) considerojnë proteinën Dyrk1A që kontrollon rritjen e trurit (Guedj, F., et .al 2012) si të rëndësishme dhe influencuese në grupin e ç’rregullimeve të autizmit dhe aftësive të kufizuara intelektuale. Gjithashtu, Autizmi mund të konceptohet si një sëmundje e ç’rregullimit të sinapseve (Toro, et al. 2010). Më thjesht mund të shpjegohet se zhvillimi i trurit, nga fëmijërija deri në moshën e rritur, pëson ndryshime në sistemin nervor qëndror nëpërmjet formimit të degëzimit të qelizave nervore që përfshijnë formimin e synapseve, mirëmbajtjen, remodeling e lidhjes brenda qarqeve qelizore, etj… Në disa studime është diskutuar mundësia që fëmijët me simptoma të ç’rregullimit autikë të kenë një densitetit të degëzimit të qelizave nervore në tru shumë më të madhe se ato që gjënden në fëmijët e paprekur të së njëjtës moshë. (Hutsler, J., & Zhang, H., 2010; Johnson & DeHaan, 2015). Cila është domethënia e densitetit të degëzimi të qelizave nervore në tru? Zhvillimi i trurit të fëmijes kalon në perjudhë zhvillimi nëpërmjet shtimit të qelizave nervore dhe gjithashtu në një perjudhë të krasitjes të qelizave nervore. Të dyja këto proçese janë shumë të rëndësishme në zhvillimin e trurit të fëmijës. (Huttenlocher, 1990, 1994). Pra duhet theksuar se gjatë këtij zhvillimit jo vetëm shtimi i degëzimit të qelizave nervore por edhe krasitja e tyre është një proçes i rëndësishëm për të eliminuar lidhjet e tepërta midis qelizave nervore. Ky proçes sjell ndryshime në volumin e trurit që nga lindja e fëmijes deri në moshën e rritur. Si ndikon ky proçes në ç’rregullimin e autizmit? Indet e trurit të një fëmije me ç’rregullime autike tregojnë një rritje në degëzimet e qelizave nervore piramidale nga shtresa (2) në ballore dhe shtresa (5), (Toro, et al 2010). Si rrjedhim truri i fëmijëve me ç’rregullime të autizmit karakterizohet nga: hipër-lidhjet (të larta) në qarqet lokale dhe hipo-lidhjet (të ulta) në mes të rajoneve të trurit (Geschwind, dhe Levitt, 2007), që rezultojnë nga defiçitet në proçesin e krasitjes (Huttenlocher, 1994). Siç ilustrohet në Figurën 1. në ç’rregullim të spektrit të autizmit vihet re një formimin i egzagjeruar apo shkurtim jo i plotë gjatë proçesit të zhvillimit të qelizave nervore. Figura 1. Bazuar ne trajektoren e formimit të zhvillimit të qelizave nervore. (Penzes, P., et. al. 2011). Trns. Lubonja, R. F. Opinion, (2021) Ç’farë trajtimesh janë të rekomanduara? Përgjatë kontrolleve të vazhdueshme me specialistë, studimet sugjerojnë gjithashtu se terapitë ABA (Aplikimi Analitik i Sjelljes), terapi cognitive mendore, fizio-terapi, apo të tjera që mund të varet nga ç’do situate individuale, në moshën fëminore pas lindjes janë të rëndësishme. Edukimi formon bazën e aftësisë së memorjes dhe si rrjedhim, proçesit të mësuarit mund të ketë një ndikim të fuqishëm të specializuar në fëmijët me aftësi të kufizuara përgjatë zhvillimin e tyre (Gillig, M., P. & Gentile, J. 2012). *Fatjona R. Lubonja mban titullin Dr. e Shkencave në Edukim, ka studiuar Neuro-Shkencë dhe Behavior në Universiteti i Kolumbias (Columbia University) në New York dhe është specializuar në Universitetin e Harvard.

Filed Under: Politike Tagged With: Fatjona Lubonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT