• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sulmi në Kongres, Katër viktima

January 7, 2021 by dgreca

Policia e Uashingtonit thotë se katër njerëz kanë vdekur gjatë sulmit në ndërtesën e Kongresit. Përveç një gruaje të qëlluar nga policia, tre të tjerë vdiqën si rezultat i “urgjencave mjekësore”. Deri më tani, më shumë se 52 persona janë arrestuar – 47 prej tyre për shkelje të rregullave të izolimit.

Mediat amerikane po raportojnë se gruaja që u qëllua dhe u vra gjatë sulmit në Kongres ishte një veterane e Forcave Ajrore të SHBA-së. Ajo mendohet të jetë qëlluar pasi hyri në ndërtesë së bashku me protestuesit e tjerë.

Transmetuesi amerikan Fox5 foli me vjehrrën e gruas e cila tha që ajo kishte qenë një mbështetëse e Trumpit.

Çfarë ndodhi në Kongres?

jë ditë e dhunës dhe e kaosit në Kongresin amerikan e la Amerikën të lëkundur, ndërsa politikanët në të gjithë botën të tronditur dhe të shqetësuar.

Në një skenë të paparë në historinë moderne të SHBA-së, mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump, sulmuan dhunshëm ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të zhbërë fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Seanca për konfirmimin e Bidenit u ndërpre dhe ligjvënësit u evakuuan.

Garda Kombëtare u mobilizua për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.

Kur ligjvënësit iu rikthyen seancës, qindra mbështetës të Trumpit ishin ende në rrugët e Uashingtonit, përkundër pranisë së madhe të policisë dhe shtetrrethimit të shpallur nga ora 6 e pasdites.

“Për ata që bënë kërdi në Kongresin tonë sot: Ju nuk keni fituar. Le t’i kthehemi punës”, tha nënpresidenti Mike Pence.

“Ne do ta çertifikojmë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2020”, shtoi udhëheqësi republikan i Senait, Mitch McConnell.

Filed Under: Politike Tagged With: kater viktima, Sulmi ne Kongres

ZV/ Presidenti Pence: JAM BETUAR MBI KUSHTETUTE …

January 6, 2021 by dgreca

  • nuk pranon kërkesën e presidentit për refuzimin e votave elektorale/

Nënpresidenti i SHBA Mike Pence hapi një sesion të përbashkët të Kongresit për të çertifikuar zyrtarisht fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, duke mos pranuar kërkesën e Presidentit Donald Trump që ai të refuzojë në mënyrë të njëanshme votat elektorale.

Aleatët e zotit Trump në Kongres ndërmorën një përpjekje të fundit për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje, në një seancë që mund të zgjasë përtej mesnatës.

“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, u tha Presidenti Trump mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.

“Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje,” tha ai.

Presidenti Trump ushtroi përsëri presion ndaj nënpresidentit Pence që të përpiqej të përmbyste rezultatin. 

Ndërkohë, në një deklaratë të mërkurën, zoti Pence tha se ai ndan shqetësimet në lidhje me “integritetin” e zgjedhjeve, por ai nuk mund të pranojë ose refuzojë votat elektorale në mënyrë të njëanshme.

Kushtetuta nuk i jep nënpresidentit Pence kompetencën për të përmbysur në mënyrë të njëanshme rezultatet e zgjedhjeve, por ai është nën presionin e zotit Trump për ta bërë këtë.

“Është gjykimi im i peshuar se betimi që kam bërë për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën nuk më lejon të pretendoj autoritet të njëanshëm për të përcaktuar se cilat vota elektorale duhet të numërohen dhe cilat jo”, tha ai në deklaratë.

Ai tha se do të bënte detyrën e tij për të garantuar se shqetësimet në lidhje me zgjedhjet do të dëgjohen në mënyrë “të drejtë dhe të hapur”.

“Kur lindin mosmarrëveshje në lidhje me zgjedhjet presidenciale, sipas Ligjit Federal, janë përfaqësuesit e popullit që shqyrtojnë provat dhe zgjidhin mosmarrëveshjet përmes një procesi demokratik,” tha zoti Pence, i cili po kryeson një sesion të përbashkët të Kongresit për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Hapi rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit po e sfidojnë procesin e çertifikimit.

Procesin e sfiduan të parët ligjvënësit e Arizonës, të cilët bënë që ndalej numërimi i votës.

Refuzimi i tyre u prit me brohoritje nga republikanët e tjerë dhe me një shprehje pakënaqësie nga ligjvënësit demokratë në sallë.

Sipas rregullores, çdo kundërshti mund të debatohet deri në dy orë; po ashtu duhet kohë që të numërohen votat në secilën Dhomë. Si rezultat, kjo ceremoni zakonisht e shkurtër, pritet të kthehet në një seancë të tejzgjatur.

Gjatë seancës së nisur në Senat për votat e Arizonës, udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McOnnell tha se “Votuesit, gjykatat dhe shtetet e thanë fjalën e tyre. Të gjithë folën. Nëse ne e vëmë veten mbi to, kjo do ta dëmtonte republikën tonë përgjithmonë.”…

Filed Under: Politike Tagged With: Presidenti Pance, Zv

Ç’FSHIHET PAS POLITIKËS SE SHPIFJEVE DHE DUKURISË SË DËMSHME “NISHANI”

January 5, 2021 by dgreca

Kjo është një letër e hapur për të gjithë. Në qëndrimet dhe zgjidhjet e çështjeve të tilla varet e tashmja dhe e ardhmja e mbetur, jo vetëm e partive, të opozitës dhe jo të opozitës, por më e rëndësishmja, e gjithë vendit, që s’po ndahet dot nga e kaluara që e shtypte lavdishëm dhe nga tranzicioni me shtypësit e konvertuar, para dyerve të ëndrrës Euro-Atlantike.  Të shohim… A mund të fillohet me Romeo Gurakuqin president?…/          

Nga Visar Zhiti/Një vit i ri duket se nis ashtu siç mbaron ai para tij, i vjetri. Fitimtarët imitojnë të mundurit e tyre, thoshin latinët. 

Në fund të vitit që lamë pas, bëri përshtypje në media një sulm jo dhe aq i beftë dhe jo aq i qartë i Bujar Nishanit si ish Ministër i Brendshëm dhe si ish President i Republikës, ndërsa mediatika e ditëve të para të vitit të ri patën kundërsulmin e të sulmuarit, vetëmbrojtjen më saktë, të Romeo Gurakuqit, intelektual i njohur, pedagog, historian profesionist, veprimtar i demokracisë, idealist, por dhe ish deputet dhe ai. Ndërkaq i dyti hapi gjyq kundër të parit, i sulmuari ndaj sulmuesit, madje dha me një intervistë në “Zërin e Amerikës”. Nxitoj të them se Shqipërisë i munguan gjyqet e domosdoshme, ku të dënohej e keqja, një “Nuremberg shqiptar” kundër diktaturës dhe diktatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, gjë e cila e çoroditi politikisht dhe jo vetëm tranzicionin e gjatë posdiktatorial. 

Do të doja të shkruaja një letër të hapur për Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha. Çështja është serioze, ka të bëjë me moralin e partisë, s’ka rëndësi se cilës, dhe më shumë se aq, me moralin qytetar të vendit, edhe pse është shfaqur në mënyrë ordinere nga mediokër me karrierë partiake dhe mbi të gjitha duke shkelur ligjet dhe statutin. Nga partitë, opozita dhe pozita, nga kryesitë e tyre, herë pas here dalin sulme të rënda politike, ku përzjehen mashtrimi dhe amoraliteti, me interes vetiak, fabrikohen shpifje publike, etj, të cilat mbulojnë korrupsionin dhe krimin siperan. I kujt është interesi? Dhe këto nuk ndodhin vetëm në pragje fushatash zgjedhore, kundër kundështarit politik, kur dhe dhe si të tilla do të ishin të dëmshme, sepse presim te përballen programet dhe aftësitë e zbatuesve në ngritje të vendit dhe jo sherret dhe ligësitë e drejtuesve, cenet dhe veset e politikanëve, etj. Sulmet bëhen nga sipër për ata që qëndrojnë më sipër si dije dhe punë e moral, shkurt që kanë dhënë më shumë e japin ende për demokracinë dhe vendin, por që i bëhen pengesë paaftësive të promovuara dhe korrupsionit galopant.

Dua të jem konkret, lufta bëhet para nesh, nga ata që i njohim, na njohin, na vlerësojnë, na godasin prapa shpine, na japin, na vjedhin, na harrojnë, i harrojmë, etj, etj. Në emrin e Romeo Gurakuqit unë gjej qytetarin europian dhe në mbiemër patriotizmin kombëtar.

Shpifjet kundër tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, kur bujar nishani ishte oficer i ushtrisë së shtetit të atij Sigurimi, u rrëzuan zyrtarisht duke i nxjerrë të pavlefshme dokumentet që ai hodhi, teksa Autoriteti i Dosjeve vërtetoi se qytetari Romeo Gurakuqi apo familjarë të tij nuk rezultojnë ashtu siç akuzonte nishani. 

Si ish president i vendit prej atij pritej, si për çdo president që lë detyrën, të mbetet moralisht në atë lartësi, të një kryeqytetari, figurë përbashkuese, garant i Kushtetutës, frymëzues, i drejtësisë dhe i mbrojtjeve të lirive. Por nishani s’ka qenë i tillë as kur ishte president. Përkundrazi, ishte i përdorshëm, manekin. Vetëm në Shqipëri ndodh çudia që presidentët dalin kundër qeverive që dekretojnë vetë, kryeministrit apo ministave, të cilët e fillojnë detyrën pasi marrin firmën e presidentit. 

Unë kam përvojën time bezdisëse me president. E kujtoj, jo për vete, por si dukuri për të kuptuar se ç’fshihej pas, që ka interes të dihet, për të dalë te e përgjithshmja, me shkelje të parimeve, kthim të krahëvë institucioneve, kapjen e kreut të shtetit nga oligarkia, nëpërkëmbjen që donin t’i bënin dhe i bëjnë të përndjekurve të diktaturës, vuajtjes dhe dhëmbjes njerëzore, etj, duke zhgënjyer kështu dhe të vetët..

Dhe në fund shpifja. Politike. Mediatike. Ordinere. Si klimë dhe kulturë. Më keq se shpifja vetë. Kur nishani ishte president i Republikës, nisi dhe një katandisje më humnerore e presidencës, duke u bërë pjesë e interesave, jo vetëm partiake, por oligarkike, e klanit të tij, ku ai ishte i kapur. Kam marrë veten si shembull, sepse kam siguri në atë që them. Po sjell një pjesë nga libri im i porsadalë “Kartela të Realizmit të Dënuar”. 

C:\Users\User\Desktop\20201225_233214.png

PRESIDENTI I GABUAR

Edhe pse puna duket se ka zbritje dhe më të neveritshme. Ka një lakmi si të përgjithshme për të bërë një barazi në të keqen morale, të gjithë duan të përbaltin të gjithë, ishim njëlloj mëkatarë, duan të thonë, ashtu si mëkatarët, u bëmë pis njëlloj ashtu si pisat, u dënuam njëlloj ashtu si të burgosurit, kur s’ishin njëlloj as dënimet dhe as privilegjet.

Në postdiktaturë.veglave të mbetura të diktaturës u duhet dhe u pëlqen si më parë të pengojnë, të mos punohet, koha të merret me ata, të qëndrojë me ata, për ata, duke i patur në krye si dikur etërit e tyre. Dhe kultura të jetë po ajo, me ata shkrimtarë e artistë që bëri partia e tyre, të tjerët nuk na duhen.  

Suksesin tani e gjejnë te shpifja, propaganda dhe zbulimet e rreme, shtoji dhe kompleksin e Stockholm-it, gjithmonë me adhurimin e dëmshëm për atë sistem dhe rend, që iku. Hidh akuza false për të barazuar gjithçka me veten e tyre të dikurshme. Dhe këto veprime jo se i bën vetëm ndonjë studiues a gazetar i paguar, deputet me vota të blera, ndonjë ziliqar, sa dështak, po aq dhe i zellshëm a televizon privat oligarkik, por arrin në majë, deri te President i Republikës.

Turpi dhe rënia janë kombëtare.

*  *  *

Jo se presidenti i Republikës gaboi, por ishte gabim i përsëritur ai lloj presidenti, që shkëlqente bezdisshëm nga mediokriteti i keq dhe paaftësia, ku nga njëra anë flisnin për të persekutuarit, edhe i dekoronin, sidomos po të ishe i vdekur, bashkë me ta dekoronin dhe persekutorë të shquar, ndërsa të gjallët harroheshin, nëpërkëmbeshin dhe pengoheshin, sidomos po të ishte shkrimtar, arrinin dhe në sulme të dënueshme, por kush mund t’i dënonte?.  . 

Bujar Nishani, i edukuar si të gjithë, nëse mund të quhet edukatë, me mësimet e partisë dhe të shokut Enver, siç thuhej atëhere, bëhet oficer i ushtrisë së diktaturës, madje dhe pedagog-oficer i oficerëve të ardhshëm në shkollën e bashkuar që mbante emrin “Enver Hoxha”, ku ishte dhe shtatorja e diktatorit në oborr dhe do të ishte dhe ai mes atyre me kallashnikov në dorë që pikerisht atë shtatore donte ta vendosnin atje, në sheshin “Skënderbej”, më i madhi dhe kryesori i kryeqytetit, mbi piedestalin e mbetur bosh, ku populli i revoltuar sapo kishte rrëzuar shtatoren e përbindshme të diktatorit, ku kishin mbetur ca hekura si paterica të thyera. . 

Kjo sindromë e zëvëndësimit të një statuje të madhe të enverit me një statujë më të vogël po të enverit ndoshta shpështolli komplesin katovician që enveri të zëvendësohej herë pas here me dishepuj, natyrisht më të vegjël se ai, madje dhe se ramiz alia dhe u katandis puna që në krye të vendin të vendoseshin karikatura të enverit. Dhe i erdhi radha bujar nishanit, që u mahnit dhe vetë se si u gdhi një ditë i pari i vendit, president i Republikës.

Që të mos zgjatem, ajo mendësia e tij forcashterrur u përndez vagëllimthi që të bënte si dikur, të paktën në disa aspekte të luftës se klasave në kushtet e demokracisë. I doli përpara një ish i burgosur, i dënuar për poezi dikur, gazetar dhe shkrimtar tani, i përkthyer dhe në gjuhë të tjera, me çmime, madje dhe me një dekoratë që ia kishte dhënë po ai, me vlerën sa dhënësi, etj, etj, dhe, meqënëse iu bë pengesë për planet e tij oligarkike, hodhi mbi të urrejtjen presidenciale, duke marrë hakën e enverit, duke shpifur llapaqenshe si ai.      

Meqënese s’gjeti dot ndonjë “kleçkë’ në biografinë e tij, nuk ia luante dot integritetin prej ish të burgosuri politik dhe poeti edhe në burg, pasi i thanë zyrtarisht ata të Autoritetit të Dosjeve se në dosjen e tij jo vetëm që s’ka asgjë të dyshmitë, por, përkundrazi ka një kartelë që dëshmon se ka refuzuar të jetë bashkëpunëtor i Sigurimit famëkeq të Shtetit, atëhere si një revansh për kolegët e tij oficerë të Ministrisë së Puneve të Brendshme, presidenti nishanlli shpifi diçka që s’ekzistonte, tha që ai, ish i burgosuri politik dhe poeti, kishte bashkëpunuar me zyrën teknike të burgut, personeli i së cilës ishte po me të burgosur, por në shërbim të komandës, dhe këtë e vërtetonte me një mesazh anonim disa fjalësh që i kishte ardhur në celular, që, ja, sapo i mbërriti. Dhe e botoi në gazetë foton e ekranin të celularit të tij të zi. Presidentit kështu. Sikur nuk kishte shtetin në dorë ai. Dhe zgjodhi më të kotën, vogëlanen, grotesken siç është dhe vetë dhe klani që rrinte mbas tij..

Bashkëvuajtës të mi, shokë të Spaçit dhe të Qafë-Barit dhe jo vetëm ata, iu vësulën presidentit me të shara si në burg, siç iu vërsulën oficerëve në revoltë. Gënjeshtar ordiner, i thanë, e plot të tjera me zhargonin e burgut, që s’i përsëris dot këtu, na ke fyer të gjithëve, i thoshin, p-l-e-h-r-a, bërtisnin me plot gojën si rebeli plot dije Petro Zheji.

Kartelën me emrin tim, ku shenjohej refuzimi im për të qenë bashkëpunëtor me të keqen, e nxori së pari botuesi im Luan Pengili, ndërsa shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të komunizmit, e botoi po në atë gazetë ku presidenti kishte botuar mesazhin e tij të zi si vazhdim i atyre krimeve.

Ishte fyerje dhe mjerim për të gjithë, kur një dështak i zakonshëm bie dhe ku? Në poltronen e presidentit..          

kartela antispiun

Kartel model 3

“Kategoria:Nuk pranoi bashkëpunimin.

Pseudonimi: Nuk pranoi”

*   *   *

Kam qenë për hapjen e dosjeve, e kam trajtuar këtë çështje që në fillimet, që kur isha gazetar në të parën gazetë opozitare “RD”, duhej bërë me kohë hapja e dosjeve të diktaturës dhe të diktatorit, të bashkëpunëtorëve të tyre, politikanëve të vjetër dhe të rinj. Të fillonin me presidentët, kryeministrat, ministrat, zëvendësit, deputetët, oligarkët Që më së shumti së bashku vijnë nga nomenklatura e vjetër. Nga ajo e dyshimta, vrastarja. Pse? T’u hapeshin dosjet intelektualëve që po bëheshin publikë. Shkrimtarëve, se shkrimtarët janë dënuar dhe me shkrimtarë, të njerëzve të artit dhe jam i pari që kam shtruar çështjen kështu:   

Në anë të emrit të çdo bashkëpunëtori të policisë sekrete, spiuni, në listë të vihet në krah dhe emri i atij që e bëri ata të tillë, si, me ç’torturë. Të shihej se sa dëme kanë sjellë, secili, të gjithë. 

NGA LIBRI NË REALITET

Nuk është çështja të dalësh i pa fajshëm apo i pastër nga akuzat e bujar nishanit, kjo nuk është e vështirë, por të gjejmë dhe të pengojmë që pse në kohë krizash ekonomike, politike e morale, pikërisht atë ose si ai i bëjnë president. Duke mos dashur të bëjnë ndonjë gjë për ndryshimin, vendoset në krye një asgjë, që befas e kap një marramenth, që e mban gjatë, gjatë gjithë mandatit, se, pa e parë as në ëndërr, në një mëngjes i thonë: ti je president. Bëhet dhe sikur votohet. E si të mos kthehet ky lloj presidenti i emëruar ombrellë e atyre interesave që e vunë duke ndërkallur dhe të vetat? 

Në qartësim të kësaj që nisa, presidenti i Republikës më akuzonte mua, një qytetar të Republikës, me provë celularin e tij, siç thashë, që e nxori si revole, për qëndrimet e mia në burg, që më mirë se ai e dinë bashkëvuajtësit e mi, e ka dosja ime. 

I jap të drejtën çdo gazetari, kujdo, që do të donte ta hulumtonte. Ndërkaq, po ai vetë, presidenti, e përsëris, më kishte dekretuar për Ministër Kulture më parë, madje dhe më parë akoma më kishte dhënë atë dreq dekoaratën e tij, “Mjeshtër i Madh”, që unë e pranova, e kam treguar, nga shkaku i bashkëvuajtësit tim, këshilltar në presidencë, shkrimtarit Amik Kasoruho, që në fakt ai duhej të ishte Presidenti dhe mbase nishani kujdestar i rojeve përreth deri sa të hiqej mbas ndonjë shpifje të përsëritur, nejse unë desha ta ktheja atë dekoratë, (kur ndërroi jetë miku im Kasoruho), por nuk e gjeta, s’mbaja mend ku e kisha hedhur, por ia thashë që kur ishte president. Puna jote, – më tha, sikur të mos kishte qenë puna e tij. Dhe e vazhdonte fushatën kundër meje, kur unë isha shëmbur nga tjetër gjë, nga tragjedia e fatit tim. Një dehumanizëm të tillë kisha parë vetëm në burg dhe jo nga të gjithë oficerët, kolegë të nishanit. Por duke qenë ai president, ky dehumanizim administrativ i kalonte dhe vendit, për fat të keq.

Shqetësimi im tani nuk është për mua, por më përtej, për të tjerët, për të vërtetën, çështjen. Nuk ka më rëndësi që ai nuk dekretoi për ambasador në Vatikan as mua dhe as para meje intelektualin e njohur, studiuesin, autorin e shumë librave filozofikë, Ardian Ndreca, profesor në një nga universitetet papnore në Romë. Por pse? Ç’prapaskena luheshin dhe luhen? Që si epilog u vinin një shpifje. 

Kur ma propozoi Kryeministri i vendit, Edi Rama, detyrën e ambasadorit në Vatikan, unë e bisedova dhe me Kryetarin e PD në opozitë, Lulzim Basha, dhe me Dr. Berishën, kryeministrin e qeverisë, ku kisha qenë pjestar së fundmi. Për të qenë korrekt me të gjithë. Me moralin e detyrave që lija dhe të atyre që do të merrja. E kam treguar dhe në një libër tjetër timin, që ata jo vetëm më siguruan mbështetjen, që besoj se ka qenë utilitare dhe për ta dhe e sinqertë, në kundërshtim me ç‘thonë të tjerë, se dhe grupi parlamentar i marrëdhënieve me jashtë e miratoi propozimin për mua në unitet, si pozita dhe opozita, siç rrallë herë ndodhte. Po pse s’deshi nishani përsëri e përsëri? 

Ç’ishte më e fortë se partia nga kishte dalë ai për president? Po nga Ministria e Punëve të Jashtme? Po nga Kryeministri që e kishte dekretuar po vetë? Po nga Parlamenti që e kishte votuar? Po nga media? Dhe, më e rëndësishmja për mua, po nga ajo shtresë që vinte nga persekutimet, që solli moralin e munguar, atë të qëndresës ndaj së keqes dhe kulturën e saj, kur shoqatat e ish të burgosurve politikë i kishin dërguar letër që ai, presidenti të miratonte një përfaqësues i tyre. Ndërkaq dhe Vatikani vetë, në të kundërt me parashikimin e presidentit, më mirëpriti hapur dhe pata fatin të bashkëpunoja deri dhe në shenjtërimin e Nënë Terezës tonë.  

Ç’djallin ishte më e fortë se të gjitha këto? Dukja e ngrehinës shteterore, presidenca në krye të saj, binte dhe pashë oligarkinë, që kishte kapur për fyti vendin. Një shtet vrastar brenda shtetit. Po ku ishte kapur në prapapskenë presidenti? Peng i kujt klani ishte? A vazhdon të jetë? Vetëm është? Si munden që nuk i shërbejnë detyrës së lartë, por e vënë atë në shërbimin e tyre të ulët?  

Me mua ato zbulohen, por kundërveprimi duhet të jetë i shoqërisë, politik, moral, ligjor, gjyqe, protestë, pa u harruar “Nurembergu shqiptar” së pari, sado vonë qoftë. Me presidentë si nishani janë gjallëruar dhe kryepolicët e burgjeve, kryeprokurorët e diktaturës duke i sulmuar dhe tani ishte të burgosurit e tyre politikë, duke rikthyer kulturën e barbarisë. 

Unë ndjej shkrimtarin brenda vetes, këtë s’ma heqin dot presidentët dhe asgjë më. Dhe s’kam ndonje inat që të më mbajë gjatë me nishanin dhe nishanët. Përkundrazi, ata janë personazhe interesant që shpjegon kohën e lirisë që po përjetojmë, për të mos thënë që po vuajmë idealisht. Ai, ata i duhen letërsisë, ka filluar që t’i fusë në burgun e saj.  

Po partisë i duhen? Demokracisë së saj dhe të vendit?   Nëse kjo do të ishte letër e hapur për kryetarin e Partisë Demokratike, do t’i thosha që ka një aluvion rëndues nga e kaluara, mendësi dhe praktika, se shpifjet dhe nishanët nuk janë rastësi, të shikohet. Është krijuar, si një antikulturë, kultura e mashtrimit, e shfaqur banalshëm nëpërmjet politikës së përbaltjeve kundër vlerave dhe të vërtetave, kundër moralit, duke cënuar qytetarinë e gjithsecilit, që dobëson qëllimin e përbashkët, mirëqenien mendore që kalon në atë ekonomike, në ngritjen e vendit për të cilën sakrifikohehen të gjithë, programet i zhbën në propagandë të dyshimtë, kur mendon se me kë do të zbatohen.

S’është fjala thjesht për bujarnishanin që ndoshta ashtu vepron se aq di e do, thënë hapur nga papërgjeshmëria, që e shquan. Por të lejuarit e tij mos është mision destabilizues, pa e kuptuar as ata që përdoren për atentate kundër demokracisë me kallashin e shpifjeve, si atëherë ata që e mbanin gati për të rivendosur shtatoren e diktatorit dhe djallit të tyre, që populli dhe historia e shkuli dhe e zvarriti dhe e hodhi ku e meritonte. Po dishepujt e enverit, që po gëlojnë gjithkund, në pozitë dhe opozitë?

Bujar nishani na qenka dhe në grupin që përzgjedh kanditatët për deputetë të Partisë Demokratike. Ç’është ky grup skulpturor me fantazmën në mes, si të ardhur nga e kaluara kundërshtare e demokracisë? Me të përzgjedhurit e nishanëve do të të fitojë shpresa opozitare? Duke larguar autoritete të shkencës si Doktor Halim Kosova? Dhe i kërkojnë pushim absurd liderit historik, kur ai është shumë e më shumë se ata. Nuk mund të përzësh. Ata që s’duhen, duhet të bien vetë. Dhe e vendos vota e sovranit popull. Sa pa u bërë vonë më shumë, duhet parë në sy, rreptë, gjendja që na  rrethon. Kryetari i opozitës më të madhe të guxojë për interesat e partisë që drejton, të opozitës demokratike, se klani i nishanit i ka nisur më herët përgatitjet për nishanët dhe kjo s’është hamendje, por rrezik, që vetëm madhohet kangrenshëm. Nëse pozita socialiste merr nga “Blloku”, opozita demokratike nuk duhet të marrë nga oficerët e atij “Blloku”. Prandaj dhe u mbyllet perspektiva shumë nga punëtorëve të mëdhenj të PD-së dhe krijojnë parti tjetër demokratike a ikin fare.

Po përgjegjësia dhe dëmi moral që pësohet, por dhe dëmi real, duke zhgënjyer falanga votuesish? Demoralizohet puna, ideali dhe frymëzimi për arritje, krijohet përçarja dhe do të mbizotërojë sërish urrejtja si vazhdim i luftës së klasave. A do ta shqyrtojë PD-ja preçedentin përsëritës nishani, kryetari i saj, kryesia, këshilli drejtues, etj, deri dhe anëtarët më të thjeshtë, ata të ndershmit, të varfërit, sakrifikuesit, që mbas çdo fitoreje braktisen të parët? Pse bujar nishani shpif dhe për përbrenda partisë si rasti më i fundit për Profesor Romeo Gurakuqin, që me të tjerë si ai, të përkushtuar të heshtur, janë shtylla morale në PD. Mos duan t’i lëkundin këto shtylla? Që nëse janë anuar si për të rënë, Romeo me shokë mund t’i drejtojnë. A do ta ndëshkojë partia shpifjen të paktën? Dhe  pastaj dhe shpifësit politik, që duke flakur kapotat e përbaltura staliniste, që ua dhuroi enveri apo klani i tij, kanë uzurpuar tashmë ç’duhej, duke iu bashkuar gjithmonë pushtetit që fiton, për të keqen e të gjithëve. A do ta marrin nishanët partinë? Apo e kanë marrë? Mos po pritet marrshimi triumfal i tyre kudo. 

Nuk do të mjaftonte vetëm falja, që kërkon Profesor Romeo Gurakuqi. Por si të shërohet shoqëria demokratike nga dukuria “nishani”? Kur presidenti, para mandatit, gjatë mandatit dhe pas mandatit është thjeshtë palë, pjesë e oligarkive, noterizues i interesave të tyre, shkelës i Kushtetutës deri dhe i dinjitetit qytetar, etj, etj. Ku janë të rinjtë opozitarë të se keqes, të shkolluar mes vështirësive në universitetet e varfëra të vendit, por dhe në Europë e Amerikë, me dije dhe shpirt? Qytetarët që u mbijetojnë halleve me dinjitet? Shoqëria civile? Apo kudo ka rënë hija e kapotës së nishantë? Edhe shqiptarët e diasporës, në Europë e SHBA janë të shqetësuar dhe i ndjekin me vëmendje zhvillimet në vend. Vatranët e Amerikës kërkojnë transparencë për çështjen e kufirit detar me Greqinë. Por nuk duhet harruar kufiri i njerëzores dhe çnjerëzor në vend. Ndryshe do të humbi shumëçka. Kjo është një letër e hapur për të gjithë. Në qëndrimet dhe zgjidhjet e çështjeve të tilla varet e tashmja dhe e ardhmja e mbetur, jo vetëm e partive, të opozitës dhe jo të opozitës, por më e rëndësishmja, e gjithë vendit, që s’po ndahet dot nga e kaluara që e shtypte lavdishëm dhe nga tranzicioni me shtypësit e konvertuar, para dyerve të ëndrrës Euro-Atlantike.  Të shohim… A mund të fillohet me Romeo Gurakuqin president?          

Filed Under: Politike Tagged With: Dukuria Nishani, Politika e shpifjeve, Visar Zhiti

Jean Musy, the president of APES send an open letter to UN Secretary-General António Guterres

January 5, 2021 by dgreca

Open Letter from the Foreign Press Association in Switzerland and Liechtenstein (APES)

cc : . United Nations High Commissioner for Human Rights, Mrs Michelle Bachelet Jeria

       .  ILO Director-General, Mr Guy Ryder

       . Director-General UNOG

       . UN chief communication

       . UNIS Head of communication

       . Swiss and international press and associations of journalists

       . UNOG Diplomatic Missions

Mr Secretary-General,

Dear Mr António Guterres,

We would like to wish you season’s greatings and our best wishes for 2021.

Here is, attached, copy by email of our Open Letter we sent you by e-mail and WeTransfer.

Yours Sincerly.

Jean Musy

APES President

Association de la Presse Etrangère

en Suisse et au Liechtenstein (APES)

Filed Under: Politike Tagged With: Jean Musy, the president of APES, UN Secretary-General António Guterres

PSIKOLOGJIA E DEBATIT DHE “SHQIPTARËT E SHQIPËRISË” SI FENOMEN

January 4, 2021 by dgreca

NGA VALENTIN LUMAJ/

Pa debatin dhe kritikën, emancipimi i shoqërisë njerëzore do të ishte i cunguar dhe i njëanshëm. Sistemet shoqërore autoritare, komuniste apo diktatoriale, këtë kanë si parim, barazinë, kjo jo vetëm në kuptimin ekonomik dhe social, por edhe uniformitetin e të menduarit, të fjalës, shijeve etj. Këtë, më shumë se një e dhënë nga çfarë kemi mësuar në literaturë, është një realitet i përjetuar nga unë dhe të gjithë ata të cilët u rritën, e luftuan komunizmin dhe i mbijetuan, jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht, në kuptimin e rezistencës ndaj trushpërlarjes kolektive. Sepse domosdo, ka nga ata që akoma mendojnë se diktatura është një e mirë racionale për njerëzimin. Fjala e lirë dhe e vërteta, ishin si bima nën gur, e cila ndjek dritën në të gjitha skutat, sado e venitur të jetë, derisa gjen diellin dhe vazhdon të zhvillohet e lirë dhe e pavarur.  Ardhja e demokracisë dhe sidomos ardhja jonë në Amerikë, na i shumëzoi mundësitë për fjalën dhe mendimin tonë të lirë. Ah, Zoti e bekoftë Amerikën, këtë bashkësi njerëzish vendas dhe të ardhur me shumicë, me një diversitet pafund kulturash dhe botëkuptimesh, e cila na priti dhe na dha luksin e munguar të shpallim fjalën dhe mendimin tonë lirshëm dhe pa frigë. Por një frigë egziston akoma ndër ne, friga e nënçmimit nga vetë shqiptarët, disa prej tyre vetëm shqipfolës, të cilët nëpërmjet abuzimit të lirisë i fryjnë pa-ja-nda zjarrit të përçarjes.

Politika, jo si rrugë karriere por si një prej pasioneve të jetës time për të mbushur kohën e lirë dhe plotësuar vetveten, më dha mundësinë që të jem pjesë e disa debateve në TV lokale por edhe në rrjetet sociale.  E bëra hyrjen më sipër për t’i paraprirë analizës së një debati të kohëve të fundit. ku në qendër të vëmendjes nuk dua të vendos personin L.J. por një fenomen i cili është shumë më i gjerë se vetë personi.  L.J. mund të jetë çdokush që ka shfaqur abuzim verbal të njëjtë me të dhe si unë mund të jetë secili prej jush që ka qenë viktimë e kësaj dhune verbale.

Diversireti dhe shkëmbimi i mendimeve pa ndonjë nevojë për kompromis, për të bindur njeri tjetrin apo për një fitues të munshëm, duhet të jetë objektivi i një debati civil. Megjithëse komunikimet janë në mes dy ose më shumë personash, mesazhi dhe komunikimi real duhet të jetë me ndjkësit e debatit apo publikun.

Mënyra më e mirë për të mbrojtur vlerat konservatore është gjetja dhe shpallja e argumenteve që identifikojnë këto vlera. Mbi këto baza gjatë këtij debati,  ndër të tjera shpreha perceptimin dhe argumentet e mija se ideologjia e majtë ose marksizmi kudo në botë e sheh Kishen katolike dhe besimin në pergjithësi si një armik që duhet të zhduket, ose të paktën t’i mbyllet goja, se presidenti Trump ka respektuar dhe thurur lavde shenjtes  tonë Nëna Tereze, se femijët në Amerikë kurrë nuk kanë pasur një mbrojtës më të mirë në Shtëpinë e Bardhë, se Trump është kundër Abortit dhe i vetmi President që merr pjesë në një March for Life, se shkollat publike kanë degraduar totalisht, se në këto shkolla po kryhet indoktrinimi i ngadaltë i fëmijëvë tanë dhe Trump po akordin fonde për ‘School Choice” dhe aspektë të tjera të një debati civil dhe propagandues.

Nga skuqja fizionomike e oponentit politik L.J ne debat., e kuptova se diçka nuk po shkon mirë me të. Dhe sa më unë i mëshoja forcës së argumentit, ai aq më shumë skuqej. Vjen një moment dhe “puçrra” shpërthen:

“…me ardh ti nga Shqipëria, shteti i vetëm që kahequr fenë, me msua Amerikën si me e mbrojt fenë asht absurde, asht shumë e çuditshme për mua, asht shumë e pakuptueshme.

Me ardh ti nga Shqipëria ose nga Ballkani me msua Amerikën se si duhet me kenë shkollat asht po aq absurde… Ata njerëzit ma të aftë që ka Amerika sot, nuk kanë ardh nga shkollat e Shqipërisë, as të Kinës as të Japonisë…”

Deklaratat e tij të indinjuese paralajmërojnë gjendjen e kalbur dhe të mjeruar të tij per një ligjërim bashkëkohor debatues politik. Duket qartë se gjendja psikologjike e rënduar e L.J., i cili është nën presion dhe i përfshirë nga ndjenja e panevojshme e humbjes. Ai, i mbërthyer nga një amalgamë e krenarisë me ankth, lë tematikën e debatit, zgjedhjet presidenciale dhe fillon një variant tjetër, politikën e identitetit të kundërshtarit ose personalizimit, racën, etninë, aftesitë intelektuale, prejardhjen, apo identifikimin e kundershtarit me më te keqen e mundshme te grupit shoqëror që përfaqëson. 

Këtu debati merr teposhtën, shkëmbimi i lirë i informacionit dhe ideve merr fund, biseda normale bëhet pamundur dhe përkeqësimi e saj i paevitueshëm.

Instinkti njerëzor kur dikush të drejtohet me fjalë raciste të detyron të vendosesh distancë psikike me personin. Ndjeva se brenda meje diçka ndryshon, arsyeja ia zë vendin logjikës, revolta paqes, dhe thashë me vehte, “në djall politika, dinjiteti më përpara”. Në mendje m’u sollën etiketimet përçmuese dhe ulëse: “ju shqiptarët e Shqipnisë” duke nënkuptuar tre milionë shqiptarë të Shqipërisë amë, jo vetëm të L.J. por të një kase të vogël (e theksoj kasë e vogël) shqiptarësh të rrethinave të Tuzit, tashmë i kthyer në një fenomen të pranuar në heshtje.

Ndërsa me durim pres dhe respektoj kulturën e debatit, prapë përbrenda fillova te nxehem. Ndër mend më vjen një thënie e vjetër: “Hakmarrja, (në këtë rast, përgjigja) është një pjatë që shërbehet më mirë e ftohtë”. Shfrytëzova stërgjatjen e L.J. në përforcim të budallallëkut të tij, për t’u “cool off” dhe organizuar mendimet e shpërndara brenda mendjes, megjithëse nuk kërkonte shumë mend për një përgjigje për këtë rast. Në momentin që më lejohet fjala, ndër të tjera thashë: “…nuk vij këtu për të mësuar kombin amerikan, por po jap mendimet e mia perpara vëllezërve të gjakut tim shqiptar…mos na ndani me këto se unë vij nga Shqipëria dhe ti vjen nga Mali I Zi….se të gjithë ne shqiptarët në qoftë se jemi të një gjaku e nje gjuhe, të gjithë nga Shqipëria vijmë dhe jam krenar që vij nga Shqipëria”. 

Kjo çështje u debatua gjatë aty, por që një pjesë kurrë nuk u publikua, sikurse u shpreh moderatori: “kjo po të publikohet e dëmton L.J.”.  Por implikimi i njëanshëm i moderatorit G.V. nuk mbaron aty prandaj do të trajtohet veçmas më vonë. 

Qëllimi im nuk është në asnjë mënyrë të dëmtoj figurën e L.J., por po marr si referencë të këtij fenomeni që duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Meqë debati është paraqitur jo i plotë, unë do t’i zbërthej këtu shkurtimisht deklaratat e L.J. që të jetë sa më e qarta.

  1. “… me ardh ti nga Shqipëria, shteti i vetëm që ka hequr fenë, me msua Amerikën si me e

mbrojt fenë asht absurde, asht shume e çuditshme për mua, asht shume e pakuptueshme”.

Identifikimi im me Shqipërinë dhe i Shqipërisë me mua, nga njëra anë më nderon, por nga ana tjetër ky identifikim buron nga një shpirt urrejtjeje për të gjithë shqiptarët të cilët sipas tij “kanë hequr fenë”. Kjo rëndon. Është fakt që në Shqipëri u hoq feja në vitet ‘70. Kjo nuk erdhi si vullnet i lirë i një populli por ishte pasojë e aplikimit me dhunë të një ideologjie të majtë marksiste (e njëjtë me atë qe unë denoncova në debat).  Diktatori komunist Hoxha nën shembullin e si-vellait të tij Mugosha, me vonë Titos si dhe me miqësitë e tjera Ruso-Kineze arriti që nëpërmjet dhunës dhe luftës së klasave, anullimin e shumicës së të drejtave njerëzore duke përfshirë edhe lirinë e besimit fetar. Por shqiptarët në shumicë besuan në Zot dhe i rezistuan valës së ateizmit komunist. Mijëra fretën dhe murgesha të vrarë, internuar dhe syrgjynosur janë dëshmia e kësaj rezistence. Mjafton të sjell në kujtesë Viçens Prendushin me 37 Martirët e Lumë shqiptarë të vrarë nga diktatura komuniste nga 1945-1974. Meshëve shqiptare sot, ju janë shtuar lutjet për të lumen Nëna Terezë dhe Martirët e Shqipërisë. Diktatori Hoxha vrau dhe burgosi shqiptarët, katolikë e muslimanë, por kurrë nuk arriti që të vrasë dhe burgosë besimin e shqiptarëve në Zot. Besimi jetoi dhe u praktikua fshehtas në familjet shqiptare, duke e mbajt Krishtin dhe Muhamedin të gjallë në mendje e zemra, bashkime e festa rituale dhe shenjtërish. Tendencat për të identifikuar shqiptarët si të pafe, apo të tjerat për të paraqitur muslimanët shqiptarë si turq, ortodoksët si grekë apo sllavë dhe katolikët si latinë, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë teza të përdorura nga sllavët në Mal të Zi dhe Kosovë, dhe grekët në Shqipërinë e jugut. 

  1. “…Me ardh ti nga Shqipëria ose nga Ballkani me msua Amerikën se si duhet me kenë shkollat asht po aq absurde”.

Kjo nuk ka lidhje me superioritëtin e shkollës Amerikane ndaj asaj Shqiptare, pasi kur lakon përemrat “unë”, “ti”, e gjithë tema merr kuptim përsonal. Prandaj është komplet ostracisëm apo tendencë për të më përjashtuar nga shoqëria amerikane ku ndërtoj apo ndërtojmë jetën për dekada me radhë dhe për të më turpëruar publikisht nëpërmjet etiketimit “i ardhur nga Shqipëria” apo “ballkanas”. Per më tepër, L.J. si qytetar i Malit të Zi dhe qytetar amerikan kjo deklaratë lirshëm mund të quhet akt i dënueshëm racist dhe ksenofobi ndaj një kombi tjetër.

  1. “… Ata njerëzit ma të aftë që ka Amerika sot, nuk kanë ardh nga shkollat e Shqipërise, as të Kinës as te Japonisë…”

Komplet e pabazuar në realitet, denializëm, përpjekje për të mohuar realitetin si një të vërtetë të papërshtatshme për psiqikën së tij. Në fakt, pa përmendur emigracionin masiv të kontrolluar e të pakontrolluar që ka ndjekur Amerikën për qindra vjet, në Amerikë gjithmonë ka egzistuar nje politikë konstante e “vjeljes së trurit” nga e gjithë bota. Në administratë, spitale, polici, universitete e kudo janë një armatë e tërë intelektualësh të ardhur, përfshi këtu edhe nga viset shqiptare dhe të edukuar respektivisht në vendet e tyre, nëpërmjet emigrimit, kontratave të përkohshme apo të përhershme të punës, (jo shumë serbo-malazezë pasi nuk shquhen për ndonjë zgjuarsi picante). Këtu në Michigan janë me dhjetra, intelektualë dhe inxhinierë të lartë të akomoduar me meritë të plotë në spitale, fabrika dhe universitete të famshme. Te jemi realiste, kur dëgjon këto deklarata të çuditshme, të pazakonta në Amerikë, të lënë përshtypjen se shqiptohen nga një njeri i çfarëdo kombi por jo shqiptar.

Kam dëgjuar një thënie shqiptare “Marrja rrin, por i zoti se len”.

Sikur mos të mos mjaftohej me kaq, L.J. e trash sulmin e tij ndaj shqiptarëve me një postim edhe më vulgar. Ndër te tjera ai shkruan: “…Donald Trump e suportuan shumë të çmendur shqiptarë deri edhe hoxha, frati e disa kryetarë shoqatash”. Ky rast tregon se injoranca shqiptare ska kufi”. Besoj se çdo kush, i cilitdo spektër politik me një mendje të shëndoshë dhe zemër dashamirëse për tjetrin, e dallon gjuhën e urejtjes për kundërshtarin politik. Ky është një akt i lavdërueshem për një mendje të semurë e cila mohon komplet meritat e mundshme të palës tjetër dhe njkohësisht e sulmon dhe përbuz në mënyrë patologjike, me shpresë se kështu del në pah si fitimtar. Në fakt janë gjysma e amerikanëve që mendojnë politikisht ndryshe. L.J. nuk sulmon amerikanët as grupet e tjera etnike, por shqiptarët siç e thekson “shqiptarë të çmendur”, “injoranca shqiptare ska kufi” etj. Çfarë është më e keqja, në mënyrë të paramenduar, me qëllim dashakeqës, etiketon liderët e komunitetit shqiptar, të cilët siç dihet botërisht në diasporë janë udheheqësit e Kishave, Xhamive, Teqeve dhe të shoqatave atdhetare ose e thënë më shkoqur, një sulm ndaj elitës shqiptare këtu. 

Mohimi i problemit në emër te krenarisë, jo vetem që nuk e zgjidh problemin por krijon një problem më të madh se vetë problem fillestar, dhe sa me vonë të identifikohet aq ma teper bën dëm. Sigurisht që natyra njerëzore lejon të tilla gabime, këto edhe të disahershme qofshin, por refuzimi i konstant për t’a njohur gabimin, për të shaqur pendesë, kërkuar falje me premtim të mos përsëritet prapë, na jep të drejtën të mendojmë se kemi të bëjmë me vepër të fajit, dhe faji është gjithmonnë një vepër e ndërgjegjes dhe si e tillë nuk falet por vetëm dënohet.

Sigurisht që reagimi i komunitetit shqiptar, të cilët i ndoqën këto deklarata, ishte i pritshëm. Mbi të gjitha vlen të përmendet përgjigjja e famullitarit F.K. e cila ishte “qershia mbi tortë” e këtij reagimi: “…Taman, jo numer i vogel Arqipezhve, Ipezhgve, prifta, hoxhe, e besimtare laike…, patriot e atdhetare te “çmenun”… kane propogandu e votu kundra komunizmit dhe enver hoxhes ne 1944-shin, e tjera vjet mrapa…. Mjerisht hupen !.., sepse shume e shume te tjere, te “meçem, largpames e dashamire te “progresit social” ja arriten “fitores…!!!”

N’dashte Zoti “funi ka me dale hajer” ! Gezoni, festoni, nijani lezetin “fitore-hajnores” sepse na te “çmendurit” nuk dina me djege, as me vjedhe dyqane, as me thy monumente, as me shpife e rrejte…., na dina me duru, me punu, me majte ligjet…. dhe… me u LUTE per drejtsi, paqe e dashni”.

E megjithëse po kalon shumë kohë, kjo edhe si kohë ditësh të mëdha Krishtlindjesh dhe ndërrim vitësh, ku Kisha i thërret besimtaret në lutje, pendesë dhe falje, L.J. vazhdon avazin e vjetër duke bashkëngjitur copëza videosh të blera nën dorë si armë për të deformuar të vërtetën dhe për të korrur disa lavde, për të cilat ka shumë nevojë por gjithsesi janë vetëm hipokrizi dhe i ngjasin asaj shprehjes amerikane “Whip cream on dog shit”. Kurse mendja e ndritur shqiptare thotë: ”Nuk mbulohet Dielli me shoshë”. 

Megjithatë, këta shqiptarë pseudo-patriotë, të cilët në periulla të vështira të vuajtjes apo të egzistencës tonë si shqiptarë, i kanë thurur lavde, shërbyer, kënduar më çifteli apo edhe marrë dekorata nga Tito dhe sunduesit e tyre sllavë, janë një pakicë dhe nuk e zbehin shpirtin e pastër, atdhedashës, luftarak, besnik e paqedashës të Malësorit të vërtetë. Do të ishte mëkat të mos falenderoj dhe të jem mirënjohës ndaj pjesës tjetër, shumicës së malësorëve tanë të nderuar, për ndihmën, përkrahjen, që në këto kohë të vështira që përmenda më lart, hapën dyert dhe zemrat për vëllezërit te tyre shqiptarë. 

Si mbyllje, kjo jo vetëm e shkrimit por edhe të këtij fenomeni, në shekullin e 21-te, qëndrime të tilla të ndasisë vllaznore në mes shqiptarëve e aq më pak në mes malësorëve, janë të papërceptueshme. Thirrja ime e sinqertë shkon për të gjithë malësorët, katundarët, qytetarët, mysliman dhe të krishterë, shqiptarë të vërtetë, që të distancohemi nga këto akte të urrejtjes, të krenarisë dhe përçarjes. Këto qëndrime qofshin të qëllimshme, naive apo shkarje momentale duhet të evidentohen dhe të reflektohet menjëherë ndaj tyre, përpara se ato të bëhen çështje publike. Vetëm kështu ruhet etika e komunikimit dhe komuniteti merr tiparet e një shoqërie të emancipuar që prodhon energji positive, energji të cilat duhet të shkojnë në favor të çështjeve kombëtare dhe jo kundër njëri-tjetrit.

Valentin Lumaj, Michigan, 4 Janar 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Psikologjia e Debatit, Valentin Lumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • 307
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT