• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT GJERGJ FISHTA PËR DEDË GJON LULIN

April 6, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Sivjet, 6 prilli shënoi 110-vjetorin (6 Prill,1911) e ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Dedë Gjo’Luli — për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit turko-osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pati paraprirë Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që zgjato nga marsi deri në gusht të vitit 1911 dhe që mund të thuhet se një kryengritje e tillë nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qysh prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbe. Në këngën e 28-të të “Lahutës së Malësisë”, epopesë tonë kombëtare, i madhi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Dedë Gjo Lulit dhe malësorëve të tij:  Deda niset me një grusht malësorë për në Rapshë të Hotit, për t’u takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, por të merrte edhe pëlqimin e tij për kryengritjen – sepse me djemtë që kishte me vete, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Dedë Gjon Luli ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë për këtë nismë kombëtare, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — “me shtatë pushkë e një allti”.  Kryengritësit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe zënë robër 60 ushtarë anadollakë të cilëve kryengritsit u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bien e dorëzohen anë e mbanë Malësisë. Me të marrë vesh për luftën e malësorëve, Sulltani dërgon në Shkodër 70 taborë nën komandën e Turgut Pashës kundër malësorëve por malësorët nuk dorëzohen. Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut, sipas Gjergj Fishtës: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri”, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28-të të “Lahutës së Malësisë”. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllejnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha mësyn Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjenden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga trimëria e malësorëve dhe më në fund kontinenti i vjetër e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta: 

Në këtë 6 prill kujtojmë pra me fjalët e Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin  dhe trimërinë e tij dhe të bashkluftëtarëve të tij malësorë, të sfidonte perandorinë osmane — më të madhja e asaj kohe dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare — duke ndryshuar përgjithmonë historinë e Kombit shqiptar dhe duke i çuar shqiptarët drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike. 

Megjithëse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 30 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe, sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar, në përgjithësi, kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve shekullorë të kombit, atëherë dhe sot. 

Megjithkëtë, rëndësia e rolit historik të Dedë Gjon Lulit, e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911 nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është se ajo ka meritën se konsolidoi edhe hovin që kryengritja i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që brenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten bijë e bija, nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skënderbeu. Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin dhe që, fatkeqsisht, sot e asaj dite mbetet ende një ëndërr e pa realizueshme për shqiptarët. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët, lakmues të tokave shqiptare — nëpër kancelaritë e Evropës — bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar.

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u shpall një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot. 

Në përpjekjet e tyre për liri e pavarësi, Fed Gkon Luli due malësorët e tij gjetën mbështetjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorëve kundër armikut janë takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin. Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, duke pasqyruar dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi.  Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet – pa ndërhyrje due influenca nga jashtë — në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane.  

Në botën aktuale shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumëllojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë duke vepruar kundër interesave shqiptare — është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare. Ato përpjekje nuk ishin ndërmarrje për përfitime të përkohshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar – dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar, për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: nderi, besa dhe burrëria!

***

AT GJERGJ FISHTA: PËR MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT 

“Vllazën shqiptarë! Atje mbi karpa (shkëmbij) nji çetë Lekë fatosa të Hotit dilte trollit e shpijet vet, e mirë mbërthye në armë, thik ngjeshej  malit përpjeta, si njajo reja e murrme, kërcenuese ngjitej në rribë t’Eurit a t’Akvilonit  shungullues, para se të shkref  përmbi dhe të mjeruem thellimi.   Nji burr zeshkan, i përmbledhët e ngërthye vetllat si dy shlliga t’idhta, kur mnershëm njëna me tjetrën kukzohet, u ka pri i atill.  Fëtyra e tij, nji bri alpet   të  thepisun, syni i tij vullkan tanë zjarm e shkëndija, thue se prej si tash po shkrepë vetima e zharriste ajrit po lvite  rrufeja.  Ashtë Ded Gjo’Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja shqiptare – bjen në e mbi “kaki” të Deçiqit, ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi; zjarm e dekë – nji be ai rreh, nji be të madhe po rreh ai në sy të qielles e të dheut, se rob shqiptari per nën thember mizore të Turkut ma kurr, jo, kurr ma do të gjimonte, e as nën thembër të atij sllavi te mnieshëm. M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa; Cetina u trand e u dynd tan pezëm e mni Stambolla; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshëm nisi me vlue e rrebtë nji luftë e përgjkashme e përnjimend titanike.  Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie estalagtita të zgavrave t’errëshme, e kah qiella u çue, po, tym e shkendi, e vigëm nanash, e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm, e ankime e gjamë të varruemësh, e nji zhurmë e nji krizme rrotash, e kualsh topash, e nji bubullime e menerëshme, thue po të rroposet për nën kambë rruzullimi.  Edhe malsori muejt (ia doli).  E kje m’ateherë që verigat e randa të robnisë sonë pesëqindvjetore u këputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori jonë, Konstitucjonit të Turkisë e të ktej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut, Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim për nën thember të ndonji tirani të ri.

 Vllazën shqiptar! na sod jemi të lirë; por martirët fatosa të lirisë tonë kombëtare kalben të harruem nën dhe, kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut, mos t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhê orrlat e shkerbetë e egra.  E po a përnjimend se nipat e stërnipat tonë, mbas ndonji stinet të terrnueme (tjetër), ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të pavdekshëm që u fituen lirinë dhe u falën Atdheun?   Para se fli vehten të bante malsori, na Atdhe s’kem pas e rob kem kenë, e raje e skllav e kurrgja tjeter.  Jo, për Zotin! se marre e turp për ne do t’ishte e nji dam i madh për Atdhe, po u qitë në harresë emni, e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali, që kreshnikët e maleve tona i shtyni, flie me bamun vedin per mizori t’anmikut. Jo, po: do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”.  (Antologji Shqipe, shkruar anga Fishta me 1924, botuar nga Filip Fishta, shtëpia botuese “Kristo Luarasi”, Tiranë 1935) — marrë nga një shkrim i historianit dhe autorit malësor, Ndue Bacaj, me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiq.

May be an image of 1 person
See the source image

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, PËR DEDË GJON LULIN

Jashari: Masakra e Rezallës është shembull i sakrifices për liri

April 6, 2021 by dgreca

–Konjufca: Nuk do të ketë stabilitet në rajon pa i pranuar Serbia krimet e kryera në Kosovë/

Në 22 vjetorin e Masakrës së Rezallës, I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, asambleistë, doktorin e mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, familjarë të dëshmorëve e martirëve, bënë homazhe dhe vendosën lule tek 98 të rënët, në Kompleksi Memorial të varrezave në fshatin Rezallë.

Me këtë rast Kryetari Jashari deklaroi se Masakra e Rezallës është shembull i sakrificës dhe dëshmi se pa sakrificë e gjak nuk ka liri.

“Masakra e Rezallës po ashtu është dëshmi e krimeve dhe gjenocidit që kriminelet serb bënë në Kosovë, duke mos kursyer askënd që fliste shqip e që mbronte pragun e shtëpisë. Fatkeqësisht familjarët e disa prej martirëve të rënë në masakrën e Rezallës përpos dhimbjes për humbjen e më të dashurve të tyre, ata kanë jetuar tash e 22 vite duke pritur gjetjen e trupave të martirëve të kësaj masakre”, deklaroi Jashari.

Jashari tutje bëri të ditur se në vazhdimësi si kryetar komune, është duke u angazhuar në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

“Si Kryetar i Komunës së Skenderajt, në vazhdimësi jam angazhuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve duke ngritur zërin dhe duke kërkuar nga institucionet tona dhe ato ndërkombëtare që të detyrojnë shtetin serb në gjetjen e varreve masive”, tha Jashari.

Jashari po ashtu u shpreh falenderues ndaj doktorit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili sipas tij po bënë punë të jashtëzakonshme për çeshtjen etë  pagjeturve të luftës në Kosovë.

Kryetari Jashari, bëri thirrje për unitet në mënyrë që kështu të ngritët shteti në vendin për të cilin edhe u flijuan dhe e ëndërruan dëshmorët.

“Të bëhemi bashkë që ta bëjmë shtetin tonë që rinia jonë të këtë punësim e mirëqenie dhe kështu ta duan këtë shtet për të jetuar në të, në vendin që më të dashurit tonë brez pas brez dhanë më të shtrenjtën jetë që ne sot të jetojmë të lirë”, tha Jashari. 

Muhamet Rukolli, i cili njëherit është përfaqësues i fshatit Rezallë, në emër të familjeve të martireve dhe dëshmorëve, falënderoi komunën, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së si dhe gjithë pjesëmarrësit për vizitën duke uruar që sa me parë drejtësia të vihen në vend.

Gjatë homazheve në këtë kompleks, në nderim të të rënëve Kryetari Jashari shoqëroi edhe  Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

***.

Konjufca: Nuk do të ketë stabilitet në rajon pa i pranuar Serbia krimet e kryera në Kosovë

Në 22 vjetorin e masakrës së Rezallës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri homazhe para lapidarit të 98 martirëve, të rënë më 5 prill të vitit 1999.

Kryetari Konjufca tha se duhet të përkulemi para gjakut të të rënëve sepse, siç tha ai, vetëm falë tyre liria e Kosovës ka qenë e mundur.

Tutje, kryeparlamentari Konjufca tha se nuk ka stabilitet pa i pranuar Serbia krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Serbia është ajo që është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999, prej forcave shtetërore ushtarake e paramilitare të Serbisë. Duke filluar prej Batajnicës e Liqenit Peruqac, e deri në Kizhevak, po ashtu në Rudnicë e në Rashkë, Serbia është e mbushur me varreza masive të shqiptarëve, varreza këto të cilat ajo i fsheh qëllimisht, e ky është krim i shumëfishtë. Lavdi të gjithë të rënëve”, tha kryetari Konjufca.​

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Masakra e Rezalles

SI E SULMONIN KOMUNISTËT SHQIPTARË FESTËN E PASHKËVE NË SHTYPIN ATEIST

April 5, 2021 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI

Në propagandën ateiste të regjimit komunist shqiptar, feja cilësohej si një helm për ndërgjegjen e njerëzve. Pashkët sipas propagandës ateiste në shtypin komunist, përgjatë diktaturës, etiketoheshin si mbeturina të besimeve të kota të lindura mijëra vjet më parë, në kohën kur njerëzit nuk ishin në gjendje të shpjegonin fenomenet e natyrës. Ritet fetare dhe festat fetare propaganda komuniste në shtypin ateist i shihte si forma me qëllim errësimin e mendjeve të njerëzve, që synonte mbajtjen në kontroll dhe errësimin e botës psikologjike dhe shpirtërore të besimtarëve dhe mbajtjen e atyre që besojnë sa më larg botës reale, duke i gënjyer dhe ushqyer me iluzione të kota hyjnore. Shkrimi ateist “Pashkët dhe origjina e tyre”, botuar në gazetën Luftëtari të datës 9 prill, në numrin 29, në faqen 3, të vitit 1967, propagandon ndër të tjera se Pashka, ngjallja e Krishtit prej së vdekuri është një legjendë që nuk ka asnjë bazë reale dhe si Pashka dhe Krishtlindja sipas ateistëve të kohës janë fund e krye një trillim. Gazeta ateiste ngulmon festën e Pashkëve duke shkruar se nga faktet historike nuk vërtetohet asgjë rreth jetës së Krishtit. “Ai është vetëm një qënie fantastike që nuk ka jetuar asnjëherë. Ashtu si vetë kristianizmi, edhe Pashka nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e dogmave dhe besimeve të kohëve të vjetra”- thuhet në shkrimin ateist. Festa e Pashkëve sipas autorit të shkrimit ateist e ka fillin gjithashtu, tek festat që organizonin popujt e lashtë për ringjalljen e perëndive të tyre dhe se besimi tek Zoti, tek Krishti dhe festat fetare si Pashkët u kanë shërbyer gjithmonë interesave të klasave sunduese, argumentonin komunistët ateistë. Gazeta shkoi më tej në shkrimin propagandistik teksa citon se me qëllim për ta mbajtur të gjallë dhe për ta përforcuar, këto besime që probagandonin nënshtrimin e të varfërve dhe pajtimin midis klasave, kisha, kleri dhe e gjithë veprimtaria dhe ideologjia fetare kanë përdorur të gjitha mjetet për tu rrënjosur thellë në popull, akuzonin komunistët në shtypin ateist. Komunistët sulmonin fenë katolike se gjoja propagandon të jetojnë njerëzit në varfëri e përvujtëri si Krishti. Sipas shkrimit ateist të kohës “Klasa sunduese duan ti bindin me këta masat e shtypura se po të durojnë, po t’i nënshtrohen fatit, vuajtjeve, shtypjes dhe shfrytëzimit të klasave sunduese, do të fluturojnë në qiell si Krishti”. Komunistët akuzonin krishtërimin se mashtronte më anë të legjendave. Feja sipas shkrimit të gazetës Luftëtari të datës 9 prill, në numrin 29, në faqen 3, të vitit 1967, duhet luftuar dhe zbuluar me këmbëngulje çdo shenjë e besimeve dhe paragjykimeve fetare dhe bëhej thirrje që të bëhej një punë e gjallë propagandistike e bindëse me njerëzit, duke ndikuar që edhe shokët, të afërmit dhe prindërit të flaknin çdo besim fetar që komunistët e quanin neveri, opium, helm për ndërgjegjen e njerëzve. Në shkrimet ateiste të periudhës komuniste, kisha katolike akuzohet pa fakte e pa prova si gjoja qendër spiunazhi dhe imoraliteti. Pashka për besimin katolik është festa më e rëndësishme ku themelohet baza e këtij besimi që është trinia e shenjtë, ati-biri-shpirti i shenjtë që në Pashkë simbolizon ngjalljen e Krishtit dhe ngjitjen e tij në qiell te Ati. Sistemi propagandistik antifetar komunist duke sulmuar dhe bindur njerëzit gjoja për kotësinë dhe trillin e të pavërtetat që qarkullojnë rreth këtyre festave, tentonte të bindte njerëzit se besojnë në një mashtrim dhe se duhej të hiqnin dorë sa më parë. Servet Pëllumbi në shkrimin “E vërteta mbi Pashkët”, botuar në gazetën “Zëri i Rinisë” të datës 21 prill, të vitit 1962, me numër 32, në faqen 5, deklaron se historia e festës së Pashkës që vjen nga greqishtja që do të thotë “Passiejn” vuajtje, është një histori e pabesueshme pasi sipas komunistit Pëllumbi, nëse perendia sakrifikoi të birin e vet për të shlyer mëkatet e njerëzimit, perendia mund ta shpëtonte njerëzimin pa tragjedi, pa e vrarë djalin e tij të vetëm. Sipas propagandistit komunist Pëllumbi, ky besim që përbën bazën e Pashkës është një tregim fantastik, një fabul që s’pasqyronte asgjë reale. Propagandisti komunist K. Xhavara në shkrimin “Si ka lindur Pashka”, botuar në revistën “Vatra e Kulturës” në numrin 1, në Janar – Shkurt të vitit 1963, në faqen 28, deklaron se festa e Pashkës nuk është asgjë tjetër veçse përsëritje në mënyrë të stërholluar të perëndive që vdisnin dhe ngjallëshin që në kohen përpara lindjes së Kristianizmit. Kjo festë sipas propagandistit ateist Xhavara, është përdorur nga kisha me qëllim që “të propagandojë nga njëra anë idetë që i leverdisnin shfrytëzuesve dhe në dëm të punonjësve, pra idenë e nështrimit, të përuljes, të durimit, të vuajtjes  dhe nga ana tjetër atë të dashurisë dhe të paqes midis shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve, midis të pasurve dhe të varfërve”. Në këtë shkrim propagandistik thuhet se ideja e dashurisë dhe kuptimit të fesë së Pashkës është komplet reaksionare në jetën e klasave. Pasi sipas shkrimit ateist të cituar më lart, feja katolike që feston Pashkën, me anë të kësaj feste propagandon dashuri për besimtarin e njërit besim dhe jo të besimeve të tjera. Sipas propagandistit ateist Xhavara, kjo festë është intolerante dhe armiqësore pasi “feja propagandon në popull mungesën e durimit ndaj besimtarëve të besimeve të tjera dhe ndaj ateistëve, megjithëse ata mund të jenë vëllezërit e tij punëtorë apo fshatarë. Intoleranca fetare i ka ndihmuar dhe u ndihmon klasave shfrytëzuese të mbajnë të nënshtruar popullin e tyre si dhe popujt e tjerë – akuzonin komunistët. Ateistët në shtyp e quanin festën e Pashkëve si një festë katolike në kundërshtim me shkencën dhe moralin komunist të kohës. 

Filed Under: Politike Tagged With: Pashket dhe komunistet, Si i sulmonin, Sokol Paja

VATRA THIRRJE PARLAMENTIT TË KOSOVËS: VOTONI VJOSA OSMANIN SI VULLNET TË QYTETARËVE

April 4, 2021 by dgreca

Deklaratë VATRA THIRRJE PARLAMENTIT TË KOSOVËS: VOTONI VJOSA OSMANIN SI VULLNET TË QYTETARËVE!

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i bën thirrje deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës që të votojnë, menjëherë dhe pa hezitim kandidaten për Presidente Dr.Vjosa Osmani. Votë kundër Vjosa Osmanit është votë kundër miqve ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës të cilët kërkojnë të plotësohet kuorumi dhe të realizohet votimi. Politikanët e tjerë janë provuar, verdikti i qytetarëve të Kosovës u shpreh qartë për ndryshim. Mos e pengoni ndryshimin, lejojeni votimin. Zonja Osmani është zonja më legjitime dhe më e votuar në Kosovën e pasluftës. Sot më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe institucional. VATRA i bën thirrje të gjithë politikanëve në Kosovë që të dalin mbi interesa meskine personale dhe të tregojnë maturi, pjekuri dhe të mos tradhëtojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Lojërat politike janë të papranueshme dhe nuk i shërbejnë interesit shtetëror të Kosovës. Kosova në gjithçka dhe mbi gjithçka. Me nderime Kryetari i VATRËS Elmi Berisha

Filed Under: Politike Tagged With: Parlamenti i kosoves, Vatra-deklarate, Vjosa Osmanin, Votoni

Pashkët, fillimi i një jete të re!

April 3, 2021 by dgreca

Vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët-Imzot Massafra uron nga spitali-/

Imzot Angelo Massafra nga rehabilitimi në spitalin “Miulli” ku gjendet tashmë pёr t’u shëruar nga Covid-19, i bashkohet festës sё Pashkëve me një mesazh.

Imzot Massafra shprehet në mesazhin e tij se tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. 

Ai thotë se Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re. Imzot Masafra bekon besimtarët dhe iu kërkon që të vazhdojnë lutjen tuaj për të dhe për të gjithë të sëmurët. 

MESAZHI I PLOTË
Të dashur vëllezër dhe motra, duke qenë e pamundur të jem i pranishëm personalisht në mesin tuaj për shkak të sëmundjes që po më detyron të qëndroj në Spital, gjë që po zgjat tashmë më shumë se një muaj, dëshiroj të jem i pranishëm me këtë mesazh për të reflektuar së bashku mbi dhuratën pashkore të Krishtit të Ringjallur, shpresa jonë e vetme.

Tingulli i natës së këmbanave të të gjitha Kishave i bën me dije botës që diçka e re ka ndodhur dhe diçka e re po bëhet gati të fillojë. Janë Pashkët e ringjalljes, aty ku Krishti i ringjallur nga të vdekurit përfaqëson risinë për të gjithë ata që aspirojnë jetën e re.

Pashkët, në fakt, nuk janë përfundimi i Kreshmëve, por fillimi i një jete të re, pasi që i kemi rënë mohit të keqes dhe mëkatit të futur në natyrën tonë; mohimi i së cilës Kreshmët kanë qenë një simbol, por edhe një rrugë konkrete. Por cili nga ne mund të thotë më të vërtetë se është i aftë për të bërë, në mënyrë të përsosur, zgjedhje për një ndërrim rrënjësorë? Gjithmonë ndihemi nevojtarë për të filluar nga e para, për të përshkuar shtigje mohimi, shkretëtireje, për të arritur oaze freskuese të cilat japin shpresë për të vazhduar ecjen.

Është gjithmonë dora e Zotit që na shtyn për të ecur, për të braktisur siguritë tona që t’i hapemi së resë. Njeriu, në fakt, nuk shëlbohet vetëm: sikur të varej nga ne, do t’u kënaqnim në zakonet tona, në “kështu është bërë gjithmonë”, dhe do të qëndronim në një gjendje vdekjeje të parakohshme, pa shpresë, pa aspirata, por vetëm me ato gjëra që ndodhin përpara syve tanë për të kënaqur nevojat e menjëhershme të mbijetesës. Por gjithashtu edhe këtë vit dora provanore e Zotit i shtyu besimtarët e tij për të përshkuar shkretëtirën kreshmore “për të arritur të përtërirë në festën e pashkëve” (lutja e të enjtes së javës së IV të Kreshmëve);

– Na ka bërë imitues të atit tonë Abrahamit i cili braktisë gjithçka për ecjen që do ta çojë në takim me Hyjin i cili premton risinë e jetës;
– Imitues të etërve tanë në ikje nga Egjipti me shpresë që të arrijnë tokën e premtuar;

– Imitues të Zotit tonë Jezu Krisht, solidar me ne në shkretëtirën e zhveshjes, ku njerëzimi ynë vihet përballë tundimit që të dalim fitimtarë, të forcuar me Fjalën e Zotit, shpëtimin e vetëm kundër së keqes. Dhe ja tani Pashkët, oazë freskie që shuan etjen tonë në këtë fazë të jetës; të gatshëm për të filluar rrugëtimin, pas zhytjes freskuese në ujërat e Pagëzimit, nga i cili jemi rilindur në jetë të re: “Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re” (Rom 6, 4). Ecja që na vihet përpara, pra, ka shijen e jetës së re; dhe ky është urimi im i Pashkëve të Shenjta për këtë vit, 2021.

– Një jetë të lirë nga mëkati sepse është e palëkundshme në dashurinë e “Atij që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 5, 21);

– Një jetë në përputhje me vullnesën e Hyjit dhe në shenjtëri, në shembullin e Krishtit, i cili duke ardhur në botë thotë: “Ja, unë po vij për të bërë vullnetin tënd. (…) Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë e përgjithmonë”. (Heb 10, 9- 10 );

– Një jetë të shënuar nga bamirësia, në shembullin e Atij që “e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte me të”. (Vap 10, 38b);

– Një jetë nën veprimin e Shpirtit të mëshirës të dhënë nga Ai që, i Ringjallur, hukati mbi dishepujt natën e Pashkëve dhe tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen”. (Gjn 20, 22b-23); Dhe me Shën Palin unë ju bëj thirrje: “Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit”. (Kol 3, 1).

Dhe në fund, dëshiroj të falënderoj të gjithë, pa dallim: ju më keni mbështetur në këto Kreshme të veçanta për mua. Krishti i Ringjallur ju bekoftë, gjithashtu edhe unë ju bekoj dhe ju kërkoj që të vazhdoni lutjen tuaj për mua dhe për të gjithë të sëmurët. Pashkë të Shenjta!

*** 

Besimtarët katolikë festojnë Pashkët, Imzot George Frendo mesazh: Mos lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri është hero…

“Mos të lejojmë që virusi të kufizojë jetën tonë. Jeta jonë nuk është nën drejtimin e virusit, por nën drejtimin e Krishtit”.

Me këtë mesazh për forcë dhe shpresë në këto kohëra të vështira që po jetojmë, Imzot George Frendo përcjell urimin e tij për të gjithë besimtarët katolikë të cilët kremtojnë Pashkët këtë të diel.

Teksa iu bën thirrje të rinjve të mos largohen nga Shqipëria Imzot George Frendo i fton ata të sillen si heronj duke qëndruar dhe ëndërruar për një Shqipëri më të mirë.

“T’ia dëshmojmë të rinjve që kultivojnë një ëndërr, që një ditë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi më të pasur. Kush kultivon këtë ëndërr mendon se është guximtar. Por ai që vendos të qëndrojë në Shqipëri duke ëndërruar një Shqipëri më të mirë është hero. Ndoshta shumë të rinj kënaqen të jenë guximtarë. Por le të kërkojnë më shumë të jenë heronj. Shqipëria ka nevojë për ju, të dashur të rinj: Jeni e ardhmja e Shqipërisë. Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, fitoren e shpresës mbi dëshpërimin. Ngjallja e Krishtit le t’ju dhurojë vendosmëri që Shqipëria jonë, vend i stolisur me shumë bukuri, të bëhet, përmes jush, një vend edhe më i bukur”, ishte disa nga fjalët e Imzot George Frendo.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Masafra, Pashket

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • 307
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT