• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DINJITETI” I SHQIPËRISE SOCIALISTE

September 4, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA*-

“Identikiti i zotërinjve të së keqes” titullohet një artikull i shkurtër i së përjavëshmes italiane “Panorama”, të datës 24 korrik 2003. Eshtë një koment shumë i shkurtër i librit “Fjala e djallit” të gazetarit italian Rikardo Oricio, një paraqitje me pakë penelata prej tij e asaj gjëje që është e përbashkët te të gjithë diktatorët, të vjetër e të rij, identikiti i tyre, që në Nurenberg u pagëzua me shprehjen “banaliteti i së keqes”.

Krahas diktatorësh gjakatarë si Idi Amin apo Zhan Bedel Bokasa, si Dyvalje apo Negusi i kuq, Mengistu, gjeneralësh puçistë si Noriega  ose Jaruzhelski, në analizën e shkrimtarit hyjnë dy zonja, përfaqësuese të komunizmit ballkanik si “vejusha e zezë e Shqipërisë, Hoxha” dhe e “pabesa Mira Millosheviç”. Është interesant fakti se autori i trajton me mjaft mirëkuptim “përbindshat” e librit të tij. Ai mundohet të hyjë në thellësi të “arsyeve” të tyre, që kanë mbetur  të gjithë besnikë të së shkuarës së tyre, ideve e bëmave të saj. “Kanë të gjithë një zakon shumë të keq –ankohet gazetari- i përgjigjen pyetjeve duke bërë të tjera pyetje që të venë në vësht irësi.”

“Çfarë t’i thuash stalinistes Hoxha, që ironizon: oh, po, bash një demokraci e bukur është Shqipëria e sotme. E ndyrë, e papunë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë. Së paku Shqipëria socialiste kishte dinjitet.” shprehet autori i librit dhe i artikullit të revistës. Në veshët e gazetarit Oricio, që ka njohur pak  ose aspak Shqipërinë socialiste të zonjës Hoxha e që sheh sot atë të dishepullit të saj, zotit Nano, këto fjalë tingëllojnë deri diku bindëse e jo fyese. Sigurisht nuk mund të kenë të njëjtin tingëllim në veshët e atyre shqiptarëve që kanë jetuar deri diku normalisht në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, madje janë një fyerje e madhe për atë masë njerëzish që nga “armiqtë e klasës”, skllevërit e padeklaruar të socializmit, e deri tek fshatarët e drobitur nga skamja e padija. Shumë nga epitetet, që zonja Hoxha ja vesh Vendit të saj sot, i shkojnë për shtat më së miri Shqipërisë së konceptuar pranë zjarreve partizane nga Miladin Popoviçi dhe bashkëshorti i saj “legjendar”

E ndyrë, e dhunshme, zhelane, e etur për dollarë ishte në tërë kuptimin e  fjalës Shqipëria socialiste. Një Vend, në të cilin një apartament strehonte dy familje, ku gatuhej në banjo, ku grumbulloheshin pesëqind veta në një kazermë ushtarake internimi  e pesëdhjetë në një dhomë burgu, ku nuk përdoreshin deri së voni pluhurat larëse, ku sapuni ishte i racionuar, ku kanalizimet e ujrave të zeza diku nuk ekzistonin e diku nuk funksiononin, ku kazanet e plehrave nuk njiheshin fare, ku nuk respektoheshin as normat më parake të higjenës industriale apo të mbrojtjes së ambientit, ku mizat e mishkonjat shëtisnin të patrazuara në pjesën më të madhe të lokaleve publike, ku pluhuri dhe balta ishin shoqëruesit e përditshëm të çdo hapi që hidhte qytetari e më shumë fshatari, nuk mund të quhet një Vend i pastër. Nëse një pjesë e këtyre dukurive është e pranishme dhe sot   askush nuk mund të provojë se ato janë gjëra të reja.

Shqipëria paskomuniste paraqet, në një masë jo të papërfillëshme, dukuri dhune në shumë pamje e nivele të saj. Është e drejtë të pranohet se në kapërcyellin 1990-1991 u shmang një përleshje, në përmasa të mëdha, mes popullit e rinisë studentore e të qyteteve nga një anë, që kërkonin lirinë e ndrrimin e sistemit dhe forcave konservatore të “vullnetarëve të Enverit”, nga ana tjetër, që ishin të vendosura të ruanin me çmimin e gjakut “pushtetin e popullit”. Mendoj se, pavarësisht nga motivet përcaktuese, zonja Hoxha ka meritën e saj në shmangien e një gjakderdhjeje të tipit rumun. Ndofta llogaritë e bëra në ata çaste historike, vendimtare për Vendin, më vonë nuk kanë dalë të sakta, ndofta diçka nuk ka shkuar siç duhej. Prandaj zonja Hoxha ndoshta është penduar për qëndrimin e atëhershëm, deri aty sa të shprehet në një intervistë të kohëve të fundit: “ Po, mua personalisht, si dhe shokëve të mi, na bren shumë ndërgjegja, që s’ditëm të bëjmë atë që duhej bërë për mbrojtjen e fitoreve të pushtetit popullor dhe për këtë mendim pendesë mund të japim llogari para popullit…”

Sa keq që ndofta të vetmen gjë të mirë që mund t’i ketë bërë popullit të saj tani, në muzgun e jetës, ajo don t’a mohojë, t’a hedhë poshtë, t’a quajë një krim, për të cilin duhet të japë llogari. Është diçka e natyrshme për të që mos përdorimin e dhunës t’a quajë tradhëti ndaj “idealeve” , me të cilat u brumos që në të ritë e saj. Dhuna kishte qënë mjeti i vetëm me të cilin ishte ndërtuar sistemi komunist në Shqipëri e gjetkë. Ata që, në forma të ndryshme, kishin dashur t’a pakësojnë apo t’a shmangin, ata që kishin dashur t’i jepnin një “fytyrë njerëzore” përbindëshit komunizëm, zonja Nexhmije i kishte vulosur, gjatë gjithë jetës së saj prej “first lady”, me nofkën e tradhëtarit, të revizionistit, të oportunistit. Dhuna e pushtetit të saj u bë proverbiale për Evropën, duke e kthyer vendin e saj në “tokën e fshikulluar nga persekutimet” siç e ka përkufizuar Papa gjon Pali II.

Nëse bota e lirë do të kishte qënë më shumë koherente ndaj parimeve të drejtësisë historike e më pak dashamirëse ndaj real politikës, do të kishte shpallur Shqipërinë e zotërinjve Hoxha Vendin klasik të martirizimit në Evropë, mbasi shifrat e krimeve të çdo forme, marrë në raport me numurin e popullsisë, nuk kanë të krahasuar as me “epopenë staliniane të gulagëve”. Zonjës Hoxha pamja e Shqipërisë së sotme i fut trishtim, jo për demokracinë e parealizuar mirë, por sepse do të kishte dashur t’a shihte të rrjeshtuar përkrah Kubës së Fidelit apo Koresë së Kim Jong Ilit.

Edhe sot ka dhunë në Shqipëri, dhunë banditësh e dhunë Shteti. Kjo e dyta i ka rrënjët thellë, në mendësinë e trashëguar nga Instituti i saj  i studimeve marksiste leniniste, që e konceptonte shoqërinë njerëzore një arenë lufte të përjetëshme e të papajtueshme mes klasave e në gjirin e tyre. “Qytetërimi i një epoke është plehu  i pasardhëses” shprehet dijetari e kritiku anglez Siril Konoli. Shqipëria e dhunëshme, që denoncon zonja Hoxha, është vazhdimi logjik dhe real i gjysëm shekulli Shteti të dhunës, bijt e të cilit, të konvertuar në demokraci, nuk qenë të aftë t’a ndërtojnë atë larg kontureve të saj. Sikur dikush, në epokën e mbretërimit pa kurorë të zonjës Hoxha, të kishte guxuar t’i thonte një gazetari të huaj fjalët që ajo qëllimisht i ka thënë Oricios, nuk e marr me mënd se ku do të mbaronin pasojat e dënimit të tij. Besoj se i mjafton vetëm ky fakt asaj për të kuptuar ndryshimin ndërmjet “ligjeve të forta” të “diktaturës së proletariatit” të regjimit të saj e tolerancës së një demokracie që, megjithë malet e mangësive, ruan përsëri fytyrën e saj.

Tregon kujtesë të shkurtër zonja kur e quan zhelane Shqipërinë e sotme. Ndofta atë të djeshmen ajo e njëjtësonte me të famshmin “bllok të udhëheqjes”. Ndofta e ndryrë në kullën e saj të fildishtë nuk e dinte se nënështetasit e saj, në pjesën e tyre më të madhe, mburreshin se ishin rritur me bukë misri, se për të blerë një litër qumësht duhet të zinin rradhën në ora një të natës, se një kostum me stofin e kombinatit mund t’ja lejonin vetes vetëm ditën e martesës, për t’a mbajtur deri në ditën e qivurit, se për të patur një televizor nuk mjaftonte paga e një viti pune, se as që mund të ëndërronin për të patur një automobil të tyrin, se ishte një ëndërr të jetonin në Tiranë apo në Durrës. Se sa zhelanë kishin qënë shqiptarët e  kuptuan mirë kur zonja Hoxha dhe regjimi i saj kriminal nuk ishin më në gjëndje të vendosnin për fatin e tyre. Vërshuan me qindra mijëra në botën, deri atëhere të panjohur, e ballafaqimi me të i bëri të kuptojnë më mirë mjerimin, të cilin kishin  lënë mbrapa në  Vendin e tyre.

Ka ende mjerim në Shqipëri, ka edhe pabarazi. Do të kishte patur më pak, sikur “bijtë e Nexhmijes” që morën në dorë drejtimin e Vendit, mbas shëmbjes së komunizmit, të kishin patur ide më të qarta e ideale më të forta. Kanë  ende shumë probleme shqiptarët, disa shumë të mprehta, disa të reja e të panjohura, por në tërësi, kanë më pak se nën “gubernën” e zotit Hoxha dhe të bashkëshortes së tij. Besoj se janë shumë të paktë ata që venë në dyshim vërtetësinë e këtyre fakteve, siç bën “vejusha e zezë e Shqipërisë”.

Qënkërka e etur për dollarë Shqipëria e sotme, një zbulim i padëgjuar! Zonja Hoxha ndoshta kujton ende me mall parullat: “kundër lavdisë personale”, “kundër interesit personal”, “kundër pronës private”, “lufta për bukën është luftë për socializmin” e të tjera pallavra të këtij lloji, me të cilat ishin mbushur fasadat e mureve të godinave. Kujton kohën kur të gjithë shqiptarët ishin të inkuadruar në kooperativat bujqësore apo ndërmarrjet  shtetërore e punonin vetëm për socializmin, mbasi për ta mendonte “pushteti i popullit” që i kishte katandisur në argatë me mëditje, sa për të mbajtur frymën gjallë. Atëhere shqiptarët nuk ishin të etur për dollarë, por Shteti i tyre po, deri në atë pikë sa t’ja u grabiste me forcë qytetarëve të tij këtu brënda e me dredhi emigrantëve që i dërgonin familjeve, duke ja këmbyer me një të gjashtën e vlerës, simbas përkatësisë klasore.

Në vend që të qesëndisë shqiptarët që rendin të fitojnë dollarët me të gjitha mjetet, zonja Hoxha do të bënte mirë të vlerësonte energjitë dhe aftësitë e tyre që, në kushtet e lirisë, megjithë keqdrejtimin e Shtetit, shpërthyen e po japin rezultatet e tyre. Sikur liria e nismës të mos ju kishte munguar për gjysëm qindvjeti, e sikur të kishin patur qeveritarë në lartësinë e detyrës në këto vite, Vendi i tyre sot nuk do t’ja kishte zili askujt. Mjerisht këtë të vërtetë nuk don t’a shohë e t’a njohë zonja. Për të Shqipëria socialiste, ndryshe nga kjo e sotmja, “kishte dinjitet”.

Ajo vazhdon t’i besojë miteve të dinjitetit: “kështjellës së pamposhtur të socializmit në Evropë”, “ qëndresës ndaj rrethimit imperialisto-revizionist”, “ luftës titanike të PPSH-së në mbrojtje të marksizëm-leninizmit”, atij të një populli të lirë, grusht bashkuar rreth partisë e udhëheqësit të saj që gjen lumturinë në punën për ndërtimin e socializmit. Ajo e ka të pamundur të besojë se të gjitha ato parulla, për stërhollimin e të cilave rrogëtoheshin një mori shkrimtarësh, historianësh, artistësh e funksionarësh të të gjitha niveleve, s’ishin tjetër veçse një ortek gënjeshtrash që, i nisur nga maja e piramidës, zbriste me vërtik poshtë, duke trumhasur mëndjet e pjesës më të madhe të shqiptarëve. Në të gjitha këto gënjeshtra ajo shihte “dinjitetin” e Shqipërisë socialiste, pa çka se ajo ishte e mbushur me njerëz të burgosur për idetë e tyre, të internuar për prejardhjen e tyre, të urët, të skamur, të drobitur, të kthyer në kope të mbyllur në një vathë hermetike…

Ai “dinjitet” mbështetej mbi terrorin, mbi faktin se askush nuk guxonte të thonte hapur të vërtetën se lufta për marksizmin ishte luftë për kolltukun, se qëndresa ndaj rrethimit ishte alibia e të ashtuquajturës udhëheqje, që drejtonte Shtetin, për të mbuluar paaftësinë e saj dhe dështimin e gjithë politikës ekonomike, nëse mund të quhej e tillë. Në këtë mënyrë merrnin një kuptim thirrjet e vazhdueshme për “sakrifica” që shkaktonin simfonitë e pambaruara të zorrëve të shqiptarëve. Ai rrethim që, në të vërtetë, ishte një vetëndarje nga bota, idetë e ndryshimet e saj, kishte vetëm një qëllim të caktuar: të ruante skeptrin e zotërinjve Hoxha. 

Ndryshimet e erës pas staliniste u mirëpritën në fillim nga “oborri” i kuq i Tiranës, u arrit madje të bëhej pajtimi edhe me “kryerevizionistin” Tito, simbas dëshirës së shkopit drejtues të Moskës. Por, kur erdhi kërkesa prej andej për ripërtëritjen e udhëheqjes, për zëvëndësimin e “mbretit” dhe të “kançelarit” të tij, fantazma e Marksit, si në një “ëndërr të një nate vere”, filloi të shëtiste në Bllok duke kërkuar mbrojtjen e parimeve. Atëhere u pi gjak  me një tjetër “mbrojtës parimesh” që mbretëronte në Shtetin më të populluar të botës e Shqipëria “dinjitoze” u bë thjesht “zëdhënësja e Kinës në Evropë”.

Kaluan disa vite në të cilat, me paratë e kinezëve e me punën e papaguar të të burgosurve, që shtoheshin tashmë jo vetëm nga rradhët e “armiqvet”, por dhe nga “lufta  në gjirin e klasës puntore”, u ndërtuan fabrika e kombinate që, për një kohë të gjatë, u trumbetuan si krenaria e Shtetit të industrializuar shqiptar, që “hidhte valle në gojë të ujkut”. Kur Shqipëria, me ndrrimin e sistemit, u ballafaqua me botën e industrializuar dhe kërkesat e saj, u kuptua se ato “vepra” kishin qënë relike të antikuariatit të teknikës, që kishin peshuar si kulari mbi qafën e ekonomisë, duke thithur si shushunja djersën e shqiptarëve. Edhe ky ishte një nga aspektet e dinjtetit, për të cilin, ende sot, ndjehet krenare zonja Hoxha.

Ndërkaq dhe Mao Ce Duni u “matufeps” e tradhëtoi vijën marksiste-leninistee cila, në versionin e saj origjinal të një shekulli më parë, i mbeti në dorë si pishtar zotërinjve Hoxha, të cilët e çuan përpara si marathonomaku. “Feneri ndriçues i socializmit në Evropë” rifilloi ecjen në “dimrin e vetmisë së madhe” me parullën, atëhere lapidare,” Bar do të hamë e nuk gjunjëzohemi!”. Këto vite, në të cilat deliri donkishotesk i udhëheqësvet u gërshetua me satërin mbi kokat e tyre, në kujtesën e zonjës Hoxha ndoshta mbeten si kampionë të “dinjitetit të Shqipërisë socialiste”. Ishin vitet kur lëmoshat e të mëdhenjve të Lindjes nuk vinin më e ato të Perëndimit, të kushtëzuara me reformat e demokratizimin, nuk pranoheshin, vite të gjata të një vdekjeje të ngadaltë të ekonomisë e të varfërimit skajor të banorëve të Shqipërisë, veçanërisht të atyre të fshatrave që ishin dy të tretat e vendit. Parimi “me forcat tona” , i shpalosur fuqishëm në tribunat e kongreseve të Partisë, ishte kthyer në një nxitës për të marrë secili “pjesën e vet” nga pasuria e përbashkët. Një popull i tërë u brumos me idenë se Shteti, sado pak, duhet xhvatur, ide që gjeti pastaj zbatimin e plotë në vitet 1991-92 , apo më 1997, kur bastisja i kaloi të gjithë kufijtë.

Çfarë dinjiteti mund të kishte një Vend i tillë, i ndarë nga pjesa tjetër e njerëzimit, në emër të një kompleksi megallomanie e narçizizmi të drejtuesve të tij, të denja për Neronin? Dinjiteti i një Vendi qëndron në aftësitë e tij për të shkuar përpara, për t’u matur me të tjerët në fushat e ndryshme të zhvillimit njerëzor, në art, shkencë, kulturë, ekonomi, standart jetese, respektim vlerash e parimesh të njohura e të sanksionuara në dokumenta e karta të bashkësisë së popujve. Dinjiteti i një Vendi matet me dinjitetin e qytetarëve të tij e ky i fundit nuk mund të ekzistojë nëse mungon liria e mendimit, e shprehjes dhe e komunikimit të ideve, nëse individi asgjësohet në emër të bashkësisë. Diktaturat, edhe më të ndriturat si e Aleksandrit, Qezarit apo Napoleonit, pavarësisht nga pamja e jashtëme, asnjherë nuk kanë rrezatuar dinjitet. Mendimi i vetëm zotërues, aq më tepër i një mediokri, zhduk që në të parë çdo nismë që del nga rrethi i gjykimit të vet e aty ku nuk ka rrahje idesh, nuk ka zhvillim, nuk  ka ecje përpara, nuk ka as dinjitet.

Një popull nën diktaturë është i prirur të nxjerrë në pah anët më të dobëta të karakterit të tij: puthadorjen, lajkat, bindjen e verbër ndaj autoritetit, të kënaqurit me pak, spiunllëkun, nënështrimin ndaj çdo lloj padrejtësie e arbitrariteti, adhurimin e diktatorit, urrejtjen e verbër e përçmimin për kundërshtarët e regjimit. Të gjitha këto dukuri kanë qënë të pranishme në Shqipërinë e zotërinjve Hoxha, të cilët, me anën e forcës së regjimit, të dhunës e të frikës arritën të thyenin virtutet që shqiptarët i kishin trashëguar me shekuj.

Një Vend që i kthen qytetarët e tij në kavje depersonalizimi, nuk  mund të ketë dinjitet. Një Vend që nuk di të vlerësojë pasurinë njerëzore të tij, që arrin të mohojë dhe një personalitet botëror si Nënë Tereza, që i nxjerr eshtrat nga varri një gjeniu si Fishta, që e privon veten nga një shtresë intelektualësh që do  t’ja kishte zili çdo Vend i Evropës, nuk mund të ketë dinjitet e do të thosha, as të ardhme. Ai dinjitet ekziston vetëm në fantazinë e drejtuesve të tij, që shkëmbejnë shfaqjet e servilizmit me respektin e vërtetë. “Asgjë nuk është më i përçmueshëm se respekti i bazuar mbi frikën.” shprehet shkrimtari i njohur francez Albert Kamy.

Zonja Hoxha do të bënte mirë të thellohej në analizën e së shkuarës e të përgjegjësisë së saj vetiake në ngjarjet e saj, në vend që t’a mbrojë atë me pallë zhveshur. Lufta e saj i përngjet asaj të Don Kishotit me mullinjtë e erës, mbasi duhen kërkuar me qiri ata që ende vazhdojnë t’i besojnë “katekizmit” të saj,

Të qesëndisësh, të kritikosh apo të shash Shqipërinë e sotme nuk është një ndërmarrje e vështirë. Por ajo, që mban mbi ndërgjegje gjysëm qindvjeti të degradimit të saj, më duket se nuk ka të drejtë morale t’a bëjë. Do t’i kujtonja një thënie të Dionizit plak që, në lashtësinë e qytetërimit predikonte:”Bëj në mënyrë që fjala jote të jetë më e mirë se sa heshtja jote ose hesht!”

                                                                                                       Gusht 2003                   *Marrë nga vëllimi “PËRSIATJE….njerëzore, letrare, shoqërore, historike”

Filed Under: Politike Tagged With: Dinjiteti, Eugjen Merlika

MBILLNI NJË PEMË NË VEND TË DEKORATAVE TË SHPËRNDARA NËPËR SHQIPËRI,KOSOVË E DIASPORË…

September 3, 2020 by dgreca

      Pa dashur të keqpërdor kritikën për masën e madhe të dekorimeve ( si vertikalisht dhe horizontalisht në krejt botën tonë shqiptare), si me një treg shumicë është tejkaluar çdo kufi me “qytetar nderi” me “Mjeshtër i Madh” e deri me “Nderi i Kombit”,”Kalosi i Skenderbeut”…

.Dhe krejt  e pakuptimtë ishte dhe së fundi  ceremonia e Dekorimit të Bandës së Vatrës, pa nderimin me pjesmarrje të vatranëve të sotëm të Vatrës sonë shqiptare apo të mungesës së ftesës të familjeve të anëtarëve të Bandës?!!!

–Presidentit të Shqipërisë: zotit Ilir Meta & Presidentit të Kosovës: zotit Hashim Thaçi-
Nga Sami Mulaj-

Dhe të  gjithë institucioneve që japin dekorime e vlerësime për personalitete e figura të komunitetit e të mbarë Botës e shoqërisë shqiptare.
 Mbillni një Pemë, ju lutem!
 U njoha këto ditë me ceremoninë e dekorimit të  bandës Vatra a dhe të  dekorimit të ish presidentit të Shqipërisë Rexhep Mejdani …U bënë lajm  në media si pjesmarrja e të gjithë krahëve të politikës shqiptare si në Shqipëri dhe nga Kosova. Pa dyshim vlerësim shumë I merituar për Vatrën e Bandën e saj, vlerësim dhe për shtetarin dinjitoz ish presidentin Mejdani.
Ekrani dhe gazetat me pamje e figurë paraqesin takimet e  buzëqeshjet  e pjesmarësve në koktej dhe vetëm kaq.
 …Pas kësaj bujë rutinë çfarë mbeti?!
Edhe një emër më shumë në listën e dekorimeve, edhe një kornizë më shumë në muret e dhomave a të zyrave të të dekoruarve (!) dhe vetëm kaq.
 Pa dashur të keqpërdor kritikën për masën e madhe të dekorimeve ( si vertikalisht dhe horizontalisht në krejt botën tonë shqiptare), si me një treg shumicë është tejkaluar çdo kufi me “qytetar nderi” me “Mjeshtër i Madh” e deri me “Nderi i Kombit”.
Dhe krejt  e pakuptimtë ishte dhe së fundi  ceremonia e Dekorimit të Bandës së Vatrës, pa nderimin me pjesmarrje të vatranëve të sotëm të Vatrës sonë shqiptare?!!!
 Përsëri  kjo do të vazhdojë, është e kuptueshme për kulturën tonë, e për traditën tonë. Nuk do ta tejkalojmë aq shpejt e as lehtë mentalitetin e të “madhit e të parit të oxhakut “ por duhet të përpiqemi e të mësojmë se si të tjerët e përdorin dekorimin e më të spikaturve në fushat e ndryshme të jetës.
 Shumë e thjeshtë, pa koktej e duartrokitje të mëdha, pa salla e pa përqafime “ Belulësh” e pa qefmbejtje ftesash… vendos një pemë në një park a pranë një rruge dhe thuaje me plot gojën: Pema e doktor Rexhep Mejdanit,i dekoruar me “Flamurin Kombëtar”, pema e Bandës Vatra, pema e… kështu me radhë për të gjithë dekorimet.
Ajo pemë do lëshonte lule, aromë të mirë për ambjentin e njerëzit për rreth, dhe Rexhep Mejdani do mbahej mend më gjatë nga brezat dhe….Banda e Vatrës, e Vatra e shqiptarëve  të Amerikës mbi 100 vjeçare do nguliteshin më thellë në memorien e shqiptarëve, si Krenari e vërtetë Kombëtare.
 Më shumë pemë, më shumë lule, më shumë bukuri në mjediset shqiptare do të ishin dekoratat më të mira për majat e personaliteteve shqiptare, që nuk I kanë munguar dhe nuk do ti mungojnë Kombit   tonë Shqiptar.


Filed Under: Politike Tagged With: Mbillni nje peme ne vend te Dekoratave, Sami Mulaj

E Kemi Presidentin që na duhet- DONALD TRUMP!

September 3, 2020 by dgreca

Nga Agustin Mirakaj*-

Jemi në vitet e zhvillimit të jashtëzakonshëm global ku Amerika, vendi i lirisë dhe garanti i ekuilibrit global, po sulmohet nga e keqja me emrin komunizëm. Shumë Shqiptarë në USA sot mjerisht i bashkohen të keqes (të majtës). Për këtë nuk mund të gjykoj sepse shumica e tyre erdhën në Amerikë duke gënjyer mbi të kaluarën, duke u qarë nëpër zyrat e emigracionit Amerikan si të vuajtur nga sistemi komunist.

Në të vërtetë këta individë me të kaluar të errët, ishin persekutorë të tmerrshëm. Cfarë kohe absurde, ku persekutori viktimizohet. Oficerë, pushkatarë, roje kufiri, bashkëpunëtorë të sigurimit, sigurimsa, hetues, torturues të njerëzve të pafajshëm, paturpësisht gënjyen mbi të kaluarën e tyre dhe në momentin më kyç (betimi) përpara se të merrnin pasaportën Amerikane. Dhe janë këta nostalgjikë komunistë që i bashkohen të majtës në Amerikë. Këto janë Shqiptarët që mbështesin plotësisht ideologjinë marksiste pavarësisht dështimeve dhe fatkeqësive që regjimet totalitare dhe ideologjitë komuniste u kanë sjellë popujve e kombeve. Amerika duhet të pastrohet nga njerëzit që përkrahin ideologji të tilla. Këta njerëz toksikë duhet të shkojnë nga kanë ardhur. Këta njerëz nuk e duan te mirën, këto e urrejnë të mirën dhe promovojnë regresin.

Pse vallë këto hije të liga që vijne nga vënde të errëta duan të fusin frymën e keqe e të sjellin errësirën? Sepse nga njerëz të errësirës, vetëm vepra të errësirës mund të presësh. Anarkia, dhuna dhe e keqja sdo kenë kurrë vend në Amerikë.

Sot, Presidenti Donald J. Trump ka nevojë për mbështetje dhe mbështetja duhet të vijë nga ne ( populli ) i cili e adhuron jetën, familjen, punën, Zotin, të mirën e progresin. Amerika është shteti që garanton lirinë e cila të jep mundësi të pa imagjinueshme në fusha të ndryshme të jetës. Shkollimi, formimi profesional, barazia para ligjit e bëjnë Amerikën vënd ideal për ëndrrat e cdo njeriu. Veçanërisht për popujt që kanë jetuar nën diktatur.

Vota për Donald J. Trump është e vetmja shpresë për të mos qenë të shtypur. Vota për Donald J. Trump është fitorja ndaj së keqes. Vota për Donald J. Trump është për Amerikën, për vendin ku drita kurrë nuk shuhet, për shpresën që nuk humbet kurrë. Lavdi Zotit, tashmë Amerika ka një President, të fuqishëm i cili lufton për secilin prej nesh, për të ardhmen e lavdishme dhe Atdheun e përbashkët.

Zoti e bekoftë vëndin e lirisë.

  • Kryetar i Deges se Vatres ne Manhattan, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Agustin Mirakaj, Donald Trump, E kemi Presidentin

SHQIPONJAT SJELLIN SHKENCËN NË SHQIP

September 2, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI-

25 MJEKË DHE PUNONJËS SHKENCORË SHQIPTARË BOTIM SPECIAL ANTI-COVID –

Të ndodhur përpara një periudhë të vështirë, ku projeksionet më serioze janë duke dëftuar një rritje potenciale të rasteve në muajt në vazhdim, ekipi Anti-COVID-19 i HEDA Albania , tashmë i zgjeruar me më shumë 25 anëtarë, nga më shumë se 35 institucione, spitale, organizata kërkimore shkencore, akademike, klinike dhe epidemiologjike (brenda dhe jashtë Shqipërisë), sjell për profesionistët shqipfolës të shëndetit për herë të parë një përditësim shkencor të standartit më të lartë dhe me peer-review në shqip, me mbi 50 ilustrime dhe skema sqaruese, tabela, projeksione dhe algoritme klinike, për të mbështetur profesionistët shqifolës të shëndetit. Ky botim vjen me një mesazh të dedikuar nga anëtarja e Komitetit Teknik-Shkencor Anti-COVID-19 të Qeverisë Italiane Prof. Dr. Giovannella Baggio. 

STUDIMI “PËRTEJ MUSHKËRISË”

Kjo punë është realizuar pas shqyrtimit të kërkesave që kanë ardhur në adresën tonë gjatë kësaj periudhe 3 mujore dhe pas nëj konsultimi aktiv me anëtarë të personelit shëndetësor shqipfolës. Si rrjedhojë ekipi i zgjeruar Anti-COVID i HEDA Albania, ka realizuar këtë sintetizim të më shumë se 500 hulumtimeve shkencore dhe ka botuar një ‘Përditësim shkencor me temë gjithpërmbledhëse ‘PËRTEJ MUSHKËRISË’: një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19’. Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19. Qëllimi i këtij dokumenti është përmbledhja sa më e përshtatshme dhe e saktë e evidencave të disponueshme aktualisht, në mënyrë që t’i vihet në ndihmë dhe në dispozicion profesionistëve dhe asaj pjese të publikut që është e interesuar për informacion e përditësim të detajuar shkencor të bazuar në evidenca. Këtu ofrohen ‘mjete’ praktike për epidemiologjinë, gjurmimin, terapinë, dhe evidencat më të fundit shkencore mbi menaxhimin e pacientit nga burimet më të përshtatshme dhe besueshme, si dhe nga komunikime aktive me profesionistët dhe institucionet ku një pjesë e ekipit të HEDA është duke ushtruar veprimtarinë kërkimore, epidemiologjike apo klinike. Ky dokument është realizuar pa mbështetje financiare të institucioneve nga brenda apo jashtë Shqipërisë. Të gjithë autoret nuk kanë asnjë konflikt interesi. E gjitha është realizuar nga një bashkëpunim i pashembullt i profesionistëve e shkencëtarëve Shqiptar nga e gjithë bota.

STUDIMI I RI

“Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19”. Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania sjell për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 . Për realizimin e këtij dokumenti janë sintetizuar më shumë se 500 hulumtime shkencore. Ky botim prej 112 faqesh përbëhet nga shtatë elementë  integral si vijon: Udhëzues mbi epidemiologjinë dhe klinikën e COVID-19, Konsiderata sistemike patologjike për pacientët me kushte shëndetësore ekzistuese dhe COVID-19, Pasqyra praktike për praktikën epidemiologjike dhe klinike, Konsiderata të terapive aktuale, Përmbledhje të hulumtimeve që konfirmojnë manifestimet sistemike të COVID-19, Ilustrime përmbledhëse në shqip, Vizion për të ardhmen e shëndetit publik në Shqipëri.

KUSH JANË SHKENCËTARËT SHQIPTARË QË PËRGATITËN STUDIMIN

Ekipi i zgjeruar i HEDA Albania që solli për të gjithë profesionistët shqipfolës përditësimin e 8-të shkencor me një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19 me titull:  “Përtej mushkërisë: Një qasje sistemike e gjithëpërfshirëse për menaxhimin epidemiologjik dhe klinik të COVID-19” janë: Erand LLANAJ, MPH, MSc, PhD (c), Denisa BACI, PhD, Aldi PUPULEKU Phd, Julia DARAGJATI PhD, Mirela KUKA PhD, Livia TEPSHI PhD,Teuta MUHOLLARI, MPH, MSc, PhD (c), Ina MEXHITAJ, PhD, Irma KUKA MSc, Aseda TENA MSc, PhD (c), Lisiena HYSENAJ MSc, PhD, Novruz CAUSHAJ MD, MSc, Edvin ZEKAJ MD, Geriolda TOPI MD, PhD (c), Ambra HYSKAJ MPH, MSc, PhD (c), Rigers GJYLI MD, , Hamëz GACAFERI, MD, DPhil (c), Drieda ZAÇE, MD, MSc, PhD (c), Ilda HOXHAJ, MD, MSc, PhD (c), Eriona HETA, MSc, PhD, Meri LUKA MD, Bledi MASATI MD, Nertil PETRO MD, Genada SINANI, PhD, dhe Gentian MUSA,PhD. 

Filed Under: Politike Tagged With: 25 Mjeke, Anti COVID, botim special, Sokol Paja

Zgjedhjet në Amerikë dhe Shqiptarët

August 31, 2020 by dgreca

Nga Alfons Grishaj*-

Zgjedhjet në SHBA kanë hyrë në një fazë të re. Demokratët  padashur janë zhvendosur nga pozicioni i tyre tradicional  drejt  frymës së  vjetër socialiste të huazuar Ruse. 

Sanders, Kortez etj.  janë autorët e një qasjeje të re politike, e cila ka sjellë një impakt aventuresk në ndërgjegjen e të paformuarve dhe  zonave që udhëhiqen nga demokratët. Dikush shfaqet me flamuj socialistë Rus, disa të tjerë, me banderola, “Black Life Matter” (sikur,  white life don’t matter, blue life don’t matter, bird’s life don’t matter etj…), të tjerë… me flamuj hitlerianë… Ca gangsterë me sloganin, ANTIFA! Egërsia e majtë ka prapa një filantrop të zi, George Soros-in, i cili njihet si armiku numër një i Republikanëve, … gjithashtu  mjeshtër i kaoseve… 

Në kohët moderne, shkatërrimi  është rezultat i instrumentit të forcës së paguar… dhe veprimi  efekt i impaktit të synuar.

Biden dhe liberalët, mundohen të mbajnë balancën në Partinë Demoktratike, e cila nuk ka më finesën, inteligjencën dhe largpamësinë e paraardhësve. Fizionomia e Partisë Demokratike tradicionale është transformuar sa zor t’i gjesh ndonjë tipar të antikomunizmit të dikurshëm për të cilin shquhej, ndërsa e ka ulur dukshëm flamurin e forcës mbrojtëse të të drejtave të njeriut. Tani ajo ka në gjirin e saj të gjithë kolonët e rrymave negative, duke humbur misionin autentik. Pjesa dërmuese e medias, përjashto këtu Fox dhe disa zëra të pavarur, janë në delirium tremens. Të  gjithë zërat kundër Presidentit, dhe pse  bëhen pararojë e shkatërrimit të Amerikës, ata nuk ndalen deri sa të fundoset Titaniku. Qofsha i gabuar, por siç shihet… vetë kundërshtarët po  e ndihmojnë Trumpin të lundrojë dhe për katër vite përmes akullnajave dhe politikave “akademike” standarte pa shpirt e novacion. 

Në këtë kaos udhëkryqi pasionesh në ndërgjegjen e zgjedhësve… shqiptarët janë ndarë në dy grupime, demokratë dhe republikanë. Klasa e vjetër e ardhur në vite nga Dardania dhe viset e tjera, duke përfshirë dhe elemente të tjerë nga toka mëmë, ka dalë në krahun e demokratëve, për çka, në të vërtetë, nuk duhen gjykuar… sepse, demokratët i kanë shërbyer në vite çështjes shqiptare në përgjithësi. Ne nuk mund t’i shesim kurrë miq si Klinton, Engell, Peters e të tjerë, miq që kanë ndihmuar kauzën e kombit tonë. Një demonstrim kundër tyre do të ishte amoral. Por, politika krijon gjithnjë hapësira të reja që duhen respektuar dhe luajtur në mënyrë të ndershme dhe  efikase për vendin tonë. Një përllogaritje e keqe ndëshkon pjesën e Dardanisë dhe viset e tjera jetike të kombit tonë. 

Në grupimin e demokratëve ka dy lloj karakteresh, klasikë dhe hibritë. Klasikët janë pasionantë dhe nuk e shohin shkarjen e partisë që të gjithë e deshën!  

Grupimi  dytë  brenda demokratëve janë hibritët, të cilët  janë kolonë e pestë, duke ardhur nga familjet më të përlyera post-komuniste, apo pakicat kontraverse, të cilët kanë bërë gjithmonë  rolin e minave. 

Disa  hiqen dhe si republikanë, por në fakt janë të majtë që kur lindi “Partia”. Vlen të përmenden shkrimet e ca mjeranëve (kandidatë apo anëtarë të PP-së ) që  gjoja janë shkrimtarë, të cilët mashtruan shtetin amerikan kur mbushën formularin e pranimit të SHBA, duke bërë një krim që është i dënueshëm në bazë të ligjeve në fuqi. Këtyre kopukëve injorantë e gënjështarë që rreken për t’u bërë dikushi duke u shfaqur aty-këtu si intelektualë, të cilët kërkojnë të mbulojnë defiçencën astronomike  intelektuale, herë me grup dhe herë të vetëm si gjarpëri, po ua them dhe njëherë:  koha e  mjeranëve ka vdekur! 

Republikanët, bazuar në ndërgjegjen konservatore unifikuese,  shprehur nëpërmjet vlerave të familjes, besimit dhe patriotizmit, kërkojnë rikthimin e ndërgjegjes së cunguar amerikane, e cila po humb qëllimin dhe bekimin e formimit si shtet. 

Forcat komuniste botërore, me në krye Rusinë dhe Kinën… dhe gjoja globalistët…, po përpiqen me të gjitha mjetet që të influencojnë në kontaminimin e ndërgjegjes dyzuese amerikane për t’ia dhënë votën humbjes së Amerikës. Shumë pak kush e kupton se, këtu nuk është lufta midis Trump dhe Biden, por lufta për të dobësuar Amerikën, ndikimin pozitiv të saj në botë me kulturën, ekonominë dhe, mbi të gjitha, modelin e lirisë. Sikur njerëzit, mediat dhe politika të mendojë për një minut të vetëm, duke i thënë ndërgjegjes, “ku jemi duke shkuar?”… e gjithë çorba e gatuar do të derdhej si jashtëqitje në gjirizet  e  Amerikës, duke u dekantuar nga bartja e trazuar e dyzimit…, dhe ky komb i bërë nga Zoti do të ndriçonte botën deri në kataklizmo.  

Shqiptarët nuk kanë pse zihen me njëri-tjetrin për një kauzë e cila i përket popullit amerikan që ta zgjidhë. Ne jemi miq të Amerikës dhe do ngelemi të tillë. Rëndesi ka që shqiparët të ruajnë statusin natyral të besnikërisë ndaj shtetit që e ndihmoi për më tepër se  një shekull. Miku i mirë njihet në ditë të vështira. Por gjithashtu, le të edukohemi  që  mendimin e tjetrit (pa bisht)  ta respektojmë si një e drejtë e sanksionuar  në të drejtat e njeriut  dhe rregullat e demokracisë botërore.

*Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Zgjedhjet në Amerikë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • 326
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT