• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VAKSINIMI I POPULLSISË SI DOMOSDOSHMËRI PËR TË SHPËTUAR NJERËZIMIN NGA VIRUSI

December 26, 2020 by dgreca

Dr. Gani Zeka mjek internist në spitalin multidisiplinor Gliwicach në Poloni, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon Poloninë në betejën anti – Covid, situatën e shqiptarëve në Poloni, përpjekjen e shtetit polak për të siguruar vaksinat anti-Covid dhe shpjegon rrezikun e virusit që ka pësuar mutacion në Angli. Me doktor Gani Zekën bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT, Sokol Paja. 

POLONIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE VAKSINIMI

Polonia po i merr të dy vaksinat kundër Covid-19 si Modernan dhe Pfizerin. Shteti polak si fillim do marrë 60 mijë vaksina ndërsa të nevojshme pritet të kemi deri 60 milionë vaksina për krejt popullsinë, gjithçka varet fuqia e kompanive. Në rakordim me BE duhet respektu marrëveshja që kanë bërë shteti dhe auoritetet polake me vendet e unionit. Edhe pse shteti polak privatisht nëpërmjet kontraktorëve synoi privatisht të siguronte doza më të mëdha vaksine seç ka thënë BE në marrëveshjet mes shteteve në raport me numrin e banorëve. Në Poloni shoqëria është shumë e përçarë pasi partia në pushtet ka shkaktuar disa padrejtësi në raport me pjesën tjetër të popullsisë opozitare. Gati gjysma e popullsisë në poloni ka kundërshtuar marrjen e vaksinës anti-Covid. Ka ma shumë optimizëm rreth rëndësisë së vaksinës te popullsia inteligjente dhe e formuar por shumë veta kanë shfaqur mungesë besimi, hezitim dhe kundërshti përsa i përket zgjidhjes së pandemisë nëpërmjet vaksinimit. Qeveria polake është nacionaliste, konservatore dhe kundër emigranteve. Emigrantët i kanë sjellë shumë dobi Polonisë, qasja e qeverisë është e padrejtë. Kjo shoqëri dhe ky shtet ka nevojë për gjak të ri dhe energji të reja. Vaksina kundër Covid-19 është shumë e sigurtë. S’ka anjë efekt anësor dhe do jetë e vetmja rrugë për të shpëtuar njerëzimin nga pandemia globale.  

MUTACIONI I VIRUSIT NË ANGLI

Mutacioni në Angli na detyron menjëherë që të shuajmë burimet e infektimeve. Me mutacionin e pësuar, virusi bëhet edhe më agresiv. Mutacioni në Angli është tepër i rrezikshëm dhe mund të depërtojë kudo dhe ka një aftësi të tmerrshme për tu futur në organizëm të njeriut. Ai sulmon të parën mushëkërinë dhe më pas shkatëron individin. Vaksinat kanë shumë sukses ndaj virusit dhe mutacionit. Nëse nuk ndërhyhet me vaksinim, bota do shkojë në kolaps total. Nëse nuk marrim vaksinën do të shuhet njerëzimi. Vala e tretë dhe e katërt do i ketë mbytur të gjithë njerëzit. Është kohë emergjente. Specialistët e shëndetësisë, intelektualët dhe gazetarët duhet të qëndrojnë larg konspiracioneve, larg dyzimeve, larg idjotësive por të inkurajojnë publikisht vaksinim të menjëhershëm të popullsisë. Vetëm vaksina na shpëton. Nuk duhen dëgjuar skeptikët dhe konspiracionistët, nuk duhet dizinformuar publiku por duhemi vaksinuar komplet si popullsi globale, sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet të dalim nga primitivizmi dhe injoranca. Duhët të mos manipulojmë por ti nxisim dhe ti sqarojmë njerëzit që ta marrin këtë vaksinë. Çdo person që refuzon vaksinimin është një bombë me sahat në shoqëri. Ky i pa vaksinuar nëse infektohet rrezikon veten e tij, rrethin e vet të ngushtë dhe krejt shoqërinë. Vaksinimi duhet të jetë i detyrueshëm për çdo njeri, deri në masën e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, duke vënë kufizime si: mosdalje jashtë shtetit, kufizime në shërbime të ndryshme me qëllim që çdo njeri të kuptojë rëndësinë e vaksinimit në mënyrë që të shpëtojë veten dhe shoqërinë.

SHQIPTARËT Ë POLONI

Përgjatë gjithë periudhës së pandemisë të gjithë bashkëkombasve të mi shqiptarë u jam gjendur pranë me ndjekje klinike, këshilla të vazhdueshme, dhe ilaçe. Shqiptarët në Poloni kryesisht gjenden më shumë në qyetet Varshavë, Krakovë, Katovicë, Poznan, Kelc, Vroclav etj. Fatmirësisht me informacionin që disponoj, asnjë shqiptar nuk ka ndërru jetë nga Covidi. Kemi bashkëpunuar shumë si mjekë dhe pacientë për ta kalu këtë rrezik global. Popullsia shqiptare në Poloni është rreth 1 mijë banorë. Secilit për çdo gjë i kam ofruar shërbim të specializuar. Në Poloni ka 4 mjek shqiptarë që i shërbëjnë komunitetit dhe i kam nën kontakt për çdo nevojë. Shqiptarët në Poloni merren me punë të ndryshme, profesionet janë kryesisht inxhinjerë, punonjës shëndetësorë, punëtorë bujqësie e ndërtimi, fusha e restoranteve etj. Jam në bisedime me shtetin polak dhe kam marrë garanci prej autoriteteve për të sjellë 100 mjekë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Presheva, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi për ti sjellë në Poloni për të marrë licencën mjekësore europiane në Poloni. Marrëveshja që po realizojmë me shtetin polak synon marrje në specializim dhe përgatitje për tregun europian të punës. Do jetë një hap i madh për mjekët dhe një arritje e madhe. Shqiptarët kudo ku kanë shkuar kanë sjellë dobi e kanë bërë punë të mira. Shqiptarët do ta gjejnë veten në Poloni dhe nën garancinë e mbështetjen time në Poloni, shqiptarët do bëjnë sukses të madh. 

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Gani Zeka, Sokol Paja, vaksinimi I popullsise

ATDHEU MORAL NË LIBRIN “KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR” NGA VISAR ZHITI

December 25, 2020 by dgreca

Doli libri i ri “Kartela të Realizmit të dënuar”, i shkrimtarit Visar Zhiti, botim i shtëpisë botuese UEGEN. një ese, një studim i gjerë mbi 400 faqe, sprovë letrare për “letërsinë tjetër”, atë që doli nga burgjet dhe internimet duke u bërë pjesë integrale e gjithë letërsisë shqipe.

 Në këtë kohë krizash të kujtesës kolektive dhe moralit shtetëror, të mbivendosjes së një diktature tjetër, dhe asaj të pandemisë së Covid-19 dhe trazirave si pasojë e tij dhe e politikës, duke përftuar dhe një si shtetrrethim absurd, dalja e librit të ri të Visar Zhitit është si një apel për t’u kthyer te kujtesa  dhe vlerat e përbashkëta, për të ndrequr ndërgjegjen e përbashkët e për të njohur përgjegjesitë për të ngritur një të tashme normale dhe një të ardhme më të mire.

Ndërkaq vepra më e re e Visar Zhitit është njohje dhe kritikë, një pasqyrë e zhvillimeve në jetën social-kulturore në vend, e kontradiktave dhe qendrimeve, e dhunës shtetërore dhe e qëndresës, e kundërshtisë së një pjesë me rëndësi e njerëzve të letrave, që përbëjnë vlera dhe universalizim të tyre.

Koha që ngërthen libri është ajo që nisi mbas Luftës së Dytë Botërore, e entuziazmit të çlrimit të vendit dhe e vendosjes së diktaturës më të ashpër në Europë, pushkatimet dhe të njerëzve të letrave, gazetarë, poetë, klerikë, etj, të vendosjes së Realizmit Socialist dhe deri në rënien e diktaturës, ndryshimet e mëdha që ndodhën, duke i hapur rrugën një letërsie të lirë e në vazhdim.

Mes zhvillimeve dramatike, mes luftës, pushtimeve, ku më i rëndi u bë pushtimi nga vetvetja, ku krahas murtajës ideologjike sunduese, u shfaqën dhe epitemidë, madje ndjehet dhe kjo e tanishmja në vepër, shqiptarët qëndruan, kundërshtuan, madje bënë dhe art. 

Siç e thotë dhe titulli i këtij libri, ai është ndërtuar me kartela autorësh dhe veprash, të atyre që bënë “letërsinë tjetër”, sfiduese, jo të Realizmit Socialist, të cilët u goditën dhe u dënuan. U dënuan autorë dhe vepra, madje dhe lexuesi i tyre. Për herë të parë ato dëshmohen kaq gjerësisht dhe së bashku të përmbledhura në një vepër të vetme, në vetë të parë.

Ashtu si studiues të tjerë e kritikë letrarë, edhe Visar Zhiti është marrë me këtë çështje, me këtë letërsi, menjëherë pas ndryshimeve në vitet ’90, duke u bërë dhe vetë një nga autorët thelbësorë e saj.

Eseja e tij e dikurshme, “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, e cila ndikoi në mendimin kritik edhe në letrat në Kosovë si pjesë e letërsisë së përbashkët shqipe, tashmë është në brendësinë e këtij libri të ri, e rrëfimit përsiatës të asaj letërsie që ka dalë nga nëndheu, duke sjellë të vërtetat e munguara dhe ka prirë moralisht në të gjithë kulturën bashkëkohore aktuale, duke ndriçuar të kaluarën dhe paraprirë të ardhmen.

Natyrisht mes një pritshmërie tronditëse dhe habisë së bukur që paskësh ekzistuar dhe një letërsi e tillë, mes keqkuptimeve, sprapsjeve dhe debateve, përçmimeve dhe vlerësimeve më të larta, sidomos nga krtika e huaj, të harresave të qëllimta në vend si kurrkund në letërsi të tjera, si dhe revanshit të hovëzuar, etj, dukuri këto të cilat ngërthehen në librin e ri të Visar Zhitit, me ndërgjegjen e krijuesit dhe profesionalizmin e edukatorit, me ato emocione që të jep një vepër arti. 

Sipas studimit të Visar Zhitit, Realizmi Socialist mbulonte realitetin socialist duke u bërë një mashtrim i madh, tashmë i tejkaluar dhe në fakt mbetet se ka qenë zhvilluar një Letërsi e Realizmit të Dënuar, metoda me emrin më sinjifikativ që propozon Zhiti, unikale, e ushtruar në Shqipëri, ku ndonjë studiues pararendës ka dalluar, siç dallohen rrymat apo manifestey letrare, shkollat apo grupimet dhe atë të “Shkrimtarëve të Spaçit”, pra të autorëve të burgosur. 

“Realizmi i dënuar” përmbledh “të gjitha letërsitë tona”, të përjashtuarat dikur dhe jo, nga ajo e dheut amë, në Shqipëri, në Kosovë e Mal të Zi, në një pjesë të Maqedonisë së Veriut, por e Jugut për ne, e asaj në Çamëri e pse jo dhe prurjet e të ikurve në diasporë, në Europë e SHBA. 

Visar Zhiti ka hartuar listat më tronditëse, pabesueshëm aq të gjata për një popull të vogël, me emrat e autorëve të pushkatuar, të burgosur e të internuar, si personazhet e një drame epokale. 

Redaktori i librit është botuesi i tij, drejtori i “Uegen”-it, historiani, studiuesi dhe shkrimtari, Xhevai Lleshi. Në kopertinën e librit, ku është vendosur një pikturë impresioniste e Atjon V. Zhitit, në atë të mbramen, shkruhet:      

“Kartelat e Realizmit të Dënuar janë si copëza të nxehta kohësh, shqetësime dhe ide për letërsinë e sotme shqipe, për atë që mungoi dhe realitetet e saj, kur ishte e dënuar bashkë me autorët dhe lexuesit nga regjimi diktatorial, sepse kishte në botë një perandori komuniste dhe një realizëm socialist të dhunshëm.

Shkrimtari Visar Zhiti sjell dramën e madhe të letrave shqipe në gjerësinë e tyre si në një fushë beteje, ku ngërthehen informacioni tronditës, rrëfimi çertifikues dhe polemika e guximshme, ndërkohë dhe apeli për njohjen e asaj letërsie dhe për qendrime të drejta. 

Ky studim, me bazë dhimbjen, të vërtetat dhe bukurinë, vlen për të gjithë, sidomos për brezin e ri, i shkruar si me sinopset e një romani të madh.”

Libri doli në kohën e duhur, në zgrip, si një përballje dhe përballim të gjendjes së rëndë, si një sfidë dhe shpresë në vazhdim të rikrijimit, sipas Visar Zhitit,  të Atdheut tonë moral.

              “Botuesi” 

FILLIMI DHE MBARIMI NË LIBËR: Pllaka të kujtesës dhe thasë…

Duke u endur rrugëve të qyteteve të tjera, mund të jesh i huaj,  pelegrin a vizitor, ndoshta në kërkim të ndonjë muzeu a librarie tjetër, teatri a po shëtit i shkujdesur, ndodh të shohësh ca pllaka të vogla mermeri mureve, përanash portave, po dhe mbi rrugën, ku ti po ecën, në të cilat shkruhen se aty ka banuar një njeri i shquar, shkrimtar, shkencëtar, udhëheqës apo pikërisht aty është shkruar një vepër e madhe, që ka bërë epokë. Ndodh të gjesh dhe vargje nën këmbë, ti po shkel mbi poezinë si mbi ngazëllime. Dhe kujtohesh se ke lexuar për këtë emër të gdhëndur aty, ke libra të tij, ndalesh për pak çaste. Mes njerëzve i lutesh atij që ndodhet më pranë që të të shkrepë aparatin tënd fotografik ose me celularin tend bën një selfie. Dhe futesh në atë shtëpi, të kap një emocion i bukur, i përthellët, dëshiron të biesh në mendime. Ku je kështu, në ndonjë panteon? Mua më kap një si dhembje, më nëpërmendet padashur panteoni i nëndheshëm i atdheut tim, sipër muret e qyteteve me pllaka të rralla të atilla, ku përkujtoheshin më shumë atentate dhe aksione guerilsash, vrasje historike a histori të vrarë. Dhe emrat e rrugëve pothuajse kështu Po filluan të bëhen muzeumet e kujtesës në posdiktaturë, së fundmi, ja BunkArti 1, BunkArti 2, “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e… Po këto tregojnë diktaturën, forcën e saj, sofistikimet, po muzeumet e qëndresës, burgjet, kampet, qoftë dhe një shtëpi e thjeshtë ku jetonin ashtu ngushtë e dëgjonin fshehurazi stacionet e huaja në radio, lexonin libra të ndaluar, etj, etj. Po studio shkrimtarësh, ku janë shkruar veprat, të cilat studiohen nëpër shkolla? Vërtet ku janë vendet e letërsisë shqipe? Vetëm në kryeqytet? Vetëm letërsi zyrtare, po nga ajo e ndaluara, që triumfoi mbi diktaturën? Po katet e tjerë të kujtesës dhe rradhët e nëndheshëm të ferrit? Natyrisht që s’janë skrivanitë e poltronat ato që vendosin, por vlerat e fletëve të shkruara, dhe nga ato të burgjeve dhe internimeve. Po ku janë?. Arkivave? Vetëm ato që konfiskoi shteti? Ç’përkujdes tregohet për librin dhe për ata që do ta lexojnë? Kur Bibliotekën Kombëtare së fundmi një herë e dogji zjarri dhe një vit më pas u përmbyt nga ujrat? Të paktën të kishin ndodhur njëherësh, që uji të shuante zjarrin, por ndonjë media shkruante se s’pati ndonjë dëm të madh, u dëmtuan vetëm librat e pas viteve ’90, pra ata të pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, thënë troç që letërsia e Realizmit Socialist është e padëmtuar, kurse të tjerat, në rrënojat e panteonit të tyre te nëndheshëm. Aty t’i lëmë thasët? Cilët thasë? Të burgut… Pikërisht në thasë të vjetër, të arnuar, me njolla dheu e gjaku, ku të dënuarit dikur… ou, na çove  larg, në rendin skllavopronar, jo, jo, është pothuajse tani, janë gjallë shumë nga ata ish të burgosur, që në ato thasë, ku mbanin veshje të tyre, që mund t’u kishin mbetur edhe prej të vrarëve, mes gjërave që haheshin, që i ruanin për ndonjë ditë urie edhe më të keqe, futnin copa letre, fletore e blloqe të shkruara, të tyret, të ndonjë bashkëvuajtësi, ia ruanin, e kishin amanet, ndonjëherë pa e ditur se të kujt ishin ato shkrime, që mezi lexoheshin, qenë ronitur, edhe minjtë kishin brejtur ç’kishin mundur, censura e tyre parake a e mëpastajme, e brendshme, njëlloj ishte, aq më mirë, se policia, po t’i kapte, s’do të kuptonin dhe aq censorët e shtetit. Po të burgosurit dinin si t’i fshihnin shkrimet… Ishte e pabesueshme, ndoshta dhe nga vetë ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme, nga ajo e  përvuajtura, e ndershmja, e shpëtuar nga kontrollet shfarosëse, nga djegiet, nga realizmi socialist. Dhe s’ka gjë që në arkivat a bibliotekat tona, nëpër muzeume ende s’ka një thes të tillë dhe as fletë me njolla dheu e gjaku përsipër së shkruarës. Gjithsesi ata thasë janë si shakujt mitikë të Eolit, plot tufane për letërsinë shqiptare. 

REALIZMI I DËNUAR  

Kartela e fundit

Sipas meje, është metoda letrare e një realiteti të dënuar, që dha letërsi:   

1- nën diktaturë, burgjeve dhe internimeve dhe jo vetëm, fshehtazi, nga grupi i shkrimtarëve të burgut, një pjese e të cilëve u pushkatua apo vdiq burgjeve dhe të sivëllezërve të tyre. 

2- në kushtet e lirisë si vazhdim nga grupi i shkrimtarëve të dënuar dhe jo vetëm, duke u zgjeruar me vokacion atë të vërtetë, të realitetit të dënuar dhe moralin që duhet të ketë përshtatshëm letërsia.

3- Është letërsia që sjell realitetet në kushtet e totalitarizmit, monoideologjizimit, përndjekjet dhe  persekutimet dhe jo vetëm, varfërinë si një tjetër diktaturë, kaosin social dhe korrupsionin shtetëror, zvetënimin shpirtëror, tjetërsimin e individit/personazh, me pikësynim denoncimin e së keqes, përpjekjet për të mbetur njeri, edhe kur është e pamundur, për të krijuar realitete më të mira njerëzore. 

4- Realizmi i dënuar është metoda letrare ekzistenciale e një realiteti të dënuar, që tregon dënimin duke pasqyruar njeriun e dënuar, për të mos qenë njeri i dënuar, që etikat e qëndresës i kthen në estetikë të përvojës letrare, në vlera dhe art si veprim emocionues dhe çlirues i jetës. 

5- Tërësia e realiteteve të jetëve tona shndërrohet në jetë të tjera, në ato të letërsisë, gjithmonë me mjetet e letërsisë dhe siguron atë vazhdimësi të dy jetëve paralele, asaj njerëzore dhe asaj letrare.

6- Çdo përkufizim për metodën e Realizmit të Dënuar është kufizim i lirisë së krijimit, i fantazisë dhe mjeteve të shprehjes së kësaj metode, që bën dhe përbën vetveten, letërsinë si e tillë.

Sidoqoftë çështja mbetet e hapur. Mbase letërsia shqipe është ajo që nxori prej dënimeve të saj, më mirë se gjetiu, Realizmin e Dënuar.

Filed Under: Politike Tagged With: Kartela te Realizmit te Denuar, Visar Zhiti

PIRAMIDAT

December 24, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

YouTube mbart një mori filmash historikë. Vëmendje këto ditë ka tërhequr një film dokumentar (3 orë e 30 min.) që flet mbi mënyrën se si u ndërtuan Piramidat e Mëdha të Egjiptit. Filmi ka për drejtor dhe skenarist një shqiptar me banim në Francës, Fehmi Krasniqin, diplomuar në universitetin Lumiere të Lyonit.
“The Great Piramid K-2019”, titullohet kështu sepse lëshimi i filmit shtator 2019 në kinematë e Francës hapi një mënyrë të re në të menduarit, duke hedhur dritë mbi një pikë referimi kritike të historisë.
Dokumentari, tani anglisht, edhe ne YouTube, hedh poshtë teoritë e egjiptologëve që Piramidat e Mëdha u ndërtuan nga skllevër të panumërt që tërhiqnin gurë gjigantë nga larg dhe i grumbullonin ato përmes një sistemi shinash dhe vinçash primitivë. Metodat e prerjes dhe ngritjes së gurëve, secili me peshë qindra tonë, do ta bënte këtë detyrë të pamundur. Për më tepër, thonë egjiptologët, gurët merreshin përtej lumit Nil. Por asnjë anije e asaj kohe nuk mund të mbante një gur kaq të rëndë pa u fundosur. Krasniqi hedh poshtë edhe teoritë mbi një civilizim të humbur ose qenie superiore jashtëtokësore si kryesisht ose plotësisht përgjegjëse për ndërtimin e Piramidave; dhe sjell teorinë e tij se egjiptianët e lashtë i ndërtuan piramidat ashtu si gjeneratat pasardhëse do të ndërtonin tempujt, katedralet, rrokaqiejt dhe shtëpitë e tyre; jo duke prerë dhe ngritur gurët e gjetur në Natyrë, por duke përdorur gurë artificialë, emërtimi i përgjithshëm i të cilit është “betoni”. Ishin egjiptianët e lashtë ata që filluan përdorimin e betonit në ndërtim, dhe ishin ata që zbuluan ose shpikën shkencën (shkencat) që bënë të mundur ndërtimin e piramidave – argumentohet në filmin e Fehmi Krasniqit.
Çdo vit lumi Nil do të derdhej, duke përmbytur fermat në brigjet e tij dhe të gjitha zonat e afërta të ulëta. Egjiptianët evakuoheshin në kodra dhe prisnin që ujërat të tërhiqeshin, gjë që zgjaste katër muaj. Krasniqi thotë se ata e përdorën këtë kohë për të vëzhguar, soditur dhe llogaritur; dhe për të ndërtuar piramida. Përmbytja do të fshinte të gjitha pikat e referimit që përcaktonin pronat e tyre ose çfarë pjese i përkiste secilit fermer. Egjiptianët u detyruan kështu të shpiknin një sistem matjeje. Ata shpikën sistemin metrik bazuar në një pikë uji që është gjithmonë një centimetër. Njëqind centimetra bëjnë një metër. Ata gjithashtu shpikën gjeometrinë, format e ndryshme të saj, katrorët, drejtkëndëshat, paralelogramet, kubet, qarqet, nocionet e rrënjëve pi dhe katrore, dhe koncepte të tjera mendore që lejojnë matje më komplekse.
Në kohën kur u ndërtuan piramidat, njohuritë e egjiptianëve për matematikën kishin arritur një shkallë të tillë sofistikimi që ata planifikuan dhe shkuan rreth ndërtimit të piramidës, shtresë mbi shtresë, jashtë dhe brenda, me një precizitet të habitshëm.
Filmi paraqet në forma të animuara, se si punëtorët e piramidës përdorën energjinë diellore të përqendruar përmes një lupe në një rreze si lazeri për të copëtuar dhe shkrirë gurin gëlqeror dhe granitin që ata mund ta transportonin në distanca më lehtë dhe ta derdhnin në kallëpe. Ishte ky përdorim i teknologjisë së energjisë diellore, së bashku me përparimet në fusha të tjera, që i dha mundësi Egjiptianëve të mbaronin piramidat në një kohë relativisht të shkurtër, duke pasur parasysh që punëtorët e piramidave funksiononin vetëm katër muaj të vitit, gjatësia e kohës që brigjet dhe luginat e Nilit përmbyteshin.
Kishte kohë që ishte zbuluar se rrezja e diellit përmes një lupe mund të ndizte një zjarr. Nëse nuk janë gjetur relikte të thjerrëzave zmadhuese të përdorura, nuk do të thotë se nuk kanë egzistuar – mund të jenë fshehur me kujdes për të parandaluar rënien e tyre në duar të rrezikshme – ato mund të gjenden herët a vonë nga njerëz që dinë se çfarë kërkojnë, thotë drejtori dhe skenaristi Fehmi Krasniqi.

Filed Under: Politike Tagged With: astrit

Monumentalizimi i Mbretit Zog

December 23, 2020 by dgreca

Me rastin e 96 vjetorit të “Triumfit të Legalitetit”/

*Nga Ekrem Spahiu/

Tetë vjet më parë, më 24 dhjetor 2012, në Kryeqytetin e vendit, u vendos monumenti i Mbretit Zog, pikërisht në Bulevardin që mban emrin e tij, duke monumentalizuar kështu një datë shumë të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar: rivendosjen e legjitimitetit që është themelore për një shtet të qëndrueshëm.

Në Shqipëri dhe trevat shqiptare, në sheshe, bulevarde, institucione, shkolla, etj, ku është monumentalizuar historia kombëtare, kombi shqiptar përulet për të nderuar Skënderbeun, Ismail Qemalin, Mbretin Zog dhe figura të tjera që e bënë këtë histori.      

Sigurisht, ajo çfarë ata lanë pas, është vepra e tyre kombëtare. Gjithsesi, monumentet na e mbajnë gjallë kujtesën, sepse një popull që nuk mban gjallë të kaluarën, rrezikon edhe të ardhmen.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është guri i parë i themelit të Shqipërisë, heroi i shqiptarëve dhe po aq edhe kalorësi mbrojtës i Europës. Ai personifikon një epokë të lavdishme të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe të lirisë. Duke monumentalizuar Skënderbeun, kombi ynë takon heroin kombëtar, në të cilin janë mishëruar aspiratat e vlerat më të spikatura të tij dhe për këtë arsye, bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.

Ismail Qemali, me aktin themelues të Pavarësisë së Shqipërisë, ndryshoi historinë politike të popullit shqiptar, duke ndikuar në riformatimin gjeopolitik të Ballkanit në përgjithësi. I ardhur nga një derë fisnike kombëtare, me kulturë shtetari të fituar në një perandori që ishte superfuqi pesëqindvjeçare, Ismail Qemali i priu kohës dhe koha e përjetësoi në rrënjët e kombit, në historinë monumentale të tij dhe në monumentet e ngritura për të.  

Për të ardhur më afër në kohë, Mbreti Zog u bë një figurë madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor ai do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të potencialeve të vendit. I gjithë korpusi i legjislacionit shqiptar i ndërtuar nën kujdesin e tij,  shënoi shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientoi zhvillimin e Shqipërisë për nga modelet europiane dhe potencialet demokratike.

Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve, u thirr dhe iu përkushtua Shqipërisë në të gjitha momentet vendimtare historike të saj, duke filluar që nga shpallja e Pavarësisë dhe gjatë gjithë jetës së tij, të cilën e lidhi plotësisht me fatet e kombit.

Shteti i ndërtuar nga Mbreti Zog, e bëri krenar shqiptarin, të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës.

Sot, shqiptarët në të gjitha trojet kombëtare, gjithnjë e më shumë po i evokojnë vlerat, kontributet dhe arritjet e Mbretërisë Shqiptare. Ajo zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një trashëgimi të pashlyeshme e cila, në shumë drejtime, është e paarritshme edhe sot.

Në njohje dhe vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së tij historike e kombëtare, me 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, shteti Shqiptar me një ceremoni dinjitoze dhe madhështore ktheu eshtrat e Mbretit Zog në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë, duke përmbushur kështu një detyrim historik, patriotik, moral dhe human.

Ky akt përbënte rivendosjen në vend të historisë, jo vetëm ndaj një personi sikurse ishte Ahmet Zogu, por ndaj një epoke që mori emrin e tij e që lidhet me shtetformimin e Shqipërisë. Rivarrimi i tij pikërisht aty ku partizanët komunist hodhën në erë varrin e Nënës Mbretëreshë, përbënte njëherësh riafirmimin e mirënjohjes dhe humanizmit si vlera të patjetërsueshme kombëtare të shqiptarëve.  

Sot është 96 vjetori i “Triumfit të Legalitetit”. Ahmet Zogu me karizmën e tij, me orientimin e qartë perëndimor, me dashurinë për kombin shqiptar, rivendosi shtetin ligjor, rendin dhe sigurinë më 24 dhjetor 1924, duke i rikthyer legjitimitetin qeverisë së atëhershme të dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit të vitit 1923. Me këtë vepër, ai shpëtoi Shqipërinë nga zhvillime që mund ta humbisnin atë në vorbullat e turbullta dhe retë e zeza midis dy luftërave botërore.  

Në vlerësim të kësaj date të rëndësishme historike dhe për ta bërë të plotë kuadrin jubilar të një shekulli me shtet kombëtar shqiptar, më 24 dhjetor 2012, në Bulevardin “Zogu I” u vendos monumenti i Ahmet Zogut si protagonisti kryesor i “Triumfit të Legalitetit”.

Me veprën e tij, Mbreti Zog lidhi historinë dhe veprën e Skënderbeut e të Ismail Qemalit për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar e shtetëror të shqiptarëve. Prandaj, monumentalizimi i tyre, ashtu si edhe i figurave të tjera që bënë historinë kombëtare, është në nderin, vullnetin dhe kulturën e kombit shqiptar, për të përjetësuar historinë, sepse një popull pa memorie, është një popull pa kujtesë dhe pa histori.

*ish-deputet & kryetar i PLL     

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu, i Mbretit Zog, Monumentalizimi

Kriset dialogu me Serbinë, minishengeni ballkanik thembra e Akilit për Kosovën

December 22, 2020 by dgreca

Nga Eneida Jaçaj/ Po ndodh ajo që fatkeqësisht me shumë gjasa pritej! Dialogu Kosovë-Serbi, i iniciuar në Uashington më 4 shtator, dhe i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, parimisht shpresohej se do të sillte paqe dhe normalizim mes dy vendeve, duke i hapur dritën jeshile bashkëpunimit ekonomik. Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve të SHBA dhe BE për të vendosur ura bashkëpunimi mes dy shteteve, diaologu është parë edhe me hije dyshimi, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën. SHBA-BE menduan t’i drejtojnë vendet drejt një marrëveshjeje ekonomike, e cila më pas mund të konkretizohej edhe me njohjen e Kosovës, nga Serbia. 

Por, gjatë këtyre ditëve ka patur përplasje deklaratash mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje pa njohje reciproke, ndërsa kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, i është përgjigjur se, sa të jetë ai në qeverisje nuk do e njohë Kosovën. Këto përplasje në distancë dëshmojnë se dialogu Kosovë-Serbi po kriset dhe nuk do të ketë të ardhme. Situata është acaruar fill pas akuzave ndaj luftëtarëve të UÇK për krime njerëzore. Por ajo çka është më e rëndësishmja për t’u theksuar në gjithë këtë kakofoni mendimesh e qëndrimesh është minishengeni ballkanik, që mbetet të jetë thembra e Akilit për Kosovën. Krerët më të lartë të shtetit kosovar po kërkojnë me çdo kusht njohjen e Kosovës nga Serbia, në një kohë kur ende qëndron në këmbë projekti për minishengenin ballkanik. Pse i druhet Kosova minishengenit ballkanik dhe pse lidhet kaq ngushtë njohja e Kosovës me ketë projekt?

Minishengeni ballkanik

Liderët e Kosovës po këmbëngulin që dialogu me Serbinë që të ketë ecuri, duke realizuar të gjitha pikat e marrëveshjes, duhet që Serbia të njohë me patjetër pavarësinë e Kosovës. Përpos faktit që Kosova është në të drejtën e saj, në fakt në këtë rast i intereson njohja e Kosovës nga Serbia, pasi lidhet direkt me minishengenin ballkanik. 

Kujtojmë se në vitin 2019, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut arritën në Ohër një marrëveshje për projektin e minishengenit ballkanik, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal meqenëse Bashkimi Europian po vonon integrimin. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje mes vendeve të rajonit, u la në hije, pasi Serbia por edhe Bosnja-Hervegovina nuk e njohin Kosovën, dhe nuk mund të ketë projekt kur shtetet janë në konflikt me njëri-tjetrin. 

Kryeministri Abdullah Hoti por edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi, e kanë kundërshtuar këtë projekt, me argumentin se do të risjellë minijugosllavinë, pasi Serbia e ka tregun më të zhvilluar dhe do të kontrollojë tregjet e vendeve të tjera të rajonit. Por kjo është një deklaratë që bëhet në kushtet kur Serbia nuk po e njeh Kosovën, dhe kjo e fundit nuk mund të bëhet pjesë e projektit, me të drejta të barabarta në aspektin e bashkëpunimiyt ekonomik rajonal. Pra, me pak fjalë, Kosova dëshiron të bëhet pjesë e këtij plani, por së pari duhet të njihet nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Këtë e ka konfirmuar vetë Hashim Thacci, se Kosova është e gatshme të bëhet pjesë e projektit, por fillimisht duhet njohja nga Serbia. Dhe kjo është arsyeja përse po këmbëngulet për njohjen e Kosovës, pavarësisht akuzave tensionuese ndaj projektit nga liderët e Kosovës. Kryeministri Edi Rama e vlerëson si projekt, por ka mbetur në udhëkryq pasi nëse nuk përfshihet edhe Kosova, do të bëjë figurë të keqe para shqiptarëve të Kosovës. Nga ana tjetër, Vuçiç pati deklaruar se Rama nuk është gati, pasi ndihet në presion nga liderët e Kosovës. Sigurisht që Serbisë i intereson zbatimi i këtij projekti pa përfshirjen e Kosovës, duke zhvilluar dhe zgjeruar tregun ekonomik të saj, në raport me tregjet e tjera të rajonit. 

Vjosa Osmani

Minishengeni ka ashpërsuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, dhe kjo u dëshmua edhe me vizitën e Presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, në Tiranë, e cila shkoi për t’i dhënë një shuplakë Ramës. Ajo i kërkoi Ramës miratimin e një rezolute që dënon genocidn serb ndaj popullit të Kosovës. Por kjo kërkesë e saj erdhi si një provokim për të parë sesa i gatshëm është Rama të dalë kundër Serbisë, në një kohë kur ende flitet për marrëveshjen e Ohrit, minishengenin ballkanik, pasi Shqipëria ka miratuar disa rezoluta ndër vite për dënimin e genocidit serb ndaj popullit të Kosovës.  Dhe sigurisht Kosovës nuk i intereson që vendet e tjera të rajonit të bashkëpunojnë ekonomisht, dhe ajo të lihet jashtë. Në këto kushte, ekspertë të çështjeve ekonomike mendojnë se kjo nismë paraqet improvizim politik përderisa Kosova nuk trajtohet aty e barabartë për shkak se nuk njihet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina. Megjithatë do të ishte një projekt shumë pozitiv për rritjen e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë edhe Kosovën. Shpresojmë të ndodhë kështu, megjithëse njohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina duket shumë larg, mbase edhe e pamundur! 

Filed Under: Politike Tagged With: Eneida Jaçaj, Kriset dialogu me Serbine, Minishengeni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 323
  • 324
  • 325
  • 326
  • 327
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT