• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA NGUSHELLON Z.KOLEC NDOJA PER HUMBJEN E NENES

December 21, 2020 by dgreca

Sot, e Hënë 21 dhjetor 2020, në Shkodër, është organizuar ceremonia e varrimit e Mrike Ndoja, nëna e z. Kolec Ndoja, kryetar i degës së Vatrës në Fort Landerdale, Florida dhe anëtar i Këshillit të Vatrës. 

Në faqen e tij të facebook-ut, Kolec Ndoja shkroi:”Eh moj Nane…

Shpirti jot i mire pushofte ne amshim. Mundimet, dashnia dhe bekimi yt (dhe i juaji si prind) na e kane dhane te mbaren ne jete, dashni dhe bekim edhe nder Nipa e Mbesa. 

Kjosh gjithmone e lumnueme mes nesh, si ne Parajse ku je nise, o model i Jetes se Shejtnueme!”

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta e saj DIELLI ngushëllojnë z. Kolec Ndoja me familje për humbjen e nënës së tij të dashur. Ngushëllime familjes Ndoja, Nëna Mrike pushoftë në Paqe!

Filed Under: Politike Tagged With: Mrike Ndoja, nderroi jete

NJË MUZE I RI NË WASHINGTON KUSHTUAR 100-MILIONË VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT NË BOTË

December 19, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qëndër të Washington, e themeluar me një akt të Kongresit, votuar unanimisht, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”.  Ky është misioni i këtij fondacioni me moton e veprimit, “Për të mësuar të Vërtetën – Për të kërkuar Drejtësinë – Për të ruajtur Kujtesën”.

Për pothuaj tre dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’i kujtuar– rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara — krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të bëra në më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur nga komunizmi.  

“Nëqoftëse ne nuk u mësojmë brezave të rinjë të vërtetën historike të 100-milionë viktimave të vrara nga regjimet komuniste gjatë shekullit të kaluar, atëherë ne nuk duhet të habitemi ndaj gatishmërisë së tyre për të përqafuar idetë marksiste”, pasi nuk e njohin, shprehet Marion Smith, Drejtori i Përgjithëshëm i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington.

pastedGraphic.png

           Memoriali në Washington, kushtuar Viktimave të Komunizmit botëror 

Në vitin 2007, Fondacioni ngriti statujën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit në cep të rrugëve të New Jersey dhe Massachusetts Avenues, pranë selisë së Fondacionit Përkujtimor në Washington, jo larg nga ndërtesa e Kongresit amerikan dhe afër stacionit kryesor të trenave në kryeqytetin amerikan, si një kujtesë e përhershme për viktimat e komunizmit botëror, për të gjithë vizitorët dhe ata që kalojnë asajt çdo ditë.  

Mirëpo, Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, në frymën e misionit që i ka caktuar vetes ç’prej themelimit të tij — “Për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”, por edhe për të promovuar lirinë për ata popuj që ende jetojnë nën regjime komuniste — ka vendosur që në vitin 2021 të hedhë një hap tjetër edhe më të rëndësishëm, për të hapë Muzeun e Viktimave të Komunizmit mu në qendër të Washingtonit, në rrugën 15-të në veri-perendim të Sheshit të njohur McPherson.  “Washington Business Journal” njofton në një artikull të gjatë botuar javën që kaloi — hapjen e muzeut më të ri privat në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, atë kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë, dhe botoi edhe fotografinë e ndërtesës (më poshtë ku do të vendoset muzeu.

pastedGraphic_1.png

Muzeu i ardhëshëm në Washington kushtuar Viktimave të Komunizmit në botë do të hapet vitin që vjen në këtë adresë: 900 15th St. NW, karshi Sheshit të njohur McPherson.

Z. Marion Smith, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, u shpreh për “Washington Business Journal” se hapja e një Muzeu në Kujtim të Viktimave të Komunizmit botëror në Washington DC ka qenë një objektiv për një kohë të gjatë i fondacionit që ai drejton.  Muzeu, sipas tij, do jetë i pasuruar me ekspozita të përhershme dhe të përkohëshme dhe do të tregojë shumë histori tragjike nga nja 40-vende që janë sunduar nga diktatura komuniste një-partiake, gjatë 100-viteve të kaluar.   

Ndërkaq, Fondacioni i Kujtesës organizon programe, takime eduktaive dhe fushata mediatike që kanë të bëjnë me pasojat e komunizmit në botë dhe çdo vit shpërndanë çmime dhe dekoratën e prestigjoze të “Lirisë Truman-Reagan”, atyre që, “kanë vu në dukje due që kanë punuar dhe që kanë treguar një angazhim të gjatë në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë duke kundërshtuar ideolgjinë komuniste”, ndërkohë që fondacioni gjithnjë mbështet aktivitetet anti-komuniste në Kinë dhe në Amerikën Latine.  Siç thashë edhe më lartë, misioni i Fondacionit të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit në botë është themeluar për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit dhe për të promovuar lirinë për ata popuj të cilët ende jetojnë nën regjime komuniste. Fondacioni i Kujtesës së Viktimave të komunizmit shprehet se këtë detyrë e konsideron si një detyrim solemn të vetin për t’i ekspozuar gënjeshtrat e komunizmit, të gjithë atyre që thonë se janë të gatëshëm që, pse jo, kolektivizimit dhe komunizmit si ideologji, t’i jepet edhe një mundësi tjetër veprimi, që të provohet edhe njëherë.

Brezat e rinj, sipas Fondacionit amerikan të Kujtesës së Viktimave të Komunizmit duhet të ballafaqohen me realitetin e marksizmit, në praktikë. Thekësohet se  socializmi nuk është një filozofi e mirë njerëzore due se socializmi marksist është ideologjia më vdekjeprurëse në histori. Në shekullin e 21-të, ne kemi një mundësi të mësojmë nga krimet e komunizmit gjatë shekullit 20-të dhe të ri-dedikojmë shoqërinë tonë të lirë, të bazuar në lirinë individuale, në tregëtinë e lirë, në shtetin e së drejtës, në vetëqeverisjen demokratike dhe në mbrojtje dhe respektin e të drejtave të njeriut.  Në çfarë lloj bote duam të jetojmë, në shekullin 21 — një botë e përcaktuar nga kolektivizmi e komunizmi, apo nga liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut?  

Siç duket, me ndërtimin e një muzeu të ri — në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe të botës së lirë në përgjithësi, në kujtesë të përherëshme të viktimave të komunizmit në botë — Fondacioni (Amerikan) i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit, po përpiqet që të pakën, pjesërisht, t’i përgjigjet pyetjes se në çfarë bote duam të jetojmë në këtë shekull – nën komunizëm apo në liri.

                  pastedGraphic_2.pngPresidenti George W.Bush duke folur me rastin e dedikimit të Memorialit të Viktimave të Komunizmit me 12 Qershor, 2007, në Washington

Me atë rast, Presidenti Bush ka thenë se viktimat e komunizmit do t’i kujtojmë përgjithmonë në histori:  “Ne kurrë nuk do t’i dimë emrat e të gjithë atyre që u vranë nga (komunizmi), por në këtë vend të shenjtë, viktimat e panjohura të komunizmit do të shenjtërohen në histori dhe do të kujtohen përgjithmonë.  Ne e përkushtojmë këtë memorial sepse kemi një detyrim ndaj atyre që vdiqën — të kujtojmë jetën e tyre dhe të nderojmë kujtesën e tyre”.  

Rrezikun nga komunizmi, ish-presidenti George W. Bush e ka krahasuar me kërcënimin e terrorizmit në fillim të këtij shekulli, ndërsa është shprehur se: “Ashtu si komunistët, edhe terroristët dhe radikalët që kanë sulmuar kombin tonë janë pasues të një ideologjie vrasëse që përçmon lirinë, shtyp të gjitha disidencat, ka ambicie ekspansioniste dhe ndjek qëllime totalitare”.

Filed Under: Politike Tagged With: 100 milione viktima, Frank shkreli, Komunizmi, Muze i Washingtonit

Ndjesëkërkesa rilindiste dhe preferimi i budallallëkut ndaj hipokrizisë

December 18, 2020 by dgreca

SHKRUAN:GENC POLLO/

“Unë kam futur për herë të parë kërkesën e faljes nga anëtarët e qeverisë” thoshte  Edi Rama para tre ditësh duke shpjeguar dorëheqjen e Sandër Lleshit. Më bëri përshtypje ky pretendim. Jo për shkak të dëshirës të gjithëpranishme të Ramës që të vendosë precedentë kudo. Mbaj mend  se në vitet intensive si ministër i arsimit i kam kërkuar ndjesë një kategorie maturantësh, të cilët padashje u defavorizuan në një procedurë; por ky ishte një episod gati i humbur në kujtesë të cilin e rrithirra jo për të denoncuar përvetësimet rilindiste (kam shkruar para një muaji për disa raste syresh) por për të vënë në dukje se, bazuar në kujtesën time e në ndihmën e gugllimit, kërkesa e ndjesës nuk duket fort e pranishme në diskursin publik shqiptar përfshi këtu edhe atë të politikanëve të lartë. 

Në këtë periudhë epidemie dhe inaktiviteti relativ gjeta kollaj kohën të hulumtoj mbi pendesën e ndjesën ndërpersonale (në dallim të asaj të njeriut ndaj Zotit), koncepte të pranishme në etosin klasik greko-romak por të zhvilluar thelbësisht në fetë abrahamitike: përzgjodha ndjesën judaike apo teshuvah, e cila mu duk si më e plotë e që përbëhet nga 1) pranoj gojarisht  gabimi tim e  kërkoj ndjesë; 2) shpreh pendesë të sinqertë e vullnetin për të mos përsëritur gabimin; 3) bëj çfarë është e mundur për të korrigjuar gabimin e për të kompensuar a qetësuar personin e lënduar; 4) veproj ndryshe nëse përsëritet e njëjta situatë. Kështu e përkufizon atë Tora e hebrenjve por edhe versionet e mëvonshme në moralin europian po aty rrahin. 

Përkundrejt këtij standarti le të shohim edhe modelin e demonstruar nga qeveria Rama

Para dy muajsh ministri i brendshëm Sandër Lleshaj  i tha një deputeti polemizues  se “polic ke qenë e polic do të mbetesh!” . Me sa duket i ndikuar  nga barcoletat e kohes se Partisë se Punës ku polici, përfaqsues zyrtar por i rëndomtë i pushtetit të frikshëm,  shfaqej përherë si kokëtrashë. Më vonë Lleshaj kërkoi falje! Kujt i kërkoi falje ? Policëve që ndodheshin në drejtimin politik të tij dhe që duhen motivuar e bërë të ndjehen mirë e krenarë për punën e tyre në zbatim të ligjit? Policëve në fytyrën e të cilëve ministri shquante vetveten? Jo tamam! Lleshaj shkruajti  ne facebook se u kërkoj sinqerisht ndjesë atyre që mund të kenë keqkuptuar thelbin e reagimit tim. Atyre ? Po kujt saktë? Tërë popullit ? Apo atyre brenda policisë që janë më të ndjeshëm se të tjerët?

Prirja për të shmangur ndjesëkërkesën ndaj atyre që ke lënduar nuk filloi me Lleshajn. Në prill 2016 në Kuvend, Ditmir Bushati, asokohe ministër i jashtëm, ulur në bankën qeveritare, hedh ujë me shishe mbi deputetët e opozitës që protestonin para foltores. Më pas, po në facebook, kërkon ndjesë. Kujt? Mbase kolegëve që i “vaditi” edhe pse i paprovokuar personalisht prej tyre? Jo tamam! “…jam i keqardhur për reagimin tim instiktiv….kërkoj ndjesë qytetarëve për faktin se nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë…” Tërë pjesa tjetër e postimit, apo gati 95% e tij, flet për farmakun opozitar, Lulzimin që mërzitet nga vetingu, Monikën që saboton integrimin si dhe sinjalizon një sihariq pas dy muajsh lidhur me negociatat me BE; gjithësesi gjëra pa lidhje me temën tonë por informative për kontekstin). 

Por modelin e ndjesës rilindiste më rezulton se e ka dhënë shefi i tyre gjashtë vjet më parë: në mars 2014, po në Kuvend, duke ju drejtuar pas polemikës

një deputeti opozitar, Rama i përsëriti disa herë “o rrotë k…!” Të nesërmen në televizion ai deklaroi se nuk ka arsye që t’i kërkojë falje deputetit por i kërkon ndjesë dy herë shqiptarëve për gjuhën e papërshtatshme (dy herë meqë ishte shef qeverie; për të tjerët mjaftonte vetëm një herë – sqaroi ai). 

Me siguri ka shembuj të tjerë të ngjashëm nga kjo qeveri por edhe këta më lart mjaftojnë për të kuptuar se ndjesëkërkesa e tyre është larg së qeni një akti i denjë moral. Të paktën në përputhje me teshuvah-n e etikës bashkëkohore. Pretendimi se jemi të parët me ndjesën publike gjithashtu duket një ushtrim PiAri ku kjo qeveri investon pa kut e masë. 

Sa më lart nuk është detyrimisht kritikë e rreptë e aq më pak opozitare. Në debatin mbi moralitetin publik duhet të mbajmë parasysh se ata pa mëkate mund të hedhin gurin e parë dhe se shembulli vlen më shumë se predikimi. Por edhe pretendimet e rreme nuk ka arsye pse t’i lemë në qarkullim. 

Mendimtarët politikë të para luftës si Mit’hat Frashëri e Branko Merxhani theksonin pa u lodhur nevojën e shëndoshjes morale të popullit shqiptar. Debati bashkëkohor dëften se kjo shëndoshje kalon mes një udhe të gjatë me të përpjeta e të tatëpjeta; me hapa para por edhe pas. Ku çdo shtysë pozitive lipset të mirëpritet. 

P. S. Ndjesëkërkesa e Blendi Klosit duket si përjashtimi që konfirmon rregullin rilindist dhe është njëkohësisht më simpatikja syresh. Klosi tha në publik se muzika në bare favorizonte infektimin me covid. Ditën tjetër ai e tërhoqi thënien dhe u kërkoi falje muzikantëve (?!?!). Është e vërtetë se pohimi i parë dhe ai i dytë duken se janë në garë për çmimin “Idioti”. Po për këtë rast Klosit mund t’i thuash budalla por jo hipokrit. 

 Genc Pollo
Ish ministër e deputet – 18 dhjetor 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, Ndjesëkërkesa rilindiste

Krimi i shëmtuar, turpi i radhës

December 16, 2020 by dgreca

Nga Alfons GRISHAJ/

Nga Alfons Grishaj/

Askund në botë nuk kisha dëgjuar, që pas vrasjes nga dora kriminale e autoriteteve shtetërore, të dalë një vendim i turpshëm deri në çnderim, për shpërblimin (dhe jo dëmshpërblimin) e tetëfishtë të vrasjes si në rastin e të riut Klodian Rasha. Vendimi i Kokëministrit Ramëzi, është një tallje e hapur për të ndjerin Rasha, familjen e tij dhe mbarë opinionin publik. Kësaj tallje i bashkangjitet dhe frymëzimi degjenerativ i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, për vendosjen e emrit të rrugës ku u vra “viktima”. Të gjithë ata që ndjekin sjelljen dhe zakonet e kafshëve të egra, duhet ta kenë vënë re luanin që pas viktimizimit të këlyshit tij nga kafshët e tjera… ai e lëpin vogëlushin e vet, e më pas, e ha me kënaqësi. Dhe Kokëministri pasi e sheh qytetarin e tij të viktimizuar nga kafshëria e policisë kriminale, e vë në pjatë përpara… e lëpin me pensione dhe me tomahokun e kanibalit gozhdon një pllakatë përkujtimore në rrugë me emrin e të vrarit: “Rruga Klodian Rasha, vdekur aksidentalisht”, sepse për qeverinë, Rasha nuk është vrarë, thjesht ka vdekur nga një shkak rastësor! 

Nuk e di nëse mund të ketë turp dhe tallje më të madhe se kjo? Ministri i Ramëziut pat deklarur se “fytyra e policit jemi ne. Çfarë të bëjnë policët, ata jemi ne!”. Ky është një sinqeritet sadist. Duke justifikuar, nga njëra anë, sistematikisht dhunën policore të ushtruar politikisht në shkelje të ligjit, Lleshi nuk bëri asnjë veprim për të frenuar radikalizimin e ndërsimit politik të policisë, duke ikur, si rrjedhojë, nga sfera e lartë e pushtetit me fytyrën e parapërkufizuar prej vetë tij. Prandaj dhe çka ka ndodhur nuk ka qenë aspak e papritur. Këtu qendron edhe thelbi i protestave qytetare që po zhvillohen sot në sheshet kryesore të vendit, pavarësisht se propaganda qeveritare, i ka trajtuar ato si akte të dhunshme e vandalizma, jo se e ha meraku për koston e xhamave të thyer dhe dekorit festiv të djegur. Jo! Ato dëme nuk përbëjnë as një të një miliontën që ka shkaktuar e shkakton korrupsioni qeveritar. Synimi i vetëm i qeverisë, në situatën e krijuar është që të ulë shpirtin e revoltës të të rinjve dhe adoloshentëve, të cilët e shohin atë si shkaktarin e drejtpërdrejtë të gjendjes së tyre ekonomike e sociale.

Rama i di këto dhe përpiqet që përveçse tek propaganda, tashmë hapur bajate, të kapet edhe pas akteve të kushtëzuara nga situata, siç është “dorëheqja e Lleshit”, një akt që nuk është lexuar njësoj nga të gjithë. Disa e përshëndetën largimin e Ministrit të Brendshëm si akt qytetar! Hëm!!! Më  kanë çuditur dhe disa nga miqtë e mi që kanë rënë në këtë shkarje. Kriminelët  gjithnjë e ndjejnë rrezikun në kufirin e derdhjes kupës. Ata nuhasin sfidën e ndëshkimit. Ata që sakrifikohen janë kriminelët budallenj, të zgjuarit tërhiqen konform një standarti shpëlarës. Historinë kriminale politike e ka portretizuar me kohë tipin e politikanit që “zbythet” me një lloj “reflektimi” në çastin e zbritjes nga kolltuku, apo kur fundi i pakthyeshëm është tek pragu. Apologjia e pasinqertë shfaqet në forma të ndryshme, deri në “bamirësi e sakrifica”, siç ndodh dhe me Ramëziun dhe Kimikal Lleshin. 

Në një takim pune në Michigan me Ambasadorin e Vatikanit në Shqipëri, Charles John Brown, i cili ishte ftuar nga Vatra e Michiganit,  në  praninë e Dr. Pashko Camaj dhe Mondi Rakaj, ai shprehu një opinion pozitiv për (tashmë) ish ministrin: “Gjeneral Sandër Lleshi vjen shpesh tek  unë… nuk më duket si të tjerët etj…”. Meqë biseda ishte parashtruar në frymën e trajtimit të fenomeneve shqetësuese më shumë se tek individët e pushtetshëm, në kuadrin e shkëmbimit të mendimeve, duke iu referuar koncepteve biblike, u shpreha: “Dhe Luciferi dukej shenjt, por doli kundër Zotit. Djalli mbetet djall edhe kur duket se nuk vepron, por herët a vonë e tregon veten!”. Ambasadori pohoi me kokë, kurse  Dr. Pashko pohoi me plot gojë: “Ke të drejtë!”. Është pikërisht këmbëngulja në gabim tipari esencial që e karakterizon djallëzoren. Lleshi ka këmbëngulur gjatë në shërbimtarinë ndaj pushtetit të Ramës, në kohën kur edhe vetë socialistët, sigurisht jo ata të kupolës, qëndronin të distancuar nga vendimet dhe veprimet autoritariste të kryetarit të tyre. Kjo këmbëngulje e bën të pavlefshme si ndjesën e kërkuar ashtu edhe dorëheqjen e kushtëzuar nga skadimi i çdo afati moral. E pra, ga takimi me Ambasadorin e Vatikanit, nuk ka kaluar shumë kohë për t’u vërtetuar mendimi im. 

Sot, Shqipëria ka një rrezik të madh! Rrezikohet nga skizofrenia dhe krimi i shtetit. Në këtë kontekst, opozita duhet të jetë më e bashkuar se kurrë, duke përfshirë në një aksion të gjithë krerët opozitarë, çdo forcë, grupim apo individ që mendon dhe është i gatshëm të kontribuojë për shpëtimin e vendit  nga ky rrezik. Në situata të tilla historia na ofron dëshmi kur bashkëpunimi dhe ndërveprimi ka përfshirë edhe formacione apo individë me pikëpamje të ndryshme ideologjike, në interes të vendit dhe shoqërisë. Një precedent i tillë ka ndodhur edhe në Shqipëri në vitet e para të pluralizmit politik, siç ka qenë bashkëpunimi i socialdemokratëve me demokratët. Nëse dikush mendon se nuk ka paqe nën ullinj, gabon! 

Porosia ime është, sedra e lënduar lë shteg për një demokraci dhe fitore të vonuar. 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, Krimi i shemtuar

Shtegëtimi i Armëve të Skënderbeut …

December 16, 2020 by dgreca

NGA ARISTOTEL MICI/

Në Belvedere, në Vjenë,/

Sikur pashë Skënderbenë./

Armët e tij kur i pashë./

Lumja ti, moj Shqipëri thashë ./

N. Frashëri/

Çdo shqiptar i vertetë, sa ka dëshirë të shohë armët ë Skënderbeut, po aq është edhe kurioz të dijë udhën e këtyre armëve, shtegëtimin e tyre nga  Kruja në Vjenë. Sipas të dhënave muzeale që dalin nga Vjena, dhe hulumtimeve  gjurmuese, që kanë bërë historianët, çështja ë  shtegëtimit  që  duhet të kenë bërë armët e Skënderbeut, bëhet më e ndriçuar.

Sigurisht, që lëvizja e parë e këtyre armëvë  ka qënë e lidhur ngushtë me emigrimin  e Donikes, gruas  së Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, pas vdekjes së tij, më 1468. Largimi nga atdheu  i Donika (Andronika) Kastriotit me të birin  e saj Gjonin u bë nga bregu i Rodonit. Njoftimin më të besueshëm për shpërnguljen e familjes së  Heroit  e gjejmë te shënimet e Princit Gjon Muzaka, në  “Memorien” që ai u la si  porosi të bijëve lidhur me gjenealogjinë e fisit si edhe  viset e principatës së vëtë.  Ai është i sigurt  dhe të bind  në këtë rast  për sa  tregon , sepse  së bashkui me  Andronikën, u nisën  për shoqërim edhe  dy motrat e tij.  Në këtë material historik të Gjon  Muzakës, sipas përkthimit të Dhori Qiriazit,  është shkruar fjalë për fjalë: ”Zonja Skënderbega, gruaja e  tij (pra e Heroit) shkeli në këtë mbrëtëri të Napolit, kur i vdiq i  shoqi e vetme  me zotin Gjon, të birin, tëpër të ri dhe me të shkuan  dhe dy motrat e  mia, burrate e të cilave ishin vrarë në këto luftra. Njëra ishte Zonja Maria, e cila është grua e  Zot Muzak Komnenit, i thirrur nga populli i Angjelinës  dhe  tjetra qe Zonja Helena që ishte e martuar me  Zotin Gjergj Karlës.”

Në këtë shpërngulje, Andronika, e mbiquajtura edhe Zonja Skanderbega, pa tjetër që midis  objekteve më të rëndësishme ka marrë me vete edhe  armët e të shoqit, si simbole të  heroizmit të tij në luftime.

Si pas një studimi të Prof. Kristo Frashërit, Donika me Gjonin  në fillim u vendosën në Napoli, pastaj me shpurën e tyre në Monte Sant’ Angelo.  Ndër kohë, Skanderbega u pranua në oborrin mbretëror aragonez. Më vonë ajo u trajtua si  “Zonjë Nderi” (Damë d’ Honneur”) e mbretëreshës  së Napolit, Johana  III, ku jetoi shumë vjet.  Më vonë, kur mbretëresha shkoi në Spanjë, e mori  Andronikën me vete  gjithnjë si  “Zonjë Nderi”  në pallatin e saj mbretëror në Valencia. Atje  Andronika  vdiq  rreth vitit 1508. U varros në manastirin ë Trinisë së  Shënjtë në Valencia. Vite më vonë, Nëna Mbretëreshë Johana III,  porosiste që të silleshin  nga Valencia në Napoli eshtrat e “së dashurës e të devotshmes Skannalibecha”; gjë që trëgon se ajo e ruajti  emrin Skanderbega deri sa vdiq. Pra, sa qe gjallë  e veja e Skënderbeut, Andronika, nuk kemi të dhëna se ajo i ka nxjerë nga shtëpia armët e të shoqit. 

Atëherë le të shikojmë se cili person mund t’i këtë nxjerrë nga shtëpia e Kastriotëve armët e Skënderbeut.

Gjon Kastrioti, në moshën 14 vjeçare, bashkë me nënën e tij u vendos në feudet që u kishtë dhënë mbreti  i Napolit, ku u rrit dhe u edukua . Si trashëgimtari i parë direkt, dhe si fisnik që ishte nuk kish si t’i shpërfillte ato armë me vlerë simbnolike. 

Siç dihet nga historia, turqit më 1480 arritën të zbarkonin në portin e Otrantos. Kjo ngjarje tronditi jo vetëm Italinë po edhe Europën.. Po me mobilizim të jashtëzakoshëm forcash liridashëse, rreziku ottoman u shmang.. Në betejen ë Otrantos në krye të shumë arbëreshëve mori pjesë edhe Gjon Kastrioti.

Ai ishte  njeri aktiv dhe i edukuar me dashuri për vëndlindjen. Fitorja në Otranto i ngjalli  atij shpresa se edhe në Atdheun e tij të parë, në Arbëri, mund të shporrej sundimi turk. Siç pohon Prof. Injac Zamputi, “më 1481, me kërkesat e përsëritura të shqiptareve që ishin hedhur në kryengritje, më ndihmën edhe të mbretit Ferrante të Napolit, Gjoni u nis në krye të një ekspedite për në Shqipëri. Zbarkimi i tij dha shkas për  zgjerimin e  lëvizjes çlirimtare. Kryengritësit arritën që të çlirojnë një pjësë të trojeve shqiptare që nga  Himara e Vlora e dëri në Shqipërinë e Mesme, po përpjëkja për të marrë Krujën nuk pati sukses.”

Nga burimet historike merret vesh se Gjoni që martuar më  një vajzë mërgimtare në Itali, me emrin Irena, bijë e një despoti, e cila kishte  nënë Helena Paleologun me prejardhje  nga dinastia perandorake e  Paleologëve. Nga  martesa me Irenën ai pati  katër djem dhe një vajzë. Djali i  parë mori emrin e gjyshit dhe u quajt Gjergj Kastrioti, mori gjithashtu edhe emrin e dytë të gjyshit, Skënderbe. Po  për t’ u dalluar nga i  gjyshi  u emrua dhe Skënderbeu – i Ri.   Ai u lind dhe u rrit në oborrin e mbretërisë së Napolit. Doli në skenën historike më 1499, kur me nismën e vetë, donte te shkonte në Arbëri, duke iu përgjegjur thirrjeve që vinin nga  populli i Atdheut  prindëror që kishte ngritur krye përsëri. Për koniuturat  politike të kohës, nuk  arriti të vinte me një herë në Arbëri. Por mbas dy vjetësh u lejua që të shkonte në viset e të parëve të tij.  U fut në Shqipëri më 1501, kur populli  kishtë çliruar Lezhën. U prit me entusiazëm nga vëndasit. Po me gjithë dëshirën liridashëse dhë përpjekjet e tij,  nuk  mundi të paktën të rimëkëmbte principatën e Kastriotëvë. Në  Fjalorin Enciklopedik Shqiptar  shkruhet se Skënderbeu   i Ri vdiq në  famagustë- Qipro.                                                                                                                            Ndërsa studjuesi Eqrem Bej Vlora  në kujtimet e veta na njofton  për varrin e djalit tjetër të Gjonit, të Kostandinit, për të cilin tregon se ka parë “varrin e  nipit të  Skënderbeut në kishën e  Shën Marisë së engjujve, në Napoli, ku është  venë  stema e  tij: një  shqiponjë heraldike me  një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët.                                                                                                                  Sipas informacionit që jep Prof. K.Frashëri te artikulli “Skënderbeu, Vdekja e pinjollit dhe trashëgimtarët jashtë martese”,  gjejmë se Skënderbeu  i Ri  kishte pasur një djalë, të quajtur Alfons. Këtë djalë me sa duket e rriti Andronika, gjyshja.  Ajo kur iku në Spanjë, më 1503, e mori Alfonsin ende fëmijë me vete. Atje ai nuk pati jetë të gjatë dhe vdiq më 1508. Kjo fatkeqësi shënohet  në pllakën e varrit të tij, ku janë gdhëndur në spanjisht fjalët : “Këtu prehet Alfonsi, biri i të famshmit  Gjergj Kastrioti…… Vdiq në moshën 15 vjeçare  në qytetin e Valencias, në vitin 1508” .

Në këtë mënyrë nga sa kemi shkruar gjër këtu, arrijmë te mendimi se armët e Skënderbeut nuk janë nxjerrë jashtë shtëpisë as nga Gjon Kastrioti i Dytë, as nga i biri, Gjergj Kastrioti  i Dytë dhe as nga i biri i të birit, Alfonsi, që vdiq adoleshent në Valencia.

Djali i dytë i Gjonit ishte  Kostandini, i cili në moshën 20 vjëçare,  1497, qe hirotonisur dhespot i Izermias dhe vdiq në vitin 1500. Në varrin që i ngriti e gjyshja,  në kishën Santa Maria Nuova në Napoli, atij i është kushtuar një epitaf latinisht: “Mbylli para kohe një jëtë  të jetuar me nder”. Si dhespot ai s’ qe martuar dhe nuk pati fëmijë.

Djali i tretë ishtë Ferdinandi, i cili jetoi gjatë. Kursë djali i katërt  i Gjon Kastriotit, Frederiku, vdiq i ri, pa lënë fëmijë. Atëherë, i vetmi trashëgimtar i Skënderbeut   në linjën mashkullore mbeti Ferdinandi.  Me këtë cilësi ai trashëgoi edhe  pronat, zotërimet feudale që i ati  kishte në San Pietro të Galantinës.

Gjon Kastrioti pati edhe një vajzë, Marien, e cila nuk u martua. Ajo ishtë një grua e kulturuar dhe jetoi gjatë.. Pleqërinë e kaloi me mbesën e saj Irënën, vajzën e Ferdinandit, deri sa vdiq më 1565.

Me një fjalë nga pasardhësit direkt të Skënderbeut  jetoi gjatë vetëm  djali i tretë i Gjonit, Ferdinand Kastrioti. Ky u martua me Adriana Acquaviva-n, vajzën e Dukës së Nardo-s. Ai pati dy fëmijë më atë, një djalë që i vdiq foshnje, dhe një vajzë Irenën, e cila mori emrin e të gjyshes së saj Irena Paleologu.

 Prof. K. Frashëri, duke  analizuar hollësisht pinjollët e familjes Kastrioti, tregon se  historianët e  provincës  rrëfejnë se Ferdinandi bënte nga pikëpamja morale një jëtë pak të lirë. Siç del nga  kronikat e kohës ai  kishte edhe fëmijë të paligjshëm. Midis tyre një farë trajtimi të veçantë pati  nga i ati vetëm Akili, djali jashtëmartese  që pati me një vajzë 20 vjeçare arvanitase me origjinë nga  Korona e Moresë, e nvendosur në Kalabri dhe për këtë arsye të  vendlindjes quhej  Eleonora  Koronika.   

Përfundimi është se në familjen e Kastriotëve linja mashkullore e trashëgimisë u mbyll me Ferdinandin . Vajza e tij e vetme Irena mbeti trashëgimtare e pasurisë që la  i gjyshi dhe i ati i saj.

Si e vetmja trashëgimtare e  Gjon Kasriotit, Irena mori,  së bashku me pasurinë , edhe objektet e vyera nga ana simbolike, dy shpatat  dhe përkrenaren e Skënderbeut.  Ajo perveç pasurisë trashëgoi edhe titullin dukeshë. Irena u martua me  Princin Pier Antonio di Sanseverina. Po siç thonë  kronikat italiane, i shoqi i Irenës  qëlloi të ishte një njeri plangprishës. Me shpënzimet vend e pa vend, brenda një kohe të shkurtër, ai e firasi gjithë pasurinë. Kur vdiq, ai i la Irenës  një  pasuri të shkatërruar dhe  700,000 dukatë ari borxhë. Për të kapërcyer gjëndjen e vështirësuar ekonomike, ku e shpuri i shoqi ,  Irena në bashkëpunim dhe me të vëllanë  e  saj jashtëmartese, Akilin, u detyrua të shiste pasurinë. Me sa duket nga kjo situatë  financiare krtike Irena Kastrioti  vendosi të shiste edhe objektet me vlere simbolike te Skënderbeut.

Dhe tani, kur e dimë pinjolin e familjes së Kastriotëve që guxoi të shiste  armët e stërgjyshit, heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, lë të shikojmë shtegëtimin e më tejshëm të këtyrë armëvë, nga Italia e jugut në Austri. Për këtë na vijnë në ndihmë edhe të dhënat muzeale të Vjënës. Merita kryësore për gjëllitjen e këtyre armëve dhe ruajtjen e tyre me autenticitet të plotë si dhe strehimin e garantuar në shekuj e ka Archduk Ferdinandi II  i  principatës së Tirolit, dhe në mënyrë të vaçant administratori i tij Shrenk.

Më 1567  Ferdinandi shkoi në Insbruk, kryeqytet i Tirolit, të cilin e kishte trashëgimi nga i ati ; shkoi atje me synimin që të restauronte kështjellën  Ambras dhe të ngrinte atje, brenda kështjellës një ekspozitë a po museum armësh. Për këtë qëllim  Ferdinandi shkroi një lëtër drejtuar gjithë personaliteteve të njohura, të cilët kishin lidhe me përsonazhe me të kaluar lutarake për shekujt XV dhe XVI., duke ua bërë atyre të ditur se deshte të gjente armë të heronjëve të ndryshëm ndër beteja të kësaj periudhe kundrejt vlerës se tyre.

Ky njoftim  i Ferdinandit II të Tirolit sensibilizoi opinionin për  grumbullimin e  armëve me vlera antike dhe muzeale.  Kështu që  armët e Skënderbeut, të veçuara, të shitura në dy persona, me anë të kësaj kërkese, do të  ribashkohëshin. Deri në vitin ’70  përkrenarja e heroit dhe shpata e shkurtër ndodhëshin në duart e  Dukës së Urbinos, kurse  shpatën tjetër e mbantë  Duka i  Arskotit. Po ndërkohë, të dy këta blerës të armëve të Skënderbeut,  ua shitën ato blerësve të dytë. Konti Volfang i  Sturbenbergut bleu përkrenaren dhe shpatën e shkurtër, kurse  shpatën tjetër më të gjatë e bleu Arkiduka i Stirisë, i quajtur Karli,  biri i dytë i Perandorit të Austrisë. Ai që do t’i bashkonte përfundimisht e do t’i siguronte këto armë te kryetrimit shqiptar do te ishte djali tjetëri i  Përandorit gjerman (vëllai i Karlit), qe e permendem dhe me larte per letren e tij, Arkduk Ferdinandi II i Tirolit,  me porosinë etë cilit, kancelari i tij, J. Shrenk, i shtiu ato në dorë me blerje.

        Asdministratori i Arkiduk Ferdinandit II,  Jacob Schrenk von Gotzing do të  pajiste edhe  më mirë muzeumin që Ferdinandi kishte  ngritur në kështjëllën  Ambras. 

Përmendja e parë  e  armëve të Skënderbeut gjatë kohës  për kompletimin e muzeumit të kështjellës Ambras figuron në një letër të datës 15 tetor, 1578. Në këtë letër  që dërgohej nga Duka i Urbinos për te Arkiduk Ferdinandi shënohej se ai do të dërgonte  helmetën dhe shpatën e Skënderbeut  në Ambras. 

Më 1605  Kështjella Ambras,  përfshiu edhe ekspozitën e armëve, i qe shitur Perandorit të Austrisë. Atje  shpata e Skënderbeut, dhe  helmeta e tij do të qendrojnë për  201 vjet deri më 1806. 

Më vonë ato do të transfëroheshin në muzeumin e kështjellës  Belvedere.  Pikërisht në  këtë museum pati  fatin dhe kënaqësinë poeti Naim Frashëri t’i shikonte këto armë të Skënderbeut, të prekej dhe të frymëzohej për të shkruar me krënari kombëtare vargjet  aq patriotike:

                Në Belvedere, në Vjenë,

    Sikur  pashë Skënderbenë;

                  Armët e tija kur i pashë

                  Lumja ti moj Shjqipëri thashë.

Dhë më  pastaj , në vitin 1888,  armët ë Skënderbeut do të vendoseshin në  muzeumin   Kunsthistoriches të Vjenës, ku gjenden edhe sot.

Me këtë rast, në mbarim të këtij shkrimi, le të shpresojmë se një ditë  këto  armë  të heroit tonë kombëtar do të marrin rrugën për të shtegëtuar drejt  Shqipërisë dhë të qendrojnë  përjëtësisht në Muzëumin  historik të Krujës.

                      Literaturë

Frashëri,K.  “Skënderbeu, Vdekja e pinjollit të fundit dhe trashëgimtarët jashtë martëse”.

Frashëri, N. “Vëpra” 2, Botimët “Rilindja”, Prishtinë, 1978 

 Muzaka,  Gj. “Memoria” Botimet  “Toena”, Tiranë, 1996.

Vlora, E . Bej, “Kujtime”, vol.2 , Tiranë, 2001.

Zamputi, I.  “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”

.

Filed Under: Politike Tagged With: Aristotel Mici, armete Skenderbeut, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 324
  • 325
  • 326
  • 327
  • 328
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT