• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përcillet me nderime në banesën e fundit, akademiku Gudar Beqiraj

May 12, 2020 by dgreca

U përcoll me nderime në banesën e fundit akademiku Gudar Beqiraj (1948-2020), njoftoi Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

“Në ceremoninë e nderimit mori pjesë Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe akademikët Apollon Baçe, Jorgo Kaçani, Ilirjan Malollari; përfaqësues të botës universitare, sportit etj. Për jetën dhe veprën e akademikut Beqiraj foli akademiku Anastas Angjeli. U prehsh në paqe kolegu ynë i paharruar!” përfundon njoftimi .

Akademiku Gudar Beqiraj u nda nga jeta në ditën e Lindjes  

Akademiku i shquar Gudar Beqiraj është ndarë sot nga jeta në moshën 72-vjeçare dhe si për ironi të fatit, pikërisht në ditën që ka lindur. Lajmi u dha nga N/kryetari  i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, i cili e njoftoi në Fb:

“Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj! Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe! I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Çfarë të mire do të bëjmë sot?!” 

Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si ai.”

Lajmin po ashtu e përcolli edhe gazetari i njohur Defrim Methasani: “E pabesueshme por e vërtetë. Mëngjesi i 11 majit, rezervoi një lajm të trishtë dhe të dhimbshëm. U nda nga jeta Prof Gudar Beqiraj, akademiku i njohur dhe njeriu me shumë detyra dhe kontribute në shkencën informatike dhe në sportin e peshëngritjes. Në moshën 72, ai iku nxitimthi nga kjo jetë, duke pikëlluar familjen dhe të gjithë miqtë e shumtë të tij. U prehsh në paqë babaxhan. Ike vërtet fizikisht, por mbetesh shpirtërisht dhe përjetësisht…!” përfundon Methasani. 

JETESHKRIM I Z. GUDAR BEQIRAJ

Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Është specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë.

Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali.

Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë.

Në vitin 2003 i akoedohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në 2012 është bërë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.

Kontributi i tij shkencor përfshin: Pjesëmarrjen në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë (1987). Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë (1988). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera, Pribram, Çekosllovaki (1989). Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK (1990). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekoslovaki (1991). Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. (2002-2007). Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit (2007).

Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj.

Përvoja e tij profesionale është shumë e gjatë dhe e pasur. Në vitet 1971-2003 ka qënë matematikan në INIMA dhe në 1993 Drejtor i INIMA. Në vitet 2007-2009 Dekan i Fakultetit të Teknoligjisë së Informacionit në UPT dhe në 2009-2013 Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 2017-2018 Drejtor i Shkollës së Doktoratës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe në 2018 e në vazhdim Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. 

Ka një përvojë 45 vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të.

Përveç kontributeve në fushën shkencore, ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore. 

Në 1982 Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje. 1992-2000 President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. 1996-2000 Zëvendës President i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. 1993-vazhdim Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care” Albania. 2004-vazhdim Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”. 

2003-vazhdim President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminal të diagnostikuar me kancer. 2008 Çmimi Personalitet i Vitit, akorduar nga Bashkia e Tiranës, 

2016 Medalje e Artë për kontributin 50 vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes.

NE PRILL 2019, I JEPET TITULLI NGA PRESIDENTI ILIR META,  “KALORES I URDHRIT TE SKENDERBEUT

Më 19 prill 2019, Beqiraj u dekorua nga Presidenti Ilir Meta me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, në 10-vjetorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

***

Fjalët ngushëlluese të kolegëve për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj

Kolegët akademikë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj, i cili vdiq dje në moshën 72-vjeçare. Ata u shprehën në librin e hapur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për këtë qëllim: Dhimbje për humbjen e njeriut që aq shumë e deshi Akademinë, që bashkoi tri përmasa të mëdha: shkencore, drejtuese dhe njerëzore. Njeri i interesave të mëdha shkencore, i ftuar për ekspertizë e oponencë në dhjetëra universitete të Francës, Italisë dhe Belgjikës; vlerësues i jashtëm i shumë projekteve konkurrente të BE-së në fushën e matematikës së zbatuar; pasionant në zgjedhje dhe model i modestisë akademike; njeriu që mori përgjegjësi kur duhej dhe lejoi shtigje të lira për të tjerët në momentin e duhur, iku papritur në ditën kur ishim përgatitur për ta uruar!

Akademik emeritus Petraq Petro: Gudari i dashur u nda befas nga ne, por ai gjithmonë do të ketë një strehëz të ngroht? në zemrat dhe mendjet tona.

Akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj:

Lajm i hidhur dhe i papritur. Humbje e parakohshme e një akademiku me merita dhe i një miku të mirë e të dashur. Qoftë i paharrueshëm. Ngushellime familjarëve dhe i qoftë e lehtë lëndina e Atdheut.

Akademik Arben Merkoçi: Lajm shumë i hidhur për të gjithë. Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e profesorit dhe mikut tonë të dashur!

Akademik i asociuar Ilirjan Malollari:

E papritura, e befta është tinzare për fatin e mikut, shokut dhe kolegut tonë të nderuar akademik Gudar Beqirajt! Ende e pabesueshme dhe e pashpirt është ndarja e Tij nga kjo jetë qe ai e donte aq shumë. Priste dhe përcillte me zell ditët e mbushura me entusiazëm edhe në kohë të vështira të shëndetit të tij të trazuar vitet e fundit. Ai diti ti përballë të gjitha me shumë shokë e miq! Asgjë nuk e shluen kujtimin e tij njerezor mbi të gjitha. Ishte dashamirëss dhe mirëkuptues me të gjithë për gjithcka! Ju përcjell familjarëve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen fizike të tij sepse Ai dhe shpirti i tij do të mbeten midis nesh të gjallë dhe frymëzues! U prehte ne paqe dhe Zoti e bekoftë trashëgiminë e tij!

Akademik Nazim Gruda, Gjermani: Lajm tepër i hidhur dhe për mua që jam larg, i pabesueshëm. Prof. Gudari u prehsh në paqe! Uroj që brezat të kujtojnë qenien dhe shpirtin tënd bujar! Ngushëllimet e mia me të thella familjes dhe gjithë të njohurve.

Akademik Jani Vangjeli:

Lamtumirë njeriu i urtë Gudar! Do të kujtoj gjithmonë si miku ynë i dashur.
Ngushëlloj nga zemra familjen.
I përjetshëm kujtimi iTij.

Akademik Beqir Meta: Lamtumire miku ynë i dashur dhe gazmor. Do të ruajmë gjithmonë kujtimin më të bukur për ty, së bashku me vlerësimin e lartë për kontributin si akademik e drejtues i palodhur. U prehsh në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së mikut tonë të respektuar dhe të shtrenjtë.

Akademik emeritus Bahri Beci:

Ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve të akademikut Beqiraj.
I përjetshëm kujtimi i Tij.

Akademik emeritus Mark Tirta: Ngushëllimet e mia familjes të akademik Gudarit. Do ta kujtojmë me respekt si njeriu i dijes, njeriu që i dha shumë shkemcës shqiptare.

Akademik Kosta Barjaba:

Ike shumë shpejt! I miri, i dashuri dhe i dhimbsuri për të gjithë! Na dhembi shumë ikja jote! Do të jesh i paharruar, i dashur Gudar!

Akademike Efigjeni Kongjika: Lajm i papritur dhe shumë i dhimbshëm. Do ta kujtojmë gjithmonë mikun tonë të dashur, të komunikueshëm, që ofronte ndihmë të gjithëve dhe që i ka dhënë kaq shumë Akademisë si drejtor i suksesshëm i INIMA-s dhe si kryetar i ASH Ngushëllime të sinqerta familjes. Ju prehte shpirti në paqe!

Akademik Vasil S. Tole:

Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj!
Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe!
I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Ç’farë të mire do të bëjmë sot”?
Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI!
 

Akademik Albert Doja: Një lajm shumë i kobshëm. Një humbje shumë e dhimbshme për të gjithë ne! Do të na mungojë shumë! Ngushëllime për familjen dhe te gjithëve!

Filed Under: Politike Tagged With: u nda nga jeta

KUR ËSHTË MIRË NEW YORKU, EDHE AMERIKA NDJEHET MIRË

May 11, 2020 by dgreca

  -Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat e këtyre ditëve si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.

  • Tre rajone të shtetit të New York-ut janë gati për të filluar rihapjen të Premten e 15 Majit. Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza.

     -Kryebashkiaku Bill de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapen para qershorit në NYC.

Përgatiti: Dalip Greca

            Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të ndjejnë uljen e agresivitetit të koronavirusit. 

           Sot u regjistruan rreth 3 mijë të infektuar më pak se një ditë më parë, ndërsa numri i viktimave për dy ditë radhazi është nën shifrën 1 mijë, kur jo më larg se 5 ditë të

shkuara shifra ishte mbi 2 mijë. 

        Në fakt peshën më të madhe të infektimeve dhe të vdekjeve i mbanë New Yorku, i cili ka shënuar 347 mijë e 151 të infektuar dhe ka humbur më shumë se 27 mijë jetë, nga 81 mijë e 759, që kanë vdekur në të gjithë shtetet e tjerë në Amerikë. Nëse New Yorku është mirë, edhe Amerika ndjehet mirë.

        Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo të hënën në mesditë bëri thirrje për parapërgatitje për kalimin në një fazë të re të shtetit që ai qeveris. Jemi në një fazë emocionuese, tha ai, duke përmendur faktin se rastet e infektimeve me Koronavirus vazhdojnë e bien ndjeshëm, dhe spitalet janë në normalitet përsa i përket ngarkesës.

Mjafton të ndjekim grafikun e humbjes së jetëve të pacientëve gjatë javës së fundit për të kuptuar ndryshimin e situatës në New York, qendrën e Pandemisë në SHBA: Me 2 maj New York-u regjistroi 299 viktima, me 3 Maj 280, me 4 maj 296, me 5 maj 260, me 6 maj kurba u ngjit në 752 vdekje, me 7 maj 409, me 8 maj 220, me 9 maj 186, me 10 maj 41, ndërsa ditën e sotme, e hënë 11 maj, shteti regjistroi 191 të vdekur. Po t’i krahasojmë këto shifra me ditët e ngarkuara të fundmarsit dhe përgjatë prillit, me më shumë se 1 mijë viktima 24 orëshe, shifrat e tanishme dëshmojnë për një situatë të stabilizuar, e cila është në kontroll të plotë.

Ishte kjo arsyeja përse guvernatori e përshkroi këtë si emocionuese. Ai raportoi në konferencën para gazetarëve të hënën me 11 Maj se Shteti i New i York-ut kishte vetëm 488 raste të konfirmuara të COVID-19 të raportuara gjatë 24 orëve të shkuara, së bashku me 191 vdekje ,që lidhen me sëmundjen e koronavirusit. Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.

        Guvernatori Cuomo gjatë konferencës ditore të së hënës kushtuar COVID-19, tha se tash jemi në anën tjetër të malit. Kjo është një fazë e re emocionuese, të gjithë jemi të shqetësuar për t’u rikthyer në punë, sa më parë, komentoi ai.

      Cuomo shprehu bindjen se disa rajone të Nju Jorkut (ato të pjesës së sipërme të shtetit) që kanë treguar përparim në zbutjen e shpërthimit të koronavirusit janë gati të fillojnë përsëri gradualisht aktivitetin ekonomik deri në fund të javës. 

Duke bërë bilancin e betejës kundër koronavirusin, që 22 Marsi, kohë kur guvernatori i bëri mbyllje hermetike shtetit, që u bë epiqendra e pandemisë për të gjithë Amerikën, tha se njujorkezët ndjehen të çliruar nga ankthi i virusit të panjohur dhe po bëhen gati të nisin fazën e re, atë të rihapjes.

          Ai komentoi se tre rajone në pjesën e sipërme të shtetit kanë përmbushur të gjitha kriteret për hapjen e disa aktiviteteve të biznesit pas 15 majit.

Gjithësesi ai tërhoqi vëmendjen se rajonet e rihapjes ende duhet të përpunojnë logjistikë, për ta patur nën kontroll situatën në rajonin e tyre.

       Guvernatori Cuomo solli në kujtesë ato ç’ka kishte kërkuar javën e kaluar,kur tha se rajonet e shtetit duhet të përgatiten për rihapjen dhe duhet të plotësojnë 7 kushtet, që tashëm janë të njohura si: Vdekjet dhe shtrimet në spital të lidhura me COVID-19 duhej të bien në minimum dhe të ketë stabilitet; të sigurohen mjaft shtretër spitalor për të përmbushur kërkesat, nëse do të ketë infektime të reja nga rihapja, rajonet duhet të përmirësojnë testimin dhe gjurmimin e kontaktit për personat e infektuar, si dhe  duhet të merren masa të forta nga bizneset për të mbrojtur punonjësit gjatë procesit të punës etj.

           Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza. Bizneset e para që mund të hapen do të përfshijnë ndërtimin, prodhimin, shitjen me pakicë, transportin etj..

Guvernatori u bëri një skanim të detajuar rajoneve dhe tregoi se cili prej tyre i ka plotësuar 7 kushtet dhe cili jo. Ai përjashtoi nga hapja e menjëhershme bashkitë e NYC-. Ai tha se New York City dhe Long Island kanë bërë përparime; së pari specifikuan kriteret e rihapjes rajonale, por asnjëri nuk është gati sepse ende nuk i kanë përmbushur disa nga standartet, që përmbanë urdhëri i tij për parapërgatitje për rihapje.

Natyrisht që New Yorku do të veprojë në bashkrendim me shtetet fqinjë, New Jersey dhe Connecticut, për shkak të komunikimit ndërshtetëror me njeri-tjetrin. Së bashku, zona e tre shtetshit, kanë pësuar 39 mijë e 345 viktima nga COVID-19, ndërkohë që po të tre së bashku, kanë deri tani 521 mijë e 986 të infektuar. Natyrisht se këto shifra të larta e kanë burimin edhe në komunikimin mes tyre. Rreziku i ripërhapjes së infeksionit është me rrisk të madh. 

       Për shtetin e New Yorkut urdhëri i guvernatorit për mbyllje skadon të Premten. Dhe sipas tij, tre rajonet që i plotësojnë kriteret e rihapjes, do të veprojnë drejt rihapjes.             Ndërkohë që Kryebashkiaku de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapet në NYC, para qershorit. Ai e tha këtë qartazi të hënën. 

       Po New Jersey? Shteti që ka deri tani 141 mijë e 70 të infektuar dhe 9 mijë e 332 të vdekur, duket se akoma nuk është plotësisht gati. Edhe Urdhri i mbylljes për New Jersey-n është paravendosur gjithashtu të skadojë në 15 maj; por Guvernatori Phil Murphy thotë se ndoshta do ta shtyjë edhe për pak kohë. Sot, 11 maj 2020, shteti që ai qeveris, kishte  më shumë se 1 mijë të infektuar të rinj, ndërsa numri i viktimave pësoi ulje të ndjeshme, vetëm 70, nga 146 që ishte shifra më 10 maj, 132 me 9 maj, 130 me 8 maj, 269 me 7 maj, 280 me 6 maj, 341 me 5 maj etj.

       Connecticut duket se do ta respektojë rihapjen për zona të caktuara. Tregusit janë më të stabilizuar dhe humbjet e jetëve njerëzore më të pakta: Shteti ka humbur deri tani 3 mijë e 8 jetë njerëzore, ndërsa sot kishte vetëm 41 të vdekur, me 10 maj 35, me 9 maj 35, me 8 maj 77, me 7 maj 79, me 6 maj 85, me 5 maj 77, me 4 maj 61…

      Në fund të kësaj analize: A po  ikën kriza e Pandemisë? Duket se endë është shpejt. Natyrisht nuk mund të ushqehemi me iluzione, ndërkohë që ekspertët thonë se kriza nuk do të mbarojë pa një vaksinë ose trajtim efektiv të virusit. Institucionet kërkimore shkencore, Kompanitë farmaceutike dhe qeveria federale janë duke punuar për të gjetur një vaksinë të shpejtë….Le të shpresojmë se e keqja ka mbetur pas!

Filed Under: Politike Tagged With: analiza, dalip greca, dati per rihapje, Tre raion te NY

Frustration Looms Over The Western Balkans

May 9, 2020 by dgreca

By Akri Çipa/Dielli/

Millions across the Balkans find their lives turned upside-down by the pandemic. As the coronavirus crisis upends normal life and highlights the fragility of the region’s democracies, the future looks vexed, to say the least.  

A Western Balkans-wide recession seems all but unavoidable in 2020. According to a World Bank report released in late April, the region as a whole is projected to experience negative growth of between three and 5.6 per cent.

Linda Van Gelder, the World Bank’s director for the Western Balkans, was unequivocal in stating that the coronavirus “is wreaking havoc on lives around the region — taxing health care systems, paralysing economic activity and undermining the wellbeing of people”.

The International Monetary Fund — which has also projected economic contraction this year for all the countries of the region — expects an economic rebound in 2021.

IMF experts estimate that economic growth in 2021 will range from 3.5 per cent in Bosnia and Herzegovina to eight per cent in Albania. Yet with all the recent volatility, that might not be enough to provide much reassurance.

Recession will result from a drop in domestic and foreign demand. Without a vaccine, scientists say a second wave of the pandemic is likely. Continued travel restrictions, physical distancing guidelines and other protective measures will continue to hit tourism and services that dominate the economies of the Western Balkans.

Unlike their counterparts in Western Europe, countries here have weak economies plagued by low wages, high poverty and unemployment and weak growth.

The closure of many small and family-owned businesses plus a strain on public budgets and a lack of financing opportunities all pose big challenges for local economies. 

But even as economies suffer, the pandemic has highlighted critical political and democratic deficiencies in the region.

In Serbia, people have expressed their dissatisfaction with the autocratic rule of President Aleksandar Vucic and his ruling Serbian Progressive Party (SNS) by blowing whistles and banging pots and pans from their homes.

Those taking part in the daily protests are angry about so-called state capture by ruling elites, the erosion of democratic institutions and perceptions that Vucic’s rule is increasingly dictatorial.

Protesters also object to the government’s draconian steps to stop the virus spreading, which include weekend-long curfews and measures to limit free speech. They see them as exaggerated and riding roughshod over basic freedoms and rights.

In Kosovo, the recently elected government was ousted during the pandemic thanks to political scheming by entrenched political elites.

In a surreal development, pot-banging protests took place to express support for the outgoing government and urge leaders to refrain from creating an artificial political crisis in the middle of a health crisis.

The government will serve in a caretaker role until the Constitutional Court rules on whether the country needs a fresh election or the formation of a new government is possible without elections.

Albania suffers from the fact that it does not have a real and representative opposition.

Following last year’s unprecedented decision by opposition lawmakers to resign en masse and renounce their parliamentary mandates, experts say there is no effective check on the excesses and abuses of the government.

North Macedonia, meanwhile, is battling the pandemic with a caretaker government and had to postpone snap parliamentary elections scheduled for April 12.

Across the region, the collusion between powerful businessmen and governing elites feeds unfair practices, harms economic competition and discourages investment, analysts say.

The COVID-19 crisis risks serving as an opportunity for companies to engage in anti-competitive practices while there is less scrutiny of government mismanagement and corruption in public procurement.

Not that the pandemic is to blame for stagnant reforms and backsliding on democratic standards. But experts say it has thrown those deficiencies into sharp relief.

Amid draconian measures, secretive decision-making on procurement and selective distribution of resources for groups hit by the virus, local efforts to promote transparency and accountability have morphed into a Sisyphean struggle.

In the meanwhile, even positive news like the EU’s decision to start accession negotiations with Albania and North Macedonia went largely unnoticed.

More than the pandemic itself, the main factors overshadowing the talks are skepticism about the pace of much-needed domestic reforms and doubts about the viability of EU membership in the short-to-medium term.

As countries move towards reopening, analysts predict that the strange mix of economic shock, institutional fragility and frustration with dysfunctional politics will lead to renewed and strengthened calls for change.

The leaders of the region have benefitted in the recent past from migration as a valve to release pent-up frustration. Rather than asking for change at home, those dissatisfied with the economic and political realities mostly went quietly and tried their luck in Western countries.

As the West is itself hit by economic uncertainty, this option will be less available and attractive. Dissatisfaction will have to express itself differently.

Optimists say this period represents a new opportunity to channel the overwhelming desire for change. They say the region needs to forge ahead at last with real reforms that lead to fairer economies, stronger institutions and more prosperity.

But the window of opportunity after the pandemic will not be open for long. If time is squandered, disillusionment risks turning into the region’s defining emotion for years to come.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Western Balkans

BOTA E MBAS – VIRUSIT PA NJË FUQI DREJTUESE

May 7, 2020 by dgreca

Nga FRANCO VENTURINI/ Përktheu nga “Corriere della Sera”-Eugjen Merlika/

            A do të jetë Kina, që ka qënë viktima e parë, ajo që do të fitojë ndeshjen më të madhe të Covid-19, atë të hierarkive botërore e të barazpeshave te reja gjeopolitike? A do të jetë hibridi kapital – komunist I Pekinit të mbarështojë më mirë se të tjerët të rejat që pandemia sjell me vete, e që priren të përkrahin regjimet autoritare kundrejt demokracive të Perëndimit?

            Nuk e besojmë. Por koronavirusi po dëmton fort edhe SHBA të Trump-it ose të atij që do t’a pasojë në nëndor. E njëjta gjë mund të thuhet për Rusinë e Putinit, apo për Evropën, që vërteton çdo ditë ndarjet dhe ndërlikimin e proçeseve të saj vendim marrëse. Atëherë kush do të komandojë? Nga ç’shihet Covid-19 don të na dhurojë një botë të re me të gjitha shemëritë e asaj të vjetrës, por me një veçanti të padëgjuar, së paku mbas luftës: mungesën e një fuqie drejtuese, e në vënd të saj një lloj banese të përbashkët grindavece e të paqëndrueshme, të përshkuar nga luftërat për sipërani teknologjiko – shëndetësore më shumë se politike.  

            Kina e mundi koronavirusin duke shfrytëzuar në Wuhan, veç zotimit të admirueshëm të popullsisë, gjithë mundësitë që i jepte sistemi i saj politik. Dhe tani është  e zotuar në shumë fronte. Në atë të fitores mbi SHBA në garën tepër të rëndësishme e popullore botërore për vaksinën, sa për të filluar. Pastaj “Diplomacia e mbulueseve të gojës”, ndihmat bujare por edhe me interes për këdo që kërkon ndihmë (me Italinë në vijën e parë, por marrëdhëniet tona me Kinën i kemi përcaktuar në mars 2019, kur qemë të parët në G-7 që firmosëm një Memorandum me Pekinin, pa asnjë dobi sa i përket investimeve). E përsëri një vendosmëri të shtuar vendim marrjeje gjeopolitike në Detin e Kinës, në një përballje të drejtpërdrejtë me SHBA.

            Por kjo Kinë që mund të duket fituese është po ajo që çdo ditë Amerika e padit se për shumë kohë ka fshehur shpërthimin e epidemisë. Është ajo që nuk mund të synojë në humbjen zgjedhore të Trump-it, sepse hulumtimet tregojnë që një shumicë e madhe dhe e përherëshme në SHBA rrjeshtohet kundër Pekinit, edhe në fushën tregtare. Është kjo Kinë, që do të pësojë një goditje ekonomike rrënuese si të gjithë, por të rënduar nga një vetëdijesim i ri, veçanërisht nga ana e evropianëve: tani e tutje duhet të pakësohet vartësia nga Pekini në fushën shëndetësore, madje edhe n’atë industriale, sepse nuk mund të ndërpritet prodhimi i automobilëve në rast se nga Kina nuk arrin një pjesë e caktuar. Akoma e ndoshta mbi të gjitha : Covid-19 ka frenuar papritur përhapjen e 5G të Huaweit, madje dhe Britania e Madhe që kishte thënë një gjysmë po, tani është tërhequr mbrapsht. Fakti që ka fituar betejën me virusin nuk i siguron Xi Jingping-ut fitoren e ndeshjes së pushtetit të përgjithshëm. Mbi të gjitha nëse një ditë do të shpërthente pandemia në Afrikë, ku Kina ka investuar pafundësisht në njerëz e kapitale.

            Po Shtetet e Bashkuara? Koronavirusi i ka prerë një këmbë tryezës mbi të cilën mbështeteshin shpresat e rizgjedhjes së Donald Trump-it. Vonesat e Administratës, tre milionët e të papunëve të kthyer në njëzetegjashtë, grindjet me guvernatorët e Shteteve, gjithshka duket se e ve Trump-in me shpatulla mbas muri në terma zgjedhore. Por nuk është ashtu për së paku dy arsye: sepse Trump-i gjen miratime të gjëra kur padit armikun Kinë, dhe sepse demokrati Joe Biden është një rival i dobët që has shumë vështirësi për të bërë fushatë, ndërsa Presidenti, falas, shpalos çdo ditë në televizion vendosmërinë e tij gojore. Trump-i shumë i dobësuar, Biden i dobët në vetvete, Amerika First prej kohësh në rënie të vullnetëshme në skenën botërore, ekonomia që do të dojë kohë për të rimarrë veten. Themeli i shtyllës së mbifuqisë së SHBA mbetet vetëm fuqia ushtarake, që edhe për shumë vite të tjera nuk mund të arrihet nga të tjerët (me përjashtim të Rusisë në fushën bërthamore). E ja pra që trupëzohet një shemëri më e ndezur, por edhe më e barabartë mes Amerikës dhe Kinës në erën e mbas-virusit, që do të jetë edhe era e zgjuarsisë artificiale, e robotikës, e 5G, dhe faktor qëndror në votimet e ardhëshme, e përgatitjes shëndetësore.

            Rusia ndoshta do t’a gjejë një qoshe n’Olimp, por nuk duket e paracaktuar të rrisë peshën e saj. Putini po merret me proçesin kushtetues për të zgjatur pushtetin e tij që është paralizuar nga epidemia, ekonomia mjaft e dobët do të duhet të gëlltisë një mungesë të gjatë të t’ardhurave nga nafta, dhe nivelet e miratimit të brendshëm rrezikojnë të ulen frikshëm. Por Rusia do të mbetet në grupin e parë, dhe nuk duhet  të dalë nga vëmëndja (pa i vënë nën padi ndihmat e saj për Italinë), nëse do të mbahet mirë parasysh një paralajmërim i lashtë dhe i urtë: e vetmja gjë më e rrezikëshme se sa një Rusi e fuqishme, është një Rusi e dobët.

            As Evropa nuk është e paracaktuar të fitojë një kolltuk në rradhën e parë mbas-virusit. Por për të, vetëm për të, bota vërtetë mund të ndryshojë në nëndor, nëse Amerika do të kalonte nga një Presiden kundër-evropian në një që nuk është i tillë. Ndoshta do t’i jepte kohën e nevojshme për t’u rritur, në termat e mbrojtjes dhe strategjisë gjeopolitike, pa vënë kurrë në dyshim ankorimin n’ato vlera demokratike që sot bëjnë të dëgjohen aty këtu krikëllima të rrezikëshme.

            Në botën që do të vijë mbas Covid-19 Italia duhet të përcaktojë e të mbrojë më mirë se kurrë interesat e saj kombëtare, që përmbidhen sot në të qëndruarit n’Evropë duke bërë t’i dëgjohet zëri i saj, por edhe pa u joshur nga alternativa tymuese e të paqena. Së paku nga kjo pikpamje bota nuk do të ndryshojë.

Përktheu Eugjen Merlika nga “Corriere della Sera”, 28 prill 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Bota Mbas Virusit, Eugjen Merlika

Marrëveshja humbjes së lirisë

May 6, 2020 by dgreca

MARRËVESHJA THAÇI-VUÇIÇ-GRENELL HUMBJE E LIRISË SË KOSOVËS/

-Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare në Kosovë/

 MA. AGIM ALIÇKAJ*/

Lufta për pushtet në Republikën e Kosovës ka marrë përmasa absurde tragji-komike, shumë të rrezikshme. Radio-televizionet, gazetat dhe mediat sociale janë të mbushura plotë me shkrime, intervista, debate dhe komente të ndryshme, nga më të ultat e deri te ato me vlera të larta letrare dhe patriotike. Është e kuptueshme përpjekja e çdonjërit për të arsyetuar qëndrimet e veta, por sharjet, fyerjet, gënjeshtrat, mashtrimet, dezinformatat dhe falsifikimet e ndryshme janë të pakuptueshme dhe shumë të dëmshme. “O, tempora, O, mores!” – do të thoshte poeti i njohur Edgar Allan Poe.

A MUND TË SHPËTOI LDK NGA VETËVETJA!?

Më bëri përshtypje postimi i z. Fatmir Bajraj në Bota Sot Group me titull: “LVV-ja do ta djegë Malin për një Lis”, në të cilin mbrohej dhe arsyetohej plotësisht LDK-ja për të gjitha gabimet dhe dështimet 12 vjeçare duke i fajësuar të tjerët. Komenti im ishte si vijon:

 “Z. Bajraj,  Respekt për qendrimet tuaja. E konsideroj vetën të pavarur por jo të paanshëm kur është në pyetje ekzistenca e shtetit të Kosovës. Çështja nuk është aq e  komplikuar si e paraqitni ju. Po flasim për fakte dhe gjëra që shihen haptas, e jo për supozime dhe mashtrime të cilat shumica e popullit i ka kuptuar.

Në njërën anë është Hashim Thaçi, i cili ka kapitulluar para Serbisë dhe po e shet Kosovën. Ai ështe i ndihmuar nga partitë e korruptuara që ishin në pushtet, përfshirë edhe pjesën anti-Rugoviane të LDK-së me në krye Isa Mustafen, të cilat janë fajtore për dështimet e njëpasnjëshme të Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë. Nga ana tjetër është z. Albin Kurti me Vetëvendosjen dhe znj. Vjosa Osmani me grupin përparimtarë Rugovian të LDK-së, të cilët janë kundër ndarjes shkatërruese të Kosovës dhe korrupsionit të pakufi. 

Populli kërkoi ndryshime dhe me 6 tetor i votoi këta të dy. Duhet shtuar se përkrahja për ta është në rritje e sipër dhe se në zgjedhjet e ardhshme mund të fitojnë më shumë se 50% te votave. Ju me disa të tjerë po tentoni ta friksoni popullin me kinse rrezikun nga “anti-amerikanizmi, unitarizmi dhe bolshevizmi “. Të kuptohemi, anti-amerikan dhe antishqiptar janë vetëm grupi i parë që e solli Kosovën para katastrofës, askush tjetër. Bolshevizmi dhe unitarizmi për popullin e Kosovës tash për tash janë çështje abstrakte.  Populli dëshiron ta shoh së pari punën e Albinit dhe Vjosës për ta vlerësuar, jo të rrezohen pa e treguar vehtën.

LDK rrezikon të përçahet keq dhe të dobësohet plotësisht me fajin e vet dhe jo të VV-s.  Mendoj se për të shpëtuar LDK-ja e ka vetëm një rrugë, tërheqja nga formimi i një qeverie “Thaçjane” të kontrolluar nga Vuçiçi, kërkesa për zgjedhje të reja sapo të kaloi virusi dhe largimi i një pjese të gardës së vjetër nga radhet e veta.  Në këtë mënyrë mund të forcohet dhe të mbetet relevante në zgjedhjet e ardhshme, të cilat pa marrë parasysh  vendimin e Gjykatës Kushtetuese, heret ose vonë do të mbahen. Kështu për LDK-në krijohet mundësia për t’i rezistuar me kompetence dhe në mënyrë demokratike “unitarizmin dhe bolshevizmin” si dhe gabimeve të mundshëm të VV-s. Jam i sigurt se komunizmi, bolshevizmi dhe ekstremizmi fetar nga cilado anë qoftë, nuk mund të zë rrënjë kurrë në Kosovë, pa marrë parasysh kush është në qeverisje”.

Deklarata e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, edhe pse me qëllime të caktuara, kundër krijimit të qeverisë Hoti dhe kërkesa për shkuarje në zgjedhje të reja është veprim shumë më i mençur se sa përpjekja LDK-së për të marrë pushtetin në mënyrë ilegale. Edhe nëse e realizojnë këtë dëshirë, “liderët” e vjetëruar të LDK-së do të ja shohin sherrin. Do të jenë të detyruar të marrin pjesë në tradhëtinë më të rëndë kombëtare që nga koha e tradhëtisë së komunistëve shqiptar më në krye diktatorin Enver Hoxha të dhënies së gjysmës së tokave shqiptare ish-Jugosllavisë.

KURRË MOS U NËNSHKROFT NJË MARRËVESHJE ANTISHQIPTARE!!

Fjala e urtë popullore thotë “Katundi që shihet kallauz nuk do”. Intervista e ish-diplomatit amerikan pro-serb, përkrahës i politikës së Ambasadorit Grenell në Ballkan, Z. James Hooper tregon haptas dhe qartas qëllimin e z. Grenell për ndarje të Kosovës. “Marrëveshja Vuçiç-Thaçi është gati, problem për të është vetëm për ta bindur kancelaren gjermane Angela Merkel dhe BE-në gjatë muajve maj e qershor”! Përndryshe, siç shprehet ai “po që se Grenell nuk e arrinë këtë, përfundon mundësia për t’i dhënë fund konfrontimit midis Serbisë dhe Kosovës”. Arroganca e z. Hooper me qëllim të  mashtrimit dhe frikësimit të popullit shqiptar është e pashembullt. Kurrë mos u nënshkroft një marrëveshje antishqiptare, Z. Hooper!

Kosova priti më shumë se nji shekull për ta fituar lirinë. Për 21 vjet lirie u keqpërdor rëndë nga politikanët e këqinj. Me luftimin e korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e shtetit, e ndihmuar nga mërgata e fuqishme, Kosova forcohet dhe ka mundësi për të pritur , deri sa Serbia të shërohet nga sëmundja e urrejtjes dhe aspiratave hegjemoniste. Do të vijë koha kur Serbia do ta lusë Kosovën për njohje të dyanshme në kufijtë ekzistues me qëllim të hyrjes në Evropë. Populli i Kosovës nuk pranon marrëveshje të imponuar dhe nuk  e jep më asnjë pëllëmbë toke. Serbia nuk bënë të shpërblehet, ajo duhet të marr mësim dhe të dënohet për krimet barbare anti-njerëzore të kryera në Kosovë.

Kriminelët e luftës nuk mund të amnistohen kurrë.

THAÇI DHE VUÇIÇ E KANË GËNJYER AMBASADORIN GRENELL

Duhet bërë sqarim për ata që i keqkuptojnë ose i keqinterpretojnë me qëllim porositë e këtij shkrimi, të cilat janë të qarta. Amerika dhe Ambasadori Richard Grenell nuk mund të fajësohen për situatën e keqe në Kosovë. Shtetet e Bashkuar të Amerikës kanë investuar shumë dhe nuk janë kundër lirisë së Kosovës. Mirëpo, marrëveshja për ndryshim të kufijve është në favor të Serbisë dhe mund të barazohet me humbjen e lirisë së popullit të Kosovës. Thaçi dhe Vuçiç e kanë gënjyer Ambasadorin Grenell se mund ta shtyejnë këtë marrëveshje të nisur nga interesat e tyre të veçanta. I pari për interesa personale ndërsa i dyti për interesa të Serbisë. Ambasadori i ka pranuar manipulimet dhe gënjeshtrat e tyre si të vërteta pa i analizuar mirë, ai ka dalur hapur në anë të Serbisë dhe nuk mund t’i udhëheq bisedimet me sukses. Pra, këtu kemi të bëjmë me mospajtimin tonë me një politikë të gabuar të një zyrtari të lartë Amerikan në Kosovë dhe asgjë tjetër.

 Dëshira e jonë do të ishte që përfaqësuesit legjitim të Kosovës (jo Thaçi) të kenë mundësi të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe para Presidentit Trump të paraqesin qëndrimet dhe brengat tona, me propozime konkrete se si mund të zgjidhet situata.

Kritikat publike me qëllim të mirë nga mërgata shqiptaro-amerikane janë në pajtim të plotë me vlerat amerikane. Kjo nuk e prek dashurinë dhe respektin e përhershëm për Amerikën dhe popullin amerikan. Kundërshtimi i popullit shqiptar kudo, në trojet tona e në diasporë në çdo formë dhe më çdo mjet demokratik i marrëveshjes famëkeqe Vuçiç-Thaçi-Grenell është në interes të Kosovës, të Evropës dhe të Amerikës.

A MUND TA SHPËTOI KOSOVËN GJYKATA KUSHTETUESE ?!

Puna ka ardhë deri tek Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, organi më i  lartë i mbrojtjes së shtetit. Pavarësia e kësaj Gjykate është esenciale dhe vendimet e saj  duhen respektuar. Ka një arsye shumë të fortë pse në SHBA gjykatësit e Gjykatës Supreme zgjidhen në mënyrë të përjetshme. Ata nuk bënë të influencohen dhe të  shantazhohen. Mendoj dhe besoj se gjykatësit e GJK në rastin konkret do të gjykojnë  në mënyrë të drejtë, me integritet të lartë personal dhe profesional sepse kanë përgjegjësi historike për funksionimin e shtetit të Kosovës.  Këtë e treguan me pezullimin e dekretit të Thaçit për t’i dhënë LDK-së mandatin për krijimin e Qeverisë së re. Vendimi i Gjykatës po pritet me ankth kudo në tokat shqiptare dhe në diasporë. Hapësirat në kushtetutë mund ta lejojnë mundësinë për interpretim se kinse partitë humbëse mund të krijojnë qeveri nëse i “blejnë” votat e shumicës. Por, ky vendim nuk do të mund t’i qëndroi ballafaqimit me argumentat e anës tjetër. 

Veprimet e fundit anti-shtetërore dhe makinacionet anti-demokratike të Thaçit të ndihmuara nga Isa Mustafa me disa karrieristë të tjerë, janë të qarta dhe mund të  karakterizohen si antikushtetuese. Vetë profesor Arsim Bajrami, njëri ndër hartuesit e Kushtetutës, përkrahës i PDK-s për një kohë të gjatë, në mënyrë të prerë deklaroi se: “ Kushtetuta e Kosovës nuk ju jep të drejtë partive humbëse të cilat arrijnë sukses ta rrëzojnë qeverinë aktuale me mocion mosbesimi, të krijojnë qeveri me kryeministër tjetër. Shpërndarja e parlamentit dhe shkuarja në zgjedhje është e vetmja rrugë”-shton ai.

Problemet e lidhura me pandeminë dhe shpenzimet e organizimit të zgjedhjeve të lira janë argument bosh i atyre që i friksohen verdiktit të sovranit. Vetëm zgjedhjet e lira demokratike mund të krijojnë legjitimitet qeverisës dhe ta qetësojnë popullin e nënçmuar dhe të zemëruar të Republikës së Kosovës. 

         Këtu vjen në shprehje thënia e vjetër latine: “Vox Populi, Vox Dei”!

Dëshiroj ta përfundoj me përsëritje të shkrimit tim të mëparshëm: “Historia na mëson se populli shqiptar e ka filluar rezistencen dhe luftën për liri në momentin kur është okupuar nga forcat terroriste serbe dhe okupator të tjerë. Për liri e kanë dhënë jetën bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Asnjë individ dhe asnjë subjekt brenda dhe jashtë Kosovës nuk ka të drejtë të deklarojë as të mendojë se ai i vetëm e ka sjellë lirinë e Kosovës. Askush nuk guxon të bëjë pazare me tokat shqiptare. Amerika na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë por nuk ka të drejtë të na marrë atë. Kombi shqiptar e don me zemër dhe pa hile Amerikën, por e don lirinë më shumë se Amerikën dhe më shumë se jetën. Nuk ka forcë në botë që mund ta shtypë dëshirën e një populli për të jetuar i lirë!”

*Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Marrveshja Thaçi-Vuçiç-Granell

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 363
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT