Nga FRANCO VENTURINI/ Përktheu nga “Corriere della Sera”-Eugjen Merlika/
A do të jetë Kina, që ka qënë viktima e parë, ajo që do të fitojë ndeshjen më të madhe të Covid-19, atë të hierarkive botërore e të barazpeshave te reja gjeopolitike? A do të jetë hibridi kapital – komunist I Pekinit të mbarështojë më mirë se të tjerët të rejat që pandemia sjell me vete, e që priren të përkrahin regjimet autoritare kundrejt demokracive të Perëndimit?
Nuk e besojmë. Por koronavirusi po dëmton fort edhe SHBA të Trump-it ose të atij që do t’a pasojë në nëndor. E njëjta gjë mund të thuhet për Rusinë e Putinit, apo për Evropën, që vërteton çdo ditë ndarjet dhe ndërlikimin e proçeseve të saj vendim marrëse. Atëherë kush do të komandojë? Nga ç’shihet Covid-19 don të na dhurojë një botë të re me të gjitha shemëritë e asaj të vjetrës, por me një veçanti të padëgjuar, së paku mbas luftës: mungesën e një fuqie drejtuese, e në vënd të saj një lloj banese të përbashkët grindavece e të paqëndrueshme, të përshkuar nga luftërat për sipërani teknologjiko – shëndetësore më shumë se politike.
Kina e mundi koronavirusin duke shfrytëzuar në Wuhan, veç zotimit të admirueshëm të popullsisë, gjithë mundësitë që i jepte sistemi i saj politik. Dhe tani është e zotuar në shumë fronte. Në atë të fitores mbi SHBA në garën tepër të rëndësishme e popullore botërore për vaksinën, sa për të filluar. Pastaj “Diplomacia e mbulueseve të gojës”, ndihmat bujare por edhe me interes për këdo që kërkon ndihmë (me Italinë në vijën e parë, por marrëdhëniet tona me Kinën i kemi përcaktuar në mars 2019, kur qemë të parët në G-7 që firmosëm një Memorandum me Pekinin, pa asnjë dobi sa i përket investimeve). E përsëri një vendosmëri të shtuar vendim marrjeje gjeopolitike në Detin e Kinës, në një përballje të drejtpërdrejtë me SHBA.
Por kjo Kinë që mund të duket fituese është po ajo që çdo ditë Amerika e padit se për shumë kohë ka fshehur shpërthimin e epidemisë. Është ajo që nuk mund të synojë në humbjen zgjedhore të Trump-it, sepse hulumtimet tregojnë që një shumicë e madhe dhe e përherëshme në SHBA rrjeshtohet kundër Pekinit, edhe në fushën tregtare. Është kjo Kinë, që do të pësojë një goditje ekonomike rrënuese si të gjithë, por të rënduar nga një vetëdijesim i ri, veçanërisht nga ana e evropianëve: tani e tutje duhet të pakësohet vartësia nga Pekini në fushën shëndetësore, madje edhe n’atë industriale, sepse nuk mund të ndërpritet prodhimi i automobilëve në rast se nga Kina nuk arrin një pjesë e caktuar. Akoma e ndoshta mbi të gjitha : Covid-19 ka frenuar papritur përhapjen e 5G të Huaweit, madje dhe Britania e Madhe që kishte thënë një gjysmë po, tani është tërhequr mbrapsht. Fakti që ka fituar betejën me virusin nuk i siguron Xi Jingping-ut fitoren e ndeshjes së pushtetit të përgjithshëm. Mbi të gjitha nëse një ditë do të shpërthente pandemia në Afrikë, ku Kina ka investuar pafundësisht në njerëz e kapitale.
Po Shtetet e Bashkuara? Koronavirusi i ka prerë një këmbë tryezës mbi të cilën mbështeteshin shpresat e rizgjedhjes së Donald Trump-it. Vonesat e Administratës, tre milionët e të papunëve të kthyer në njëzetegjashtë, grindjet me guvernatorët e Shteteve, gjithshka duket se e ve Trump-in me shpatulla mbas muri në terma zgjedhore. Por nuk është ashtu për së paku dy arsye: sepse Trump-i gjen miratime të gjëra kur padit armikun Kinë, dhe sepse demokrati Joe Biden është një rival i dobët që has shumë vështirësi për të bërë fushatë, ndërsa Presidenti, falas, shpalos çdo ditë në televizion vendosmërinë e tij gojore. Trump-i shumë i dobësuar, Biden i dobët në vetvete, Amerika First prej kohësh në rënie të vullnetëshme në skenën botërore, ekonomia që do të dojë kohë për të rimarrë veten. Themeli i shtyllës së mbifuqisë së SHBA mbetet vetëm fuqia ushtarake, që edhe për shumë vite të tjera nuk mund të arrihet nga të tjerët (me përjashtim të Rusisë në fushën bërthamore). E ja pra që trupëzohet një shemëri më e ndezur, por edhe më e barabartë mes Amerikës dhe Kinës në erën e mbas-virusit, që do të jetë edhe era e zgjuarsisë artificiale, e robotikës, e 5G, dhe faktor qëndror në votimet e ardhëshme, e përgatitjes shëndetësore.
Rusia ndoshta do t’a gjejë një qoshe n’Olimp, por nuk duket e paracaktuar të rrisë peshën e saj. Putini po merret me proçesin kushtetues për të zgjatur pushtetin e tij që është paralizuar nga epidemia, ekonomia mjaft e dobët do të duhet të gëlltisë një mungesë të gjatë të t’ardhurave nga nafta, dhe nivelet e miratimit të brendshëm rrezikojnë të ulen frikshëm. Por Rusia do të mbetet në grupin e parë, dhe nuk duhet të dalë nga vëmëndja (pa i vënë nën padi ndihmat e saj për Italinë), nëse do të mbahet mirë parasysh një paralajmërim i lashtë dhe i urtë: e vetmja gjë më e rrezikëshme se sa një Rusi e fuqishme, është një Rusi e dobët.
As Evropa nuk është e paracaktuar të fitojë një kolltuk në rradhën e parë mbas-virusit. Por për të, vetëm për të, bota vërtetë mund të ndryshojë në nëndor, nëse Amerika do të kalonte nga një Presiden kundër-evropian në një që nuk është i tillë. Ndoshta do t’i jepte kohën e nevojshme për t’u rritur, në termat e mbrojtjes dhe strategjisë gjeopolitike, pa vënë kurrë në dyshim ankorimin n’ato vlera demokratike që sot bëjnë të dëgjohen aty këtu krikëllima të rrezikëshme.
Në botën që do të vijë mbas Covid-19 Italia duhet të përcaktojë e të mbrojë më mirë se kurrë interesat e saj kombëtare, që përmbidhen sot në të qëndruarit n’Evropë duke bërë t’i dëgjohet zëri i saj, por edhe pa u joshur nga alternativa tymuese e të paqena. Së paku nga kjo pikpamje bota nuk do të ndryshojë.
Përktheu Eugjen Merlika nga “Corriere della Sera”, 28 prill 2020