• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOFRA E DIELLIT-ALFONS GRISHAJ

May 16, 2020 by dgreca

Fundi i turpshem/

Shqiptar’t shpesh terrin e pranun si dill.

Tokat  djeguna  ujiti me gjak  e djers,

lkura e thame antocianis  pa mill,  

Mortja rri  mi krye si gjama mas ders .

Rroft baba turku !   Viva Il Re-jan!

Pis  Jugosllavi ,  thika  e mpreht Ruse, 

Mas   Kinez verdhi pa nuse  , vejan …

Dashnort t’ komunistve  “Shqipnis nuse”.

E pra, i harruen  tana lot’t e vrame ,

Kojshis  tue i ra n’derë për nji lug kryp…

Zvarrit  pa qumsht  si dita e mbrame 

Fmija gjinin e nans n’ ran tue  e lyp.

E tash  rrecka rozë ka dal ne pazar

Tue i shit prap krunet , deken me letër, 

Kryesue nga nji bandit , katil,  zuzar

Qi farsoi me helm ç’ do qoshe e  metër.

Pa gjak shiptar’  bazhibozuk polic 

ADN  e internacionalizmit  proletar,

Tue i  rrah  fmijët   “aksioni  blic”

Me ligjin e turpit ushqim per trathtar.

Britmen teme e  kam palos  nen shkam

N’ malin e heshtun ku rrin e egër llava,

Ka me u thye  qielli e te tan ne kam

Mi gjakun e lirë ka me pushue vala . 

Heu! Andshëm kam me marr  lahuten

Me vllaun tem nga Jugu  i djelmnis, 

Zumarja , fyelli ,  liria   mi tuten 

Tu  i knue  fundin e turpshëm  tiranis.

 Michigan 16 Maj 2020

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

DUKET SE PO TRASHEN PUNËT RRETH TRUALLIT TË SHTËPISË SË NËNE TEREZËS NË SHKUP

May 14, 2020 by dgreca

 – Ka gisht edhe një firmë nga Shqipëria/

Nga Frank Shkreli/

Pardje kisha bërë një analizë modeste mbi njoftimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së) ndaj asaj që thuhej se është, “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës”, nobelistes shqiptare, në sheshin e Shkupit.  Unë citova një deklaratë për mediat vendore në Shkup të Shefit të ITSHKSH-së — një ent zyrtar ky i akredituar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, Z. Skender Asani, në të cilën shprehte indinjatën e tij të thellë për këtë veprim të pa përgjegjëshëm.  Z. Asani e ka e cilësuar shlyerjen e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup si, “një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-a-e-di-kush-cka-po-ndodh-ne-shkup-me-shtepine-e-nene-terezes-2/

Por, sipas një njoftimi sot nga Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe (shikoni raportin e plotë nga korrespondenti i VOA-s, Isak Ramadani nga Shkupi), trualli nga ku janë shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës, siç kam njoftuar në një shkrim pardje – e për të cilën Z. Asani njoftoi botën para dy ditësh – trualli në fjalë i qenka shitur “vite më parë” një kompanie nga Shqipëria.  Sipas raportit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, i cili sjell sot një reagim të ri në lidhje me ketë çështje nga Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), raporti I VOA-s thekson në lidhje me ketë çështje reagimin e Kryetarit të Bashkisë së Shkupit, i cili njofton përzierjen e një firme nga Shqipëria, në ketë ndërmarrje, duke thënë:  “Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ndërkaq i kritikon palët që reagojnë tani, sepse ato nuk kishin reaguar vite më parë kur parcela u privatizua dhe iu dha një kompanie nga ana e strukturave të mëparshme qeverisëse.  Zoti Shilegov u tha gazetarëve se, sipas VOA-s se  “Ky lokacion do t’u kthehet qytetarëve”.  Parcela i ishte shitur kompanisë Amadeus Group nga Shqipëria gjatë qeverisjes mbi dhjetë vjeçare të VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin në krye, dhe aty duhej të ndërtohej një kopje e “Shkallëve spanjolle”, ka thënë zyrtari i lartë i Shkupit. “Qeveria e mëparshme e ndërtoi para disa vitesh shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës disa qindra metra larg sheshit, ku ndodhej shtëpia e lindjes së nobelistes dhe shenjtores që ishte prishur nga autoritetet komuniste të kohës me arsyetimin se ishte dëmtuar në tërmetin e vitit 1963”, raportoi sot, Zëri i Amerikës.

https://www.zeriamerikes.com/a/shkup-reagime-ndaj-heqjes-së-shenjave-në-shtëpinë-e-lindjes-së-nënë-terezës/5419732.html

Lind pyetja tani. Kush është kjo kompani nga Shqipëria dhe a ka gisht ajo – drejt për drejt ose tërthorazi — në zhdukjen e gjurmëve të truallit të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkup?  Po qeveria shqiptare në Tiranë kishte dijeni për ketë transakcion të blerjes së këtij trualli nga një kompani shqiptare dhe a kishte dijeni Tirana zyrtare se për çfarë qellimi do përdorej kjo tokë eventualisht dhe nëse ishte në plan, ç’prej atëherë, që të shlyheshin gjurmët e shtëpisë së Nënën Terezës në atë vend?  Media shqiptare duhet të bëjë pyetje për ndriçimin e mëtejm të kësaj situate.

Urime Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), i cili po përpiqet t’ia dali në krye kësaj çështjeje dhe të zbulohet se ç’po ndodhë, me të vërtetë, në këtë mes – një zhvillim ky, të cilit të pakën nga një këndveshtrim imi nga këndej oqeanit, nuk i vjen erë e mirë hiç.

Do të ishte një veprim tepër ironik, në mos edhe kriminal, anti-patriotik po se po, që një firmë nga Shqipëria të bëhet shkak i shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkupin, dikurë shqiptar – në përpjekjet e sllavo-maqedonasve për të shlyer gjurmët e identitetit dhe të pranisë historike shekullore të shqiptarëve në trojet e veta. Fatkqesisht, nuk do të çuditesha!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Shtepia e Nene Terezes

KUJTESE NE VITIN E AT GJERGJ FISHTES

May 14, 2020 by dgreca

Vllazen e Motra Shqiptarë!/

Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:

Shoran FRITZ RADOVANI/

Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh: A ka Bota Kishë Katolike që ka kalue.., sa Kisha e Lezhës?

Kisha e Zojës Nunciatë e Kuvendi Françeskan Lezhë

1464 Ishte koha e lavdishme e Heroit kombtar Gjergj Kastrioti kur del në fletët e historisë Kuvendi Françeskan i Lezhës. 

500 vite ma vonë në një letër At Gjergj Fishta, kërkoi per me e restaurue ate.Letra asht te numri i fundit i “Hyllit të Dritës”.  At Gjergj Fishta jetonte në një dhomë në Kuvendin Françeskan të Lezhës, brij Kishës për të cilën kërkonte restaurimin.

At Fishta aty, ka pas shkrue një pjesë së “Lahutës së Malcis”. Aty asht edhe sot dhoma e Tij. Revista “Hylli i Dritës” ka kenë konceptue prej At Fishtës në vitin 1913 me mendimin: “Hylli qi, mbas nji robnije të gjatë, duhet me e drejtue popullin Shqiptar në qytetninë e ngritun mbi bazat e lirisë e të drejtave individuale e shoqnore”, ndonse, lufta kunder Revistës ishte e vazhdueshme. E kjo luftë vazhdoi ashtu si kunder Krijuesit saj.

Kisha Françeskane në Lezhë asht ndërtue në 1240, gja që shihet edhe nga mbishkrimi latin mbi derë, në ballë të saj.

Në Shqipni, simbas traditës mendohet se Shën Françesku i Asizit asht themeluesi i kësaj Kishe. Në Kishë, në mes të tjerave, ruhej nji kryq argjendi, vepër veneciane e shek. XV, kushtue nga Princi Pal Dukagjini. Për ma tepër, tek Elteri i madh  kryesor, ishte nji pikturë e madhe, e cila vlerësohej me shumën 100.000 lit. ar. Në atë Kuvend, gjatë Luftës së Parë Botnore, austro-hungarezët patën vendosë seksionin e Kryqit të Kuq Ushtarak. Në shtator 1918, ditën që ushtarët braktisën Kuvendin, Kisha dhe Kuvendi u shkatërruen prej zjarmit. Në 1928 Kuvendi u rindërtue, ndërsa Kisha vetëm sa u mbulue. Kjo Kishë konsiderohet si djep i Françeskanve në Shqipni e, Fretnit, kanë pasë dëshirë të flakët ta restaurojnë, për faktin se asht monument kombtar, falë lashtësisë së saj.

At Fishta, shkruen se themelimi i Kishës së Zojës Nunciatë dhe i Kuvendit Françeskan bashkangjitun me te, asht shënue nga disa tradita, që flasin për një kalim të Shën Françeskut gjatë kthimit prej Tokës së Shenjtë në vitin 1219-20, si thohet edhe nga Françeskanët tjerë t’asaj kohë. Me këte rast Ai, përdori një rrem pishe, që kishte skicue planimetrinë e Kishës direkt mbi terren në kodrën përballë Lezhës së atëhershme.

Ndërtimi i saj vazhdoi prej një meshtari lezhjan Don Lleshi, që shpjegon emnin popullor “Kisha e Dom Lleshit”. 

1240 asht datë e një pranie të Françeskanëve në Lezhë, që verteton edhe mbishkrimi i vonshëm i gdhenun mbi derën kryesore të Kishës. Mendohet se kjo datë i referohet një Kishe tjetër të shek.XII, e ndërtueme po në të njajtin vend. 

Në mungesë të dokumentave të sigurta, mund të mendojmë që Fretnit Françeskan të kenë themelue kuvendin e tyne mbas vitit 1393, pra, kur qyteti i Lezhës kaloi nga duert e Princave Dukagjini nën sundimin e Republikës së Venedikut. Edhe stili i arkitekturës së saj flet se Kisha ka kenë ndërtue në fund të shek.XIV ose në fillim të shek. XV. Sidokjoftë, vlera e madhe historike e Asaj Kishë në Lezhë asht e padiskutueshme…

Me 29 Nandor 1944, ashtu si gjithë Shqipnia edhe ajo Kishë do të zaptohej nga sllavokomunistët e drejtuem nga Enver Hoxha. Me 11 maj 1947, dora kriminale e atij regjimi prangoi edhe At Serafin Kodën famullitari i Lezhës, e masakrimi barbar mbas tetë muejsh tortura mizore e zhduku këso bote Martirin trim. 

Mbas vendosjes së ateizmit të shtetit më 6 shkurt 1967, e para ndër vendet e kultit katolik, Kisha e Zojës Nunciatë u vendos të jetë vend strehimi per kafshë dhe u ba stallë bagtishë… 

Ma vonë ofiçinë mekanike dhe kovaçeri. Kumbonaria shumë shpejt u rrëzua e hymja u ndryshue, për me kalue kamionat. Edhe varrezat e vjetra që rrethonin Kishën dhe që ruenin monumente të rëndësishme mesjetare u hoqën prej aty, per me i lirue vend ndërtesave të kooperativës komuniste.

Mbas vitit 1991 aty shkoi me sherbye At Konrrad Gjolaj, i cili jo vetem e rindertoi, por i dha pamjen e plotë të kohës, kur Ajo u kujtonte si Kishë, prakun e së ciles e ka puthë Gjergji i Madh i Popullit Shqiptar, dhe Gjergji dijetar i zhgunit Françeskan…

Ajo ishte dikur… Po, asht edhe sot, nder Kishat ma të njohuna të Françeskanve të Shqipnisë, që u salvue si Themeluesit e Saj per një gjysë shekulli, tue shkrue me Gjakun e Martirve të Saj, Historinë e lavdishme të Kishës Katolike Shqiptare… 

Mos harroni se edhe Ajo ishte një prej Kishave ku lutej Heroi Gjergj Kastrioti para çdo beteje kunder turqve!

         Melbourne, 14 Maji 2020.              

Filed Under: Politike Tagged With: Fritz radovani

Përcillet me nderime në banesën e fundit, akademiku Gudar Beqiraj

May 12, 2020 by dgreca

U përcoll me nderime në banesën e fundit akademiku Gudar Beqiraj (1948-2020), njoftoi Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

“Në ceremoninë e nderimit mori pjesë Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe akademikët Apollon Baçe, Jorgo Kaçani, Ilirjan Malollari; përfaqësues të botës universitare, sportit etj. Për jetën dhe veprën e akademikut Beqiraj foli akademiku Anastas Angjeli. U prehsh në paqe kolegu ynë i paharruar!” përfundon njoftimi .

Akademiku Gudar Beqiraj u nda nga jeta në ditën e Lindjes  

Akademiku i shquar Gudar Beqiraj është ndarë sot nga jeta në moshën 72-vjeçare dhe si për ironi të fatit, pikërisht në ditën që ka lindur. Lajmi u dha nga N/kryetari  i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, i cili e njoftoi në Fb:

“Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj! Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe! I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Çfarë të mire do të bëjmë sot?!” 

Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si ai.”

Lajmin po ashtu e përcolli edhe gazetari i njohur Defrim Methasani: “E pabesueshme por e vërtetë. Mëngjesi i 11 majit, rezervoi një lajm të trishtë dhe të dhimbshëm. U nda nga jeta Prof Gudar Beqiraj, akademiku i njohur dhe njeriu me shumë detyra dhe kontribute në shkencën informatike dhe në sportin e peshëngritjes. Në moshën 72, ai iku nxitimthi nga kjo jetë, duke pikëlluar familjen dhe të gjithë miqtë e shumtë të tij. U prehsh në paqë babaxhan. Ike vërtet fizikisht, por mbetesh shpirtërisht dhe përjetësisht…!” përfundon Methasani. 

JETESHKRIM I Z. GUDAR BEQIRAJ

Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Është specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë.

Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali.

Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë.

Në vitin 2003 i akoedohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në 2012 është bërë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.

Kontributi i tij shkencor përfshin: Pjesëmarrjen në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë (1987). Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë (1988). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera, Pribram, Çekosllovaki (1989). Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK (1990). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekoslovaki (1991). Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. (2002-2007). Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit (2007).

Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj.

Përvoja e tij profesionale është shumë e gjatë dhe e pasur. Në vitet 1971-2003 ka qënë matematikan në INIMA dhe në 1993 Drejtor i INIMA. Në vitet 2007-2009 Dekan i Fakultetit të Teknoligjisë së Informacionit në UPT dhe në 2009-2013 Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 2017-2018 Drejtor i Shkollës së Doktoratës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe në 2018 e në vazhdim Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. 

Ka një përvojë 45 vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të.

Përveç kontributeve në fushën shkencore, ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore. 

Në 1982 Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje. 1992-2000 President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. 1996-2000 Zëvendës President i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. 1993-vazhdim Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care” Albania. 2004-vazhdim Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”. 

2003-vazhdim President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminal të diagnostikuar me kancer. 2008 Çmimi Personalitet i Vitit, akorduar nga Bashkia e Tiranës, 

2016 Medalje e Artë për kontributin 50 vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes.

NE PRILL 2019, I JEPET TITULLI NGA PRESIDENTI ILIR META,  “KALORES I URDHRIT TE SKENDERBEUT

Më 19 prill 2019, Beqiraj u dekorua nga Presidenti Ilir Meta me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, në 10-vjetorin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

***

Fjalët ngushëlluese të kolegëve për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj

Kolegët akademikë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj, i cili vdiq dje në moshën 72-vjeçare. Ata u shprehën në librin e hapur nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për këtë qëllim: Dhimbje për humbjen e njeriut që aq shumë e deshi Akademinë, që bashkoi tri përmasa të mëdha: shkencore, drejtuese dhe njerëzore. Njeri i interesave të mëdha shkencore, i ftuar për ekspertizë e oponencë në dhjetëra universitete të Francës, Italisë dhe Belgjikës; vlerësues i jashtëm i shumë projekteve konkurrente të BE-së në fushën e matematikës së zbatuar; pasionant në zgjedhje dhe model i modestisë akademike; njeriu që mori përgjegjësi kur duhej dhe lejoi shtigje të lira për të tjerët në momentin e duhur, iku papritur në ditën kur ishim përgatitur për ta uruar!

Akademik emeritus Petraq Petro: Gudari i dashur u nda befas nga ne, por ai gjithmonë do të ketë një strehëz të ngroht? në zemrat dhe mendjet tona.

Akademik emeritus Gjovalin Shkurtaj:

Lajm i hidhur dhe i papritur. Humbje e parakohshme e një akademiku me merita dhe i një miku të mirë e të dashur. Qoftë i paharrueshëm. Ngushellime familjarëve dhe i qoftë e lehtë lëndina e Atdheut.

Akademik Arben Merkoçi: Lajm shumë i hidhur për të gjithë. Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e profesorit dhe mikut tonë të dashur!

Akademik i asociuar Ilirjan Malollari:

E papritura, e befta është tinzare për fatin e mikut, shokut dhe kolegut tonë të nderuar akademik Gudar Beqirajt! Ende e pabesueshme dhe e pashpirt është ndarja e Tij nga kjo jetë qe ai e donte aq shumë. Priste dhe përcillte me zell ditët e mbushura me entusiazëm edhe në kohë të vështira të shëndetit të tij të trazuar vitet e fundit. Ai diti ti përballë të gjitha me shumë shokë e miq! Asgjë nuk e shluen kujtimin e tij njerezor mbi të gjitha. Ishte dashamirëss dhe mirëkuptues me të gjithë për gjithcka! Ju përcjell familjarëve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen fizike të tij sepse Ai dhe shpirti i tij do të mbeten midis nesh të gjallë dhe frymëzues! U prehte ne paqe dhe Zoti e bekoftë trashëgiminë e tij!

Akademik Nazim Gruda, Gjermani: Lajm tepër i hidhur dhe për mua që jam larg, i pabesueshëm. Prof. Gudari u prehsh në paqe! Uroj që brezat të kujtojnë qenien dhe shpirtin tënd bujar! Ngushëllimet e mia me të thella familjes dhe gjithë të njohurve.

Akademik Jani Vangjeli:

Lamtumirë njeriu i urtë Gudar! Do të kujtoj gjithmonë si miku ynë i dashur.
Ngushëlloj nga zemra familjen.
I përjetshëm kujtimi iTij.

Akademik Beqir Meta: Lamtumire miku ynë i dashur dhe gazmor. Do të ruajmë gjithmonë kujtimin më të bukur për ty, së bashku me vlerësimin e lartë për kontributin si akademik e drejtues i palodhur. U prehsh në paqe. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së mikut tonë të respektuar dhe të shtrenjtë.

Akademik emeritus Bahri Beci:

Ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve të akademikut Beqiraj.
I përjetshëm kujtimi i Tij.

Akademik emeritus Mark Tirta: Ngushëllimet e mia familjes të akademik Gudarit. Do ta kujtojmë me respekt si njeriu i dijes, njeriu që i dha shumë shkemcës shqiptare.

Akademik Kosta Barjaba:

Ike shumë shpejt! I miri, i dashuri dhe i dhimbsuri për të gjithë! Na dhembi shumë ikja jote! Do të jesh i paharruar, i dashur Gudar!

Akademike Efigjeni Kongjika: Lajm i papritur dhe shumë i dhimbshëm. Do ta kujtojmë gjithmonë mikun tonë të dashur, të komunikueshëm, që ofronte ndihmë të gjithëve dhe që i ka dhënë kaq shumë Akademisë si drejtor i suksesshëm i INIMA-s dhe si kryetar i ASH Ngushëllime të sinqerta familjes. Ju prehte shpirti në paqe!

Akademik Vasil S. Tole:

Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj!
Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe!
I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: “Ç’farë të mire do të bëjmë sot”?
Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI!
 

Akademik Albert Doja: Një lajm shumë i kobshëm. Një humbje shumë e dhimbshme për të gjithë ne! Do të na mungojë shumë! Ngushëllime për familjen dhe te gjithëve!

Filed Under: Politike Tagged With: u nda nga jeta

KUR ËSHTË MIRË NEW YORKU, EDHE AMERIKA NDJEHET MIRË

May 11, 2020 by dgreca

  -Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat e këtyre ditëve si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.

  • Tre rajone të shtetit të New York-ut janë gati për të filluar rihapjen të Premten e 15 Majit. Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza.

     -Kryebashkiaku Bill de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapen para qershorit në NYC.

Përgatiti: Dalip Greca

            Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar të ndjejnë uljen e agresivitetit të koronavirusit. 

           Sot u regjistruan rreth 3 mijë të infektuar më pak se një ditë më parë, ndërsa numri i viktimave për dy ditë radhazi është nën shifrën 1 mijë, kur jo më larg se 5 ditë të

shkuara shifra ishte mbi 2 mijë. 

        Në fakt peshën më të madhe të infektimeve dhe të vdekjeve i mbanë New Yorku, i cili ka shënuar 347 mijë e 151 të infektuar dhe ka humbur më shumë se 27 mijë jetë, nga 81 mijë e 759, që kanë vdekur në të gjithë shtetet e tjerë në Amerikë. Nëse New Yorku është mirë, edhe Amerika ndjehet mirë.

        Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo të hënën në mesditë bëri thirrje për parapërgatitje për kalimin në një fazë të re të shtetit që ai qeveris. Jemi në një fazë emocionuese, tha ai, duke përmendur faktin se rastet e infektimeve me Koronavirus vazhdojnë e bien ndjeshëm, dhe spitalet janë në normalitet përsa i përket ngarkesës.

Mjafton të ndjekim grafikun e humbjes së jetëve të pacientëve gjatë javës së fundit për të kuptuar ndryshimin e situatës në New York, qendrën e Pandemisë në SHBA: Me 2 maj New York-u regjistroi 299 viktima, me 3 Maj 280, me 4 maj 296, me 5 maj 260, me 6 maj kurba u ngjit në 752 vdekje, me 7 maj 409, me 8 maj 220, me 9 maj 186, me 10 maj 41, ndërsa ditën e sotme, e hënë 11 maj, shteti regjistroi 191 të vdekur. Po t’i krahasojmë këto shifra me ditët e ngarkuara të fundmarsit dhe përgjatë prillit, me më shumë se 1 mijë viktima 24 orëshe, shifrat e tanishme dëshmojnë për një situatë të stabilizuar, e cila është në kontroll të plotë.

Ishte kjo arsyeja përse guvernatori e përshkroi këtë si emocionuese. Ai raportoi në konferencën para gazetarëve të hënën me 11 Maj se Shteti i New i York-ut kishte vetëm 488 raste të konfirmuara të COVID-19 të raportuara gjatë 24 orëve të shkuara, së bashku me 191 vdekje ,që lidhen me sëmundjen e koronavirusit. Guvernatori Andrew Cuomo i komentoi shifrat si më të mirat, dhe që shënojnë grafikun më pozitiv ditor në rekordet e deritanishme, që prej 19 Marsit, aty ku filloi situate e tmerrshme, para se New Yorku të futej në humnerën e mistershme të virusit të padukshëm COVID-19.

        Guvernatori Cuomo gjatë konferencës ditore të së hënës kushtuar COVID-19, tha se tash jemi në anën tjetër të malit. Kjo është një fazë e re emocionuese, të gjithë jemi të shqetësuar për t’u rikthyer në punë, sa më parë, komentoi ai.

      Cuomo shprehu bindjen se disa rajone të Nju Jorkut (ato të pjesës së sipërme të shtetit) që kanë treguar përparim në zbutjen e shpërthimit të koronavirusit janë gati të fillojnë përsëri gradualisht aktivitetin ekonomik deri në fund të javës. 

Duke bërë bilancin e betejës kundër koronavirusin, që 22 Marsi, kohë kur guvernatori i bëri mbyllje hermetike shtetit, që u bë epiqendra e pandemisë për të gjithë Amerikën, tha se njujorkezët ndjehen të çliruar nga ankthi i virusit të panjohur dhe po bëhen gati të nisin fazën e re, atë të rihapjes.

          Ai komentoi se tre rajone në pjesën e sipërme të shtetit kanë përmbushur të gjitha kriteret për hapjen e disa aktiviteteve të biznesit pas 15 majit.

Gjithësesi ai tërhoqi vëmendjen se rajonet e rihapjes ende duhet të përpunojnë logjistikë, për ta patur nën kontroll situatën në rajonin e tyre.

       Guvernatori Cuomo solli në kujtesë ato ç’ka kishte kërkuar javën e kaluar,kur tha se rajonet e shtetit duhet të përgatiten për rihapjen dhe duhet të plotësojnë 7 kushtet, që tashëm janë të njohura si: Vdekjet dhe shtrimet në spital të lidhura me COVID-19 duhej të bien në minimum dhe të ketë stabilitet; të sigurohen mjaft shtretër spitalor për të përmbushur kërkesat, nëse do të ketë infektime të reja nga rihapja, rajonet duhet të përmirësojnë testimin dhe gjurmimin e kontaktit për personat e infektuar, si dhe  duhet të merren masa të forta nga bizneset për të mbrojtur punonjësit gjatë procesit të punës etj.

           Rihapja ekonomike do të ndodhë në katër faza. Bizneset e para që mund të hapen do të përfshijnë ndërtimin, prodhimin, shitjen me pakicë, transportin etj..

Guvernatori u bëri një skanim të detajuar rajoneve dhe tregoi se cili prej tyre i ka plotësuar 7 kushtet dhe cili jo. Ai përjashtoi nga hapja e menjëhershme bashkitë e NYC-. Ai tha se New York City dhe Long Island kanë bërë përparime; së pari specifikuan kriteret e rihapjes rajonale, por asnjëri nuk është gati sepse ende nuk i kanë përmbushur disa nga standartet, që përmbanë urdhëri i tij për parapërgatitje për rihapje.

Natyrisht që New Yorku do të veprojë në bashkrendim me shtetet fqinjë, New Jersey dhe Connecticut, për shkak të komunikimit ndërshtetëror me njeri-tjetrin. Së bashku, zona e tre shtetshit, kanë pësuar 39 mijë e 345 viktima nga COVID-19, ndërkohë që po të tre së bashku, kanë deri tani 521 mijë e 986 të infektuar. Natyrisht se këto shifra të larta e kanë burimin edhe në komunikimin mes tyre. Rreziku i ripërhapjes së infeksionit është me rrisk të madh. 

       Për shtetin e New Yorkut urdhëri i guvernatorit për mbyllje skadon të Premten. Dhe sipas tij, tre rajonet që i plotësojnë kriteret e rihapjes, do të veprojnë drejt rihapjes.             Ndërkohë që Kryebashkiaku de Blasio nuk pret që bizneset jo thelbësore të rihapet në NYC, para qershorit. Ai e tha këtë qartazi të hënën. 

       Po New Jersey? Shteti që ka deri tani 141 mijë e 70 të infektuar dhe 9 mijë e 332 të vdekur, duket se akoma nuk është plotësisht gati. Edhe Urdhri i mbylljes për New Jersey-n është paravendosur gjithashtu të skadojë në 15 maj; por Guvernatori Phil Murphy thotë se ndoshta do ta shtyjë edhe për pak kohë. Sot, 11 maj 2020, shteti që ai qeveris, kishte  më shumë se 1 mijë të infektuar të rinj, ndërsa numri i viktimave pësoi ulje të ndjeshme, vetëm 70, nga 146 që ishte shifra më 10 maj, 132 me 9 maj, 130 me 8 maj, 269 me 7 maj, 280 me 6 maj, 341 me 5 maj etj.

       Connecticut duket se do ta respektojë rihapjen për zona të caktuara. Tregusit janë më të stabilizuar dhe humbjet e jetëve njerëzore më të pakta: Shteti ka humbur deri tani 3 mijë e 8 jetë njerëzore, ndërsa sot kishte vetëm 41 të vdekur, me 10 maj 35, me 9 maj 35, me 8 maj 77, me 7 maj 79, me 6 maj 85, me 5 maj 77, me 4 maj 61…

      Në fund të kësaj analize: A po  ikën kriza e Pandemisë? Duket se endë është shpejt. Natyrisht nuk mund të ushqehemi me iluzione, ndërkohë që ekspertët thonë se kriza nuk do të mbarojë pa një vaksinë ose trajtim efektiv të virusit. Institucionet kërkimore shkencore, Kompanitë farmaceutike dhe qeveria federale janë duke punuar për të gjetur një vaksinë të shpejtë….Le të shpresojmë se e keqja ka mbetur pas!

Filed Under: Politike Tagged With: analiza, dalip greca, dati per rihapje, Tre raion te NY

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • 368
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT