• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA, QEVERI TË RE APO ZGJEDHJE TË REJA

April 1, 2020 by dgreca

-Presidenti Thaçi  konsultime me partitë  parlamentare për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë  nga Kuvendi i Kosovës. Ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19. Para takimit Kryeministri në detyrë, Kurti i ka dërguar letër Presidentit Thaçi/

PRISHTINË, 1 Prill 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti kryetarët e tre subjekteve më të mëdha politike parlamentare në takime të ndara konsultative për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë  nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.

Në orën 10:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Në orën 10:30, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

Në orën 11:00, Presidenti Thaçi e priti në takim konsultativ Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Si rrjedhojë e masave të ndërmarra kundër virusit COVID19 dhe rekomandimeve të personelit shëndetësor për ta ulur rrezikun, për shkak të hapësirës së papërshtatshme për dhjetëra gazetarë, fotografë e kameramanë në Zyrën e Presidentit, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun është përkujdesur që mediave t’ua dërgojë pamjet vizuale dhe fotografitë e këtyre takimeve.

Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se nesër do vazhdojë takimet me partitë tjera parlamentare.

Pas tre takimeve të sotme, në komunikatën e dërguar nga Presidenca theksohet:

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka filluar konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.

Presidenti Thaçi sot ka pritur në takime të ndara Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në dorëheqje, Albin Kurtin, Kryetarin e LDK-së, njëherësh ish-kryeministrin, Isa Mustafa, si dhe Kryetarin e PDK-së, njëherësh ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Presidenti Thaçi ka pyetur liderët politikë se cilët hapa i shohin si rrugëdalje nga situata e re politike, por gjithmonë duke pasur parasysh emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga virusi COVID-19.

Presidenti Thaçi do të vazhdojë konsultimet me partitë tjera parlamentare edhe nesër.

Pasi të përfundojë konsultimet me partitë politike, Presidenti i Republikës së Kosovës do të ndërmarrë hapa në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet në fuqi, duke marrë parasysh përvojën dhe procedurat gjegjëse të deritashme, por edhe duke marrë parasysh vullnetin politik të shprehur nga partitë politike.

Në njoftimin e dërguar nga Kryeministria bëhet e ditur se, para takimit Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër Presidentit Hashim Thaçi, për temat që do të diskutoheshin sot në takim pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, ku ka theksuar se, “si kurrë më parë, Republika e Kosovës ka nevojë për një president që e respekton Kushtetutën, deri në çdo pikë e presje të saj.”

“Në këtë drejtim,  Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe vetë praktika jaj e mëparshme në vitin 2017, e bëjnë të qartë se, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, e vetmja rrugë përpara është  shpërndarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 82.2 të Kushtetutës, dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme.”

“Prandaj, dëshiroj paraprakisht t’ju bëj të qartë, se çështja e vetme për të cilën do të bisedoj sot me ju, është se kur do të jetë koha më e përshtatshme për shpërndarjen e Kuvendit, duke marrë parasysh në veçanti gjendjen emergjente të shëndetit publik me të cilën po përballet Republika e Kosovës në këtë kohë. Kjo është një çështje që duhet të diskutojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe një çështje për të cilën jemi të detyruar për t’i mbajtur qytetarët e Republikës, burimin e sovranitetin demokratik, vazhdimisht të informuar. 

Ndërsa, për sa i përket interpretimeve të gabuara të nenit 95.5 të Kushtetutës, këtë temë të rëndësisë dytësore apo tretësore, mund ta lëmë për ndonjë ditë tjetër”, ka shkruan Kurti në letrën dërguar  Thaçit.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi u shpreh se,  “duhet marrë parasysh që mocionin e mosbesimit e kanë votuar 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës, e që nënkupton se është shumica prej mbi dy të tretave, e cila ka të drejtë të ndryshojë edhe Kushtetutën”. 

“Ne jemi për atë që të bëhet një qeveri e re duke ndjekur të gjitha procedurat kushtetuese dhe procedurën që e ka paraparë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014”, tha kryetari i LDK, Mustafa, derisa ka shtuar se, “ne vlerësojmë se nuk është koha të shkohet në zgjedhje, për shkak të pandemisë”.

Pas takimit me Presidentin Hashim Thaçi, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, u deklarua shkurt për median:

 “Krejt çka kërkojmë është të respektohet kushtetuta. Vullneti i sovranit është ma legjitimi por kur jemi në situatën e pandemisë është hipokrizi për zgjedhje të jashtëzakonshme”.

Në 30 Mars 2020 , Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar ambasadorët e Kuintit dhe atë të BE-së në Prishtinë, për t’i informuar për hapat që do t’i ndërmarrë pas shkarkimit të Qeverisë Kurti nga Kuvendi i Kosovës në javën e kaluar.

Në këtë takim ishin Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ambasadori i Gjermanisë, Ambasadorja e Francës, Ambasadori i Italisë dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Presidenti Thaçi u shpreh se “pas shkarkimit të Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës, më 25 mars, do të marrë hapa gjithnjë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës dhe me detyrat si President i Republikës së Kosovës”.

Presidenti Thaçi shtoi se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se si President i Republikës së Kosovës do të vendosë për opsionin më të mirë për të dalë nga situata në të cilën jemi futur, pas shkarkimit të Qeverisë së Kosovës.

Kreu i shtetit ka theksuar se Kosova ka nevojë për një qeveri që do të sjellë stabilitet, unitet sa më të madh politik dhe qytetar, që do të jetë gjithëpërfshirëse dhe e orientimit të qartë euroatlantik.

Në 25 Mars 2020, në mbrëmje, më shumë se një orë para mesnate,  Kuvendi i Kosovës pas shumë debateve e replikave në seancën plenare,  votoi me 82 vota pro,  32 kundër  e  1 abstenim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës të kryeministrit Albin Kurti. Mocioni ishte kërkesë me nënshkrimet e 44 deputetëve, propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës – partner i koalicionit qeverisës. Qeveria e Kosovës do vazhdojë punën si qeveri në detyrë deri në zgjedhje të reja e një qeveri të re, që sipas disa deklaratave mund të jetë edhe qeveri pa zgjedhje të reja.

Seanca e Kuvendit të Kosovës e zhvilluar në kushte jashtëzakonshme me maska e masa tjera mbrojtëse nga  virusi COVID-19 ka nisur me praninë e 106 deputetëve, ndërsa në momentin e votimit në sallë ishin 117 deputetë.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës pasditen e 3 Shkurt 2020 u votua me 66 vota pro e 10 abstenime Qeveria e Republikës së Kosovës e kryeministrit  Albin Kurti –  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje në bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, derisa opozita kishte braktisur sallën.

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Presidenti Thaçi

75-VJETË NGA MASAKRA E TIVARIT, AS DREJTËSI AS PËRGJEGJËSI HISTORIKE

March 31, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Masakrimi i mijëra shqiptarëve të pafajshëm nga Kosova gjatë rrugëtimit të tyre të detyruar për në kasaphanen e Tivarit në vitin 1945, mund të cilësohet lehtë si një tradhëti e madhe kombëtare.  Ndonëse ky vit shënon 75 vjetorin e kësaj masakre dhe megjithse ka patur ndonjë botim aty këtu që hedhë sado pak dritë dhe zbardhë dokumente historike mbi këtë tradhëti, e gjithë kjo tragjedi nuk ka tërhequr kurrë interesimin që meriton, e lere më përcaktimin e drejtësisë dhe të përgjegjësisë historike, qoftë nga Shqipëria post-komuniste, e nga Serbia dhe Mali i Zi, jo se jo.  Fatkeqësisht, as Republika e Kosovës, nuk ka treguar ndonjë interesim zyrtar për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre, me ndonjë përjashtim të ndonjë deklarate përkujtimore nga udhëheqsit e atij vendi, siç ishin sivjet deklaratat e shkrutëra të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj.  Presidenti Thaçi e kujtojë këtë përvjetor, të dielën që kaloi, me një deklaratë në faqen e tij të internetit me këto fjalë:

“Pas shuarjes së kryengritjes të komandantit Shaban Polluzha, Masakra e Tivarit është ndër krimet më të rënda ndaj shqiptarëve në vitin 1945. Të çarmatosur, të uritur, të etur, mijëra shqiptarë u nisën drejt vdekjes së planifikuar nga kreu ushtarak dhe politik jugosllav. Ky krim u përpoq të minimizohet dhe të heshtet në politikat jugosllave dhe serbe në kontekstin e fitores mbi fashizmin, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.  Por, pavarësisht ngufatjes së gjatë, shqiptarët kurrë nuk e harruan këtë krim monstruoz, për të cilin askush nga ideatorët dhe ekzekutuesit nuk është vënë para drejtësisë.  Masakra e Tivarit hyn në radhën e krimeve kundër njerëzimit, e kryer sot e 75 vjet më parë”.

Ndërsa ish-Kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar Masakrën e Tivarit si një ndër faqet më të errëta të historisë së Ballkanit: “Tragjedia e Tivarit, një ngjarje e mohuar nga qeveritë komuniste, është ndër faqet më të errëta të historisë së Ballkanit.  Kolonat e të rinjve kosovarë, të mobilizuar për luftë antifashiste, u tradhtuan dhe u vranë si gjatë rrugës, ashtu edhe në Tivar e Dubrovnik, prej fundit të marsit e deri në gjysmën e prillit 1945.  Duke kujtuar të gjithë ata që ranë, e që janë mbi 4000, por edhe ata që i shpëtuan ferrit të Tivarit, apeloj që kjo ngjarje të zbardhet sa më shumë nga historia, pa anime politike e ideologjike. Lavdi të rënëve!”

Ajo që nuk mund të mohohet është fakti se ata të shkretë u tradhëtuan dhe ashtu të çarmatosur, si rrjedhim, u vranë dhe u masakruan nga elementët më kriminel të ushtrisë jugosllave dhe të Partisë Komuniste serbo-malazeze, me dijeninë dhe bashkpunimin e shokëve të tyre ideologjikë të Partisë Komuniste shqiptare dhe të regjimit të Enver Hoxhës.  Sot, kryesisht, kjo masakër është hedhur në harresë, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç janë deklaratat e mësipërme të dy udhëheqësve të Kosovës.  Është një gjë shumë e mirë që Thaçi e Haradinaj, të pakën, e kujtojnë maskarën e Tivarit me një deklaratë në faqen e tyre të internetit.  Por, fatkeqësisht, edhe në deklaratat e zotërinjve Thaçi dhe Haradinaj vihet re një mungesë sinqeriteti dhe një hesitim për ta quajtuar masakrën, organizatorët e saj serbo-malazezë dhe bashkpuntorët e tyre komunistë shqiptarë, me fjalët që meriton: Masakra e Tivarit ishte një akt kriminal dhe tradhëti kombëtare e bashkrenduar mirë midis komunistëve shqiptarë dhe shokëve të tyre jugosllavë, për të eliminuar çdo rezistencë ndaj regjimeve të tyre komuniste.  Se masakrimi i shqiptarëve nga Kosova 75-vjet më parë në Tivar, ishte pjesë e një terrori të organizuar mirë dhe një likuidim i qëllimshëm në masë të shqiptarëve, i përpiluar me kujdes nga autoritetet komuniste jugosllave, të cilat ndër të tjera, donin që me çdo kusht të mos lejonin zbatimin e vendimeve të mbledhjes së Bujanit për vetqeverisjen dhe bashkimin e Kosovës me Shqipëri.  Në këtë përpjekje djallëzore, sipas shumë të dhënave zyrtare dhe dëshmitarëve, autoritetet komuniste jugosllave kishin mbështetjen e plotë të Partisë Komuniste Shqiptare, në krye me Enver Hoxhën.  Për sllavët, kjo masakër ishte në përputhje të plotë me planet e herëshme afatgjata të serbo-malazezve komunistë për të spastruar etnikisht trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë. 

Në kujtim të 75-vjetorit të masakrës së Tivarit, Presidenti Thaçi u shpreh se,“Ky krim u përpoq të minimizohet dhe të heshtet në politikat jugosllave dhe serbe në kontekstin e fitores mbi fashizmin, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.” Zoti President, sa për informacion, edhe regjimi komunist në Tiranë si edhe ai komunist në Kosovën nën ish-Jugosllavi, kanë heshtur gjithashtu në lidhje me këtë masakër, sepse ishin vet bashkpuntorë në këtë krim dhe tradhti kombëtare.  I takon brezit tënd të politikanëve shqiptarë, në të dy anët e kufirit, që të mos heshtni më, por të ngulni këmbë për zbardhjen e kësaj masakre, të cilën me të drejtë e quani si një krim kundër njerërzimit, në deklaratën tuaj.  Një deklaratë e shkurtë në kujtim të këtij përvjetori, të këtij krimi kundër njerëzimit, nuk mjafton, Z. President!

Krimet komuniste, sidomos ato kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre nga komunistët jugosllavë dhe shqiptarë, përfshirë masakrën e Tivarit, nuk mund të trajtohen më si çështje për të cilat nuk mund të flitet.  Historianët të hapin tanimë dosjet dhe arkivat e shteteve përkatëse, për të zbuluar të vërtetën historike, përfshirë edhe përcaktimin se kush ishin përgjegjësit, bashkpuntorët dhe protagonistët kryesorë që dhanë urdhërat dhe ata që kryen këtë krim kundër njerëzimit, duke vrarë mijëra shqiptarë të pafajshëm, vetëm se ishin shqiptarë.

Megjithse historiografia komuniste e kishte shlyer masakrën e Tivarit për pothuaj një gjysëm shekulli nga historia, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ajo është dhe mbetet një ngjarje që nuk mund të harrohet dhe as të zhduket lehtë nga kujtesa historike e kombit shqiptar.Duhet të kërkohet drejtësi dhe përgjëgjësi historike!

75-vjet më vonë, nuk duhet patur frikë nga transparenca dhe as nga zbulimi i së vërtetës mbi krimet komuniste në Ballkan, sidomos krimet kundër shqiptarëve, gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore.  Mos zbardhja e kësaj masakre dhe e krimeve të tjera, anë e mbanë trojeve shqiptare, nga regjimet komuniste shqiptare dhe jugosllave do të vazhdojnë të hedhin një hije të zezë mbi ndërgjegjen morale dhe të ardhmen e kombit shqiptar.  Zbardhja e së vërtetës mbi Masakrën e Tivarit — për të cilin askush nga ideatorët, ekzekutuesit dhe bashkpuntorët e tyre nuk është vënë para drejtësisë — vetëm do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve, jo vetëm midis shqiptarëve, por edhe midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me Malin e Zi, aty ku është bërë masakra.  Zbardhja e Masakrës së Tivarit është një përgjegjësi personale, morale dhe kombëtare për përfaqsuesit e politikës aktuale shqiptare dhe për historianët e mirëfilltë, jo vetëm për për hir të së vërtetës historike, por dhe në shërbim të drejtësisë dhe përgjegjësisë kombëtare. 

Filed Under: Politike Tagged With: 75 vjet, Maskara

Z. KRYEMINISTËR, KENI HARRUAR TË PËRNDJEKURIT POLITIKË

March 30, 2020 by dgreca

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë/

                          Thirrje publike /

Drejtuar : Kryeministrit të Shqipërisë z Edi Rama . Surrel -Tiranë / 

I Nderuar Z .Kryeministër!/

 Ne kushtet e gjendjes se jashtëzakonshme për shkak te pandemisë nga Koronavirusi shumë të përndjekur politike antikomunistë gjenden në vështirësi te mëdha ekonomike e sociale, deri në kufij të urisë. Shumë prej tyre kanë  humbur punën, njëherazi edhe mjetet financiare për të siguruar jetesën nga shtetrrethimi i urdhëruar nga ana juaja dhe po jetojnë momente shumë të vështira.  Të përndjekurit politike te Shqipërisë janë shtresa me e sakrifikuar e popullit shqiptar dhe si dhe ,siç edhe mund ta dini, problemet jetike të pjesës sonë me të madhe janë ende të pa zgjidhura . Hallet e mëdha te kësaj shtrese te krijuara nga politikat e praktikat çnjerëzorë të aplikuar nga shteti shqiptar në 45 vjet diktaturë komuniste janë te mëdha edhe në kushte normalë e jo me në kushte “lufte” si” siç po e trajtoni ju situatën e krijuar nga virusi “Kovid 19”. Shumica jonë jeton vetëm me një rrogë modeste apo me biznese të vogla familjarë të cilat aktualisht janë të mbyllura. Një pjesë e madhe jeton në banesa me qara ndërkohe që një pjese e konsiderueshme  janë në moshë të madhe edhe ne gjendje të rënde shëndetësore, situatë e cila rendohet edhe më shumë nga kufizimi i lirisë në kushtet e shtetrrethimit të pandemisë. Nga komunikimet me ta këto ditë të vështira Situata e shume prej njerëzve tanë janë  ne gjendje shume të rende dhe ndjehen te pa shprese e te kërcënuar seriozisht nga mungesa e mjeteve elementare te jetesës .         

Z. Kryeministër !  

Këto ditë kemi dëgjuar nga ju premtime për ndihma ekonomike e mbështetje për  shtresa ne nevoje por si gjithnjë asgjë për të përndjekurit politik antikomuniste .

Ne ndjehemi  mire që një grup mjekesh shqiptar u dërgua nga ju ne Itali për te ndihmuar popullin italian nga pasojat  tragjike te koronavirusit që, siç thatë ju , midis te tjerash është edhe një kthim borxhi e nderi pe rate qe populli italian ka bërë për ne një momente të vështira në histori. 

Por dua tiu kujtoj juve se ne ka ndonjë  detyrim shteti shqiptar është pa dyshim ai ndaj te përndjekurve politike antikomuniste. Së pari ne jemi në situatën që dinë të gjithë për shkak të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera ndaj nesh nga shteti shqiptar i cili ,me ligj, ka detyrimin të na shpërblejë për demet e shkaktuara. 

Se dyti, shumë nga veprat e mëdha të cilat shteti shqiptar i ka si asete kryesorë ekonomike nga te cilat përfiton të ardhura te mëdha si p.sh dy aeroportet Rinasin dhe Kuçovën,Uzinën e Përpunimit të Naftës ne Ballsh ,minierat e Bulqizës, Spaçit, Qafe Barit etje të gjitha prona që shteti shqiptar i ka dhënë me koncesion e fiton te ardhura te shumta  prej tyre . Pa llogaritur këtu mijëra vepra te tjera si këneta te thare apartamente banimi te gjitha te ndërtuar me punën skllavëruese te papaguar të të përndjekurve politike antikomunistë. Për ta aktualizuar pak çështjen qe ta kuptoje edhe opinioni publik spitali “Shefqet Ndroqi “ që keni kthyer në spital për te prekurit nga “Koviod 19 ”  është ndërtuar me gjakun dhe djersen , punën skllavëruese te pa paguar te të burgosurve politikë. 

Ne këto  kushte do të ishte në detyrimin tuaj dhe të qeverisë suaj të suaj të kushtoni pak vëmendje  edhe për shtresën tone si për detyrimin ligjor  qe shteti ka për ne por edhe për gjendjen e rende ne te cilën ndodhen shumica na ne . Ne nuk kërkojmë shume  dhe asgjë ne mënyrë te pa ligjshme por atë pjese te vogël qe ligji na jep  si dëmshpërblim te krimeve që shteti shqiptar ka kryer ndaj nesh. 

Ne kërkojmë nga ana juaj qe ne masat tuaja te parashikoni e te vendosni shlyerjen  totale  dëmshpërblimit të te përndjekurve politike i cili  deri tani është dhëne me pikatore ne kundërshtim me ligjin nga  qeveria juaj .

Ne se te tjerët premtoni se do ti mbështesni e ti ndihmoni me para te buxhetit ,para te të gjithë taksapaguesve shqiptarë, për ne do të mjaftonte vetëm një pjesë e vogël e parave që shteti përfiton nga pronat e ndërtuara me gjakun, eshtrat, djersën e punën skllavëruese të pa paguar e njerëzve tanë.

Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë dhe legjitime : Na jepni ata qa jepni ata që ligji ju detyron si dëmshpërblim për dëmet qe shteti na ka shkaktuar me krimet e tij te rënda ndaj nesh !   

Mbetemi në pritje të reagimit tuaj pozitiv .

Kryetari 

Nebil Çika  

Tiranë me 30.03.2020

Filed Under: Politike Tagged With: te perndjekurit

Në selinë e NATO-s u ngrit flamuri i Maqedonisë së Veriut

March 30, 2020 by dgreca

Flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit të hënën pasdite para ndërtesës së NATO-s në Bruksel, duke shënuar pranimin e saj zyrtar në aleancë si anëtari i 30-të i saj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili mori pjesë në ngritjen e flamurit me një grup të vogël zyrtarësh, vlerësoi se ky është moment historik për Maqedoninë e Veriut pas disa vitesh të angazhimit për reforma.

“Ne u mblodhëm sot për të mirëpritur Maqedoninë e Veriut në familjen e NATO-s duke ngritur një flamur para selisë sonë. Tridhjetë e gjashtë flamuj tani po valojnë së bashku, si një simbol i unitetit dhe solidaritetit tonë”, tha ai.

Stoltenberg theksoi se pranimi në NATO është i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut, pasi është i rëndësishëm për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Për shkak të pandemisë, ceremonia u monitorua përmes një lidhjeje video nga nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski dhe ministrat tjerë të qeverisë.

Spasovski tha se anëtarësimi në NATO ishte suksesi më i madh që nga shpallja e pavarësisë së vendit deri më sot, dhe shtoi se ngritja e flamurit ishte “një simbol i një të ardhme të sigurt dhe të prosperuar” për Maqedoninë e Veriut.

“Udhëtimi ka qenë i gjatë, dhe shpërblimi që erdhi sot kur shohim flamurin tonë përpara selisë së NATO-s në Bruksel, është i merituar”, tha Spasovski.
Maqedonia Veriore u bë një anëtare e plotë e NATO-s të premten më 27 mars. 

Procesi i anëtarësimit në NATO filloi në gjysmën e dytë të vitit 2018, pasi vendi ftua të bëhej anëtar në Samitin e Aleancës në Bruksel më 12 korrik të atij viti.

Filed Under: Politike Tagged With: NATO

Sëmundja e MASOCHISM-it

March 27, 2020 by dgreca

– Partia Demokratike kishte “fitue”, por edhe Partia Socialiste ishte afërsisht po aty, ndërsa njerëzit e saj të padukshëm ishin gjithkund, në Parlament, Qeveri, Presidencë, Ministri të ndryshme,gjithkund, gjithkund… edhe vetë në Partinë Demokratike.

  • …shumica e anëtarve të Këshillit të Ministrave ishin ish-komunista, apo bijë komunistash, e njëjta gja ekzistonte pothuajse në çdo nivel burokratik, nga maja e piramidës deri në bazën e saj. Komandanti i rojeve të kryeministrit ishte një ish-sigurims, -imagjinoni se sa ish-sigurimsa të tjerë ishin duke punue…/

Shkruan:Dr. Zekri PALUSHI/

Është një sëmundje psiqike, që ban pjesë në grupin e ç’rregullimeve Paraphilike (Paraphylic Disorders).

Të sëmurët me masochism, ndëgjojnë kënaqësi,- kur vetë, apo të tjerët i keqtrajtojnë, poshtrojnë, apo abuzojnë nga ana fizike, dhe emocionale/psikologjike, -duke u shkaktue kështu,- DHIMBJE fizike apo shpirtërore. 

Psh. Një karakter masochistic, mezi s’pret me shkue tek dentist për të shkul dhambin pa anastezi lokale, pasi dhimbjet i japin kënaqësi!

Pse po e shkruj këtë artikull?

Në t’vërtetë, ky nuk asht një shkrim i radhës, për rubrikën ‘Këshilla Mjeksore’. Aq më tepër, këtë sëmundje e kam takue shumë rrall në praktikën time mjeksore, -megjithatë shenjat e kësaj sëmundje më nxitën dëshirën për t’i diskutue me ju, e njëherësh, së bashku t’i analizojmë e krahasojmë, -(por jo pa dhimbje), me psikologjinë, dhe metalitetin post-komunist të popullit Shqiptar. 

Në vitin 1991, kam qenë një nga kandidatët për deputet të Partisë Demokratike për rrethin e Pukës, -një kohë kur mendoja se edhe pa nevojën e një fushatë elektorale kundra komunizmit, populli do t’votonte në shumicë për mue. Bindjet e mija bazoheshin në një llogjikë të thjeshtë, -komunistët kishin punue pamëshirshëm, për 50 vjet, kundra popullit, e tash populli e kishte rradhën të punonte kundra tij, (jo me dhunë) me votën e lirë. Fatkeqësisht qesh shumë i gabuar, e thellësisht i zhgënjyer. Prap fituen përfaqësuesit komunist.

Në vitin 1992, në pozicionin e këshilltarit të kryeministrit, e n’disa poste të tjera, -përsëri pata mundësinë të konstatoj se komunistët ishin kudo, shumica e punonjësve të Kryeministrisë ishin po ato t’kohës komuniste, shumica e anëtarve të Kshillit të Ministrave ishin ish-komunista, apo bijë komunistash, e njëjta gja ekzistonte pothuajse në çdo nivel burokratik, nga maja e piramidës deri në bazën e saj. Komandanti i rojeve të kryeministrit ishte një ish-sigurims, -imagjinoni se sa ish-sigurimsa të tjerë ishin duke punue në të gjitha nivelet e tjera, në “rojë” të Institucioneve dhe autoriteteve tona DEMOKRATIKE!!!

Kjo e gjitha,- ligjërohej e justifikohej nga VOTAT e LIRA e të VULLNETSHME, të popullit Shqiptar. Kjo ishte në t’vërtetë e VËRTETA. Partia Demokratike kishte “fitue”, por edhe Partia Socialiste ishte afërsisht po aty, ndërsa njerëzit e saj të padukshëm ishin gjithkund, në Parlament, Qeveri, Presidencë, Ministri të ndryshme,…gjithkund, gjithkund,.., edhe vetë në Partinë Demokratike. 

Kjo ka qenë një situatë tepër poshtruese, pa dyshim e mundësuar nga votimi, pothujse i barabartë, n’favor t’socialisve. Për këtë gjendje sa të dhimbshme aq dhe të turpshme, – Shqiptarët s’mund të gjejnë asnjë lloj justifikimi. Komunistët nuk do të kishin mundësi të blenin votat, nqs shqiptarët s’do t’jua shisnin atyre, -komunistët s’mund të manipulonin votimet, nqs shqiptarët s’do të manipuloheshin prej tyre. Socializmi s’qe një fenomen i ri e i pa-njohur për shqiptarët.

E di që komunistët/socialistët tonë, janë ma dinakët në botën komuniste, -ato premtojnë gjithçka, bile edhe falas, -por shqiptarët, me një eksperiencë, nga ma t’dhimbshmet në botë,  tashma pas 50 vjetësh duhet ta dinin ma mirë se  kushdo tjetër, se: “Mice die in mouse traps because they do not understand why the cheese is free”. (mijt cofin në kurthat e mijve, sepse se kuptojnë pse djathi asht falas).

Socialistët Shqiptar janë po ato komunist që na kan pas premtue “lugët e arta”.

Socialistët shqiptar janë po ato komunist që me FORCË, per 50 vjet na kan kshillue që “Të luftonim KUNDRA rehatisë personale…”

Socialistët Shqiptar janë po ato komunistë që nëpërmjet “Luftës së Klasave” na kan nxitë që t’luftonim e urrenim njeri-tjetrin, brenda familjes e në shoqëri.

Socialistët Shqiptar janë po ato komunist që ndërtuen mbi 39 burgje të tmerrshme, ku vuajtën tragjikisht, u torturuen, e u poshtruen mbi 16788 burra, dhe 7367 gra,- krejt t’pa faj. Ndër kohë, pushkatuan me “gjygj” e pa gjygj AJKËN e intelektualve dhe t’klerikve shqiptar,-ndërto -5.391 burra, dhe 450 gra, pa përmend të zhdukurit e pa dokumentuar. 

Socialistët Shqiptar janë po ato komunist që ndërtuen 70 kampe Interrnimi, ku vuajtën të ‘zitë e ullirit’ e ndryn jetën n’mjerim e t’poshtruem mbi 70.000 njerëz të mirë.

Socialistët Shqiptar janë po ato komunist që na detyruan me FORCË që të ndërtonim “vullnetarisht” 850.000 bunkerë, kur s’kishim as strehim të përshtatshëm, e as buk, apo ushqime tjera bazale, e t’mjaftueshme për një jetë njerëzore minimale.

Këto janë pra, pak nga përmbajtja e “menu-s” së Tmerreve Komuniste, që ne shqiptarët i kemi pasë në “tavolinën” tonë t’përditshme. Kjo edhe sikur t’kishte qenë një “menu” e shijshme, prapseprap njeriu s’han për 50 vjet të njëjtën gja.

Pra, sot asht e turpshme, qesharake dhe e pa-besueshme që Shqipëria, -ky “Vend Shqiponjash” -të qeveriset nga SOCIALISTËT.

Asht ma se e turpshme, poshtruse, qesharake, dhe e pa besueshme, që Kryetari i Parlamentit Shqiptar asht Gramoz Ruçi,-ish ministër i mbrendshëm i kohës komuniste.

Sejcili prej nesh, në diasporë e trojet Shqiptare, njifemi me eucritë dhe ngjarjet politike të niveleve katastrofike që kan përcjellë Shqiprinë, Kosovën…, -të gjitha janë pjellë e manipulimeve të socialistve shqiptar, që janë pra, po ato komunist që kishim më parë.

 Sejcili prej nesh asht në dijeni të vuajtjeve të gjithanshme, e rrezikut të krijuara nga KRIMI I ORGANIZUAR e KORRUPSIONI SHTETROR që njerëzit tonë po kalojnë t’nënshtruar ç’do ditë, -edhe kto pra janë pjellë e socialistve, ish-komunistve.

Sejcili prej nesh, e të gjithë shqiptarët e dinë se në THELBIN e te gjitha t’kqiave që kanë përcjellë popullin Shqiptar nga viti 1941 deri në vitin 1991, dhe nga viti 1991 deri në vitin 2020, e n’vazhdim, janë rezultat i një pune djallëzore, kordinuese, e tepër t’organizuar të komunistve EnverHoxhian, në një bashkpunim e kordinim të përsosur me Socialistët e sotëm të Shqipërisë, Kosovës…!

Socialistët Shqiptar, janë po ato komunist që barbarisht shkatrrun besimet fetare, dhe mohuan Zotin, duke i zevendesue ato me Fene Komuniste, ku zot u shpall krimineli ma sadistik i botës, EH., me “biblën” e tij të famshme,-“Manifestin Komunist”, – t’cilit ne duhet t’I luteshim 24 orë, e t’i falenderoheshim ç’do ditë për të “mirat” që na sillte Partia. 

Në kët “bibël”, prap vazhdojnë të luten e betohen edhe socialistët tonë të sotëm.

Pra, -ç’far vlerash morale kanë kangët, dokumentarët, lapidarët dhe përkujtimet e vujtjeve të tmerrshme tej- Makbethjane, të shkaktuara nga komunistët e djeshëm, që janë socialistët e sotshëm, -kur ne, vullnetshëm, e me votën tonë të lirë, vazhdojmë të respektojmë MASAKRUESIT. Ne me votat tona, n’favor të socialistve, po shkelim pa-nevojshëm, me një mospërfillje të pa shpjegueshme mbi gjakun dhe amanetin e njerëzve tonë,-atyre që ju bajmë kangë. Po t’ktheheshin në jetë kto victima të ndjera, do t’na pshtynin n’sy, për hipokrizinë e pa kufishme që po tregojmë tash 30 vjet me ta, ndaj tyre, e po ashtu, edhe ndaj vujtjeve tona. Ndërkohë në paturpësisht na pëlqen të ndjehemi krenar për ç’far kemi ba për to. S’kemi ba asgja. Zot na fal! 

Duke i ditë, dhe përjetue t’gjithë sa tham më sipër, -sigurisht shumë ma tepër e ma thellë i  përjetojnë kto vujtje,- pothujse vetëshkaktuese, njerëzit tonë që jetojnë në trojet Shqiptare,- atëherë natyrshëm lind pyetja: A vuajm në Shqiptarët nga MASOCHISMI?     

Fatkeqësisht, eksperienca e deritanishme,-veçanërisht ajo në Shqipëri, po e vërteton ma s’miri këtë diagnose.

Tashma kjo asht një sëmundje endemike, e shkaktuar nga viruset komuniste, që dukshëm kan depërtue thellë në kodin gjenetik t’shqiptarve, dhe që janë -shumë ma t’rrezikshmë se një infeksion kalimtar viral, shkaktuar nga CORONAVIRUSI. 

Votimi ne favour të socialistve, azgjësimi i PATRIOTIZMIT,…. Përçarjet brenda Shqipërisë, me tendencë përhapje në Kosovë, Maqedoni e Mal t’Zi,- janë shenjat ma t’dukshme e shumë t’rrezikshmet t’kësaj sëmundje me  pasoja katastrofike për Kombin Shqiptar. 

Sigurisht që nga kjo sëmundje, kanë përfitue, përfitojnë e gjithmonë do të përfitojnë,…KUSH? = Shkaktuesit,-pra Socialistët Shqiptarë, -si dhe spektatorët e JARGOSUR Serbë, Maqedonas, Grekë, e Malazez.  

 Le t’shpresojmë se një ditë të afërt, socialistët shqiptar do t’ndërgjegjësohen, e vetë të tërhiqen nga krimet kundër shqiptarve, se me ç’far po shofim deri tani,- PATRIOTIZMI SHQIPTAR fatkeqësisht ka vdekur,-kshtu që socialistët tonë, mund t’sundojnë vendin me mënyrat e vet atë stilit MAFIOZ, deri sa t’mërziten e të hane njeri-tjetrin.

Me shpresë në mirkuptimin tuaj, pa paragjykime.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr.Zekri Palushi, Semundja e Masochism

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 370
  • 371
  • 372
  • 373
  • 374
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT