• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LAVDI LEGJENDËS KOMBËTARE SHABAN POLLUZHA DHE DËSHMORËVE TË SHQIPËRISË ETNIKE !

February 21, 2020 by dgreca


NGA PËLLUMB LAMAJ/


Më në fund një pjesë e klasës politike në Kosovë nderon një nga legjendat e rezistencës kombëtare rënë me pushkë në dorë në mbrotje të trojeve etnike kundër pushtuesit sllavokomunist serb e baltosur dhe e lënë në harresë për 75 vjet nga sllavokomunistët e Lidhjes Komuniste të Kosovës.Po kryeministri Kurti ku është ? Diaspora shqiptare ? Konsullatat e Kosovës ? Institucionet e kulturës ? Rrjetet sociale ? Kurrë në historinë e tyre shqiptarët nuk kanë qenë kaq mosmirënjohës ndaj Heronjëve të Shqipërisë Etnike !


KOSOVA MARTIRE/


Njëqind vjet u pre pema e lirisë
Por rrënjët e kombit ishin të thella
Ato ushqeheshin me gjak martirësh
Filiza buronte Kosova ndër breza
Njëqind vjet u pre flamuri
Me mijëra thika u copëtua
Jo nuk vdiq Shota Galica
Marije Shllaku,Shaban Polluzha
Njëqind vjet luftoi Kosova
Kurrë nuk u dorëzua shqiptari
Jehojnë trojet e Shqipërisë Etnike
Të qofshim fal familja Jashari
Sot na thërret Presheva martire
Sytë e përmalluar kërkojnë trungun nënë
Po troket ora e racës Ilire
Kush është burr,të ngrihet në këmbë !

Filed Under: Politike Tagged With: Kosova Martire, Pellumb Lamaj

KUSH DO TË JETË PËRFAQËSUESI I POSAÇËM I BASHKIMIT EVROPIAN PËR BISEDIMET KOSOVË-SERBI?

February 21, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/ Sipas një njoftimi për median të premtën nga Bashkimi Evropian,(BE) Përfaqsuesi i lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell foli në telefon, veças me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar, sipas njoftimit, bisedimet që ai kishte zhvilluar me ta gjatë vizitës së tij të parë në Beograd dhe në Prishtinë në fund të Janarit.

Por duket se arsyeja kryesore e këtyre telefonatave që Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së zhvilloi me tre udhëheqësit e lartë-përmendur ishte vendimi për të emëruar një Përfaqsues të Posaçëm të BE-së për Dialogun në Ballkanin Përendimor, siç cilësohet në njoftimin për media, midis Serbisë dhe Kosovës.

Me rastin e vizitës së tij në Prishtinë dhe në Beograd në fund të Janarit që kaloi, pritej që Josep Borrell, në kapacitetin e tij si Shef i Politikës së Jashtme të BE-së, do të vazhdonte rolin e paraardhëses së tij,Federica Mogherini dhe si i tillë do të kryesonte dialogun Kosovë-Serbi, sipas modelit të Mogherinit.  Në një artikull me rastin e vizitës së Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme Evropiane, Josep Borrel në Serbi dhe në Kosovë, pata shkruar se emërimi i diplomatit spanjollit Borrell në atë detyrë, ishte lajm i keq për Kosovën. Kisha sugjeruar me atë rast se ai mund të ishte njeriu më i papërshtatëshëm për atë detyrë dhe se për arsye të qendrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës, në të kaluarën, dhe për faktin se vjen nga një vend si Spanja që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës – do të ishte më mirë që të tërhiqej nga një rol i tillë, në bisedimet e ardhëshme Kosovë-Serbi,dhe të emërohej dikush tjetër më i përshtatshëm dhe më i paanshëm, për bisedimet e vështira Beograd-Prishtinë. http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-kush-eshte-josep-borrell-per-shqiptaret/

Cilatdo qofshin arsyet e tërheqjes së tij nga roli për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi, vendimi i Josep Borrell për t’u tërhequr dhe për të emëruar një përfaqësues të posaçëm për këtë detyrë delikate, është një vendim i mirëseardhur, kur të merren parasysh komentet e tija, në të kaluarën, kundër pavarësisë së Kosovës, megjithëse ai ishte në një rol tjetër, si përfaqsues i Spanjës.  Por me at rast, argumentova se Josep Borrel, si përfaqsues i BE-së, nuk kishte as besueshmërinë minimale të nevojshme për të udhëhequr bisedimet Serbi-Kosovë, sidomos për nga pikëpamja dhe këndveshtrimet e Kosovës. 

Shefi i Politikës së Jashmt të Bashkimit Evriopian, Josep Borrell.

Sipas njoftimit të BE-së për media të premten, Josep Borrel ka nënvijuar se emërimi që pritet të bëhet shpejt për një përfaqësues tëposaçëm te BE-së në bisedimet Serbi-Kosovë, pasqyron rëndësinë që Bashkimi Evropian dhe ai vet personalisht, i kushtojnë rajonit dhe stabilizimit të gjendjes dhe përparimit atje në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimornë Bashkimin Evropian.Në njoftimin e BE-së thuhet gjithashtu se Josep Borrel do të vazhdojë të jetë personalisht i angazhuar në mbështetje të përspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe ndaj rolit të tij si lehtësues në dialogun Prishtinë-Beograd.

Megjithë këtë angazhim të tij personal, sipas raporteve në media, pritet që së shpejti, Shefi i Politikës së Jashtme Evropiane të emërojë një të dërguar të posaçëm të BE-së, që do të merret ekskluzivisht me dialogun Serbi-Kosovë.  Megjithësederi tani ai nuk ka përmendur ndonjë emër të mundëshëm për këtë rol — emërimi i një përfaqsuesi evropian për bisedimet Prishtinë-Beograd — është një lajm i mirë në vetvete, duke marrë parasysh se Josep Borrel, në mendimin tim, nuk do të ishte njeriu më i përshtatëshëm për këtë rol.

Por nëqoftse u besohet disa lajmeve që po qarkullojnë sot e që thonë se Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, po konsideron për këtë detyrë, Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajçek.  Një propozim ky, ndoshta, jo aq i keq sa do të ishte vet Josep Borrel në rolin ndërmjetësues evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, por do të ishte, sipas meje, gjithnjë një emërim problematik për Kosovën, pak a shumë për të njëjtat arsye pse do të ishte problematik, edhe Josep Borrell, po të luante rolin e përfaqësuesit evropian në bisedimet Kosovë-Serbi.  Sepse siç dihet, edhe Sllovakia është një prej 5 vendeve që ende nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe si i tillë, a mund të pritet që ai të jetë asnjanës?  Ashtu si Spanja, edhe Sllovakia ka probleme me grupet etnike mbrenda kufijve të saj.  Në Sllovaki jetojnë afër gjysëm milioni hungarezë, ose 8.5% e popullsisë së përgjithshme prej 5.5 milionë veta.  Gjëndja e hungarezve nuk është aq e keqe në Sllovaki, por problemet etnike midis sllovakëve dhe hungarezve vazdojnë të jenë problematike.  Situata këto se në një mënyrë ose në një tjetër, afektojnë pikëpamjet e zyrtarëve të lartë siç janë spanjolli Josep Borrel dhe Mirosllav Lajçak, madje edhe në rolin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.Për fat të mirë, edhe nëqoftse bëhet një propozim i tillë, emërimi I Miroslav Lajçak, duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare tëBashkimit Evropian. Shpresoj që vendet kryesore të BE-së të jenë sensitive ndaj faktorëve të tillë, të kenë një mirëkuptim të përbashkët dhe të emërojnë një diplomat të karierës, njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe çeshtjeve ndërlikuese midis Kosovës dhe Serbisë, në veçanti.Mbitë gjitha, përfaqsuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, duhet të jetë një ndërmjetës i paanshëm, me një besueshmëri të lartë dhe të pa cënueshme.  Por, jo vetëm kaq, përfaqësuesi evropian për bisedimet Serbi-Kosovë, duhet të jetë gjithashtu një individ i cili do të mund të bashkpunojë ngusht edhe me përfaqsuesit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, të cilët janë emëruar tanimë, nëqoftse bisedimet Prishtinë-Beograd do të kenë edhe mundësinë më të vogël që të dalin me sukses.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak – A do të jetë ky përfaqsuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun e ardhëshëm Prishtinë-Beograd?

Filed Under: Politike Tagged With: BE-Kosovë, Frank shkreli

TË VËRTETAT E PAPËLQYERA TË BE NË ERËN E RE TRUMP

February 21, 2020 by dgreca

Ndonjëherë disa lloj episodesh të vogla janë si një shqyerje  në rrjetën që zbulon se në çfarë gjëndjeje ndodhet sot Evropa dhe, brënda saj, Italia. Kush ndalet të vështrojë nëpërmjet asaj të çare do të shihte një fushë të gjërë dhe një skuadër – e jona – që ngulmon të luajë voliboll, ndërsa tashmë të tjerat, të pjesës tjetër të botës, po na përballojnë në një ndeshje madhështore regbije. Rrethanat janë të tilla që mediat ndërkombëtare i regjistrojnë në mënyrë të shpejtë, të palidhura ndërmjet tyre. Në Washington sapo u pushua nga puna një burrë që kishte qënë përcaktues në qëndresën financiare t’Evropës, edhe se shumë  njerëz nuk i a kanë dëgjuar kurrë emrin. Në të njëjtat ditë spanjoli Josef Borrel, nënkryetar i Komisionit, u shtrëngua të kërkojë ndjesë pse kishte thënë një të vërtetë të pahijshme mbi ndryshimin e klimës. Burri i pushuar në Washington  quhet David Lipton, ka një doktoratë ekonomie të Harvardit, ka punuar në administratat e Bil Clinton-it dhe Barak Obamës e, prej nëntë vitesh, ishte numuri dy i Fondit monetar ndërkombëtar. Në fakt për periudha të gjata ka mbarështuar gjithë organizatën.

            Lipton-i është vetë mishërimi i uashingtonasit ndërkombëtarist, i bindur që roli i saj në botë e detyron Amerikën të mbështesë miq dhe aleatë mbi bazën e vlerave, rregullave dhe institucioneve të përbashkëta. Në përfytyresën e tij Amerika është “qyteti që ndriçon përmbi kodër” – në citimin ungjillor të përsëritur nga John Fitzerald Kennedy, Ronald Reagan e Obama – frymëzim për pjesën tjetër të botës. Javën që shkoi Liptoni u përzu nga drejtoresha e përgjithëshme e Fondit, bullgarja Kristalina Georgieva. Arsyeja e pashpjeguar kurrë është se Shtëpia e Bardhë e Donald Trump-it ka ushtruar shumë trysni: “Është e vështirë të besohet se çfarëdo lloj organizimi i dobishëm për FMN, do të kërkonte daljen e David Lipton-it – ka komentuar ish kryetari ekonomist i Fondit, Olivier Blanchard – . Ikja e tij është një goditje e rëndë për institucionin”.

                Nga ana tjetër ky ishte objektivi: ai funksionar ishte caktuar nga një Vend, presidenti i të cilit nuk ka më asnjë interes për “qytetin që ndriçon përmbi kodër”. E ndërpreton leverdinë e vet në mënyrë tjetër. Për Trump-in Amerika  nuk është më as një model dhe as një garant për Evropën, dhe Evropa është një bashkësi fuqish të vogla që kanë si synim të nxjerrin përfitime në mënyrë të pandershme nga Amerika. Kjo e fundit është viktima – jo drejtuesja – e rendit ndërkombëtar që ajo vetë kishte krijuar dhjetëvjeçarë më parë. Heqja nga puna e Lipton-it është vetëm një tullë më shumë që Trump-i thërmon në sistemin e shumanshëm. Natyrisht, jo i pari: ka katandisur në paralizë Organizatën botërore të tregtisë, ka shpërthyer luftëra ekonomike të dyanëshme, ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet e Parisit mbi klimën. Tani synon të tkurrë edhe rolin e FMN në rast të krizave të reja.

            Edhe shemëria trumpiane kundrejt Kinës së Xi  Jinping-ut e përjashton në fakt Evropën, sepse nuk bazohet mbi vlerat apo ideologjitë – bota e lirë kundër mbifuqisë autoritare – por është një përballim i thjeshtë pushtetesh mes dy udhëheqësve njëlloj kombëtaristë. Nga ana tjetër ky rend gjërash nuk do të ndryshojë rrënjësisht edhe nëse Trump-i në nëndor nuk do të rizgjidhet: deri edhe kandidati demokrat më i lidhur me botën e djeshme, ish nënpresidenti Joe Biden, bën me dije se nuk do t’i rikthejë taksat e njëanshme kundër Pekinit në ata nivele të ulta të kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishin Obama dhe ai vetë.

            Kjo nuk është më “bota e sheshtë” e librit të Thomas Friedman të 2005. Ndërpreja relative e tanishme e taksave nga ana e Shtëpisë së Bardhë po i jep pak frymëmarrje Evropës, asgjë më shumë: kjo mbetet një botë mbas liberale, plot pengesa të reja shkëmbimeve dhe logjikash të lashta fuqish. Nuk është më as koha e klintonianes “it’s the economy, stupid”, sepse për politikën nuk vlen më vetëm rritja, përkundrazi. Ndërmjet votuesve të Brexit shpallja e vetvetsisë  vjen më parë se leverdia materiale, e deri dhe Amerika ushtron kundër aleatëve fuqinë e vet tregtare – hyrjen tek dollari, ose tek tregu – si leva për t’i përthyer politikisht. Kush bën tregëti me Iranin është jashtë Wall Street-it. Kush blen rrjeta telekomunikacionesh nga kinezët rrezikon taksa kundër makinave.

            Në pamje të parë kjo botë nuk është m’e mirë se ajo e djeshmja, por sot është ajo në të cilën banojmë e në të Evropa duket si një e mbijetuar. Arkitektura e saj ishte vizatuar në mënyrë të tillë për t’a bërë të kishte mirëqënien në një sistem të globalizuar të mbajtur nga organet e shumanëshme, ku normat e ekonomisë vlenin për të gjithë e mbeteshin të ndara nga lufta mes fuqive në sajë të miratimit të elitave ndërkombëtare. Mund të kemi mall për atë botë, ose jo, por ajo nuk është më. E megjithatë Evropa ishte ndërtuar për të jetuar brënda saj. 

            Nuk ka sintomë më mizore se sa e ashtuquajtura “gafë” e Borrellit. Pak ditë më parë përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtëme të Brukselit, duke kujtuar caqet e ungjillizimit mjedisor t’Evropës në botë, tha : “ Do të më pëlqente të dinja nëse të rinjtë, që manifestojnë nëpër rrugët e Berlinit, duke kërkuar masa kundër ndryshimit klimaterik, a  janë të vetëdijshëm për kostot. Nëse kuptojnë se duhet të pakësojnë nivelin e tyre të jetesës për të shpërblyer minatorët polakë  të qymyrit që mbeten pa punë.”Borrell ka lënë të kuptohet se Evropa ka për të përballuar zgjedhje të vështira, nëse don të marrë rolin drejtues në botën që kërkon sot. Ka thënë se politika dhe fuqia nuk arrihen kurrë falas. Hapu o qiell: Komisioni evropian  zyrtarisht u shkëput dhe spanjoli u detyrua të kërkojë ndjesë se kishte folur për atë që quhet “sindroma Greta”; kishte guxuar të thotë një të vërtetë të papëlqyer në një Evropë të mësuar të jetojë e mbrojtur. Por një sistem që nuk duron të vërtetën është një sistem politik i dobët. Evropa sot nuk mund t’i a lejojë vetes.

*“Corriere della Sera”, 16 shkurt 2020   E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Trump

TREPÇA PARA 31 VITEVE, MINATORËT NË GREVË MBRONIN KOSOVËN

February 20, 2020 by dgreca

TREPÇA PARA 31 VITEVE, MINATORËT NË GREVË  MBRONIN KOSOVËN/

-Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme – Trepça e paprekshme, u tha sot në veprimtarinë në Stanterg në 31 vjetorin e grevës së madhe, nga 20 deri 28  shkurt 1989, të minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë. Në manifestimin “31-vjetori i Grevës së Minatorëve të Trepçës” morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani/

-Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës u zhvillua nga 20 deri 28  shkurt 1989,  e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët, u pasua me demonstratat gjithëpopullore/

-Trepça, gjiganti i ekonomisë së Kosovës, sa Ari e Argjend prodhonte nëpër vite/

-Ishte ditë e diel, 17 janar 1993, kur policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen në një rrugicë, më arrestuan pse kisha botuar në gazetën tradicionale e historike të Kosovës Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës dhe përkrahjen/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

STANTËRG-MITROVICË, 20 Shkurt 2020/  Në minierën e Stantergut të Mitrovicës u mbajt sot manifestimi i 31 vjetorit të grevës së madhe të minatorëve të Trepçës të vitit 1989 në mbrojtje të Kosovës, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani grevën e minatorëve e ka cilësuar rezistencë të dyfishtë.

“Në kontekstin historik, greva e minatorëve të Trepçës mund të trajtohet në dy rrafshe, si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia dhe, së dyti, si rezistencë  ndaj suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, greva shërbeu për sensibilizim qytetar dhe me angazhimin e tyre vetëmohues, minatorët i lëkundën themelet e Jugosllavisë së atëhershme.

“Marshi i organizuar nga minatorët nga Mitrovica në Prishtinë, ishte dëshmi e qartë se si minatorët arritën ta krijonin solidaritetin dhe aktivizmin qytetar në Kosovë”, ka theksuar Osmani.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se minatorët e Trepçës e donin Republikën, prandaj e ngritën fuqishëm zërin ndaj okupuesit dhe kundër ndryshimeve kushtetuese te asaj kohe.  

“Ngjashëm edhe sot, minatorët dëshirojnë mbrojtjen e pavarësisë se Kosovës, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe dinjitetin qytetar. Falë kësaj sakrifice dhe vlerave të cilat na udhëhoqën e që përkrah nesh i rreshtuan shtetet demokratike të botës, kjo ëndërr është realizuar dhe pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Trepça është e paprekshme”, ka thënë Osmani.

Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se ky aset strategjik i Kosovës, përballet me sfidën e zhvillimit, ndaj ka premtuar angazhimin institucional për përmirësimin e kushteve të punës për minatorët. 

Në Trepçë, për tetë ditë me radhë, aq sa kishte zgjatur greva e urisë,  tradicionalisht zhvillohen veprimtari përkujtimi dhe vlerësimi të “Javës së Minatorëve”.

Greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  shkurt 1989, ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Greva minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat gjithëpopullore të po para 31 vjetëve, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna. 

Përfundimi i luftës para gati 21 viteve, në qershorin 1999, Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje.

Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.

Gjiganti ekonomik Trepça në 2019-tën u bë me Statut të ri. Në 3 shkurt Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. u procedua Kuvendin 120 anëtarësh dhe kaloi me 80 vota pro, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për Trepçën.

 Statuti i Trepçës përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.

Emërtimi i shoqërisë aksionare është Trepça Sh.A dhe selia është në Parkun Industrial të Mitrovicës.

Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare Trepça Sh.A. mundëson zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë dhe në seancën e Kuvendit të Kosovës.

SHËNIM I SOTËM, 20 SHKURT 2020: SI U ARRESTOVA PSE BOTOVA NË GAZETËN TRADICIONALE E HISTORIKE RILINDJA SHKRIMET PËR GREVËN E MINATORËVE TË TREPÇËS NË MBROJTJE TË KOSOVËS

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në shkurt 1989, para 31 viteve, isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.

Pas grevës kishte arrestime, së pari arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, nga telexi, e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër lagjen e Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe.

Gazeta e rezistencës “Bujku”, e datës 19 janar 1993, me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, ka shkruar  se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt.

***

RAPORTIME QË KAM BËRË NË 9 TETOR 1996 DHE NË 16 SHTATOR 1997:

[16] KOSOVA WANTS ITS GOLD FROM FORMER YUGOSLAV RESOURCES

PRISTINA, OCT 9 (ATA)- By B.Jashari, Kosova is asking its own gold from the former Yugoslav resources, in the context of its right to inherit assets of the federation, where it had an equal status with six other federal units.

Last week President of the Republic of Kosova, Dr. Ibrahim Rugova, asked Switzerland to block in its own banks the gold reserves of former Yugoslavia, until Kosova’s right to inheritance is accepted.

The gold reserves of former Yugoslavia continue to be a state secret but Albanian experts say that approximately it can be estimated as Kosova’s share. Figures what Trepce’s output can be or has been in a year are very well known.

According to a scientific analysis on Kosova’s resources, academician Minir Dushi has jumped to the conclusion that some 686 kg of gold and 204 tons of silver can be turned out in one year by “Trepce”.

Former director of “Trepce”, Aziz Abrashi, has admitted that in cases of “low productivuty”, Trepce’s annual output was 270 kg of gold and 113 tons of silver, of great purity.

According to experts and witnesses the whole gold extracted from the Kosova mines whose quantity has always been kept secret during the whole existence of former Yugoslavia, has been taken and sent to Belgrade, to the state’s treasury, under a tight surveillance.

The return of gold, which is an unalienable asset of Kosova, is an important segment of former Yugoslavia’s inheritance. But without Kosova there can be no inheritance, and for this correct approach, the state and political leadership of Kosova demands and expects internationally backing as well as support from the former Yugoslav republics. p.pa/jz/lm/Z/

Albanian Telegraphic Agency

[05] BELGRADE AIMS TO INTENSIFY EXPLOITATION OF KOSOVA RESOURCES

PRISHTINE, SEPT 16 (ATA)-Discovery and intensive exploitation of coal resources of Kosova is at the centre of a study undertaken by the Mineral-Metallurgical Faculty of Belgrade, for the supply of the whole energy system in rump Yugoslavia.

The project envisages the construction of nine heat-power stations, with a 2 800 Megawatt capacity, which will be added to the seven heat-power-station block set up earlier, with a 1.500 Megawatt capacity.

According to the above project there are 20 billion tonnes of coal reserves, which would be enough for a 1 500 year period. B.J. P.Ta/pas/lm/sh/

Albanian Telegraphic Agency

8Me shume fotografi i gjeni ne faqen e Diellit…

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari

ATE ANTON HARAPI:MOS HARRONI SE JAM SHQIPTAR!

February 20, 2020 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

MOS  HARRONI  JU  SE:JAM  SHQIPTAR !-AT ANTON HARAPI OFM (1888 – 1946)/

Françeskani  At Anton Harapi OFM, asht le në Shirokë pranë Shkodres me 5 Janar 1888, dhe asht pushkatue në Tiranë, pranë lumit Lana me 20 Shkurt 1946. /

1943: At Anton Harapi u propozue nga Lef Nosi per me shkue në Rregjencë Shqiptare. 

AT A.HARAPI E PRANOI DETYREN NË RREGJENCËN SHQIPTARE “ME KUSHT: MOS ME NËNSHKRUE ASNJË DËNIM ME VDEKJE!”

A ka ngja kjo në ndonjë vend tjeter në Botë ?!.. A e mbajti fjalen At Antoni ?!

Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” …Dhe prani pushka… “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa e pushkatuen, E. Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”

Pak thanje të At Anton HARAPIT, në ditët e fundit të jetës së Tij para gjyqit komunist në muejn shkurt 1946, kur po gjykohej nga Gjyqi Ushtarak në Tiranë me kryetar major Hirakli Bozo, antarë Tonin Jakova (major) dhe Gjon Banushi, sekretar Thoma Rino. Dosja 1068…

“Mos harroni ju se, unë jam Shqiptar!..”

“Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.”

“SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK, EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !”

Drejtë bregut të lumit Lana… Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:
Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:
“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…
Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”

         20 Shkort 2020.

Filed Under: Politike Tagged With: Fritz radovani, Kujtese, Pater Harapi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 377
  • 378
  • 379
  • 380
  • 381
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT