• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROF. SAMI REPISHTI: LETËR Skender Sherifit, mbi Librin e tij « FESTIVALI I PASIONEVE »

January 5, 2020 by dgreca

nga Profesor: SAMI REPISHTI/

I dashtuni mik i imi, i ri, poeti i dalluem Skender Sherifi :

            Mesazhi yt telefonik, më erdhi dy herë, i papritun, emocionalisht dhe kulturalisht, si Djali i bashkvuejtesit, i ndjeri Shpend Sherifi, dhe si Poet me vlera të konfirmueme nga qarqet letrare të Botes frankofone dhe shqiptare. Të falenderoj përzemërsishjt, sepse u gëzova shumë !

Emocionalisht, me ktheu 70 vjet mbrapa, në periudhen, kur baba i yt, i ndjeri Shpend Sherifi, kalonte vitet e gjata e të mundimshme, si i burgosun ( pa asnjë faj ) në Burgun politik të Shkodres dhe bashkë me mue. Më kujtoj dhomen numër 9, që na zinte frymen, nga mungesa e arjit të pastër. Edhe sot, une e kujtoj me admirim, një djalë tropojan, i gjatë, i shkathet, shumë simpatik dhe kundershtar i vendosun i diktatures komuniste, në vendin tonë të përbashkët.

Gjithashtu, si shumë tropojanë të tjerë, «armiq të rregjimit», me kujtohen vuejtjet e tyre  dhe të ndjerit Shpend, nga uria dhe mungesa e kujdesit familjar, për arsye të largësisë dhe komunikimit njiherë-mujor. Aty, kam pa stoicizmin e vërtetë të tropojanëve antikomunistë dhe vendosmërinë e tyre, me mbrojtë idealin e tyne, një Jetë të Lirë, në Trojet stërgjyshore dhe në demokraci. Fati e deshi, që shumica e tyre e lanë këtë Jetë, pa e pa atë Ditë … !

Prandaj, nuk më çuditi inisiativa e të ndjerit Shpend Sherifi me hapë « Oda Malësore » në qendër të Evropës, në Bruksel, me e mbajtë të gjallë ndjenjën e Shqiptarizmit dhe dashurinë për Nanen Shqipëri !

Pra ngjarje, njerëz dhe akte që nuk do harrohen shpejt !

            Si kunorëzim i nji qendrimi të këtill, ka qenë « shqiptarizmi i plotë » i djalit të tij, Skender Sherifi, vepra e të cilit, na ban kryenaltë si Shqiptar, kudo që jemi, me rezultatet e shkëlqyeshme që ka arritur. Miku im i ri, me punën tande, nderon baben, veten, boten frankofone dhe pasuron me një kapital të pazëvendsueshëm, letërsinë e vorfen shqipe.

Për këtë arsye të përgjithshme, shenon një fitore të pamohueshme !

            Ti, ke të drejtë me deklamue se « Skender Sherifi » me nji arsim të plotë, paraqet një seri krijimesh rreth natyres njerëzore, me një forcë të tillë, sa që vargu i tij mbizotëron përkrah shkrimtarëve të tjerë, më mbresëlënes të Botës. « Kjo, ju ban të denjë, për titullin POET ! »…me autenticitet artistik dhe formim frankofon, dhe i pjekun nga eksperience personale, sidomos gjatë vitëve revolucionare evropiane 1968, dhe përtej në SHBA. Pra, një formin që e ban atë origjinal, dhe ia siguron lirinë e mendimit krijues. « Tek Sherifi, shkruhet në Biografinë e tij, flet instinkti primar, subkoshienca dhe organizohet pastaj në një mënyrë krejt tjetër, për të na pru një Sens, i cili ka një logjikë të qartë. »

            I zbuluem nga lexues të vëmendshëm, ai gjen përkrahjen e figurave kryesore të Botës frankofone. Në fillim, të ndjerin Pierre Seghers – editor, por edhe poet, për të cilin, na duhet  të njohim meriten e tij, në mbrojtjen e Poezisë, në koleksione të shumta, që ai botoi, për më shumë se 25 vjet, shkruen Bruno Vercier. Pra ai e adoptoj Sherifin shpirtërisht dhe e zbuloi këtë fenomen që, ashtu si Piktura në art, la mbasdore « objektin » dhe iu kushtue, « krijimit të së  resë ! »

            Luksi dhe privilegjet e Parisit, Provancës dhe Brukselit, nuk e pakësuan dëshirën e tij, që « ta ruajë dhe ta pasurojë shqitparizmin e tij .» Fati e deshi që të njihet dhe miqësohet  me Dr. Ibrahim Rugovën, letrar dhe leader politik i Kosovës, në Prishtinë ( me të cilin, unë kam bashkëpunue ngushtësisht SR ). Aty, ai boton të përkthyem shqip nga Rugova, dy vellime poezie dhe një libër « POEZI » në 2008. Pra, është Rugova, ai që e « vendos këtë autor të ri, brenda normave letrare shqiptare … » autor, që njikohësisht e pasuron letersinë shqipe, me nji eksperiencë të re njerëzore dhe artistike. Kjo eksperiencë e vendos poetin Sherifi, në « Familjen e Letërsisë shqiptare » në Kosovë.

            Në vendin e të parëve, Skender Sherifi shkon vetëm në vitin 1990, mbas shkërmosjes      së diktaturës 45 vjeçare të rregjimit komunist, në atë vend. Që nga takimet e para, Poezia e tij,  u cilësue si « një Kullë Babeli » nga një intelektual i mirëfilltë Jusuf Vrioni ( ish bashkëvuejtës  i imi SR ) « Jam tepër i gëzuar, deklaroj i ndjeri Vrioni, që kam njohur një Autor të këtill, i cili ka krijuar e konceptuar, me siguri, Poezinë që do shkruehet më vonë, në shekullin 21 »

            Në vitin 2003, poeti Sherifi përfshihet në listën e Letërsisë Botënore, nga Fjalori enciklopedik « Larousse » Paris – Francë, dhe numërohet si njeni nga 26 autorët më të randësishëm të Letërsisë Shqipe, që nga «Formula e Pagëzimit » e Gjon Buzukut.

Në paraqitjen e tij, « Larousse » shkruen :« … ai shprehet me një lirizëm vezullues, të jashtëzakonshëm, dhe na hjedh fjalët e tia, sikur Diejt mbi Detin e trazuar, duke i perzier me një lumturi të rallë, stilet gjuhësore tepër  të rafinuara, me ato më popullore, argotike dhe zhargonore. Autori na tërheq me Muzikën e Kohës, në bordin e Anijes së tij kozmike …  Përkthyes, gazetarë, i pasionuar për Letërsinë, Filmin, Teatrin, Muziken dhe Pikturen, është një Shqiptar i vërtetë frankofon, një kozmopolit,një Njeri unik i të vërtetave, i Miqësive, i besnikërive dhe i dhembshurive që xixëllojnë dhe kumbojnë » ( Fjalori enciklopedik francez Larousse ) faqe 815-816 – Paris, në 2003.

            Në këtë moment, poeti Skender Sherifi vendosi të dhurojë Kombit të tij, Shqipërisë, si TESTAMENT SHPIRTËROR dhe LETRAR, gjithë Veprën e tij …

Me Krijimtarinë e tij, ai plotëson Misionin e tij … si Njeri, si Humanist universal dhe si një Atdhetar shqiptar, deri në fund !

            Ka krijues letrarë, që të nxitun nga shpejtësia e marshit të « Historisë », kanë prirje me provokue, në letërsi dhe në art, një revolucion të përherëshëm. Kështu krijohet nji atmosferë fekonde, në mes të traditës dhe revolucionit, ose nji individualizëm disa herë i ashpër, e që kërkon « nji Kishe ! »

Për Poetin Sherifi, nuk ka vend për « Kishen » grumullim i atyre që mendojnë njilloj.

Ai, Sherifi, mendon ndryshe, dhe refuzon me u antarsue në çfardo lloj ideologjie …

I kënaqur me shërbimin e tij ndaj Njeriut, me frymën e tij të humanizmit universal,

ku terminologjia e poezisë së tij, nuk mund të jetë ajo e përherëshme, kështu që ai zgjedh « ruajtjen e origjinalitetit të imazheve dhe metaforeve, të gjuhës së lirë poetike, por edhe provokuese, romantike, sentimentale, por edhe « surrealiste», pop e rock dhe shpeshherë e papritun … Me nji fjalë ultra klasike, shpjegon ai në « L’Odyssée de l’Amour » ( 2015 ), aty  ku çfaqet Dashuria për të gjithë dhe për të gjitha, Poeti Sherifi e përqafon me vrull Botën bashkëkohore, i ndërgjegjshëm për tmerret që përmbysin konceptimet tona inkurajuese për Njeriun.

            Ambicioz në punën e tij krijuese, me e njohur botën ashtu si ashtë dhe me themelue  nji realitet që e paqëson, ai zbulon një aspekt të Tragjedisë sonë moderne. Të mëdhejtë Paul Valéry e Claudel, kanë vdekë ose kanë heqë dorë nga Poezia, dhe i janë kushtuar Romanit.

Por, poezia ashtë « themeli i qenies sonë, i ndërtuar me fjalë », simbas Heideggerit.

            Njëna ndër meritat e poetit Sherifi ashtë edhe pervehtësimi i kësaj thanje dhe forcimi i saj, me metoda jo të zakonshme, në « krijimin e së resë ! » Sepse, nuk kemi sot, çfarë të shpjegojmë ? Kampet e përqendrimit janë përshkrue në mënyra të ndryshme nga Viktimat.

Tani, shumë kanë vdekë, e të tjerë vdesin Vdekjen e ngadalëshme, të këputun nga shpresa e një Jete të maparëshme, me një pleqnim të « forcës së fshehët », të terrorit gjysëm të fikun.

Shumë prej tyne, përpiqen me gjetë një rrugë, përmes Kampit të Pa-arrijtshem, i cili i rrethon, i mbështjellë dhe i keqdrejton – ( Jean Clair « Lazare, parmi nous » )

            Poeti Sherifi përgjigjet me vullnet të fortë, në kërkim të panjohunes, me nji shkrim seizmologjik, nji shkrim natyral e jo ma « tekstual », nji shkrim në atmosfere paniku, që i regjistron dhe lëkundjet më të vogla, të nji sensibiliteti të hapun, si ofertë për gjithë Trazimet  e Botës. Pra, Poezia, ngarkohet me misionin e reformimit të Letërsisë, në vendin e privilegjum ku të gjithë, i dedikohemi reflektimit mbi Njeriun.

POEZIA duhet të dedikohet … kërkimit, zbulimit të « Njeriut-Viktimë », kudo që ai/ajo,dermohet nga shtypja. Kjo ashtë dëshira e nji Viktime të terrorit të kaluem !

   Me përshëndetjet ma të mira.

nga Profesor SAMI REPISHTI

Me datën, 29 dhetor 2019                                                       

Ridgefield, CT. – U.S.A

Filed Under: Politike Tagged With: Sami Repishti-Skender Sherifi-Festivali i pasioneve

Legjenda e tri Krishtlindjeve nën dhunë- rrëfim nga Dr. Lazër Radi

December 30, 2019 by dgreca

24 dhjetori i 1924-ës… Prizren/

Dimën…/

Dimën i ashpër nordik në malet verilindore të tokës shqiptare. Qyteti im, me mantelin e bardhë të borës ndër krahë, sfidonte at bardhësi verbuese me dritën e zbehtë të hanës, pa i shpallë luftë, veç tue e pranue njeni-tjetrin në heshtje. Në qytet gjithçka zhvillohej në heshtje: edhe krimi… edhe dashnia!

Ai kishte marrë nji pamje të çuditshme!

Luftohej me hapë nji shteg kalimi n’at rrugë të verbër, po lëvizja e dyshimtë e bajonetave mbi çatitë e mbytuna nën borë, kallzonte se pusia qe kurdisë me u derdhë gjak i pafajshëm…

Ky ishte absurdi i asaj nate të shenjtë.

Si mund të mendohej për krim e gjak at natë të paqme, kur krejt atmosfera ishte mbështjellë me melodinë ëngjullore të lindjes, që valë-valë lshohej nga kisha majëkodre e shpërndahej gjithkah qytetit… Sa qartë e fuqishëm shpërthenin fjalët e melodisë: “Lavdi Zotit ndër qiej – paqe njerzve mbi tokë”.

Ishte nata e qiejve… nata e paqes për të gjithë.

Ishte 24 dhjetori i 1924-ës!

Në zemër të Kosovës, Drenica qe kthye në nji skëterrë, në nji kasaphanë e vërtetë për pushtuesit. Kryengritja s’po ndalej. Hija e Azemit shfaqej kudo te “Hani i Mushkave”, te “Kroni i Hirushës”, te “Shtegu i Drenit”, po atje ku kallte ma shumë tmerr ishte te zemrat e shkjeve.

Eh, sa e vrazhdë ajo hije: kudo kah shkonte, edhe pse pa zhurmë e pa zà, ashtu në heshtje kallte tmerr! As ushtritë e armatosuna s’po mund t’i afroheshin asaj rrezeje ku sundonin fantazma, ku mbretnonte hija e vrazhdë e Azem Bejtes… Ajo krahinë, për kënaqësinë e të gjithëve ne, quhej “Shqipnia e Vogël…”

Mesnata ishte në grahmat e fundit.

Nën qiellin e zymtë, nji qetësi hyjnore rrinte pezull nën at bardhësi të paskaj natyre… Ndigjoheshin virtytshëm tingujt e kambanave që ftonin njerzit me marrë pjesë në ardhjen e “Mesias” mbi tokë. Kambanat vazhdonin e dukeshin si ndjellse kerubinësh që fluturonin mbi at qiell të qeltë të qytetit në skaj. Njerëzia, ngutnin hapat e kjo dallohej prej hijsheve në rrugët e Varoshit, nën Kala ku fenerat në lëvizje ngjanin si xixlloja të çuditshme që vërtiteshin të çmenduna midis atij acari të dimri alpin.

Çdo çast bahej edhe ma emocionues…

dukej sikur i preknim me dorë tingujt e kambanave, sikur e ambla e asaj nate të madhnishme futej në veshë e ndër zemrat tona. Nji kangë baritone e bardhë si dëbora verbuese dilte prej gjokseve të fëmijëve në korin e kishës. Ishte zani i shelbimit që kishte pushtue jo veç qiejt e tejdukshëm t’asaj nate fatlume, po krejt shpirtnat e ishte shkri me ta.

Posa e kaluem Qafën e Pazarit, u gjendëm përballë fasatës madhështore të kishës së qytetit. Ishte e para herë që prindët e mi, më merrnin me vedi në meshën e mesnatës. Nji fantazmagori dritash e ngjyrash gjithallojshe m’i lëbyri sytë. Oh, sa iu gëzova asaj pamje magjepse. Më dukej sikur gjendesha diku jashtë bote, sikur shetisja n’nji vis përrallash… ku kambanat s’pushonin… e ndër krahë të atyne tingujve lëshoheshin jonet e korit të fëmijëve që dilnin nga kisha dhe si avull i nxehtë futej në shpirtin tim. Midis saj qe ngritë nji Betlehem i mrekullueshëm.

Dy javë ma parë, motra Angjelinë dhe murgeshat e tjera kishin punue tue derdhë krejt dashninë dhe pasionin e tyne. Ai Betlehem, për sytë e e pamësuem të nji fëmije ishte vërtet diçka magjike, nji poezi që derdhesh me muzikë e gjitha mbrenda meje…

Mbresat e asaj nate kambanash, kandilash e kangësh më krijuen në shpirt nji romantikë të tillë që më ka ndjekë në gjitha vitet e jetës…

24 dhjetor 1944 – Burgu e Ri – Tiranë!

Ishin ditë të vështira, të randa, të zeza…

Të rrethuem gjithkah me tela, me policë, me dhunë e me kërcënime për vdekje… Tashma jo nga i huaji serbo-sllav, po nga i joni, vëlla i gjakut, po që dukej bash si pjellë e të huajit… lebrozë të indoktrinuem, internacionalistë, barinj që s’u dukeshim as delet, e që meritonin at emnin fatal të Greqisë së Lashtë “a patris”, t’paatdhe…

Burgjet e Shqipnisë ishin përplot me njerëz që besonin me gjithë mend në hymnin e Perëndisë. Asaj nate, ata ndjenin të qarkullonte n’ajri kangë si: “Lavdi Zotit ndër qiej e paqe n’tokë për njerëzit vullnetmirë…”

E ndjenin në shpirt, i kapnin në fluturim ato jone të padukshme kange që lëvrinin ambël nëpër at qiell të mjegulluem me erë baroti e gjurma gjaku…

Burgu zukiste si nji koshere bletësh. Kudo që ishte nji pëllambë toke e ngurtë qindronte nji qenie e gjallë, tashma e burgosun, e përdhosun e që dikur kishte qenë njeri, e çfarë njeriu…!

At mbasdreke të 24 dhjetorit… u hapën kangjellat e dyfishta të burgut dhe në korridorin e frigorifertë u shfaq Dom Shtjefën Kurti, famullitari kosovar, tash guximtari i Tiranës. Si rrufe u përhap lajmi se Dom Shtjefni ishte mes nesh dhe se për t’parën herë në historinë e burgjeve shqiptare do të celebrohej Mesha e Krishtlindjeve…

Vrapuem të gjithë me i shkue në ndihmë.

Diku n’nji cep hapëm vend dhe sa hap e mbyll sytë e ngritëm altarin… I zbehtë dhe tepër i emocionuem, tue marrë pjesë shpirtnisht në dhimbjet e në vuejtjet tona – ai celebroi para gjithë të burgosurve, pa dallim nëse ishim myslimanë a të krishterë…

Mesha e Krishtlindjeve at natë qe nji mrekulli e vërtetë shprese dhe besimi n’ato katakombe të tmerrit shqiptar…

Ma vonë, kur dhuna e kuqe do të lëshohej si qen i tërbuem edhe mbi të, në nji qeli burgu, do të më rrëfente se mesha ma e bukur, ma solemnia dhe ma e paharrueshmja e jetës së tij, do të mbetesh ajo meshë aty në Burgun e Ri të Tiranës, të cilën për nga emocionet, e krahasonte me meshën e parë që kishte thanë kur qe shugurue prift. Sa vetë në botë do të kishin dashtë që të kishin asistue n’at meshë burgu ku elemente besimesh të ndryshme asistonin me të njejtin devocion, me atë devocion që ka veç shqiptari, për atë Zot… që na e ka dhanë jetë e frymë të gjithëve…

Si mbaroi mesha, e përcollën Dom Shtjefnin, deri te porta e daljes. Korridori u zbraz mbasi sërish do kthehej në bujtinë. Aty pamë se dyshemeja ishte lagë prej lotëve të mallëngjimit… Ai korridor i ftoftë akull qe kthye n’nji “Lëndinë Lotësh” o n’nji Mur Vajtimi. Ishin lotët tonë, lotët e atyne njerzve të pafajshëm që s’po e kuptonin pse ishin krijue aq shumë burgje nëpër botë, apo thjesht për me i mbajtë ndër pranga fajtorët e pafajmë…

***

24 Dhjetor 1953: Aeroporti Rinasit, Ura e Hasan Beut.

Mesnata e Krishtlindjeve ma të bukura n’botë.

E denjë për një skenar të mrekullueshëm filmi.

Në kampin e punës n’Aeroporti Rinasit, gjitha ditët ishin të njisojta: të randomta e të rraskapitshme. Nuk njifesh as mot me shi e as me diell, as baltë e as tokë të thatë, as diell përvëlues e as borën dy pëllëmbë trashësi. Punë, veç punë, punë pa orar, punë prej kafshe nën at qiell të hapët e në mëshirë të Zotit.

Aeroporti ushtarak na kërkohej me urgjencë. Përshpejtimi i punimeve bahej me kamxhik o me hunj gardhi, po edhe ata soseshin tue u thye mbas shpinave tona…

Dikur, ora as dita s’kishte ma asnji lloj kuptimi, fishkëlleu bilbili i grumbullimit dhe u dha urdhni për kthim. Formuem rreshtat dhe u vumë për rrugë. N’at mori njerzish të rraskapitun e të leckosun, që dukej sikur s’kish të sosun, krijuem nji treshe – Patër Meshkalla, Anton Kozmaçi dhe unë. Gjatë gjithë asaj dite kishte ra shi dhe rruga ishte përbaltë keqas… qe krijue nji llucë ngjitëse që po na e vështirsonte së tepërmi ecjen. Prej asaja morie kambësh që hiqeshin zhag, balta qe ntrashë aq sa na i kapte “tullumbat” e na i shkulte prej kambëve. Shumë i hoqëm e i morëm në dorë tue hecë zbathë n’at ditë të akullt dimni.

Dikur mbrritëm në kamp, s’ishim ma as njerëz e as kafshë: ishim reduktue në fantazma, në ca krijesa zvarranike që s’dihej prej ç’epoke gjeologjike vinim. E shifnim vedin veç te të tjerët e rrëqetheshim. Isha i bindun se as nana që na e kishte bà kokën, s’do t’na njihte n’at katandisje të mjerueme ku na kishin hjedhë…

Në gjithë at mjerim, egërsi e zymti që na rrethonte, at natë vendosëm me e festue at “ditë të bekueme!” U lamë, njashtu keq e keq, e nisëm me sajue diçka me hangër. Ai sajim, na shërbente me kalue kohën, derisa t’afronte mesnata. Kishim ndezë tri zjarre të fuqishme: në njenin zienim groshën, në tjetrin orizin dhe në të tretin hallvën. E ftuem edhe Patër Mëshkallën, n’at festë të mjerimit njerzor, po ai s’pranoi asgja, pse do të “kungohej” mbas nji ore n’at meshë… Aty pranë, farfurinte pema e Krishtlindjeve, nji degë selvije e sajueme dhe zbukurueme me do shporta e figura të bame me letra punëdore, e ndonji portokall o mollë ndër sqetullore degash.

Afër mesnate u ngritëm e sistemuam elterin në krye të kapanonit. Mbi tavolinë të mbulueme me nji çarçaf të bardhë si bora, vendosëm dy shandana me qirinj, pemën, ungjillin, kupat e mbulueme dhe pemën e zbukurueme.

Kur u lajmërue mesnata, Patër Mëshkalla, edhe njashtu i pakët kah shtati, at natë kishte pamjen e nji gjigandi. Krejt kapanoni i burgut ishte në kambë. Pa dallim feje e krahine, ishin aty, në Meshën e Krishtlindjeve në Ferr.

E ndërsa thuhej mesha, u ndezën plot qirinj që ato fantazma i mbanin ndër duer. Mund t’ishin tridhjetë, pesëdhjetë ndoshta edhe njëqind të tilla – di veç që krejt kapanoni mori nji ndriçim parajse. Ajo stallë mundimesh u shndrrue në kishë, ndoshta katedralja ma madhështore e botës… sepse aty ishin shpirtnat tonë.

U ba nji natë e mrekullueshme, dhe pse jetonim aty në skëterrë të dhunës. Disa prej pjesëmarrësve, (ata të kulturës gjermane) e dinin kangën e famshme të Krishtlindjeve “Shtilen Naht-in” e nën zà ia nisën me këndue… Pak nga pak tonet e kangës erdhën duke u naltue. Befas qe improvizue nji kor i madh, e mos t’ia kishe lakmi as Verdit te Nabuko… E gjithë mesha u përcoll nën melodinë e asaj kange të paharrueshme që i dha solemnitet atij çasti të madhërishëm, duke na ngjallë shpresa të pakufishme, se nji ditë, do të zbriste edhe ndër ne “paqja e njerëzve vullnetmirë!”

Botuar në gazetën Mapo, 27 dhjetor 2019(Dergoi per Diellin-Nikolin Kurti)

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Lazer Radi-Legjenda e Tri Krishtlindjeve

TE NJOHIM KUSHTETUTEN E VATRES-KUVENDI

December 29, 2019 by dgreca

KUVENDI/

Nyje 28 Kuvendi i Vatrës  mblidhet nje here ne mot dhe përbehet nga delegatët e cdo Dege të njohur të rregullushme nga Komissioni dhe e cila të ketë numrin e duhur anetaresh.

Nyje 29 Vendin dhe Kohen e Kuvendit e cakton Kuvendi i meparshem, ose neqoftë nje nevoje e shtërnguar e cakton nje votë e kerkuar dhe e derguar me postë nga Pleqësia e Degeve. Në qoftë se se as Kuvendi i shkuar ka caktuar  gjesendi as Deget kane dhene leje për nje caktim,  kuptohet se Kuvendi do të mbahet ne Boston ne javen e pare të korrikut.

Nyje 30 Delegatët ne Kuvend s’mund të pranohet vec se nje njeri që ka qëne anetare i rregullt të paktën dy vjet dhe ka paguar të paktën gjashtë kestët e fundit.

Nyje 31. Prova, ne eshtë Delegati nje anetar i rregullshëm ne dy vjetët e fundit, do ti kerkohet ne Arshivat e Vatrës.

Nyje 32 Nje anetar i rregullshëm për me tëpër se dy vjet , në qoftë se u largua nga Amerika fiton të drejtat e nje anetari të vjetër posa paguan dhe shkruhet përseri anetar që muajin e pare që kthehet ne Amerike.

Nyje 33. Nje anetar i rregullut i semur ne nje spital vazhdon se qëni anetar i Vatrës pa paguar sa ndodhet ne spital, po e humbet anetarsine posa del nga spitali në qoftë se s’ paguan kestin se afërm.

Nyje 34 Kredencialet e Delegatëve të Kuvendit i kqyr Kryetari me Komisionin  ne Zyrat e Vatrës para se të hapet Kuvendi dhe i vertëton sit e rregullshme ose të pafuqishme.

Delegati , ne mos u pranoftë duhet t’i bindit ketij vendimi të paktën si mase provizore dhe ka të drejtë ti kerkoje Kuvendit  i cili munt të përmbus vendimin e Komisionit.

Ankimi mund t’i behet Kuvendit  me të shkruar dhe Delegati i papranuar mund të thirret  nga Kuvendi që të shtroje shpjengimet e tij; po nuk mund të hyje ne Kuvend i pautorizuar, dhe cdo hyrje me pahir nga ana e tij do të denohet  heqjen e anetarsise  si nje turbullonjes dhe shkeles i rregullave dhe si nje njeri i paqytëtëruar.

Nyje 35 Chairmani përkohshem i Kuvendit eshtë Kryetari i Vatrës, i cili e hap Kuvendin me nje fjalim ku përmbledh veprimet e Federatës. Pastaj me vota te hapura zgjidhet Chairman-i  i regullt i Kuvendit dhe pas ketij Sekretari dhe Reportëri i Kuvendit.

Nyje 36 Ne Kuvend merr pjese dhe Komisioni i Vatrës i cili s’ ka votë dhe mund  të marre pjese ne bisedime vetëm për të dhene shpjegime.

Nyje 37 Kuvendi shikon hesapet dhe veprimet e vitit të shkuar , ben hetime, pyet Kryetarin  dhe anetaret e tjere të Komisionit dhe pastaj voton pelqimin dhe mospelqimin e hesapeve dhe të veprimeve.

Nyje 38 Kuvendi pasi ben vendime ose ndryshime për vitn e ardhshem , zgjedh Komisisonin e ri , i cili shtron nje buxhet për bisedim dhe miratim përpara Kuvendit.

Filed Under: Politike Tagged With: Kuvendi

DEKLARATË E DEGËS SË VATRËS NË MICHIGAN PËR MINI SHENGENIN BALLKANIK

December 29, 2019 by dgreca

Foto-arkiv/

Në sinkron me Frymën e  Kanunores së Federatës Pan-Shqiptare, Vatra, pikërisht sipas Nyjës 5, Amandamenti 3-b: “Vatra mbështetet mbi parimin e bashkimit kombëtar me mjete ligjore dhe demokratike, duke ndjekur INTEGRIMET NDËRSHQIPTARE, si ne fushën e doganave, të arsimit tē tregëtise, të sportit e te tjera”, Dega e Vatrës Michigan, deklaron sa më poshtë vijon:

            Dega e Vatrës Michigan e konsideron iniciativën e perfaqësuesve te shteteve të Serbisë, Maqedonisë, Malit te Zi dhe Shqiperisë për “Mini-Shengenin Ballkanik”, si një nismë të dështuar, të dëshpëruar dhe në dëm të interesave kombëtare shqiptare, për sa kohe që: 

  1. Përveçse një nismë individuale e inicuar nga Serbia dhe më pas e përkrahur nga Kryeministri shqiptar Rama, si rezultat i dështimit të plotë të qeverisë së tij në përmbushjen e premtimeve elektorale, i denigrimit të cilësisë së jetës, rendit publik, të drejtave njerëzore dhe integrimit në BE, nuk eshtë një lëvizje gjithpërfshirëse e spektrit politik, shoqërisë civile dhe opinionit të gjerë publik në Shqipëri dhe Diasporë.
  2. Shteti i Kosovës, me themelet mbi eshtrat dhe gjakun e heronjëve të vet, i njohur nga mbi 100 shtete të ndryshme të botës, përfaqesues i gjysmës më të mirë të kombit shqiptar, me gjithë strukturën e integruar të një shteti modern, nuk është ftuar, nuk është konsultuar dhe nuk është përfshirë në këtë nismë. 
  3. Për shtetin e ri të Kosovës, i cili është në procesin e integrimit evropian dhe të njohes botërore, ky mos-respektim, kjo manovër e dyshimtë  mbas shpine e Kryeministrit të Shqipërisë, përbën një mosnjohje (defacto ç’njohje), apo prerje në besë ndaj Kosovës. 
  4. Spektri politik dhe shoqëria civile ne Kosovë, duke e parë se kjo nismë është në kundërshtim me interesat politike, ekonomike dhe territoriale të Kosovës, është kundër kësaj saj.
  5. Shteti i Serbisë nuk njeh shtetin e Kosovës, për më tepër ka pretendime territoriale ndaj Kosovës
  6. Përfaqësuesi i shtetit serb Vuçiç në këtë nismë, ka qenë anëtar i kabinetit te qeverisë famëkeqe te Millosheviçit, për më tepër, nuk i njeh krimet, masakrat apo genocidin serb mbi popullsinë civile shqiptare.
  7.  Nisma të tilla, e ngjashme me atë të ish-Jugosllavise, e njejte ne forme dhe qëllime por në kohë të ndryshme, kanë dëshmuar se kanë qenë me dëm dhe pasoja për kombin tonë.
  8. Kjo nismë, përveçse i shërben interesave tregtare të Serbisë, shfrytëzimit të hapësirave detare dhe hapësirave rrugore ndërshtëterore të Shqiperisë dhe Kosovës nga Serbia,  nuk i shërben bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar Shqipëri-Kosovë, nuk përmireson por i përkeqëson mardhëniet midis qeverive shqiptare të Tiranës dhe asaj të Prishtinës
  9. Kjo nismë e largon Shqiperinë dhe Kosovën nga rruga e tyre e integruese në Evropë dhe i izolojnë ato në rrethin e ngushtë euro-aziatik të dominuar nga interesat Ruso-Turke.
  10. Qeveria e Shqiperisë nuk ka në plan të parë integrimin ndërshqiptar, heqjen e taksave doganore, taksave rrugore, njësimin e teksteve arsimore, aktiviteteve sportive etj. 

            Në të njëjtën kohë:

  • Dënojmë dritëshkurtësinë dhe qëndrimin tinëzar dhe anti-shqiptar të kryeministrit Rama, i cili, duke i shërbyer qorrazi apo me dashje politikës serbomadhe, (të cilët nuk e njohin, dhe për rrjedhojë nuk e duan në tavolinë dhe kurrë nuk mund të bëjnë marrveshje integruese me Kosoven si palë), nga njëra anë krijon klimën e konfliktit e të mosmarrveshjes me qeverinë e Kosovës, duke mos promovuar asnjë mundësi që ajo të marrë pjesë , dhe nga ana tjetër e akuzon atë për mospjesëmarrje.
  • Dënojmë çdo nismë rajonaje ku shqiptarët perfaqësohen me një individ të vetmuar dhe jo si komb dhe shteti i Kosoves nuk nihet si palë dhe i barabartë me te gjitha shtetet e tjera.
  • I bëjmë thirrje Presidentit te Shqipërisë, lidershipit te bllokut opozitar dhe shoqerisë civile, që te jenë ne lartësinë e përgjegjësisë se tyre ndajçeshtjeve kombëtare të ditës, që t’i unifikojnë qëndrimet e tyre,  t’a ngrenë zërin më me force, në unison me institucionet e Kosovës kundër kësaj nisme antikombëtare.

            Kryesia e Vatrës Michigan

            27 Dhjetor 2019

Filed Under: Politike Tagged With: deklarate, Mini Shengeni Ballkanik, Vatra Michigan

10-VJETË PA AMBASADORIN LUBLIN DILJA, ISH PËRFAQËSUES I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË WASHINGTON

December 28, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
10-vjetë më parë, kaloi në amshim Ambasador Lublin Dilja, anëtar i çmuehsëm i trupit diplomatik shqiptar dhe mik i përzemërt i të gjithë atyre që erdhën në kontakt me të ndjerin Dilja.10-vjet më parë, Shqipëria humbi njërin prej përfaqsuesve diplomatikë më të papritueshëm të saj.  Ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington, i ndjeri Lublin Dilja u nda nga kjo jetë, 10-vjetë më parë, prej një sëmundjeje të rëndë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare, në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij aktive diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ne që patëm fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë në një moshë kur njeriu arrinë kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një humbje e rëndë, sidomos, për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.
Njëherazi, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington dhe si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.
Unë e kisha takuar Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada. Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.  Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10 kilometra jashtë Uashingtonit, atë natë të nëntorit të vitit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata gjithashtu në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët shkodranë më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar në Washington, Lublin Dilja, të cilin ata e njihnin, dhe më sugjeruan që ta ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit. Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lëre më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington.
E pranova me kënaqësi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kisha qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqësues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë – më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet. Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për një kohë të gjatë, por që thuaj se kishim humbur shpresën se do të rivendoseshin ndonjëherë marrëëdhëniet midis dy vendeve– duke marrë parasyshë armiqësinë prej pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.
Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën menjëherë për të ardhur tek shtëpia ime pa asnjë hezitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë nga Shqipëria, pasi kidhte arritur në postin e tij të ri diplomatik vetëm një ditë më parë. Ndenjëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndrrat e popullit shqiptar për liri demokraci, pas pothuaj një gjysmë shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egra komuniste që ka njohur bota. Natyrisht, Ambasador Dilja ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqytetin amerikan.
Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike, por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij me të gjithë miqët e dashamirët shqiptarë dhe amerikanë, që e kishin njohur. Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqësues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.
Për mua personalisht, përshtypjet mbeten shumë të mira dhe respekti për Ambasadorin Lublin Dilja, si njeri dhe si përfaqësues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virxhinia jashtë Uashingtonit.  Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore. Me gjithë sfidat shëndetësore, ai e përballoi situatën me kurajë të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie për punën e tij prej diplomati dhe në jetën e tij të përditshme. Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotërie, por serioz në punën e tij dhe i vetëdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë, ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, me gjithë sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, kur shërbente në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për të personalisht. Me gjithë këto vështirësi, përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja, përfshirë krizën e mallkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u kthye në atdhe, megjithëse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permanente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve. Me sjelljet e tija dhe në bisedat me Lublinin gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që i shërbeu me dinjitet, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqësues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij që ishte, Lublin Diljas të linte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikëspari në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqësues i ndonjë partie ose individi të veçantë.
Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, me gjithë sfidat serioze shëndetësore me të cilat që përballuar, trimërisht, çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – ashtu në heshtje dhe pa bujë, vuante.  Dashuria e tij për Atdheun dhe për interesat kombëtare, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shembull të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhshëm të diplomacisë shqiptare. Për këtë arsye e kujtoj mikun tim të vjetër Ambasador Lublin Dilja – 10-vjet pas largimit të tij nga kjo jetë me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që ai përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.
Në këtë 10-vjetor të kalimit në amshim të Ambasador Diljes, i paraqesim familjes së tij të ngushtë dhe ish-bashkpuntorëve të tij në diplomacinë shqiptare, ngushëllimet tona më të gjalla e të sinqerta në kujtim të mikut dhe diplomatit të shquar shqiptar, me ndjiesi vëllazërore!

Filed Under: Politike Tagged With: 10 vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 385
  • 386
  • 387
  • 388
  • 389
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT