• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare

March 13, 2026 by s p

#ASHSH

#inmemoriam

# FanStilianNoli

Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Ai u nda nga jeta më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së. Lindi më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1904-ën shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç ’është e ç’do të bëhet”. Në vitin 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908, në moshën 26-vjeçare, Fan Noli u bë diakon (dhjak) në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 Platoni, kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, e shuguroi si prift ortodoks. Vetëm dy javë më vonë, më 22 mars 1908, Noli i ri krenar mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Europë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbushën në vitin 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri në vitin 1911 ai botoi gazetën “Dielli” dhe së bashku me Faik Konicën themeloi më 1912-n Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938-n mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Më 1921-shin ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.

Në qershor të vitit 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore. Me dështimin e këtij procesi, Noli mërgoi në Evropë dhe më pas në SHBA (1932), ku u fokusua në krijimtari letrare, historike dhe muzikologjike.

Në vitin 1938, ai u diplomua në muzikë pranë Konservatorit të Muzikës në New England, ndërsa në vitin 1945 mori gradën Doktor i Filozofisë në Histori në Universitetin e Bostonit, me një disertacion kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.

Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar atje, u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë.

www.akad.gov.al

Filed Under: Politike

50-VJET SHQIPËRIA PRITI!

March 11, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli*

Në 35-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Roli i Ambasadorit të parë amerikan në Tiranë, Z. William Ryerson

“Në SHBA zyrtarë të mençur në DASH dhe ente të tjera të administratës sonë, vendosën të lënë menjëanë dekada të tëra fyerjesh të drejtuara ndaj nesh dhe gjithashtu të shfrytëzonin hapësirën e krijuar.  Shërbimi shqip i Zërit të Amerikës luajti një rol kritik qoftë në përcjelljen e informacionit të saktë në Shqipëri, ashtu edhe në monitorimin e zhvillimeve atje dhe me ndarjen e atij informacioni me Uashingtonin zyrtar. Ekipi i parë i përfaqësuesve të SHBA mbërriti në Tiranë përpara zgjedhjeve të para pluraliste, në mars 1991.”  Nga mesazhi i Ambasadorit William (Bill) Ryerson në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, 5-vjetë më parë.

                          ————————————————

Pas pothuaj 50-vite komunizëm, Shqiqpëria priti 15 marsin 1991, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një date që shënoi një kthesë historike për vendin. Pas pothuaj 50-vjet izolimi ideologjik dhe politik, Shqipëria po rikthehej, më në fud, në botën demokratike perëndimore. Me urdhër të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), një javë pas nënshkrimit të Memorandumit të 15 marsit 1991 në Uashington për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara — pa vonesë, Washingtoni ka dërguar delegacionin e parë diplomatik amerikan në Tiranë, “për përgatitjet dhe hapjen e misjonit diplomatik” amerikan në 50-vjet pas dëbimit të diplomatëve amerikanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, menjëherë pas Luftës së II Botërore. 

Për një shoqëri që kishte jetuar nën një nga regjimet më të mbyllura barbare komuniste të Evropës për pothuaj një gjysëm shekulli, ky moment u perceptua në atë kohë, si fillimi i një epoke të re për Shqipërinë. I një epoke të lirisë, e demokracisë dhe shpresohej, përfundimisht, edhe i një orientimi perëndimor të Kombit shqiptar.  “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” ishte parulla e kohës.  Kur marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars 1991, pas më shumë se pesë dekadash ndërprerjeje nga regjimi komunist të Enver Hoxha, një kapitull i ri historik u hap, më në fund, për vendin më të izoluar të Europës, që sundohej nga një prej regjimeve më të egra të diktaturës komuniste botërore dhe më anti-amerikane në botë.

Me vendim të Administratës së Xhorxh Bush të vjetër dhe me urdhër të Departmentit Amerikan të Shtetit, antarët e delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara, arrijtën në Tiranë pa vonesë, një javë pas nënshkrimit në Washington të Memorandumit për rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve tona me qëllim të hedhjes së hapave të parë për hapjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Shqipërisë, por jo vetëm.  Frank Shkreli: Një ngjarje në historinë e mardhënieve Amerikano-Shqiptare që shpesh anashkalohet | Gazeta Telegraf.

Më vonë, në atë vit vendimtar për marrëdhëniet dy-palëshe Washington-Tiranë, figura kryesore që përfaqësoi, zyrtarisht dhe me dinjitet Amerikën në Tiranë, ka qenë diplomati amerikan i karrierës, Ambasadori William (Edwin) Ryerson, i cili u bë ambasadori i parë amerikan në Shqipërinë e “tranzicionit demokratik”, post-komunist.  Ambasadori Ryerson paraqiti letrat kredenciale në dhjetor të vitit 1991, në një kohë kur Shqipëria po përjetonte një transformim të thellë — ndonëse tepër i vonuar — politik, ekonomik dhe shoqëror. Pas rënies së diktaturës dhe zgjedhjeve “pluraliste” të vitit 1991, vendi ishte në kërkim të një orientimi të ri strategjik drejt Perëndimit demokratik. Prania e ambasadorit amerikan në Tiranë nuk ishte thjesht një akt diplomatik. Në një mënyrë, ajo simbolizonte, më në fund, rikthimin e Shqipërisë në komunitetin euro-atlantik.  Me praninë e tij në Tiranë, Ambasadori Ryerson nuk përfaqësonte vetëm qeverinë e Shteteve të Basshkuara. Ai përfaqësonte, njëkohësisht, edhe kthimin e një aleati historik të Amerikës, në një vend që për gati gjysmë shekulli kishte jetuar nën izolimin e një prej diktaturave komuniste më të ashpra të Evropës. Në vitet e para të tranzicionit, ambasada amerikane në Tiranë u kthye në një simbol shprese e lirisë e demokracisë për shumë shqiptarë. Për një popull që për dekada kishte dëgjuar vetëm propagandën anti-amerikane të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Fakti që flamuri amerikan valëvitej sërish në kryeqytetin e shqiptarëve, kishte një domethënie të thellë politike dhe morale, për shumë shqiptarë.

Në fillim të misionit diplomatik të Z. Ryerson, ambasada amerikane në Tiranë ishte ende në fazën e organizimit të diplomacisë së re amerikane në Shqipëri, pas një shekulli mungesë. Përpara mbërritjes së Ambasadorit Ryerson, përfaqësia amerikane drejtohej nga diplomati Christopher R. Hill, si i ngarkuar me punë. Por ishte ardhja e ambasadorit të parë amerikan, Z. Ryerson, ajo që shënoi institucionalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.  Gjatë mandatit të tij (1991–1994), Z. Ryerson u përball me një periudhë të trazuar për Shqipërinë dhe për shqiptarët: krizë ekonomike, emigrim masiv, tensione politike dhe sfida të mëdha në ndërtimin e atyre që preceptohshin si institucionet e ardhëshme demokratike në atë vend. Mirëpo, megjithë vështirsitë, ishte diplomacia amerikane në këtë periudhë që u bë një nga mbështetjet kryesore për stabilitetin dhe reformën demokratike, sado të brishtë, në Shqipëri.  Për shumë shqiptarë, prania e Shteteve të Bashkuara në Tiranë në fillim të viteve ’90 kishte edhe një domethënie simbolike më të thellë. Sepse, prania zrytare amerikane në Tiranë, përfaqësonte jo vetëm një aleancë politike, por edhe shpresën për një të ardhme të lirë, demokratike dhe të integruar të Shqipërisë në botën perëndimore. Një ëndërrë shekullore, kjo e të gjithë shqiptarëve pa dallim, me përjashtim të diktatorit komunist Enver Hoxhës dhe apologjetëve të tij ndër vite e dekada e deri në ditët e sotëme, fatkeqsisht.

Në këtë kuptim, ambasadori William Ryerson mbetet një figurë historike në kapitullin e ri të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane të fund shekullit të kaluar.  Një kapitull që filloi pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së komunizmit zyrtar në Evropën Qendrore e Lindore, përfshirë Shqipërinë, por një vend që pas një tranzicioni të pafund e që duket se vazhdon të formësojë politikën dhe orientimin strategjik të Shqipërisë edhe sot. Emërimi i ambasadorit të parë amerikan në Tiranë pas rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, William Edwin Ryerson, mishëroi këtë shpresë.  Por historia e tranzicionit të stërgjatur shqiptar po tregon se mbështetja ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen e pa kursyer amerikane për liri e demokraci të shqiptarëve, nuk mjafton nëse vendi nuk ndërton vetë institucione të forta të lira, demokratike e të pavarura me një kulturë të përgjegjshme politike.  

Sot, në përvjetorin e 35-vjet të rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, Shqipëria ende përballet me sfida të mëdha serioze, politike dhe ekonomike. Me një korrupsion gjithëpërfshirës që kërcënon në themel demokracinë shqiptare, sado të brishtë, si dhe antarësimin e Shqipërisë në të gjitha organizmat euro-atlantike, por mbi të gjitha kërcënon antarësimin e plotë të saj në Bashkimin Evropian.  

Përvjetorët, si ky, normalisht, janë data që duhen kujtuar, por duhet të shërbejnë gjithashtu edhe si raste reflektimi se ku ishte në vitin 1991 dhe ku është Shqipëria sot. Situata e sotëme në Shqipëri, 35-vite më vonë, për shumë shqiptarë mbetet një zhgënjim historik i shpresave të tyre për një agim sado të brishtë demokratik – megjithë premtimet dhe shpresat e atij monenti historik të vitit 1991. Megjithkëtë, ardhja e ambasadorit Ryerson 35-vjet më parë në Shqipëri nuk duhet të shikohet vetëm si një akt diplomatik i zakonshëm, por edhe si një shenjë se, më në fund, historia ose fati po i jepte Shqipërisë një mundësi të re, për një fillim të ri. 

Në dekadat që pasuan, partneriteti midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u shëndrrua nga një marrëdhënie diplomatike në një aleancë strategjike. Uashingtoni, ndërkohë, mbështeti transformimin demokratik të Shqipërisë, reformat ekonomike dhe ndërtimin e institucioneve. Gjatë viteve, ndihma amerikane kontriboi në zhvillimin e shoqërisë civile, forcimin e institucioneve demokratike dhe orientimin e vendit drejt integrimit euro-atlantik.  Një nga momentet më të rëndësishme të këtij partneriteti strategjik ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, një hap historik që konfirmoi vendin e saj në komunitetin euro-atlantik.  Në këtë 35-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve — megjithë uljet e ngritjet gjatë viteve — Shqipëria mbetet një nga vendet më pro-amerikane në botë. Populli shqiptar ka treguar vazhdimisht një respekt dhe mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara dhe për vlerat që ato përfaqësojnë.

Por le të jemi të sinqertë me veten dhe me miqët historikë të Kombit shqiptar, se e njëjta gjë nuk mund të thuhet në këtë përvjetor për klasën politike shqiptare që ka sunduar shqiptarët këto tre dekada.  Falë kësaj klase politike shqiptare, pavarësisht dekadave të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria vazhdon të përballet me korrupsion të rrënjosur, institucione të brishta dhe polarizim të thellë politik. Premtimi i demokracisë dhe shpresat që frymëzuan momentin historik të marsit 1991 janë zbehur keqas nga një kulturë politike që vendos pushtetin mbi përgjegjësinë dhe interesat partiake mbi interesin kombëtar.

Forca e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA nuk duhet të matet vetëm me vizita diplomatike, shkrepje fotografishë, e madje as me bashkëpunim ushtarak, apo me deklarata zyrtare. Ajo duhet të reflektohet edhe në cilësinë e qeverisjes, në sundimin e ligjit dhe në besueshmërinë e institucioneve demokratike në Shqipëri.  Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vazhdimisht reformat që synojnë forcimin e drejtësisë, jo gjithmonë të suksesshme dhe luftën kundër korrupsionit. Por në fund të fundit, përgjegjësia për ndërtimin e një demokracie funksionale i takon vetë shqiptarëve.  Asnjë partneritet ndërkombëtar, sado i fortë të jetë, nuk mund të zëvendësojë integritetin politik dhe përgjegjësinë institucionale brenda vendit.

Nëse Shqipëria shënon këtë 35-vjetor të rivendosjes së marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, një pikë reflektimi duhet të jetë mesazhi i qartë se aleanca me Amerikën nuk është vetëm një aset diplomatik por është edhe një angazhim moral dhe politik ndaj vlerave demokratike, në përgjithsi.  Sepse fryma e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri (1991) ishte, mbi të gjitha, një frymë shprese — shpresa se Shqipëria do të ndahej, njëherë e mirë, nga e kaluara e diktaturës komuniste dhe prirjeve autoritare të qeverisjes me shpresën të vitit 1991, se do të ndërtonte një shtet të lirë, të drejtë dhe demokratik. 35-vjet më vonë, kjo shpresë mbetet ende gjallë. Por ajo kërkon më shumë përgjegjsi politike, morale dhe kombëtare nga klasa aktuale politike shqiptare, sidomos sa i përket lirisë së shtypit dhe pavarësinë e institucioneve shtetërore, sidomos enteve të drejtësisë.

Pyetja që mbetet aktuale edhe sot e kësaj dite është e thjeshtë, por thelbësore për të ardhmen e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri e që është:  A e ka shfrytëzuar, plotësisht, Shqipëria dhe klasa politike e saj e tre dekadave të kaluara atë mundësi historike që iu dha shqiptarëve në fillim të viteve ’90?  Për mendimin tim, pas 35 vitesh partneriteti strategjik dhe politik me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria mbetet pa përgjigjen thelbësore për të ardhmen demokratike të saj e që është: nëse është e aftë të dëshmojë se mund të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme, të denjë për besimin e shqiptarëve dhe për mbështetjen që Shqipëria dhe shqiptarët kanë marrë nga aleati i tyre më i rëndësishëm strategjik gjatë 35-viteve – përfshirë mbështetjen e Kosovës — por dhe më heret në historinë e Kombit shqiptar — Shtetet e Bashkuara të Amerikës!  Fatkeqsisht, kjo pyetje sot nuk ka një përgjigje të prerë, por ama mbetet thelbësore për vazhdimin e miqësisë dhe të bashkpunimit strategjik midis Kombit amerikan me Kombit shqiptar sot dhe për 35 vite të tjera e më gjatë.

Frank Shkreli  

*Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë dhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik të SHBA në Tiranë, mars/prill, 1991    

       Ambasadori William (Bill) Ryerson (21 Dhjetor, 1991 – 13 Tetor, 1994)

Në ceremoninë historike të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri me 15 mars, 1991, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve,  Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Kanadeze, Raymond G.H. Seitz, ka thënë:

“Marrëdhënia midis vendeve tona daton që nga vitet e para të këtij shekulli, kur Presidenti (Woodrow) Wilson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanë me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontakt me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”. 

Një grup shqiptaro-amerikanësh në Departmentin e Amerikan të Shtetit me rastin e betimit të Ambasadorit William (Bill) Ryerson para se të nisej për në Shqipëri 

Antarët e delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara, arrijtën në Tiranë pa vonesë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve tona, 15 mars, 1991. (Mungon në foto anëtari i delegacionit Richard T. Muller) 

                    Frank Shkreli: E vërteta… Kujtime nga Ekrem BardhaAmbasadori i parë i Shteteve të Bashkuara anë Tiranë, William Ryerson, (21 Dhjetor, 1991 – 13 Tetor, 1994) me një grup shqiptaro-amerikanësh në një pritje në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  

                              ——————————————-

Mesazhi i plotë iAmbasadorit të parë të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Z. William Ryerson – 5-vjet më parë — në (30 vjetorin, 2021) e rivendosjes së marrëdhënieve me SHBA botuar, me atë rast, në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane në Tiranë:

“Teksa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike është mirë të kujtojmë veprimet e ndërmarra nga zyrtarë në të dyja vendet tona, të cilët e bënë të mundur atë.  Ndërsa Shqipëria nisi të dilte nga makthi i saj kriminal i vetëimponuar Stalinist, njerëz të guximshëm atje lëvizën për të bërë atë rilidhje të mundur.

Po ashtu në SHBA zyrtarë të mençur në DASH dhe enteve të tjera të administratës sonë, vendosën të lënë menjëanë dekada të tëra fyerjesh të drejtuara ndaj nesh dhe gjithashtu të shfrytëzonin hapësirën e krijuar. Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës luajti një rol kritik qoftë në përcjelljen e informacionit të saktë në Shqipëri, ashtu edhe në monitorimin e zhvillimeve atje dhe ndarjen e atij informacioni me Uashingtonin zyrtar. Ekipi i parë i përfaqësuesve të SHBA mbërriti në Tiranë përpara zgjedhjeve të para pluraliste, në mars 1991.

Unë mbërrita në fund të prillit, me qëllimin për të ndenjur një apo dy muaj, derisa stafi i përhershëm i ambasadës të zgjidhej dhe të caktohej. Ditën e nesërme shkova për një takim kortezie në Ministrinë e Jashtme. Kur atje më thanë se nuk do të lejohesha të ndiqja seancat e Parlamentit. Mëngjesin e nesërm mora një telefonatë e cila më njoftonte se mund të merrja pjesë edhe se mund merrja edhe përkthyesin. Arrita në përfundimin se aty ku mund të kishte ndopak rezistencë, do ia vlente të shtyja për të kapërcyer.

Një nga momentet më domethënëse ndodhi gjatë vizitës Baker. Teksa sekretari fliste, unë po qëndroja siç duhej. Pranë makinave të autokolonës, pas një polici të vrazhdë, ndërsa Baker tha “Ne jemi ne ju dhe ju jeni me ne”, pashë një lot rrëshkiste në faqen e atij polici. Rreth 10% e popullatës ishte atë ditë në sheshin “Skëndërbej”. Ata treguan më në fund se mund të mblidheshin për diçka tek e cila besonin në vend që të dilnin të urdhëruar nga autoritetet vendase.

I kam ndjekur zhvillimet në Shqipëri prej daljes sime në pension dhe, nga sa shoh, vazhdoj të jem i bindur se Shqipëria është në rrugën e duhur. Pengesat, përfshirë edhe fatkeqësitë natyrore është e pashmangshme. Por me bashkëpunim ato mund të kalohen. “Uroj suksese në rrugën e vështirë drejt demokracisë. Mirë u dëgjofshim”, ka përfunduar mesazhin e tij Ambasadori Ryerson — 5-vjet më parë — me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së lidhjeve diplomatike Uashington-Tiranë. 

          U.S. Chancery in Albania U.S. Embassy Tirana Seal United States Department of StateAmbasada e SHBA-së në Tiranë është një ndërtesë e bukur në stil kolonial italian e ndërtuar në vitet 1920. Historikisht, është ndërtesa e parë diplomatike në botë, ndërtuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të qenë një Ambasadë. Misioni italian në Tiranë e përdori atë gjatë periudhës komuniste kur SHBA nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Ndërtesa që nga viti 1991 është rinovuar dhe tani aty strehohen shumë agjenci të Qeverisë së SHBA-së të përfaqësuara sot në Shqipëri.

Filed Under: Politike

ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE

March 11, 2026 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Konstandin Jeriçek konstanton se shqiptarët në Mesjetë paraqiten si popullsi e vjetër e krishterë, me kulturë më shumë qytetare, e cila është më afër grekëve dhe romanëve dalmatinë sesa serbëve të posakrisianizuar. Prandaj nuk duhet të çuditemi se në rreth vitit 1364 nga Shqipëria Veriore kishte njerëz të shquar dhe të arsimuar që gjendeshin nëpër qytete të ndryshme , ku nëpër shkollat e atëhershme ligjëronin gramatikën, moralin dhe lëndë të tjera (Mirdita, 1998: 273). Kleri i këtyre shkollave kishte si qëllim përhapjen e shkrim-leximit, në radhë tëparë në qytete dhe në fshatra të mëdha.Ai, për këtë qëllim, përveç Ungjillit dhe librave të tjera me përmbajtje fetare, përhapte dhe libra leximi, për të mësuar fëmijët e popullit.Përmbajtja e mësimit kishte karakter fetar.Dominonte përvetësimi i dogmave fetare, si dhe leximi e shkrimi.Në këto shkolla gjejmë elementet e para të një veprimtarie të organizuar kulturore-arsimore tek shqiptarët (Shllaku,2002:28).

Është e rëndësishme dukuria se në Shqipërinë Veriore, kishte njerëz, të cilët në qytete mësonin gramatikën dhe moralin sipas modeleve, mbi të cilat barazohej i tërë arsimi shkollor i Europës Perëndimore në Mesjetë (Mirdita, 1998: 272). Dallgët që lëkundën besimin fetar si rezultat i luftërave midis Lindjes, Perëndimit dhe dinastëve serbë, bënë që benediktinët të largohen nga skena fetare shqiptare nga gjysma e shekullit XIII. Ato kuvende për shumë kohë u administruan nga urdhërat e rinj, domenikanë dhe françeskanë. Domenikanët dhe frarçeskanët hynë në arenën e mësimit në shekullin XIII dhe u dhanë antarëve të tyre trajnim më të gjërë se murgjit benediktinë (Parker,1912:76).

Në këtë periudhë në trevat shqiptare u përgatitën shumë njerëz të mësuar.Kishte disa shkrues të punësuar në zyrat publike ose të qeverisjes, sekretarë privatë ose mësues të shkrimit. Kishte dhe mësues shëtitës të shkrimit që punësoheshin me raste në vende të ndryshme. Ata shkruanin dhe letra për analfabetë(Parker,1912: 29).Për të siguruar jetesën ose pak të ardhura shtesë, ofronin shërbimin e mësimit të fëmijëve në numrim, lexim dhe shkrim, siç i kishin mësuar ato arte vetë (Parker,1922:28). Këtë praktikë të marrjes së mësimeve në mënyrë vetjake e ndeshim edhe më vonë; në këtë mënyrë u arsimua deri në moshën 21 vjeçare edhe Pjetër Budi, si dhe shumë të tjerë nëpër famulli e manastire, ku i merrnin mësimet nga peshkopë e klerikë të arsimuar (Historia e Arsimit,2003:60).

Kështu në territoret shqiptare u formua shtresa e njerëzve të mësuar.Në Ulqin rreth vitit 1258, ku noteri (noterus-shënues, këshilltar ligjor) ishte edhe mësues në shkollën e qytetit (parte per scrivere nostre carte e parte per insegnare lettere a nostril fioli).Në periudhën kohore 1261-1406 në Ulqin punuan gjashtë noterë. Veprimtari të tilla kishte edhe në Kotorr më 1266, në Durrës rreth vitit 1278, në Shkodër më 1345, në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV, si dhe në Drisht, Novobërdë etj.Qendra të rëndësishme arsimore dhe kulturore ishin edhe Deja, Hasi, Shurdhaku etj(Koliqi, 2002:52). Në vitin 1349 në Raguzë kishte 24 shkrues noterialë nga Tivari, Ulqini, Pulti, Shkodra dhe fshatrat përreth, dy të tretat e të cilëve ishin shqiptarë, që përveçse në gjuhë të huaj shkruanin dhe në gjuhën amtare me shkronja latine (Historia e Arsimit,2003:60-61).

Shkollat në trevat shqiptare gjatë kësaj periudhe, si kudo në Europën Perëndimore, përdorën latinishten si gjuhë të mësimit. Në atë periudhë, latinishtja u konsiderua si gjuha universale e njerëzve të edukuar në Europën Perëndimore. Njerëzit e shkolluar i përbuznin gjuhët vernikulare dhe mendonin se latinishtja do të vazhdonte të mbetej gjuhë universale siç ishte në atë kohë(Parker,1912: 20).

Një nga synimet e Rilindjes europiane ishte zevendësimi i formës mesjetare të latinishtes me formën letrare të latinishtes në formën e saj më të zhvilluar.Është e qartë se latinishtja letrare nuk ishte folur asnjëherë prej popullit romak dhe synimi I humanistëve tëRilindjes ishte që të shkatërrohej gjuha latine e gjallë dhe t’u hapej rruga zhvillimit të mëtejshëm të gjuhëve popullore….Rilindja e bëri latinishten të vdekur(Kane, 1954: 136-137).

Zhvillimi i protestantizmit ndikoi shumë në zhvillimin e gjuhëve kombëtare.Për katolikët Bibla konsiderohej burim i rëndësishëm i mësimeve morale për të gjithë njerëzit, ndërsa për protestantët ishte dhe më tepër, nevoja e parë dhe e fundit për jetën fetare(Parker,1912:42).

Katolikët nuk e kundërshtuan përkthimin rigoroz të Biblës në gjuhët vernikulare, por vetëm variante të përkthimit dhe të intrepretimit që nxisnin heerzine dhë largimin prej mësimeve autoritative të kishës(Parker,1912:43). Zbulimi i shtypshkronjës dhe reforma krijuan një publik që lexon dhe shtuan sasinë e librave. Kërkesat për libra ishin të shumta dhe shtypja e tyre u bë e leverdisshme nga ana ekonomike(Parker,1912:43). Libri dhe dija nuk mbetën më monopol I klerit dhe gradualisht lindi shtresa e laikëve të shkolluar, të interesuar për të ndjekur ritmet europiane perëndimore të zhvillimit.

Literatura:

Hajrullah Koliqi, Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar,Shtëpia botuese e Librit shkollor, Tiranë 2002.

Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar, (grup autorësh) botime i Institutit të Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003.

Ludovik Shllaku, Shkollat klerikale, botimet “Camaj-Pipa”, Shkodër 2002.

Samuel Chester Parker, A textbook in the history of modern elementary education,Ginn and Company, Boston, Neë York, Chicago, London, Atlanta, Dallas, Columbus, San Francisco 1912.

Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Misioni katolik shqiptar në Zagreb, Prizren-Zagreb 1998.

Filed Under: Politike

KANDIDATE PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË KELLER, TEXAS, ELDA RATA: “SUKSESI I ÇDO SHQIPTARI ËSHTË SUKSES PËR KOMUNITETIN TONË NË AMERIKË”

March 9, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. Cila është platforma elektorale e Elda Ratës? Pse duhet të të votojë elektorati?

Platforma ime elektorale bazohet në tre shtylla kryesore: siguria publike, zhvillimi ekonomik strategjik dhe mbështetja për bizneset e vogla lokale dhe familjet. Keller është një qytet i jashtëzakonshëm dhe synimi im është të ruajmë atë që e bën këtë komunitet të veçantë: vlerat dhe komunitetin, ndërkohë që menaxhojmë dhe kontribuojmë në rritjen dhe zhvillimin e tij. Unë besoj në zhvillim ekonomik strategjik, transparencë në vendimmarrje dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin.

Si juriste dhe sipërmarrëse me eksperiencë në sektorin publik dhe privat, unë sjell një perspektivë profesionale unike. Elektorati duhet të më votojë sepse unë besoj në shërbimin ndaj komunitetit, besoj në iniciativat e reja për zhvillimin ekonomik duke ruajtur në të njëjtën kohë vlerat dhe traditat e komunitetit dhe transmetimin dhe kultivimin e këtyre vlerave te brezi i ri, dhe sepse jam e përkushtuar të punoj çdo ditë për interesin e qytetarëve të Keller.

2. Angazhimi politik në Texas dhe distriktin ku kandidon, fokusi, pozicionimi, nismat, partia politike dhe një thirrje për shqiptarët.

Unë jetoj dhe kam investuar në Keller, Texas, dhe kam qenë shumë aktive në komunitet dhe në zhvillimin ekonomik të qytetit. Përmes biznesit tim dhe angazhimit në organizata lokale, kam ndërtuar marrëdhënie të forta me qytetarët dhe liderët lokalë.

Fokusi im është:

mbështetja për forcat e zbatimit të ligjit, policinë dhe zjarrfikësit

stabiliteti në zhvillimin ekonomik

mbrojtja e cilësisë së jetës në Keller

transparenca dhe informimi në qeverisjen lokale

Unë kam vënë re që komuniteti shqiptar në SHBA jo vetëm është një komunitet shumë punëtor dhe i respektuar, por po rritet dita-ditës dhe po tregon që aderon të bëhet pjesë e strukturave politike vendore dhe qendrore. Për mua është një nder i madh që jam pjesë e idealeve dhe qëllimeve të këtij komuniteti. Kështu që jam e bindur që të gjithë së bashku do t’ia arrijmë që të ngrejmë zërin tonë dhe të bëhemi faktorë.

Ndaj besoj shumë në mbështetjen e gjithë komunitetit shqiptar në rrugëtimin tim që kam ndërmarrë për të përfaqësuar shqiptarët në institucionet amerikane, sepse çdo sukses i çdo shqiptari është sukses për komunitetin tonë në të gjithë Amerikën.

3. Kandidimi politik dhe rëndësia e këtij pozicioni. Ku e mbështet suksesin e garës sate?

Pozicioni i Këshilltarit Bashkiak është shumë i rëndësishëm sepse vendimet që merren në këtë nivel ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve: sigurinë, zhvillimin urban, ekonominë lokale dhe shërbimet publike.

Suksesi i garës sime elektorale mbështetet në:

besimin e komunitetit

punën e palodhur dhe prezencën në terren

angazhimin proaktiv në evenimentet e qytetit

influencën që kam ndërtuar përmes kontributit në komunitet dhe në zhvillimin ekonomik të qytetit

të qenit emigrante dhe grua e suksesshme

Unë besoj se kur njerëzit shohin punën, përkushtimin dhe integritetin e dikujt, ata e kuptojnë që kandidatura është serioze dhe e sinqertë.

4. Një shqiptare që kandidon për një pozicion kaq të rëndësishëm – çfarë ndjeshmërie keni?

Për mua është një moment shumë i veçantë dhe emocional. Si shqiptare që kam ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe kam ndërtuar jetën dhe familjen këtu, unë e ndjej shumë fort përgjegjësinë për të përfaqësuar vlerat tona: punën e ndershme, familjen, respektin dhe përkushtimin ndaj komunitetit. Historia e shqiptarëve është një histori rezistence dhe suksesi. Kandidimi im është edhe një mënyrë për të treguar që Ëndrra Amerikane është ende gjallë, që shqiptarët kontribuojnë fuqishëm në shoqërinë amerikane dhe janë pjesë aktive e demokracisë.

5. Si po ecën fushata? Cila është strategjia e fitores?

Fushata po ecën shumë mirë dhe po marr një mbështetje të madhe nga komuniteti. Strategjia ime është shumë e thjeshtë: të jem pranë njerëzve dhe të dëgjoj shqetësimet e tyre. Unë bashkë me ekipin strategjik të fushatës po zhvillojmë takime me qytetarët, po marr pjesë në aktivitete të komunitetit dhe po komunikojmë vazhdimisht me votuesit. Qëllimi është të ndërtojmë një marrëdhënie besimi dhe transparence. Për elektoratin gri, mesazhi im është i qartë: ne mund të kemi pikëpamje të ndryshme politike, por të gjithë duam një Keller të sigurt, të zhvilluar ekonomikisht dhe më shumë mundësi për familjet tona.

6. Kush është Elda Rata?

Unë jam juriste, sipërmarrëse dhe nënë. Kam një formim akademik ndërkombëtar me diplomë në fushën juridike, kam kryer master në Shqipëri dhe në Nju Jork në Pace Law School. Karriera ime përfshin eksperiencë në sektorin publik dhe privat, në fushën e agjencive të forcave të zbatimit të ligjit dhe në aspektin ligjor të krijimit dhe zhvillimit të biznesit në SHBA.

Sot punoj për një kompani që ofron shërbime ligjore për korporatat e ndryshme amerikane në të gjitha shtetet e Amerikës, ku mbikëqyr Departamentin e Shërbimeve Ligjore. Gjithashtu jam bashkëpronare e dy restoranteve italiane “Acquario Italian Restaurant” and “Acquario Pizza Pasta Bar” të dyja në Keller së bashku me bashkëshortin tim. Për bizneset tona unë mbuloj marrëdhëniet me publikun dhe zbatimin ligjor të rregulloreve të ndryshme që kanë të bëjnë me industrinë kulinare.

Bashkë me bashkëshortin jemi shumë të përkushtuar ndaj komunitetit ku jetojmë, besojmë shumë në vlerat e familjes dhe edukimit dhe mundohemi t’i transmetojmë edhe te tre fëmijët tanë. Në kohën e lirë më pëlqen shumë të kaloj kohë me familjen time dhe t’u gjendem në ndihmë njerëzve në nevojë.

7. Prejardhja familjare dhe historia e emigrimit në SHBA

Kam lindur dhe jam rritur në Kukës, në veri të Shqipërisë. Ne jemi me origjinë nga Hasi i Shqipërisë. Unë vij nga një familje që gjithmonë ka besuar në rëndësinë e edukatës së mbarë dhe të shkollimit.

Babai im ka qenë drejtues në arsim, biokimist dhe si hobi ka pasur bletërritjen, ndërsa nëna ka punuar në shëndetësi. Unë jam rritur duke i parë të dy ata duke i shërbyer komunitetit, njëri si mësues dhe tjetri duke shërbyer në çdo kohë të ditës dhe natës në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe vajzave. Prindërit e mi, përveç shërbimit ndaj komunitetit, nuk lanë kurrë mënjanë detyrën e tyre prindërore në rritjen dhe edukimin tim, të vëllait dhe motrës.

Historia ime është historia e shumë emigrantëve që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. Edhe unë erdha për më shumë siguri dhe mundësi për vete dhe për djalin tim. Amerika është një vend mundësish dhe unë jam shumë mirënjohëse për mundësitë që kam pasur këtu për të ndërtuar jetën dhe karrierën time si nënë e vetme.

Në fillimet e mia, përpos pengesave dhe vështirësive që kalon çdo emigrant i sapoardhur, unë iu futa edhe studimeve në fushën juridike për të rikonfirmuar vlerat e mia si intelektuale e ardhur nga Shqipëria. Falë eksperiencës dhe përkushtimit tim arrita të pranohem në Pace University’s Haub Law School në Nju Jork. Në kulmin e arritjeve të mia profesionale si individ, si femër dhe si nënë e vetme, Zoti më shpërbleu me një shans të dytë edhe në jetën time sentimentale.

Tashmë unë pata fatin dhe mundësinë për të krijuar një familje të re, e cila u kurorëzua me ardhjen në jetë të vajzës time, e cila përmbush zemrat tona si prindër, por edhe të të dy vëllezërve të saj. Unë jam falënderuese Zotit çdo ditë për gjithçka që më ka dhuruar deri tani. Sot jetoj në Keller, Texas, me familjen time të re dhe jam krenare që kontribuoj në komunitetin ku jetojmë.

Filed Under: Politike Tagged With: elda rata, Sokol Paja

“Shqiptarja”, botim shoqëror, kulturor dhe ekonomik, organ i Shoqërisë Gruaja Shqiptare

March 8, 2026 by s p

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë/

📌 Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave 🌸, përkujtojmë përmes koleksionit të shtypit periodik të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë🇦🇱 një nga periodikët më të veçantë të fillim shekullit XX në artikulimin publik të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare 📰.

📖 Materiali në foto është revista Shqiptarja, një botim shoqëror, kulturor dhe ekonomik në gjuhën shqipe🗣️, organ i Shoqërisë Gruaja Shqiptare, e drejtuar nga intelektualja Emine Toptani ✍🏻.

✨ Në faqet e saj trajtoheshin çështje të arsimit📝, kulturës, emancipimit dhe pjesëmarrjes së gruas shqiptare në jetën shoqërore, duke dëshmuar përpjekjet e para për ta bërë zërin e saj pjesë të debatit publik.

🌸 Këta periodikë na rikujtojnë se përparimi shoqëror ndërtohet mbi zërat që guxuan të shkruajnë✍🏻, të mendojnë💭 dhe të veprojnë për një shoqëri më të barabartë🟰.

“Nuk do tē kemi kurrë një racë burrash të naltë, gjersa nuk do të kemi një racë të grave të lira – të mëmavet të lira”.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI
  • NJË GABIM I QËLLIMSHËM NGA KRYEMINISTRI EDI RAMA
  • Bostoni shqiptar përballë historisë: Ambasadori Walker sjell të vërtetën e Raçakut
  • Instituti i Historisë “Ali Hadri” sjell botimin e ri për dokumentet diplomatike të Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT