• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ALBIN KURTI, KANDIDATI PER KRYEMINISTER DHE INTERVISTA E VITIT 2000

October 10, 2019 by dgreca

KOMENT NGA ASLLAN BUSHATI/

Në emisionin “Opinion”( TV Klan),  të gazetarit Blendi Fevziu,  më 9 Tetor 2019 u transmetu një  intervistë e gjatë me Albin Kurtit  në prag të marrjes nga ana e tij, të detyrës së Kryeministrit të Kosovës. Emisioni u mbyll me  një intervistë të Zotit Kurti për median ndërkombëtare,  realizuar në ambientet e  një burgu  serb në vitin 2000,  i cili ishte dënuar me 15 vite  për aktivitet politik kundër regjimit  të Milloshevicit.Komentin tim po e filloj nga kjo e fundit , e cila në gjykimin tim ishte (brilante)  e thënë shkurt në shqip ishte e mrekullueshme, në formë,  në përmbajtje dhe në mesazhin që bartëte. Kjo intervistë do të përsëritet gjatë,  e breznitë e ardhëshme shqiptare  shpresoj se  do ta kujtojnë me respekt, në qoftë se vetë Zoti Kurti nuk e “ndot” atë .

 Zotin Kurti nuk e njoh personalisht, por nga  medias kam krijuar një “njohje mediatike”, nëse mund të quhet e tillë. Nga kjo “njohje” dhe ky përceptim, kam arritur të vecoj si tipare  dalluese të tij: atdhetarinë, karizmën, oratorinë, të folurit kuptueshëm e me fjali të shkurtëra, artikulimi i gjërave të vështira me simbolikë të thjeshtë, këmbënguljen etj. Por ndonjëherë  edhe politikanin e pabindur ndaj rregullave, demostrues,  disi agresiv e të pa përmbajtshëm. 

Mund të jemë edhe gabim në këto që them, por gjykimi im nuk i imponohet askujt , nuk e rëndon atë si person e si lider, dhe  aq më pak nuk bëhet me asnjë qëllim të keq. Përkundrazi.

Në përgjigjet e  të gjitha pyetjeve, Zoti Kurti  them se  ishte i drejtpërdrejtë, pa sofizma, pa doreza diplomatike, pa figura letrare, e pa qëndrime të dyzuara, siç ndodh rëndomtë, me shumë politikanë. Kjo e bëri intervistën sipas meje, më dinamike dhe të pëlqyeshme.

Para disa ditësh kam bërë një shkrim për pritshëritë e zgjedhjeve në Kosovë. Në këtë shkrim kisha parashikuar  fitoren e dukshme të  opozitës ( gjë që doli e vërtetë). Madje   mendoja se  LDK-ja dhe VV-ja do të ishin me sasi  deputetësh të barabartë, por diferenca do të bëhej se LDK-ja do të kishte të paktën një a dy mijë vota më shumë. E pranoj se marzhi i gabimit tim paska qenë diku tek 0,5 përqind .  Por kjo nuk prish anjë punë. Kryevendin zgjedhor  ta gëzojë VV-ja dhe Albin Kurti, aq më tepër që këta, nuk kanë qenë asnjë herë në drejtimin e Shtetit të Kosovës. Le ta provojnë dhe shpresojmë të mos na zhgënjejnë.

Në këtë intervistë një vend të rëndësishëm zunë  zhvillimet e pritëshme me Serbinë. Unë  përgjithsisht mbeta  i kënaqur me ato që  dëgjova nga Zoti Kurti. Bisedimet, mendohet se  do të fillojnë shpejt, gjë që është e domosdoshme, Kosova do të prezantohet me dinjitet, me argumenta të qënsishme , me statusin e të barabartit, me kufij të paprekshëm dhe në fund me një marrveshje për njohjen reciproke .

Në planin e jashtëm,  sipas Zotit Kurti, do të mbeten partnerë strategjik SHBA dhe BE me një modulim më pragmatik me Gjermaninë, Francën, Mbretrinë e Bashkuar e Italinë ( duke pasur parasyshë edhe përvojën positive të Sllovenisë e Polonisë). U kënaqa që nuk permendej prej tij ndonjë i ashtuquajtur “vëlla”.

Në planin e brendëshëm, i përsëritur disa herë ( dhe në aleancë  me LDK-në), sllogani themelor do  të jetë: ”barazi, drejtësi, zhvillim”.  Po ashtu do të shkohet drejt zvoglimit të  numurit të ministrive duke i dhënë më shumë hapsirë  kualitetit në qeverisje me figura të spikatura nga brenda Kosovës  e nga diaspora . Do të krijohen forma të reja të organizimit të brendshëm strukturor  e bankar që do të shtojnë punësimin, do të luftojnë korrupsionin dhe do të mbështesin zhvillimin e gjithanshëm ekonomik të Kosovës. 

Akuzave për qëndrime ekstreme majtiste , Zoti Kurti ju përgjigj se VV-ja  dhe ai  i përkasim spekterit të  majtës social-demokrate dhe se idhulli i tij ka qenë udhëheqsi afrikano-amerikan Luter King. 

Kurse akuzës për islamist, ai tha se është një e pavërtetë  dhe një artificë e shpikur nga kundërshtarët politik të VV-së në Kosovë , sepse në debatin për veshjen e grave  “me apo pa shami”, ne kemi qenë kundër ndalimit të shamisë , por nuk e kemi kërkuar mbajtjen e saj.

Në lidhje me Shqipërinë tha se si hap i parë  do të shikoj marrveshjet e firmosura   me synim realizimin e atyre që nuk janë bërë. Po ashtu foli për forume  e politika të përbashkëta në disa fusha, për  përafrim pikpamjesh e qëndrimesh  e deri tek mundësia e bërjes së  një hekurudhe  nga Mitrovica deri në Vlorë.

Unë përgjithsisht mbeta i kënaqur nga intervista , por sic thotë populli “nga e thëna në të bërë është midis një detë  i tërë”. Shpresoj e dëshiroj (sic do shqiptar në trojet etnike e në diasporë), që ato që u premtuan të bëhen realitet i prekshëm  për   gjithkënd  në  Kosovë e Shqipëri.

Filed Under: Politike Tagged With: Asllan Bushati-Koment-Intervista-Albin Kurti

Ndal rikthimit në pushtet të kriminelëve të Sigurimit!

October 9, 2019 by dgreca

Nga Nebil Çika/

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politike te Shqipërisë/


Ekspertja e Sigurimit të Shtetit autorja e ekspertizës që çoi në pushkatim poetin Genc Leka kandidat për anëtare e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit. Aktualisht procedura është në Kuvendin e Shqipërisë dhe figura e saj po verifikohet nga institucionet e pastërtisë së figurës. Është tashmë e dokumentuar botërisht pjesëmarrja e saj në krimet e komunizmit dhe zgjedhja e saj në një institucion me rëndësi siç është KKRT do të përbente një krim më vete nga Kuvendi i Shqipërisë dhe çdo institucion tjetër që në shkelje të ligjit e mundëson zgjedhjen e saj. Në bazë të ligjit ajo nuk mund të zgjidhet për shkak të pjesëmarrjes së vërtetuar me prova e dokumente në krimet e Sigurimit të Shtetit por ne kemi informacione se po përdoret një artificë ligjore sipas të cilës kush ka marë një vërtetim pastërtie nga Komisioni Bezhani e merr sërish të tillë edhe pse implikimi i saj në krime është publik. Në këto kushte Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë, Autoritetit mbi Informonin e Dosjeve të ish- Sigurimit të Shtetit, Komisionarit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë të kryejnë detyrën e tyre e të mos fshihen pas ligjeve djallëzorë për të fshehur krimet e komunizmit dhe autorët e tyre. I kërkojmë Partisë Demokratike dhe krejt opozitës si dhe Ambasadave të USA e BE dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit si dhe organizatave të tjera të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut të ushtrojnë çdo mundësi e influencë për të ndaluar vallen e rikthimit në pushtet të autorëve të krimeve të komunizmit.
Zgjedhja e Diana Çulit në krye të televizionit publik shqiptar është një fyerje për viktimat e krimeve të saj dhe familjarëve të tyre dhe krejt të përndjekurve politikë antikomunistë të Shqipërisë. Fakti që kjo po ndodh në prag të pritjes për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE tregon edhe një herë se Shqipëria është shumë larg standardeve perëndimore të trajtimit të krimeve komuniste dhe autorëve të tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: Nebil Cika-kriminelet e Sigurimit-ndal rikthimi-Pushtet

Zogu I- Mbret i Shqiptarëve, burrë shteti i rrallë dhe shumëdimensional për Kombit Shqiptar

October 8, 2019 by dgreca


–       
–8 Tetor 2019- Në përkujtim të ditëlindjes të Mbretit ZOG I Mbret i shqiptarëve-/
 Shkruan: Dr. Shpëtim Axhami/                 
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit t ë Shqipërisë/
 
Ahmet Zogu e ka shruar vetë historinë e Tij, duke e bërë kohën e qeverisjes, kur Ai drejtoj shtetin shqiptar, si pjesën më të lavdishme të historisë tonë kombêtare, ne na takon të shkruajmë drejt historinë dhe të kontribojmë qê filozofia e Mbretêrise Zogiste të bëhet realitet.
 
NMT e Tij, Mbreti ZOG I Mbret i shqiptarëve.
Krijues i shtetit modern Shqiptar.
 
Burrë shteti i rrallë dhe shumë dimensional për kombin Shqiptar.
 
Mbreti zog.
Lindi me 8 Tetor 1895 në Burgajet -Mat në kështjellën e familjes Zogolli,i biri i Xhemal Pashë Zogut dhe Sadije Zogut-Toptanit(Nëna mbretëreshë më vonë.)
Në moshë të re dërgohet për studime në liceun Francez në Turqi.
Në verën e vitit 1912 kthehet nga Turqia ku tashmë kishte 8000 mijë forca në kryesimin e parisë së Tij.
Me 28 Nëntor 1912 Ahmet bej Zogu përfaqëson në shpalljen e pavarësisë krahinat e Matit,Dibrës dhe Mirditës.
Pas shpalljes së pavarësisë vihet me të gjitha format në mbrotjen e trojeve Shqiptare nga forcat shoviniste serbe.
Në Mars të vitit 1916 Ahmet bej Zogu thërret kongresin kombëtar të Elbasanit.
Në vitin 1919 kur trojet Shqiptare ishin në prag të copëtimit Ahmet bej Zogu i kthehet aktivitetit politik duke u bërë pjesë aktive kryesore për thirrjen e një kuvendi Kombëtar(Kongresi i Lushnjës)
Në 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjës ku në moshën 25 vjec emërohet Ministër i Brendshëm.
Ahmet Zogu siguroj zhvillimin e punimeve të Kongresit dhe futjen e qeverisë së Sulejman Delvinës në Tiranë.
Më 2 Dhjetor të 1922 emërohet kryeministër,ku pavarësisht vështirësive për herë të parë fillon organizimi i shtetit tonë.
Në Qershor të 1924 si rezultat i lëvizjes bolshevike,Grushtit të Shtetit dhe për të eleminuar gjakderdhjen mes shqiptarëve largohet përkohësisht jashtë vendit.
Me 24 Dhjetor 1924 me vendim të qeverisë dhe me njohje nga Fuqitë e Mëdha Ahmet bej Zogu kthehet në Shqipëri duke kthyer legjitimitetin e zgjedhjeve të fundvitit 1923.
Triumfi i Legalitetit.
Pikërisht këtu fillon kristalizimi si duhet i shtetit Shqiptar.
Me 6 Janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe Ministër të Brendshëm.
Me 21 Janar 1925 Kuvendi shpall Republikën Shqiptare dhe 10 ditë më vonë me 31 Janar 1925 Ahmet Zogu zgjidhet Kryetar Shteti.
Me 1 Shtator të 1928 Asambleja Kushtetuese shpall sistemin Monarki Kushtetues Parlamentar të trashiguëshme si formë të regjimit në Shqipëri dhe Ahmet bej Zogun e shpall Mbretin e Shqiptarëve.
                   NMT Zogu I Mbret i Shqiptarëve me strategjinë, pregatitjen,zgjuarësinë dhe shqiptarizmën e vet merr përsipër krijimin e shtetit modern Shqiptar.
Organizimi i pushtetit legjeslativ,ekzekutiv e gjygjësor,Statuti themelor i 1928,kodi civil e tregtar, administrata serioze dhe profesionale,bënë të mundur.
Zhvillimin ekonomik,rritjen e mirëqenies,siguruan qetësi dhe rend,arsimim dhe kulturë.
Gjatë kësaj periudhe modernizimi i shtetit solli shpresë dhe civilizim,dinjitet dhe krenari kombëtare.
Shqipëria dhe shqiptarët tashmë kishin vendin e tyre që meritonin në rajon,Europë e më gjerë.
Me 27 Prill 1938 Mbreti Zog I martohet me Konteshën Hungareze Geraldina Apponyi.
Me 9 Prill 1939.pasi nuk kishte pranuar kushtet e pushtuesve fashist Italian me vendim të parlamentit Mbreti Zog  largohet nga Shqipëria për në perëndim.
Gjatë largesës së detyruar gjithmonë punoi për pregatitjen e rezistencës ndaj pushtuesve dhe për të organizuar qeverinë legjitime në mërgim.
Kurdo dhe me këdo  që pati kontakt në vendet ku kaloi gjatë luftës së dytë Botërore Mbreti Zog shprehu shqetësimet dhe ngriti problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Në vitin 1946 me ftesë Zyrtare të Mbretit Faruk vendoset në Egjypt.
Në vitin 1955 vendoset në Paris dhe më vonë në Kanë.
Gjatë gjithë jetës Mbreti Zogu I bëri përpjekje maksimale me të gjitha format dhe mënyrat diplomatike për të faktorizuat problemet kombëtare Shqiptare tashmë nën diktaturën komuniste,me një Kosovë dhe Camëri të ngelura padrejtësisht jashtë trojeve Shqiptare.
Aq e lartë ishte figura e Ahmet Zogut dhe aq e ndritur ishte koha e regjimit të Zogut sa për 50 vjet propoganda komuniste nuk pushoi me shpifje monstruoze vetëm e vetëm nga frika sepse njerezit që kishin jetuar në atë kohë e dinin në heshtje përparësitë e atij regjimi.
Mbreti Zog ndërroi jetë me 8 Prill në Paris.
Në 2012 eshtrat e Mbretit u kthyen në Shqipëri.
Siç shihet me sa përshkruam në mënyrë kronologjike, shkurtimisht,vetëm pak nga sa ishte Zogu I Mbret i Shqiptarëve,ai mbetet burrë shteti i rrallë dhe shumëdimensional për Kombit Shqiptar.
Krijues i shtetit modern me moton:ATDHEU MBI TE GJITHA.
Historia duhet dhe do të flasë drejt.
 
Shpëtim Axhami.                  
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit të Shqipërisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Shpëtim Axhami-8 Tetor-Ditelindja- Zog I-Mbret i shqiptareve

Mbreti Zog – hodhi themelet e shtetit modern shqiptar

October 7, 2019 by dgreca

124 vjetori i lindjes, 8 tetor 1895-2019/

Nga Ekrem Spahiu*/

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë, më 17 nëntor 2012, ka dekoruar Mbretin Zog I, me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin:

“Figurë madhore dhe qendrore e historisë së Shqipërisë, që hodhi themelet e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit modern shqiptar, me orientim të qartë perëndimor europian. Ideator dhe realizues i administratës së parë të shtetit shqiptar, si dhe i një legjislacioni bashkëkohor të niveleve të larta, që do t’i hapte rrugë emancipimit shoqëror dhe zhvillimit të vendit. Personalitet që gjithë jetën e tij e lidhi me fatet e kombit, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

Formimi dhe aktiviteti i Ahmet Zogut

Kronikat e kohës na thonë se, familja e famshme Zogu, e ardhur nga vise më në veri të Shqipërisë, u instalua në Burgajet të Matit aty nga fundi i shekullit XV. Familja Zogu, në breza u shqua për kountribute të jashtëzakonshme për të mirën e Matit dhe Shqipërisë.

Ahmet Zogu, djalë i Xhemal Pash Zogut dhe Sadie Emin bej Toptanit, lindi më 8 Tetor 1895. Edukimin dhe njohuritë e para i mori nga mësuesit Dërvish Hima, Sali Torra dhe Hafus Ismeti. Në moshën 7 vjeçare, e dërguan në Turqi për studime, ku mbaroi liceun e Stambollit dhe kursin e oficerëve rezervë. Më 20 korrik 1912, u kthye nga Turqia në Mat.

U angazhua menjëherë në përballimin e sulmeve nga fuqitë ballkanike. Ai arriti të afrojë, organizojë dhe të drejtojë vetë rreth tetë mijë burra të armatosur. Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, do të përfaqësonte Matin, Dibrën dhe Mirditën, në krye të një përfaqësie prej 26 krerësh të shquar të këtyre trevave. Pas përfundimit të Kuvendit ai u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës nga sulmet e hordhive serbo-sllave.

Lufta e Parë Botërore e gjeti Ahmet Zogun në Mat si një komandant të provuar në beteja dhe fitore të realizuara nga guximi dhe drejtimi i tij me mendim strategjik dhe koncepte të qarta taktike. Më 3 Mars 1916, me inisiativën e tij dhe me patriotë të tjerë organizojnë Kongresin Kombëtar në Elbasan, për të diskutuar mbi fatet e Shqipërisë.

Në vitin 1919, Shqipëria që kish mbetur nga kalkulimet gjeopolitike të Fuqive të Mëdha të vitit 1913, rrezikonte realisht copëtimin territorial në favor të fqinjëve shovenë. Në këto rrethana, nën ndikimin e vokacionit dhe formimit të lartë atdhetar, Ahmet Zogu bëhet një ndër protagonistët kryesorë për thirrjen e Kongesit historik të Lushnjës, që u mblodh më 21-31 janar 1920, si përfundim i një marrëveshje të të gjitha viseve të Shqipërisë. Mbarëvatja e punimeve të Kongresit u sigurua ushtarakisht prej Ahmet Zogut dhe pas përfundimeve të tij, miratoi Qeverinë e re, në të cilën Ahmet Zogu u emërua Ministër i Brendshëm, pikërisht në moshën 25 vjeçare. Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e shtetit shqiptar dhe hodhi bazat legjislative për të gjithë institucionet e shtetit.

Më 2 dhjetor 1922 Këshilli i Lartë ngarkoi Ahmet Zogun të formojë qeverinë e re, duke e zgjedhur kryeministër dhe njëherësh edhe Ministër i Brendshëm. Më 23 shkurt 1924, opozita organizoi një atentat brenda Kuvendit Kushtetues dhe plagosi Ahmet Zogun, Kryeministrin e vendit, për shkak se ajo nuk u pajtua që Zogu, me mbështetjen e koalicionit me indipendentistët, siguroi një shumicë të re. 

Ahmet Zogu, edhe pse i plagosur rëndë, hyri në sallën ku do të zhvillohej mbledhja e Kuvendit pa dhënë asnjë shenjë alarmi. Për të qetësuar situatën dhe për të shmangur rrezikun e një përleshjeje me armë, me një gjakftohtësi dhe vetpërmbajtje të jashtëzakonshme, iu drejtua kryetarit të Seancës dhe deputetëve: “Zotërinj, nuk është hera e parë në botë që në një parlament ndodh një gjë si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe ta harrojnë për një çast atë çka ndodhi”.

Gjithsesi, atentati në Kuvend ndaj kryeministrit Ahmet Zogu e ndërlikoi shumë situatën politike në Tiranë. Për t’i mos i dhënë shkak një ndërlikimi të mëtejshëm të situatës, e cila do të destabilizonte sigurinë e vendit ndoshta në mënyrë të pakthyeshme, më 25 shkurt 1924 Ahmet Zogu dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Me qetësinë që ruajti ndaj atentatit kundër tij, si dhe me dorëheqjen, ai donte të jepte mesazhin se, më i rëndësishëm për të ishte stabiliteti dhe siguria e vendit.

Megjithë dorëheqjen e Zogut, situata politike dhe e rendit acarohet dhe vendi nis të destabilizohet. Në maj-qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924, në ditët e fundit të saj, e kishte emëruar Ahmet Zogun në detyrën e komandantit për shtypjen e grushtit të shtetit në veri. Në qershor 1924, për të mos i dhënë shkas gjakderdhjes, anarkisë totale dhe luftës civile, Zogu largohet nga Shqipëria. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë, e dënoi me “vdekje, në mungesë”.

Në dhjetor 1924, me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e Fuqive të Mëdha, Zogu riktheu legjitimitetin e Qeverisë dhe të pushtetit legjitim të dalë nga zgjedhjet parlamentare të tetor-dhjetorit të vitit 1923 dhe të rrëzuar me rebelim antikushtetues në qershor të vitit 1924. Më 5 janar 1925, Qeveria e Iljaz Vrionit dha dorëheqjen dhe më 6 janar 1925, Këshilli i Naltë e dekreton Ahmet Zogun  kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

Në shtatë vitet e fundit pas Luftës së Parë Botërore ishin ndërruar 14 qeveri dhe këto më së shumti në vitet 1920-1924. Këshilli i Naltë si institucion kryesor në fatin e qeverive, nën trysninë e politikës së kohës, merrte edhe vendime që nuk shkonin në dobi të stabilitetit të vendit. Për ta zgjidhur një herë e mirë këtë ngërç, por edhe për arsye të tjera, më 21 janar 1925 Kuvendi Kushtetues shpalli “Republikën Shqiptare”, ndërsa dhjetë ditë më vonë, (31 janar 1925) Ahmet Zogu u zgjodh Kryetar i Republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv.

Gjatë kësaj kohe Ahmet Zogu prioritet kryesor kishte rivendosjen e stabilitetit në vend, duke mundësuar nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake, çka forcoi ndjeshëm pozitat e Shqipërisë.

Shpallja Mbret i Shqiptarëve

Nevoja për të ndryshuar regjimin në  Shqipëri erdhi si vlerësim i përgjithshëm i situatave reale që kishte dhe po kalonte vendi, por edhe si domosdoshmëri, për të dalë mbi forcat e ndryshme politike dhe mbi krerët lokale, pasi rreziku i grindjeve, intrigave dhe prapaskenave individuale  shihej si një problem i madh kombëtar dhe në dëm të interesave të vendit.

Duke marrë parasysh sa më sipër, si dhe faktin tepër të rëndësishëm se, pikërisht në ato vite, situata e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë po shkonte drejt përkeqësimit, atëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku jetonin, nuk kishte zgjidhje tjetër shpëtimi, mbijetese e sigurie kombëtare, përveçse të kalohej në një përqendrim edhe më të madh energjish, përpjekjesh dhe forcash të të gjithë kombit, gjë që u mishërua në zgjidhjen politike të instalimit të Monarkisë. Një përvojë të tillë të përqendrimit të pushtetit politik në kohë rreziqesh të mëdha e kanë përjetuar shumë kombe, pavarësisht se në çfarë forme është bërë ky përqendrim. Kështu pat vepruar dikur Gjermania nën “Monarkun” Bismark. Kështu patën vepruar edhe fqinjët tanë më të afërt, Serbia, Greqia, etj. Shqipëria nuk kishte arsye pse të bënte përjashtim nga ky rregull, përndryshe ajo do të vijonte të bëhej objekt lakmish të egra.

Kalimi nga regjimi i Republikës në regjimin e Mbretërisë ishte, jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i ligjshëm. Ahmet Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në hapat e tij për ta ndryshuar formën e regjimit në Shqipëri, duke punuar në disa drejtime dhe për të qenë në harmoni me procesin politik, opinionin publik shqiptar, bindjen dhe mbështetjen e marrë nga faktori ndërkombëtar e në veçanti nga Fuqitë e Mëdha, dhe mbi të gjitha me nismat dhe respektimin e proçedurave kushtetuese e ligjore.

Mbas një propozimi të bërë nga disa deputetë, parlamenti vendosi që të merrte në shqyrtim regjimin shtetëror. Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni i statutit, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim më 30 Gusht 1928 dhe Asambleja Kushtetuese e proklamoi Shqipërinë “Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme”. Më 1 shtator 1928 Asambleja Kushtetuese e shpalli Presidentin Ahmet Zogu “Mbret të Shqiptarëve”.

Mbreti Zog I, menjëherë filloi nga puna për reformimin e plotë të kuadrit ligjor, të institucioneve dhe gjithë jetës së vendit. Në këtë kuadër u miratua Statuti Themeltar i vitit 1928. Rendi dhe siguria, sistemi i drejtësisë, të drejtat e njeriut, e drejta e pronës dhe e besimit fetar, administrata e aftë dhe serioze, forcimi i parasë, lëvizja e lirë e shqiptarëve, diplomacia, arsimi, përgatitja e inteligjencës në universitetet perëndimore, ndërtimet botore, zhvillimi i tregtisë, etj., ishin në themel dhe gjeten zbatim në filozofinë Zogiste gjatë kësaj periudhe.

Pushtimi fashist dhe largimi i Mbretit Zog

Italia fashiste kishte kohë që përgatitej për pushtimin e Shqipërisë qoftë në mënyrë “paqësore” nëpërmjet presioneve në  fushën  politike, ekonomike, ushtarake dhe financiare, qoftë edhe me forcën e armëve. Mbasi dështuan përpjekjet e vazhdueshme dhe ultimatumi i fundit për ta detyruar Mbretin Zog, parlamentin dhe qeverinë shqiptare që të nënshtroheshin, qeveria italiane vendosi të përdorë forcën e armëve për të pushtuar Shqipërinë.

I gjendur përpara provës më të vështirë të kohës, Zogu ideoi qëndresën. Në rastin më të mirë, parashikohej një qëndresë serioze duke shpresuar edhe te mbështetja e ndërkombëtarëve. Në mungesë të kësaj mbështetjeje, sigurisht që qëndresa shqiptare do të ishte simbolike. Për këtë, duke sensibilizuar çfarë  po  përgatiste Italia kundër Shqipërisë, u bëri thirrje fuqive të Antantës Ballkanike, Fuqive të Mëdha të Europës dhe SHBA që të ndërhynin në Romë, për të ndalur sulmin e Italisë, ose të jepej mbështetja e duhur për të përballuar rrezikun që po i kanosej Shqipërisë. Ndërkohë, ai kishte filluar të organizojë qëndresën ushtarake, duke ndërtuar një koncept të qartë të mbrojtjes strategjike: qëndresë sa të ishte e mundur në vijën bregdetare me qëllim rraskapitjen e forcave pushtuese dhe pastaj, përballimi i tyre me luftë guerilje, duke u mbështetur në terrenin malor të vendit, në patriotizmin shqiptar si dhe në mbështetjen e mundshme nga jashtë. Për këtë qëllim, forcat e gatshme do të vendoseshin për zhvillimin e qëndresës në afërsi të qyteteve-portet kryesore të vendit, ku ishin edhe drejtimet kryesore të mësymjes së forcave italiane, ndërsa forcat më të shumta do të përqendroheshin në thellësi të vendit. 

Mbretëria nxiti gjithashtu edhe qëndresën popullore, manifestimet, mitingjet, etj., me qëllim që të krijohej një sfond gjithëpërfshirës kombëtar qëndrese dhe për krijimin e një mjedisi sa më të harmonizuar të ndërgjegjësimit kombëtar kundër pushtimit italian. Por, fatkeqësisht, disa funksionarë të lartë të shtetit dhe shumë elementë të administratës e të ushtrisë, punuan në drejtim të kundërt, madje kishte të tillë të kompromentuar që kishin planifikuar për t’iu kundërvënë Ahmet Zogut deri edhe në asgjësimin fizik të tij.

Duke mos pranuar kushtet dhe ultimatumet e Musolinit, duke mos patur mbështetjen ndërkombëtare dhe as forcën e brëndshme për përballimin e agresionit fashist, Parlamenti shqiptar dhe Mbreti Zog vendosen për ta pritur Italinë fashiste me armë në dorë, ndryshe nga Austria që i ishte nënshtruar Gjermanisë në vitin 1933 pa asnjë kundërshtim apo Çekosllovakia që nuk kishte shkrepur asnjë pushkë më 15 mars 1939 kur u pushtua po nga Gjermania. Duhet theksuar se këto dy shtete ishin shumë më të mëdha se sa vendi ynë dhe të armatosura me armët më moderne të kohës.

Historia flet për një të vërtetë të padiskutueshme: fakti që Italia, përderisa planifikoi dhe futi në operacion ushtarak për pushtimin e Shqipërisë forca, mjete, shpenzime, logjistikë dhe kohë, flet se pushtuesi, të paktën e llogariti qëndresën shqiptare. Këtë qëndresë shqiptarët e bënë dhe Mbreti Zog u rreshtua bindshëm të krahë të Aleatëve Antifashistë dhe kundër Boshtit nazi-fashist.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste, më 7 Prill 1939 shënon edhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në fund të fundit, pushtimi italian i Shqipërisë nuk ishte thjesht një ndërmarrje midis Italisë dhe Shqipërisë, por pjesë e një strategjie më të gjerë që lidhet me nismën strategjike që mori fashizmi dhe nazizmi për të krijuar raporte të tjera gjeopolitike në Evropë e më gjerë, duke përdorur si instrument forcën ushtarake, domethënë luftën.

Mbreti Zog nuk mund të bënte më shumë se ç’bëri. Ai deklaroi përpara Asamblesë Kombëtare se; “…nuk kam lënë mjet pa përdorur për sigurinë e Shqipërisë” dhe me vendim të Parlamentit, më 9 prill 1939 u largua nga vendi për të shmangur dorëzimin e tij pa kushte.

Familja Mbretërore në emigrim

Gjatë shpërnguljes së detyruar nga atdheu, më 10 prill 1939 Ahmet Zogu vendoset në Greqi ku ndjek rezistencën si dhe organizon funksionimin e qeverisë; më 3 maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët; më 30 qershor 1939 niset për në Europë; më 2 korrik 1939 mbërrin në Rumani, ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë; më 15 gusht 1939 mbërrin në Paris, ku akomodohet në Rezidencën e përkohshme Mbretërore dhe fillon kontaktet zyrtare me autoritetet më të larta të Francës; më 22 qershor 1941 mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar, ku qëndroi deri në përfundim të luftës; më 18 mars 1946 vendoset në Egjipt, pas një ftese dashamirëse qëndrimi dhe akomodimi të garantuar zyrtarisht nga Mbreti Faruk i Egjiptit; më 29 gusht 1955 mbërrin në Francë. 

Kohët e fundit të jetës së tij, Mbreti Zog vuajti nga një sëmundje e pashërueshme dhe më 9 prill 1961, ndërroi jetë në spitalin “Foch” të Parist. Më 10 prill 1961 u bënë homazhe dhe më 11 prill 1961, u zhvillua ceremonia e përcjelljes së trupit të tij me një kortezh madhështor. Madhëria e Tij Zog I – Mbret i Shqiptarëve, u varros në varrezat e “Thiais Parisien”.

Në njohje dhe vlerësim të personalitetit, kontributeve dhe trashëgimisë së tij historike e kombëtare, më 17 nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarsisë, shteti Shqiptar organizoi një ceremoni madhështore zyrtare për kthimin e eshtrave të Mbretit Zog në Atdhe, të cilat u vendosën në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Tiranë.

*ish-Deputet & Kryetar i PLL (E dergoi per Diellin autori)

Filed Under: Politike Tagged With: Ekrem Spahiu- Mbreti Zog- Themelusi - Shtetit Shqiptar

PJETER BOGDANI-30 VJET NGA SEMINARI I NJU JORK-UT

October 7, 2019 by dgreca

(Me rastin e 330-vjetorit të vdekjes)

Nga Frank Shkreli*/

330-vjet më parë, në fund të vitit 1689 ka ndërruar jetë, në Prishtinë, ipeshkvi imzot Pjetër Bogdani. 30-vjet më parë, me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së tij, me 7 tetor, 1989 është mbajtur në Nju Jork një seminar madhështor për të kujtuar Imzot Pjetër Bogdanin, figurën e shquar të letërsisë së vjetër shqipe, kultivuesin dhe ndriçuesin e ndërgjegjes dhe të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Përveç kontributit të tij fetar, Pjetër Bogdani ishte edhe atdhetar i madh, i cili ka dhënë kontribute të rëndësishme në përpjekjet e popullit shqiptar për çlirim nga zgjedha osmane. Ishin pikërisht këto kontribute të Pjetër Bogdanit të cilat u diskutuan në seminarin e organizuar 30-vjet më parë – në fillim të tetorit, 1989– nga Kisha katolike shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Në atë seminar ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës shqiptare të asaj periudhe. Dalloheshin Profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, Prof. Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj. Personalitetet e shquara hodhën dritë mbi jetën dhe në përgjithësi mbi veprimtarinë fetare dhe atdhetare të Pjetër Bogdanit. Në kumtesat e tyre ata kanë theksuar, ndër të tjera, edhe rolin që ai ka luajtur në formimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689, dhe pasqyrimin e historisë së shqiptarëve në kryeveprën e tij teologjike, “Cuneus Prophetarum”, “Çeta e Profetëve”, për të cilën kanë folur më hollësisht Dr. Martin Camaj dhe Dr. Ibrahim Rugova. Për fatin e mirë, të gjitha kumtesat nga pjesëmarrësit e dalluar si dhe historiku i organizimit të seminarit, janë botuar – si një testament i përhershëm historik – në librin me titull, “Imzot Pjetër Bogdani në New York”. Libri është botuar nga Z. Tonin Mirakaj, ish-kryetari i Këshillit të Kishës Katolike, “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Nju Jork, publicist dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan – njëkohësisht edhe drejtuesi i komisionit që organizoi seminarin për 300-vjetorin e vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, tetorin e vitit 1989.

….

Dr.Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjell Edaj në Kongresin e Shteteve te Bashkuara në Washington, Tetor 1989 

Pas seminarit në Nju Jork, Profesorët Ibrahim Rugova dhe Engjëll Sedaj, të shoqëruar nga anëtari i komisionit përgatitor z. Simon Simonlacaj. Atje i priti Frank Shkreli, ish Drejtori i “Zërit të Amerikës” për Evropën.

Folësit me atë rast theksuan se krahas aktivitetit shpirtëror dhe fetar, imzot Pjetër Bogdani, veproi edhe në zgjimin e identitetit kombëtar, duke u marrë aktivisht me organizimin e shqiptarëve në rezistencë kundër pushtuesve osmanë ndërsa vizitonte të gjitha kishat dhe krahinat nën mbikëqyrjen e tij si kryeipeshkëv, i atyre anëve.

“E pra, kur lufta anadollake kishte shpërthye me ma të madhin hov, kur turku kishte këthye Shkodrën në kasaphane priftënsh e fretënsh, kur vet banorët e këtyre anave mshefeshin nepër shpella e galushtra të maleve…kundra këshillit të shi atyne që sot më padisin, unë mora në dorë këtë kishë të Shkodërs. S’shiqova komoditet as pushim: pa mbulojë, pa shtrojë, pa pullaz mbi krye, në rrezik nga turku, nga shkjetë, nga çifutënt, vizitova Kelmendin, Kuçin, Hotin, Kastratin, Shkrelin, Plavën, Rrjollin e vende të tjera”. (Nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York”).

Në kuadër të veprimtarisë së tij atdhetare, Pjetër Bogdani, në vitin 1688-1689 udhëheq kryengritjen anti-osmane, me 6000 shqiptarë, në koalicion me ushtrinë austriake, theksuan studiuesit e jetës dhe të veprimtarisë së Pjetër Bogdanit. Fatkeqësisht, kryengritja e tij kundër osmanlinjve nuk pati sukses dhe pas një sëmundjeje të rëndë vdes në Prishtinë në vitin 1689. Me vdekjen e Bogdanit, vdiq ideja dhe organizimi i kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve turq, ka shënuar Gaspër Gjini në librin e tij, “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”.

Duke u hedhur një sy kumtesave të ekspertëve të lartpërmendur në seminarin e mbajtur në Universitetin Fordham në Nju Jork, në Tetor 1989 – në 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit dhe të botuara nga Tonin Mirakaj, në librin kushtuar këtij përvjetori – lexuesi mëson hollësi të shumta për jetën, veprat dhe vlerat patriotike dhe fetare të Bogdanit, nga disa personalitete prej më të dalluarve ekspertë të kulturës dhe gjuhës shqipe. Folësit kanë venë në dukje, ndër të tjera, dashurinë e madhe të Bogdanit për gjuhën shqipe, për Atdheun e tij dhe për gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar, në kohën që ai jetonte, si dhe qëndrimet e tij kundër pushtuesve osmanë. Për vetëdijen e tij kombëtare, sipas Dr. Ibrahim Rugovës, në veprat e tija, Pjetër Bogdani “Jep një kontinuitet historik të popullit tonë që nga kohërat e hershme e deri në kohën e tij.”

Organizimi i seminarit nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork në Tetor 1989, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, mund të konsiderohet si një ndër aktivitetet më të madhërishme dhe më të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë viteve. Ishte i tillë për nga pjesëmarrja e madhe e shqiptaro-amerikanëve dhe seminari dallohej edhe për nga personalitetet shqiptare që paraqitën kumtesat e tyre për jetën dhe veprimtarinë e Bogdanit. Për më tepër, rëndësia e këtij seminari 30-vjet më parë, sipas disa ekspertëve, nga këndvështrimi i sotëm, ishte pikërisht paraqitja e Dr Ibrahim Rugovës në këtë tubim, më 7 Tetor të vitit 1989 – që ishte njëkohësisht edhe vizita e tij e parë në Amerikë – që në të vërtetë, ndryshoi jo vetëm jetën e tij, por edhe fatin eventual të Kosovës, si dhe politikën dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara në përgjithësi, “Në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, siç kishte deklaruar ai që prej fillimit. Ndonëse 30-vjet më parë, seminari tërhoqi vëmendje dhe interesim të madh në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe në diasporën shqiptare në tërësi, në Shqipërinë komuniste dhe në Kosovën e pushtuar, mbretëronte një heshtje mbytëse mbi pjesëmarrësit, mbi punimet dhe kumtesat e ekspertëve më të njohur shqiptarë, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare – mbi jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, mbajtur në Nju Jork. Arsyen e interesimit të madh për këtë seminar nga komuniteti shqiptaro-amerikan, në atë kohë, e shpjegoi ndoshta më së miri gazeta “Zëri i Atdheut”, e botuar dikur në Nju Jork. Në kryeartikullin “Madhështia e një Seminari”, ndër të tjera ajo gazetë shkruante:

“Nji tjetër arsye, që e zgjoi kërshërinë e mërgimtarëve shqiptarë për këtë eveniment historik, kombëtar, fetar e kulturor, ishte ajo, që Kisha katholike shqiptare i ftoi me marrë pjesë në ketë seminar dy shkollarë shqiptarë nga Kosova, përndryshe studjues të rrastë të Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij gjeniale: Prof. dr. Ibrahim Rugova, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës – njëri ndër përfaqsuesit ma eminent të kulturës shqiptare, jo vetëm të Kosovës dhe kolegu i tij Prof. dr. Engjëll Sedaj – që të dy profesorë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Pjesëmarrja me aqë shumicë dhe rangu aq i naltë akademik i ligjëruesve të rastit, të lejshin me kuptue, pamvarsisht, se gjindeshim në njenën nga dy qendrat kryesore të kulturës shqiptare – në Tiranë ase në Prishtinë.”

Në Nju Jork, si sot e 30-vjet më parë, 7 tetor, 1989, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” organizoi pra seminarin në kujtim të 300-vjetorit të vdekjes Pjetër Bogdanit – në vitin 1689 në Prishtinën dardane. Atëherë dhe sot kujtojmë Pjetër Bogdanin dhe vdekjen e tij, kur,

“U vesh në zi Shqipëria, vajtoi Kisha, mbet pa Bari grigja e Kosovës shqiptare…U shkretuan Shkupi, Prishtina, Prizreni, Gjakova, Peja…Sot mbas tre shekujsh historia kërkon varrin e pa rrasë, pa emër, të pa kryq (të Pjetër Bogdanit) dhe se aty në Prishtinë të përgjakur si sot treqind vjet, vdiq dhe u nxuer prej dheut më i përmenduri Ipeshkëv arbënuer i kohës, më i denji pinjuell i Kosovës hasjane, më i squeti shkrimtar e lavrues i gjuhës neoilire, më i zellshmi Apostull dhe më i palodhshmi mbrojtës i Fesë dhe i Kombësisë”. (At Danjel Gjeçaj në kumtesën e tij në seminarin kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, Nju Jork, 7 Tetor, 1989). 

Ky ishte Pjetër Bogdani i Gurit të Hasit, sot e 330-vjet më parë!

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Fotografitë mbi punimet e seminarit janë marrë nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York” me botues, Tonin Mirakaj

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Pjeter bogdani-30 jet-Seminari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 398
  • 399
  • 400
  • 401
  • 402
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT