• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË SQARIM I NEVOJSHËM PËR DOSJEN E VATRËS

August 26, 2019 by dgreca

– Tërheqja e Dosjes së Vatrës nuk ka synim as të diskretitojë kënd dhe as të përçajë Vatrën apo të hedhë baltë mbi Vatrën e vatranët, as të shuaj kurreshtjen e bisedave nëpër kafene, por të nxjerrë në dritë të Diellit planet, shantazhet, intrigat, kurthet e Diktaturës komuniste përmes Sigurimit të Shtetit-

– Fatmirësisht planet operative, agjenturore të Sigurimit të Shtetit me Misionin Shhqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, që ishte kthyer në një çerdhe agjenturore e spiunazhi, kanë dështuar dhe Vatra & Dielli i mbijetuan çdo kurthi e plani ogurzi…-

-Disa nga ata te Misionit Shqiptar prane OKB-se, qe firmosen raporte e hartuan plane kunder Vatres “reaksionare”…., “vegel e zbulimeve amerikane”, kane marre status qytetarie amerikane…

Publikimi i informacionit në Gazetën Dielli online dhe rrjetet sociale se Vatra ka tërhequr Dosjen e Sigurimit të Shtetit nga AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTETE E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT, ngjalli diskutime, hamendje, qëndrime pro dhe kundër, pse Jo edhe shqetësim se mos tash do të nis një luftë e re në Vatër. Mendoj se nuk ka vend për shqetësim e keqinterpretime kafenesh. Edhe më parë është shkruar për luftën e ndërhyrjen e Sigurimit në punët e Vatrës, ka 30 vjet që shtypi i Tiranës shkruan e hamendëson. Dosja e tanishme është një përmbledhje e detajuar e asaj çfarë ka bërë realisht kundër Vatrës Sigurimi me strukturat e veta. Kjo Dosje është tërhequr sipas ligjeve në fuqi dhe do të respektohen deri në fund kërkesat ligjore. Publikimi i lajmit nuk ka synim as të diskretitojë kënd dhe as të përçajë Vatrën apo të hedhë baltë mbi Vatrën e vatranët. Fatmirësisht planet operative, agjenturore të Sigurimit të Shtetit me Misionin Shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, që ishte kthyer në një çerdhe agjenturore e spiunazhi, kanë dështura dhe Vatra & Dielli i mbijetuan çdo kurthi e plani ogurzi.Vetë qëndresa stoike e Vatrës dhe Gazetës së saj DIELLI, dëshmon fitoren mbi Sigurimin dhe dështimin e planeve të organizatorëve. Në Dosjen e Vatrës realisht ka pseudonime, ka kode shifrorë, por jo emra, kështu që çdo interpretim se Dosja do t’i kthehet në bumerang Vatrës, nuk ka baza dhe nuk ka për të ndodhur.

        Askush nuk ka pse friket se Vatra dhe Dielli tash do të bëjnë gjueti shtrigash dhe do të merren me çkodimin e pseudonimeve apo me shuarjen e kurreshtjes së njerëzve nëpër kafene. JO, Qëllimi është që vatranët të mësojnë se çfarë është bërë në shpinë të tyre, si planifikoheshin planet prej drejtorive përkatëse të Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Brendshme, si thurej rrjeta e merimangës në Mision, si shfrytëzoheshin pakënaqësitë e brendshme, si injektoheshin konfliktet mes vatranëve të vjetër dhe vatranëve të rinj,si ngriheshin kurthet, si krijoheshin përplasjet mes emigracionit politik dhe emigrantëve ekonomik, si nxiteshin konfliktet mes organizatave politike të Diapsorës me njëra tjetrën dhe mes tyre e Vatrës, si u krijuan dy fraksione me nxitjen e Sigurimit, pro dhe kundër Tiranës, si u interpretua dhe si u nxit pakënaqësia kundër Zonjës së Vatrës Nexhmije Zajmi pas vizitës në Tiranë etj. etj. Që nga vitet ’50 e deri në prill 1991 Vatra cilësohej si reaksionare dhe agjente e Zbulimit Amerikan, ndërsa Dielli si gazetë fashiste dhe fletushkë që diskretitonte regjimin e Tiranës.

Interesant është fakti se për Vatrën dhe Diellin hartoheshin plane operative dhe agjenturore të kohëpaskohëshme, që nga planet 6 mujore e deri tek ato vjetoret. Sigurimi ndiqte lëvizjet e udhëheqjes së Vatrës dhe Editorëve të Diellit,hartonte plane se si të mos zgjidhej kryetar apo editor x apo Y, si të ngjallshin pakënaqësi ndaj editorëve të Diellit, që kritikonin Tiranën, duke u kundërvënë atyre njerëz me influencë, apo duke publikuar në shtypin e Tiranës shkrime demaskuse apo duke shpërndarë ndër vatranë letra anonime. Të gjitha Kuvendet e Vatrës ishin në Lupën e Sigurimit të Shtetit, pas çdo kuvendi kërkohej lista e të zgjedhuërve që përcillej deri tek udhëheqësit e lartë të Shtetit komunist sipas hierarkisë përmes shënimeve rekomanduese, kërkoheshin Listat e kryetarëve të degëve të Vatrës si dhe emrat e vatranëve për çdo degë, me qëllim që të shantazhoheshin sipas një plani të detajuar e të miratuar. Çdo aktivitet i paralajmëruar i Vatrës, përfshi Kuvendet, festimet e 28 Nëntorit, Seminaret, e ngrinin në këmbë Sigurimin dhe hatroheshin plane kundërvënse. Edhe Seminari i 60 vjetorit të Diellit e shqetësoi shumë Sigurimin sepse po bashkohej Diaspora e Amerikës me Arbëreshët dhe emigracionin politik shqiptar të Italisë, se gjoja Vatikani po kërkonte të fuste nën komandë Diasporën Shqiptare, dhe Sigurimi u përpoq t’i kundërvërë Vatrës Organizatën Pro regjimit të Tiranës” Shqipëria e Lirë” ndërsa Diellit u përpoq  t’i kundërvejë gazetën”Liria”, revisten e ilustruar Shqiperia e Re dhe Radio-Tiranën.

Këto dhe të tjera do të jenë realisht objekti studimor i Dosjes së VATRËS për të zbërthyer platformën përçarëse dhe përndjekëse të Sigurimit të Shtetit komunist, përfaqësues të spikatur të të cilit kanë marrë edhe qytetarinë amerikane dhe jetojnë këtu, packa se dikur e raportonin Vatren si reaksionere dhe vegel e Zbulimeve amerikane!!(Editori)

Filed Under: Politike Tagged With: Sqarim-Dosja e Vatres-dalip Greca

Genocidi komunist ndaj klerit fetar në Shqipëri

August 25, 2019 by dgreca

Nga Reshat Kripa/ Të flasësh për genocidin komunist të ushtruar nëpër burgje dhe kampe, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetni ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do të mësoni për burgje dhe kampe të krijuara posaçërisht për shfarrosjen e njerëzve, për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.

            Pyetni të mbijetuarit e këtyre torturave dhe do të mësoni për rrahje me kamxhik deri në vdekje, për ngacmim të plagëve të hapura dhe hedhje kripe mbi to, për djegie me cigare të ndezura, për rrymë elektrike dhe veshje jeleku të forcës, për lënie me ditë të tëra pa bukë dhe ujë, për përdhunim të familjarëve në sytë e tyre, për varje me kokë poshtë, për vendosje vezësh të porsa zjera nën sqetull, për futje gjilpërash në thonjtë e gishtrinjve dhe dhjetra e dhjetra forma të tjera torturash. Kriminelët viheshin në garë se kush do t’ia kalonte shokut në egërsinë e tij, se kush do të shkaktonte më shumë viktima. Një garë e vërtetë kanibalësh që nuk ngopeshin me gjak bashkëqytetarësh.

            Një   genocid   të  jashtëzakonshëm  ka  zhvilluar  regjimi  komunist edhe  kundër  klerit fetar në Shqipëri dhe kjo në një kohë  kur  dihej  mirë  roli  pozitiv  i  këtij kleri  në  vendin  tonë dhe kur harmonia midis tyre ishte në shkallën më të lartë.

          Shumë më përpara se komunizmi të hidhte farë e rrënjë në Shqipëri, paralajmërimin më të parë e ka dhënë në mënyrën më alarmuese dijetari i ndjerë, patriot e antikomunist, Hafiz Ali Korça, që në vitin 1925 me librin e botuar aso kohe “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Ndër të tjera  në këtë liber ai konstaton:

            Bolshevizma s’pajton kurrë

            Me dinin e Muhamedit

            Çelët do ta kenë luftën

             në ditën e Kijametit.

            Zhdukja e fesë ishte thelbësore për injektimin e dogmës komuniste dhe, rrjedhimisht, për krijimin e «njeriut të ri». Megjithatë, komunistët e dinin se në pjesën dërrmuese të popullsisë, feja zinte një vend mjaft të rëndësishëm duke penguar kështu zhvillimin e tyre të mëtejshëm në fushën e botëkuptimit materialist të partisë mbi fenomenet e natyrës dhe të shoqërisë. Feja paraqitej kudo si frenuese e ritmeve të qytetërimit dhe emancipimit shoqëror, ndaj dhe, sipas udhëheqësve komunistë, rruga e vetme për përparim shoqëror ishte çlirimi nga dogma e saj. Në shërbim të kësaj ideje u botuan me dhjetëra libra propagandistikë, ku feja përshkruhej si “një barrë shumë e rëndë për njerëzimin dhe një armë e përshtatshme në duart e klasave sunduese shfrytëzuese për të mbajtur punonjësit besimtarë në errësirë, të bindur, të urdhëruar”.

            Pohime të këtilla s’janë, veçse vulgarizime të ftesës marksiste për të qëmtuar lidhjet midis fesë dhe modeleve të sundimit dhe të shfrytëzimit. Marksi hodhi poshtë traditat hebraike të familjes së tij dhe argumentoi që dëshira e madhe për një jetë të lumtur në botën e përtejme mund të konsiderohej pjesë e një ideologjie, që pengonte punëtorët të përpiqeshin në këtë botë për një rend shoqëror të drejtë dhe jo shfrytëzues. Prandaj dhe feja, sipas tij, ishte “opium për popullin”, me të tjera fjalë, një grup dogmash, që fshihnin realitetet e luftës së klasave dhe të shfrytëzimit. 

            Në Shqipërinë komuniste, si në të gjitha shtetet totalitare, kontrolli mbi prodhimin e dijes ishte pjesë jetësore e kontrollit të shoqërisë në përgjithësi. Ndaj, paralelisht me propagandën, shteti komunist u përkujdes që të zhdukte çdo trajtë arti dhe të menduari, që mund të përbënte pengesë në rrugën e nisur për shpëlarjen e trurit dhe krijimin e një literature, që do të shenjohej nga një paaftësi karakteristike për të kapërcyer banalitetin. Ky projekt u mbështet në nisma konkrete. Kështu, pa kaluar as dy javë nga futja e partizanëve në Shkodër, në fillim të dhjetorit 1944, u ndalua botimi i të përkohshmeve “Hylli i Dritës”, “Zani i Shën Ndout”, “Zgjimi i djelmënisë” dhe “Bijat e Zojës”. Në këtë frymë, tre vjet më vonë, më 2 mars 1948, Gjykata e Rrethit të Tiranës, ndaloi qarkullimin e mbi 155 titujve, të cilët, sipas gjykatës, “kanë përmbajtje ideologjike të dëmshme për popullin t’onë dhe kundra frymës së re demokratike dhe për konseguencë qarkullimi i tyre nuk i sjell asnjë dobi popullit t’onë, por përkundrazi e dizorienton dhe e nxit në urrejtje dhe përçarje.” Dy vjet më vonë, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxorri vendimin nr. 1150, datë 27. 02. 1950 për bllokimin e të gjithë librave të botuar apo të hyrë në Shqipëri përpara 29 nëntorit të vitit 1944.

            Filloi  një përndjekje e pashembullt  e anëtarëve më  të  ngritur të  klerit. Në  inventarin  e përndjekjes së tyre nuk mungon paepshmëria, madje, shpesh, ajo i përshtatet përmasave dhe ashpërsisë së përndjekjes. Duhet mbajtur  parasysh  se  gjithçka  zhvillohej  në  atmosferën  e  një

rrënimi të plotë material, të frikës dhe të dëshpërimit. Pas ndërhyrjeve të dhunshme  të  shtetit  në

organizimin e jetës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, sekuestrimit të pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimi i literaturës, kufizimi i rreptë dhe kontrolli mbi Medresenë, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër “demaskuese” nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, teatrit dhe estradave, pjesëve të leximeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj fesë. Presion akoma më të madh përjetuan pedagogët e medresesë, duke nisur që në vitin 1945 me arrestimin e Hafiz Ali Korçës, drejtorit Hafiz Ismet Dibrës më 1946, Enver Beqirit më 1946, Vexhi Buharasë më 1947, Jonuz Buliqit më 1947, Shaban Demirit më 1946, etj. Klerikët myslimanë, përfshi dhe bektashinjtë, gjatë regjimit komunist përjetuan ngjarje tronditëse. Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit u vuri spiunë, u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.

            Kleri mysliman u përndoq me forma dhe mjete nga më të ndryshmet nga ateistët e rinj që erdhën nga malet dhe kontrolluan gjithçka që përbënte jetën e shenjtë dhe ritualet e besimtarëve. Në fillim komunistët u përpoqën t’i joshin klerikët myslimanë, që t’i bënin për vete në aventurën e tyre të përgjakur kundër një pjese të shqiptarëve, por kur nuk ia dolën mbanë, atëherë nisën kalvarin e persekutimit. Si gjithnjë, në stilin e tyre komunistët e përqendronin goditjen në kokat e elitës fetare myslimane. Sipas statistikave vetëm gjatë dhjetë vjetëve të parë të diktaturës janë pushkatuar e dënuar 60 hafizë e hoxhallarë, 83 dervishë dhe/baballarë. Këta dhjetra të pushkatuar dhe qindra të internuar nga ky besim i bashkangjiten martirëve të parë të lirisë dhe besimit në pikun më të ashpër të diktaturës komuniste. Disa prej figurave më përfaqësuese publike të myslimanëve shqiptarë, u ekzekutuan me vdekje nga gjyqet komuniste midis një histerie popullore në sallën e gjyqit dhe jashtë, duke i përcjellë akuzat dhe shpifjet banale me megafon e radiotrasmetim, për të mbjellë llahtar në gjithë Komunitetin Mysliman. Të tilla ishin gjyqet e vitit 1947 kur u dënua me pushkatim me akuzën stampë “armik i popullit” sheh Qerimi i Delvinës, shehu i Devollit, deputeti sheh Ibrahim Karbunara bashkë me të birin Hasanin.  Klerikët myslimanë jo më pak se klerikët e besimeve të krishtera u bënë kurbanë të besimit të tyre, besnikë deri në fund të jetës së tyre ndaj besimtarëve që përfaqësonin. Ata nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, i qëndruan besnikë fesë së tyre, atdheut dhe kombit, për të cilin shpirti i tyre mbeti i hapur dhe i lirë.

            Persekutimi i fesë është zhvilluar në disa faza. Faza e parë e persekutimit del qartë në vitet 1945-1966, me burgime dhe pushkatime, pas torturave të tmerrshme në organet e sigurimit të shtetit. Në këtë sfond vendoset një episod i pazakontë për jetët e komuniteteve fetare. I gjendur nën trysninë e dy prej baballarëve më me ndikim të komunitetit bektashian, Baba Faja Martaneshit dhe Baba Fejzo Dervishit, të cilët kërkonin “demokratizimin” e tarikatit bektashian, “demokratizim” që do t’i shpinte dervishët të mbanin veshje civile dhe të martoheshin, në mars të vitit 1947, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Dede Abaz Hilmiu, nuk gjeti zgjidhje tjetër, veçse t’i vriste që të dy. Pas këtij akti, ai ktheu pistoletën dhe vrau dhe veten. Një xhest i një fisnikërie të rallë.                                                                                                                         Faza e dytë 1966-1990 është më e gjata dhe më e errëta për fenë në Shqipëri. Si rezultat i të ashtuquajturës “Letër e hapur” të Enver Hoxhës, dhe “revolucionin kulturor”, filloi një genocid i vërtetë mbi institucionet fetare. Në vitin 1967, gjoja me iniciativën e rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri” Durrës, filloi një “epokë e re” e ndryshimeve rrënjësore dhe lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fetare mori një tjetër dimension. Iniciativën kuptimboshe të organizatës së rinisë komuniste të shkollës “Naim Frashëri”, e pasuan dhe nxënësit e shkollës “29 Nëntori” dhe më pas në aksion u hodh gjithë klasa punonjëse e rrethit të Durrësit. Në letrën drejtuar institucioneve partiake dhe qeverisjes së asaj kohe, organizata e rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri”, kërkonte që: ‘’tashmë kishte ardhur koha kur  priftërinjtë  dhe  hoxhallarët duhet ta fitojnë vetë bukën e gojës.” Kështu që filloi një genociid i vërtetë kundër institucioneve fetare. Turma njerëzish të indoktrinuar vërsuleshin mbi Kishat, Xhamitë dhe teqetë duke i shkatërruar ato duke sjellë shkatërrimin total të tyre. Në Shqipëri nuk shihje më priftërinj, hoxhallarë apo dervishë të veshur me uniformat e tyre karakteristike. Në të kundërt të priste burgu. Nuk guxohej gjithashtu të bëje biseda apo diskutime fetare. U zbatuan shpronësimet totale për pronat e komuniteve fetare.

            Por skandali më i madhë ka qenë fshehja e armëve në kishën Françeeskane në Shkodër. Ja si dëshmon At Leon Kabashi lidhur me këtë ngjarje:

            .“Ka qenë një vepër e shëmtuar, që na ka kushtuar shumë, Më duket, urdhri kishte ardhur nga Tirana. Punonjësit e Sigurimit të Shkodrës u futën nga oborri i gjimnazit të françeskanëve, u lidhën me një student (Xhakua) dhe me ndihmëskuzhinierin, të cilëve me sa duket i kishin thënë që më parë se kleri ka mbaruar, ndërsa ju do të shpërbleheni. At Aleks Baçli, që kishte parë lëvizjet e dyshimta, ndenji gjithë natën nën mbikëqyrje (në sakristi) dhe mundi të shohë hyrjet e daljet e asaj nate në kishë, por ngaqë ishte mjaft larg dhe errësirë, nuk mundi të dallojë saktësisht se çfarë po bëhej aty”.

            Në një urdhër sekret të diktatorit Enver Hoxha në vitin 1967, jepen shifra dhe detaje për shkatërrimin e objekteve të kultit në Shqipëri dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame e të tjera. Në këtë urdhër të diktatorit, dërguar si dokument sekret në Komitetin Qendror në gusht të vitit 1967, jepet një raport i hollësishëm me rezultatet e luftës kundër fesë. Ja çfarë thuhet në disa rreshta prej tyre:

            “Feja është opiumi i popujve. Këtë… duhet të bëjmë çmos  që  ta  kuptojë  çdo  njeri.  Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur. Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes.

            Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare..Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta…Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente…

            Në këto forma duhet të vazhdojmë ne, përderisa t’i  rrafshojmë  nga  faqja  e  dheut  tonë.

Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë. Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë…”

            Por qëndresa e klerikëve shqiptarë ndaj genocidit komunist ka qenë tepër dinjitoze.  Ja  si

janë shprehur disa prej tyre në momente të veçanta të jetës:

Patër Mëshkalla

            Në Letrën drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu më 1 maj 1967 është shprehur:

            “Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem  frymë.

Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm at efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

             tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vjetin 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët:: “Këte Kishë do ta bajmë kinema” Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqsore!”.

            Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore  në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.Nuk më ka shty me ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.”

Patër Anton Harapi

            Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do t’u shprehte kështu:

            “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se  unë  e  mora  ketë  barrë  për

kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.

Hafëz Ali Kraja

             Ja si e kishte bërë ai bilancin e jetës së tij të trazuar në “Shënimet”, me një “credo” të ngjeshur e të shkurtër:

            “I jap llogari, më parë, të lumit Zot, gjyqi i Tij asht ma i randsishmi!” dhe: “Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij misioni”.

Hafiz Sabri Koçi

            Plot përkushtim, me përgatitje të lartë fetare, me argumente bindëse, duke rrokur probleme që shqetësonin besimtarët, me fjalën e thjeshtë, por të zjarrtë shtonte radhët e besimtarëve, gjithnjë e më shumë të rinj vinin në xhami e ndiqnin ritet fetare, gjë që binte në kundërshtim të hapur me ideologjinë komuniste, me propagandën e Partisë. Dhe kundërshtimgoditjet nuk vonuan. Lidhur me këtë Hafiz Sabriu kujton:

             “Sekretari i Parë i PPSH për rrethin e Shkodrës në atë kohë, me paturpësi vjen e futet në

xhami brenda dhe ma nxjerr rininë përjashta, ndërsa Kryetari i degës më bën presione nga më të ndryshmet duke më thënë: “Ti je me reaksionari i të gjlthë klerikëve, pasi po na e helmon rininë, po ju jep opium, më thotë se duhet të zhvishesha nga petku fetar. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranoja diçka të tillë dhe të tërhiqesha nga ajo rruge që kisha nisur qysh në fëmijëri.”

Baba Ali Tomori

            Jas i iu drejtua ai ushtarit të togës së pushkëtimit që i ra të fikët pasi nuk donte të qëllonte mbi të, më 14 janar 1948:

            “Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.

            Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.

            – Do të të heq taçin Baba

            Eshtë dervish Resuli.

            – Hiqe bir!

            Dervishi u ul, I puthi këmbët.

            – Falmë Baba!

            – Të kam falur bir!

            – U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!

            – Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e

ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!“         

Baba Shefqet Koshtani

            Si iu përgjigj prokurorit në seancën gjyqësore

            “Nuk ia vlen të kërkosh arsye, e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.”

Peshkop Irene Banushi

            Si e kundërshtoi shkatërrimin e enteve fetare:

            “Feja s’ka pse të prishet, sepse ay është edhe funksioni kryesor i saj, të harmonizojë jetën e njeriut si na e ka lënë Ati ynë.”

Imzot Joan Pelushi

            “Kontakti im i parë me besimin  ishte  në  vitet 1974-1975. U  bëra  pjesë  e  një  grupi  të vogël, të një kishe të nëndheshme dhe u pagëzova fshehurazi në 24 Qershor të vitit 1979, dita e festës se Shën Joan Pagëzorit (nga ku vjen edhe zgjedhja e emrit Joan), pagëzim i bërë në Bestrovë të Vlorës, nga prifti i devotshëm dhe i patrembur At Kozma Qirio, i cili pas hapjes së kishave u ngrit në gradën peshkopale dhe njihet si Imzot Kozmai. Në Vlorë kam marrë edhe kungimin e parë”, 

            Klerikët myslimanë e të krishterë, u bënë fli të besimit të tyre, besnikë deri në fund ndaj Zotit dhe besimtarëve. Ata ishin gjithashtu të brumosur me dashurinë ndaj besimit e atdheut dhe nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, duke i qëndruar besnikë fesë dhe kombit, për të cilët shpirti i tyre mbeti gjitmonë i lirë.

            Kush ishin martirët që e pësuan nga genocidi komunist?                                          

Kleri Mysliman

            Të pushkatuar:  Hoxhë Selim Brahja (1946), Imam Seit Idriz Shehu (1946), Myfti Shyqyri Hoxha (1946), Myezin Qazim Roji (1946), Imam Halil Hoxha (1946),

            Vdekur në  burg:  Imam   Liman  Shabani  1945),  Imam  Ahmet  Troci  (1945),  Imam Ahmet   Hysejni  (1045),  Hafiz  Mustafa  Varoshi  (1948),  Hoxhë  Jakup  Dusha ( 1953),  Hafiz Xhemal Naipi (1955).     

            Burgosur:  Hafiz Ali Korça, Hafiz Sherif Langu, Hafiz Ali Kraja,  Hafiz Esat  Myftia,  Hafiz  Ibrahim  Dalliu,  Hafiz  Ismet  Dibra , Hafiz  Musa  Dërguti,    Hafiz  Sabri  Koçi,  Haxhi  Faik  Hoxha, Haxhi Faik Sheh  Qazim  Hoxha,                                                                                   

 Kleri Bektashian                                                                                                                                                                                                                                                                                Pushkatuar: Baba Qamil Gllava (1945), Baba Xhelo Gllava (1946),  Hajro Progonati (1947), Baba Ali Tomori (1948), Baba Shefqet Koshtani (1948), Baba Bedri Carkanji (1948), Baba Habibi (1948).

            Vdekur në burg: Dervish Mehmet Verleni (1947), Dede Kamber Prishta (1950), Baba Muçua i Prishtës (1950), Baba Mustafa Canaj (1952

            Të vetëvrarë: Dede Hilmi Abazi (Elezi), Baba Hajro Progonati, Baba Mehmet Kreshova, Baba Bektash Sevasteri, Baba Myrteza Kruja, Baba Samiu i Kulmakut.

            Burgosur: Baba Bajram Mahmutaj, Baba Paja, Baba Ilmiu, Baba Halim Therepeli, Baba Mehmet Frashëri, Baba Sulua, Baba Islam Leskoviku, Baba Abdulla Kruja, Baba Hilmi Shëmbërdhenji, Baba Sami Kamthi, Baba Dule Manaj, Baba Tahir Kuçi, Baba Jonus Greshica, Baba Qazim Devolli, Baba Muharrem Agushi, Baba Ismail Jangulli, Dervish Hysni Rehova, Dervish Nebi Cenollari, Dervish Tashja, Dervish Bajram Çerçizi, Dervish Hysniu, Dervish Meta Vërleni, Dervish Teki Plashniku, Dervish Rustem Velçani, Dervish Ali Korça.

            Internuar: Dede Ahmet Myftari, Dede Reshat Bardhi, Baba Selim Kaliçani, Baba Shaban Dervishi, Baba Sherif Canometaj.

Kleri Halvetian                                                                                                                                                                                                                                                                                                            Pushkatuar: Sheh Ibrahim Karabunara (1947 bashkë me të birin), Sheh Qerimi i Delvinës (1947), Shehu i Devollit (1947)

            Vdekur në burg: Sheh Myslim Luma (1958)

Kleri Katolik

            Pushkatuar:Atë  Lekë Luli (1944), Atë Leonard Targaj (1945), Dom Lazer Shantoja (1945), Dom Ndre Zadeja (1945), Dom  Mark  Gjani  (1945),  Atë   Papa  Pandi  (1945),  Atë  Anton Harapi  (1946),  Atë   Giovani  Fausti  (1946),  Atë  Daniel  Dajani  (1946),  Atë  Gjon Shllaku (1946), Dom Nikoll Gazuli (1946), Dom Alfons Tranci (1946), Dom Luigj Pici (1946), Dom Zef Maksen (1946), Atë   Bernardin Llupi1946) , Seminaristi Mark Çuni (1946, Dom Luigj Prendushi (1947), Dom Dedë Maçaj (1947), Imzot Frano Gjini (1948), Imzot Gjergj Volaj (1948), Imzot Nikoll Deda (1948), Atë Mati Prenushi (1948), Atë   Çiprian Nika (1948), Dom Anton Zogaj (1948), Dom Ejëll Kovaçi(1958), Dom Dedë Malaj (1959), Dom Zef Bici (1968), Dom Mark Dushi(1968), Dom Marin Shkurti (1969), Dom Shtjefë Kurti (1971), Dom Mikel Beltoja (1974).

            Vdekur në burg: Atë Bernardin Palaj  (1946), Dom   Mark  Bicaj (1946),  Atë  Serafin Koda (1947), Imzot Frano Gjuraj (1947), Dom Nikoll Shelqeti (1947), Dom Aleksandër Sirdani (1948), Dom Pjetër Çuni (1948),  Dom  Anton  Muzaj  (1948),  Dom  Ejëll  Deda  (1948), Dom

Nikoll  Laskaj  (1948),  Dom  Dedë  Plani  (1949),  Dom  Jakë   Bushati  (1949),  Imzot  Vinçenc Prenushi (1949), Dom Kolec  Prenushi  (1950),   Atë    Gaspër  Suma  (1950),  Imzot  Jul  Bonati (1951), Atë  Pal Dodaj (1951), Atë   Karlo Sereqi (1954), Atë   Klemen Miraj (1956),  Dom  Rok Frisku (1956), Dom Pjetër Noga  (1958),  Atë   Rok  Gurashi  (1965),  Dom  Anton  Doçi  (1973)

Imzot   Ernest  Çoba  (1980),  Dom  Mark  Hasi  (1981),  Dom  Lazer  Jubani  (1982),  Dom  Lec Sahatçija (1986), Dom Nikoll Gjini (1987), Dom Pjetër gruda (1989).

            Burgosur:  Atë Pjetër Mëshkalla, At Zef Pllumbi, Imzot  Gjergj  Haberi , Dom  Zef  Shtufi,  Dom  Ndoc Nikaj, Dom Mark Shllaku, Imzot  Bernardin  Shllaku, Atë   Buon  Gjeçaj, Atë   Pal   Çurçia,  Atë Pashko Gjadri , Dom Nikoll Kimza, Dom Ndoc Suma ,   Dom  Tomë Laçaj, Atë   Marin  Sirdani Dom Vlash  Muçaj , Atë   Leonard  Shajaku ,  Dom  Mëhill  Çuni, Atë   Çiril  Cani ,  Dom  Lazer Dedi, Dom Prng Qefalija , Dom Nikoll  Shllaku ,  Dom  Ndre  Lufi ,  Atë   Floroan  Berisha,  Atë Mark Harapi, Atë   Marjan Prela , Atë   Gjon Karma , Dom  Pal Gjini ,  Atë   Alfons  Çuni,  Dom Ndue Çoku, Dom Lekë Dredhaj,  Atë   Mëhill  Miraj,   Dom  Injac  Gjoka , Atë   Gegë  Lumaj, Atë   Donat   Kurti , Atë   Mëhill  Troshani ,Atë   Sebastian   Deda ,  Atë   Filip Mazreku,  Atë   Frano Kiri, Atë  Ferdinand Pali,  Dom  Marian  Arta,  Atë   Agustin  Ashiku,  Dom   Kolec  Toni, Dom Ndoc Sahatçija. At Petraq Isak, Papa Josif Papamihali, Vëlla Gjon Pantalia.

Kleri Ortodoks

            Pushkatuar:  At Gjergj Leka  (1944),  At Gjergj Suli  (1948)

            Vdekur në burg:  At Josif Papamihali  (1948),  At  Llazar Api  (1972)

            Burgosur:  Kryepeshkop  Visarion  Xhuvani  (1946),  Peshkop   Irene   Banushi   (1946,

At Petraq Isaku (1946).

            Këta ishin martirët e fesë që ranë viktimë e genocidit të paparë në historinë e njerëzimit. Numri i tyre është më i madh por nuk kemi mundur t’i verifikojmë të gjithë. Nder dhe lavdi të përjetshme kujtimit të tyre të paharruar!

            Sistemi komunist, në fund të dhjetorit 1990, u përmbys. Një jetë e re rilindi dhe së bashku me të rilindën edhe sektet fetare, Filluan të rindërtohen  kishat, xhamitë, teqetë dhe entet e tjera fetare.  Popullsia shqiptare filloi përsëri të marrë pjesë aktive në ceremonitë e zhvilluara nga entet fetare. Besimi në fe ishte ushqimi i shpirtit të tyre.

            Një karakterisitkë e veçantë e besimit fetar në Shqipëri është se, si në rrallë shtete të tjera, ekziston një harmoni e përsosur ndërmjet sekteve të ndryshme fetare. Një gjë e tillë u tregua më së miri gjatë vizitës që bënë në Shqipëri shenjtëria e saj  Nënë Tereza më 1989, hirësia e tij Papa Gjon Pali i Dytë më 1993 dhe hirësia e tij Papa Françesku i Dytë më 2014, ku  i gjithë populli shqiptar pa dallim feje shfaqi dashurinë e tij për këta përfaqësues të shquar të fesë katolike.

            PS.  Për hartimin e këtij shkrimi janë shfrytëzuar materiale nga zotërinjtë Pjetër Pepa, Fritz Radovani, Agron Tufa, Ibrahim Vasjari  si dhe nga mediat online në internet.

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat Kripa-Genocidi komunist

Shqiptarë ne shqiptarë ata

August 22, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Si është e mundur që Kosova shkon në zgjedhje të reja, kurse shteti amë thellë e më thellë në kriza të tjera? Çfarë ka ndryshe mes mentalitet politik shqiptar në shtetin amë dhe në shtetin e dytë apo atë më të riun për shqiptarët? Çfarë ka brenda gatitjes intelektuale midis shtetarëve këtej dhe andej kufirit, një vije të cilën na i vazhdën të tjerët, por që ne po e ngjyejmë akoma më shumë me ca trarë a sportele të çuditshme? Shqiptarë ne shqiptarë ata? Shkurt dhe thjesht, pas dorëheqjes së kryeministrit Kuvendi i Kosovës sapo u shpërnda dhe vendi do shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Kjo për faktin se numri një i qeverisë u thirr nga gjykata e Hagës. Dorëheqja në këtë rast nuk ishte domosdo akt i detyrueshëm për vendin, por sfidë normale aq e domosdoshme për shëndetin e demokracisë. Për më tepër që Kosova nuk ishte në krizë ekonomike, kësisoj qeveria qe në rregull. Nuk ishte dhe është në krizë politike me skandale përgjimesh për vjedhje elektorale, përfshirje personash publik në afera fondesh a bashkëpunime me kartelin dhe trafikun e drogës. Nuk ishte në krizë për shkak të djegies publike të mandateve në një masë 99% nga opozita. Nuk ishte dhe nuk është në krizë institucionale qeveri, president, institucione  deri komisionerësh. E vetmja sfidë e saj qe ajo e vendosjes së një takse maksimale karshi Serbisë, e cila nuk u hoq pavarësisht trysnisë nga jashtë përfshi këtu edhe qeverinë shqiptare apo qeverinë e shtetit amë, por që nuk solli debat publik. Nuk ishte dhe nuk është as në krizë sociale. Eshtë në unison si shoqëri, nuk është e ndarë sa të ketë luksin të debatoj një tentativë për rrahje publike midis një pronari lokali dhe një pushuesi të huaj, duke harruar 100% një fatalitet publik nga ca skela me kate ku humbën jetën disa qytetarë bash në kryeqytetin e vendit etj. Në Shqipëri debatohet për nervat e Mihalit dhe pushuesin e huaj, për fadromat që prishin me zell propogande, kur duan dhe çfarë të duan, ashtu gjoja pa e kuptuar asnjëherë se njëshat po bëjnë spastrime nga armiqtë e klasës. Dhe çfarë nuk diskutohet në Shqipëri dhe për çfarë nuk luftohet deri tek aforizma a fluturon apo jo pata e pjekur? Në Shqipëri shteti është bërë kërrmë megjithatë zgjedhjet nuk çohen nëpër mend. Demokracia kryekërrmë, por dorëheqje a zgjedhje të reja nuk ka. Çfarë na dallon pra? Çfarë na ndanë? Kam përshtypjen ndonjëherë se edukata shtetarë vjen edhe nga koha. Dhe sipas gjasave koha jonë, koha e një shteti të rrudhur në diktaturë paska qënë më e qelbur se ajo e shqiptarëve nën diktatin e të huajve. Si me thënë se shqiptarët në Kosovën e uzurpuar nga Serbia kanë mësuar diçka nga bërja e shtetit. Kurse shqpitarët e uzurpuar nga komunistët, nga shqiptari për shqiptarin, kanë mësuar dhe janë bërë rob të një strategjie të vetme, se si të shqyejnë njëri-tjetrin.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Shqiptarë ne shqiptarë ata

NDËRRON JETË VETERANI I ARSIMIT DHE I UÇK-së BEHXHET JASHARI

August 21, 2019 by dgreca

–Kryeministi Haradinaj: Behxhet Jashari, shembull i një edukatori dhe patrioti shqiptar/

Behxhet (Sahit) Jashari 
(16.08.1945 – 20.08.2019)

Ndërroi jetë sot – më 20 gusht 2019  në Vushtrri, në moshën 74 vjeçare,  Behxhet Jashari, pedagog dhe drejtues në institucione arsimore mese 45 vjet, luftëtar i lirisë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Varrimi bëhet nesër – më 20 gusht 2019  në ora 13 në fshatin e lindjes – Strofc të Vushtrrisë, njofton familja.Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nesër në mesditë prej orës 11:30 në Sallën e Kuvendit të Komunës, mbahet mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari.

B

KUSH ISHTE MESUESI VETERANB

Behxhet Jashari ishte mësues-mësimdhënës e pedagog, drejtues në institucione arsimore dhe këshilltar në Entin Pedagogjik të Kosovës, pjesë e lëvizjes e luftës për liri dhe pavarësi dhe e një familje luftëtarësh për liri brez pas brezi, fëmia më i madh i babait Sahitit, që ishte partizan i Brigadave të Shqipërisë.

Në  vitet ’90-ta Behxheti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku luftoi përkrah me të birin e tij ushtar, Gëzimin, i cili u nda nga jeta më 2007. Trashëgoi pushkën e vëllaut dëshmor, Xajës, duke u rreshtuar në luftën kundër forcave okupatore serbe përkrah shumë luftëtarëve – familjarë, nipa e mbesa, kushërinj dhe  luftëtarëve nga gjithë Kosova e viset tjera shqiptare.

Në vitin e madh të lirisë 1999, luftëtari i lirisë, që ishte pedagogu i parë i Ortakollit, iu rikthye arsimit, ku për rreth 45 vjet dha kontribut profesional e akademik për shkollimin shqip në Kosovë.

Veprimtarinë akademike e profesionale, menjëherë pas përfundimit të luftës, e vazhdoi si drejtor i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, duke kryer punë shembullore dhe vënë themele në rimëkëmbjen e sektorit të arsimit në nivel komune.

Më vonë ai u kthye pranë nxënësve, si mësimdhënës e pedagog, punë të cilën e bënte me dashuri e përkushtim. 

Nga viti 2008 e deri në pension, Behxheti ishte drejtor i shkollës fillore “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri, ku pos punës profesionale udhëhoqi edhe procesin e zgjerimit të shkollës. 

Behxhet Jashari lindi fshatin Strofc në 16 gusht të vitit 1945. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, Normalen e kreu në Mitrovicë, ndërsa arsimin universitar në Prishtinë.

Në kohën e okupimit e masave të dhunshme, përkundër kërcënimeve dhe përndjekjes, Pedagogu, siç e thërrisnin familjarët, bashkëpunëtorët e të tjerë,  refuzoi të largonte gjuhën shqipe nga shkolla, nuk u nënshtrua për asnjë moment, e madje edhe largoi serbishten, e cila u provua t’i imponohej dhunshëm.

U përndjek, u rrah e torturua nga ish regjimi, por veprimtarinë e tij nuk e ndali kurrë. Të fortë e mbante ideali dhe vetëdija për rëndësinë e arsimimit të brezave të rinj në gjuhën shqipe, në frymën e atdhedashurisë.

Pas pensionimit, shumicën e kohës Behxheti e kaloi në fshatin e lindjes, Strofc, duke pritur shumë vizitorë, të rinj nga familja e më gjerë, e duke u dhënë këshilla e ngrohtësi dhe duke vazhduar të jetë gjithënjë mësues i shumë brezave…

***

Kryeministi Haradinaj: Behxhet Jashari, shembull i një edukatori dhe patrioti shqiptar

Kryeministi i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot shkruan në ‘Facebook’:

I prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të luftëtarit të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, Behxhet Jashari, nga Strofci i Vushtrrisë. Ai ishte shembull i një edukatori shqiptar dhe patrioti të përkushtuar, i cili iu përgjigj thirrjes për t’i dalë në mbrojtje Atdheut. Ngushëllime të sinqerta familjes Jashari dhe të gjithë bashkëluftëtarëve.

RH

Filed Under: Politike Tagged With: Veterani i Arsimit-Bexhet Jashari-Nderroi Jete

“Fytyra” e re e Shqipërisë Tjetër…

August 19, 2019 by dgreca

-Silvana Begaj, lektorja e universitetit suedez që kërkon një Atdhe për të gjithë/

-Silvana Begaj, lektorja e universitetit suedez që kërkon një Atdhe për të gjithë/

NGA ARBEN SHAQIR VATA/

Silvana Begaj ishte thuajse krejt e panjohur deri pak muaj më parë, kur disa shkrime të saj për projektin “Shqipëria Tjetër”, bënë xhiron e publikimeve në dhjetra portaleve shqiptare, brenda e jashtë kufijve. Apelet e një vajze në kulmin e debateve politike të krizës së zgjedhjeve në Shqipëri, nuk mund të kalonin pa u vënë re nga opinioni publik, aq më tepër kur artikujt fshikullues ndaj politikës 30 vjecare në Shqipëri, vinin nga një “mendje e ftohtë”, një asistent pedagoge në Universitetin e Gävle në Suedi. 
Po kush është Silvana Begaj, vajza që kërkon të qetësojë “kokat e nxehta” të Tiranës; si arriti një vajzë e thjeshtë shqiptare të ngjisë në pak kohë shkallët e karrierës profesionale në një vend të huaj, dhe cfarë është projekti “Shqipëria Tjetër”, një nismë që ajo planifikon ta zbatojë në politikën shqiptare?! 


Silvanën, në këto ditë të pragfillimit të vitit të ri akademik në Suedi, e gjen të rrethuar në zyrën e saj nga studentë të shumtë të huaj që kanë zgjedhur universitetin ku ajo është e punësuar për të kryer studimet e larta. Që prej vitit 2014, Silvana është asistent pedagoge ne degen e Menaxhimit , ndërsa koordinon edhe studentët ndërkombëtare që diplomohen në këtë universitet mjaft të njohur të Suedisë. Një aplikim on line për këtë vend pune ka mjaftuar për Silvanën dhe ajo ka kuptuar që ëndrrat mund të bëhen realitet. Ne Shqiperi ka pasur disa eksperienca të ndryshme të cilat i shërbyen si trampolinë për integrimin në Suedi.
Për shumëkënd karriera e saj mund të quhet e suksesshme, por për Silvanën kjo është dicka krejt normale në një vend ku zotëron konkurenca e drejtë dhe zbatimi I ligjit. Ajo thotë me modesti se është një vajzë krejt e zakonshme, që ka guxuar të ëndërrojë dhe përpiqet deri në fund për të arritur synimet e veta. Mësimdhënia apo kërkimi shkencor me të cilin merret shumë kohët e fundit, nuk është i vetmi angazhim per Begajn. Suedia është vendi i mundësive dhe Silvana thjeshtë e ka shfrytëzuar këtë fakt. Prej një viti ajo ka themeluar një kompani private që kryen restaurimin e godinave të vjetra dhe atyre historike në disa qytete të Suedisë. 
Por angazhimi më i madh për të, duket të jetë ai human. Silvana Begaj tregon se prej 5 vitesh është Peacemaker, pjesëtare e “Dialog për Paqen”, një NGO ndërkombëtare me qendër në Norvegji, e cila zhvillon dialog dhe ndërmjetëson me palët e përfshira në konflkte në zona të ndryshme të botës, si Indi, Pakistan, Bangladesh, etj. Projekti i radhës që do të finalizohet së shpejti, thotë Silvana, është krijimi i një NGO ndërkombëtare për integrimin e gruas në shkallë botërore. Si një kerkuese shkencore, ajo,bashkë me një grup specialistësh nga disa vende, do të bëjnë hulumtime për të gjetur se cfarë politikash duhen ndjekur për integrimin sa më të plotë të gruas, kryesisht në vendet me probleme në këtë drejtim, sigurisht edhe në Shqipëri. 
E cuditshme në fakt, por ajo pohon se i del koha edhe për …Politikë. Ajo është e angazhuar me Centerpariet, një parti qeverisëse në Suedi, dhe ka ambicje për të konkuruar në nivele lokale. Megjithëse e larguar nga Shqipëria, Silvana nuk i ka shkëputur lidhjet me vendin dhe ndjek rregullisht cfarë ndodh atje. SHQIPËRIA TJETËR, është lëvizja që ajo synon të shpalosë në momentin e duhur, një projekt për të ringjallur shpresat dhe ëndrrat e rinisë, ëndrra të vrara nga politika e afro 30 vjetëve në Shqipëri. Sipas saj, ky është një projekt që ka për qëllim të grumbullojë ekspertizën më të mirë shqiptare dhe të huaj në vendet europiane dhe në bashkëpunim me organizata dhe aktorë të rëndësishëm politikë dhe të shoqëerisë civile në këto vende, të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë. 
Portreti i Silvana Begajt, një vajzë që nga katedrat e Tiranës përfundoi në katedrat e Suedisë, nuk mund të jetë i kompletuar pa dy dashuritë e saj; letërsinë nga e cila mësoi si të krijojë si dhe familjen, nga e cila merr inspirimin!

Filed Under: Politike Tagged With: Arben Vata-Shqiperia Tjeter-Silvana Begaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 406
  • 407
  • 408
  • 409
  • 410
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT