• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komisioni i ri Evropian: 48 përqind janë femra

September 10, 2019 by dgreca

Ursula von der Leyen dëshiron thuajse aq komisionere të BE-së sa komisionerë: 13 femra dhe 14 meshkuj, përfshirë edhe veten. Komisioni ka këtë herë, për shkak të Brexit-it, një karrige më pak se Komisioni i mëparshëm./

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paraqitur përbërjen e planifikuar të ekipit të saj. Von der Leyen planifikon që Komisioni i ardhshëm i BE-së të ketë më shumë femra se kurrë më parë: përveç saj, në të do të përfaqësohen dymbëdhjetë femra dhe katërmbëdhjetë meshkuj. Objektivin që kishte, që Komisioni Evropian të përbëhet nga 50 përqind femra, ajo nuk e arriti për pak. 

Sidoqoftë, Komisioni i ri është një hap i qartë përpara përballë Komisionit që po largohet, i cili përbëhej nga nëntë femra dhe 19 meshkuj. Për shkak të largimit të planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE më 31 tetor, Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqësohet më në Komisionin e ri. Komisioni i ri do të fillojë punën e tij në 1 nëntor.R

Rezerva ndaj personave të caktuar

Komisioni Evropian mund të krahasohet me një qeveri: çdo anëtar është përgjegjës për një dikaster të caktuar. Çdo shteti anëtar të BE zakonisht i jepet një post në Komision. Prandaj, gjermania von der Leyen duhej t’i kushtonte vëmendje veç kompetencës profesionale dhe ruajtjes së barazisë gjinore të premtuar, edhe caktimit të një komisioneri për çdo vend.

Megjithatë, në Parlamentin Evropian, i cili e ka fjalën e fundit në zënien e posteve, ka ende rezerva në lidhje me kandidatë të caktuar, për shembull për kandidatët nga Hungaria, Polonia dhe Rumania. Ish-ministri hungarez i Drejtësisë, Laszlo Trocsanyi është kritikuar për përfshirjen e tij në reformën juridike të diskutueshme dhe ndërkohë të frenuar. Kundër polakut, Janusz Wojciechowski po zhvillon hetime Agjensia Evropiane kundër mashtrimit për shkak të shpenzimeve të pasakta të udhëtimeve. Rumunia Rovana Plumb akuzohet për korrupsion.

Frankreich Wahl zur EU-Kommissionspräsidentin | Ursula von der Leyen (Reuters/V. Kessler)

Të martën (10.09.), von der Leyeni do të njoftojë shpërndarjen e detyrave në personelin e saj, në konferencën e saj të parë të madhe të shtypit në Bruksel. Pas dëgjimeve individuale në Parlamentin Evropian, eurodeputetët do të votojnë për të gjithë paketën.

Ajo vetë ishte një surprizë

Gjermanen von der Leyen e paraqitën papritur si kandidate konsensusi për postin e Presidentes së Komisionit Evropian, pas një samiti të tensionuar të BE-së në korrik. Më parë, krerët e shteteve nuk patën arritur të bien dakord për asnjë nga kandidatët kryesorë për presidentë të Komisionit, të cilët bënë fushatë para zgjedhjeve.

Zëvendësit e Ursula von der Leyenit do të jenë holandezi Frans Timmermans, kandidat kryesor i socialdemokratëve dhe ish-Komisionerja e Konkurrencës në BE Margarethe Vestager nga Danimarka, kandidatja kryesore e liberalëve. Deri tani, dihet vetëm se i Ngarkuari me Politikën e Jashtme të BE do të jetë Borrelli nga Spanja.(Kortezi-DW)

Filed Under: Politike Tagged With: Ursula von der Leyen-Komisioni Evropian-

KLASA POLITIKE E SHQIPËRISË DJE, SOT DHE NESËR

September 10, 2019 by dgreca


Shkruan: Thanas L. Gjika/Në fakt klasë politike në Shqipëri pas L2B, kur sundoi diktatura komuniste, nuk ka pasur realisht. Gjithëçka vendosej prej drejtuesit të PKSH/PPSH-së. Trimëria e partizanëve që kishin dalë malit për të dhënë jetën për liri e demokraci, u fashit shejt. Ish-partizanët që u emëruan nëpër poste zyrtare u transformuan shumë shpejt në shërbëtorë besnikë të diktaturës e diktatorit. Askush nuk reagonte ndaj vendimeve të udhëheqësit edhe kur e shihte se ato ishin të padrejta, edhe kur arrestoheshin njerëz të pafajshëm, madje dhe shokë të tyre ish-partizanë. Mendimi politik u bë monopol i udhëheqësit të partisë. Ky rizgjidhej gjithnjë me 100% të votave. Plenumet e partisë dhe diskutimet e anëtarëve të Byrosë Politike ishin një farsë, dëshmi e servilizmit të skajshëm.
         Në vitet 1990-1992 u zhvillua një luftë paqësore për krijimin e pluralizmit dhe për ndërrimin e regjimit. Ish-të dënuarit e ndërgjegjes të dalë nga burgjet dhe kampet e internimit u entusiazmuan. Bashkë me ta edhe shumë njerëz të thjeshtë i pranuan si liderë udhëheqësit e Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Partisë Balli Kombëtar, Partisë së Legalitetit, etj. Fjalimet e këtyre politikanëve të rinj pëlqeheshin sepse shanin e kritikonin diktaturën komuniste që e kishte varfëruar, terorrizuar e manipuluar popullin. Pëlqeheshin sepse në shumë fjalime e artikuj shpaloseshin dënimet e padrejta të shumë shqiptarëve që ishin burgosur, internuar ose pushkatuar. Të përndjekur të talentuar si Lazër Radi, Eugjen Melika, Atë Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, Uran Butka, Pjetër Pepa e shumë të tjerë filluan të shkruanin dhe botonin kujtime nga jeta e tyre plot tortura e vuajtje duke treguar me vërtetësi dhe pa kërkuar revansh. Po delnin në dritë shumë fakte të panjohur mbi vrasje të padrejta pa gjyqe ose me gjyqe falco, mbi luftën që u ishin bërë intelektualëve, klerikëve e pasanikëve prej shërbëtorëve të droguar të diktaturës komuniste. Leximi i këtyre veprave e nxiti lindjen e urrejtjes te njerëzit e ndershëm, të cilët kaluan nga gjendja e njeriut të heshtur e të nënshtruar në simpatizantë të të përndjekurve.
         Mirëpo kjo lloj lufte mbeti vetëm me vënie në dukje të krimeve. Krimet dhe kriminelët nuk i dënoi, pronën nuk ua ktheu pronarëve të shpronësuar. Shumë ish-shërbëtorë të regjimit që kapitulloi me turp morën përsëri poste në pushtet, kurse të përndjekurit, sipas planit Katovica u lanë mënjanë, madje as shpërblimet e ditëve të burgut nuk iu dhanë sa e si duhej. Pas riardhjes në pushtet të Partisë Socialiste më 2013 e sidomos pas vitit 2018 Edi Rama, Kryeminstri i vendit, është kthyer në një prepotent që vetë firmos e vetë vulos, si një neokomunist. Shumë ish-komunistë, e tashmë neokomunistë, si deputeti Spartak Braho, janë hedhur në sulm kundër punës së ndershme të Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, e sidomos kundër intelektualit të shquar Agron Tufa, drejtor i këtij instituti. Po ashtu dhe ish-drejtori i burgut të Spacit, zoti Edmond Caja iu sul me shpifje poetit e shkrimtrit të talentuar Visar Zhiti.
         Në të njëjtën kohë respekti për Sali Berishën me shokë ka pësuar rënie, por ende shumë njerëz kanë mbetur simpatizanë të tij e të Partisë Demokratike. Simpatiantët e liderëve politikë të shqiptarëve ndahen kryesisht në dy, njëra palë simpatizon Edi Ramën, kurse tjetra Sali Berishën. Kjo dëshmon se për nga formimi politik, ne jemi ende një popull i paformuar si duhet. Faik Konica ka thënë shumë herët: “Shqiptarët shkojnë pas individëve dhe jo pas ideve”.
         Për fatin tonë të mirë, këto vitet e fundit, kanë dalë disa intelektualë që po i nxjerrin në dukje gabimet e rënda të klasës së sotme politike. Midis tyre shkëlqejnë Profesor Sami Repishti, avokati Spartak Ngjela, gazetari Frank Shkreli, etj.
         Te gazeta Dielli e 28 gushtit 2019 në artikullin e Profesor Sami Repishtit “Kur të prishim Shqiperinë ku do të vemi?” dhe në artikullin e Spartak Ngjelës “Kur një vend ka sjellë në pushtet injorantë, populli është i detyruar të dëgjojë sharje individësh dhe jo qeverisje të përgjegjshme” botuar te gazeta Tema e 8 shtatorit 2019, ngrihet problemi shqetësues i gjendjes së klasës politike të Shqipërisë të këtyre 28 vjetëve të fundit. Të dy autorët japin karakterizime të goditura për klasën politike që po sundon Shqipërinë me mungesë përgjegjësie. Të dy autorët e venë theksin te fakti se politikanët e pas vitit 1991 merren me sharje individësh, por nuk hapin debat për zhvillimin kombëtar, për ndërtimin e një strategjisë për mirëqeverisjen e Shqipërisë.
         “Loja me sharje dhe fyerje e me denoncime të kota, ka vetëm një qëllim: pushtet dhe para.” – thekson avokat Ngjela dhe vijon: “Por paraja tani do të hyjë nën hetim nga reforma antikorrupsion.”  Këtë hetim ai e quan “shpëtim i shqiptarëve”, sepse qeverisja e këtyre viteve sipas tij ka qenë “një pushtim sui generis i shoqërisë shqiptare nga një bandë kriminelësh.” Dhe, si shpesh herë, ai shprehet me optimizëm se “reforma antikorrupsion”, që ndërmorrën aleatët tanë perëndimore pasi panë se vetë shqiptarët nuk e kryenin dot, do të përfundojë me sukses.
         Profesor Repishti nga ana e tij i mëshon edhe nevojës për krijimin e një partie të vërtetë opozitare, e cila të largohet nga rruga e derisotme e politikës shqiptare dhe të merret me krijimin e strategjisë për mirëqeverisjen e vendit.
         Gazetari Frank Shkreli, i shqetësuar për acarimin e grindjeve dhe mosmarrëveshjeve partiake, u përpoq të nxitë mirëkuptim midis forcave politike duke komentuar në disa gazeta vargjet e poetit Martin Camaj, poetit të lartësive, i cili para vdekjes, më 1992 hodhi kushtrimin:
“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!
Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
Si bima prej fare në pranverë”.
         Kjo thirrje e formuluar në vitet e para të pluralizmit, ka qenë, është e do të mbetet imperative për shqiptarët e përçarë, të cilët për 50 vjet u ushqyen me ideologjinë komuniste të luftës së klasave, kurse sot vijojnë të ushqehen me grindje e sharje prej liderëve të partive të sotme. Politika e atëhershme e luftës së klasave dhe politika e sotme e grindjeve dhe sharjeve individuale midis liderëve partiakë, ka ngulitur te shqiptarët urrejtjen për njerëzit që mendojnë ndryshe, pra për bashkëqytetarët e tyre. Kjo situatë krijon një ngërç për të nesërmen e klasës sonë politike.
         Dua të theksoj se dhe unë besoj selufta kundër korrupsionit do të kryehet me sukses dhe populli do të shpëtojë nga banda kriminaleqë e ka sunduar këto 30 vjet. Por, si më shkruajnë në e-mail Profesor Repishti dhe gazetari Shkreli, ka rrezik që pas kësaj fitoreje ekziston mundësia e një dështimi të ri, sepse ne shqiptarët dhe aleatët tanë jemi të papërgatirur dhe nuk kemi kuadro, të cilët të kenë një formim të lartë qytetar e politik për të mos rënë viktima të korrupsionit. Mos ndodhë si me ish-partizanët që ranë vitktima të politikës diktatoriale të Enver Hoxhës dhe si me ish-demokratët e ish-socialistët e ish-republikanët, etj, të cilët pasi erdhën në pushtet u dhanë pas fitimit korruptiv duke harruar detyrën ndaj popullit që i pati zgjedhur. Ata, ashtu si ish-partizanët u kthyen në besnikë të udhëheqësve të partive të tyre, të ciat nuk ishin aspak parti të vërteta demokratike, eurosocialiste, republikane, etj.
         Për të arritur që të kemi një klasë të re politike nesër, e cila t’i qëndron larg korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit, duhet punuar seriozisht dhe sa më shpejt në bashkëpunim dhe me aleatët tanë perëndimorë për të kualifikuar kuadro me formim solid juridik, politik dhe shoqëror. Gjithashtu duhet krijuar e votuar një ligj, sipas të cilit të ndalohet vënia në lista për t’u zgjedhur deputetë e njerëzve që kanë marrë pjesë në qevritë e viteve 1944-2019. Sepse, si ka thënë Faik Konca në qershor 1924 “Nuk mund të krijohet një godinë e re me qereste të vjetër”.
         Krahas këtyre dukurive mendoj që të gjithë intelektualët: artistë, shkrimtarë, studiues, gazetarë, analistë, etj të punojnë për krijimin e mirëkuptimit midis shqiptarëve. Na duhet të hedhim tutje urrejtjen për njeriun që mendon ndryshe. Na duhet që secili të bëjë katarsën e vet për gabimet dhe krimet që ka bërë gjatë viteve të diktaturës dhe viteve të tranzicionit.
         Pa dënuar krimet dhe gabimet, pa ia kthyer pronën të zotit dhe pa kryer shpëlarjen midis nesh, pa kërkuar të falur për krimet e gabimet që kryen prej nesh ose prej prindërve tanë dhe pa ua falur këto gabime e krime atyre që kërkojnë falje, nuk mund të vijë pajtimi dhe uniteti kombëtar. E kemi thënë dhe po e rithemi se pa realizuar pajtimin dhe unitetin komëtar nuk ka si vjen përparimi shoqëror, politik dhe ekonomik, sepse pa këto vleranuk ka si të krijojmë nesër një klasë politike që të respektojë me rigorozitet ligjin dhe t’i rrijë larg korrupsionit…
 

Filed Under: Politike Tagged With: Thanas Gjika-Klasa politike e Shqiperise

SOT, FAMILJA KULLA PRET NGUSHËLLIME NË WATERBURY,CT

September 9, 2019 by dgreca

Familja KULLA në WATRBURY njofton komunitetin se shërbimet funerale për njeriun e tyre të dashur Sami KULLA, i cili ndërroi Jetë të Shtunën me 7 Shtator 2019, do të kryhen sot, ditën e Hënë 9 Shtator 2019 nga ora 5:30 deri në 8:30 p.m. në Shtëpinë Mortore- The Albini Family Funeral Home- që ndodhet në adresën:, 430 Chase Parkway, Waterbury, Connecticut- 06708.
Ceremonia e varrimit do të organizohet të Martën me 10 Shtator 2019 në Shtëpinë Funerale- The Albini Family Funeral Home, ndërsa arkivoli me trupin e të ndjerit do të përcillet në New Pine Grove Cemetery në Waterbury, pas ceremonisë në Funeral Home, që nis në orën 10.00 A.M.

***

Po sjell nje fragment nga shkrimi qe kam publikuar ne gazeten ILLYRIA,12 vite me pare, shkrim historik qe i kushtohet familjes KULLA. Shkrimi -dossier titullohej”“Kulla”, fisi që u ndëshkua pse priti Mbretin kur la Shqipërinë…

NGA DALIP GRECA

(Vijim)

****

Arratisja e vëllait të vogël, Nazmiut

            Fati i familjes Kulla qe i paracaktuar që me arrestimin e Ganiut dhe Ajdint, që përfunduan në plumba. Pas tyre qe radha e Xhevitit që kurrë nuk arriti ta kuptoi se çfarë faji kishte kryer; më pas do ta kishte radhën që të hynte në burg Beluli. I vogli i vëllezërve, Nazmiu, e përjetoi thellë dramën e më të mëdhenjëve. Zemra do t’i dridhej kur do të mësonte pushkatimin e Ganiut dhe Ajdinit. Viti 1945 do ta gjente aty në vendlindje në Zemblak, por jo në shtëpinë që i kishin lënë trashëgim të parët. Që andej i kishin nxjerrë sapo kishin ardhur në fuqi komunistët. Ata jetonin në haur kafshësh. Jetën mezi e shtynin. Gjithçka u qe konfiksuar, pasuria, shtëpia, bagëtia. Edhe pse ua patën sekuestruar pasurinë sërish u kërkonin të paguanin tatimet e larta të shtetit. U detyruan që të shisnin deri edhe kalin e vetëm që u patën lënë. Çdo ditë jeta bëhej më e vështirë. Sa lanin një plan mbërrinte tjetri. Kërkonin t’i gjunjëzonin. U duhej që të blinin misër në treg të Elbasanit me çmim të kripur dhe të lanin planin e tatimit që u vinte shteti.Por mbi të gjitha jeta ishte e pasigurtë, cdo njerin nga fisi Kulla po e arrestonin radhazi.

–           Në këto kushte Nazmiu thuri në mendje planin e arrastisjes, të cilin e realizoi me shumë kujdes. Me vete mori edhe dy nipërit, të cilët kërkonte që t’i hiqte nga thonjtë e diktaturës, e cila nuk kishte për t’u rezervuara tyre të ardhme tjetër veç atë të parardhësve që i pat rrasur burgjeve. Nipërit qenë djem të vegjël; Muhameri  dhe Samiu .Rruga e vështirë e mërgimit për ta nisi me arratisjen në Greqi. Forcat e matanë kufirit, i cuan në kampin grek. Muhameri dhe Samiu, që qenë fëmijë, e ruajnë ende në kujtesë kapërcimin e vështirë të kufirit dhe vështirësitë e jetës nëpër kampet greke. Për tre vjet Nazmiu me të dy nipërit do të përballej me jetën e vështirë të kampeve greke. Pas tre vjetësh ai do të merrte rrugën për në Gjermani. Aty do të qëndronin edhe dy vjet të tjera derisa, pas dy vjetësh do t’i merrnin amerikanët dhe do t’i nisnin drejt kontinentit të largët, ku do të kalonin gati 50 vjet  pa i parë dhe pa marrë lajme për pjesën tjetër të familjes e cila ndërkohë dergjej ca ndër burgje e ca ndër kampe internimi e ferma bujqësore në zona të izluara, nga ku të mos kishin mundësi që të arratiseshin. Beluli, më i madhi i djemve të Jonuzit, kaloi jetën nëpër kampe; në Peqin, në Bishqem, në rrethinate  Divjakës, për të përfunduar në kampine  Savrës, ku edhe do të vdiste. Në rrethinat e Lushnjës qe i internuar edhe Nesheti me Vedatin.  Lufta e klasave i kositi të gjithë, edhe kushërinjtë do të përfundonin kampeve të internimit. Mediu dhe Tefiku, bijtë e  Sabriut , u internua në Çermë, Savër, Gjazë të Lushnjës.

–           Ditët e para të përmbysjes së sistemit komunist fisin Kulla e gjeti të shpërndarë; ca në Amerikë, ca në Kanada , ca në Austri, ndërsa një pjesë ende dergjeshin kampeve të përqëndrimit apo në zonat e izoluara bujqësore.

Sami Kulla:U arratisëm jo për të fituar dollarë

–           Sami Kulla, në bisedën që bëmë të dielën pasdite me 4 prill më sqaron se është arratisur nga Shqipëria jo në moshën 12, por 15 vjeçare. Atëherë shteti e kishtë dërguar që të punonte vullnetar në hekurudhë.

–           – Ndodhesha në Fushë-Mbret, kujton ai. Nazmiu qe ushtar atëherë dhe e njihte mjaft mirë vijëne  kufirit. E dinte shumë mirë se kur dhe si duhet të kalohej kufirit, megjithse nuk qe gjë aq e lehtë. Na u desh që të kalonim 6 seri të minuara. Por gjithçka kaloi pa pasoja ngaqë së bashku me ta ishin edhe Bilal Kalaja me të shoqen Shega, Doko Kalaja, Alithemiu, që qe specialist i minave, përvojë që e kishte fituar në ushtri.Kalimi i kufirit u bë me 3 shtator 1950

–           Bashkimi me të afrmit e tjerë, Samiu kujton se u bë në kampin e Lavros, Greqi. Ai kujton se atëherë pati një ftesë nga vajza e Ganiut, babai i sëcilës qe pushkatura me 20 qershor 1945. Ajo pat ikur shpejt në Kanada dhe e ftoi edhe Samiun që të shkonte atje. Por përgjigja e Samiut qe e prerë:- Ne nuk kemi lënë Shqipërinë për të fituar dollarë, ne kemi dalë që të armatosemi, të stërvitemi dhe të kthehemi që të çlirojmë Shqipërinë nga Komunizmi.

  • Kur morëm rrugën për jashtë Shqipërisë ne kishim dëgjuar për krijimin e  Komitetit Shqipëria e Lirë dhe mendonim se duhej të përgatiteshim për t’u rikthyer për  ta çliruar vendin, por ashtu si rrodhën ngjarjet qe e pamundur.

            Dështimi i desantimeve, tradhëtia e anglezit Filbi, kapja e Hamit Majanit , loja e Sigurimit Shqiptar, bëri që të kërkonim rrugë të tjera nëpër botë… Dhe Samiu mori rrugën drejt Francës, ku qëndroi shumë vite, më pas do të shkonte në Kanada, e pasi do të rrinte ca vite edhe atje, do të merrte rrugën drejt Amerikës…… Kudo që shkoi, Samiu la gjurmët e derës dhe fisit nga vinte. Pronari francez edhe tani e kujton sjelljen e tij ët përsosur. Madje, para ca kohësh, kur një grup specialistësh të bujqësisë(agronomë) nga Shqipëria kishin shkuar në Francë, pikërisht në zonën ku ka pas jetuar dhe banuar Samiu, pronari francez, pasi i kishte pyetur se nga vinin, kishte lëvduar shumë shqiptarin Sami Kulla, që dikur kishte punuar për të. Shqiptarët e kishin ndjerë veten të përkëdhelur në sedër dhe njëri prej tyre i kishte telefonuar Samiut. Dhe ia kishte rrëfyer me krenari lëvdatëne  francezit…

Ndërsa kur ishte në Kanada, nuk numërohen rastet e bamirësisë së tij ndaj shqiptarëve. Kur gazetat e Torontos flisnin për një shqiptare që mbeti rrugëve pas aksidentimit të të shoqit, dhe pa mundësi jetese, Samiu iu gjend për shumë kohë, derisa i shoqi iu rimëkëmb. Nuk është ky i vetmi rast, ndërkohë që në Cunnectikat, ku është vendosur prej kohësh, nuk numërohen mirësitë e tij ndaj shqiptarëve të porsa ardhur.Derë e hapur këtu në Amerikë si dikur dera e madhe në Zemblak…

Syrgjynosja e së shoqes dhe të birit të Ajdin Kullës

Në kohën kur Ajdin Kulla përgatitej për jetën e përtejshme; në kohën kur ai shkruante testamentin e  tij të pavdeksisë, e shoqja Fidaria, qe nuse e re. Në testamentin e tij Ajdini lë vend edhe për shoqen e jetës, fatin e tij, që e pat dashur aq shumë. I ka shkruar përmes Testamentit nënës së tij, padyshim dhe vëllezërve. U është lutur përmes rreshtave të asaj letre-testament:”Pyeteni nusen nëse mbas pushkatimit tim ajo do të dëshirojë të qëndrojë e pamartuar apo jo….”

Shoqja e tij e jetës, Fidaria nuk u nda nga fati i saj i parë, edhe pse ai kishte ikur nga kjo botë aq shpejt. Bashkshortja besnike e lidhi jetën e vet, me djalin Jonuzin dhe me vajzën Luden.Mëma e gjorë  u lidh fort pas fëmijëve dhe i mbrojti ata nga të këqiat e asaj jete plot rreziqe;për 40 e ca vjet jetuan të internuar në kodrat e Dumresë, diku në rrethinat e thella të Belshit.

Pikërisht i biri i Ajdinit, Jonuz Kulla, që mban emrin e Jonuzit, luftëtarit që pat komanduar trimat e asaj ane, të cilët patën luftuar kundër turqëve, grekëve, bullgarëve, i pat treguar profesorit të shquar, historianit të Kosovës, Zekeria Cana, aktakuzën e tmerrshme”Ajdin Kulla dënohet për agjitacion dhe propagandë, koshient për Shqipërinë Etnike!” Kjo ka ndodhur atë ditë, ku gjithçka qe ndryshe: Qe shembur  komunizmi si sistem(I vetmi privilegj që u krijua për të përndjekurit që zhvarrimi dhe rivarrimi).

…. Ngjarjet zhvilloheshin po atje, ku qe hapur ajo gropa e madhe, ku me 20 qershor 1945 qenë pushkatuar si tradhëtar  ata trima që ranë mbi njeri-tjetrin me thirrjen :”Rroftë Shqipëria…Rroftë Flamuri! Ndërsa Ai, 32 vjeçari, Ajdin Kulla, që në çastin e largimit nga burgu drejt vendvrasjes, i pat ngritur peshë zemrat e të burgosurve antikomunistë, duke u lënë amanet Shqipërinë. Ishin të njëjtat fjalë që i dolën nga gjoksi edhe në kohëpushkatimin:Amanet Shqipërinë! Pikërisht atë ditë të ngrohtë vere të vitit 1992, mizëri njerëz qenë mbledhur pranë gropës, ku preheshin të pushkatuarit e pafajshëm pse deshën Shqipërinë. Aty pranë gropës pat ardhë atë ditë edhe Fidaria 80 vjeçare, e cila 47 vjet të shkuara, në një natë pa hënë, pat rrezikuar jetën e vet. Ajo pat ardhur aty tek gropa së bashku me gra të tjera si; të shoqen e Zyhdi Tapisë, të bijën e Sheh Qerimit dhe gra të tjera dhe pasi patën hapur gropën, secilit trup i kishin vënë përbri nga një shishe të taposur me nga një letër ku shkruhej emri i seicilit. Ditën që u gërmua gropa pas 47 vjetësh, njerëzit shtangën kur i panë dy skeletet përmbys, ku krahu i njërit ende qëndronte mbi shpatullën e  tjetrit, ishin ata; xhaxha dhe nip, Xha Ganiu, i quajturi beu i Zemblakut dhe i nipi, Ajdini.

Në atë ceremoni rivarrrimi, i biri i Ajdinit, nxjerr kopjen e Vendimit të Gjyqit, ku shkruhej e bardha mbi tëzezë:”Ajdin Kulla…Gjykata Ushtarake e dënon me vdekje… koshient i Shqipërisë Etnike”…

Po çfarë mendon sot i biri Ajdin Kullës-Jonuzi(i riu)?

Jonuzi e ka përjetuar gjatë humbjen e të atit, Ajdinit. Ai qe një ndër ata që së bashku me nënën dhe të motrën e provuan në shpinë peshën e vuajtjes. Ishin me baba të pushkatuar dhe kjo ishte e mjafët për t’u futur në radhën e të padëshiruarve të rrezikshëm. Por ai nuk do të flasë për vuajtjet e veta, të motrës dhe të nënës nëpër kampet e internimit.

– Ata na kishin vënë në shënjestër dhe ne ishim të destinuar që të vuanim, ndërsa një pjesë jona qe kontigjent për vdekje, më thotë ai dhe parashtron faktet: Pas pushkatimit të Xha Ganiut dhe tim eti, i erdhi radha që të arrestohej Beluli, Mediu, Tefiku, Hymeti.Po i vinin rrotull Nazmiut, vetëm ai pat mbetur dhe si duket ata kishin pritur që të rritej dhe pak. Kur ata po i afroheshin, Nazmiu mori nipërit dhe u arratis. Mos harro se një pjesë ashtu shpëtuan, duke u arratisur; kanë ikur 60 burra dhe gra prej Zemblakut.Nga shënjestra e diktaturës nuk shpëtuan as nipërit, thotë Jonuzi dhe rreshton emrat e Kullëve të tjerë:Hado, Enveri, Sefedini, Fikriu, Selmani, Qerimi….Kush s’mundi të largohej përfundoi në pranga; Faslli Kulla vdiq në tortura, qe vetëm 17 vjeç, se ç’farë i sajuan një aktakuzë koti; ka qenë korrier i diversantëve; Shaban Kulla kaloi 10 vjet në burg, sapo u lirua, vdiq….Jo vetëm nipërit, por edhe kushërinjtë u përcaktuan të padëshiruar. S’bënë përjashtim nga ky rregull as Feridi dhe Muhameri,(jo ky që u arartis) Ibrahimi, Avniu, Mustafaj…Një pjesë vdiqën internimeve si gruaja e Mediut, Kalemi dhe Hedija prindërit e Selmanit….

Pas hesh ca çaste Jonuzi shpërthen:- A e beson se ata, Ramiz Alia me të vetët e realizuan atë që deshën? Na përzunë të gjithëve nga Shqipëria, edhe ne që qemë nëpër kampe u detyruam të merrnim rrugët e mërgimit. Nuk na kanë kthyer asgjë nga pasuria jonë. Dhe kjo është bërë me qëllim të lig. A e ke vënë re se kosovarët janë më të lidhur me Kosovën? Ata janë të motivuar, kanë atje një tokë, kanë një shtëpi, kanë diçka, ndërsa ne asgjë nuk kemi tonën. edhe shtëpinë e madhe tonën, vetëm në letra e kemi…Pse ç’është Atdheu? Ja ajo shtëpia, ajo toka, që ende se kemi toonë…Atdheu nuk është në ajër…..

 

Vizita e Mbretit

Pushimi i Mbretit Zog i në shtëpinë e Kullëve në Zemblak është përfolur shpesh nga shtypi. Është e vërtetë se Mbreti ka qëndruar në atë shtëpi dhe është pritur me gjithë të mirat. Aty familja mbretërore ka qëndruar një natë. Pasi ata u plotësuan me dokumentacionin e nevojshëm nga pala greke, morën rrugën për matanë. Oficeri i Gardës Mbretërore Medi Kulla si dhe Gjeneral Aranitasi, shoqëruan oborrin Mbretëror deri në Follorinë.Por nuk është e vërtetë ajo që shkruan shtypi se gjoja ishte vetëm ajo vizitë që e bëri Zemblakun fshat me biografi të keqe. E vërteta është ajo që u shkrua në radhët e këtij shkrimi:Zemblaku qe një fshat nacionalist dhe bijtë e tij u çuan në plumb, ndërsa ata që mbetën gjallë provuan burgjet, internimet dhe survejimet. Është shkruar se Kullët nuk qenë me Mbretin, por qenë të inkuadruar me Ballin. Në të vërtetë Jonuz Kulla-Plaku, qe emëruar nga Mbreti Oficer rezerve. Ai, Jonuzi, qe krenar për këtë titull dhe e justifikoi atë deri në ditvdekjen e vet.

Në vend të mbylljes…

Familja e madhe Kulla, deri në kohën kur komunizmi nuk kishte ardhur në fuqi, jetonte e bashkuar në Sarajet e veta. Kjo familje me tradita fisnike , e njohur edhe për bujari në të gjithë zonën, numëronte në radhët e veta 43 pjestarë. Ajo qe krenare se futej ndër ato familje që i kishte dhënë Shqipërisë luftëtarë në çdo brez. Jo vetëm pse, Jonuz Kulla-Plaku, qe luftëtar i njohur dhe me çetën e tij pat firmosur në të gjitha luftrat: Në Kapshticë, me 1910, 1911, 1912, në Zvezdë, Pojan pat luftuar me bullgarët, ku la të vrarë luftëtarët e tij besnik Muharremin me gjithë të kushëririn,të atin e Mazarit e të atin e Hamdiut; të cilët qenë nipër të Jonuzit. Jonuzi me çetën e tij u përpoq të merrte hak për masakrat e grekëve, të cilët pasi mblodhën burrat e Plasës së Poshtme të Korcës, i futi të gjithë në xhami dhe i kositi me plumba;kurse fëmijët e vegjël i nxori në lëmë dhe i shtypi me kuaj…Jonuzi me çetën qe krahu i djathtë i francezëve për të mbrojtur Korçën. Në ato luftime Jonuzi do të merrte një plagë në këmbën e djathtë , që do ta linte me shenjë gjatë të gjithë jetës. Kur gjenerali francez u kërkoi korçarëve një njeri besnik që ta shoqëronte Korça zgjodhi Sabrinë, vëllanë e Jonuzit, pasi vetë Jonuzi tashmë e tërhiqte zvarrë këmbën e plagosur në luftë kundër austriakëve. Pas ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku mori pjesë edhe Jonuzi, ngjarjet u çvendosën në Korçë. Themistokli Gërmenji bashkë me Jonuzin, marshuan me luftëtarët e tyre nga Pogradeci në Pllocë, në Potgorije, Shëngjergj, Pojan, Pendavinj, hynë dhe në Korçë dhe valvitën flamurin kuq e zi me shkabën dykrenare. Ka qenë ruajtur një fotografi hyrja e tyre triumfuese, por pas ’45-sës, fotografia e Jonuzit u hoq. Atij i qe prishur biografia, edhe pse pat vdekur që më 1931.

Parimi i luftës së klasave do ta gjakoste familjen Kulla, duke u hequr të drejtën e jetës disa prej pjestarëve të saj, të tjerët i stërmundoi dhe i syrgjynosi kampeve të internimit dhe burgjeve.

Ja bilanci i masakrimit të kësaj familje:

Të pushkatuar

1-         Gani Kulla 1945

2-         Ajdin Kulla 1945

3-         Rapo Kulla 1945

4-         Fuat Kulla 1951(Varur në litar)

5-         Fazli Kulla 1951(Vdiq në burg gjatë torturave)

Të burgosur

1-Xhevit Kulla

2- Belul Kulla

3- Medi Kulla

4- Tefik Kulla

5-Hymet Kulla

6-Shaban Kulla

7-Ridvan Kulla

Pjestarët e tjerë të kësaj familje provuan jetën me apel nëpër kampet e internimit, punën e vështirë në zona të izoluara të Shqipërisë dhe mohimin e arsimimit të fëmijëve

Detaje nga një pjesë e vuajtjeve do të sjellë ditari i Xhevit Kullës, të cilin do ta botojmë në origjinal në numrin e ardhshëm…

Filed Under: Politike Tagged With: Sami Kulla- Sherbimet Funerale-dalip Greca

HISTORIA E FSHEHTË E KRIZËS SË QEVERISË…

September 7, 2019 by dgreca

  • PO TË MOS KETË QËNË NJË E PAPRITUR?/

Nga FRANCESCO VERDERAMI/ PERKTHEU:EUGJEN MERLIKA/

            Po nëse “kriza më e marrë e botës” të mos ketë qënë një e papritur? Të mos ketë gjetur asnjërin të papregatitur? Sepse duke ripërshkuar muajin që ka ndryshuar rrjedhën e politikës dhe ngjyrën e qeverisë, dallohen kaqë shumë tregues sa që është e vështirë të mos ngrihen në prova. Salvini prishet formalisht me grilinët më 8 gusht, kur tashmë kishin ndodhur shumë gjëra.Më 16 korrikverdh-jeshilët ishin ndarë në votimin mbi kryesinë e Komisionit evropian. Zgjedhja e popullores von der Leyen me ndihmën e PD dhe L5Yje nuk quhej atëherë si akti i lindjes së një shumice të re, por mbas më pak se një jave (më 22 korrik) demokrati Franceschini i lëshonte Corrieres një intervistë, në të cilën pohonte se “Pesëyjet janë të ndryshëm nga Lega”, e i bënte thirrje Kontes dhe Fikos duke thënë se “së bashku mund të mbrojmë disa vlera”.

            Zjarri pengues i Di Maios dhe Rencit linte të hamendësohej se kishte qënënjë e shtënë me fishek mësimor.  Por dy ditë më vonë në Senat kryeministri, veç fjalëve për Salvinin dhe Russiagate, lajmëronte se”në atë kuvend do të kthehej  nëse do të kishte një ndërprerje të parakohëshme të detyrës së tij”. “Konte kërkon vota për një shumicë të re, siç kërkohen kërpudhat në Trentino”, komentonte drejtuesi i Legës. Ai nuk mund  të mos dinte se çfarë po ndodhte e, mbi të gjitha, se si do të kundërvepronte Konte-ja kur më 8 gusht do t’i kërkontedorëheqjen për të shkuar në votime: të shtirej si i habitur para se t’u kërkonte parlamentarëve”të ngrinin b…” e të ktheheshin në Romë për të votuar propozimin e mosbesimit, ishte pjesë e lojës.

            Kështu “kriza më e marrë e botës”duket sot si një krizë e drejtuar, sepse në fakt “ka qënë një bejleg – siç tregon një përfaqësues i rëndësishëm i PD – ndërmjet dy basteve: nga njëra anë Salvini që vinte bast se nuk do të arrinim në kohë për të ndërtuar një shumicë të re; nga ana tjetër ne që për atë shumicë kishim filluar të punonim, duke vënë bast se Salvini do të hapte krizën brënda verës”. Me që bëhej fjalë për dy baste përfundimi nuk ishte i parashikueshëm. Dhe ecja nuk ishte në vijë të drejtë. Në PD Zingaretti ishte i tunduar nga zgjedhjet, mbasi mendimi i tij ishte se Salvini do t’i kishte fituar ato, por do të thyente kokën me Financiaren. Në parti u desh t’a bindnin se “nuk mund të rrezikonin të shihnin një Itali të orbanizuar”. Jashtë partisë Prodi e D’Alema, Veltroni dhe Amato e bombarduan me telefonata. “Mirë”, ishte përgjigjur më së fundi sekretari i PD: “Por me një kusht: më parë duhet të flasë publikisht Renzi”. Dhe Renzi më 11 gusht, tri ditë mbas hapjes së krizës, u shpreh në Corriere: “Do të ishte çmënduri të votohej menjëherë”.  

            Ja se çfarë e alarmon Salvinin, që pasi ka kërkuar votimet dhe “fuqitë e plota” për të qeverisur, ndruhet se do t’a humbasë bastin e fillon të miklojë përsëri Di Maion. Sepse balli tjetër, ai grilini, është i ndarë. PD nuk i mjafton vetëm Fiko, që don të mbarojë “makthi populist i së djathtës”, por është në pakicë përpara Di Maios dhe Casaleggio-s, kundërshtarë të një marrëveshjeje me demokratët që “do të shkaktonte revolucionin ndërmjet militantëve tanë”. Në këtë pikë hyn në fushë Grillo, roli i të cilit do të jetë përcaktues. Më 20 gusht Konte ngjitet në Quirinale për dorëheqjen, mbas takimit të grilinëve të dy ditëve më parë në banesën e themeluesit të Lëvizjes. E din që është i rish ngarkuari me zemër i L5Y, i fortë me fjalën e tij në Senat që në pak orë ka 12 milionë kontakte: një rekord pamjesh.

            Në këshillimet, është 23 gusht, Salvini provon kartën e dëshpërimit dhe propozon Di Maion si kryeministër i mundshëm i një qeverie të re verdh-jeshile. Por Grillo e ka hapur brazdën dhe Konte më 24 gusht e mbron: “Kurrë më me Legën”. Dhe posa Di Maio provon të ndërrojë rrugë  mendon Grillo t’a fshikullojë: “Mjaft më me pika programi që dyfishohen si pikët e Standës”. Ja si lind qeveria më e prirur nga e majta në çastin që Italia duket më e anuar djathtas. Nuk është e sigurtë që Konte-dy do të arrijë deri në fundin e natyrshëm të legjislaturës, por basti (një tjetër) është që legjislatura do të arrijë në fundin e saj të natyrshëm.

            “Corriere della Sera”, 5 gusht 2019        E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Historia e Fshehte-Kriza Qeveritare-Eugjen Merlika

A do të jetë 13 Tetori, “vetëvrasja virtuale” alla Alende e Metës

September 6, 2019 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Nyje gordiane mbetet ende Gjykata Kushtetuese. As Parlamenti s’ka fuqi ta kapërcejë, as Venecia ta vulosë, dhe as Rama nuk është Demokleu.

Sfida e Korabit

Një javë më parë Ilir Meta i bëri një sfidë figurative kundërshtarëve të tij, duke u ngjitur në majën më të lartë të maleve shqiptare, mbi Korab.” Ngjitja ishte sfidë jo e lehtë, por bukuritë dhe monumentet e rralla natyrore të këtij mali madhështor, të frymëzojnë dhe të japin energji të reja për të kaluar me sukses çdo pengesë!, shkroi Meta në Twitter “Dhe kjo dukej si një mesazh i koduar dërguar, Edi Ramës, kështu e artikuloi edhe shtypi, apo si të ishte karshillëk i bërë nga Meta po me stilin e Ramës, por drejtuar me kod po Ramës.

 E kjo aventurë u bë pak ditë para se në Shqipëri, Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, vendosi se mund ta thërrasë këtë të fundit në seancë dëgjimore që javën e ardhshme. Partia Socialiste nisi procedurat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, teksa ky i fundit nuk njohu zgjedhjet e 30-qershorit, në të cilat maxhoranca garoi e vetme duke marrë pothuajse të gjitha bashkitë. Komisioni sqaroi gjithashtu gjatë mbledhjes së tij ditën e martë, se për nxjerrjen e raportit të tij përfundimtar do të presë opinionin e Komisionit të Venecias. Presidenti Ilir Meta reagoi, duke folur për një propagandë të nxitur ndaj tij, me synim largimin e vëmendjes nga zgjidhja e krizës politike. 

Pra nëse komisioni nuk mund të nxjerrë konkluzion pa Komisionin e Venecias, kjo tregon se Meta nuk të akuzohet shkoqur për shkelje kushtetute, atëherë përse shërbejnë hetimet e tij? Nuk mund të dënosh dikë kur në kohën, kur është kryer “shkelja”, nuk kishte ligj. Këtë e di dhe Rama dhe PS-ja ndaj nisma për shkarkim duke më shumë si flakë e luftës politike.

Skenar për destabilizimin e Shqipërisë ?

Për t’i fryrë zjarrit Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherësh dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka bërë një deklaratë “të fortë” në lidhje me vendimet dhe dekretet e ndërmarra nga Presidenti Ilir Meta. Ajo e ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, u shpreh se “Meta e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët dhe se ka qenë pjesë e një skenari për destabilizimin e Shqipërisë”.

Por ajo nuk ishte në gjendje të thoshte se ku Meta e kish shkelur kushtetutën. 

Duke e parë nga pikëpamja e interesit elektoral, harakiri i opozitës, ndihmoi forcimin e pushtetit mono partiak të Qeverisë. Por a thua se ishte vendimi i 13 Tetorit, “vetëvrasja virtuale e paralajmëruar” alla Alende e Metës? Mendoj se jo.

Rama thotë se di të luajë shah, por a ishte blofi i pokerit të Metës më i thellë se kaq. Kjo mbetet për t’u parë. Si nyje gordiane mbetet ende Gjykata Kushtetuese. As Parlamenti s’ka fuqi ta kapërcejë, as Venecia ta vulosë, dhe as Rama nuk është Demokleu. Zgjatja e krijimit të saj nuk ka pasur vetëm arsye burokratike, por edhe motive politike nga ana e Qeverisë. Zgjedhja e saj sa mund ta ndihmojë, aq dhe mund ta rrezikojë Ramën. P.sh këto ligjet e PPP-ve mund t’i kishte hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese dhe pa të drejtë apelimi. Pasi vërtet mungesa e saj ka krijuar një sistem drejtësie të paplotësuar me mungesa pa “check and balances” që lejon edhe kalimin e ligjeve të PPP-së të makutërisë të qeverisë të kritikuar aq shume dhe nga FMN-ja.

Presidenti i vendit Ilir Meta, në një intervistë për median italiane “il giornale.it” ka deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin legjitime “Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore, sepse procesi i pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy forcave do të kishte qenë e pashmangshme fraksionet politike. Ndërsa unë veproja sipas Kushtetutës, përgjegjësia e kryeministrit ishte që ai nuk e kuptonte që zgjedhjet e mbajtura në këtë mënyrë ishin problem për negociatat. Zgjedhjet e qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit, për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës, për të kuptuar parregullsinë”, shprehet ai.

Zëdhënësja e qeverisë nuk elaboroi më tej mbi akuzën “pjesë e një skenari për të destabilizuar Shqipërinë”, por nëse akuza pre shkeljen e Kushtetutës për datën e zgjedhjeve ha arsyetime e justifikime politike, juridike, kushtetuese dhe kohore, akuza për skenar për të destabilizuar Shqipërinë, duhet sqaruar e elaboruar. Nuk mund të rrijë në ajër, ashtu si Meta në majë të Korabit, dhe as të hetohet nga një deputet i përlyer në mashtrime elektorale si Ulsi Manja.

Vjedhësi i zgjedhjeve, gjykatës i zgjedhjeve

Komisioni hetimor parlamentar i cili do të vlerësojë ligjshmërinë e akteve të presidentit Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit miratoi të martën planin e tij të veprimit. Pika e parë është përcaktuar seanca dëgjimore me kreun e Shtetit. “Data më e shpejtë mund të jetë fillimi i javës së ardhshme, por datën dhe orën do ta caktojmë në bashkëpunim me nënkryetarin”, deklaroi drejtuesi i Komisionit, socialisti Ulsi Manja. Por a do të paraqitet Meta në komision edhe kjo është e panjohur? Meta thotë se do të shkojë me dëshirë dhe mund të jetë kështu. 

Pasi nuk ka proces “empeachment “ në kushtetutën shqiptare. Nëse Presidenti ka vepruar brenda kompetencave të tij, apo nëse ka vepruar me ndërgjegje, në emër të paqes sociale, apo në emër të çdo alibie, që ai mund të nxjerrë. Çdo hetim do të duhet të nxirrte në pah motivin. Akuzat pa motiv si ajo e Spiropalit lenë shteg për interpretim dhe propagandë, në mos për shpifje.

Komisioni ka marrë në ndërkohë përgjigjet e disa institucioneve të cilave ai është drejtuar, por duket se vendimtar do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Një delegacion i tij ka paralajmëruar një vizitë javën e ardhshme në Tiranë. “Opinioni i Komisionit të Venecias, do të duhet të pritet nga Komision i Posaçëm hetimor, për të arritur në një përfundim lidhur me objektin e hetimit”, shpjegoi zoti Manja. Komisioni ka afat deri më 8 tetor, por nëse opinioni i Venecias do të publikohet përtej kësaj date, atëherë pritet të kërkohet shtyrja e afatit.

Vendimi i Venecias do mbetet në lagunë

Por c ‘rëndësi ka se çdo të thotë Komisioni i Venecias. Gjuha e tij do të jetë e tillë “Komisioni i Venecias vlerëson se “duke pasur parasysh dispozitat ekzistuese kushtetuese, legjislacionin përkatës dhe mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion, Komisioni i Venecias beson se vlera e amendamenteve të propozuara është e diskutueshme”. Komisioni i Venecias jep opinion për një paqartësi ligjore. Opinioni i tij ka vlerë vetëm konsultative. Çfarë do të jetë opinioni i Venecias , do t’i shërbejë më shumë fryrjes se propagandës partiake sesa shkarkimit të Metës. Dhe Venecia do të thotë në thelb atë që tha Departamenti i Shtetit që fjalën e fundit e ka Kushtetuesja.

Nga pikëpamja morale, fakti që ky komision drejtohet nga Ulsi Manja, i dalë me zë dhe figurë për manipulimet me zgjedhjet në Dibër, e bën atë person të papërshtatshëm, për të drejtuar këtë si çështje në këtë komision. Nga ana tjetër, opozita parlamentare me gjithë dëshirën e av. Ngjelës, vështirë “të jetë në gjendje që në Parlamentin shqiptar të ngrihet në rangun e një opozite të theksit kombëtar e perëndimor” Është naive të besosh që vetëm” me forcën e kësaj opozite të re parlamentare dhe me forcën e politikës amerikane, maxhorancën aktuale nuk do të këtë mundësi që të lëvizë drejt bllokimit të Reformës, ndonëse mendohet se do të jetë e nxitur kundër reformës nga liderët e saj që i kap antikorrupsioni ”. 

Ndërsa Komisioni parlamentar po zhvillonte seancën e tij, presidenti Ilir Meta reagoi përmes një statusi në Facebook. Sipas tij “propaganda anti-President nuk ndihmon sundimin e ligjit, që është kusht për çeljen e negociatave në 18 tetor nga Bashkimi Europian për vendin tonë. Spostimi i vëmendjes për momentin nga detyrimi për respektimin e dekretit në fuqi të 13 tetorit për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore, nuk ndihmon për zgjidhjen e krizës, por ndihmon përshkallëzimin e saj”, shkruajti zoti Meta, duke e mbështetur kështu me qëndrimin e tij në shqetësimet e ngritura për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ky është një farë presioni, por nuk besoj është motivi. 

Dhe i vetëm gati për zgjedhje 

Nga ana tjetër, duket se vetëm Meta, do të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit dhe zgjedhjet e dekretuara nga ai vështirë të ndodhin, kur edhe PD duket se është tërhequr tani nga ajo datë. Largimi i opozitës kështu nga parulla “Rama ik” mund të jetë taktikë e saj, pasi as Rama nuk iku dhe as opozita nuk u bë më e fortë, por kjo kthesë mund të jetë më shumë rezultat i një presioni ndërkombëtar, apo i një kompromisi të fshehur.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, deklaroi se data “13” është praktikisht e hedhur poshtë, dhe se Shqipëria do të shkojë në zgjedhje brenda pranverës të vitit të ardhshëm, bashkë me Edi Ramën. Ne po përgatitemi, besoj se do shkojmë në zgjedhje. Për pak kohë do na duhet të shkojmë në zgjedhje. 13 tetori është i rënë. Deri në pranverë, do shkojmë në zgjedhje bashkë me Ramën.13 tetori ishte një datë prefekte edhe për vetë Ramën, që di të kishte mundësi të zgjidhte kandidatë, por ai prapë procesin e shkatërroi”.

“I vetmi që propozon datën është Presidenti dhe nëse Presidenti e ka gabim, këtë datë e hedh poshtë vetëm Gjykata Kushtetuese”, tha Paloka. 

Ky ndryshim i kursit te PD-se në mos është edhe një marrëveshje e fshehtë me PS-ne, e lë Metën vetëm përballë Ramës. Por gjithashtu reagimi i fundit i Presidentit duket se kishte të bënte gjithashtu dhe me faktin se po dje Komisionet e përhershme parlamentare rrëzuan një sërë dekretesh të firmosura prej tij në fund të muajit korrik, përmes së cilave ai i ktheu pas Parlamentit disa projektligje, që nga kontratat koncesionare për ndërtimin e dy akseve rrugore, të ndryshimet në ligjin për Koncesionet, ato në Kodin Penal apo dhe ligjin për Privatizimet si dhe një tjetër për Akademinë e Shkencave. 

Të çmendurit, për t’i shpëtuar shiut, futen në pellg

I menjëhershëm ishte reagimi i Tedi Blushit, Këshilltar për Mediat dhe Zëdhënës i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një mesazhi publik në Facebook, reagoi pas mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar, “Të çmendurit, për t’i shpëtuar shiut, futen në pellg. Njësoj si e çmendura E., e cila u zhyt edhe sot në llumin e shpifjes, për t’i shpëtuar shiut të së vërtetës, duke lëshuar tymuesen e radhës, me shpresën se do largohet sadopak vëmendja nga keqpërdorimi i Kuvendit për mbulimin e PPP-ve të paligjshme që u miratuan, duke përmendur me shembuj abuzimet në tenderë. 

Presion i pasosur ndaj PPP-ve

Në fakt, Meta e dinte se nuk i rrëzonte dot këto dekrete, kur qeveria Rama ka maxhorancën absolute, ato më tepër i shërbyen atij për dy qëllime: për të demaskuar politikat korruptive të shumta të qeverisë për t’i dhënë një mbrojtje procesi të paligjshëm të PPP-ve. Ku për të shmangur çdo përgjegjësi nesër, qeveria ka miratuar një rregull të ri, për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim administrimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë dhe së dyti, për ta paraqitur Presidentin Meta, supra partes, në kushtet e mungesës së oponencës parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese, si mbrojtës i vetëm ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.  Sado sinqerisht, apo për luftë politike, apo thjesht për të shlyer haraçin e një videoje të vjetër në opinion Presidenti me kthimet e këtyre ligjeve ka vepruar drejt dhe, pavarësisht motiveve politike, apo personale ai duhet mbështetur. Për të mos qenë i vetëm përsëri në majë të Korabit, pasi siç duket, se ka zgjedhur më mirë të mbetet fillikat, sesa të ndajë pushtetin me një autokrat si Rama. Siç shihen premisa akuzave të Rilindjes “Meta ik”, Presidenti ka të ngjarë t’i përgjigjet si Rama : “Do të iki kur të dua vetë” dhe nëse e ka me gjithë mend apo blof, shpejt do shihet, pasi Meta ka treguar se i di mirë punët e veta. 

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi-Presidenti Meta-Alende

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • 408
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT