–Kryeministi Haradinaj: Behxhet Jashari, shembull i një edukatori dhe patrioti shqiptar/
Ndërroi jetë sot – më 20 gusht 2019 në Vushtrri, në moshën 74 vjeçare, Behxhet Jashari, pedagog dhe drejtues në institucione arsimore mese 45 vjet, luftëtar i lirisë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Varrimi bëhet nesër – më 20 gusht 2019 në ora 13 në fshatin e lindjes – Strofc të Vushtrrisë, njofton familja.Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se, nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nesër në mesditë prej orës 11:30 në Sallën e Kuvendit të Komunës, mbahet mbledhje komemorative për veteranin e arsimit dhe UÇK-së, si dhe ish drejtorin e arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Behxhet Jashari.
B
KUSH ISHTE MESUESI VETERANB
Behxhet Jashari ishte mësues-mësimdhënës e pedagog, drejtues në institucione arsimore dhe këshilltar në Entin Pedagogjik të Kosovës, pjesë e lëvizjes e luftës për liri dhe pavarësi dhe e një familje luftëtarësh për liri brez pas brezi, fëmia më i madh i babait Sahitit, që ishte partizan i Brigadave të Shqipërisë.
Në vitet ’90-ta Behxheti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku luftoi përkrah me të birin e tij ushtar, Gëzimin, i cili u nda nga jeta më 2007. Trashëgoi pushkën e vëllaut dëshmor, Xajës, duke u rreshtuar në luftën kundër forcave okupatore serbe përkrah shumë luftëtarëve – familjarë, nipa e mbesa, kushërinj dhe luftëtarëve nga gjithë Kosova e viset tjera shqiptare.
Në vitin e madh të lirisë 1999, luftëtari i lirisë, që ishte pedagogu i parë i Ortakollit, iu rikthye arsimit, ku për rreth 45 vjet dha kontribut profesional e akademik për shkollimin shqip në Kosovë.
Veprimtarinë akademike e profesionale, menjëherë pas përfundimit të luftës, e vazhdoi si drejtor i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, duke kryer punë shembullore dhe vënë themele në rimëkëmbjen e sektorit të arsimit në nivel komune.
Më vonë ai u kthye pranë nxënësve, si mësimdhënës e pedagog, punë të cilën e bënte me dashuri e përkushtim.
Nga viti 2008 e deri në pension, Behxheti ishte drejtor i shkollës fillore “Andon Zako Çajupi” në Vushtrri, ku pos punës profesionale udhëhoqi edhe procesin e zgjerimit të shkollës.
Behxhet Jashari lindi fshatin Strofc në 16 gusht të vitit 1945. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, Normalen e kreu në Mitrovicë, ndërsa arsimin universitar në Prishtinë.
Në kohën e okupimit e masave të dhunshme, përkundër kërcënimeve dhe përndjekjes, Pedagogu, siç e thërrisnin familjarët, bashkëpunëtorët e të tjerë, refuzoi të largonte gjuhën shqipe nga shkolla, nuk u nënshtrua për asnjë moment, e madje edhe largoi serbishten, e cila u provua t’i imponohej dhunshëm.
U përndjek, u rrah e torturua nga ish regjimi, por veprimtarinë e tij nuk e ndali kurrë. Të fortë e mbante ideali dhe vetëdija për rëndësinë e arsimimit të brezave të rinj në gjuhën shqipe, në frymën e atdhedashurisë.
Pas pensionimit, shumicën e kohës Behxheti e kaloi në fshatin e lindjes, Strofc, duke pritur shumë vizitorë, të rinj nga familja e më gjerë, e duke u dhënë këshilla e ngrohtësi dhe duke vazhduar të jetë gjithënjë mësues i shumë brezave…
***
Kryeministi Haradinaj: Behxhet Jashari, shembull i një edukatori dhe patrioti shqiptar
Kryeministi i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot shkruan në ‘Facebook’:
I prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të luftëtarit të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, Behxhet Jashari, nga Strofci i Vushtrrisë. Ai ishte shembull i një edukatori shqiptar dhe patrioti të përkushtuar, i cili iu përgjigj thirrjes për t’i dalë në mbrojtje Atdheut. Ngushëllime të sinqerta familjes Jashari dhe të gjithë bashkëluftëtarëve.
RH