• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VRITET PËR TË DYTËN HERË AT SHTJEFËN GJEÇOVI KU ËSHTË ZEMËRIMI?

July 17, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Para nja dy ditësh, në postën time elektronike më kishin arritur, pothuaj në të njëjtën kohë, dy njoftime nga Kosova:   Njëri kishte të bënte me vandalizimin e bustit të At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës dhe tjetra ishte një ftesë për të marrë pjesë në një organizim shkencor kushtuar At Gjeçovit, që po planifikohet të mbahet në nëntor, me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së tij barbare në Zym të Hasit, nga forcat fashiste serbe.   Lajmi për seminarin që po organizohet për të kujtuar këtë patriot dhe burrë të  të madh të Kombit– nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbërit” Prishtinë dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” në Zym — më gëzoi pa masë, por më trishtoi lajmi tjetër, për vandalizimin e bustit të tij në oborrin e shkollës në Klinë.

Ku eshte Shteti, qe nuk sheh e nuk denon kete krim?

At Shtjefën Gjeçovi, prift katolik, i Urdhërit të Fretënve, ashtu siç ishte edhe At Gjergj Fishta, është i njohur si autor i shumë veprave, siç janë “Dashnia e Atdheut”, drama “Agimi”, Përkrenarja e Skenderbeut”, Kanuni i Lek Dukagjinit, e shumë e shumë të tjera.   Ai konsiderohet edhe si babai i arkeologjisë shqiptare, etnograf i njohur, kontribues i madh në gjuhë e kulturë, mbledhës i këngëve, miteve, përrallave dhe dokeve, zakoneve dhe traditave shqiptare, e tjera.  Sipas historianëve të mirëfilltë shqiptarë, në shkrimet e tija Gjeçovi ka lënë një dëshmi të thellë të identitetit historik shumë shekullor të shqiptarëve dhe ka pasqyruar në to rrënjët e vjetra të Kombit shqiptar.   Në një prej shkrimeve të tija, “Trashëgime thrako-iliriane”, Gjeçovi të cilit, “I përkiste çdo mirësi”, siç është shprehur më vonë Fak Konica, At Gjeçovi i drejtohej lexuesit ndërsa shkruante sikur donte, të mos ofendonte askënd, por të dokumentonte identitetin e vjetër të shqiptarëve:   “Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë”.

TURP:KUJT IA VRET SYTE IMAZHI I HEROIT KOMBETAR?

Nuk jam i sigurt nëse këto dy  ngjarje — seminari i ardhëshëm kushtuar 90-vjetorit të vrasjes së Gjeçovit dhe vandalizimi I bustti të tij në Klinë — kanë lidhje me njëra tjetrën, por njoftimi nga disa media se “u vodh” busti i At Shtjefën Gjeçovit nga oborri i shkollës në Zllakuqan nuk më bindë.   A thua sikur busti i Gjeçovit na qenka prej floriri – me vlerë të veçantë për hajdutët, në krahasim me dhjetra në mos me qindra buste të tjera anë e mbanë Kosovës.   Ky akt vandal si dhe identiteti i aktorëve të këtij krimi në Zllakuqan, bëhen edhe më të dyshimtë kur të merret parasyshë se sipas lajmeve në media të Kosovës, ky nuk është rasti e vetëm i këtij lloji.   Edhe bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, gjithashtu i vendosur në një institucion shkollor në fshatin Treboviq, e paskan “vjedhur”, përfshir edhe heqjen e një tabele në një rrugë në Buqan të Pejës, të një prifti tjetër katolik, At Luigj Palaj, dhe të një heroi tjetër i harruar i shqiptarëve, i vrarë nga forcat serbe, për të cilin At Gjergj Fshta ishte shprehur, “Gjaku i këtij, o Zot, të qoftë falë për Komb të Shqiptarit”.Do të ishte diçka e pa përgjegjëshme për mua ose për këdo tjetër që të paragjykohen hetimet e autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për rastin e vandalizimit të bustit të At Shtjefën Gjeçovit dhe të rasteve të tjera të lartpërmendura.   Por është deri diku shqetësues fakti se përveç reagimit të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, për këtë akt vandal, të cilin ai e quan “vjedhje”, por që cilëson gjithashtu edhe si një “akt të turpshëm”,   nuk kam parë, të pakën deri tani, ndonjë regim të autoriteteve qendërore të Kosovës ose të policisë së shtetit.   Ndërsa nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat janë gjithmonë gati të reagojnë ndajë ndonjë akti që nuk ka të bëjë me shqiptarët, nuk kam parë asnjë prononcim ndaj këtyre akteve vandale në Kosovë kundër disa prej figurave më të dalluara të historisë së Kombit shqiptar, përfshir edhe vandalizimin e bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Por, Kryetari i Bashkisë së Klinës ka deklaruar se ky akt, “Duhet të zbardhët sa më shpejt nga organet e rendit dhe kryerësit e kësaj vepre të ulët, të dënohen sipas ligjit”.   Prof. Dr. Zenun Elezaj u bën thirrje gjithashtu organeve, “ligjzbatuese që këtë rast ta trajtojnë në mënyrë serioze” dhe njëkohësisht u kërkon, “organeve përgjegjëse që të shtohen masat e sigurisë në të gjitha objektet publike, në mënyrë që akte të tilla të shëmtuara të mos përsëriten”.

Nuk jam i sigurt se cila ishte përgjigja e organeve të sigurisë së Kosovës dhe e autoriteteve zyrtare të Prishtinës ndaj thirrjes së Kryetarit të Komunës së Klinës për hetime serioze ndaj këtij akti vandal, në oborrin e shkollës që mban emrin e At Shtjefën Gjeçovit.   Por ia vlenë të krahasojmë reagimin e autoriteteve të Kosovës, nepërmjet Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe sidomos  reagimin e shpejt të ndërkombëtarëve në Prishtinë ndaj dëmtimit, ditët e fundit, të disa varrezave ortodokse serbe në Lipjan.   Dënimet ndaj këtij akti, gjithashtu të shëmtuar, ishin nga ana e tyre, të shpejta dhe të forta.   Reagoi ashpër ambasadori amerikan në Kosovë, Z. Philip Kosnett, Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.   Ndërsa në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, në lidhje me dëmtimin e varrezave serbe në Lipjan, foli Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila u bëri thirrje organeve të policisë së shtetit që, “Të bëjnë gjithçka është e mundur për të zbuluar dhe nxjerrë përpara drejtësisë autorët e këtij incidenti kriminal.   Për Republikën e Kosovës, bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”.   Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se edhe incidenti tek varrezat serbe është kundër interesave të Kosovës dhe angazhohet se autoritetet shtetërore do të bëjnë të pamundurën që raste të këtilla të mos përsëriten”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës.

            AT SHTJEFËN GJEÇOVI, VEPRIMTAR I SHQUAR I LËVIZJES   KOMBËTARE, ETNOGRF, SHKRIMTAR DHE ARKEOLOG I NJOHUR, I VRARË NGA FORCAT SERBE NË VITIN 1929

Edhe unë i dënojë dëmtimet ndaj varrezave kudo qofshin, përfshirë ato serbe në Lipjan.   Por e kam pak të vështirë të kuptoj se si vandalizimi i busteve të disa prej figurave më të njohura të Kombit shqiptar në Kosovë, siç janë Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe françeskanët shqiptarë, At Shtjefën Gjeçovi dhe At Luigj Palaj na qenkan disi akte  a po siç i cilësojnë disa, “vjedhje” të zakonshme që nuk shqetësojnë aq shumë autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe përfaqsuesit më të lartë ndërkombëtarë në Prishtinë, hiç se hiç.   Veç të mos preket asgjë serbe sepse, sipas tyre, “bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”,dhe të mos turbullohen – ndërsa figurat kombëtare, identiteti kombëtar, kultura, gjuha dhe historia e shqiptarëve janë plaçkë për tu vjedhur.

Me ose pa reagimet zyrtare ndaj akteve të tilla barbare, mbetet për tu parë nëse për këto veprime kriminale antikombëtare, fajtorë janë, “vjedhësit” e rendomtë, a po dikush tjetër, me qëllime më të djallëzuara me objektivin për të dëmtuar më shumë se një bust.   At Gjeçovi nuk e meritonte këtë akt kriminal ndaj tij, nuk meritonte të vritej për së dyti, sepse siç ka shkruar miku i tij Faik Konica, “At Gjeçovi është përmi çdo sharje.   Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë…. Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí”, ka shkruar Konica për Shtjefën Gjeçovin.   Fatkeqësisht, akti kriminal ndaj bustit të Gjeçovit në Klinë të Kosovës, nuk besoj se kishte për qëllim “rritjen” e emrit të At Gjeçovit, siç shpresonte Faik Konia dikur, por dëmtimin e reputacionit të tij personal dhe të trashëgimisë dhe identitetit të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore dardane.

Ndërsa, sa na përket ne, në këtë moment, para këtij akti të turpshëm në oborrin e shkollës në Klinë — siç është shprehur edhe Konica pas vrasjes së At Gjecovit nga forcat serbe më 1929, nuk na mbetet gjë tjetër veçse, “Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë, që në gjallësí, për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”.   Para një akti të tillë vandalizmi dhe vrasës (për të dytën herë) të At Gjeçovit në Klinë, jemi të pafuqishëm të bëjmë gjë tjetër, veçse të vajtojmë me lotë fatin e tij të keq jo vetëm kur ishte gjallë – por edhe tani për së vdekuri, ashtu siç e shohim bustin e tij të dhunuar — të derdhim lotët tona me Konicën, për fatin e keq të mikut të tij At Shtjefën Gjeçovit, për atëherë dhe sot—por edhe për Kombin Shqiptar, i cili trajton në këtë mënyrë, bijtë e tij, ndër më të dalluarit patriotë, si At Shtjefën Gjeçovi.

Busti i At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës, Kosovë është lënë pa kokë.

                                                 Busti pa kokë i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në fshatin Treboviq të Kosovës

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-At Shtjefen Gjecovi-ridenohet

Kryeparlamentari Veseli takon senatore e kongresmene amerikane

July 16, 2019 by dgreca

Veseli takon Senatorin demokrat Gary Peters dhe Kongresmenin republikan Vern Buchanan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar në Washington Senatorin demokrat Gary Peters dhe Kongresmenin republikan Vern Buchanan, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.Gjatë takimit me Senatorin Gary Peters, i cili është anëtar i Komitetit për Siguri Kombëtare në SHBA, kryeparlamentari Veseli foli për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e saj me ushtrinë amerikane.Senatori Peters, nga ana e tij, shprehu mbështetjen për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.Ndërsa në takim me Kongresmenin Vern Buchanan, kryeparlamentari Kadri Veseli ka diskutuar për çështjet tregtare dhe për nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka potencial të zhvillimit ekonomik dhe tashmë ka infrastrukturë moderne për investitorë të jashtëm.

Ndërsa Kongresmenin Vern Buchanan, tha se është duke u interesuar që të nxisë kompani amerikane për të investuar në Kosovë në sektorë të ndryshëm.​

***

Veseli takon kongresmenin amerikan Gerald E. Connolly: Flasin për të ardhmen e Kosovës në NATO 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur të hënën paradite në Washington në takim nga kongresmeni Gerald E. Connolly, kryesues i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan. 

Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli e njoftoi kongresmenin me zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, ndërsa kanë diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. 

Në 20 vjet liri që nga çlirimi, Veseli tha se Kosova ka arritur progres në të gjitha fushat falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e përhershëm, SHBA-të dhe vendet mike perëndimore. 

 “Pas transformimit të FSK-së në ushtri, objektiv kryesor i Kosovës në fushën e sigurisë është anëtarësimi i plotë në Aleancën Veriatlantike, NATO”, tha Veseli. 

Nga ana e tij, kongresmeni amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-së për hapat e mëtejmë të rrugës euro atlantike të Kosovës. 

 “Kosova në të ardhmen e afërt duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe BE dhe në këtë rrugëtim do ta keni mbështetjen e SHBA-së”, tha kongresmeni Gerald E. Connolly. 

Gjatë këtij takimi, Veseli e informoi kongresmenin Gerald E. Connolly edhe për nismën e tij për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ide kjo e cila u mbështet nga kongresmeni amerikan. 

 “Të gjithë kriminelët e luftës duhet të përgjigjen para drejtësisë për krimet që kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Duhet të vijë drejtësia në vend për viktimat e luftës”, tha kongresmeni Gerald E. Connolly.​

Filed Under: Politike Tagged With: Veseli- Gary Peters-Vern Buchanan, Veseli-Takim senator Gary Peters-Kongresman- Vern Buchanan

NJË DEMOKRACI BASHKËKOHORE MUND TË JETË VETËM LIBERALE

July 15, 2019 by dgreca

Shkruar nga SABINO CASSESE/“Corriere della Sera”/

E përktheu Eugjen Merlika/ Dielli/

Shtohen shenjat e mosdurimit kundrejt demokracive liberale. Për shembull ministri i Brëndshëm Italian në ditët e fundit ka deklaruar se zgjedhja e një përfaqësuesi të Partisë demokratike në postin e kryetarit të Parlamentit evropian, nuk respekton votat e italianëve dhe të evropianëve dhe drejtësia italiane nuk është ajo që i duhet Vendit.

Ai, pra, dëshëron të peshojë më shumë në Bashkimin evropian edhe se i ka cilësuar drejtuesit e tij të mundshëm si “politikucë” edhe mbasi nuk ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha mbledhjet e organizmave evropiane në të cilat duhet t’ishte i pranishëm. Do të dëshironte gjithashtu që normat të interpretohen e të zbatohen simbas dëshirave të tij, me mëtimin që është i vetmi zëdhënës i popullit italian.

Armiqtë e demokracisë liberale do të duhej të bënin një përsëritje të shpejtë të rregulloreve bashkëkohore, sepse atyre i u mungon gramatika e kushtetueshmërisë. Ministrit të Brëndshëm italian, për shembull, i ikën nga mëndja funksionimi i parimit të shumicës. Votat e mbledhura prej partisë së tij në zgjedhjet e fundit evropiane përfaqësojnë një të tretën e atyre që votuan, më pak se një të pestën e zgjedhësve, më pak se një të gjashtën e popullsisë. Në këta kushte a mund të flasë ai në emër të popullit italian duke mëtuar se ka të drejtën përjashtimore? Më parë se të thuhet se fituesi merr gjithshka, duhet të jetë fitues.

Mbështetësit e demokracisë iliberale harrojnë, në rradhë të dytë, se në organizimin bashkëkohor demokracia është e vendosur në shkallare të ndryshme, aq sa ne votojmë për Këshillat e qyteteve, për ata rajonalë, për Parlamentin kombëtar e për atë evropian. Mund të jetë parti e parë në një komunë, në pakicë në një komb; mund të jetë pakicë në një Rajon e shumicë në shkallë kombëtare e evropiane. Pra, historia dhe kushtetutat i kanë përvijuar organizimet bashkëkohore duke i themeluar mbi vullnetin e popullit e, në të njëjtën kohë, duke mos i besuar atij, prandaj i kanë dhënë popullit shumë zëra, që të mund të vendosë në mënyra të ndryshme, dhe të mund të korigjohet. Pra, të mos ketë vetëm një fitues, por shumë fitues. Jo, pra demokracia por demokracitë.

Rryma e re demokratiko – populiste, në rradhë të tretë, harron se pothuajse të gjithë të zgjedhurit kanë kohë të ndryshme. N’Itali antarët e Parlamentit janë të zgjedhur për pesë vite, presidenti i Republikës qëndron në detyrë për shtatë vjet, gjykatësit e Gjykatës kushtetuese nëntë. Këshillat komunale, ata rajonale, Parlamenti kombëtar, Parlamenti evropian përtërihen në çaste të ndryshme. E gjithë kjo për të ndaluar që pushteti publik të jetë prerogativë e vetëm një force politike, sepse dëshërohet të ruhet pluralizmi i shoqërisë.

Harresa e fundit e armiqve të lirisë ka të bëjë me trashëgiminë e liberalizmit, kryesisht ndarjen e pushteteve dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Kuptohet që ka bërë shkollë kryeministri hungarez Viktor Orban, lëvrues i demokracisë iliberale. Demokracia nuk mund të mos jetë liberale, jo vetëm sepse, historikisht, përbën një zhvillim të liberalizmit, por edhe se pjesëmarrja në zgjedhje dhe e drejta e votës  do të ishin një iluzion i zbrazur po të mos ishin së bashku të gjitha liritë, duke filluar nga ajo e shfaqjes së mendimit dhe e grumbullimit, veç gjykatësve të pavarur në mbrojtje të tyre. Këta gjyqtarë duhet të kenë mundësi të interpretojnë ligjet pa detyrime që vijnë nga qeveria, madje duhet të kenë mundësi, simbas rastit, edhe të venë në dyshim ligjëshmërinë e tyre e të japin një interpretim në përputhje me Kushtetutën, ose t’i drejtohen Gjykatës kushtetuese për gjykim, sepse edhe vetë vlera e demokracisë ka një cak në liritë e të drejtat.

Ministrit të Brëndshëm italian, në veçanti, dua t’i kujtoj se nuk mjafton të veshësh rroben e policisë ose të premtosh marrjen në punë të forcave të reja të mbrojtjes së rendit, për të qenë një ministër i Brëndshëm i mirë. Në vend që të përjetësohet me një mitraloz në dorë, më pas me një pushkë  e së fundi me një revole elektrike, do të bënte mirë të merrte shëmbull nga i pari ministër i Brëndshëm, mbas shpalljes së Republikës, Alcide De Gasperi, që qe një shëmbull aftësie politike dhe mase në administrim.  

“Corriere della Sera”, 9 korrik 2019   E përktheu Eugjen Merlika

Shënim i përkthyesit:

Autori i kërij shkrimi është editorialist i njohur i kësaj të përditëshmeje. Ka lindur në vitin 1935. Ka qenë dhe vazhdon të jetë profesor në disa universitete italiane dhe evropiane e amerikane. Ka qenë antar i Gjykatës kushtetuese të Italisë gjatë periudhës 2005 – 2014. Është njëri ndër kostitucionalistët më të mirë italianë. Ka në arkivin e tij 24 vepra të botuara mbi probleme të ndryshme.

U vura t’a përkthej këtë shkrim se m’u duk si një artikull mjaft instruktiv per çastin e veçantë të amullisë institucionale në të cilën ndodhet Shqipëria. Mendoj se kemi nevojë si opinion publik, për të mos përmendur atë politik, për të freskuar disa njohuri mbi të drejtat e detyrat e të zgjedhurve e të zgjedhësve në një vënd demokratik, siç mëtojmë të gjithë se duam të ndërtojmë në Shqipërinë tonë. Besoj se ky shkrim na jep një vështrim mjaft të saktë të kësaj problematike. Edhe se i kushtohet gjëndjes së Italisë së sotme besoj se edhe neve kemi mjaft për të mësuar prej këtij shkrimi.   

Filed Under: Politike Tagged With: Demokracia Liberale- Sabino Cassese-Eugjen Merlika

Kreu i Opozitës Basha priti delegacionin Amerikano-Hebraik

July 14, 2019 by dgreca

Kreu i opozitës shqiptare, z. Lulzim basha ka pritur delegacionin Amerikano-Hebraik te kryesuar nga drejtori Ekzekutiv David Harris. Në njoftimin e PD, kreu i opozitës Lulzim Basha bën të ditur se opozita ka siguruar miqtë amerikan se do vazhdojë betejën ka kompromis dhe se nuk do të dorëzohet para modelit të despotizmit lindor.“Takim i përzemërt dhe shumë miqësor me delegacionin e Komitetit Amerikano- Hebraik ACJ, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv David Harris.I shpreha z. Harris mirënjohjen për mbështetjen e çmuar ndër vite të Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe liritë civile dhe politike të qytetarëve shqiptarë si dhe domosdoshmërinë për ta vazhduar betejën në këtë orë të errët në Shqipëri, për vlerat dhe parimet themelore të zgjedhjeve të lira, barazisë para ligjit dhe ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. I sigurova miqtë amerikanë se në vend të heshtjes apo dorëzimit para modelit të dështuar të despotizmit lindor, korrupsionit dhe shkatërrimit të lirisë dhe demokracisë, ne do të vazhdojmë pa kompromis me standardet europiane dhe amerikane, betejën tonë deri në triumfin e vlerave të përbashkëta perëndimore të lirisë, demokracisë dhe mundësive për çdo shqiptar”, ka theksuar Lulzim  Basha.

Filed Under: Politike Tagged With: Lulzim Basha- Delegacioni-Amerikano-Hebraik

PESË PAMJE TË URREJTJES KUNDËR VLERAVE TË DEMOKRACISË

July 14, 2019 by dgreca

Nga Shefqet DIBRANI/

Deformimi i demokracisë, është hakmarrje primitive kundër Jusuf Buxhovit që themeloi LDK-në, e cila e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe arriti të bëjë miqësi e Aleancë me Amerikën, për t’iu gjetur në ditët më të vështira Luftës së Kosovës!  Me një fjalë, lufta kundër historianit Jusuf Buxhovi është hakmarrje kundër Lirisë së Kosovës dhe më shumë se kjo një hakmarrje “E SË MAJTËS”  kundër prezencës Amerikane dhe vendeve të BE-së në Kosovë!…

Shkruan: Shefqet DIBRANI/

Prolog:

Ende pa e mbushur njëvjetorin e themelimit të LDK-së, ka pas nisur një fushatë e egër linçuese kundër saj, në lojë e patën futur Demaçin, i cili nuk ra në grackë. Pra në vitin 1990 – 1992, pikërisht atëherë kur zyrtaret e tanishëm politik të LDK-së, ishin struktura udhëheqëse të LKJ-së, të tjerët ishin në pelena atëherë kur pshurreshin dhe qurraveshin neveritshëm, sidomos kur i lëpinin qurrat që iu shkonin zvarrë. Edhe tash këta qurranë janë bërë të neveritshëm, të gërditshëm dhe të padurueshëm, sidomos kur mbrojnë dr. Rugovën dhe kur flasin për Rugovizëm! E për ata që shkruajnë do të ishte mirë të mendojnë çka po i lënë pas historisë së tyre familjare, fëmijëve të cilët nuk janë fajtor pse i kanë baballarët kaq të qurravt?!

Duke kërkuar në arkivin tim kam gjetur shkrime të cilat flasin për LDK-në e idealeve të mëdha, (1990-1991). Pra për LDK-në e idealeve tjera, por janë edhe disa shkrime edhe për Demaçin… një personalitet i cili në korrikun e vitit të shkuar shkoi mëtanë ku nuk flitet më.

Nuk po merrem me Adem Demaçin, as me akuzat e tij deri në sharje kundër dr. Ibrahim Rugovës, pasi një pjesë të tyre vet Ibrahim Rugova ia ka falur sa ishte gjallë, por a do ta falte edhe tashti, nuk jam profet për t’ia qëlluar, por një gjë e di se ai ishte i Madh, kurse nesër do të bëhet edhe më i madh se sa po himnizohet sot.

Pamja 1 – Aanti-Rugovizmi

a). Po të ishte gjallë Rugova, kurrë Isa Mustafa nuk do të ishte zyrtar i LDK-së, e le më kryetar i saj. Të gjithë ata që e votuan, për kryetar të LDK-së, për Kryeministër, dhe të gjithë ata që i besuan aq shumë, në thelb janë Anit-Rugovista të papërmirësueshëm.

b). Po të ishte gjallë Rugova, kurrë Hashim Thaçi, nuk ishte bërë Kryeministër as President i Kosovës. Prandaj të gjithë ata që janë struktura të LDK-së dhe e kanë votuar, janë në thelb Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

c). Ibrahim Rugova, ka thënë kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Kullë dhe Çakorr, prandaj të gjithë ata që e kanë votuar për ti lënë këto Troje nën administrimin e Malit të Zi, le më se janë tradhtar, por janë  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

ç). Ibrahim Rugova, ishte për falje dhe nuk shau askënd, të gjithë ata që hakmerren dhe shajnë pa kriter janë  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

d). Ibrahim Rugova, ishte për gjithëpërfshirje dhe për Elitë Akademike dhe Intelektuale, ata që përjashtuan dhe janë kundër intelektualëve dhe kundër Themeluesve të LDK-së, janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

dh). Ibrahim Rugova, e dashti dhe e respektoi DIASPORËN, të gjithë ata që ndëshkuan Diasporën duke e përjashtuar nga proceset e brendshme në LDK, janë kundër zhvillimit të Kosovës, andaj janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

e). Ibrahim Rugova  ishte i madh, prandaj i respektonte të vegjlit, por të vegjlit e sotëm që po e udhëheqin LDK-në dhe Kosovën, i urrejnë të mëdhenjtë dhe nuk i shkelin të vegjlit, andaj nuk falin, ata hakmerren, ata vrasin, prandaj në thelb janë Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

ë). Ibrahim Rugova, dallonte për shprehjen e butë dhe elokuente, të gjithë “katunarhanja” e Facebook-ut që nuk dinë me shkruar dhe ata që kurrë në jetën e tyre nuk kanë lexuar një libër, por janë kapërthurur nëpër ministri e në Krye të LDK-së, janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm!

Sepse: Rugovizmë është vlerë, është tolerancë, është dashuri për atdheun!

Pamja 2 – Urrejtja kundër Simbolit të Rezistencës

Në këto rrethana, ndryshe vepron qytetari i rëndomtë e ndryshe duhet të veproj intelektuali, e krejt ma ndryshe ata që udhëheqin parti politike dhe Shtetin e Kosovës. Por qëndrimi armiqësor, i ulët dhe primitiv i Kryesisë së LDK-së që u shpreh korrikun e vitit të shkuar, në Ditën e Vdekjes, Varrimit dhe Nderimit që iu bë Adem Demaçit, është koncepti ma antidemokratik që iu ka bërë LDK-së. Ky veprim është ideologjik e LKJ-së që udhëhiqet drejtpërdrejtë nga Isa Mustafa, i cili pas të gjitha shkatërrimeve, humbjeve dhe shëndetit të tij, ka detyrë për ta shkatërruar LDK-në, dhe për ta mbajtur LDK-në sa ma larg Popullit dhe halleve të tij.

Pamja 3 – Injorimi kundër Amerikës

Pamja/Fytyra e LDK-së që u shfaq si urrejtje, si hakmarrje, kundër Adem Demaçit, kur u bë refuzimi klasik në ditën e varrimit të tij,  na u rishfaq në ditën e Gëzimit të Kosovës, me rastin e 20-Vjetorit të Çlirimit të Kosovës, që iu gëza krejt Bota demokratike! Sivjet për këtë DITË të Gëzuar, vendin tonë e vizituan fytyrat më eminente të Amerikës siç ishin Presidenti Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, gjenerali i ushtrisë amerikane Wesley Clark dhe shumë të tjerë. Me një fjalë klika titiste e LKJ-së që ka pushtuar LDK-në, (si duket për hatër të Serbisë), përbuzi gjithë përpjekjen dhe ndihmesën e Amerikës në Luftën dhe Paqen e Kosovës. Ata refuzuan të takoheshin me përfaqësuesit e Amerikës, por na shurdhuan duke brohoritur Rroftë Amerika dhe për miqësinë e tyre të përhershme me Amerikën?!

Pamja 4 – JUSUF BUXHOVI

Foli intelektuali Jusuf Buxhovi, Ideatori dhe Themeluesi i LDK-së, foli shkencëtari që bëri vepra shkencore të cilat nuk arriti t’i bëjë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, foli historiani që e shkroi Historinë e Kosovës, atë që nuk arriti ta shkruaj Instituti i Historisë së Kosovës e as Fakulteti i Historisë për më shumë se gjysmë shekulli  veprimtari. Foli shkrimtari më i frytshëm, autori i romaneve historike, që e tha të djeshmen dhe të tashmen në mënyrë artistike, të cilën nuk e ka thënë e as nuk e ka shkruar Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Andaj ky “pokretni juriš” kundër Jusuf Buxhovit jep alarm shqetësues se një “Lëvizje për sulm”, kundër Lirisë së Kosovës dhe vlerave të saj po nis marshin drejt shkatërrimit. 

Pamja 5 – “Pokretni juriš” ose “Lëvizja për Sulm”

Ky farë “Pokretni juriš”, në thelb përmban ideologjinë  “E majtë staliniste”, e cila përmbledh të gjitha llumproletariatin ideologjik dhe strukturat komanduese të krimit politik dhe ekonomik që nuk kanë gjë të përbashkët as me Luftën për Lirinë e Kosovës dhe as me Paqen dhe demokracinë në Kosovë. Kjo strukturë mbështet nga “E majta titiste”, e cila është edhe ma perfide dhe shumë më e rrezikshme se e para. “E majta titiste” përfaqësohet nga Isa Mustafa dhe strukturat e përgatitura në “Riinvest”, të cilët e kthyen frymën hakmarrëse dhe krijuan mosdurimin në LDK, (që tashmë njihet si luftë e karrigeve). Kjo logjikë shkatërruese është e mbështetur nga elementi Jugosllav që udhëheq mediat shqipe në Kosovë dhe i mban nën zapt Organizatat Jo Qeveritare të cilat janë shndërruar në struktura parapolice të krimit dhe bandave të kriminalizuara në Kosovë, andaj heshtin dhe nuk po mbrojnë asnjë vlerë qytetare.

Epilog: 

Urrejtja kundër fjalës së lirë, çuditërisht po bëhet edhe nga ata që mbllaçitin për lirinë e fjalës së lirë?! Në thelb ka urrejtjen kundër vlerave, kundër Elitës Intelektuale, kundër Rezistencës së Adem Demçit, Kundër Filozofisë Paqësore të dr. Ibrahim Rugovës, kundër Luftës së UÇK-së, Kundër Prezencës Amerikane në Luftën dhe Paqen e Kosovës, Kundër kthimit të turizmit në Kosovë, (turizëm të cilin e bënë dhe e zhvillon vetëm Diaspora e saj), dhe në fund  të fundi urrejtja kaq e  madhe kundër Jusuf Buxhovit është urrejtje kundër të gjitha vlerave intelektuale, kulturore, arsimore, pedagogjike, shkencore dhe akademike të një vendi.

Me një fjalë Bandat e Kriminalizuara të Komandantëve me koncepte të së majtës staliniste, të ndihmuar nga e majta titiste, po i qesin marren Luftës Heroike të UÇK-së dhe ia kanë shtrirë zullumin Lirisë së Kosovës.

Veçmas Isa Mustafa, me suitën e tij, ka arritur me ua fshirë trurin Kryesisë së LDK-së, për ta përjashtuar Elitën Intelektuale nga të gjitha proceset. Kjo ideologji e shkollës RIINVEST, (institucion që u themelua në vitet ma të Zeza që kalonte Kosova), nuk ka pasur për qëllim me zhvilluar demokracinë dhe me bërë aleanca me Amerikanët, por është themeluar nga një azilant në emigracion, siç ishte atëherë mr. Isa Mustafa, për t’i përgatitur Serbisë strukturat e besueshme që do ti shërbenin atij sistemi për ta bërë ma mirë zapt Kosovën, dhe për të dëshmuar se “E majta Titiste”  shëmbëllen në miqësinë e tyre me Serbet! 

Deformimi i demokracisë, është hakmarrje primitive kundër Jusuf Buxhovit që themeloi LDK-në, e cila e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe arriti të bëjë miqësi e Aleancë me Amerikën, për t’iu gjetur në ditët më të vështira Luftës së Kosovës!  Me një fjalë, lufta kundër historianit Jusuf Buxhovi është hakmarrje kundër Lirisë së Kosovës dhe më shumë se kjo një hakmarrje “E SË MAJTËS”  kundër prezencës Amerikane dhe vendeve të BE-së në Kosovë!…

Filed Under: Politike Tagged With: Shefqet Dibrani-Pese Pamje-Urrejtja- e majta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 413
  • 414
  • 415
  • 416
  • 417
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT