• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUTJA E SHQIPTARIT

August 1, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në botën ku jetoj unë dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare, gjatë gjithë vitit shënohen ditë në kujtim ose kushtuar personave të dalluar të historisë amerikane, çështjeve dhe subjekteve të ndryshme, llloj, lloj.  Një prej tyre është edhe Dita e Lutjeve, një ditë kjo që shënohet çdo vit të ënjtën e parë të muajit Maj.   Në këtë ditë, e cila e ka origjinën në vitin 1775, amerikanët inkurajohen të falënderojnë dhe t’i luten Zotit.   Kongresi Kontinental Amerikan kishte caktuar një lutje të përditshme, ndërsa themeluesit e këtij kombi po përpiqeshin të themelonin një shtet të ri.   Ç’prej asaj kohe, presidentët e ndryshëm gjatë historisë amerikane, u kanë kërkuar amerikanëve që t’i luten Zotit, sidomos në raste emergjente ose tregjedi kombëtare.   Por ishte viti 1952, atëherë kur Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi ligjin për Ditën Kombëtare të Lutjeve, nënshkruar nga Presidenti i atëhershëm demokrat, Harry Truman.   Ndërsa në vitin 1988 ka qenë presidenti republikan, Ronald Reagan, ai që ka nënshkruar një shtojcë ligjore, për të caktuar zyrtarisht të Ënjtën e parë të muajit Maj, si Ditën Kombëtare të Lutjeve.

Historikisht, çdo vit, presidentët e ndryshëm amerikanë kanë vazhduar këtë traditë duke shënuar Ditën Kombëtare të Lutjeve me një fjalim ose me ndonjë deklaratë të posaçme, ndërkohë që shumë amerikanë të feve të ndryshme, zakonisht, marrin pjesë në ceremoni fetare, në qendrat e tyre fetare të preferuara.

Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të Lutjeve, Majin që kaloi në deklaratën e tij kushtuar kësaj dite, Presidenti  Donald Trump u shpreh se, “Sot në këtë Ditë Kombëtare të Lutjeve, të bashkuar, falënderojmë të Madhin Zot për bekimet e mëdha që Ai i ka dhënë Kombit tonë, ndërkohë që kërkojmë edhe ndihmën e Tij të përherëshme.   Ne gjithashtu pranojmë varësinë tonë në ndihmën dhe dashurinë e Zotit për të ndihmuar familjet, komunitetet dhe vendin tonë, për të na ruajtur nga e keqja dhe të fali begatinë dhe paqën…Sot lutemi gjithashtu që Perëndia të mbajë të fortë Atdheun tonë, të ruaj Forcat tona të Armatosura, ndërkohë që përballemi me sfida mbrenda dhe jashtë vendit.   Kjo traditë Kombëtare e lutjeve ka ruajtur dhe ka fuqizuar besimin tonë në Zotin dhe do të vazhdojë të na ndihmojë edhe në kohërat më të mira si dhe në momentet më të vështira.   Si Amerikanë që jemi, të mos harrojmë kurrë fquinë e lutjeve dhe madhështinë e Krijuesit tonë, ka thënë Presidenti amerikan, në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtare të Lutjeve, të ënjtën e parë të Majit që kaloi. 

Përballë kësaj historie dhe kulture fetare amerikane është e vështirë të marrim me mend politikanët e sotëm shqiptarë anë e mbanë trojeve –që përballë sfidave të mëdha me të cilët përballen sot shqiptarët — që në ditë të mira e të vështira — t’i drejtohen Zotit me lutjet e tyre për ndihmë dhe për bekim, për veten, për familjet e tyre e mbi të gjitha për Kombin e vet.   Që të pakën njëherë në vit të tregojnë përvujtërinë e tyre duke iu drejtuar Krijuesit për ndihmë dhe për bekim, siç ndodhë këtu në Amerikë me politikanët amerikanë, duke filluar nga presidenti.   Por duke shfletuar disa gazeta të vjetra të diasporës shqiptare të pas luftës, zbulova se — në një kohë kur Enver Hoxha ndonëse mohonte ekzistencën e Zotit, ai njëkohësisht i kishte deklaruar luftë Perendisë duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë – diaspora anti-komuniste shqiptare në Romë kishte Lutjen e saj për Ditën e Pavarësisë Kombëtare të të gjithë Shqiptarëve, pa dallim, “Lutja e Shqiptarit për Ditën e Flamurit”.   Nuk dihet autori i kësaj lutjeje që është botuar në gazetën e imigracionit politik shqiptar, “L’Albanie Libre” që botohej në Romë.   Është botuar në gazetën, ”L’Albanie Libre” me 28 Nëntor, 1961.  Është një lutje, që nuk i përket asnjë feje në veçanti, por është gjithëpërfshirse, pan-shqiptare, pa dallim feje, krahine e ideolgjie, drejtuar “Perendisë që është “Një për të Gjithë Shqiptarët e mbarë njerëzimin”, sipas lutjes.   Është një lutje drejtuar Zotit të Gjithëpushtetshëm, në atë periudhë historike, në kulmin e luftës së ftohtë.

E përzgjodha këtë lutje për lexuesin për dy arsye.   Një, sepse është një lutje gjithnjë aktuale edhe për gjëndjen e sotëme aktuale të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta, megjithëse është shkruar pothuaj 60-vjetë më parë.   Arsyeja tjetër është për të treguar dallimet në pikëpamjet dhe në botëkuptimet e këtyre burrave emigrantë antikomunistë shqiptarë në krahasim me regjimin e Enver Hoxhës që i kishte dëbuar nga Atdheu i tyre dhe i cili kishte filluar procesin e të ashtuquajturit “revolucion kulturor” alla kinezçe në Shqipëri, duke zhdukur nga faqja e dheut çdo ndikim dhe paraqitje fetare , pasi kishte eliminuar ose burgosur një numër të madh të klerikëve shqiptarë.   Një çmenduri vërtetë e një udhëheqsi të krisur dhe një tragjedi kombëtare!    Pason teksti i plotë i “Lutjes së Shqiptarit në Ditën e Flamurit”, drejtuar Perendisë nga përfaqsues të emigracionit antikomunist shqiptar pas luftës së dytë Botërore.   

Është një lutje që i kërkon falje por edhe ndihmën e Perëndisë për “fajet e merituara” pasi duke “mohuar urdhërat Tua, u armiqësuam ndërmjet veti na shqiptarët”, ndërkohë që na “mungojnë ndjenjat vëllazërore”, ndërsa “zemrat tona po kalben në urrejte, o Perendi”, duke i kërkuar Zotit të “përtërij zjarrin e dashurisë që vëllazëron, po deshte me na shpëtuar” dhe kërkon Afshin shelbues të vllaznisë Kombëtare”   Vijon teksti i plotë i “Lutja e Shqiptarit në Ditën e Flamurit”:

“O Perendi,që je Një për të gjithë Shqiptarë e mbarë njerërzimin,

Prire syrin Tëndë të mëshirshëm kah vuajtjet tona. 

Lehtëso peshën e mjerimeve që rëndon tash qindra vjetësh mbi kurrizin

e shpinës së kombit.

Ndoshta jemi fajtorë para Teje e Ti kërkon pastrimin tone nepër pendesën e merituar të fajeve.

Pra O Zot, mjaft jemi dërmuar e flijuar në rrokullim të motive,

Por megjithëkëtë jemi gati t’i shlyejmë mëktatet me dënesë e lotë,

Mjaft që përdëllesa e Jote ta ndrisë si rreze këndellëse fatin tonë të terratisur.

Çdo Arbnorit, Ti i falë dy gisht nderë në shteg të ballit.  Na u përpoqëm që dhuratën Tënde ta ruajmë nepër ndjekjen e gojdhanave stërgjyshore.

Por tepër gjat errësira na ka mbuluar errërsira. Tepër shumë rrufe zharritëse shkrepën mbi ne, tepër armiq prap na ndrydhin jetën anë e kand.

E jemi vetëm në këtë shekull, ku nuk punon e drejta dhe ku i shlyen gjurmët burrënisë.   Duke mohuar urdhërimet Tua, u armiqësuam ndërmjet veti na Shqiptarët, kështuqë na mungon, në çaste ngushtice, ngushullimi i ndiesisë vëllëzërore.  Ajli, zemërat tona u kalbën në resë e në urrejtje, o Perendi.

Përtërije Ti zjarrin e dashurisë që vëllazëron, po deshte me na shpëtuar.   Na jep në këtë ditë në të cilën kremtohen lidhjet e gjakut të përbashkët, afshin shëlbues të vëllazërisë kombëtare.   Bën që loti e vuajtja të ringjallin ndiesinë vëllazërore. Ban që ndiesija vëllazërore të jetë krypa e bukës tonë të përditëshme, drita e fjalëve që na burojnë në buzën e rreshkur  për krojet e humbura të atdheut, paalci I çdo veprimtarisë tone, flatra e deshirave flakruese kah  ka ato agime të bardha që Ti o Drejtësi e pambarueme, sigurisht na ke ruajtur në fund të stinave të mjerimit.

Na liro nga vneri i mënisë e i smirës dhe atëherë do të ngrehemi në dritën e kohërave të reja  për tu nisur me bekimin Tëndë kah vallja e agimeve fatbardha  që ngjallin pranverën mbi murana të Dëshmorëve të Lirisë, sjellin  hare lumnuese në prak të kasollave sot të mbytura në vaj dhe zgjojmë hymne galdimi në gojë të breznive të njoma për më të madhin lavd të Flamurit, tekembramja ngallënjyes  mbi çdo hije përdhunuese”.

Në deklaratën e tij me rastin e Ditës Kombëtre të Lutjeve në vitin 2015 këtu në Shtetet e Bashkuara, ish-Presidenti Barack Obama, është shprehur se, “Kur lutemi, kujtohemi se nuk jemi vetëm – dhe se shpresa jonë është një shpresë e përbashkët.   Lutja na kujton të ndajmë të mirën e të keqen me njëri tjetrin, na kujton gjithashtu se të gjithë jemi bij dhe bija të Perendisë….dhe se në periudha të vështira dhe përballë sfidave që shpesh duken të pa përballueshme, lutjet janë një forcë e fuqishme për paqë, drejtësi dhe për një të ardhme më të mire dhe më të ndritur….”

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-LUTJA E SHQIPTARIT

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë

July 29, 2019 by dgreca

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë/

*Nga Nebil Çika */

Tiranë 29 Korrik 2019/Kalvarit të të ashtuquajturës hapje e dosjeve të Sigurimit të Shtetit i është shtuar edhe një tjetër pengesë serioze. “Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” ka vënë në zbatim një VKM që detyron të përndjekurit politike antikomunistë, familjarët e tyre, studiuesit, gazetarët e të tjerë të interesuar për këto dosje të paguajnë para në se duan të marrin informacionin që kërkojnë.

Kjo VKM është në vazhdën e përpjekjeve që qeveria Rama, në konflikt interesi, po bën për të mbuluar me çdo kusht krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

Ky akt është vazhdimësi e krimit komunist jo vetëm për faktin se po u kërkohet para nga shteti, viktimave për informacionin mbi krimet që vetë shteti ka kryer mbi ta dhe familjarët e tyre, por edhe për faktin se shumica e tyre nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë për të parë gjëmën e tyre.

Për ta bërë më të kuptueshme po ju sjell një shembull konkret. Familjarëve të Havzi Nelës poetit antikomunist të varur në 1988 ju duhen sot më shumë se 1 milionë lekë të vjetra rreth 1 mijë euro për të marrë dosjen e tij.

Bëhet fjalë për një dosje voluminoze rreth 4 mijë faqe pasi ka hetime për një arratisje, tre dënime politike, një internim; pra pesë dosje që përmbajnë brenda nga tre dosje secila. 1- dosje përpunimi. 2- dosje hetimore , 3-dosje gjyqësore, pra në total 15 dosje voluminoze. Për ti marrë të gjitha këto, përfshi edhe vendimin për varjen e tij të firmosur nga i ati i kryeministrit, Kristaq Rama, atyre do t’iu duhet ti paguajnë para shtetit shqiptar.

Aplikimi i kësaj praktike ka bërë që shumë nga të përndjekurit politike dhe studiuesit e krimeve të komunizmit të tërhiqen nga kërkesat e tyre për të marrë nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të dhëna mbi persekutimin dhe persekutorët komuniste, që ne besojmë se është edhe qëllimi kryesor i vendosjes së kësaj tarife kriminale nga qeveria.

Kjo sjellje e qeverisë me të përndjekurit politikë të komunizmit nuk është një risi, është vazhdimësi e qartë e politikave të luftës së klasave dhe përpjekjeve të persekutorëve komunistë në pushtet dhe pinjollëve të tyre politikë, juridikë e gjenetikë, për të bllokuar zbardhjen e krimeve dhe të autorëve të tyre.

Kjo VKM, praktikisht i jep fund çdo pretendimi se shteti shqiptar “po hap” dosjet e krimeve të komunizmit. Pas ligjit gjysmak të përgatitur nga kjo qeveri, po i shtohet edhe kjo “taksë gjaku” që xhelatët po ju vendosin viktimave të tyre duke i detyruar të blejnë informacionet për krimet, torturat, burgosjet, internimet, përndjekjet dhe autorët e tyre.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë e indinjuar nga kjo VKM i kërkon qeverisë anulimin e menjëhershëm të saj. Ndërsa Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i kërkon pezullimin e menjëhershëm të “taksës së gjakut”.

Ne i kërkojmë opozitës, opinionit publik dhe përfaqësive diplomatike të institucioneve e vendeve perëndimore, të ushtrojnë gjithë influencën dhe presionin e mundshëm, në ndalimin e këtyre politikave e praktikave të zbatuara nga qeveria Rama, si vazhdimësi e politikave komuniste të luftës së klasave ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë, duke bërë të pa mundur zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve që komunistët kryen ndaj tyre.

*Kryetar i Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë- DEKLARATE PËR SHTYP E SHOQATES

Filed Under: Politike Tagged With: Nebil Cika- taksa e Gjakut

MBROJTJA E TEATRIT KOMBETAR DHE LARGIMI I EDI RAMES

July 28, 2019 by dgreca

Shtëpia e Edgar Allan Poes 222 vjeçare mbrohet nga shteti ndryshe nga Teatri Kombëtar që në 80 vjetorin e ndërtimit rrezikon të shembet nga shteti !/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Një mikja ime e dashur në New York kishte vënë në rrjetin social foton e shtëpisë së Edgar Allan Poe-s, autorit të Korbit përkthyer nga Fan Noli, të Eurekës, poemës në prozë mbi Big Bang-n, kozmogoninë;  të Eldorados, që ka në qendër kalorësin në kërkim të qytetit të artë, të begatisë, që edhe kur vdes hija e tij vazhdon ta kërkojë këtë qytet që nuk e ka gjetur deri sot askush.

Edgar Allan Poe njihet edhe si mjeshtër i narracionit të shkurtër, horrorit dhe është nga shkrimtarët më të mëdhenj Amerikanë. Ai lindi në Boston më 19 janar 1809 dhe vdiq në Baltimora më 7 tetor 1849, ndërsa një pjesë të mirë të jetës e kaloi në shtëpizën që njihet me emrin Edgar Allan Poe Cottage dhe ndodhet pjesën veriore të Parkut, që mban edhe ky emrin e poetit, në Bronx, New York.

Mikesha ime e afërt që jeton në New York e kishte fotografuar shtëpizën e Edgar Allan Poe dhe pastaj kishte komentuar: “Këtu në park – ku ndodhet shtëpia e Edgar Allan Poe – Edgar Allan Poe Cottage, në Bronx, New York, është një vend shumë i mirë ku mund të ndërtohen dhjetë a njëzet pallate, por nuk i ka bërë kush!”

Bën ironi mikja ime e dashur, në përgjigje të çmendurisë dhe babëzisë kriminale që e ka kapluar kryeministrin shqiptar në ikje, të cilit ia ka marrë shpirtin e mendjen qoftë largu e ka vendosur  të shembë Teatrin Kombëtar, “si mbeturinë fashiste”! Por harron se “mbeturina fashiste” janë të gjitha ndërtesat në qendër të Tiranës, korpusi i Universitetit, Akademia e Arteve, kryeministria, selitë ministrore, bashkia e Tiranës etj.

Kryeministri ciniko-shallvaregjërë e kthen në zero kontributin treçerek shekullor të Artistëve shqiptarë dhe llogarit vetëm 4 vite, duke konfonduar në mënyrë të djalltë Duçen me ndërtesën! Mendoni se ku do të kantandisej Roma po të shembeshin ndërtesat e kohës së Musolinit prej 1922 deri më 1943, nëse do të shkonin pas mendjes të korruptuar e të çmendur të Edi Ramës.

Teatri ka mbushur 80 vjet këtë vit, por në vend të festimeve, Artistët i kanë dalë në mbrojtje ta shpëtojnë nga shembja, edhe duke u tërhequr zvarrë nga policia e kryeministrit të tërbuar, që  lejet e ndërtimit i jepte duke marrë “pizzo”. Në zhargonin italian “pizzo” quhet zhvatja që mafia i bën biznesit. Edi Rama ka marrë pizzo për 15 vjet sa ishte kryetar bashkie, por pizzo-ja në shkëmbim me shembjen e  Teatrit Kombëtar i ve kapakun si kulmi i të gjithë aferave korruptive të kryeministrit me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të lidhur me mafien.

Me logjikën e mafies kryeministri në ikje i është qepur edhe Teatrit Kombëtar, që sot e mbrojnë jo vetëm të gjallët, por edhe të gjithë ata artistë dhe artiste që kanë interpretuar në skenën e tij. Teatri Kombëtar duhet të rikonstruktohet me standartet bashkëkohore, por duke ruajtur gjithçka si ditën e inaugurimit në vitin 1939.

Ndryshe nga barbari në ikje, Amerikanët e mbrojnë shtëpizën e Edgar Allan Poes. Shtëpia është e zakonshme nga arkitektonika, fare e thjeshtë por me vlera të çmuara kulturore. Ajo e ruan pamjen që ka patur kur poeti banonte aty. Shtëpia ndodhet në park, ku mund të ishin ndërtuar plot billdingje dhe ndoshta mund të ketë patur shumë biznesmenë amerikanë t’ia kenë vënë syrin, por nuk ka mundur kush që t’ia prishë qetësinë vilëzës së poetit, që rri aty, në pritje të vizitorëve, në pritje të viteve e shekujve, e mbrojtur prej vitit 1975 nga Bronx County Historical Society, si pjesë e Institucionit te Besueshmërisë Historike – Historic House Trust.

Në këtë shtëpizë poeti ka jetuar me të jëmën, Marien dhe Virxhinian, gruan e tij të dashur që iku nga jeta shumë herët. Poemën “Annabel Lee”, përkthyer edhe kjo mjeshtërisht nga Fan Noli, Edgar Allan Poe ia ka kushtuar pikërisht Virgjinias.

Shtëpia besohet se është ndërtuar në vitin 1797, pra është 222 vjeçare, por askujt nuk i shkon mendja që ta shembi, përkundrazi. Nëse dikush do ta bënte, natyrisht që ose do të përfundonte në çmendinë ose në burg, pasi kjo shtëpi është pjesë e trashëgimisë kulturore të Amerikës dhe amerikanëve.

Dhe jo vetëm kaq. Ka disa Muzeume të Edgar Allan Poe-s. Për shembull, në Baltimore, shtetin Maryland, është kthyer në muzeum shtëpia ku ja jetuar poeti në vitin 1930. Edhe kjo shtëpi muzeale është pjesë e Historisë Kombëtare. Një tjetër muzeum i Poes është në Richmon, shtetin Virxhinia. Poeti nuk ja banuar në ndërtesën që është kthyer në muzeum, por ka mjaftuar fakti që ka jetuar një kohë në Richmon për ta kthyer atë kohë në thesar të kulturës dhe pikë të Referimit të Historisë Kombëtare, për të mos u harruar dhe për t’u kujtuar nga gjeneratat që vijnë.

Gjysma e shqiptarëve nga shteti amë  jetojmë në Perëndim dhe askush nuk i prek ndërtesat me vlerë historike apo kulturore, përkundrazi qendrat e qyteteve konservohen, vetëm rikonstruktohen, si kulturë materiale arkitektonike e identitetit kombëtar. Perëndimi do ta kishte shumë lehtë që t’i shembte qendrat e vjetra të qyteteve dhe të ndërtonte rokaqiejë modernë, por Perëndimi nuk është as mafioz, as i çmendur dhe as me ndergjegje sadiste si edi rama, largimi i të cilit nga politika është obligim kombëtar, sikur obligim kombëtar është edhe mbrojtja e Teatrit Kombëtar.

Fotografia e Irma Dega

Edgar Allan Poe Cottage

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj-Mbrojtja e Teatrit-Largimi-Edi Rames-Edgar Poe'

LE TË NISEMI SË BASHKU!

July 27, 2019 by dgreca

NGA NEXHAT PESHKEPIA*/

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji. Po të nisemi nji nga nji, mund t’a humbasim rrugën, do të mërzitemi nga vetmia dhe do të dëshpërohemi.

         Po të jemi vetëm, kush do të na mbrojë shpinën? Dhe anmiku asht djallzor: ai shtie mbas shpine.

              Por, po të nisemi së bashku, rrugën nuk do t’a humbasim, nuk do të mërzitemi sepse do të këndojmë së bashku kangët e trimnisë.

          Beteja e fundit do të jetë e jona, sepse kur të hidhemi në zjarrin e ndeshjes, zemra nuk do të na lëshojë.

        Nuk duhet të thomi:”Atdheu ka humbë”, ose  “Trathtarët e shitën Atdheun”. ….     Fjalë pa kuptim sepse Atdheu as humbet as shitet.

Atij që thotë:

“Atdheu asht larg dhe s’arrihet dot”, atij ne duhet t’i thomi:”Nuk asht Atdheu që asht larg teje, por asht zemra tande që asht larg Atdhut”

             Ka dhe nga ata që thonë: “Për ne, Atdheu ka vdekë”.

       Atij që thotë ashtu, gjaku i asht bamë ujë. Kur t’a shifni, ndërroni rrugë. Përveç që bajnë mëkat, sepse Perëndia, Atdheun, e ka krijue të përhershëm….Por ne duhet të thomi:”Atdheu sot po vuen. Disa ia kanë grabitë Lirinë, dhe përpiqen t’ia marrin edhe shpirtin”. Ata, që në shpirt nuk besojnë.”

   Por ne duhet të thomi:

              Le të nisemi së bashku e t’ia zgjidhim zinxhirët, Atdheut. Ta lirojmë nga zgjedha e t’a kthejmë Zot më vete, siç ka qenë dhe siç i ka hije. Së bashku t’a stolisim Atdheun me rrobat më të çmushme, t’i vëmë në kryet Kunorën e Lirisë, t’a ulim në Fronin e artë plot lavdi, të gjunjëzohemi te kambët e tij e t’i falemi.

Oh, ju lutem, dëgjomëni!

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji.

         Le të nisemi së bashku e të bashkuem, dhe do t’a shifni se do t’ia arrijmë qëllimit:

– DO T’A LIROJMË ATDHEUN!

*Ripublikuar sot tek Gazeta “DIELLI”

….një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, më 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth Atdheut, jo një nga një, por të gjithë së bashku. (Frank Shkreli)

Filed Under: Politike Tagged With: Nexhat peshkepia-Le te nisemi se bashku

DOPOLAVOROT FASHISTE NË KOKËN E KRYEMINISTRIT

July 27, 2019 by dgreca

  Nga Kolec  P.TRABOINI/   Ja çfarë thotë e shkruan kryeministri i vendit tonë, kryeqeveritari i një populli që në saj të udhëheqësisë së “ndritur” po merr arratinë nga sytë këmbët në këto ditë të nxehta korriku: “…historisë së teatrit kombëtar. E cila s’ka asnjë lidhje me muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune./ Edi Rama, 27 korrik 2019” .

Ky kryeministri ynë, që pretendon të jetë artist e të ketë qenë pedagog arti, as nuk merr mundimin ti referohet historisë sepse shkon sipas avazit të Luigjit të XIV “Shteti jam unë” dhe rrjedhimisht vetëm çfarë them unë është e vërtetë. Shqetësues është fakti se nuk është hera e parë që bën kësisoj. Por le ti referohemi vetëm rastit të fundit ku ai e quan ndërtesën e Teatrit Kombëtar “karaktinë e “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane”. Ndërtesa nuk ka të bëjë në asnjë sens me ato që thotë zoti kryeministër. Ajo është porositur nga shteti shqiptar me vendim zyrtar, me firmë e vulë dhe është projektuar në vitin1938. Po atë vit kanë nisur ndërtimi. Nuk është ndërtim i përkohshëm, siç e cilëson kryeministri, por ndërtim i përhershëm. Po a përmbledhim historinë e këtij teatri që qeveritarët i janë qepur për ta rrënuar ne kuadrin ne PPP (lexo: partneriteti privat pushtet për grabitje të pronave publike): -U porosit nga Qeveria Shqiptare më 1938. -U projektua nga arkitekti i njohur Italian Giulio Berté. -Firma projekt – zbatuese “Pater – Construzioni Edili Speciali Milano” -Ndërtesa është e stilit futurist, modern për kohën. -Nisi punimet në vitin 1938. -U përfundua e inaugurua me 8 gusht 1939. -Një gazetë shqiptare për këtë ngjarje shkruante: “Inaugurimi në Tiranë i lokalit modern për kinema-theatër ….ka një madhësi prej 1000 vendesh të ndame në dy rende… me qëllim që t’ u japi spektatorëve zbavitje në kryeqytet në një seli të denjë zotnijsh dhe elegante.” Tani i nderuar kryeministër a mund ti shpjegoni komunitetit e artistëve dhe artdashësve shqiptarë ku është tallashi, ku është karakatina, ku është ngrehina e përkohshme dhe kush e ka projektuar, arkitekti i madh italian, Giulio Berté apo ushtarët e dopo-lavoros tënde që një zot e di se ku e ke gjetur? A është në stilin e stallave të kuajve apo e stilit modern futurist për kohën. Zoti Kryeministër, kur mbani fjalime të pafundme e të pandalshme, kur shkruani pa u lodhur e rraskapitur natë e ditë në Facebook dhe në Twiter, është mirë të mbash pranë një kovë akull… se vapa e korrikut mund të ndikojë në superxhiron e mendimeve e të dalin jashtë kontrollit. E këto ndër ne nuk janë gjëra të pa ndodhuna. Se edhe Flamurin e Deçiqit ja hoqe Ded Gjo Lulit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në mes të cilëve edhe im atë, dhe pa tu dridhur syri ja faturove dy endacakëve, Lolit dhe Colit nga fshatrat e jugut. Këtë shënim, zoti Kryeministër, më kot u mundova ta vë në morinë e faqeve të tua elektronike, sepse nga të gjitha më keni bllokuar, ju personalisht ose nga sejmenët e tu që i mban me bukë me qëllimin e lartë fisnik që të lëvrijnë si viruse elektronike. 27 korrik 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Kolec P. Traboini- teatri Kombetar-Edi Rama- Dopo Lavoros

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 412
  • 413
  • 414
  • 415
  • 416
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT