Shtëpia e Edgar Allan Poes 222 vjeçare mbrohet nga shteti ndryshe nga Teatri Kombëtar që në 80 vjetorin e ndërtimit rrezikon të shembet nga shteti !/
NGA ELIDA BUÇPAPAJ/
Një mikja ime e dashur në New York kishte vënë në rrjetin social foton e shtëpisë së Edgar Allan Poe-s, autorit të Korbit përkthyer nga Fan Noli, të Eurekës, poemës në prozë mbi Big Bang-n, kozmogoninë; të Eldorados, që ka në qendër kalorësin në kërkim të qytetit të artë, të begatisë, që edhe kur vdes hija e tij vazhdon ta kërkojë këtë qytet që nuk e ka gjetur deri sot askush.
Edgar Allan Poe njihet edhe si mjeshtër i narracionit të shkurtër, horrorit dhe është nga shkrimtarët më të mëdhenj Amerikanë. Ai lindi në Boston më 19 janar 1809 dhe vdiq në Baltimora më 7 tetor 1849, ndërsa një pjesë të mirë të jetës e kaloi në shtëpizën që njihet me emrin Edgar Allan Poe Cottage dhe ndodhet pjesën veriore të Parkut, që mban edhe ky emrin e poetit, në Bronx, New York.
Mikesha ime e afërt që jeton në New York e kishte fotografuar shtëpizën e Edgar Allan Poe dhe pastaj kishte komentuar: “Këtu në park – ku ndodhet shtëpia e Edgar Allan Poe – Edgar Allan Poe Cottage, në Bronx, New York, është një vend shumë i mirë ku mund të ndërtohen dhjetë a njëzet pallate, por nuk i ka bërë kush!”
Bën ironi mikja ime e dashur, në përgjigje të çmendurisë dhe babëzisë kriminale që e ka kapluar kryeministrin shqiptar në ikje, të cilit ia ka marrë shpirtin e mendjen qoftë largu e ka vendosur të shembë Teatrin Kombëtar, “si mbeturinë fashiste”! Por harron se “mbeturina fashiste” janë të gjitha ndërtesat në qendër të Tiranës, korpusi i Universitetit, Akademia e Arteve, kryeministria, selitë ministrore, bashkia e Tiranës etj.
Kryeministri ciniko-shallvaregjërë e kthen në zero kontributin treçerek shekullor të Artistëve shqiptarë dhe llogarit vetëm 4 vite, duke konfonduar në mënyrë të djalltë Duçen me ndërtesën! Mendoni se ku do të kantandisej Roma po të shembeshin ndërtesat e kohës së Musolinit prej 1922 deri më 1943, nëse do të shkonin pas mendjes të korruptuar e të çmendur të Edi Ramës.
Teatri ka mbushur 80 vjet këtë vit, por në vend të festimeve, Artistët i kanë dalë në mbrojtje ta shpëtojnë nga shembja, edhe duke u tërhequr zvarrë nga policia e kryeministrit të tërbuar, që lejet e ndërtimit i jepte duke marrë “pizzo”. Në zhargonin italian “pizzo” quhet zhvatja që mafia i bën biznesit. Edi Rama ka marrë pizzo për 15 vjet sa ishte kryetar bashkie, por pizzo-ja në shkëmbim me shembjen e Teatrit Kombëtar i ve kapakun si kulmi i të gjithë aferave korruptive të kryeministrit me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të lidhur me mafien.
Me logjikën e mafies kryeministri në ikje i është qepur edhe Teatrit Kombëtar, që sot e mbrojnë jo vetëm të gjallët, por edhe të gjithë ata artistë dhe artiste që kanë interpretuar në skenën e tij. Teatri Kombëtar duhet të rikonstruktohet me standartet bashkëkohore, por duke ruajtur gjithçka si ditën e inaugurimit në vitin 1939.
Ndryshe nga barbari në ikje, Amerikanët e mbrojnë shtëpizën e Edgar Allan Poes. Shtëpia është e zakonshme nga arkitektonika, fare e thjeshtë por me vlera të çmuara kulturore. Ajo e ruan pamjen që ka patur kur poeti banonte aty. Shtëpia ndodhet në park, ku mund të ishin ndërtuar plot billdingje dhe ndoshta mund të ketë patur shumë biznesmenë amerikanë t’ia kenë vënë syrin, por nuk ka mundur kush që t’ia prishë qetësinë vilëzës së poetit, që rri aty, në pritje të vizitorëve, në pritje të viteve e shekujve, e mbrojtur prej vitit 1975 nga Bronx County Historical Society, si pjesë e Institucionit te Besueshmërisë Historike – Historic House Trust.
Në këtë shtëpizë poeti ka jetuar me të jëmën, Marien dhe Virxhinian, gruan e tij të dashur që iku nga jeta shumë herët. Poemën “Annabel Lee”, përkthyer edhe kjo mjeshtërisht nga Fan Noli, Edgar Allan Poe ia ka kushtuar pikërisht Virgjinias.
Shtëpia besohet se është ndërtuar në vitin 1797, pra është 222 vjeçare, por askujt nuk i shkon mendja që ta shembi, përkundrazi. Nëse dikush do ta bënte, natyrisht që ose do të përfundonte në çmendinë ose në burg, pasi kjo shtëpi është pjesë e trashëgimisë kulturore të Amerikës dhe amerikanëve.
Dhe jo vetëm kaq. Ka disa Muzeume të Edgar Allan Poe-s. Për shembull, në Baltimore, shtetin Maryland, është kthyer në muzeum shtëpia ku ja jetuar poeti në vitin 1930. Edhe kjo shtëpi muzeale është pjesë e Historisë Kombëtare. Një tjetër muzeum i Poes është në Richmon, shtetin Virxhinia. Poeti nuk ja banuar në ndërtesën që është kthyer në muzeum, por ka mjaftuar fakti që ka jetuar një kohë në Richmon për ta kthyer atë kohë në thesar të kulturës dhe pikë të Referimit të Historisë Kombëtare, për të mos u harruar dhe për t’u kujtuar nga gjeneratat që vijnë.
Gjysma e shqiptarëve nga shteti amë jetojmë në Perëndim dhe askush nuk i prek ndërtesat me vlerë historike apo kulturore, përkundrazi qendrat e qyteteve konservohen, vetëm rikonstruktohen, si kulturë materiale arkitektonike e identitetit kombëtar. Perëndimi do ta kishte shumë lehtë që t’i shembte qendrat e vjetra të qyteteve dhe të ndërtonte rokaqiejë modernë, por Perëndimi nuk është as mafioz, as i çmendur dhe as me ndergjegje sadiste si edi rama, largimi i të cilit nga politika është obligim kombëtar, sikur obligim kombëtar është edhe mbrojtja e Teatrit Kombëtar.
Edgar Allan Poe Cottage