NGA NEXHAT PESHKEPIA*/
Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji. Po të nisemi nji nga nji, mund t’a humbasim rrugën, do të mërzitemi nga vetmia dhe do të dëshpërohemi.
Po të jemi vetëm, kush do të na mbrojë shpinën? Dhe anmiku asht djallzor: ai shtie mbas shpine.
Por, po të nisemi së bashku, rrugën nuk do t’a humbasim, nuk do të mërzitemi sepse do të këndojmë së bashku kangët e trimnisë.
Beteja e fundit do të jetë e jona, sepse kur të hidhemi në zjarrin e ndeshjes, zemra nuk do të na lëshojë.
Nuk duhet të thomi:”Atdheu ka humbë”, ose “Trathtarët e shitën Atdheun”. …. Fjalë pa kuptim sepse Atdheu as humbet as shitet.
Atij që thotë:
“Atdheu asht larg dhe s’arrihet dot”, atij ne duhet t’i thomi:”Nuk asht Atdheu që asht larg teje, por asht zemra tande që asht larg Atdhut”
Ka dhe nga ata që thonë: “Për ne, Atdheu ka vdekë”.
Atij që thotë ashtu, gjaku i asht bamë ujë. Kur t’a shifni, ndërroni rrugë. Përveç që bajnë mëkat, sepse Perëndia, Atdheun, e ka krijue të përhershëm….Por ne duhet të thomi:”Atdheu sot po vuen. Disa ia kanë grabitë Lirinë, dhe përpiqen t’ia marrin edhe shpirtin”. Ata, që në shpirt nuk besojnë.”
Por ne duhet të thomi:
Le të nisemi së bashku e t’ia zgjidhim zinxhirët, Atdheut. Ta lirojmë nga zgjedha e t’a kthejmë Zot më vete, siç ka qenë dhe siç i ka hije. Së bashku t’a stolisim Atdheun me rrobat më të çmushme, t’i vëmë në kryet Kunorën e Lirisë, t’a ulim në Fronin e artë plot lavdi, të gjunjëzohemi te kambët e tij e t’i falemi.
Oh, ju lutem, dëgjomëni!
Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji.
Le të nisemi së bashku e të bashkuem, dhe do t’a shifni se do t’ia arrijmë qëllimit:
– DO T’A LIROJMË ATDHEUN!
*Ripublikuar sot tek Gazeta “DIELLI”
….një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, më 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth Atdheut, jo një nga një, por të gjithë së bashku. (Frank Shkreli)