Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë/
*Nga Nebil Çika */
Tiranë 29 Korrik 2019/Kalvarit të të ashtuquajturës hapje e dosjeve të Sigurimit të Shtetit i është shtuar edhe një tjetër pengesë serioze. “Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” ka vënë në zbatim një VKM që detyron të përndjekurit politike antikomunistë, familjarët e tyre, studiuesit, gazetarët e të tjerë të interesuar për këto dosje të paguajnë para në se duan të marrin informacionin që kërkojnë.
Kjo VKM është në vazhdën e përpjekjeve që qeveria Rama, në konflikt interesi, po bën për të mbuluar me çdo kusht krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.
Ky akt është vazhdimësi e krimit komunist jo vetëm për faktin se po u kërkohet para nga shteti, viktimave për informacionin mbi krimet që vetë shteti ka kryer mbi ta dhe familjarët e tyre, por edhe për faktin se shumica e tyre nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë për të parë gjëmën e tyre.
Për ta bërë më të kuptueshme po ju sjell një shembull konkret. Familjarëve të Havzi Nelës poetit antikomunist të varur në 1988 ju duhen sot më shumë se 1 milionë lekë të vjetra rreth 1 mijë euro për të marrë dosjen e tij.
Bëhet fjalë për një dosje voluminoze rreth 4 mijë faqe pasi ka hetime për një arratisje, tre dënime politike, një internim; pra pesë dosje që përmbajnë brenda nga tre dosje secila. 1- dosje përpunimi. 2- dosje hetimore , 3-dosje gjyqësore, pra në total 15 dosje voluminoze. Për ti marrë të gjitha këto, përfshi edhe vendimin për varjen e tij të firmosur nga i ati i kryeministrit, Kristaq Rama, atyre do t’iu duhet ti paguajnë para shtetit shqiptar.
Aplikimi i kësaj praktike ka bërë që shumë nga të përndjekurit politike dhe studiuesit e krimeve të komunizmit të tërhiqen nga kërkesat e tyre për të marrë nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të dhëna mbi persekutimin dhe persekutorët komuniste, që ne besojmë se është edhe qëllimi kryesor i vendosjes së kësaj tarife kriminale nga qeveria.
Kjo sjellje e qeverisë me të përndjekurit politikë të komunizmit nuk është një risi, është vazhdimësi e qartë e politikave të luftës së klasave dhe përpjekjeve të persekutorëve komunistë në pushtet dhe pinjollëve të tyre politikë, juridikë e gjenetikë, për të bllokuar zbardhjen e krimeve dhe të autorëve të tyre.
Kjo VKM, praktikisht i jep fund çdo pretendimi se shteti shqiptar “po hap” dosjet e krimeve të komunizmit. Pas ligjit gjysmak të përgatitur nga kjo qeveri, po i shtohet edhe kjo “taksë gjaku” që xhelatët po ju vendosin viktimave të tyre duke i detyruar të blejnë informacionet për krimet, torturat, burgosjet, internimet, përndjekjet dhe autorët e tyre.
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë e indinjuar nga kjo VKM i kërkon qeverisë anulimin e menjëhershëm të saj. Ndërsa Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i kërkon pezullimin e menjëhershëm të “taksës së gjakut”.
Ne i kërkojmë opozitës, opinionit publik dhe përfaqësive diplomatike të institucioneve e vendeve perëndimore, të ushtrojnë gjithë influencën dhe presionin e mundshëm, në ndalimin e këtyre politikave e praktikave të zbatuara nga qeveria Rama, si vazhdimësi e politikave komuniste të luftës së klasave ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë, duke bërë të pa mundur zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve që komunistët kryen ndaj tyre.
*Kryetar i Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë- DEKLARATE PËR SHTYP E SHOQATES