Veseli takon Senatorin demokrat Gary Peters dhe Kongresmenin republikan Vern Buchanan
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar në Washington Senatorin demokrat Gary Peters dhe Kongresmenin republikan Vern Buchanan, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së.Gjatë takimit me Senatorin Gary Peters, i cili është anëtar i Komitetit për Siguri Kombëtare në SHBA, kryeparlamentari Veseli foli për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e saj me ushtrinë amerikane.Senatori Peters, nga ana e tij, shprehu mbështetjen për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.Ndërsa në takim me Kongresmenin Vern Buchanan, kryeparlamentari Kadri Veseli ka diskutuar për çështjet tregtare dhe për nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.
Kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka potencial të zhvillimit ekonomik dhe tashmë ka infrastrukturë moderne për investitorë të jashtëm.
Ndërsa Kongresmenin Vern Buchanan, tha se është duke u interesuar që të nxisë kompani amerikane për të investuar në Kosovë në sektorë të ndryshëm.
***
Veseli takon kongresmenin amerikan Gerald E. Connolly: Flasin për të ardhmen e Kosovës në NATO
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur të hënën paradite në Washington në takim nga kongresmeni Gerald E. Connolly, kryesues i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan.
Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli e njoftoi kongresmenin me zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, ndërsa kanë diskutuar për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
Në 20 vjet liri që nga çlirimi, Veseli tha se Kosova ka arritur progres në të gjitha fushat falë bashkëpunimit të ngushtë me aleatët e përhershëm, SHBA-të dhe vendet mike perëndimore.
“Pas transformimit të FSK-së në ushtri, objektiv kryesor i Kosovës në fushën e sigurisë është anëtarësimi i plotë në Aleancën Veriatlantike, NATO”, tha Veseli.
Nga ana e tij, kongresmeni amerikan shprehu mbështetjen e SHBA-së për hapat e mëtejmë të rrugës euro atlantike të Kosovës.
“Kosova në të ardhmen e afërt duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO dhe BE dhe në këtë rrugëtim do ta keni mbështetjen e SHBA-së”, tha kongresmeni Gerald E. Connolly.
Gjatë këtij takimi, Veseli e informoi kongresmenin Gerald E. Connolly edhe për nismën e tij për formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ide kjo e cila u mbështet nga kongresmeni amerikan.
“Të gjithë kriminelët e luftës duhet të përgjigjen para drejtësisë për krimet që kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm. Duhet të vijë drejtësia në vend për viktimat e luftës”, tha kongresmeni Gerald E. Connolly.