• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të kujtohet e mos të harrohet

August 28, 2018 by dgreca

Nga Don Lush Gjergji/*

1 don Lushi libri

“Familjet katolike shqiptare në Shkup, (dokumente, fotografi, dëshmi I), studim dhe botimiInstituti i Trashëgimisë Shpirtërore e kulturore të shqiptarëve të Shkupit (2018), Acta non Verba. Autorë: Skender Asani, Albert Ramajm Natasha Didenko,  Shkup, 2018, f. 481.

Ky libër mbulon një zbrazëti dhe mangësi historike dhe aktuale për Shkupin e dikurshëm, sidomos sivjet   në 90 vjetorin e nisjes së Shën Nënës Tereze për misione në Indi.

“Memoria perditur”, po tretet kujtesa, pasi që çka nuk është shënuar dhe dokumentuar, si të mos kishte egzistuar.

“I mençuri shkruan, i marri mbanë në mend”, thotë fjala popullore, ose urtia latine: “Verba volant, scripta manent” – fjalët fluturojnë, shkrimet qëndrojnë. Mungesa e këtij qëndrim na ka dëmtuar shumë historikisht dhe aktualisht gati në çdo lëmi.

Prandaj,  të kujtohet e mos të harrohet,qortim historik dhe  gjithnjë aktual për ne.

Ky studim dhe botim është mjaft i qëlluar, i rrallë dhe specifik, deri diku i plotëson nevojat e historiografisë sonë kaq të mangët, të copëtuar dhe cunguar, të pranishme ende kryesisht nëpër arkiva të huaja, aty-këtu edhe ndër ne.

Botimi në fjalë është dy gjuhësor, shqip dhe anglisht, për një komunikim sa më të gjerë dhe domethënës.

Pjesa e parë i kushtohet Ipeshkvisë Shkup-Prizren nëpër shekuj, me trajtim të veçantë të disa figurave karizmatike, si Imzot Pjetër Bogdani,Toma Raspasani, Don Zef Ramja, Imzot Lazër Mjeda…

Një kapitulli i rëndësishëm i kushtohet shkollave katolike shqiptare në Shkup, si dhe kontributit të çmuar të Kolë Bojaxhiut në këtë drejtim.

Nuk lihet pasdore as figura e ndritur e Don Ndue Bytyqit, shkupjan, poet, shkrimtar, përthyes,  mësues, bamirës, patriot, fatkeqësisht pak i njohur dhe studiuar ndër ne.

Në këtë monografi përpunohen edhe figura e prof. Lorenc Antonit, njeri shumë i lidhur me familjen Bojaxhiu, sidomos me Gonxhen, nga i cili kam marrë shumë shënime, dëshmi dhe fotografi. Dua të theksoj se jeta e tij artistike ka filluar me Gonxhe Bojaxhiur, me komponimit e parë të poezisë së Hil Mosit, Në breg të liqenit, enkas për Gonxhen dhe Dranen (25 mars 1928), dhe ka përfunduar me komponimin e tekstit Lamtumirë,  (shtator të vitit 1991), që është himni i bamirësisë. OKB-ja, siç dihet, 5 shtatorin e ka shpallur Dita Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Nuk mungojnë as figurat tjera, si Dr. Don Gaspër Gjini, Vinçenc Gjini e tjerë.

Një kapitull i veçantë i kushtohet Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze dhe Nasta Mihillit, m. Gabriela, si motra të Loretos.

Botimi vijon me familje tjera shqiptare katolike: Antoni, Serreqi, Ukajdini, Gjini, Nreca, Marku.

Pjesa e fundit i paraqet varrezat katolike shqiptare në Shkup, si dëshmi e gjendjes së vështirë edhe për të vdekur, e jo më për të gjallë, me trysni të ndryshme. Libri përfundon  me historinë  e kishave në Shkup.

Përparësitë e këtij botimi:

  • Është studimi dhe libri i parë i tillë ndër ne;
  • Shpjegon dhe dokumenton me fakte, dëshmi dhe fotografi kontekstin familjar, shoqëror, fetar dhe kulturor të asaj periudhe në Shkup;
  • Argumenton trashëgimin historike shumëvjeçare, si mundësi për ta njohur Shkupin të atëhershëm tonë dhe të Gonxhe Bojaxhiut, kontekstin shpirtëror, kulturor, fetar dhe kombëtar që e linden, rriten dhe edukuan Nënën tonë Tereze.

Ndoshta, me ndonjë studim dhe botim të ardhshëm, mund të përpunohet më tepër famullia e “Zemrës së Krishtit”, veprimtaritë e ndryshme baritore, shkollore, edukative, fetare dhe kombëtare të meshtarëve që kanë ndikuar në edukim dhe formimin e Gonxhe Bojaxhiut në fëmijëri dhe rini,   ndihma e tyre për zbulimin dhe zbatimin e thirrjes rregulltare dhe misionare.

 * (Fjala në promovimin e librit Skender Asani, Albert Rama, Natasha Didenko, “Famljet katolike shqiptare në Shkup” (dokumente, fotografi, dëshmi I), Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, 2018, i mbajtur në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, më 26 gusht 2018)

Filed Under: Politike Tagged With: don Lush Gjergji, mos harrohet, Nene Tereza, te Kujtohet

DITA E VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT: T’I KUJTOJMË !

August 23, 2018 by dgreca

qiriu-ndezur

Nga Frank Shkreli/

23 Gushti është Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazismit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të 20-të që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të komunizmit dhe nazizmit.  Është një ditë e cila shënohet në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ndërkohë që njihet edhe si “Dita e Shiritit të Zi”.   Parlamenti Evropian ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/nacizmit, në vitin 2008 dhe ç’prej atëherë shënohet zyrtarisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo ditë përkujtimore mbështetet gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE).  Dita e 23 Gushtit është zgjedhur si ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe të nazismit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, pikërisht më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakort për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore.

Sipas protokolleve të fshehta të Traktatit komunisto-nazist, përcaktoheshin ekzaktërisht sferat territoriale të influencës së Gjermanisë dhe Rusisë në Evropë, pas një invadimi të suksesshëm të Polonisë, për të cilin kishin rënë dakort Moska dhe Berlini.  Sipas marrëveshjes, Rusia do të kontrollonte Letoninë, Estoninë dhe Finlandën, ndërsa Gjermania do të merrte Lituaninë dhe Danzing-un, ndërkohë që Polonia do ndahej, sipas këtij Pakti-komunisto-nazist, në tre zona të mëdha të cilat do bëheshin pjesë e territorit gjerman dhe rus.  Siç dihet nga historia, forcat e Hitlerit pushtuan Poloninë nga perëndimi me 1 shtator, 1939 — ndërsa gjithashtu sipas Paktit nazisto-komunist, forcat sovjetike pushtuan territorin e Polonisë më 27 Shtator të njëjtit vit, duke i dhënë fund kështu pavarësisë së shkurtër të Polonisë, prej dy dekadash.

Siç dihet — përveç faktorëve të tjerë — nënshkrimi i paktit komunisto-nazist Molotov-Ribbentrop, ishte fillimi i krimeve dhe i gjithë të këqiave anë e mbanë kontinentit të vjetër – dhe si rrjedhim e mori djalli një pjesë të madhe të Evropës dhe historinë e saj të përgjakshme e kontrolloi komunizmi ruso-sovjetik për pothuaj 50-vjet.  Një histori kjo e kontrolluar nga këto dy sisteme kriminale si-motra, që shkaktuan miliona viktima të pafajshme anë e mbanë Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik – viktima — Ditën e të cilëve e kujton sot e mbarë bota e qytetëruar, më 23 gusht 2018 dhe çdo vit.

Duhet kujtuar lexuesit se historia e kësaj “Ditë Kujtese” e ka zanafillën në  Perëndim. Në protestat që të arratisurit anti-komunistë nga vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, të vendosur pas Luftës së dytë Botërore në vendet perëndimore, mbanin çdo vit — pikërisht në këtë datë — nepër shumë qytete të perëndimit, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.   Më kujtohet se edhe Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe radio stacione të tjera ndërkombëtare perëndimore, nuk e harronin këtë ditë pëkujtimore, duke e shënuar me programe të posaçme, kushtuar viktimave dhe krimeve të komunizmit, që transmetoheshin anë e mbanë botës komuniste.  Më kujtohet gjithashtu se shumë nga gazetarët e Zërit të Amerikës me origjinë nga Evropa Lindore e Qëndrore, e sidomos ata me prejardhje nga vendet baltike, me të cilët punoja tek VOA gjatë ‘70-ave dhe ‘80-ave, vinin atë ditë në punë me shirita të zi në xhaketat e tyre, për të kujtuar, “në shënjë zije”, thoshin ata, jo vetëm ditën e zezë të nënshkrimit të Paktit komunisto-nazist, Molotov-Ribentropp por edhe viktimat e këtyre regjimeve diktatoriale që pasuan atë marrëveshje djallëzore, midis Hitlerit dhe Stalinit.                                       

Sivjet, edhe në Shqipëri me këtë rast janë kujtuar viktimat e komunizmit.  Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, ka organizuar gjatë ditëve të fundit disa aktivitete në kujtesë të vikitmave të komunizmit në Shqipëri.  Fillimisht organizoi, para disa ditësh, ekspozitën me titull, “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelëns”, ku u paraqitën dokumente arkivore dosjesh që dokumentojnë përndjekjen e ish-Siguimit të Shtetit në zonën e Tepelenës.  Pjesë e kësaj ekspozite ishin, sipas Autoriteteit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, edhe dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos dhe dhjetëra të tjera.

Më 23 Gusht, 2018, enti në fjalë, organizoi gjithashtu një Simpozium Shkencor mbi kuadrin historik dhe juridik të punës së detyruar, ndër të tjera aktivitete, si pjesë e aktiviteteve kushtuar “Ditës Muze/Memorial Tepelenë”. Këto veprimtari janë sponsorizuar nga projekti, “Përkujtojmë për të Shëruar dhe Parandaluar”, i PNUD të OKB-së në Shqipëri, me mbështetjen gjithashtu edhe të Qeverisë së Italisë, si dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në ceremoninë përkujtimore për të internuarit dhe vikitimat e kampit famëkeq në Tepelenë, në kuadër të “Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare” që u mbajtë në Tepelenë të ënjtën, njoftohet se mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta.  Gjatë qëndrimit të tij atje, Presidenti i Republikës, Z. Meta, sipas Zërit të Amerikës, do nderonte disa prej të mbijetuarve të atij kampi.

Dita Europiane për Përkujtimin e Viktimave të Sistemeve Totalitare”, është një ditë e cila, në të vërtetë nuk kërkon koment as shumë fjalë, por nevojitë reflektim të thellë dhe kujtesë të mëshirshme dhe të pyesim: PSE?

Filed Under: Politike Tagged With: DITA E VIKTIMAVE, Frank shkreli, TË KOMUNIZMIT: T’I KUJTOJMË !

Kampi i Tepelenës, jo Aushvic, por Gulag ?

August 22, 2018 by dgreca

Ku gabon dhe ku ka të drejtë, Joe Dioguardi/

1-rafael

Nga Rafael Floqi /

Çdo krahasim natyrisht çalon. Dhe një letër e Joe Dioguardit drejtuar kryetarit te Bashkisë së Tepelenës, botuar jo pa qëllim tek gazeta “Dita” me nëntitull ekskluziv, është një kurth i vogël spekulativ së kësaj gazete shqiptare, apo të “Tërmetit të Votës publicitar “ ku kanë rënë edhe figura të diasporës me vlerë kombëtare. si zoti Joe Dioguardi, kryetar i LQSHA, po ku edhe për arsye emocionale të kuptueshme edhe njerëzore u indinjuan, edhe mendje të ndritura si Prof . Sami Repishti apo z. Lekë Mirakaj, i mbijetuar i tmerreve të këtij kampi, të cilët shprehin jo pa dhimbje kundërshtimin e tyre të kuptueshëm dhe të drejtë, si përjetues e përvuajtës të atij tmerri dhe që kanë mbajtur vetë apo familjarisht, mbi shpinë e shpirt, si përvoja dhe gjurmë çnjerëzore të atij ferri komunist që kaluam.

Ideja e letrës personale dhe jo publike e zotit Dioguardi bëhet mendoj, jo që të mos kujtohen viktimat e krimeve komuniste, por për ruajtjen e asaj arritje, që ai ka bërë në lobimin e tij në bashkëpunim me lobin e fuqishëm izraelit në SHBA, pa bashkëpunimin e me të cilin, nuk do të kishte pasur sukses puna lobiste në favor te çështjes kombëtare shqiptare, si ajo e Kosovës, Ky motiv i zotit Dioguardi është qëllimmirë, po i ngushtë, i lidhur me lobimin e tij dhe raportet me lobin çifut dhe jo me kontekstin e gjerë të çështjes të Kampit të Tepelenës e të jehonës së tij famëkeqe në realitetin shqiptar.

Nuk dua të bëj avokatinë e tij, por ky duket se është motivi i kësaj letre. Ideja e emërtimit te kampit si Aushvic, ka në konotacion mjaft të fortë, dhe e parë me syrin e një amerikani, apo me atë të një izraeliti amerikan, me ngjyrimin e tij ky togfjalëshit emocional “Aushvici shqiptar “ le shteg për keqinterpretime, tingëllon në veshët e diasporës izraelite amerikane, mike të shqiptarëve , “Sikur shqiptarët kanë pasur një kamp ku vrisnin çifutët”.(Sic!) Kësaj ideje kërkon t’i qëndrojë sa më larg z. Dioguardi. Ndërsa çështja e të përndjekurve që duan të kujtojnë me të drejtë viktimat e krimet e pashoqe të kampit famëkeq të Tepelenës, ndoshta, nuk është aq e prekshme për të, por është thellësisht e dhimbshme, për të tjerët që kanë kaluar nëpër ferrin komunist. Prandaj theksoj se krahasimi me Aushvicin çalon.

“Don’t compare your life to others. You have no idea what they have been through”,

Mos krahaso përvojën tënde me të tjerëve,  thoshte oratori australian Sam Cawthorn, që e përshtatur lirshëm për këtë situatë, do të përkthehej : “ Mos e krahaso përvojën tënde jetësore me të tjerëve, pasi, ti nuk e di se çfarë kanë kaluar ata”.

Joe Dioguardi dhe pse mund ta ketë studiuar, duke mos e njohur në brendësi dhe thellësi emocionalisht realitetin e thelbin e regjimit komunist në Shqipëri në këtë apel ndaj kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, shqetësimi kryesor i tij, ashtu siç shkruhet në letër, dhe në letrën sqaruese mbi të, qëndron kryesisht tek emërtimi i këtij kampi si “Aushvic shqiptar”. “Gjatë kohës që unë isha kongresmen i Shteteve të Bashkuara, e vizitova Tiranën bashkë me kolegun tim kongresist, të ndjerin Tom Lantosh. shkruan ai. Gjatë takimit prej dy orësh e gjysmë me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, ne mësuam për herë të parë mbi një nga aktet më të nderuara dhe më fisnike të popullit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe ata që erdhën nga Europa Perëndimore përmes Kosovës në Shqipëri gjatë kohës së errët të holokaustit nazist. Vitet e fundit, së bashku me gruan time Shirley, jam munduar nëpërmjet iniciativave të panumërta të ndaj me publikun amerikan si dhe atë ndërkombëtar një nga tiparet më fisnike të kulturës Shqiptare, Besën, e cila na nderon të gjithëve ne. Prandaj, unë jam i shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Natyrisht kjo është perspektiva e tij dhe ai ka të drejtë në opinionin e tij.

Enver -Hitler

Ajo ku gabon z. Dioguardi është se reagimi i tij ka qenë emocional dhe i përdorshëm nga ata që kanë dashur ta bëjnë palë në synimin e shtrembërimit të historisë, në  mbulimin e krimeve të regjimit të Enver Hoxhës. Mendoj se ky është këndvështrimi e perspektiva e Dioguardit dhe nuk duhet harruar se ai e ka me të dëgjuar, jo me të përjetuar, njohjen e ferrit komunist shqiptar. Ai ndoshta, nuk arrin ta kuptojë, edhe atë që thirrjet e shqiptarëve “Enver –Hitler në momentet e grahmës së diktaturës, nuk ishin vetëm një parullë për hir të rimës, a thjesht një krahasim, por një realitet në Shqipërinë Komuniste, ku në vend të vizës mund të vije kur të doje shenjën e barazimit.

Gjykoni nga këto kujtime të një ish të burgosure në atë kamp:  “Në atë vit i gjithë vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit në ato kazerma, na katandisën në skelete shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysmë i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me radhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zieja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.” A ka Dante që të përshkruaj një ferr më të zi se ky ?

Hitleri apo Enveri: Kush ishte më i keqi?

Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, amerikanët u mësuan ta shihnin si Gjermaninë naziste ashtu edhe Bashkimin Sovjetik si të keqen më të madhe “ the great evil”. Hitleri ishte më i keq, sepse regjimi i tij përhapte tmerrin e pashembullt të Holokaustit, përpjekjen për të zhdukur një popull të tërë në baza racore. Megjithatë, Stalini ishte edhe më i keq, sepse regjimi i tij vrau shumë, shumë më tepër njerëz – dhjetëra miliona, si shpesh pohohej viktimat të pafundme të Gulagut  siberiane, ku çoheshin,  jo veç kundërshtarë politik e klasor, por edhe fshatarë të pasur kulakë. Për dekada, madje edhe sot, për të kuptuar ndjeshmërinë e SHBA ndaj nazizmit, mjafton të shohim kronikën e ditëve të fundit në TV  kur me porosi të Presidentit Donald Trump, agjencia e emigracionit dhe i kontrollit të doganave ICE, deportoi 95- vjeçarin me barelë Jakiw Palij nga shtëpia e tij në Queens, Nju Jork ,të hënën. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se Palij shërbeu si roje e armatosur në një kamp vdekjeje në Poloninë e pushtuar nga nazistët dhe më vonë gënjeu zyrtarët amerikanë të emigracionit për rolin e tij në ato mizori kur hyri në Uashington pas luftës si emigrant.”

Ky mendim për dallimin në mes të dy regjimeve i parë në raportin, cilësia kundrejt sasisë – ka vendosur rregullat bazë për politikën e kujtesës në qëndrimin ndaj dy diktaturave. Madje edhe historianët e Holokaustit, përgjithësisht pranojnë se Stalini vrau më shumë njerëz, sesa Hitleri, duke u vënë nën presion më të madh, për të theksuar karakterin e veçantë cfarosësh  të Holokaustit, pasi kjo gjë e bënte regjimin nazist më të keq se ai stalinist, praktika e së cilit i zbatoi deri në ekstrem e përtej atij, Enveri i ynë. Mjafton të kujtojmë ateizmin shtetëror të pa arritur në asnjë vend komunist. Por ka edhe një dallim të madh përgjithësisht mes të dyja këtyre dy praktikave të dhunës. Nëse holokausti synonte të zhdukte një racë e të mbronte racën e vet ariane, komunizmi synonte të zhdukte një klasë të së njëjtit popull. Mësim që Enveri e çoi me vullnet deri në zgrip dhe jo pa sukses…

Diskutimi i numrave mund të na çojë në një fare indiference në përjetimin tonë për karakterin e tmerrshëm personal të çdo vrasjeje dhe tragjedinë e pakapërcyeshme të çdo vdekjeje. Ndërsa kushdo që ka humbur një të dashur, në çfarëdo kampi përqendrimi, si unë gjyshin, e di se dallimi midis zeros dhe njëshit është një pafundësi. Dhe nëse duket e vështirë për ta kuptuar këtë, po e njëjta gjë është e vërtetë edhe për dallimin në mes, për shembull, mes numrave 780,862 dhe 780,863, që është shifra më e saktë i të vrarëve në Treblinka. Numrat e mëdhenj janë të rëndësishëm, sepse ata janë një shumë e numrave të vegjël: domethënë, janë shuma e jetëve individuale të çmuara të humbura. Sot, pas tri dekadash kërkimesh në arkivat e Evropës Lindore, dhe në sajë të punës së studiuesve: gjermanë, rusë, izraelitë dhe dijetarëve të tjerë, ne mund ta zgjidhim çështjen e shifrave. Tani dimë se gjermanët vranë më shumë njerëz sesa sovjetikët dhe shqiptarët për 1000 frymë më shumë se këta të fundit. Këtu kjo çështja e cilësisë, bëhet disi më komplekse se sa ishte menduar më parë. Vrasjet masive në Bashkimin Sovjetik, apo në Shqipëri, ndonjëherë përfshinin motivime, kombëtare dhe etnike, dhe krahinore që mund të jenë disi dhe të krahasueshme me motivet naziste. P.sh, si shpjegohet që shumica e të burgosurve të Kampit të Tepelenës ishin nga Veriu i Shqipërisë dhe të besimit katolik?

Skena e historisë shqiptare të pas luftës së Dytë Botërore ishte një “carbon copy “ e historisë dhe histerisë së Stalinit. Dhe nuk ka historianë amatorë apo profesionistë, patriotë por të majtë, si miqtë e mi Auron Tare, apo historiani Pëllumb Xhufi, ky i fundit sa i thellë dhe patriot është në fushën e historisë së Mesjetës, aq i cektë dhe mbrojtës lokalist, se mos njolloset Tepelena e tij, duke u bërë kështu verbërisht në një mbrojtës dogmatik të fshehjes së realitetit të zymtë të një periudhe të errët të diktaturës së Enver Hoxhës. Ndaj nuk është në nderin e Xhufit e Milos qëllimisht, dhe as të Dioguardit pa qëllim me gjithë meritat që kanë, që mbrojnë apo të klasifikojnë për çdo motiv një çështje të pambrojtshme, terrorin e komunisteve shqiptarë dhe gjenocidin mbi baza të afërsisë biologjike të gjakut. Dukuri e cila edhe për shkak të traditës kanunore dhe klanore të një vendi të vogël si Shqipëria u çua në ekstrem. Marksi fliste për luftë ekonomike klasash dhe ajo u shndërrua në Shqipëri në luftë biologjike ndaj fisit, familjes, genit.

“Një fushë përqendrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qenie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë kazerma, shkuan Elena Merlika Kruja në një dëshmi nga kampi E të mendosh se atëherë e gjithë popullsia shqiptare nuk arrinte në një milion! Vendi i zgjedhur ishte llogaritur deri në hollësitë më të imta: një ultësirë e gjerë, gati si një fushë e vogël beteje, e rrethuar pikërisht nga kazerma, bazë prapavije e ushtarake për ushtrinë italiane gjatë luftës italo – greke në vitet e luftës së dytë botërore. Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjemba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr për t’u ngrohur me rrezikun për të mbetur, të lidhur, gjithë natën jashtë në ngricë”.

Ndoshta kampi i Tepelenës nuk ishte ndërtuar qëllimisht për të zhdukur njerëz si “Aushvici” , por aty, pavarësisht se s’pati krematoriume  janë zhdukur njerëz të pafajshëm, gra, pleq, fëmijë, thjesht pse kishin lidhje, gjaku, fisi, geni me kundërshtarët e tyre politik.

Megjithatë pavarësisht motivit dhe mos njohjes së çështjes, apeli i Dioguardit, me dashje a  pa dashje, ku shkruan “Prandaj unë ju nxis, me autoritetin e Kryetarit te Bashkisë së Tepelenës të tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës”. Dhe, meqenëse Këshilli i qytetit tuaj ka kaluar një “rezolutë” mbi të ashtuquajturin “Memorial i Kampit të Shfarosjes të Tepelenës”, unë Ju nxis që zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë dhe, në se do të ishte e nevojshme, të linit popullin e Tepelenës të vendosë nëpërmjet një referendumi lokal nëse një njollë e tillë e pashlyeshme do të vendosej në qytetin e tyre të bukur dhe historik.”, barazohet me qëndrimet e historianëve dogmatikë.

“Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”

Mosnjohja nga ana e z. Dioguardi, nuk është argument justifikimi, siç thotë me të drejtë prof. Sami Rrepishti, , Ph.D ish i burgosun politik (1946-56).por indinjata e tij, sado e justifikuar, duket e tepruar “Kur shprehet :Letra ashte nji akt tradhtie te pabesueshme nga nji persone qe njeh mire situatën “. Por kjo është thellësisht e kuptueshme kur ai shkruan “Ne emën te nanës sime Hava Bushati-Repishti, te motres sime Hadije Repishti (14) dhe te vellaut te vogël Vehbi Repishti (11) denoj pa asnji mëshirë këtë akt skandaloz, ofendues, dhe nji thike mbas shpine per viktimat, shumica e te cileve kane qene femij te parritun akoma, dhe foshnje fare”.

Kush e ka jetuar, parë e dëgjuar ferrin që siç e përshkruhet në një dëshmi të një të mbijetuari në kampin famëkeq të Tepelenës që po e sjellim këtu :”Vetëm me 400 gramë bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjetër, edhe një tjetër… Kishte raste, 5-6 varre në ditë”, e di se e vërteta duhet mbrojtur.

Ndërsa në një bisedë një i njohuri i im i arratisur nga Vermoshi. Z. Nikollë Hysa, më tregonte se vetëm nga fshati Vermoshi i Prekë Calit, kishte 65 familje të izoluara në këtë kamp fatkeq me tregonte histori sureale, makabre nga jeta në atë kamp. Të papërfytyrueshme. “Një grua kishte dy binjakë si drita. Nga kushte e këqija nga të ftohtit nga mos ushqimi i vdes një foshnjë. Gratë e varrosin atë jashtë në oborr. Të nesërmen në gjumë vdes vetë nëna, ndërsa binjaku i mbetur pinte gji nga nena e vdekur”. A ka tragjedi greke që mund ta përshkruaj këtë skenë? Apo skenën e nënës që e pat zhvarrosur tre herë foshnjën e saj nga varri, sa herë që rojet e ndryshonin kufirin e rrethimit të kampit. Pasi donte të linte një shenjë që nëse dilte një ditë nga ai ferr, të kishte mundësi ta gjente, ashtu si edhe e gjeti varrin vetëm pas viteve 90-të, pasi e kishte varrosur pas një peme. Por Nikolla tregon edhe një skenë paradoksale që siç duket çoi në mbylljen e kampit.” Ishte mësuar se kampin do ta vizitonin këshilltarët ushtarakë sovjetikë, thotë ai . Dikush i organizoi fëmijët dhe me të hyrë disa nga oficerët sovjetikë, fëmijët e uritur, të mjerë, të dërmuar thërritën në kor një lutje një thirrje për jetën për diktatorin që t’u shpëtonte shpirtrat: “Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”

Thirrjet duket që prekën edhe vetë sovjetikët gjë që kuptuan se nxënësi Enveri ia kishte kaluar mjeshtrit Stalin, gjë që çoi më vonë, edhe në mbylljen e kampit. Dikush sot thotë se atje “nuk ka qenë edhe aq keq”, ndërsa një ndër pinjollët e ish-udhëheqjes komuniste, njëkohësisht edhe viktimë e saj, Bashkim Shehu, i biri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, në një intervistë të kohëve të fundit do të shprehej se në atë kamp ishte më keq, se burgu ku ai kishte vuajtur dënimin dhe se vdekshmëria foshnjore ishte aq e lartë, saqë vetë ata që e kishin ngritur vendosën ta mbyllnin.

Holokaustin e filluan nazistët e përfunduan komunistët

Që prej debatit për kampin e Tepelenës, ky i fundit është kthyer në simbolin e vuajtjes çnjerëzore nën komunizëm. Për t’i dhënë më shumë dritë, jo vetëm këtij debati, por edhe persekutimit komunist në këtë zonë të Shqipërisë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizoi në datën 20 gusht ekspozitën me titull “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”. Ky shihet si një hap pozitiv. Por duhet bërë më shumë. E keqja është e njëjtë. por reagimi dhe qëndrimi është i ndryshëm. Ndërsa në SHBA një nazist dëbohet në barelë me gjithë moshën 95 vjeçare, edhe pranohet vetëm për motive morale nga Gjermania, edhe pse nuk kishte lindur në Gjermani por në Poloni, më thoni në Shqipëri se cilit, nga ish-funksionarët apo rojet e burgut të Tepelenës, i ka hyrë gjembi në këmbë.  Edhe pse vendet ish komuniste të BE-së kanë reaguar, Shqipëria do të ndahet e fundit nga e shkuara e saj komuniste.

Gjatë Presidencës hungareze të BE-së të vitit 2011, një nismë hungareze-lituaneze- polake rezultoi në marrjen e ministrive të drejtësisë nga BE-ja, duke pranuar një dokument që lidhet me kujtimin e regjimeve totalitare. Kjo ditë u shpall më 23 gusht. Që nga viti 2011, çdo vit një vend europian organizon një konferencë kushtuar Ditës Evropiane të Kujtimit. Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, e njohur si Dita e Shiritit të Zi në disa vende, e cila është vërejtur më 23 gusht, është dita ndërkombëtare e përkujtimit për viktimat e ideologjive totalitare, veçanërisht regjimet totalitare komuniste, stalinizmin, nazizmin dhe fashizmin. Kjo datë u zgjodh në kujtim të Paktit Molotov-Ribbentrop, një nënshkrim pa agresion, i vitit 1939 midis BRSS-së dhe Gjermanisë naziste.

Atëherë duke u kthyer çështjes sonë. Kur në thelb të dy regjimet, si ai i së majtës ekstreme dhe te djathtës ekstreme takohen. Pasi nazizmi edhe në emër ishte Nacional Socializëm. Pra kur në thelb janë e njëjta e keqe. Pasi në praktikë duket se edhe holokaustin nazistët e filluan dhe komunistët e përfunduan. Pra meqë është e keqe e ngjashme, pse të mos e quajmë Kampin e Tepelenës, si Gulagu i Enver Hoxhës?  Në fund të fundit është një krahasim që është më afër realitetit politik dhe në këtë aspekt.

Por ka edhe për një arsye tjetër, ku ky krahasim çalon  në qëndrimin ndaj viktimave, se ishin po ata shqiptarët të Besës që ruajtën çifutët nga nazizmi, dhe këto me fakte, më të pabesët, që spiunuan po shqiptarët tek gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i dërguar në Kampe Përqendrimi ku gjetën vdekjen, apo që spiunuan, vranë, torturuan, shkatërruan këdo që guxonte të mendonte ndryshe tek organet e diktaturës komuniste. edhe pse ishin të së njëjtës racë e gjak. Pse kur Partia zëvendësoi edhe Besën edhe zotin, kjo puna e Besës ndaj çifutëve duket si një mit, apo diçka tjetër ?

Por le t’i kthehemi edhe një herë letrës së Dioguardit, me gjithë rezervat, në fund të fundit duket se ka të drejtë në një gjë, siç thotë një proverb amerikan” The fastest way to kill something special, is to compare it to something else”.  ( Rruga më e shpejtë për të vrarë diçka të veçantë, është ta krahasosh atë me diçka tjetër.)

Ndaj jo AUSHVIC, por GULAG!

Filed Under: Politike Tagged With: jo Aushvic, Kampi i Tepelenes, por Gulag ?, Rafael Floqi

Letra e DioGuardit drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës fyen viktimat e komunizmit

August 21, 2018 by dgreca

Nga Mithat Gashi*/

1-Mithat-gashi-2-300x197

Kam vlerësimin më të lartë për punën që ish-kongresmeni Joe Diguardi ka kryer në mbrojtje të Kosovës. Si anëtar i Kongresit dhe kryetar i Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, zoti DioGuardi ka folur fort dhe qartë në mbështetje të shqiptarëve etnikë të Kosovës, dhe paralajmëroi komunitetin ndërkombëtar shumë më herët para se të shpërbëhej Jugosllavia, se duhej ndaluar agresioni serb, i kryesuar nga Sllobodan Millosheviçi.

Dje lexova një letër që z.DioGuardi i ka shkruar së fundmi Kryetarit të bashkisë Tepelenë, një qytet në jug të Shqipërisë, ku regjimi komunist kishte ngritur një kamp përqendrimi pas L2B. Letra, që mban datën 12 korrik 2018, u publikua në gazetën “Dita”.

Në lidhje me këtë, unë theksoj se nuk pajtohem fare me deklarimet e zotit DioGuardi drejtuar kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi, ku e nxit të mos mbështesë ngritjen e një kompleksi memorial (muzeu) në nderim të viktimave të komunizmit.

Pas Luftës së Dytë Botërore, me mijëra gra dhe fëmijë, pjesëtarë të familjeve me emër në Shqipëri, u mblodhën me metoda të dhunshme ushtarake dhe u mbyllën forcërisht në kampe përqendrimi që kutërbonin era vdekje dhe vuajtje çnjerëzore. Në këto kampe të rrethuara me tela me gjemba, të mbijetuarit kanë dëshmuar psh., se vetëm në një natë vdiqën 34 fëmijë për shkak të kushteve që kishin. Krimi i vetëm që gjoja kishin kryer këta të dënuar, ishte “të qenit” fëmijë të prindërve apo gjyshërve, të cilët kishin shprehur pikëpamje të ndryshme politike (nga ato të komunistëve). Këto viktima u çuan për të vuajtur në këtë kamp (Tepelenë) njësoj si në shumë kampe të tjera në Shqipëri; dhe vuajtjet e tyre vazhduan për gati 5 dekada, deri në rënien e komunizmit.

Nga familjarët e mi në kampin e Tepelenës, ishin nëna ime, Sanija; tezet e mia Feride, Fatime dhe Shpresa; gjyshja Gjylije dhe daja, Ahmet Kolgjini. Përveç tyre ishin edhe gruaja e xhaxhait tim Qemal Gashi, Lirija (vajza e Muharrem Bajraktarit), që, së bashku me vëllain, Gencin, dhe nënën e saj, u transferuan nga Berati në kampin e Tepelenës. E ëma e Lirijes vdiq në kampin e Tepelenës. Lirija nuk i gjeti kurrë eshtrat e nënës së vet.

Në 1944, Brigada e Pestë e ushtrisë komuniste (partizane), e komanduar nga Shefqet Peçi, marshoi mbi Lumë, një krahinë në verilindje të Shqipërisë, duke ekzekutuar njerëz dhe duke shkaktuar terror. Ata dogjën shtëpinë gjyshit tim dhe gjithashtu i konfiskuan pasurinë. Në 1945, forca të ushtrisë dhe të policisë rrethuan familjen e gjyshit tim dhe i dëbuan në një kamp përqendrimi në Berat. Gjyshi im, Haziz Gashi, kishte kundërshtuar fuqishëm ideologjinë komuniste. Për qëndrimet e tija antikomuniste, ai ishte dënuar me vdekje në mungesë, sapo komunistët morën pushtetin dhe vunë nën sundim gjithë Shqipërinë. Ndër pjesëtarët e familjes time të mbyllur në kampin e Beratit, mund të përmend tim atë, Haxhi Gashin (11 vjeç); xhaxhallarët, Ramiz (10) dhe Gani (23, së bashku me gruan dhe djalin foshnje); hallat Dalije (4), Remzije (1); gjyshen Zarije Gashi, dhe kushërinjtë e pare te babait tim, Shaqir Gashi, Gafurr Spahija dhe Kadishe Spahija. Dy nga kushërinjtë e vegjël, Lutfi (djali i xhaxhait Gani) dhe Kadishe (vajza e Prof. Miftar Spahija) vdiqën brenda kampit të Beratit.

Memoriale dhe muzeume të Holokaustit janë ndërtuar anembanë botës, deri në Argjentinë e Uruguaj. Janë me qindra memoriale dhe muzeume të tilla në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i tyre është të nderojnë viktimat dhe të edukojnë publikun mbi mizoritë e kryera ndaj njerëzimit.

Të gjithë kampet e internimit dhe burgjet politike në Shqipëri duhet të kthehen në muzeume. Memoriale që nderojnë viktimat e komunizmit duhet të ngrihen në çdo qytet; ndërsa ata që kanë kryer krime, ekzekutorët masha të verbra të Enver Hoxhës, duhet të dalin para drejtësisë.

Fatkeqësisht, nuk jemi në gjendje ta fshijmë të shkuarën, por jemi moralisht të detyruar t’u japim drejtësi viktimave nëpërmjet njohjes së vuajtjeve të tyre. Kjo pjesë e tmerrshme e historisë shqiptare duhet të dalë në dritë (duke u përfshirë në kurrikulat shkollore) në mënyrë që brezat e rinj dhe brezat e ardhshëm të mund të thonë “NE NUK DO TË HARROJME KURRE”.
*Mithat Gashi u arratis nga Shqipëria në 1986. Eshtë anëtar bordi i Qendrës për Holokaustin, Genocidin dhe Edukimit Ndërfetar në “Manhattan College”, SHBA.

Filed Under: Politike Tagged With: . Tepelenë, Kampi i internist, Letra e DioGuardit, Mithat Gashi

Dosjet e Sigurimit trazojnë ndjenjat e të dënuarve politikë

August 20, 2018 by dgreca

– URAN KOSTRECI: “Atje janë vrarë fëmijë, e nëse quhet Aushvic apo Buchenvald, apo kamp komunist, që ishte më i tmerrshëm se i gjermanëve, kjo nuk ka rëndësi. Por puna është këtu: po bëhet një propagandë nga komunistët për të amortizuar dhe për fashitur atë dëm, atë krim që ata kanë bërë atëherë. Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur”…/

14269807_10209027548998633_66667938_n

Zeri i Amerikes- Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit hapi sot në Tiranë ekspozitën dokumentare “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”.

FAFFBDD4-0242-4DE8-9663-243D7BBA1842_w1023_r1_s

Në të u shfaqën për herë të parë dhjetëra dosje e dokumenta që provojnë përndjekjen e ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit ndaj asaj krahine, ashtu si edhe në gjithë vendin. Uran Kostreci, një nga të dënuarit politikë më të vjetër, shprehu protestën e tij se si edhe sot komunistët shqiptarë propagandojnë shpifjet e tyre dhe mohojnë e fshehin krimet e diktaturës.

“Atje janë vrarë fëmijë, e nëse quhet Aushvic apo Buchenvald, apo kamp komunist, që ishte më i tmerrshëm se i gjermanëve, kjo nuk ka rëndësi. Por puna është këtu: po bëhet një propagandë nga komunistët për të amortizuar dhe për fashitur atë dëm, atë krim që ata kanë bërë atëherë. Ky institucion për hapjen e dosjeve po bën aq sa mundet dhe me ato dosje që kanë ngelur” – tha zoti Kostreci.

Ekspozita përmban dokumentet mbi përndjekjen e drejtuesve fetarë të krahinës, shkrimarë dhe figura të tjera të njohura të krahinës si Trifon Xhagjika, Selahudin Toto, Zenel Shehu, Naim Pasha e dhjetëra të tjerë, që morën pjesë në kryengritjen e Zhapokikës, apo që vuajtën nga Sigurimi i shtetit në kampin e internimit të Bënçës.

“Këto veprimtari janë shumë të rëndësishme për të zbardhur të shkuarën, por janë shumë më të rëndësishme për të ardhmen. Kjo është një mënyrë që brezat e rinj, e që nuk dinë ngjarjet, të shohin të keqen, të distancohen nga ajo dhe të mos e lejojnë të përsëritet” – tha Nebil Çika, përfaqësues i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë.

Nga ana tjetër, zoti Kostreci theksoi me dëshpërim se mos-hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në afro 3 dekada e vonoi drejtësinë dhe e vështirësoi më shumë ndricimin e krimeve të panumërta të komunistëve gjatë diktaturës.

“Dosjet u duheshin hapur një herë atyre që i vranë njerëzit, atyre që masakruan fëmijët në Tepelenë, atyre që dënuan me gjyqe apo gjyqe. Ne kemi qenë të burgosur e nuk kemi dhënë asnjë shenjë në 27 vjet se jemi hakmarrës. Ky është ndryshimi mes nacionalistëve me komunistët. Por nevojitej një demaskim publik i këtyre autorëve, që të merrte vesh populli krimet e tyre, e të mos na bëjnë më llam llam llam nëpër gazeta” – tha zoti Kostreci.

Përfaqësuesi i shoqatave të përndjekurve politikë, Nebil Çika tha se propaganda e sotme e komunistëve po mundohet të fajësojë edhe tepelenasit si bashkautorë të krimeve të diktaturës, por kjo u provua me dokumenta, që nuk është aspak e vërtetë.

“Tepelena ka aq përgjegjësi për kampin aq sa matjanët për Burrelin, mirditorët për Spaçin. Dokumentat e dala sot tregojnë se tepelenasit janë poa q të ndëshkuar gjatë diktaturës sa edhe gjithë krahinat e tjera. Njerëzit e Tepelenës ishin internuar larg vendlindjes si bëhej edhe në krahinat e tjera” – tha zoti Çika.

Në tubimin kushtuar përkujtimit të viktimave dhe personave të mbijetuar nga regjimi totalitar komunist morën pjesë familjarë, studiues, përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve, të cilët po këmbëngulin te rehabilitimi me dinjitet i viktimave të diktaturës komuniste.(Kortezi- Ilirian Agolli-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: dosjet e sigurimit, Uran Kostreci, zeri i amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 449
  • 450
  • 451
  • 452
  • 453
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT