• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËHEQËSIT SHQIPTARË DHE NDRYSHIMI I KUFIJVE KOSOVË-SERBI

August 14, 2018 by dgreca

MANGËSITË E THEKSUARA UDHËHEQËSE TË VENDIM-MARRËSVE  SHQIPTARË DHE NDRYSHIMI I KUFIJVE KOSOVË-SERBI/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

                                                Nga Frank Shkreli/

  Ka disa javë që është ndezur debati në Republikën e Kosovës, në Shqipëri, anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe në botën perëndimore mbi deklaratën e Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi, fillimisht, për një “shkëmbim territoresh” midis Kosovës dhe Serbisë, pastaj për “ndryshim kufijsh” dhe versioni i fundit është “korrigjim i kufijve”.  Deri tashti duket se ky është një debat që po zhvillohet, kryesisht në media, por me përfundimin e pushimeve verore ka giasë të marrë përmasa më të gjëra.  Mund të jetë një retorikë politike, por sidoqoftë është një nismë e rrezikshme, e cila në minimum mund të vonojë zgjidhjet e problemeve legjitime midis Prishtinës dhe Beogradit e për më tepër mund të dëmtojë rëndë interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, sidomos në nivelin ndërkombëtar.  Kësaj retorike iu referua edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në reagimin e tij, javën që kaloi, ndaj deklaratave për ndryshim ose korrigjim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë, duke i bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit, “Që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.” 

 

Përballë këtij diskursi publik dhe mediatik, e që ndryshon nga dita në ditë, Presidenti Thaçi ngulë këmbë se nuk ka ndarje të Kosovës dhe as pavarësi për serbët, brenda Kosovës.  Ndërsa partia më e madhe e opozitës në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja shfaqet kundër çdo ndryshimi të kufijve ose shkëmbim territoresh dhe thotë se do të padisë Presidentin Thaçi në Gjykatën Kushtetuese për dekaratat e tija në lidhje me ndryshimin e kufijve, shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve.  Ndërkohë që kryetari i partisë tjetër në opozitë, Vetvendosje, Z. Albin Kurti tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se,  “Synimet për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh janë të gabuar dhe mund të kenë pasoja të dëmshme.”  Z. Kurti, partia e të cilit mbështet bashkimin kombëtar të shqiptarëve u shpreh kundër faljes së veriut të Kosovës, Serbisë.

Situata e krijuar është tepër konfuze, për një çështje kaq me rëndësi kombëatre, kur është fjala për integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe si rrjedhim tepër e rrezikshme për të ardhmen e saj si shtet.  Pse u ngrit çështja e kufijve, pikërisht tashti dhe papritmas ndërkohë që për pothuaj 20-vitet e fundit nuk ishte subjekt serioz diskutimi as në nivel kombëtar, as ndërkombëtar.  Duket së është vetëm Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai që e ka filluar këtë debat pa bashkërendim dhe pa konsultim me askënd, për arsye që vetëm ai di.  Në radhët e politikës së Kosovës duket se nuk ka pasur asnjë konsultim as vendim të përbashkët për këtë nismë të presidencës së Kosovës.  Është e qartë se dy  ushëheqsit kryesor të vendit,  Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kanë krejtësisht qëndrime të kundërta me njëri tjetrin për sa i përket shkëmbimit territoreve, korrigjimit ose ndryshimit të kufijve. Ndërsa shteti amë, Shqipëria nuk ndihet fare. Tirana zyrtare heshtë! 

U garantoj se Beogradi zyrtar është marrë vesh, jo vetëm mes vedi, por edhe me Rusinë e Putinit në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve – një debat ky që vet Beogradi me aleatët e tij në Moskë mund ta ketë filluar për objektivat e veta afatgjata në Ballkanin Perëndimor, debat të cilin deri tani duket se e kanë fituar, pa marrë parasyshë se si përfundon, evntualisht.  Është vështirë të konstatohet se cilat janë arsyet që udhëheqësit shqiptarë — në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar — ti besojnë Serbisë dhe udhëheqsve të saj, pikërisht në këtë kohë, ndërsa Beogradi nuk kanë marrë asnjë hap për të përmirësuar atmosferën në marëdhëniet midis dy vendeve.  Përkundrazi, Beogradi me ndihmën e Rusisë ka sabotuar dhe vazhdon të sabotojë çdo përpjekje mbrenda Kosovës dhe në nivel ndërkombëtar, me qëllim për të dëmtuar shtetin e Kosovës dhe reputacionin e tij në botë.  Me këtë debat publik dhe mediatik që po zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe në nivel ndërkombëtar, Serbia dhe udhëheqsit e Beogradit e kanë fituar davanë, tanimë.  Ata ia dolën të hedhin dyshime të reja mbi legjitimitetin e sovranitetit dhe të integritetit tokësor të Republikës së Kosovës.  A mund të shpjegojë dikush se si përfiton Republika e Kosovës duke shkëmbyer tokën e saj me atë që është e saja. Si mund të quhet një qëndrim i tillë i arsyeshëm e racional, sidomos përball mos njohjes diplomatike dhe zyrtare të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe padronët e saj në Moskë?  Cili është përfitimi i Kosovës?

Fatkeqsisht, duke marrë parasyshë një skenar të tillë të mundshëm, njeriu i thjeshtë mund të humbas vet arsyen dhe racionalitetin për të gjykuar drejtë, me qëllim për të parë ndonjë përfitim për Kosovën në këtë debat, pasi një skenar i tillë është aq i pa besueshëm.  Në të vërtetë, ky propozim, nëqoftse është i tillë, bëhet edhe më i rrezikshëm, pasi është hedhur në debat dhe udhëhiqet nga përfaqsuesit më të lartë të shtetit të Kosovës.  Por, sado i rrezikshëm qoftë debati  — pa asnjë fokus ose bashkrendim mbarëshqiptar — për ndryshim, për ndreqje ose korrigjim të kufijve, apo sido që t’a quajsh, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë — një rrezik më i madh në këtë mes është mungesa e qartë e bashkpunimit dhe e konsultimit midis subjekteve politike dhe përfaqësuesve të kombit shqiptar, në radhë të parë midis dy shteteve shqiptare, por dhe më gjërë, aleatëve më të ngushtë të Kosovës.  

Fatkqesisht, gjatë pothuaj 30-vjet post-komunizëm dhe pas çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, nuk ekziston një strategji serioze për bashkrendim objektivash kombëtare afatgjatë dhe as pajtim mendimesh midis vet shqiptarëve për përcaktimin e rrugës, për realizimin e objektivave kombëtare.  Para disa kohësh, ishte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili ka bërë thirrje për një president të përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën, e tani Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi flet për shkëmbim, ndryshim ose korigjim të kufijve.  Të gjithë e duam bashkimin, por në këtë mënyrë nuk arrihet bashkimi kombëtar dhe as nuk u shërbehet interesave afatgjata të shqiptarëve në trojet e veta.  Duhet durim dhe strategji kombëtare, por mbi të gjitha dhe më së pari duhet bërja dhe konsolidimi i demokracisë në dy shtetet shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës.  Për çështje të tilla madhore për Kombin, nevojitet një bashkrendim zyrtar qëndrimesh nga Tirana dhe Prishtina, mbi të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta – një bashkrendim i mirëfilltë pikëspari midis vet institucioneve shtetërore të Kosovës, gjithmonë në konsultim me shtetin amë, Shqipërinë.  Para se të ketë rregullim të marrëdhënieve me fqinjtë, përfshirë kufijtë me Serbinë, nevojitet pikëspari dhe patjetër, një pajtim midis subjekteve politike shqiptare në radhë të parë, duhet një Besëlidhje e re në këtë përvjetor të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, mbi strategjitë dhe objektivat kombëtare.  

Në një shkrim mbi librin e autorit të këtij artikulli, “Demokracia Nuk Pret”,  eskperti i çështjeve shqiptare dhe ballkanike, Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Drejtorisë së EuroAzisë të Zërit të Amerikës ka folur me rastin e promovimit të librit në VATËR, për “Mangësitë e theksuara udhëheqëse të vendim-marrësve shqiptarë”.   Dr. Biberaj me të drejtë ka nenvijuar se, “Sot, shqiptarët perballen me sfida të dukshme: problemet ekonomike; papunësia e lartë dhe varfëria; korrupcioni që ka depërtuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë; paligjshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobëta; dhe politikanë të papërgjegjshëm që tolerojnë e nxisin korrupcionin dhe përdorin praktika jodemokratike për të siguruar dhe mbajtur pushtetin”.   Dr. Biberaj këshillon se shqiptarët duhet të ndërmarrin ndryshime radikale dhe paralajmëron se, “Polarizimi i skajshëm politik mund të ketë pasoja të rrezikshme për të ardhmen” e Kombit, sidomos mungesa e bashkrendimit të qëndrimeve politike siç është debati i tanishëm mbi ndryshimin e kufijve të Kosovës, do të shtoja unë.  Dr. Elez Biberaj ka bërë thirrje që, “Stili i tanishëm i qeverisjes të ndryshojë me themel dhe të përqendrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtëra”, dhe që, “Forcat kryesore politike të bien në ujdi mbi vizionin për të ardhmen e vendit dhe mbi përpilimin dhe zbatimin e politikave madhore që do të çonin ne realizimin e këtij vizioni”, është shprehur Drejtori i Drejtorisë së Euro-Azisë të Zërit të Amerikës në komentin e tij mbi librin “Demokracia Nuk Pret”. Ai mendon gjithashtu se përveç thirrjes për ndryshim rrënjësor në qeverisje, “E gjithe shoqëria duhet të ndryshojë thellësisht – mënyra si mendon dhe si vepron ajo.  Shqiptarët duhet të jenë me kërkues dhe ndëshkues ndaj politikanëve të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe”, ka përfunduar Dr. Elez Biberaj.

Jam plotësisht dakort me vlerësimin e Dr. Biberajt të problemeve shqiptare dhe mendoj se kjo përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie duhet të kërkohet nga udhëheqsit shqiptarë sidomos me këtë rast të këtij debati të filluar mbi ndryshimin ose korrigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë. Nuk besoj që sot për sot të ketë çështje më madhore kombëtare se vet ekzistenca dhe integriteti tokësor i Republikës së Kosovës.  Kjo është përgjegjësia numër një e të gjithë udhëheqsëve dhe vendim-marrësve shqiptarë, pa dallim dhe nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Shpresoj të jem gabim në vlerësimin tim — por mënyra se si po zhvillohet ky debat tani mbi ndryshimin e mundshëm të kufijve të Kosovës me Serbinë — më duket se dominohet nga një mungesë serioze vizioni kombëtar dhe mangësie të përgjegjësive ligjore dhe kombëtare të udhëheqsve shqiptarë, të cilët duhet të dinë pak më mirë.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe kufiri, Frank shkreli, Kosove-Serbi, udheheqesit shqiptare

ANTOLOGJIA E LIRISË

August 14, 2018 by dgreca

JETËSHKRIMI I ATYRE QË U BËNË PJESË E LIRISË/

1 Fadil

(Fadil Dervishaj, Kushtrim Dacaj, Antologjia e lirisë,Dëshmorëve të kombit dhe të                                                         1 Pllana         rënëve të fshtatit Irzniq, 1998-1999)/

Nga Prof. dr. Nusret Pllana-Universiteti ‘‘Hasan Prishtina’/

Përkufizimi/

Në kujtesën tonë historike, atyre që kanë rënë në luftërat për liri, populli u ka kënduar këngë. Deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lexuesi shqiptar nuk kishte rast të lexonte për trimëritë, për rëniet, për sakrificën madhore që kishin bërë të parët tanë, kurdo që atdheu i kishte thirrur të mbrojnë tokat e tij.

Jo pse nuk kishte lexues, jo pse nuk ishte shkruar për luftëtarët e lirisë në të gjitha periudhat kohore kur është luftuar për atdhe. Por, se pushtuesi i tokave tona, kishte bërë çdo gjë vetëm të shlyhej kujtesa jonë historike.

Atëherë populli, ky popull i lashtë sa vetë koha, i ka përjetësuar në këngë. Andaj, kënga në jetën tonë ka qenë edhe shkollë e historisë së luftërave për lirinë e atdheut.

Hyrje

Libri që u kushtohet dëshmorëve dhe të rënëve për liri, cili do qoftë ai, ka vlerën e tij, qoftë edhe vetëm për faktin se përjetëson momente, pjesë të jetës, çaste që dëshmorët e kombit i ka bërë të pavdekshëm.

Autorët e librit, Antologjia e lirisë,Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, që u kushtohet Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve të fshatit Irzniq, në Luftën e madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë dhënë jetëshkrimin dhe përkushtimin, duke përjetësuar aktin e madhërishëm të rënies për lirinë e atdheut.

Si kudo në Kosovën e viteve të Luftesë së UÇK-së, edhe në fshatin Irzniq, kur i thirri liria, i madh e i vogël, pra edhe ata që ende nuk kishin mbushur moshën madhore, kishin shprehur vullnetin të bëheshin luftëtarë të lirisë. Sepse, e veçanta e Luftës së UÇK-së, e cila ishte luftë vullnetare, ishte se po dilte nga gjiri i popullit, nga bijtë dhe bijat më të mirë të tij, të cilët rruga jetësore e kësaj pjese të popullit shqiptar, që kur ishte pushtuar kjo pjesë e atdheut, i kishte mësuar se lirisë përherë i duhen vullnetar.

Duke shkruar për të dhënat e fshatit Irzniq, autorët kanë theksuar, kryesisht, gatishmërinë e banorëve të tij që të bëhen pjesë e ardhjes së lirisë.

Jetëshkrimi si dëshmi e historisë

Prandaj, qofshin vetëm të dhënat për gatishmërinë e banorëve të këtij fshati, qofshin vetëm të dhënat për numrin e atyre që ishin radhitur në radhët e luftës për liri dhe, në fund të fundit, qofshin edhe vetëm Dëshmorët e Kombit dhe të rënët e këtij fshati, në një mënyrë, apo në një tjetër, dëshmojnë për karakterin popullor të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Krijuesit e kësaj vepre me vlerë për kujtesën tonë historike, Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj kanë dhënë dëshmi të shumta për  dymbëdhjetë Dëshmorët e Kombit dhe për tetë të rënët e fshatit Irzniq.

Pas secilit jetëshkrim, kanë sjellë vargje ku janë përjetësuar me gjuhën e artit, jo vetëm jeta e tyre, por edhe akti i rënies për lirinë, jo vetëm gatishmëria e tyre që të sjellin armë për frontet e luftës, por edhe përpjekjet në përballje me armikun e kësaj pjese të atdheut tonë, Shqipërisë.

Në jetëshkrmin e Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për lirinë e Kosovës, që siç dihet që nga koha e copëtimit të saj nga trungu i atdheut, Shqipëria, që e kishte shpallur Ismail Qemali në Vlorë, më 1912, kishte përballuar të gjitha të zezat që pushtuesi sllav ushtronte mbi shqiptarët, deri edhe për përpjekjen për t’ia ndërruar përkatësinë fetare, deri edhe zbatimin e programeve  për zhdukjen e shqiptarëve.

Autorët e veprës, Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, nuk e kanë pagëzuar rastësisht Antologjia e lirisë. Në vepër, në secilin jetëshkrim, në secilën poezi që u kushtohet atyre, nxjerrë kokë gatishmëria e sakrificës për liri. Duke u radhitur në altarin e lirisë, që e kanë sjellë në jetën tonë, Dëshmorët e Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirmtare të Kosovës, andaj edhe Dëshmorët e Kombit të fshatit Irzniq, ata janë bërë pjesë e Antologjisë së lirisë sonë. Një gjetje e bukur dhe e qëlluar, që del në titullin e veprës, duke shpaluar vetëm të dhënat karakeristike të jetës së atyre që janë bërë pjesë e lirisë sonë.

Ideali i lirisë dhe Dëshmorët e Kombit

Duke lexuar këtë vepër del qartë gatshmëria e një fshati të tërë që të radhitet në luftën për liri. Duke lexuar me kujdes jetëshkrimin e Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri, lexuesi doemos do të hetojë se në mesin e tyre kishte edhe luftëtarë të njomë, që sa kishin mbushur tetëmbëdhjetë vjet, si

Berhon Dervishaj, që ishte lindur më 21 dhjetor të vitit 1980 dhe kishte rënë në altarin e lirisë  më 11 shtator të vitit 1998.  Aspak më të pjekur nuk ishin edhe Dëshmorët e Kombit, njëzet vjeçarët, Gëzim Shaban Dervishaj, që ishte lindur më 18 nëntor të vitit 1978 dhe kishte rënë për lirinë tonë  më 11 gusht të vitit 1998. Vetëm disa muaj më i vjetër ishte Dëshmori i parë i Njësisë speciale Shqiponjat e zeza, Altin Sadri Haskaj, që ishte lindur më 24 maj të vitit 1978 dhe kishte rënë më 3 qershor të vitit 1998, duke mbrojtur Vokshin e Sylejman Vokshit, Komandantit të Ushtrisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,

As imagjinata e krijuesit më të mirë, nuk do të kishte arritur të krijonte rrafshe ngjashmërie të luftës për liri të disa brezave të shqiptarëve, në luftë herë kundër njërit, herë kundër pushtuesit tjetër, se sa lufta e Sylejman Vokshit dhe rënia në altarin e lirisë së Altin Haskajt duke dhënë jetën për idealin e lirisë.

Ky ideal i lirisë, shekullor në jetën historike të shqiptarëve, sidomos që nga koha e bashkimit të shqiptarëve me shpatën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sidomos që nga lufta kombëtar e e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte bërë pjesë edhe e gatishmërisë deri në sakrificë të Dëshmorëve të Kombit të fshatit Irzniq.

Përfundim

Jetëshkrimi i Dëshmorëve të Kombit dhe i të rënëve të fshatit Irzniq është vetëm njëra nga dëshmitë e shumta të heroizmit të luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Qoftë vetëm për këtë fakt, qoftë vetëm për faktin e gatishmërisë që të sakrifikohen për lirinë e kësaj pjese të atdheut, ata janë bërë pjesë e kujtesës sonë historke, ata janë bërë pjesë e idealit tonë kombëtar, të cilit, thuajse pas një shekulli ia kishte prishur gjumin e jetës në robëri, Lufta e UÇK-së.

Prandaj, edhe jetëshkrimi i Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve të fshatit Irzniq, edhe poezitë që u kushtohen atyre e bëjnë veprën Antologjia e lirisë,të autorëve Fadil Dervishaj dhe Kushtrim Dacaj, një dëshmi burimore të organizimit, të qëndresës, të luftës dhe të rënies së tyre në altarin e lirisë të pjesës së pushtuar të atdheut tonë.

Prishtinë, 11 Gusht 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Antologjia e Lirise, Nusret pllana

SHQIPËRIA, VENDI I PARË ISH-KOMUNIST QË KA NËNSHKRUAR MARRVESHJE USHTARAKE ME SHBA

August 12, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe disa ditë më vonë Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Piers Cazalet njoftuan se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ku NATO do të investojë fillimisht mbi 50-milion euro, për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës.

Duke shkruar mbi këtë subjekt javën që kaloi, kam thënë se baza ushtarake në Kuçovë, është e pagëzuar si bazë e NATO-s dhe ashtu duhet të jetë pasi Shqipëria është anëtare e denjë e kësaj aleance të madhe ushtarake, por shqiptarët duhet të jenë të vetdijshëm se pa shtytjen dhe pa miratimin e Shteteve të Bashkuara, nuk do flisnim sot për një bazë ushtarake të NATO-s në Shqipëri dhe madje kam drojë as për antarësim të Shqipërisë në NATO.  Kam thënë gjithashtu se, historikisht, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk kanë aleat më të mirë strategjik, ushtarak dhe diplomatik se Shtetet e Bashkuara.

Megjithse njerzit mund të kenë harruar, por e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme, i Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët është pasqyruar dhe thekësuar që në vitet menjëherë pas shëmbjes së komunizmit në Shqipëri.  Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.  Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për antarësimin e saj në NATO.  Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve kryesisht për arsye të problemeve të mbrendshme politike në Shqipëri,  por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë  të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në 1990-at, një proces ky që më në fund kulmoi në antarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhënjet me të cilin, Washingtoni i ka vlerësuar shumë.  Ç’prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve më 15 mars, 1991 — pas një ndëprerjeje prej një gjysëm shekulli nga regjimi komunist— edhe Shqipëria, mbrenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkpunimin në arenën ndërkombëtare.

Vizita e parë në Washington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të 1990-ave.  Unë pata marrë pjesë si përkëthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët, biseduan në hollësi mbi gjëndjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe mbi marrëdhëniet e ardhëshme dhe për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.  Pjesa më e madhe e bisedimeve me atë rast, iu kushtua  luftërave në Ballkan dhe aftësive ushtarake të palëve, por mbi të gjitha u bisedua mbi aktualitetin ushtarak në territorin e ish-Jugosllavisë, mbi rolin dhe aftësitë e forcave të armatosura serbe që kishin ndezur Ballkanin dhe të cilat priteshin që — pas luftërave në Bosnje dhe Kroaci, të fillonin edhe masakrimin e popullësisë shqiptare në Kosovë, ashtu siç, në të vërtetë, edhe ndodhi.

Por si filluan marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë që çuan në antarësimin e Shqipërisë në NATO më 2009 dhe në ndërtimin e bazës së parë ushtarake të NATO-s jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë Ballkanin Perëndimor ?  Ishte një proces i gjatë, por që ia vlente.

Ishte Tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrveshje ushtarake me  Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrveshje të tillë. Si diçka e jashtzakonshme, duke marrë parasyshë marrëdhëniet ose mos ekzistendën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Washingtonit — në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Washington Post. “Marrveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante  David Binder në gazetën Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 Tetor në Tiranë, është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Xhulali”, njoftonte gazeta e njohur e Nju Jorkut.  Në marrveshjen ushtarake midis dy vendeve shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjëruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.” Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, gjëndej ato ditë në Washington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes. Jo vetëm që kjo ishte marrveshja e parë ushtarake e Washingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu edhe vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar gjithashtu të antarësohej në NATO.  Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që kishte bërë lutje për antarësimin e Shqipërisë në NATO, por fatkeqësisht u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të antarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet, prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar gjithashtu edhe aspiratat mbarëshqiptare për antarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota.

Pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane – midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër — si një “lidhje dashurie ushtarake”,  (a military love affair), ndërkohë që citonte një oficer ushtarak amerikan, i pyetur për zhvillimin e shpejt të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, të ketë thënë se “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’  – nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan.  Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u kishte venë në dispozicion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përdorimin e të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se, “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citon gazeta amerikane, ish-Presidentin Berisha.

Ndërsa gjatë një vizite në Tiranë, në vitin 1995, ka raportuar gazeta Washington Post, Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili, u ka kujtuar shqiptarëve se interesimi i Shteteve të Bashkuara për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, e ka zanafillën tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili ndërhyri në mbarim të Luftës së parë Botërore për të shpëtuar Shqipërinë.  “Sa i kënaqur do të ishte Wilsoni po të kishte mundësi të vizitonte sot Shqipërinë dhe të shikonte realizimin e gjallë të ëndërrës duke parë ushtarakët e rinjë amerikanë, krah për krah, me shokët e tyre shqiptarë, duke ndërtuar një të ardhëme besimi, miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona”, është shprehur ish-ushtaraku i lartë amerikanë para zyrtarëve më të lartë ushtarakë të Shqipërisë, në vizitën e tij në Tiranë në vitin 1995.

Besoj se Wilsoni do të ishte shumë i kënaqur edhe sot me njoftimin se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, ku ushtarakët amerikanë e shqiptarë do të punojnë se bashku në mbrojtje të paqës e begatisë në Shqipëri dhe më gjërë. Por jo vetëm Wilsoni do të ishte i kënaqur për këtë zhvillim, por të gjithë ata — shqiptarë dhe amerikanë që ua duan të mirën marrëdhënieve midis dy vendeve tona—e të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë për forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si në fushën ushtarake ashtu edhe në fushën diplomatike dhe politike midis dy popujve gjatë çerek shekullit të fundit.  Janë përpjekje këto të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zejë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve europiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare.  Shpresojmë që ndërtimi i bazës ushtarake në Kuçovë, si baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, të jetë vetëm fillimi i zhvillimeve të mëtejshme në forcimin dhe zgjërimin e këtyre marrëdhënieve.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, marrveshje ushtarake, SHBA-Amerike

Eksodi i heshtur i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës

August 11, 2018 by dgreca

Përtej deklaratave për një korrigjim të mundshëm të kufijeve që do ta bënte Luginën e Preshevës pjesë të Kosovës, mungesa e punësimit dhe mosnjohja e arsimit në shqip në Serbi po i shtyn shumë të rinj nga Bujanoci, Medvedgja dhe Presheva ta kërkojnë të ardhmen tyre në perëndim.

1 LUGINASi askund tjetër ku jetojnë shqiptarë, një orë letrare në Bujanoc vazhdon të jetë një manifest dashurie për atdheun. Të rinjtë recitojnë poezitë e Rilindasve e burrat mbajnë radhë për të folur mbi lavdinë e popullit shqiptar ndër shekuj.

Pasi ora letrare përfundon, gjindja i kthehet realitetit. Rrugë të pashtruara dhe pa drita, papunësi në nivelin e 60 për qind, arsimim i cunguar dhe mbi të gjitha një rini që tashmë të ardhmen e saj e sheh larg vendlindjes në perëndim.

Deklaratat e fundit të Presidentit Kosovar Hashim Thaçi, për një korrektim të mundshëm kufijsh midis Serbisë dhe Kosovës, i kanë kthyer komunat me popullsi shqiptare në Serbinë jugore në qendër të debatit politik.

Por në Bujanoc vendasit ankohen se kjo vëmendje ka munguar nga Tirana dhe Prishtina për sa i përket zgjidhjes së problemeve të mprehta që përballet Lugina e Preshevës – përfshirë mungesën e teksteve shkollore në shqip dhe njohjen e diplomave të universiteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës në Serbi.

Liderët shqiptarë të Luginës shprehen se premtimet e panumërta të Tiranës zyrtare për hartimin e teksteve shkollore për Luginën nuk janë materializuar, ndërkohë që vëzhguesit e rajonit nënvizojnë se çështja e teksteve arsimore për komunat me popullatë shqiptare në Serbi është keqpërdorur nga Tirana dhe Beogradi.

Eksodi i të rinjëve nga Lugina

Komuna e Bujanocit,me 43,302 banorë dhe shtrirë në një sipërfaqe prej 1249 kilometrash katrorë e që ndjek rrjedhat e lumit Vardar dhe Moravë, është qendra e Luginës së Preshevës.

Ky rajon është gjithashtu qendra e komunitetit  shqiptar në Serbi, ku popullsi etnike shqiptare luhatet nga 54.6% në Bujanoc, në  89% në Preshevë dhe 26% në Medvegjë, të cilat në total kanë një popullsi të regjistruar prej 111 000 banorësh.

Megjithatë, sipas zyrtarëve vendorë gjatë viteve të fundit vetëm nga Bujanoci janë shpërngulur drejt perëndimit gati 20 mijë banorë, pjesa dërrmuese e tyre të rinj. Dëshira për tu larguar nga Lugina, ndikohet edhe nga mungesa e aksesit në arsim të lartë në Serbi.

Laura Halili ka përfunduar vitin e tretë të gjimnazit “Sezai Surroi” në Bujanoc. Ajo dëshiron të studiojë për financë por në universitetet serbe e ka të pamundur.

“Do të aplikoj në Shqipëri, jo vetëm se shkolla është shqip por është ëndrra ime të studioj në shtetin mëmë,” tha ajo.

17-vjeçarja është e paqartë për të ardhmen e saj, por nuk përjashton mundësinë se mund të largohet nga vendlindja në kërkim të një të ardhme të mirë.

“Të gjithë dëshirojnë të ikin jashtë e unë nuk mund të qëndroj këtu. Pse mos me e shfrytëzoj këtë mundësi që të jepet,” shprehet ajo.

Të pashpresë në Bujanoc janë edhe ata që kanë një diplomë në xhep.

Zhaneta Avdiu ka mbaruar shkollën e mesme për infermieri, ndërsa  arsimin e lartë në Prishtinë e ka ndjekur  për Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Prej dy vitesh është kthyer në luginë dhe është pa punë.

Zhaneta tregon  se ka bërë një aplikim në Gjermani, duke shfrytëzuar njohuritë e shkollës së mesme për infermierinë.

“Këtu nuk ke asnjë mundësi pune. Të gjithë  duan të ikin në Gjermani, sidomos ato që kanë studiuar  në infermierie dhe mjeksi. Unë do të aplikoj dhe do iki atje,” reagon vajza e re.

Nëse nuk do të kishte një punë Zhaneta shprehet se nuk do të ikte nga Bujanoci, por ajo thotë se fatet e tyre i vendos politika.

“Problem kam vetëm të kem një punë. Gjithçka këtu është e lidhur me politikën, nëse ke të njohur të fusin në punë nëse nuk ke këtu mbetesh rrugëve,” shpjegoi ajo..

Drejtori i shkollës së mesme në Bujanoc, Zejni Fejzullahu tha se largimi masiv i njerëzve po sjell vdekjen e qytetit.

“Qytetarët e Bujanocit po largohen edhe pse është një vend i shkëlqyer ku kalon korridori i 10-të. Mirëpo fatkeqësisht për momentin nuk ka një perspektivë,” tha ai.

“Shumica sapo përfundojnë gjimnazin ikin në emigrim, e kjo po i sjell vdekjen qytetit”- të thotë drejtori i shkollës,” shtoi Fejzullahu.

Ndryshe, kreu i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, largimin e të rinjve në emigrim e shpjegon me politikën e mbrapshtë ekonomike të qeverisë serbe.

“Nuk dihet se çfarë do të bëhet me Luginë e Preshevës, ka mbetur pezull. Kemi disa kapacitete  që mund të ngjallin zhvillimin e vendit si banjat e Nujanocit,  prodhimin e lëngjeve minerale, fabrikën e përpunimit të duhanit,  por që janë  shtetërore e nuk i privatizojnë,” tha Kamberi.

“Kapacitetet ekonomike të zonës janë në duart të qeverisë, e jo të komunës dhe pse angazhimi ynë është se të ruanim të rinjtë, ata të rrinin në vend,” shtoi ai.

Sipas Kamberit një tjetër shtysë për emigrimin e të rinjve mbetet ngërçi për njohjen e diplomave universitare shqiptare në Serbi.

“Çështjen e pazgjidhur të diplomës nuk e zgjidh komuna, por kjo është çështje ndërshtetërore,” shfajësohet Kamberi.

Çështjet ndërshtetërore

Përgjatë 11 viteve të shkollimit të saj, Laura Halili ka mësuar se mbretëresha e Ilirëve ishte Teuta dhe se pavarësinë Shqipëria e fitoi në vitin 1912, por nuk është thelluar për sa i përket historisë, kulturës, muzikës apo dhe etnografisë së shqiptarëve në Ballkan, për arsye se lënda e historisë shqiptare nuk ekziston në kurrikulat e shkollës në Bujanoc.

“Kur në programin shkollor kishim përsëritje, profesori na fliste historinë e shqiptarëve,” kujton Laura.

Sipas drejtorit të shkollës së mesme Zejni Fejzullahu ligjërisht Luginës së Preshevës i njihet e drejta që në programin arsimor të këtë 30 për qind të kurrikulave për historinë, kulturë figurative, kulturën muzikore,  natyrën dhe shoqërinë etnike.

Sistemi arsimor në Luginën e Preshevës, një rajon i përbërë nga komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës është në gjuhën shqipe, por ajo që nxënësit mësojnë mbi prejardhjen e tyre etnike nuk zë as dy për qind të kurrikulave arsimore.

“Na duhet një ndihmë për t’i shkruar këto tekste mirëpo fatkeqësisht deri më sot kjo ndihmë nuk ka ardhur, as nga Kosova e as nga Shqipëria,” tha Fejzullahu.

Në cilësinë e ish kryetarit të Këshillit Nacional për Pakicat në Serbi, Fejzullahu thotë se kërkesat për hartimin e teksteve shkollore i janë dërguar qeverisë shqiptare që në vitin 2013.

“Kemi kërkuar ndihmë, me shkresa zyrtare, me emaile, përmes takimeve që kemi pasur si Këshill Nacional. Përgjigja është që do të na ndihmojnë, mirëpo që nga viti 2013 e deri më sot nuk kemi asnjë zgjidhje. Në vazhdimësi kemi vetëm premtime por ndoshta një ditë do të realizohet,” shpjegoi Fejzullahu.

Sistemi juridik i Serbisë pranon mundësinë për importin e teksteve mësimore në gjuhën e pakicave, por nga viti 2007 në Luginën e Preshevës është ndaluar përdorimi i teksteve nga Kosova, thuhet në një raport  të implementimit të marrëveshjeve ndërqeveritare për Luginën e Preshevës.

Kryeministri Rama edhe gjatë vizitës së tij në këtë rajon në tetor të vitit 2016 – ku ai shpalli një kapitull të ri në marrëdhëniet me shqiptarët në Luginën e Preshevës, premtoi zgjidhjen e çështjes së teksteve.

Megjithatë, pas interesimit të BIRN ministria së Arsimit, Sportit dhe Rinisë tha se nuk ka një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe sa i përket çështjes së teksteve shqipe.

“Një marrëveshje e tillë, që adreson në mënyrë më të plotë nevojat për arsimin në gjuhën shqipe në Serbi, do të diskutohet nga grupe teknike të themeluara në ministritë përkatëse të arsimit në Shqipëri dhe Serbi,” tha ministria në një përgjigje me shkrim.“Rrjedhimisht edhe tekstet shkollore do të prodhohen pas konkludimit të marrëveshjes mes dy vendeve,” shtoi ajo.

Për gazetarin Ben Andoni, analist i çështjeve rajonale në shtypin e shkruar, problemi me arsimin në Luginën e Preshevës vjen nga statusi “i papërcaktuar” i këtij rajoni.

“Lugina ‘de jure’ është pjesë e Serbisë dhe minoriteti [shqiptar] mes vetes njeh si vend amë Kosovën. Ndërkohë, Kosova nuk njihet nga Serbia dhe të themi se ajo ia delegon këtë lidhje Tiranës zyrtare. Ndaj, për çdo gjë që flitet për të drejtat e Luginës jashtë Serbisë, lidhet me Tiranën,” tha ai.

“Kjo bën që në çdo takim të nivelit të lartë shqiptaro-serb të dekadës së fundit, Presheva dhe Bujanoci janë përdorur qoftë nga zyrtarët më të lartë respektivë si z.Rama edhe zoti Vuçiç, por edhe nga zyrtarët më të vegjël, që bëjnë vizita kortezie,” shtoi Andoni.

Andoni thotë se nuk ka një vullnet mes qeverive, asaj të Tiranës dhe të Beogradit për çështjen e teksteve shqipe ndaj  zgjidhja ende duket e largët.

“Mënyra sesi nuk i jepet drejtim ngërçit me Serbinë dhe mungesa e vullnetit të përbashkët të qeverive në Tiranë dhe Beograd, shtuar me konfuzionin e përhershëm të faktorit shqiptar të Luginës, tregojnë se problemi i teksteve do të mbartet dhe në të ardhmen,” përfundoi ai. /Reporter.al/

Filed Under: Politike Tagged With: eksodi, Lugina e Presheves

Qeveri e mrekullueshme

August 10, 2018 by dgreca

2 AstritLulushiNga Astrit Lulushi/

Kur njerëzit detyrohen të heshtin kur u thuhen gënjeshtra, ose, edhe më keq, kur janë të detyruar të përsërisin vetë gënjeshtrën, ata humbasin njëherë e përgjithmonë ndjenjën e ndershmërisë. Qëllimi i propagandës nuk është të bindë, as të informojë, por të përulë. Që gënjeshtra të pranohet me të duhet bashkëpunuar dhe në një farë mënyre njeriu bëhet gënjeshtar e i keq. Një shoqëri e tillë është e lehtë të kontrollohet.

Nuk ka nënshtrim më të përsosur sesa ta bindësh njeriun se liria është e lehtë të arrihet, se ajo vjen vetë, dhe s’ke nevojë të bësh përpjekje për ta arritur.

Është vepra që mëson, jo emri që i japim. Vrasja dhe dënimi me vdekje, thotë George Bernard Shaw, nuk janë kundërshtarë që anulojnë njëri tjetrin, por të ngjashëm, që prodhojnë llojin e tyre. Po ashtu edhe totalitarizmi fillon të përbuzë atë që kemi, prandaj njerëzit fshehin pasurinë e tyre, duke dalë të gjithë të varfër.

Gjërat duhet të ndryshojnë – pa marrë parasysh se si, çdo gjë është më e mirë se ajo që kemi. Për të ruajtur status-quonë, një regjim shtypës organizon llojin e mendimit masiv, dhe nëpërmjet propagandës, i bënë njerëzit ta duan atë. Tirani thotë fillimisht se njerëzit nuk duhet të vrasin, dhe ata i binden. Pastaj thotë se ka ardhur koha për të vrarë dhe njerëzit vrasin njëri tjetrin. Edhe pse mendojnë se është shumë e vështirë për të vrarë, ata binden ta kryejnë atë, sepse vrasja është bërë pjesë e kodit të sjelljes, si për shembull, gjakmarrja. Ata mësojnë se cilin duhet të vrasin, si të vrasin dhe si ta bëjnë atë në bashkërendim. Totalitarizmi i bën thirrje nevojave shumë të rrezikshme emocionale të njerëzve që jetojnë në izolim të plotë dhe në frikën e njëri-tjetrit, thotë Hannah Arendt. Sipas një fjale, nëse njerëzit nuk mund t’i bindni, ngatërrojini, përçajini. Edhe korrektësia politike është fenomen i propagandës. Viktimizimi përdoret si mjet për të demonstruar virtytin e dikujt, ndërsa njerëzit e zellshëm dhe ambiciozë cilësohen lakmitarë, ndëshkimi i krimit të njërit është shtypje drejtuar ndaj gjithë të tjerëve, një mendimtar i pavarur, i cili qëndron për guxim e vetëbesim, dënohet a veçohet, dhe shkolla apo arsimimi i organizuar nga qeveria do t’u mësojë fëmijëve se qeveria është e mrekullueshme.

Filed Under: Politike Tagged With: Astrit Lulushi, Qeveri e mrekullueshme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 451
  • 452
  • 453
  • 454
  • 455
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT