• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VARRIMI I TOTO RIINЁS DHE SHQIPTARЁT PA VARRE

November 25, 2017 by dgreca

1 riina-fotot    “Respekti i ynё pёr tё vdekurit, kur sapo kanё vdekur ёshtё diçka e mrekullueshme, dhe mёnyra se si e shprehim atё ёshtё ende mё e mrekullueshme.”

John RUSKIN (1819 – 1900), sociolog dhe kritik arti anglez /

1-eugjen-merlika-225x300

Nga Eugjen Merlika/

Kёto ditё opinioni publik italian u pёrballua, ndёrmjet tё tjerave, me njё lajm disi tё veçantё : kryetari i mafies korleoneze, mё tё rёndёsishmes sё llojit nё Siqilinё me famё pёr kёtё dukuri tё shёmtuar, Salvatore Riina, i arrestuar tashmё nё vitin e largёt 1993, e i dёnuar me 26 burgime tё pёrjetёshme, ndёrroi jetё nё moshёn 86-vjeçare nё spitalin e burgut tё Parmёs, ku kryente dёnimin nё formёn e tij mё t’ashpёr, 41 bis. Familjarёt u lajmёruan dhe u lejuan tё qёndrojnё pranё kufomёs, nё morgun e spitalit pёr rreth gjysёm ore. Pastaj ata u larguan, tё ndjekur nga gazetarё e fotoreporterё tё etur pёr hollёsira e intervista, me premtimin se, mbas disa ditёsh, do tё mund t’a varrosnin njeriun e tyre tё dashur nё qytetin Corleone, vёndlindja e tij, premtim qё u pёrmbush plotёsisht me futjen e trupit tё tij nё varrezёn e familjes pa ceremoni publike mё 22 nёndor.

Komentet e kёsaj ngjarjeje qenё tё shumta, me nota tё theksuara ironie deri nё urrejtje, por asnjёri prej tyre nuk vuri nё dyshim drejtёsinё e vendimit qё kufoma e njё mbikrimineli, i cili paditet pёr rreth njёqind vrasje tё llojeve tё ndryshme, tё kryera drejtpёrdrejt apo tёrthorazi, duhej t’i dorёzohej familjes sё tij e tё varrosej normalisht nё tokёn ku lindi. Kjo ndodh pёr faktin se Italia, si mendёsi, ёshtё pjesё e atij qytetёrimi qё respekton jetёn dhe vdekjen, jo vetёm si dukuri themelore tё qёnies njerёzore, por din tё ndajё edhe qёndrimin kundrejt njeriut nё jetё dhe atij nё çastin qё largohet prej saj. Vdekja e njё krimineli nuk asgjёson krimet e jetёs sё tij, tё cilёt mbeten nё analet e gjykatave, nё kujtesёn e individёve apo tё shoqёrisё, shpesh nё historinё e saj, gjithmonё tё gjallё si monumente tё pashlyeshёm tё sё keqes njerёzore.

Dёnimi i tyre mbetet njё detyrё e pёrherёshme e shteteve ligjore, nё tё cilёt krimi nuk arrin tё depёrtojё nё institucionet, veçse nё raste tepёr tё rralla, qё nuk paragjykojnё veprimtarinё e tyre. Akti i vdekjes pёrbёn kufirin skajor tё ekzistencёs tokёsore, njё kufi ndёrmjet jetёs nё kёtё tokё dhe njё jete tjetёr, pёr ata qё e besojnё, qё vazhdon nё pafundёsi. Nё çastin e vdekjes njeriu shkёputet nga bota e detyrimet kundrejt saj, pra edhe nga veprimi i ligjeve njerёzore mbi tё. Trupi pa jetё i njeriut, nё secilёn shoqёri tё qytetёruar, nuk ёshtё mё objekt i ligjeve, tё cilёt nuk duhet tё kenё mё asnjё autoritet mbi tё. Varrimi mbetet njё e drejtё e posaçme e familjes dhe rrethit shoqёror tё tё vdekurit, tё cilёt e kryejnё atё nё pёrputhje me ligjet nё fuqi. Sido qё tё ketё qenё njeriu, nё çfarёdo rrethanash tё ketё ndodhur vdekja, nё çfarёdo forme shtetёrore tё ndodhё, Shteti nuk duhet tё vazhdojё tё jetё pronar i trupit tё tij.

Kjo e vёrtetё, e lashtё sa bota, del nё pah nё mёnyrё tё pёrsosur nёpёrmjet njёrit ndёr monumentet mё madhёshtorё tё letёrsisё botёrore, “Iliadёs” sё Homerit. Qёndrimi i Akilit, i fituesit tё dyluftimit me Hektorin, kundrejt trupit pa jetё tё armikut tё tij, ёshtё jo vetёm njё episod prekёs pёr vlerat e pohuara, por edhe njё mёsim universal e i pёrjetshёm. Trupi pa jetё i Hektorit i dorёzohet mbretit Priam, babait tё tij, me nderimet mё tё larta. Trupi pa jetё i kujtdo qoftё, nё bazё tё njё ligji sa hyjnor, aq dhe njerёzor, i pёrket vetёm vatrёs nё tё cilёn ka lindur. Asnjё autoritet, i çfarёdo rangu qoftё, nuk ka tё drejtё morale e juridike t’a shkelё atё ligj.

Fatkeqёsisht, ky mёsim domethёnёs, jo gjithmonё ёshtё mbajtur parasysh nё historinё e gjatё tё luftёrave mes njerёzve e shteteve tё tyre. Jo gjithmonё ёshtё shfaqur respekti i duhur kundrejt trupit tё vdekur tё kundёrshtarit e jo rrallё “varrezat e pёrbashkёta” janё bёrё streha e fundit tokёsore e atyre qё kanё humbur jetёn nё luftime. Si dukuri, ajo mbetet shprehje e barbarizmёs dhe e dhunimit tё ligjeve bazё etike e morale tё njerёzimit.

Kjo dukuri, sa e shёmtuar aq edhe e dёmshme, fatkeqёsisht ka qenё ligji i shkruar e i pashkruar i Shtetit tonё pёr gati gjysmё shekulli. Komunizmi shqiptar, shёmbёlltyra e pёrvojave mё tё llahtarёshme tё sendёrtimit tё teorive kriminale tё etёrve tё tij shpirtёrorё e biologjikё, n’atё fushё tregoi katёrcipёrisht prirjen e tij famёkeqe. N’atё gjysmё shekulli tё gjithё tё dёnuarit pёr motive politike si kundёrshtarё tё regjimit, qё ndёrronin jetё forcёrisht apo nё mёnyrё tё natyrshme, groposeshin nё fshehtёsi diku, nё njё copё vёnd tё panjohur, pёr tё cilin as nuk ruhej ndonjё dokument nё arkivat, qё ishin tё tejmbushura me miliona fletё tё mbikqyrjes sё Sigurimit tё Shtetit mbi qytetarёt e Shqipёrisё. Qёllimi djallёzor i kёsaj praktike makabre synonte tё zhdukte çdo gjurmё nё kujtesёn e pasardhёsve, e cila do tё ballafaqohej me mungesёn e plotё tё çfarёdo objekti lёndor. Si pasojё e kёsaj strategjie tё urryer deri nё neveri, dhjetra mijra qytetarё shqiptarё nuk kanё njё varr, njё shenjё tё dukёshme nё tё cilёn familjarёt e pasardhёsit tё kenё mundёsi t’i nderojnё kujtimin, nёpёrmjet njё tufe me lule apo njё qiriu tё ndezur, si kudo nё botё.

Kjo ishte njё nga shprehjet mё mizore tё “luftёs sё kllasave” tё sistemit tё markёs enveriste, e cila nuk njihte caqe nё barbarizmin e saj e kufij nё poshtёrsinё e tij. Lufta me tё vdekurit ishte njё “meritё” e udhёheqjes kriminale shqiptare, e cila nuk njihte e nuk respektonte asnjё parim tё bashkёjetesёs njerёzore, qё e shtrinte zullumin e saj nga foshnjet e djepit deri tek eshtrat e tё dёnuarvet. Primatet shqiptare nё kёtё drejtim “ngjethin erёn”. Fatkeqёsisht edhe Shteti i ynё i mbas diktaturёs nuk pati kurrё guximin e kurajёn t’i padisё ata, tё shkёputet prej tyre me njё dёnim tё qartё, tё prerё e nё dritё tё diellit, pёr tё mos i lёnё brezave qё do tё vijnё njё njollё turpi tё pashembullt tё gjyshёrve tё tyre, tё pashembullt nё botёn e sotme, veçse nё pёrvojat mё tragjike tё saj.

Pa varre nё Shqipёrinё komuniste mbetёn qindra e mijra personalitete tё gjitha fushave tё dijes, tё shkencёs, artit, letёrsisё, ekonomisё , besimeve fetare, politikёs. Lista e tyre ёshtё shumё e gjatё dhe emrat e tyre janё stoli shumё e çmuar e kёtij Vendi. Ata mbetёn pa varr, sepse u ekzekutuan apo vdiqёn burgjeve me dёnime tё rёnda, mbasi nuk i u nёnёshtruan shpirtёrisht e intelektualisht sistemit tё diktaturёs, nuk pranuan tё bёhen bashkёpuntorё tё saj. Mjaft prej tyre ranё dёshmorё tё qёndresёs nёpёr male kundёr sistemit, si heronj tё vёrtetё tё truallit arbёror. Mbetёn pa varre ose pёrfunduan nё “varrezat e pёrbashkёta”, shumё njerёz sepse kёrkuan tё gjenin lirinё e panjohur pёrtej kufijve e trupat e tyre u tёrhoqёn rrёshqanё pёr tё kallur tmerrin nёpёr qytete nё fundin e shekullit tё njёzetё nё Evropёn e qytetёruar…….

Kjo qe njёra anё, ndoshta mё e zeza, e trashёgimisё qё na la 29 nёndori 1944, tё cilin ne vazhdojmё t’a festojmё zyrtarisht e solemnisht si prurёsin e “lirisё”, duke anashkaluar apo shkelur vazhdimisht mbi kujtesёn e mbrapshtё tё atyre krimeve qё njollosёn virtutet tona tё trashёguara, pёrmbysёn traditat tona, shkallmuan e pёrdhosёn botёn tonё shpirtёrore. Ёshtё tepёr i trishtueshёm pajtimi shpirtёror e mendor me atё gjёndje, mungesa e kundёrveprimit, pranimi nё heshtje i njё historie qё la pa varre bashkatdhetarёt tanё mё tё mirё, shumё prej tё cilёve do tё na i kishte zili cilido komb i zhvilluar i botёs, nё tё cilin ndoshta do tё kishin pёrmendoret e tyre. Ёshtё akoma mё i trishtueshёm hymnizimi i paskrupullt i asaj historie,  e vёrteta e tjetёrsuar edhe nё sytё e njё brezi tjetёr, mungesa e vetёdijesimit pёr greminёn morale nё tё cilёn ishim zhytur…..

Njё episod i thjeshtё i kronikёs italiane tё kёtyre ditёve, njё varrim i njё kampioni tё dhunёs mё solli ndёr mёnd viktimat e panumurta tё dhunёs nё Vendin tim, qё nuk kanё ende njё varr. I u mohua ai varr sepse u quajtёn “armiq”, “tradhёtarё”, “agjentё”, “sabotatorё”, “tё shitur”, nga njerёz qё atdheun e bashkuar nё vitet 1941 – 1945 u a dorёzuan bujarisht “vёllezёrve” jugosllavё e qё sendёrtuan nё Shqipёri diktaturёn mё mizore tё gjithё historisё sё saj. Ndёrsa ata ishin shqiptare e shqiptarё tё mrekullueshёm sepse flijuan jetёt e tyre pёr tё pohuar deri nё fund vlerat morale e dinjitetin e tyre qё ishte dhe dinjiteti i atdheut tё tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: DHE SHQIPTARЁT, Eugene Merlika, pa varre, VARRIMI I TOTO RIINЁS

Kosovë-Kuvendi dy ndërprerje në dy ditë-3 deputetë në arrest

November 24, 2017 by dgreca

Seanca-Kuvendi-Kosove-2017_11_24_-Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës edhe sot për herë të dytë,  arrestohen tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje/

Vetevendosje-PoliciaPRISHTINË, 24 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kuvendi i Kosovës nisi sot seancën plenare të ndërprerë dje pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, me të cilat niste axhenda 23 pikëshe, por përsëri u ndërpre për herë të dytë në dy ditë.

Dje pasdite, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, me shumicë votash u vendos që mbledhja plenare e Kuvendit të vazhdojë sot në në orën 10:00. Në shenjë mospajtimi me këtë vendim grupi palamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës braktisi sot seancën, ku nuk ishte as grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, tre deputetë të së cilës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu u arrestuan nga policia derisa po hynin në objektin e Kuvendit para vijimit të seancës sot, në bazë të urdhërarrestit për mungesa në seanca gjyqësore në procesin për gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend vitin e kaluar në kundërshtim të marrëveshjeve për asociacionin e komunave me shumicë serbe e demarkacionin me Malin e Zi.Seanca e Kuvendit sot vijoi me “koha për pyetje parlamentare”, të dytën nga 22 pikat e mbetura të axhendës, ku nuk pati disa pyetje e përgjigje meqë mungonin deputetë e ministra.

Pika e tretë ishte miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, por kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, konstatoi se në sallë ishin vetëm 43 deputetë dhe në mungesë kuorumi  seanca nuk mund të vzhdonte, ndërsa bëri të ditur se se shtyhet për javën e ardhshme – të mërkurën në orën 10:00.

Në axhendën e seancës ishin të paralajmëruara për shqyrtim të parë 12 projektligje, një prej të cilave për kryeqytetin – Prshtinën.

Dy projktligje tjara janë për ndryshimin e plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë dhe për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Presidentin e Republikës.

Në axhendë janë edhe tre raporte për vitin 2016: për Bankën Qendrore, për Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe për Funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të vendit.

Kuvendi i Kosovës u mblodh dje në seancë plenare, e cila nisi me njoftimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, se deputetët e këtij grupi do ta lëshojnë këtë seancë, duke shprehur indinjatën dhe shqetësimin në lidhje me raportimet e fundit në media, që flasin, siç tha ai, për një qasje diskriminuese dhe paragjykuese nga zyrtarët e EULEX-it ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së, të cilët janë gjykuar në procese të ndryshme nga prokurorët dhe gjyqtarët e këtij misioni.

“Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka deklaruar zyrtarisht dhe publikisht se gjykatës të EULEX-it kanë pasur qasje manipulative në rastet që ndërlidhen me ish-ushtarët e UÇK-së. Për më tepër, në dëshmitë e tij ai ka përfshirë edhe gjykatësin kryesor të rastit ‘Drenica 2′, Dariusz Sielicki, për të cilin ka deklaruar se të akuzuarit i ka fyer vazhdimisht duke i quajtur edhe ‘kafshë’. Kjo është më shumë se e turpshme dhe ofenduese për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Krasniqi.

Ai kërkoi nga udhëheqësit e EULEX-it që t’i ofrojnë Kuvendit dhe institucioneve tjera të Kosovës një përgjigje zyrtare dhe të detajuar në lidhje me këto pretendime.

Deputeti Krasniqi, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, propozoi që seanca të vazhdojë sot, në orën 10:00.

Pas fjalës së tij, deputetët e grupeve parlamentare të maxhorancës – PDK-së, të AAK-së dhe të Nismës, lëshuan mbledhjen.

Seanca e Kuvendit, udhëhequr nga nënkryetarja Aida Dërguti, vazhdoi punimet me deputetët e mbetur, me deklarime jashtë rendit të ditës, që ishte pika e parë e axhendës.

Me pikën e dytë “koha për pyetje parlamentare” nuk u vijua pasi pati vetëm ndonjë deklaratë të deputetëve të opozitës të cilët e quajtën maxhorancën “të papërgjegjshme”, edhe për mungesën e anëtarëve të qeverisë për t’iu përgjur pyetjeve të deputetëve, e më pas nga kryesuesja u ndërpre seanca e Kuvendit, me aprovimin e gurpeve parlamentare opozitare të Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi që seanca të vijojë javën e ardhshme, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës propozoi ditën e hënë në orën 10:00.

Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh në përbërjen aktuale eshtë konstituar në 7 shtator, afër tre muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit 2017, të gjashtave në liri e të tretave në pavarësi.

VV: JEMI TË VENDOSUR FUQISHËM KUNDËR MARRËVESHJEVE TË DËMSHME

Vetevendosje-PoliciaLëvizja Vetëvendosje deklaroi se “deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi janë arrestuar në hyrje të Kuvendit të Kosovës, teksa po shkonin për të marrë pjesë në seancën e rregullt parlamentare. Arrestimi i tyre është bërë në mënyrë të dhunshme, me ç’rast është përdorur edhe sprej, nga çfarë kanë mbetur të lënduar deputetë e aktivistë”.

Në deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet, mes tjerash, edhe se, “deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi duhet të lirohen sa më parë dhe procesi politik ndaj tyre të marrë fund” dhe se, “ne jemi të vendosur fuqishëm kundër marrëveshjeve të dëmshme për vendin tonë, dhe kushdo që tenton që këto marrëveshje t’i ringjallë sërish, ka për të hasur në rezistencë edhe më të fuqishme qytetare”.

Filed Under: Politike Tagged With: 3 deputete, Behlul Jashari, Kuvendi dy ndërprerje në dy ditë, në arrest

Kosovë-SHBA, Dita e Falënderimeve

November 22, 2017 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj, pritje për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë, me rastin e Ditës së Falënderimeve/

4 Ramu THNKG3 THNKGIV1 Kosova Thanskgiv2 THNKSG1 Ramushi THNKG

PRISHTINË, 22 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka organizuar një pritje për gjithë stafin amerikan që shërbejnë në misione diplomatike, ushtarake dhe të ndryshme në Kosovë, me rastin e Ditës së Falënderimeve.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ua uroj Ditën e Falënderimeve gjithë të pranishmëve, duke theksuar se Kosova është vend i ri, por që e vlerëson lartë familjen dhe shoqërinë.“Jemi shumë mirënjohës qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët shërbejnë në Kosovë. Jeni nën presion çdo ditë, punoni shumë, dhe nganjëherë harrojmë të jemi falënderues. Ky është një moment i mirë dhe jam i lumtur që së bashku sot mund të ndjehemi si familje, sepse këto janë ndjenjat tona”, tha kryeministri Haradinaj, duke u dëshiruar gjithë të mirat stafit amerikan që shërbejnë në Kosovë dhe familjeve të tyre në SHBA.

Ndërsa, James Hope, shefi i Misionit të USAID-it në Kosovë, falënderoi kryeministrin për pritje, duke theksuar se Dita e Falënderimeve është një festë në Amerikë, festë kjo në të cilën kalon kohë me familje dhe shoqëri.“Kjo ma kujton Kosovën dhe familja është shumë e rëndësishme. Nuk do të mund të paramendoja një vend më të mirë në Kosovë për të kaluar Ditën e Falënderimeve sesa këtu në këtë vend shumë të ngrohtë”, tha Hope./b.j/

Filed Under: Politike

PROFILI I NJË DIPLOMATI

November 7, 2017 by dgreca

1 Wess_Mitchell_250_1KUSH ËSHTË DIPLOMATI I RI AMERIKAN QË DO TË MERRET ME PUNËT E EVROPËS DHE TË EUROAZISË?/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë për medien ka njoftuar muajin që kaloi se ai është Dr. A. Wess Mitchell, i cili me 12 tetor bëri betimin duke filluar detyrën e tij të re si Ndihmës Sekretar i Shtetit me përgjegjësi për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me 50 shtete të Evropës dhe Euroazisë si edhe me organizatat shumë-kombëshe, siç janë Aleanca ushtarake NATO, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja.  Në këtë detyrë, Dr. Mitchell zëvendëson ish-ambasadoren Victoria Nuland e cila kishte shërbyer në atë detyrë nga shtatori i vitit 2013.

1 Ndihmes sekretariNe Foto:  Gjatë ceremonisë së betimit në detyrën e re të Dr. Wes Mitchell në Stejt Departmentin Amerikan, në prani të familjes së tij dhe të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z.  Rex Tillerson/

Në njoftimin e (DASH) për emërimin e tij në detyrën e lartë diplomatike thuhet se para se të fillonte nga detyra e re në Departamentin Amerikan të Shtetit muajin që kaloi, si përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme amerikane në Evropë dhe në Euroazi, Dr. Mitchell ka punuar për 12 vjetë pranë entit të studimeve dhe çështjeve evropiane të quajtur “Center for European Policy Analysis”, si bashkthemelues i këtij enti, ndërkohë që ka shërbyer edhe si President i tij nga viti 2006 deri më 2017, kur u emërua në detyrën e lartë të Departamentit të Shtetit.   Vlen të përmendet se në atë ent të quajtur në anglisht “think tank”, punon edhe Janusz Bugajski, një njohës i mirë i çështjeve evropiane, përfshirë, Shqipërinë dhe Kosovën dhe i njohur nga bota shqiptare për ananlizat e tij të thella dhe komentet pikante mbi çështjen shqiptare në Ballkan.

Dr. Mitchell ka luajtur rolin kyç në drejtimin e këtij enti të njohur akademik dhe politik, me zyra në Washington dhe në Varshavë të Polonisë.  Ai ka shërbyer gjatë viteve në një numër bordesh dhe institutesh të njohura amerikane dhe evropiane, përfshirë, “The Zbigniew Brzezinski Institute for Geostrategy”, “The Slovak Atlantic Commission”, “The Prague Center for Transatlantic Relations”, “Atlantic Initiative Berlin” dhe “The Alexander Hamilton Society”.   Dr. Mitchell është gjithashut edhe autor i shumë artikujve dhe raporteve mbi marrëdhëniet transatlantike dhe mbi sigurinë ndërkombëtare.   Veprat e tija janë përkëthyer në 10-gjuhë të huaja, ndërkohë që artikujt e tij janë botuar në gazetat më të njohura amerikane dhe ndërkombëtare.   Dr. Mitchell është edhe autor i dy librave mbi gjeopolitikën dhe pret që librin e tretë ta botojë vitin që vjen, thuhet në njoftim të DASH.   Dr. Mitchell është doktoruar në Shkencat Politike në institutin “Otto Suhr Institut für Politikwissenschaft at Freie Universität” në Berlin të Gjermanisë dhe masterin e ka nga “Center for German and European Studies, Georgetown University’s Edmund A. Walsh School of Foreign Service” në Washington DC.   Ndër gjuhë të huaja flet gjermanishten dhe ka studiuar gjuhën çeke dhe holandeze, thuhet në profilin e tij.

Dr. A. Wess Mitchell, Ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë

Ditët e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi gjithashtu se me të marrë detyrën e re të Ndihmës Sekretarit Amerikan për Punët Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Wess Mitchell, pa humbur aspak kohë, u nis të martën për në Evropë për të vizituar një numër kryeqytetesh të rëndësishme evropiane, me qëllim, sipas njoftimit, “për të nënvijuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë transatlantike dhe ndaj partneritetit tonë” me vendet e evropiane dhe euroaziatike.   Thuhet se Ndihmës Sekretari i ri Amerikan i Shtetit do të vizitojë, gjatë dy javëve të ardhëshme, Brukselin, Parisin,Londrën, Berlinin, Varshavën dhe Kievin.

Njoftohet se në Bruksel, Dr. Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë belgë për të biseduar mbi një seri çeshtjesh bilaterale, ndërkohë që me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel do të shqyrtojë sfidat e përbashkëta globale, ndërsa me zyrtarë të NATO-s, pritet të theksojë angazhimin e përbashkët për ruajtjen e sigurisë, duke u përballut me kërcënimet dhe sfidat aktuale me të cilat përballen Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Paris, pritet që, sipas njoftimit në fjalë, zyrtari i lartë amerikan të zhvillojë bisedime me përfaqsues të lartë të qeverisë dhe të shtetit francez mbi një numër çështjesh me rëndësi të sigurisë globale dhe humanitare, përfshirë Iranin, Sirinë, Korenë e Veriut dhe Afrikën.   Gjatë qëndrimit të tij në Londër ai do të takohet me udhëheqës të lartë britanikë për bisedime që kanë të bëjnë me çeshtjet që janë pjesë e “marrëdhënieve të veçanta” midis dy vendeve në fushën ndërkombëtare dhe bilaterale, ndërsa në Gjermani, diplomati amerikan do të zhvillojë bisedime me zyrtarët më të lartë të Berlinit, gjithashtu për një numër çeshtjesh bilaterale dhe ndërkombëtare, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Në Varshavë, thuhet se përfaqsuesi i lartë diplomatik amerikan do të marrë pjesë në celebrimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së Polonisë, ndërkohë që do të takohet edhe me përfaqsues të lartë të qeverisë polake, me udhëheqës të shoqërisë civile, si dhe me përfaqsues të biznesit amerikan në atë vend.   Ndalesa e fundit e turneut të Z. Wes Mitchell në Evropë dhe Euroazi do të jetë Kievi, ku ka në plan të takohet me udhëheqës të lartë ukrainas, me qëllim për të ritheksuar rishtas angazhimin e politikës së Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe njëkohësisht për të inkurajuar atë vend që të zbatojë reformat, të cilat janë kritike për një zhvillim normal të atij vendi, thuhet në njoftimin zyrtar të (DASH).   Në Kiev, Zëvëndës Sekretari i ri Amerikan i Shtetit do të takohet gjithashtu edhe me përfaqsues të shoqërisë civile dhe të biznesit për të çkëmbyer mendime mbi përpjekjet e Ukrainës për transformimin e vendit në një shtet evropian të begatë,të sigurt dhe demokratik.

Duket se, me të drejtë ose pa drejtë, është bërë pjesë e vizitave diplomatike të zyrtarëve amerikanë, përfshirë ata të nivelit më të lartë, për të bindur Evropën se politika e Shteteve të Bashkuara nën administratën e Presidentit Trump, nuk do të ndryshojë nga politikat e mëparshme, megjithëse gjatë fushatës elektorale kandidati Trump mund të ketë aluduar për një ndryshim të tillë.   Deri më sot nuk është parë ndonjë ndryshim i madh i politikës së jashtme ose asaj ushtarake karshi aleatëve amerikanë në Evropë, megjithse ndihet nevoja që të përdoret çdo rast që të binden evropianët, se pa marrë parasyshë deklaratat e kandidatit Trump, çdo gjë është në rregull dhe se nuk ka asnjë nevojë për shqetësim nga aleatë e Amerikës në Evropë, përsa i përket angazhimit amerikan politik dhe ushtarak ndaj kontinentit evropian, përfëshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Madje edhe në median shqiptare është folur shpesh për mundësinë e ndryshimit të politikës amerikane ndaj shqiptarëve, nën administratën e re amerikane, pa ofruar asnjë provë për këte.   Është deklaruar disa herë nga zyrtarë të ndryshëm amerikanë dhe është theksuar nga ambasadat amerikane në Tiranë dhe në Prishtinë se politika amerikane karshi Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ndryshojë nën administratën e Presidentit Trump.   Politika e jashtme amerikane ndaj shqiptarëve në Ballkan ka qenë gjithnjë konsekuente dhe mbështetëse nga të gjitha administratat amerikane të çerek shekullit të kaluar dhe si rrjedhim, asgjë nuk pritet të ndryshojë as me emërimin e Dr. Wess Mitchell në detyrën e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova, si pjesë e mandatit të tij.

Por, jam i bindur se edhe nën drejtimin e politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor nga Dr. Wes Mitchell, prioriteti i politikës amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës për tu bërë pjesë e integrimit të plotë euro-atlantik — me përgjegjësi dhe të drejta të barbarta — nuk do të ndryshojë, siç nuk do ndryshojnë as thirrjet amerikane për përpjekje më të mëdha dhe më serioze nga ana e autoriteteve në Tiranë dhe në Prishtinë, për të bërë më shumë kundër korrupcionit, ndaj luftës kundër drogës, për një angazhim më serioz ndaj reformave në drejtësi, e tjera çeshtje që prekin negativisht marrëdhëniet bilaterale – çeshtje të cilat autoritetet qeveritare dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, i dinë fare mirë se ato janë njëkohësisht edhe prioritete të politikës amerikane pikëspari për të mirën e vetshqiptarëve, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore historike midis dy kombeve.

 

                    

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. A. Wess Mitchell, Frank shkreli, PROFILI I NJË DIPLOMATI

Ambasadori Lu: Presim arrestimin e Peshqeve te medhenj

November 7, 2017 by dgreca

-Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm, dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK-un dhe BKH-në.Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë.

Ambasadori Lu sot

Fjala e plote e Ambasadorit Lu ne nisjen e fushates kunder krimit te organizuar/

Ministër Xhafaj, Drejtor i Përgjithshëm Çako, kolegë ambasadorë,

Ne në Amerikë kemi një shprehje, kur me të vërtetë besojmë në diçka, – kur me të vërtetë e mbështesim atë – ne kemi një shprehje në gjuhën angleze “put your money where the mouth is” ose në gjuhën shqipe “veprat flasin më shumë se fjalët.”

Kolegët e mi të ICITAP-it që ndihmojnë policinë, OPDAT-it që ndihmojnë prokurorinë dhe FBI-ja amerikane janë këtu për t’u angazhuar sërish në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Programi ynë për ndihmën ndaj policisë është përgatitur për të pasur një këshilltar ndërkombëtar, që do të punojë brenda kësaj task force ndërinstitucionale.  Ndihma jonë për prokurorinë dhe policinë do të mbështesë zhvillimin e institucioneve të reja në luftën kundër krimit të organizuar – SPAK-un dhe BKH-në.  Gjithashtu, kemi edhe një agjent të ri special të FBI-së, i specializuar në krimin e organizuar transkombëtar, i cili do të punojë në Tiranë për disa muaj në mbështetje të kësaj përpjekjeje.

Po flasim me vepra, dhe jo me fjalë.

Ne në Amerikë kemi edhe një shprehje tjetër – “dreka falas nuk ekziston.” Nëse Amerika dhe vendet e BE-së do të vendosin burimet tona dhe besueshmërinë tonë në këtë luftë kundër krimit të organizuar, ne presim rezultate.

Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm, dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK-un dhe BKH-në.

Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë. Populli shqiptar e kërkon dhe e meriton këtë.

Së fundmi, ju keni një shprehje në shqip: “Dielli duket që në mëngjes.”  Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë se krimi i organizuar shqiptar është një problem serioz dhe një kërcënim për sigurinë kombëtare. Plani gjithashtu pranon se deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale.

Ajo që dimë gjithashtu është se Shqipëria ka një problem me lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë, ju lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Rroshit.

Ky nuk është problem i vetëm një partie; ky është një problem që ka pllakosur politikën shqiptare që nga rënia e komunizmit. Populli shqiptar ka fjalën tonë se Shtetet e Bashkuara do të angazhohen fuqishëm kundër krimit të organizuar, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me njerëz të fuqishëm, përfshirë politikanë, gjykatës, prokurorë apo biznesmenë të fuqishëm. Asnjë nuk është mbi ligjin.

Në shqip ju thoni: “Peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh. Minister Xhafaj,

***

LU:“put your money where your mouth is”

Director General Cako, ambassadorial colleagues,

In America, we have an expression, if you really believe in something – if you really support it – we have an expression in English “put your money where your mouth is” or in the Albanian language “veprat flasin më shumë se fjalët.”

My colleagues from ICITAP police assistance, OPDAT prosecutorial assistance, and the American FBI are here to recommit ourselves to the fight against organized crime in Albania.

Our police assistance program is prepared to have an international advisor working inside of this interagency task force.  Our prosecutorial and police assistance will support the development of new institutions to fight organized crime – SPAK and NBI.  And we have a new FBI special agent who specializes in transnational organized crime and will be working in Tirana for several months to support this effort.

We are putting our money where our mouth is.

In America we have another saying – “There is no such thing as a free lunch.”  If America and EU countries are going to devote our resources and our credibility to this war against organized crime, we expect results.

What do we expect?  We expect that this aggressive plan by the Albanian Government will result in the arrest and prosecution of several big fish early next year, and that this success will continue in 2018 with the SPAK and NBI.

Albania’s international partners expect this.  The people of Albania demand and deserve this.

Finally, in Albanian you have the saying – “Dielli duket që në mëngjes.”  We like this action plan’s clear and unambiguous acceptance that Albanian organized crime is a serious problem and a national security threat.  It also accepts that there has been a failure so far of Albanian criminal justice organs to deal with criminal groups.

What we also know is that Albania has a problem with the connection between criminal groups and politicians.  If you deny this, please examine the cases of Arben Ndoka, Mark Frroku, Gentian Muhameti, and Elvis Rroshi.

This is a problem not of one party; this is a problem that has plagued Albanian politics since the fall of communism.  The Albanian people have our assurance that the United States will engage strongly against organized crime no matter what links it has with powerful people, including powerful politicians, judges, prosecutors or businessmen.  No one is above the law.

In Albanian, you say, “The big fish eats the little ones.”  Let us for once eat the big fish in Albania.

{Pergatiti per Diellin, Shefqet Kercelli, sipas faqes zyrtare te ambasades se SHBA ne Tirane}.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasadori Lu: Presim arrestimin, e Peshqeve te medhenj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 508
  • 509
  • 510
  • 511
  • 512
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE
  • Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)
  • 18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT