• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PREMTIMI AMERIKAN

December 12, 2017 by dgreca

– Joe Biden, se bashku me DioGuardin, te paret zyrtare Amerikane qe kerkuan armatosjen e UCK-s/
1 Fation Bajden
Nga Tony Bislimi/
 Aeroplani që po ateronte në pistën e Madison, Wisconsin, merr mesazhin e mireseardhjes nga piloti, kurse e pasagjerët nguten për të dalë nga aeroplani për të arritë iterenaret e tyre. E mendoj se çdo aterim i aeroplanit brezit tim, dhe jo vetëm atyre, s’ka si të mos i sjellë në mendje ushtimat e avionëve që bënë lirinë e Kosovës me 1999 dhe rolin që kishte SHBA në fushatën ajrore të NATOs për të sjellë lirinë në Kosovë.
Joe Biden, është nga ata emra të përvetshëm që mendjen dhe zemrën e një burri të madh e kishte rreshtuar që të përkrahte fatin e Kosovës. Biden, që është një urtak i thinjur— unë parapelqej ta quaj, urtak ngase më asocon në urtësinë e Ibrahim Rugovës—është nga ata burra të SHBA-së që ka lënë gjurmën në politikëbërjen për sa kohë që ishte në detyrat më të rëndësishme të shtetit më të fuqishëm në botë.
Zevendes Presidenti Biden ka qenë nga zërat që kanë bërë gjerat e duhura në kohën e duhur për Kosovën, natyrisht këtyre emrave s’ka si të mos i shtohen edhe ai i Bushit te vjeter me “Kërcënimin e Kërshëndellave”, Presidenti Bush qe njohu pavaresine, Familja Clinton, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e Joe & Shirley DioGuardi, Lantos, Hyde, Gilman,  Rohrabacher, McCain, Royce, e shume e shume te tjere, sikur edhe shqiptarët e SHBA-së që kishin traditën e Vatrës që nga koha e Nolit dhe Konicës…
Biden, se bashku me DioGuardin ishin te paret zyrtare Amerikane qe kerkuan armatosjen e UCK-se dhe me ne fund binden Administraten e Clintonit per nderhyrje ushtarake ne Kosove.
Per këtë dhe per kontributin madhor te Joe Biden si dhe djalit te tij, tanime te ndjere, Beau Biden (i cili kishte sherbyer ne Gjilan pas luftes), ndonëse në pjesën më lindore të vendit, Gjilani, qyteti që më bënë krenar, nën lidershipin e Kryetarit Lutfi Haziri ka inicuar dhe perkrahur parezerve procesin e emërtimit te rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj ne nder te Beau Biden, i cili po ashtu ne korrik 2016 eshte shpalle Qytetar Nderi i Gjilanit.
Ne fjalimin e tij me teme “Premtimi Amerikan” ne Madison te dielen, kushtuar lansimit te librit te tij dedikuar djalit Beau Biden, “Promise Me, Dad”, Joe Biden, nuk ka përtuar të paraqesë mendimin e tij para njerëzve të mbledhur andëkënd botës per Kosoven dhe besimin qe ka per vendin dhe popullin tone.
Ndjehem krenar qe pata rastin ta takoj Zevendes Presidentin Biden pas fjalimit te tij Madison, dhe derisa po ia dorëzoja një tabllo falënderimi me vendimin e shpalljes Qytetar Nderi per te birin e Biden, në emër të Kryetarit Komuës së Gjilanit Lutfi Haziri, ai me tha se kishte nje vend te vecant ne zemer per Kosoven dhe shqiptaret dhe se ndihej krenar me punen e tij per Kosoven edhe sa ishte ne Senat edhe sikur Zevendes President ne Shtepine e Bardhe te Presidentit Obama. Gjate bisedes shume miqesore qe patem, une ia percolla Zevendes Presidentit Biden edhe ftesen e Kryetarit Haziri per vizite ne Gjilan dhe ndihem me shume sesa krenar te them se Gjilani shume shpejte do te jete nikoqir i Joe Biden dhe keshtu do e kulmoje miqesine me dhe nderimin per SHBA-te perjetesisht! Joe Biden pranoi me kenaqesi ftesen dhe u ndame duke me thene: “shihemi perseri ne Gjilan, bashke” duke i derguar edhe pershendetje te sinqerta Kryetarit Haziri!
Biden ende s’e ka dhënë fjalën e fundit në politikë, dhe shumë kush nga ata që bëjnë mendimin dhe opionin demokrat në SHBA e shohin Biden, si njeriun që do të që çojë demokratët në Shtëpinë e Bardhë perseri!

Filed Under: Politike Tagged With: Joe Biden, Joe DioGuardi, Premtimi amerikan, Tony Bislimi

Millosheviq, Karaxhiq, Mlladiq-Treshi kriminal serb i fund-shekullit 20

December 11, 2017 by dgreca

presidenti_rugova_sami_repishti

Nga  Sami Repishti */

“….Konferenca e Paqës e Parisit,1919, vol.XII-PPC 184-018/3-

“Sekretari i Shtetit për Z. A.J.Balfour,(Ministër Britanik i PJ):

“Ambasada Britanike në Washington ka informue Departmentin e Shtetit sa vijon: ‘Në lidhje me akuzat për masakrat kundër shqiptarëve në Mal të Zi: Gucia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri, dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e trupave serbe, dhe agjentëve serbë, qellimi i të cilëve duket ka qenë shfarosja fizike e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji, Robert Lansing’”

————–

Ridgefield,CT.  Me 29 nandor 2017, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavinë, Gjenerali kroat, Slobodan Praljak, komandant i forcave ushtarake kroate në Bosnje-Herzegovinë, posa mori vendimin e Gjykatës së Apelit : denim me 20 vjet burg për krime të ushtrueme nga forcat nen komandën e tij kundër popullsisë boshnjake myslimane në qytetin Mostar posaçërisht, ku kanë mbetë të vdekun mijëra viktima të pafajshme, në prezencën e të gjithë të pranishëmve piu nji gotë helmi, përbuzi Trupin Gjykues, dhe vdiq tue reklamue pafajsinë.

Ky akt “teatral”, me gjithë tragjikën e aktit të vdekjes- akoma ma i theksuem i vetë-vrasjes- përmban edhe nji element komik që nuk i shpëton vrejtësve të botës mbar. Akti u pa si nji “publicitet” për ndjeksit e tij. Akoma ma e randë ishte sjellja e disa autoriteteve kroate që ngritën këte akt në piedestalin e nderit të popullit kroat.

Nji qendrim i këtill më tronditi! Krimineli, sidomos ai që dënohet nga nji Gjykatë serioze siç ashtë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, nuk mund të transformohet artificialisht me nji gjest dramatik e publik që nuk justifikon veten, as shërben si shembull pozitiv për breznitë e ardhme.

Vrasja, vetëvrasja, e çdo formë tjetër që mund të marrë asgjasimi i pareparueshëm i nji jete njerëzore duhet dënue pa hezitim. Sot, në botën e qytetnueme ashtë eliminue me ligj “dënimi me vdekje” si “nji ndeshkim i egër dhe i jashtëzakonshëm”. Dhe, për mendimin tim ashtu duhet të jetë!

******

Bota shijoi fillimin e shekullit XX, sidomos Europa, me shpresën e hapjes së nji shekulli të ri, ma të mirë, ma paqësor dhe ma njerëzor. Fatkeqsisht, u vërtetue e kundërta. Për njiqind vjet me rradhë, na dëshmuem zhvillime politike që kthyen këte shekull në shekullin ma barbar dhe ma të përgjakshëm në historinë botënore: konflikte të vazhdueshme lokale, dy lufta botënore shkatërrimtare, holokaustin e kampet e përqendrimit, lindjen dhe zhvillimin e tri diktaturave –komunizëm (1917), fashizëm (1922), nazizëm(1933)- që pothuejse fundosën qytetnimin tonë mijëvjeçar, kushtuen jetën e miljonëve të pafajshëm dhe në kondita të paimagjinueshme, pleq e të rinj, gra e fëmij të masakruem, të gazuem, të djegun për së gjalli në krematoriumet naziste, të ngrimë në akullnajet e gulagëve sovjetikë, ose të dërmuem në tortura të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit “të Kampit të Madh Socialist”…..!

Që nga viti 1900, zbulime shkencore mahnitëse u banë me nji shpejtësi marramendse që na dhuruen nji përparim material të pa pamë; por fatkeqsisht, në kontrast “brutal”, sepse përjashtuen pjesën ma të madhe të popullsisë botënore: të pazhvilluemët, të pa ushqyemët. Si bekim apo si mallkim, zbërthimi i atomit dhe zhvillimi i energjisë nukleare na zbuloi nji aktualitet tragjik që rrezikonte vetë ekzistencën tonë si racë njerëzore: asgjasimin tonë fizik!

Kështu mund të kuptohet “ankthi” (Angst) që na ka mbërthye. Konceptet tona psikologjike, morale e metafizike, zhvillohen me shpejtësi me qellim të kapen zhvillimet shkencore moderne që vejnë në pyetje të gjitha këto koncepte tona. Bota ka nevojë për stabilitet, sepse pa stabilitet nuk mund të themelojmë nji shoqëni të urtë dhe të përjetësojmë nji qytetnim që na përshtatet. Për fat të keq, pa sukses!

Kështu, dashje ose pa dashje, gjindemi në detin e “ankthit” që na rrethon. Tmerret e Luftës I dhe të II Botënore provojnë se jemi në gjendje me krijue dhe me jetue në botën e barbarizmit, megjithëse deklarojmë se jemi “të qytetnuem”. Jetojmë në pritje të “Apokalipsit”, frikësohemi se ka ardhë fundi i botës, shpesh herë pa qenë plotësisht të ndërgjegjshëm për këte finale; ose pa gjetë fuqi të mbrendshme e të mjaftueshme me tentue evitimin e katastrofës. Në letërsi, kjo pozitë e vështirë e dëshpruese tregohet me balancën tonë në mes “të qenies njeri me dinjitet” dhe “boshllekut të plotë”!

Le të kujtojmë fashizmin, nazismin, komunizmin; le të kujtojmë ideologjitë kundërshtare: totalitarizmin e demokracinë. Sepse, ndiejmë lehtësim me shikue të kaluemen, e me zbulue “gabimet” e historisë, me ridimensionue emocionet tona që kemi përjetue ma parë – tue i krahasue ata me ato të sotmet. Nji histori që nuk qetëson por trazon e kërkon ashtë histori e mirë. Ashtë kjo histori “e mirë” që na paisë me vullnet dhe na forcon bindjen me dënue përsëritjen e terrorit të jetuem.

Unë shikoj sot terrorin e agresionit kriminal të popujve të ish Jugosllavisë kundër njeni-tjetrit, dhe sidomos agresionin kriminel serb në hapësinën shqiptare në ish Jugosllavinë, si dhe agresionin kriminel serbo-kroat në Bosnje-Herzegovinë kundër popullsisë myslimane, me ndjenjën e çmendurisë së tyne dhe vrapimit mbas andrrës shekullore për krijimin e perandorive mesjetare të harrueme në kurriz të popujve autoktonë. Si qenie njerëzore me arsye dhe ndërgjegje unë i dënoj !

**********

  • Slobodan Millosheviq, i njohun publikisht si “kasapi i Ballkanit”

konsiderohet si përgjegjsi i parë kryesor i shkatërrimit të ish Jugosllavisë, rezultat i politikës ekspansioniste në krijimin e nji “Serbie të Madhe”, dominuese e ish Federatës Jugosllave. I shgënjyem nga paaftësia e tij, si president i Serbise ma parë dhe i Jugosllavisë ma vonë, me gjetë nji zgjidhje paqësore problemit “nacional” për këte shtet multinacional që refuzoi supremacinë serbe mbi Federatën, ai luftoi kundër kushtetutës së vitit 1974 që margjinalizoi pushtetin serb mbi Federatë, dhe për paaftësinë e tij politike me “paqësue” trazimet e popullsisë shqiptare sidomos në Krahinën e Kosovës, popullsi që kërkonte liri e barazi, në fillim, dhe pavarësi të plotë ma vonë, të fitueme në qershor 1999, dhe formalisht me 17 shkurt 2008, me proklamimin solemn të pavarësisë, dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Ma në fund, Millosheviqi preferoi luftën e ngrohtë e shkatërrimtare që kushtoi ma shumë se 100.000 viktima, nga të cilët ma shumë se 12.000 kanë qenë shqiptarë të pafajshëm të Kosovës dhe zonave të banueme nga shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ma shumë se dy miljonë refugjatë, gjysma e tyne shqiptarë, mijëra gra e vajza të dhunueme nga ushtarët barbarë, humbjen e thesareve kulturore, artistike e dokumentacionin shtetnor, përveç miljardave dollarë damesh ekonomike, vetëm në Kosovë…! Qellimi i tij? Komandanti i forcave aleate të Nato-s në vitin 1999, Gjenerali Wesley Clark, shkruen në kujtimet e tia takimin me Presidentin Millosheviq para se të fillonte bombardimin aleat të trupave serbe në Kosovë:

“  Gjatë takimit me Presidentin Millosheviq për krimet në Kosovë, ai u përgjegj me nji pyetje:

– Ç’keni ju amerikanët? Pse përzieheni në problemin e Kosovës? Lereni në duert tona…Ne dijmë si ta zgjidhim…E kemi ba edhe ma parë…

– Si e keni zgjidhë, Z, President? pyeta unë.

– Fare lehtë! I vrasim të gjithë!” ishte përgjigjja!

– Z.President”, ndërhyna unë, “Ashtë pikërisht kjo zgjidhje që na nuk do të lejojmë…!”

Historia përsëritet, shkruejnë shumë historianë. Megjithate, edhe në se nuk përsëritet, ajo na mëson, na jep shembuj që nuk duhen përsëritë. Nji ironi e historisë tregon se mësimi i “historisë” nga shovinizmi serb ashtë “përsëritja” si në të kaluemen.

Në botimin e saj të datës 31 dhetor 1912, gazeta amerikane The New York Times, nën titullin “A Trail of Blood”  (Nji rrke gjaku) shkruen:

“ … Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit) deklarojnë se paqësimi ma efektiv i Shqipërisë do të ishte çfarosja totale e shqiptarëve myslimanë. Kjo parullë u adoptue nga Ushtria Serbe, dhe u zbatue në praktikë”.

Tragjedia e luftës civile në ish Jugosllavinë, lufta kundër pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes e kundër Kosovës së pambrojtun ashtë krimi ma i madh i Europës së mbasluftës, përgjegjsia e të cilit bie katërcipërisht mbi kurrizin e kriminelit komunist serb Sllobodan Millosheviq. Si akt poshtënues i kësaj figure antinjerëzore ashtë dokumentimi sekret i gjendjes së tij psihike. Në vitin 1990, ish Presidenti i Jugosllavise, Borislav Joviq, kërkoi nji raport nga ministri i mbrendshëm i Serbisë, Radmilo Bogdanoviq, mbi gjendjen mendore të Millosheviqit. Përgjegja: “probleme serioze psikopatike (psychosis schizophrenica 295 dhe diabet…Mjekët e vlerësojnë gjendjen shëndetsore të shokut Millosheviq si mjaft të randë, ndërsa aftësinë për punë mjaft të reduktueme…”.(Illyriapress.com, 11 nandor 2017)

(Vetëhelmimi i Millosheviqit në qelinë e burgut vulosë këte përfundim profesional. Babaj i tij, prift i Kishës Orthodokse serbe, bani vetëvrasje në vitin 1962. Nana e Millosheviqit, Stanislava, vari veten në litar, në vitin 1974)

  • Radovan Karaxhiq, i denuem nga Gjykata Ndërkombëtare me 40

vjet burgim vitin e kaluem, e për akuza të ngjashme, vegjeton sot në  qelitë e izolueme të burgut të Hagës. Ai u msheh për shumë vite në qendër të Beogradit të Ri, si nji psikiatër i panjohun, me emnin Dr. Dragan Dabiq, por i mbrojtun nga sherbimet sekrete serbe.

Posa filloi agresioni serb kundër boshnjakëve të pa armatosun dhe të papërgatitun për luftë, Dr. Karaxhiq hyni në veprim si President i Republika Srpska dhe komandant i forcave të armatosuna serbe në Bosnje -Herzegovina.

Nji ditë para se të merrte arratinë, ai ishte i ftuem në nji celebrim të nji familje myslimane, kojshi i vjetër, ku edhe vallëzoi. Të nesërmen, artileria serbe filloi bombardimin sistematik të qytetit Sarajevo që zgjati tre vjet e gjysëm; njeni nga objektivët e parë ka qenë shtëpia e fqiut mikpritës; bombardimi shkaktoi vdekjen e ma shumë se 12.000 qytetarëve të pafaj të qytetit. Me 24 mars 2016, Gjykata Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë, gjeti Dr. Karaxhiqin përgjegjës për krime lufte, gjenocid, dhe krime kundër njerëzimit, veçanërisht për masakrën e Srebrenicës, korrik 1995, dhe shqiptoi dënimin.

Dr. Karaxhiq ashtë shembull tipik i nji transformimi personal nga nji njeri i thjeshtë familjar, në nji monster të fuqishëm kur mjetet e shkatërrimit dhe agresionit vihen në duert e tia. Mania e tij e transformoi në monster të pangopun me gjakun e viktimave, dhe në ndjekës fanatik në fushatën e tij për eliminimin e jo-serbëve –në këte rast boshnjakëve myslimanë- për hir të zgjanimit territorial të Serbisë së Madhe. Historianët e kanë përcaktue Dr. Karaxhiqin si “arkitekti i gjenocidit të Bosnjes”, për vrasjen e ma shumë se 100.000 personave, shumica civilë të pafajshëm dhe pa mbrojtje.

3) Gjeneral Ratko Mlladiq, përcaktoi Gjykata Ndërkombëtare e Hagës me 22 nandor 2017, që nga viti 1992 deri në vitin 1995, për tri vjet e gjysëm me rradhë ka qenë kryetari ushtarak i organizimit të fushatës me dëbue myslimanët e kroatët nga vatrat e tyne stërgjyshore, me qellim të krijimit të nji shteti homogjen serb në Bosnjen e pushtueme – “vetëm serbë”….

Shtypi ndërkombëtar thekson se viti ma i përgjakshëm i kësaj fushate ka qenë viti 1992, gjatë të cilit 45.000 jo-serbë, pleq gra e fëmijë kryesisht, u vranë në shtëpitë e tyne ose në kampet e përqendrimit ndërtue me plan për këte qellim. Mijëra të tjerë vdiqën gjatë rrethimit të Sarajevos nga serbët, të vramë me artileri ose me pushkë snajper. Pika kulminante ka qenë ekzekutimi i ma shumë se 8.000 myslimanëve boshnjakë- burra e djelm të ri deri 14 vjeçar- në qytetin Srebrenica, me urdhën direkt dhe mbiqyrje të Gjeneralit Mlladiq. Televizioni amerikan tregoi skenat kur prindët dhe fëmijtë ndaheshin nga njeni tjetri. Gjenerali Mlladiq fërkonte kokën e fëmijve të terrorizuem, ndërsa urdhënonte ekzekutimin e prindëve. Ka qenë ky akt terrorist qeveritar që ka ngritë shqetësimin ma parë të botës së qytetnueme, dhe ma vonë revoltimin e tyne. Para Gjykatës, Gjenerali kriminel serb Mlladiq, pa lëvizje të qerpikut, ndigjoi sentencen: burg të përjetëshëm. Ma në fund ai shpërtheu:” Çdo gja që ju thoni ashtë nji gënjeshtër” bërtiti ai kundër Gjykatsit që urdhënoi nxjerrjen jashtë me forcë të gjeneralit kriminel.

Gjatë shqiptimit të denimit , kryegjykatësi, Alphons Orie, tha:”Krimet e Gjeneralit Mlladiq rreshtohen në mes të krimeve ma të mëdha që njeh historia e njerëzimit!” Nji gjykim i këtill nga GJykata Ndërkombëtare njollos përjetësisht politikën e shtetit serb, dhe politikanët serbë, me rrjedhime që ashtë akoma heret me gjykue…!

“Gjykimi i Gjeneralit Mlladiq,” shkruen The New York Times me 22 nandor 2017, “ashtë nji piketë çaluese dhe ambivalente në mesin e epokave të pasigurisë në Europë”; dhe vazhdon: ”Larg nga skenat e qetësueme të konfliktit ballkanik, aksionet nacionaliste, thirrjet për ripërcaktimin e kufinjëve dhe përplasjet me karakter fetar po ngrejnë kokën përsëri, jo me krizmat e mortajave dhe krik-kraket e mitrolozeve, por në rihartimin e panoramës politike” (në Europë)

Në Serbi, thirrjet për nji kthim në politikat nacionaliste të viteve 1990-ta po rriten çdo ditë. Zyrtarët e naltë e të diskredituem nga bashkëpunimi i tyne me rregjimin barbar të S.Millosheviqit – dhe jo pak kriminelë të denuem nga gjykatat- po rifitojnë postet e humbuna e prominente. Në Serbi sot, njeriu ka përshtypjen se “misioni historik i popullit serb- ndërtimi i nji Serbie të Madhe si ajo e Mesjetës së carëve serbë – nuk ka përfundue, dhe pakënaqsitë e mëdha të krijueme nga “lufta” nuk janë pakësue”. Në fakt, shkruen gazeta, “denimet e Millosheviqit, Karaxhiqit dhe tash së fundi edhe Mlladiqit ka mundësi të kanë rritë ndjenjen serbe të pakënaqsisë, dhe perceptimin e shumë serbëve për padrejtësi të bame kundër serbëve” (“viktimizimin e Serbise”SR). Pavarësisht nga gjykimi i dhanun, që ne të gjithë e shohim si pjesë e nji fushate kundër Serbisë, Ratko Mlladiq mbetet për serbët nji legjendë e kombit serb, deklaroi udhëheqsi serb i Krahinës autonome serbe në shtetin e Bosnje-Herzegovinës, territori i spastruem etnikisht nga forcat e Gjeneralit Ratko Mlladiq.” (22.XI.2017)

Ajo që viktimët boshnjake shohin në trajtimin e tyne nga politika e Fuqive të Mëdha ashtë “se serbët kanë pasë sukses me avancue ambiciet e tyne territoriale me anë të agresionit dhe se asgja nuk ashtë ba me mundësue nji farë jetese të përbashkët në ditë të vështira….” (Sead Munanoviq)

Përceptimi i shumë serbëve për “padrejtësi kundër kombit serb” u çfaq në Bosnje, dhe në luftimet e mavonëshme në Kosovë (1998-99). Akoma sot parulla e pankarta janë të vendosuna para Parlamentit serb në Beograd që dënojnë Bill dhe Hillary Clinton-in, përgjegjës për bombardimin 78 ditor të NATO-s dhe pavarësinë e Kosovës. Akoma sot serbët shkruejnë :“Kosova ashtë Serbi”….

Natasha Kandiq, leader serbe e lëvizjes për të drejtat e njeriut, e tronditun nga krimet serbe në ish Jugosllavinë deklaroi:”Ne pushuem së qenuni pjesë e Europës së qytetnueme. Tashti, na kemi mundësi me kuptue pse përparimi i jonë u ndal, dhe pse jemi transformue në nji shoqëni pa solidaritet e pa mëshirë”.

Nobelistja gjermane, Herte Mueller, tue folë në Teatrin Popullor Jugosllav, Beograd, kritikoi intelektualët serbë që nuk pranojnë të ballafaqohen me krimet. “Askush nuk flet per krimet”, dhe “Serbia gjithmonë i ka shkaktue të këqiat vetes” ,… “qytetarët  e saj duhet të jetojnë me këte të vertetë se ata vetë kanë shkaktue vuejtjet që përjetojnë dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999”.

Përfaqsuesi i OKB-së e quejti vendimin e Gjykatës ”nji fitore të jashtë-zakonshme për drejtësinë. Mlladiq ashtë personifikimi i së Keqes!”.

Nga 18 ditarët e mshehuna nga Gjenerali Mlladiq, lexohet:

“ 1992- Kërkesë nga Simo Drljaca, shef i Policisë, qyteti Prijedor (Bosnje). Kërkon ndihmë nga Ushtria (serbe) me zhdukë afër 5.000  kufoma boshnjake në Tomaçica, “…tue i djegë ose tue i coptue me maqina…ose me nji mënyrë tjetër…”.

Përgjegjja nga Mlladiq: “Ju i keni vra, ju i varrosni!”

*****

Në Editorialin e datës 25 nandor 2017, The New York Times, lexojmë:” Gjykata e Krimeve të Luftës, themelue në vitin 1993, ka denue ma shumë se 160 kriminelë. Tue dhanë denimin për Mlladiqin, ajo përfundoi, mbasi ndigjoi deshmitë e 5.000 personave që treguen hollësitë makabre të asaj që ngjau në ato ditë.

“ Por ky numër ashtë i vogël në krahasim me numrin e grave që u dhunuen, fshateve që u spastruen etnikisht, poshtënimin dhe agoninë e atyne që shohin se koha nuk ec për ata, ndërsa lufta vazhdon. Ashtu si e pashë unë me sytë e mi, burrat të cilët kryen këto akte kriminale –ata që ngrehen çarkun e pushkës vrastare mbi gra e fëmij, ata që hapen varrezat në Srebrenica, ata që morën pjesë në dhunime të femnave në Foca dhe qytetë tjera të Bosnjes – jane të lirë. Per mue, këta njerëz janë keqberësit e vertetë! Unë intervistova nana e bija që ishin dhunue së bashku, dhe akoma shohin dhunuesit e tyne të lirë në qytet, mbas kthimit nga lufta…! “(Janine di Giovanni)

Krimet e kryeme nga luftat vëlla vrasëse që shkatërruen ish Jugosllavinë do të kalojnë në historinë universale si shembulli ma elokuent i mundësisë së zbritjes sonë në ferrin ku krimi dhe papërgjegjsia e plotë mbretnojnë! Për të gjithë ne, që të shqetësuem kërkojmë këshilla, historia e shpërbamjes së ish Jugosllavisë në fund-shekullin 20, ashtë mësuesi ma i mirë!

Sot, na duhet shumë kujdes dhe fryma për inisiativë!

======================================================

* Aktivist për të drejtat e njeriut.

Filed Under: Politike Tagged With: i fund-shekullit 20, Karaxhiq Mlladiq-Treshi kriminal serb, Millosheviq, Sami repishti

MASAR KRASNIQI,SHQIPTARI NE AUSTRALI – TAKIMET ME PERSONALITETE TË NJOHURA TE BOTES

December 10, 2017 by dgreca

 

1- Masar Krasniqi, 19503 Grup shqiptarësh, Auckland (Zelandë e Re), 19635 Me I. Rugovën në Pallatin e Brigadave në Tiranë8 Me senatorin Bob Dole (Washington DC, 1990)13 Me liderin tibetian Dalai Lama16 Rugova, Bukoshi, Alush Gashi, Adnan Merovci dhe Masar Krasniqi (Washington DC, shkurt 1994)

Nga Hajro Hajra-Arizona/

Për Masar Krasniqin, veprimtarin e palodhur e atdhetarin e shquar dhe për takimin e tij me Nënën Terezë në qytetin zelandez Auckland, në prill të vitit 1970, kemi shkruar vite më parë (ai shkrim është publikuar edhe në “Dielli” vitin që shkoi).

Kësaj here, pas një bisede të gjatë që bëmë kohë më parë me telefon me zotin Krasniqi (ai që prej 10 vjetësh është shpërngulur nga Zelanda e Re, ku ka jetuar prej vitit 1950 dhe tani jeton në  qytetin Gold Coast, në Queensland, Australi) do të shkruajmë për takimet e tij me personalitete të njohura, sidomos këtu, në Amerikë, takime që përfshijnë një rreth kohor prej pothuaj dy dekadash, që nisin në kohën kur Kosova dhe çështja e saj sapo kishte filluar të futej nëpër kancelaritë e botës, sidomos të Amerikës dhe përfundojnë pasi Kosova nis të mbahet në këmbët e veta, veç të tjerash falë edhe kontributit të personazhit të këtij shkrimi, i cili do të shoqërohet me shumë fotografi ekskluzive, të papublikuara ndonjëherë (përveç fotografisë me Nënën Terezë). Të gjitha fotografitë na i ka siguruar bashkatdhetari ynë Sabit Abdyli, nga Kabashi i Vitisë, gazetar e shkrimtar, i cili që nga koha e luftës në Kosovë jeton në Zelandë të Re. Ai e ka takuar shumë herë Masar Krasniqin dhe ka shkruar disa herë për të.

Masar Krasniqi, lindur në Prishtinë më 1931, i përndjekur nga regjimi serb dhe i detyruar ta braktisë atdheun në moshë fare të re, më 1950, kur është vendosur në Zelandë të Re, ka filluar të angazhohet shumë herët, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë dhe për trojet e tjera shqiptare. Sa herë janë mbajtur zgjedhjet dhe është zgjedhur kryeministri i Zelandës së Re, ai i ka dërguar letër urimi kryeministrit të sapozgjedhur dhe, përveç urimit, doemos e ka shtruar edhe çështjen e Kosovës së robëruar. Porse, nuk është mjaftuar me kaq. Ai ka takuar pothuaj të gjithë kryeministrat e Zelandës së Re dhe me të gjithë e ka diskutuuar për Kosovën. Ka dhënë intervista, jo vetëm në Zelandë, po edhe gjetiu. Ai e kujton fare mirë një intervistë për Deutsche Welle, në Gjermani, dhënë pas demonstratave të marsit 1981 në Kosovë dhe provokimet, me atë rast, të një gazetari malazias, të cilin e kishte lënë pa fjalë.

Në një rast, kur Masar Krasniqi, si anëtar i LQSHA-së, ishte vënë plotësisht në shërbim të çështjes së Kosovës,  një drejtuese e Ministrisë së Jashtme e Zelandës, e cila kishte njohuri për angazhimin e tij për çështjen e Kosovës, i kishte thënë Masarit: – Sa herë të të ngecin punët në Amerikë, drejtohu në amabasadën e Zelanës së Re në Uashington dhe ata do të të dalin në ndihmë.

Angazhimi i tij ishte intensifikuar në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90, atëherë kur në disa vise të ish-Jugosllavisë kishte shpërthyer ose po shpërthente lufta, kurse në Kosovë po frynin erërat e atyre luftërave.

Themelimi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në janar 1989, nga ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, mik e bashkëpunëtor i afërt i Krasniqit dhe zgjedhja e këtij të fundit në kryesinë e saj, si përfaqësues i interesave të lobit amerikan për Shqipërinë, për Kosovën, për Maqedoninë dhe për trojet e tjera shqiptare, shënon kulmin e angazhimi të Masar Krasniqit për kauzën shqiptare.

Që nga vizita e parë e Rugovës në SHBA, në prill 1990 (e drejta, kjo do të ketë qenë vizita e dytë e Rugovës në Amerikë, po të kihet parasysh vizita e tij e parë, më 4 tetor 1989, kur Rugova, i shoqëruar nga  prof. Engjëll Sedaj, ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, kishte ardhur në Amerikë për të marrë pjesë në Seminarin Përkujtimor që ishte organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit), Masar Krasniqi e ka takuar Rugovën shumë herë.

Për takimin e parë me Rugovën, në Uashington DC, kur Rugova kishte shkuar me një delegacion dhjetanëtarësh nga Kosova, Krasniqi rrëfen: – Rugova ishte me delegacion ku bënte pjesë edhe dr. Idriz Ajeti, ish-profesori im nga Shkolla Normale e Prishtinës. Kur u përshëndetëm, profesor Ajeti më tha: – Unë e kam ditur që ti do të jesh këtu, prandaj ta kam sjellë një libër. Pastaj më njohu me Rugovën, duke më thënë: – Ky është kryetari ynë dhe ne ju falënderojmë (e kishte fjalën për mua dhe DioGuardin) që na sollët këtu, në Uashington për ta shtruar çështjen e Kosovës, këtu ku është tepër vështirë të depërtohet dhe ku shumë popuj vetëm mund të ëndërrojnë të futen.

Pothuaj në çdo udhëtim të Rugovës që bëhej nga Shqipëria, ishte edhe Masar Krasniqi. Ky i koordinonte takimet me Kongresin Amerikan që realizoheshin me ndihmën e Dioguardit. Ishim me fat – thotë M. Krasniqi, që e kishim Dioguardin në Amerikë. Ai ishte koordinatori i të gjitha takimeve të Rugovës e të delegacioneve nga Kosova me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan. Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane organizonte dhe sponsorizonte udhëtimet dhe takimet me përfaqësues të lartë të shtetit amerikan, përfshirë vizitën historike të delegacionit dhjetanëtarësh në Uashington, në prill 1990, për të dëshmuar para Kongresit Amerikan për dhunën e regjimit të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe takimin, po ashtu historik të Rugovës me kryetarin Clinton në shkurt të vitit 1994.

Sapo Adnan Merovci më njoftonte, unë gjendesha në Tiranë dhe takoja Rugovën në ish-shtëpinë e Enver Hoxhës – rrëfen Masar Krasniqi. Kam qenë, pothuaj gjithnjë në “sofër të parë”, në takimet e DioGuardit e të delegacioneve nga Kosova e nga vise të tjera shqiptare me përfaqësues të lartë të shtetit amerikan, po edhe në takimet e veçanta që bënte Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane me në krye DioGuardin, për të lobuar për çështjen e Kosovës. Në një rast kam takuar, bashkë me DioGuardin, 17 senatorë e kongresistë amerikanë. Kam kontaktuar në Amerikë, bashkë me DioGuardin, shumë organizata për të drejtat e njeriut dhe për çështjen e lirive të popujve.

Masar Krasniqi ka takuar shumë personalitete të huaja e shqiptare. Nënën Terezë, përveç në vitin 1970 e ka takuar edhe në prill 1993, gjatë vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II. – Gjatë këtij takimi, tregon Krasniqi, – Nëna Terezë, paksa e hamendësuar, më tha: – Më duket se jemi takuar diku… Po, Nënë – i thashë, jemi takuar në Zelandë të Re, para 23 vjetësh. – E pabesuseshme, si më kishte mbajtur mend.

Krasniqi ka takuar dhe Ibrahim Kelmendin, atdhetarin e veprimtarin preshevar. Atë e kishte pasur profesor në Normalen e Prishtinës. Sikurse M. Krasniqi edhe ai ishte detyruar të shpërngulej (ishte vendosur në Melburn, Australi më 1953, ku edhe ka vdekur, më 1979).

Pjetër Arbnorin e ka takuar disa herë, vetë ose bashkë me DioGuardin, në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (1992-1997). Ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë të lobit Shqiptaro-Amerikan – thotë Krasniqi.

Fotoja ku janë Masar Krasniqi, Azem Hajdari e Rugova është bërë në Vlorë, më 28 Nëntor 1995 ose 1996, ku Rugova, Krasniqi e të tjerë ishin ftuar nga Sali Berisha, asokohe kryetar i Republikës së Shqipërisë, në kremtimin e Ditës së Pavarësisë.

Azem Hajdari kishte simpati të madhe për Kosovën, – thotë Krasniqi. Ai na i hapte dyert te Berisha e te kryet e shtetit shqiptar. Me Azem Hajdarin jam takuar shumë herë dhe ai na ka kryer shumë punë lidhur me çështjen e Kosovës.

Më shumë se fjalët, flasin fotografitë. Për foton ku Masar Krasniqi ka dalë me Luan Gashin e Jack Dempsey, Masari thotë se kanë qenë mysafirë të Dampsey-t në restorantin e tij në New York. Luan Gashi ka qenë nxënës i Normales. Ai, bashkë me Adem Gllavicën e Halim Gllavicën, e të tjerë shqiptarë, në fund të vitit 1945 kanë ikur në Greqi. Luan Gashi më vonë ka punuar në Ambasadën Amerikane në Athinë deri më 1956, kur është shpërngulur në SHBA.

Kongresmenin republikan, Benjamin Gilman, mikun e madh të shqiptarëve e të Kosovës, i cili më 1992, bashkë me Tom Lantosh kishte bashkësponsorizuar rezolutën e paraqitur në Kongres nga LQSHA-ja, e cila bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka takuar 4-5 herë. Ai ka qenë edhe në Shqipëri – tregon Masari, dhe ka bërë punë të madhe edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë. Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ai ishte angazhuar shumë për çështjen e Kosovës, tok me ligjvënës të tjerë të asaj kohe, siç ishin senatorët Bob Dole, Claiborne Pell, Larry Pressler, Alfonse D’Amato si dhe kongresistët Tom Lantos, Porter, Broomfield etj.

Pas luftës Masar Krasniqi e ka takuar Rugovën në Kosovë 3 herë. Gjatë takimit të parë, menjëherë pas përfundimit të luftës, Rugova e ka falënderuar shumë për kontributin që Krasniqi kishte dhënë për lirinë e Kosovës. Takimi i dytë kishte qenë në dhjetor 1999, në ceremoninë e shënimit të dhjetëvjetorit të LDK-së, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Ja si e kujton Masar Krasniqi atë takim: në atë manifestim merrnin pjesë delegacione të LDK-së nga e gjithë Kosova e nga diaspora dhe shumë mysafirë të ftuar. Pallati ishte i mbushur përplot njerëz. Unë isha me Luljeta Pulën dhe, meqë kishim arritur me pak vonesë, kishim zënë vend diku lart, larg nga podiumi ku ishte Rugova, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë dhe mysafirët. Ndërkohë, Rugova më kishte parë që larg dhe e kishte çuar Adnan Merovcin të më merrte e të më çonte poshtë. Sapo u përshëndetëm, ma uroi lirinë e Kosovës dhe më paraqiti te bashkëpunëtorët e tij e u foli atyre për kontributin tim gjatë gjithë atyre viteve të stuhishme dhe më luti të rrija për një takim tjetër, në të cilin me gjasë kishte në plan të më shpërblente me ndonjë mirënjohje, por unë duhej të kthehesha në Zelandë. Nuk do të më bënte nder më të madh edhe sikur të më jepte kushedi sa mirënjohje e dekorata, se mirënjohja më e mirë ishin fjalët që Rugova kishte thënë për mua para gjithë atyre njerëzve.

Në një takim tjetër, të fundit, me gjasë në vitin 2000, Rugova i kishte dhuruar Masarit një kristal të Trepçes, nga ato që u dhuronte burrështetasve e miqve të Kosovës, kurse Masar Krasniqi i kishte dhuruar Rugovës një foto të madhe të delegacionit të Kosovës me senatorin Bob Dole.

Me liderin shpirtëror të popullit tibetian, Dalai Lama Masar Krasniqi është takuar në fillim të vitit 2000, si përfaqësues i Kombeve të Robëruara në Zelandë të Re, një organizatë e formuar nga imigrantët polakë, ish-të burgosur politikë, bashkëpartiakë e bashkëpunëtorë të bashkëthemeluesit të Solidaritetit dhe kryetarit të Polonisë (1990-1995) Leh Valesa. Ndonëse ishte me delegacionin polak, M. Krasniqi kishte shtruar me Dalai Laman edhe çështjen e Kosovës, të cilën, sipas Krasniqit, Dalai Lama e njihte shumë mirë.

Shumica e shqiptarëve në Zelandë ishin nga Shqipëria. Masari ishte pothuaj i vetmi nga Kosova, por kurrë nuk kishte qenë vetëm, gjithnjë kishte pasur përkrahjen dhe ndihmën e bashkatdhetarëve nga Shqipëria. Ata kishin qenë bashkëvuajtës sikurse Masari. Ndryshimi i vetëm ishte se ky ishte përndjekur nga regjimi antishqiptar serb e jugosllav, kurse ata ishin përndjekur nga regjimi komunist shqiptar.

Lidhur me një vizitë që Masar Krasniqi kishte organizuar për Adem Demaqit në Australi, ku Demaqi kishte shokë që kishin vuajtur burg bashkë me të në burgjet jugosllave, Krasniqi rrëfen: – Gjatë një dreke në shtëpinë e Adem Gllavicës në Perth të Australisë, ku mysafir ishte Adem Demaqi, pata një përplasje me të zotin e shtëpisë, Adem Gllavicën dhe me Adem Demaqin, ngase këta të dy kishin kritikuar DioGuardin. Masari, me atë rast, ua kishte mbyllur atyre gojën, duke folur me fakte për punën jashtëzakonisht të madhe që kishte bërë dhe po bënte DioGuardi, jo vetëm për Kosovën, po edhe për Shqipërinë e për trojet shqiptare.

Nuk ka qenë e papritshme që Demaçi të fliste kundër DioGuardit, kur dihen raportet e DioGuardit me Rugovën dhe urrejtja patologjike e Demaçit për Rugovën (mbase vetëm Rexhep Qosja ia kalon Demaqit me urrejtjen që ka pasur dhe ka për Rugovën)….Te plote e lexoni ne Diellin e printuar te 28 Nentorit 2017, faqet 50-51 dhe 67)

Filed Under: Politike Tagged With: Arizona, Hajro Hajra, Masar Krasniqi, personalitete te Botes, Takimet

ZGJEDHJA E PROKURORIT TE PERGJITHSHEM, KUNDERSHTIMI I OPOZITES, NDERKOMBETARET

December 10, 2017 by dgreca

Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ka përfunduar, kur nga Vettingu i prokurorëve nuk ka emra që kanë kaluar testin. Maxhoranca është për zgjedhje e një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm, opozita kundërshton.

1 Kuvendi

Adriatik Llalla, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë pas mbarimit të mandatit të tij 5 vjeҫar  vazhdon të jetë në detyrë. Brenda një muaji në zyrën e tij do të ulet pasuesi i tij, i zgjedhur me votat e Parlamentit. Por ai do të jetë vetëm i përkohshëm. Këtë status kalimtar të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme e kushtëzon vonesa në kryerjen e reformës në drejtësi dhe tejkalimi i afateve, të parashikuara në ndryshimet kushtetuese të verës 2016, për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ky institucion, që sipas Kushtetutës ka kopetencën për të emëruar Prokurorin e Përgjithshëm, nuk është ngritur ende edhe pse afatet ligjore për ngritjen e tij janë shkelur. Kësaj mungese institucionale i shtohet edhe mungesa e rezultateve të vettingut për prokurorët: vettingu ndaj tyre ka filluar, por ende nuk ka emra që kanë kaluar me sukses testin.

Për të dalë nga kjo situatë, maxhoranca socialiste i është drejtuar dispozitave kalimtare në ligjin  “për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” ku flitet për caktimin nga Parlamenti të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm. Parlamenti hapi të enjten (7.12) procedurën duke ftuar të aplikojnë brenda 5 ditësh prokurorët që përmbushin kriteret e përcaktuara ligjore. Burime zyrtare nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve pohuan për DW, se Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm do të jetë në këtë detyrë derisa të ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që do të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm me mandat shtatë vjeҫar.

Bashkimi Europian, SHBA dhe opozita

Caktimi nga Parlamenti i një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm mbështetet nga BE dhe SHBA. EURALIUS, Misioni i BE-së, që asiston kryerjen në Shqipëri të Reformës në Drejtësi dhe OPDAT ( Office of Overseas Prosecutorial Development Assistance and Training) nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA dhanë opinione ligjore në favor të kësaj zgjidhjeje. Delegacioni i BE dhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu publikuan (7.12)deklarata zyrtare në mbështetje të opinionit ligjor të dy misioneve të sipërpërmendura dhe nxitën Parlamentin të fillojë procedurat në zbatim të ligjit të Prokurorisë. Sipas këtij ligji parlamenti e cakton Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm me 36 vota nga votat e 140 deputetëve që ka Parlamenti.

Opozita e kundërshton dhe e quan anti-kushtetues caktimin e një Prokuroriu të Përgjithshëm të Përkohshëm. Opozita kërkon që ose mandati i kryeprokurorit Adriatik Llalla të zgjatet edhe dy vjet, ose pasuesi i tij të zgjidhet kur të formohet Këshilli i  lartë i Prokurorisë dhe kur të dalin rezultatet e vettingut me emrat e prokurorëve që kalojnë testin. Me këtë qëndrim kryetari i opozitës, Lulzim Basha, refuzoi propozimin e kryemnistrit Rama që të zgjedhin së bashku, me konsensus, një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Fillimi i procedurave për caktimin e një Prokurori të  tillë sipas opozitës përbën “një provë të qartë të vullnetit të saj të hershëm për kapjen politike të organeve të drejtësisë, përfshirë edhe prokurorinë”, tha Basha.

Si zhvillim i pritshëm në këtë kundërshti mes palëve mund të jetë adresimi i opozitës në  Gjykatën Kushtetuese lidhur me fillimin nga maxhoranca socialiste  të procedurave për caktimin e një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Daljen e situatës nga ngërҫi e sjell ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe progresi në kryerjen e vettingut për prokurorët. Drejtorja e Njësisë Ndërkombëtare të Monitorimit të Vettingut, Genoveva Ruiz Calavera tha për DW, se “të gjithë prokurorët e Shqipërisë duke përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm do të kalojnë në skanerin e vettingut.”  (Kortezi:Ani Ruci)

Filed Under: Politike Tagged With: Mandati i prokurorit et Pergjithshem, nderkombetaret, Opozita

Grindja pёr Jeruzalemin: dy tё vdekur qindra tё plagosur

December 9, 2017 by dgreca

Goma makinash qё digjen, gurё qё hidhen anё e mbanё: Pas njohjes sё Jeruzalemit nga SHBA-ja si kryeqytet i Izraelit vendi i shenjtё po tronditet nga trazirat. Nё Kёshillin e Sigurimit amerikanёt po hasin nё kritika.

Israel Jerusalem (Ost) Reaktionen nach Ankündigung Trumps zu US Botschaft (DW/Tania Kraemer)

Pas njohjes sё Jeruzalemit nga SHBA-ja si kryeqytet i Izraelit, si pasojё e trazirave nё Jeruzalem dhe nё territoret palestineze kanё gjetur vdekjen mё se 750 janё plagosur. Shumё prej tyre kanё pёsuar plagё prej tё shtёnave, shumica nga plumba gome, sikurse njofton shёrimi palestinez i shpёtimit Gjysmёhёna e Kuqe. Policia izraelite ishte prezente nё Jeruzalem me trupa tё pёrforcuara. Nё Jordanin Perёndimor janё vendosur batalione shtesё tё ushtrisё sё Izraelit. Hantifada e tretё, si dhe e shpalli tё premten “ditёn e indinjatёs”.

Palästina Ramalah Proteste gegen Trump (DW)

Nё njё seancё urgjente nё Kёshillin e Sigurimit SHBA hasi nё kritika masive tё 14 anёtarevё tё kёtij forumi. Vendimi i SHBA-sё pёr ta njohur Jeruzalemin kryeqatet tё Izraelit ёshtё „njё rast i rrezikshёm precedent“, tha ambasadori i Egjiptit tё OKB, Amr Abdellatif Aboulatta. Ambasadorёt e Britanisё sё Madhe Suedisё, Italisё dhe Gjermanisё pёrmes njё deklarate tё pёrbashkёt komunikojnё, se ky vendim nuk ёshtё nё pёrputhje me rezolutat e OKB-sё dhe nuk ёshtё i dobishёm pёr situatёn.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat tha nё televizionin Al-Jeezira, se populli i tij do tё negociojё sёrish me SHBA, vetёm pasi presidenti Trump ta tёrheqё vendimin e tij. Pas kёtij vendimi, sikurse njoftojnё pёrfaqёsues tё lёvizjes Fata, presidenti palestinez Mahmud Abbas nuk do ta takojё nёnpresidentin e SHBA-sё Mike Pence sipas planifikimit nё Bethlehem.

Filed Under: Politike Tagged With: dy te vdekur, Grindja per Jeruzalemin, hindra te plagosur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 509
  • 510
  • 511
  • 512
  • 513
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT