• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Edhe pse topi është i rrumbullakët…

October 10, 2017 by dgreca

1 andon dede

nga Andon Dede, Nju York/2 Shqiperi -ItaliPërsiatje pas ndeshjeve/

Në prag të një ndeshjeje të rëndësishme, në mos gabohem me Gjermaninë, në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar, u ndodha rastësisht në një kafene afër stadiumit “Qemal Stafa”. Pranë nesh ishte dhe një figurë e njohur në futbollin shqiptar, Besim Q., që në atë kohë punonte në mirëmbajtjen e stadiumit. Më është fiksuar në mendje ai sidomos tek vadiste fushën e blertë me një zorrë uji të fuqishme. Por, të kthehemi tek episodi i kafes që nisa. Besimin e njihnin të gjithë dhe, tek po diskutonin për ndeshjen e ardhëshme, dikush e pyeti se si e parashikonte ai rezultatin. Pyetja e tij tërhoqi vëmendjen e të gjithëve dhe si me sustë kthyen kryet tek ai. Besimi e ndjeu këtë interesim por nuk reagoi menjëherë. Gjerbi edhe një herë kafen, la filxhanin në vend dhe tërë qetësi tha duke luajtur kokën si të thoshte diçka befasuese e të rëndësishme: “Vallahi, topi është i rrumbullakët…”. Të gjithë lëshuan një si psherëtimë të lehtë pakënaqësie, me që ai, ndryshe nga ç’prisnim, pohoi diçka që dihej qysh kur ka lindur futbolli.

Mu kujtua ky episod këto ditë kur përjetuam humbjen me Spanjën, ndonëse dihet se kush është Spanja; veç kësaj, ajo na kishte mundur edhe në fushën tonë. Deklaratat pompoze të trajnerit e të shefave të tjerë të Federatës, për një lojë dinjitoze, u shumëzuan me zero kur kemi parasysh se si u realizuan golat, vetëm në 25 minutat e para dhe si e menaxhoi, pa shumë vështirësi, kohën tjetër të lojës trajneri spanjoll për të mos harxhuar energji kot. (Mos harroni se dhe Sërbia na i bëri dy golat e fitores së saj në Elbasan pasi kishte mbaruar koha e rregullt, në tre minutat shtesë). Nuk më pëlqeu deklarata e trajnerit pas ndeshjes, se dhe Italia ka ngrënë tre gola, po nga Spanja, edhe pse e vërtetë. Ai duhet të qe më modest, më realist e më kritik në pohimet e veta se, tek e fundit, humbja mban kryesisht autorësinë e tij. Megjithatë, pohimi i tij më kujtoi prapë Besimin e kafenesë: ”Topi është i rrumbullkaët e nuk duhet të habitemi nga asnjë rezultat”. Qetësia ime u rivendos deri diku vetëm kur pashë ndeshjen Turqi-Islandë, ku këta të fundit fituan bindshëm po 3 me 0, edhe pse ndeshja u luajt në fushën e fqinjëve tanë. Heshtja si në funeral e spektatorëve e shprehte më tepër se çdo gjë tjetër përjetimin e turqve që u rrahën keqas në fushën e vet, nga një ekip që përfaqësonte një popullsi qindra herë më të vogël se ajo e tyrja. Ja pra që vërtet topi, si i rrumbullkët që është, mund të na befasojë me rezultatet e ndeshjeve. Jo vetëm kaq, por duhet pranuar se mund të ndodhë edhe më keq nga ç’ngjau me ne. Unë nuk e mbaj veten as për tifoz të thekur e aq më pak për specialist të futbollit, por kaq gjë mund ta them pa drojtje: rezultati në Spanjë mund të kishte qënë shumë më i thellë sikur trajnerit të mos i mjaftonin ata tre gola.

Kam dëgjuar të tjerë tifozë që thonë se ne mund të kishim pretendime edhe për të marrë pjesë në Botërorin e 2018-ës. Unë i kam kundërshtuar, me argumenta jashtë-sportivë: kaq e kemi hapin! Vërtet se Islanda që zumë në gojë më sipër është një vend i vogël por a e keni parasysh nivelin e saj në të gjithë treguesit? “E ke gabim, – ma ktheu njeri. – Kështu skeptikë si ty kishte dhe për Europianin, por ja që shkuam…”. “Zuri qeni një lepur…” – ia prita unë dhe shtova më tej, – Po të mos na e kishin dhënë në tavolinë fitoren me Sërbinë, si zor të kishim marrë pjesë edhe në të…Mbase duhet t’i jemi mirënjohës Ballist Morinës për këtë?!” – e mbylla diskutimin si me shaka. Bashkë me të po i jap fund dhe këtyre radhëve duke iu kthyer edhe një herë fjalëve të Besimit në kafene: edhe pse topi është i rrumbullkët apo pikërisht për këtë, duhet luftuar e shpresuar, pavarësisht se kë kemi përballë. A nuk e përligj këtë aksiomë edhe ndeshja e fundit me Italinë: pavarësisht humbjes, askush nuk mund ta mohojë se çunat tanë dhanë maksimumin e mundshëm dhe meritonin më shumë.

Nju York, 10 tetor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: And on Dede, Edhe pse topi, është i rrumbullakët…

Feja e shqiptarit është shqiptarija

October 10, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/Eshtë një varg i poetit shkodran, Pashko Vasa. Ca e thërrasin Vaso Pasha, ose Vasko Shkodrani etj. Një intelektual shqiptar në botën otomane. Kulmin e karrierës e arriti kur mori drejtimin si mytesarif ose guvernator i Libanit më 1882. Dhe jo për pak, sa për të kaluar radhën, por plot 9 vjet. Koha kur Libani, një vend i vogël buzë mesdheut afro 1 milion banorë sapo kishte fituar disa të drejta më shumë deri tek autonomia, por me mbikqyrje nga porta e lartë. Koha e kolerës libaneze. Dhe do mbahet mend se i ndërtoi Bejrutit teatrin e parë. Një nga ata shkodranë që veç ai dhe’ di të nxjerri…,intelktual klasi.Pavarsisht një tërësie veprash letrare, aktivitetit atdhetar si pjesëmarrës në nismën për lidhjen e Prizërenit, 1878 alfabetin shqip me gërma latine etj, ai rron e mbahet mend për poezinë, O moj Shqypni. E kam fjalën për masën.

Vargje që shqiptarëve u duhej t’ua kujtonte edhe sot, portieri i nacionales italiane, në prag të ndeshjes me Shqiperinë. Në lidhje me këtë ai na kujtoi edhe identitetin, atë sojin shqiptar në llojin e vet. Që në të vërtetë është, por shpesh jemi ne që e nëpërkëbim dhe e diskutojmë.

Këtë poezi e gjen të përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Ka vërtet një strukture të ngjeshur, por të rrjedhshme, me temp. Ndofta nga një plasje shpirti për shkak se nganjëherë ne të çudisim me zjarrminë për të qënë sa turq, po aq edhe grek. Madje këtu qëndron gjithë ajo hidhni që nuk dua ta quaj ironi, por thjesht një keqardhje e madhe shpirti. E kam gjetur edhe në version anglisht. Ja disa radhë… ”some believe in God or Allah?/ say ”I’m Turk” or ”I’m Latin”/ say ”I’m Greek” or ”I’m Slavic” ect. Me pak fjalë ato vargje që tashmë dihen. Me përfundimin prapë therës, konstatues, jo ironik, nuk kam dëshirë ta them…, por jeni vëllezër mor të mjerë.

Në fakt është një kohë e tërë kjo e sotshmja ku shqiptarët akoma nuk po e kuptojnë se për cilat virtyte na çmojnë të huajt? Cilat janë ato virtyte që ne i kemi dhe u bjem lehtësisht me këmbë. Duke u hequr më mysliman se myslimanët e orientit dhe më katolikë se katolikët e perëndimit.

Mirëpo sot shqiptarët i gjen si misionarë të xhihadit. Mbartës të një fryme persekutimi në lidhje me besimin. Aq sa me të drejtë një analist shtypi u tha disave syresh, që, kemi frikë të hapim gojën se ju lëndoheni. E vërteta është se mënyra e praktikimit të myslimanizmit ka minimizuar pikërisht shqiptarizmën. Femrat shamitosen aq fort sa nuk kanë asgjë të përbashkët me ato grate e kohës apo gjyshet tona shami bardha, napat e kokës. Ato gjyshe që mban memoria jonë. Ato gjyshër me faqe të bardha e të buta. Ndonjëri edhe me pak mustaqe. Por aq. Madje edhe ata hoxhallarë po nga memoria. Unë e kam përmendur dikur. Njerëz plot thjeshtësi aq sa edhe tespiet i shkonin nëpër gishta me elegance. Sot, një misionar të imponohet e të vë gishtin tek koka. Shkon deri në Malajzinë e largët të rekrutojë xhihadistë. Më keq në Kosovën martire. Nën preteksin e mburojës nga sllavizmi, i janë kthyer Turqisë deri në një çmenduri kolektive. Sikur duan të varrosin me duart e tyre atë shqiptarizmën rrezatuese që kanë në emrat e fëmijëve, si Valon, Drin, Fjollëz, Visar etj. Flasin për të drejtat e minoritetit turk në Kosovë. Kërcënojnë në emër të Allahut dhe Erdoganit. Tamam ato fjalët hidhnake, me plasje shpirti të Vaso shkodranit, po jemi shqiptarë more të mjerë.

Por nuk ke çfarë i bën.

Ka ekzistuar gjithmonë mes nesh një takëm, një dru e shtrëmbër. Ja pse sot të flasësh për fenë islame, praktimin e saj nga shqiptarët është një herezi. Një botë ku duhet të mendohesh para se t’i qasesh. Prandaj përpara se të na e kujtoj ky, italiani, Buffoni, bëjmë mire t’ia kujtojmë ne për ditë, vetes. E akoma më mire ata që predikojnë islamin a myslimanizmin.

Filed Under: Politike Tagged With: feja e shqiptarit, Ilir Levonja, Vaso Pashk Shkodrani

Fëmijët nga Kosova, mirënjohje për ushtarët amerikanë

October 9, 2017 by dgreca

1 VloraKANSAS CITY: Vlora Çitaku – Ambasadorja e Republikës së Kosovës, në Washington, ka shkruar në rrjetin e saj Facebook këto ditë se, ka përjetuar momente të veçanta me fëmijët e Kosovës, të cilët i kanë dërguar kartolina në Ditën e Kujtimeve, ushtarëve Amerikanë, që kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të NATO-s. 1 ok LetraAjo shkruan se, janë rreth 100 fëmijë të moshave të ndryshme nga Kosova, të cilët kanë shkruar kartolina për ushtarët amerikanë të NATO-s. Kështu  vogëlushët në mënyrën e tyre kanë shprehur falenderimet dhe admirimin e tyre për kontributin e e SHBA dhe NATO-s në Kosovë. Nëpërmjet emocioneve të tyre ata kanë shprehur falenderimet e tyre se, ushtarët amerikanë dhe të vendeve të tjera të NATO-s, ndihmuan që vendi i tyre Kosova, tash e sa vite të gëzojë lirinë, dhe të kenë mbrojtjen e tyre të vazhdueshme.

1 Ushataret “Momente emocionale nga kartolinat që u dërguan nga fëmijët kosovarë për ushtarët e SHBA-së në Ditën Përkujtimore, të cilat arritën në destinacionin e tyre përfundimtar! Kartolina këto që u pritën me emocione nga ushtarët e Divizionit të 1-të të Këmbësorisë, të cilët ishin edhe ndër trupat e para të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, për të hyrë në Kosovë në Operacionin e Përbashkët për Mbrojtjen e Kosovës”, është shprehur Çitaku. 2 ÇitakuMë tej ambasadorja nuk fsheh edhe ndjenjat e saj për këto kartolina faleminderimi, të cilat zonja Çitaku i ka quajtur mesazhe nga fëmijët tanë, që dinë të përshkruajnë më së miri mirënjohjen e popullit të Kosovës, ndaj kombit amerikan. Përveç kësaj, sipas Ambasadores së Kosovës, në Washington, Vlora Çitaku, disa nga kartolinat do të vendosen në stendat e muzeut ushtarak të Divizionit të -rë të Këmbësorisë në Fort Riley, Kansas, si një kujtesë e prekshme e lidhjes midis Forcave të Armatosura të SHBA dhe popullit të Kosovës.

Ju lumtë dora dhe mëndja fëmijëve nga Kosova, për këto letra të përzemërta falenderimi mbi rolin e ushtarëve amerikanë në clirimin e Kosovës dhe ruajtjen e pavarësisë së saj. Këto letra përcjellin mesazhin e mirënjohjes dhe miqësisë së përjetshme midis popullit shqiptar dhe popullit amerikan. {Shënimi im. Shefqet Kërcelli, bashkepunetor i Diellit}.

Filed Under: Politike Tagged With: Fëmijët nga Kosova, Mirenjohje, për ushtarët amerikanë, Shefqet Kercelli

Deputeti Murrizi dhe sfida e 15 “spiunëve” në Parlament

October 8, 2017 by dgreca

Deputeti Demokrat Myslim Murrizi: Në Kuvendin e Shqipërisë ka 15 bashkëpunëtorë të ish-sigurimit, janë në të gjitha partitë…/

1 Murrizi

Deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, sfidoi disa ditë më parë ligjvënësit shqiptarë, teksa publikoi përgjigjen e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për raportin e tij me ish-Sigurimin.

Murrizi, thotë se, vetëm një deputet i është përgjigjur sfidës së tij, duke iu drejtuar komisionit, për të verifikuar nëse ka pasur apo jo lidhje me ish-Sigurimin. Ai është deputeti Romeo Gurakuqi.

138 deputetë të tjerë nuk i janë përgjigjur sfidës. Murrizi thekson se, sipas informacioneve të tij, 15 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Në një intervistë për shqiptarja.com, Murrizi thotë se deputetët spiunë fshihen në grupet parlamentare të tre partive kryesore në vend, sidomos në Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Myslim Murrizi mendon se kjo është arsye se pse deputetët nuk i drejtohen komisionit, për ta zbardhur para shqiptarëve të kaluarën e tyre.

-Z. Murrizi, disa ditë më parë, ju publikuat përgjigjen e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për raportin tuaj me ish-Sigurimin e Shtetit, ndërsa ftove kolegët në Parlament të qartësonin të kaluarën e tyre. Sa deputetë i janë përgjigjur sfidës suaj?

Unë mendoj se është detyrim moral i çdo deputeti që 27 vjet pas rënies së komunizmit t’ju tregojmë shqiptarëve të kaluarën tonë. Ai ligj nuk është ligj frenues, por është moral. Të gjitha vendet ish-komuniste, përveç Hungarisë, kanë patur ligj frenues. Hungaria e ka pasur ligj moral, ku KQZ thjeshtë bënte me dije qenien apo jo pjesë e shërbimit sekret të asaj kohe. Nëse do ta votonin qytetarët personin, do të thonë se qytetarët e duan spiun deputetin dhe nuk ke çfarë i bën. Në Shqipëri, në 27 vjet pluralizëm, ne kemi një komision, i cili nuk komandohet nga një parti politike.Ka qenë komisioni ‘Mezini’. Për këtë komision aludohej se ishte nën urdhrat e Berishës. Kur unë kam qenë deputet, nga viti 1997-2000, ka qenë komisioni i ‘Bezhani’, ku kryetari u emërua nga kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano. Ky që kemi tani, është një komision kolegjial, me 5 anëtarë të kaluar nga Kuvendi, ku një është përfaqësues i shoqatave të ish të përndjekurve politikë dhe një është drejtpërdrejt i përndjekur, Daut Gumeni dhe Simon Miraka. Unë mendoj se çdo i zgjedhur, edhe administrata, kryetarët e bashkive dhe qeveria duhet të bëjnë publike zyrtarët e lartë, ato që janë subjekte të këtij ligji, nëse kanë të kaluar me ish-Sigurimin e Shtetit apo jo.

-A i është përgjigjur deri më sot ndonjë deputet sfidës suaj?

Di që përveç meje, ka marrë përgjigje nga autoriteti edhe deputeti Romeo Gurakuqi i Qarkut të Shkodrës. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar e pyeta nëse kishte dërguar kërkesë, ku më konfirmoi përgjigjen. Pra, di që ka marrë përgjigje edhe Romeo Gurakuqi. Këtë çështje unë e kam ngritur edhe në mbledhjen e parafundit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kam pohuar se është detyrim moral, të paktën i deputetëve të Partisë Demokratike, si partia e parë antikomuniste, që të shkojnë të gjithë dhe të marrin tek ky autoritet përgjigjen për të kaluarën e tyre nëse kanë apo nuk kanë lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit.

-Si u prit kërkesa juaj nga kolegët?

Pash që disa hezitonin. Ky është problem i tyre. Për mua, ky Kuvend ka sërish bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Unë mendoj se janë pjesë e të gjitha partive.

-Ku e bazoni këtë konstatim apo bindje?

Po cila është arsyeja që i pengon për të ndërmarrë këtë akt moral, në një farë mënyrë për ta larë veten para qytetarëve në raport me ish-Sigurimin e Shtetit?! Pse nuk e bëjnë? Nuk ka asnjë kosto financiare. Është pa humbje kohe. Mund të bëhet me një formular. Çfarë i pengon?! Për mua në këtë parlament janë mbi 15 deputetë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit nga i gjithë spektri politik. Në hulumtimin tim 27-vjeçar, në reagimin e politikës sa herë hapet çështje dosjeve, në qasjen e tyre etj., për mua nga PD, PS dhe LSI janë mbi 15 deputetë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Unë aludoj për të gjithë që kanë qenë mbi 18 vjeç në vitin ’90, por absolutisht e them me bindje se janë mbi 15 deputetë. Nëse mendojnë se e kanë të vështirë këtë plotësimin e formularit, le të bëjmë një vendim të gjithë si Kuvend, t’i japim tagrin autoritetit të dosjeve që të bëjë publike të gjithë emrat tanë kush ka qenë dhe kush nuk ka qenë bashkëpunëtor.

-Në ligj, nga të gjithë kategoritë e funksionarëve, duke përfshirë presidentin, kryeministrin, ministrat, kryetarët e bashkive etj., vetëm deputetët janë përjashtuar nga verifikimi. Ata mund të verifikohen vetëm me vullnetin e tyre…

Kjo është bërë qëllimisht sepse kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit. Kjo do të thotë se nuk kanë mundur dot që të asgjësojnë dosjet e tyre. Të jesh i bindur se, nëse do të kishin zhdukur dosjet e vet, do t’i kishin hapur pa problem për të tjerët. Për mua është një ligj i cunguar, është bërë me hile, është bërë me qëllim, që të shpëtojnë veten ata që kanë menduar për të qenë në Kuvend ndoshta edhe këtë mandat apo edhe një mandat tjetër.

-Ç’po ndodh me dy nismat e Partisë Demokratike për dënimin e ekspozimit të simboleve të komunizmit dhe për dënimin e krimeve të komunizmit?

Me këtë çështje po merret një grup pune, i cili kryesohet nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Kodi Penal nuk pengon asnjë qytetar të këtij vendi që të shkojnë dhe të bëjë një padi në prokurori për ata që kanë lyer duart me gjak. Simbolikisht, dënimi i komunizmit duhet të fillojë nga shkëputje e Partisë Demokratike nga organet famëkeqe të ish-Sigurimit të Shtetit. Që ne të kemi tagër moral në Kuvend, duhet që të gjithë deputetët e PD, nga kryetari Basha deri tek më i riu, të kenë në dorë përgjigjen zyrtare të komisionit të dosjeve.

Nëse ke qenë shërbëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe kërkon që të bësh një ligj demagogjik për të dënuar, për shembull, një të sëmur psikik që del në Pezë me fotografinë e Enver Hoxhës në dorë, kjo është farsë. Duhet të shkëputemi nga e kaluara jo me demagogji, por me vepra. Shkëputja me vepra fillon nga ndarja përfundimtare me të kaluarën, me individë që i kanë shërbyer së kaluarës komuniste. Për mua, ky ligj duhet të ishte frenues. Boll më me avazin e 27 viteve të postkomunizimit, ku del operativi dhe thotë: Nëse ke hall, hajde e më tako mua sërish.

-Disa ditë më parë kritikuat ambasadorin amerikan për disa letra falënderuese. Tani ç farë mendoni për deklaratat e fundit të ambasadorit, ku foli për katër klane kriminale dhe 20 familje mafioze që kontrollojnë operacionet kriminale në Shqipëri?

E përgëzoj shumë sikurse u emocionova kur i çoi letër falënderuese Tinës. Vonë, por më mirë vonë se kurrë. Është një deklaratë reale për një realitet të hidhur në Shqipëri. Është ajo çfarë ka thënë opozita të paktën nga viti 2014 dhe këtej. Për mua absolutisht, parlamenti dhe qeveria duhet të tregojnë vullnet politik, që të shkëputet politika nga krimi, sepse mafie pa përkrahje politike nuk ka në asnjë vend të botës. Janë grupe ordinare që po të dojë shteti i shtyp si plesht.

Familjet mafioze që rrezikojnë kombin shqiptar absolutisht që kanë lidhje me politikën dhe herë-herë komandojnë politikën. Është në detyrën e kësaj mazhorance, e cila ka 74 mandate, që të tregojë vullnet politik për t’u shkëputur nga krimi apo jo. Opozita, përveç fjalës, nuk ka në dorë gjë tjetër. Asnjë të keqe nuk ka që shërbimet partnere dhe shërbimet ligjzbatuese vendase ta fillojnë survejimin dhe përgjimin tek 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Le të kërkojnë një deklaratë të firmosur nga ne, që të pranojmë që të jemi nën përgjim, për të parë se kush nga ne ka kontakte me krimin.

Filed Under: Politike Tagged With: "spiunëve", Deputeti Murrizi dhe sfida e 15, ne Parlament

Çfarë po gatuhet në kufijtë shqiptarë?!

October 7, 2017 by dgreca

Bisedime sekrete SHBA-Rusi në Beograd: çfarë po gatuhet në kufijtë shqiptarë?!/

1 Rusi SHBA

 Sputnik deklaroi  të  Shtunë me 7 tenor 2017 një fakt të bujshëm; Beogradi-kryeqyteti i Serbisë është kthyer në pikën neutrale midis dy superfuqive SHBA dhe Rusi. Njësoj si Vjena në Luftën e Ftohtë.Prej disa kohësh në Beograd po zhvillohen bisedimet e paqes mes SHBA dhe Rusisë në lidhje me Ukrainën dhe siç bën të ditur Sputnik, ka gjasa që kryeqyteti serb të jetë vendi i ardhshëm i takimit ndërmjet Donald Trump dhe Vladimir Putin.Si rrjedhojë, kjo do të thotë që Serbia, Ballkani, me një fjalë trevat shqiptare do të kthehen në një terren i përmbytur nga shërbimet sekrete të të gjithë Botës, në radhë të parë, CIA amerikane apo edhe GRU-ja ruse e cila merret me operacionet në Ballkan.Një dokument sekret i Prokurorit Special të Malit të Zi, Milovoje Kantiç, bënte të ditur se është zbuluar plani sesi do të sulmohej Mali i Zi nga forcat e shërbimit ushtarak rus.Është sërish portal Sputnik që bën të ditur ekzistencën e raportit të prokurorit malazez, i cili thekson se më 16 tetor 2016, në Zllatibor, një pikë turistike malore në Perëndim të Serbisë, që ndodhet pranë kufirit të Bosnjës dhe Malit të Zi, ka qenë shtabi i trupave të GRU që ishin përgatitur të kryenin një aksion ditën e zgjedhjeve parlamentare për të rrëzuar qeverinë e Podgoricës.Sputnik i kundërshton këto akuza, duke theksuar se janë thjesht fantazi, por nga ana tjetër i gjithë portali është i mbushur me lajme diversioniste për Ballkanin.Dhe si për të bindur më shumë gjithë këtë furi ruse në rajon, është sërish Sputnik që njofton se sot në ditën kur Vladimir Putin ka ditëlindjen, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e ka marrë në telefon për ta uruar dhe biseda menjëherë është bërë lajm në portalin e Kremlinit.

Putin pasi e ka komplomentuar Vuçiç ka deklaruar se së shpejti ata do të takohen në Beograd.

Nuk dihet ende nëse e ka thënë me kuptimin që takimi do të zhvillohet kur edhe Trump do të vizitojë kryeqytetin serb.

Në fakt, Sputnik bën të ditur se prej disa ditësh në Beograd po takohen intensivisht të dërguarit special të Donald Trump dhe Vladimir Putin, përkatësisht:Vladimir Surkov dhe Kurt Wolker, të cilët po diskutojnë mbi marrëveshjen e Minskut për Ukrainën.Kjo marrëveshje e firmosur me ndërmjetësimin e OSBE-së i kërkon Rusisë të ndalojë operacionet ushtarake në lindje të Ukrainës dhe të zbatojë një armëpushim.

SHBA kërkon vendosjen e Kaskave Blu të OKB-së në kufirin lindor të Ukrainës, por kjo do votën e Këshillit të Sigurimit, anëtar i të cilit është edhe Rusia. Që Putin të tërhiqet nga Donbas natyrisht që do të kërkojë një dëmshpërblim nga ana e Trump.Pikërisht përpara se të zhvillohet takimi i nivelit të lartë Trump-Putin, Rusia po lëviz gjërat në Ballkan.

Moska jo vetëm që nuk pranon që të largohet nga Serbia, ku ka instaluar në Nish një qendër logjistike, për të cilën NATO dyshon se është një pikë komandimi të operacioneve të spiunazhit, Moska po bën përpjekje që të trazojë Malin e Zi dhe Bosnjën.Sputnik prej kohësh po nxit një protestë të serbëve në Mal të Zi, të cilët janë mjaft të shumtë në numër dhe i mëshon idesë se Podgorica i ka përjashtuar serbët si një popull shtetformues.Sputnik thekson se 10 vjet nga referendum për pavarësinë e Malit të Zi, Podgorica po mohon çdo gjë që është serbe.Simonida Kordiç, kreu i opozitës serbe në Mal të Zi deklaron për Sputnik se “krerët e Malit të Zi përdorin politikën përça e sundo mes serbëve dhe malazezëve.Alfabeti cirilik është një përjashtim në Mal të Zi dhe nuk përbën një rregull. Administrata përdor pothuejse kudo alfabetin latin, duke dhënë një shenjë të pastër se nuk dëshiron asnjë element serb”.

E gjithë kjo atmosferë përplasjeje zhvillohet afër tokave shqiptare, afër kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë që krijojnë një situatë shumë komplekse.

Në këtë atmosferë në Beograd do të zhvillohen takimet e mëdha për të ardhmen e Kosovës, ku palë nu do të jetë më BE por sipas gjasave SHBA dhe Rusia do të vendosin për të ardhmen e Kosovës.

Siç Klinton bindi Jelcinin me anë të kryeministrit rus Cromerdin, edhe Trump do ta zgjidhë këtë problem njëherë e përgjithmonë me Putin.

Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore e vizitës në Ballkan të Zv.presidentit amerikan Mike Pence në Gusht. E njëjta ka qenë edhe arsyeja e pritjes së Hashim Thaçit në Shtëpinë e Bardhë.

Pra Beogradi duket që do të jetë qyteti ku fuqitë e mëdha do të shfryjnë tensionen, që sipas rregullit do të duhet t’I ndezin në kufijtë përreth.

Ndaj dhe ka nisur një garë e erdhshme armatimi në të gjithë Ballkanin dhe Beogradi synon të tregojë që është më i armatosuri, duke sjellë si “qershinë mbi tortë” bombarduesit rusë Mig 29.

Por Sputnik ka një shqetësim që e shprehë herë pas here dhe ai është Bondteeel-baza amerikane pranë Ferizajt, për të cilën shërbimi secret rus ka marrë vesh shumë pak. Një muaj më parë, mediave serbe iu dha një armë nga Moska se në Bondsteel ka armë bërthamore.

Të jetë e vërtetë?! Shaban Murati, diplomati veteran shqiptar, aktualisht i tërheëqur nga shërbimi aktiv shkruante në faqen e tij në Facebook: “Me rastin e mbrritjes kësaj jave në Beograd të një skuadrilje prej gjashtë avionëve gjuejtës “MIG-29” dhuratë e Rusisë për Serbinë, presidenti serb Vuçiç deklaroi në 5 tetor: “Serbia ka tani në mënyrë të bindshme skuadronin më të fuqishëm në rajon. Në një kohë të shkurtër Serbia ka marrë tani avionë ushtarakë më tepër se gjatë 40 viteve të kaluara”.

Mendoj se qeveritë dhe diplomacitë e shteteve ballkanike duhet t’i bëjnë vetes pyetjen: ”A po armatoset Serbia për Korenë e Veriut?”.

Filed Under: Politike Tagged With: Çfarë po gatuhet, në kufijtë shqiptarë?!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 515
  • 516
  • 517
  • 518
  • 519
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë
  • HYSEN S. DIZDARI, VLERA E NJË HULUMTUESI SERIOZ NË PULLAT SHQIPTARE
  • Njё Dritёro amerikan, Robert Frost (1874 – 1963)
  • 18 mars 2026, 78 vite nga lindja e poetit martir Vilson Blloshmi!
  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT