• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI AMERIKAN: RREZIKU RUS PËR SHQIPËRINË…

March 20, 2017 by dgreca

… DHE MBARË EVROPËN/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Ja, më në fund u zgjua edhe Kongresi Amerikan dhe lëshon alarmin se Rusia putiniste mund të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri dhe në një numër vendesh të tjera evropiane që mbajnë zgjedhjet këtë vit, me qëllim të keq për të ndikuar në rezultatin përfundimtar të tyre dhe në fitoren e kandidatëve ose partive që mbështet Moska për interesat e veta. Rezoluta e Kongresit u përpilua pas shqetësimeve që janë shprehur kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara në lidhje me rolin rus për të influencuar zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, nepëmjet sulmeve hibernetike kundër Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate dhe kryetarit të fushatës së Hillary Clinton, John Podesta, ndërkohë që numër komisionesh të Kongresit amerikan vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë çështje.

Rezoluta e Kongresit amerikan ve në dukje se 17 agjenci të fshehta amerikane kanë ardhur në përfundimin se Rusia kishte bërë përpjekje për të influencuar zgjedhjet e vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe citon Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare James Clapper se ka deklaruar, në fillim të Janarit, para Kongresit Amerikan se, “Rusia ka përdorur gjithashtu sulmet dhe taktikat hibernetike me qëllim për të influencuar opinion publik anë e mbanë Europës dhe Euro-Azisë”.   Në rezolutën e tyre, kongresmenët amerikanë shprehen se “Vitin e kaluar kanë urdhëruar entet e fshehta amerikane që të hetojnë nëse shërbimet e sigurimit të fshetë rus janë duke financuar aktivitetet e partive politike dhe të organizatave bamirëse mbrenda Evropës, me objektivin përfundimtar për të rrezikuar normat dhe standardet demokratike, për të dobësuar aleancën NATO dhe për të mbështetur kandidatët ekstremistë pro-rus, për poste politike anë e mbanë Evropës.”

Rezoluta numëron një seri përpjekjesh ruse për të influencuar zgjedhjet në disa vende evropiane dhe anëtarët e Kongresit amerikan thonë se disa shtete evropiane kanë denoncuar sulmet kibernetike të hakerava rusë, të cilat kanë marrë ose janë përpjekur të marrin në kontroll servera të rëndësishëm kompjuterikë.   Me rëndësi është gjithashtu fakti se Kongresmët shfaqin gjithashtu shqetësimin e tyre serioz në lidhje me propagandën ruse në fushën e shpërndarjes së lajmeve të rreme nga dy agjensi lajmesh ruse në anglisht, “Russia Today” dhe “Sputnik”.

Në rezolutën e tyre, kongresmenët amerikanë bëjnë thirrje — ndërkohë që një numër vendesh evropiane kanë në plan të mbajnë gjatë këtij viti zgjedhje, parlamentare, federale, vendore dhe presidenciale, duke përmendur Shqipërinë, Armeninë, Xhorxhia-n Gjermaninë, Hungarinë, Lihtenstajnin, Holandën, Irlandën veriore, Norvegjinë, Portugalinë, Serbinë, Slloveninë dhe Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, dhe Serbinë – që Rusia menjëherë të ndërpresë të gjitha sulmet kibernetike kundër qeverive, partive politike, zyrtarëve të ndryshëm qeveritarë, subjekteve zgjedhore dhe sistemeve të ndryshme informuese të publikut anë e mbanë vendeve demokratike të Evropës.

Më në fund, në rezolutën e paraqitur nga kongresmeni republikan i shtetit Illionois, Peter Roskam dhe kongresmeni demokrat David Cicilline i shtetit, Rhode Island, theksohet se “Është politika e Shteteve të Bashkuara që të sanksionohen entitetet dhe individët mbrenda Rusisë, ose ata që bëjnë pjesë në qeverinë ruse, të cilët janë të angazhuar në sulmet hibernetike dhe në fushata propagandistike, me qëllim për të ndërhyrë në proceset e zgjedhjeve demokratike.”   Sponsorizimi i kësaj rezolute nga një kongresmen republikan i djathtë dhe tjetri demokrat i majtë, nënvijon shqetësimin e përfaqsuesve të dy partive në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,   me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vendeve perëndimore.  Në lidhje me këtë shqetësim, Kongresmeni republikan Peter Roskam duke folur për rezolutën, është prononcuar për gazetën britanike Guardian se, “Rusia po përpiqet të minojë demokracinë dhe institucionet demokratike anë e mbanë botës perëndimore.  Prandaj është e rëndësishme që të paraqesim një front të përbashkët dhe ta bëjmë të qartë për të gjithë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara dënon fuqishëm ndërhyrjet qëllimkëqia të Rusisë në Evropë dhe në mbarë botën”, ka thënë kongresmeni amerikan.

Po si kemi ardhur deri këjo situatë?  Sipas ekspertit James Kirchick pranë entit The Foreign Policy Initiative, situata për të cilën flasim nuk është e rastësishme.  Rusia ka punuar për një kohë të gjatë për të sjellur Evropën në gjëndjen që është sot.  Ai ka shkruar kohët e fundit në revistën Politico se, “Ndërkohë që stabiliteti politik, kohezioni shoqëror, begatia ekonomike dhe siguria në Evropë janë sot më të kërcënuara se asnjë herë tjetër, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, Rusia është duke destabilizuar kontinentin në çdo front”.   Megjithse ish-kandidati republikan për president Mit Romney, i cili gjatë fushatës për president pesë vjetë më parë kundër kandidatit demokrat Barack Obama pat paralajmëruar se, sipas tij, ishte Rusia ajo që përbënte rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, e si rrjedhim edhe për botën.  Por në atë kohë të gjithë u tallën me deklaratën e tij, si jo reale.  Eksperti James Kirchick pjesërisht kritikon ish-administratën Obama për gjëndjen e krijuar me Rusinë, duke thënë se, “Barack Obama zbuloi tepër vonë se regjimi i Putinit përbënte një kërcënim ndaj vlerave dhe interesave perëndimore”, duke e cituar ish-presidentin Obama i cili ka thënë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia se, “Kjo nuk përbën një Luftë tjetër të Ftohtë…ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk kryeson ndonjë blok kombesh. Nuk ka një ideologji globale. Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk kërkojnë ndonjë konflikt me Rusinë”, ka thënë ish-presidenti Obama pesë vjetë më parë.  Por James Kirchick parafrazon Leninin duke thënë se “Perëndimi mund të mos kërkojë konflikt me Rusinë, por Rusia kërkon konflikt me Perëndimin.  Kjo për arsye se regjimi i Putinit në natyrën e tij – nacionaliste, revizioniste dhe ekspansioniste – nuk mund të bashkjetojë me një Evropë demokratike, e gatëshme për të mbrojtur parimet dhe vlerat e veta.”

Hajde se Amerikanët i kanë proceset dhe entet qeveritare, shtetërore dhe ekonomike për t’ju kundërvenë  qëllimeve të këqia të Rusisë ndaj demokracisë amerikane, përfshirë Kongresin, siç pasqyrohet edhe në rezolutën e përmendur më lartë, por si duhet të veprojnë shqiptarët përballë qëllimeve të këqia të Rusisë – tani dhe historikisht –  kundër interesave të shqiptarëve në trojet e veta.  Jo me flirtime që dëgjohen herë pas here të politikanëve shqiptarë ndaj Moskës, por me dënimin më serioz, nga të gjitha palët e politikës shqiptare të përpjkejeve të Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri, siç alludohet edhe në rezolutën e Kongresit Amerikan.  Për më tepër, ashtu siç kam shkruar vazhdimisht për këtë temë, madje vite më parë — ndoshta edhe kur pak kush fliste për rreziqet ruse në Ballkan — politika shqiptare duhet të deklarohet pa asnjë dyshim dhe me bindjen më të thellë se stabiliteti në Balkan minohet nga obstruksioni ose pengesat ruse, sidomos ndaj njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.  Duke heshtur ndaj këtij obstruksioni, ndihmohet perjëtësimi i mos-stabilitetit në rajon, nga i cili shqiptarët do pësonin pasojat më të këqia.  Drua se politika shqiptare nuk ka qenë aqë e vendosur në kundërshtimin parimor të këtij obstruksioni.  Nuk më duket se është e arsyeshme të quhen “marrëdhënie normale” ato me Rusinë, kur ky vend nuk njeh, lere më interesat jetike, por as ekzistencen e gjysmës së kombit shqiptar. Kapitullimi para interesave të mundshme e të përkohëshme ekonomike e financiare me Moskën, në kurriz të interesave kombetare, duhet të jetë i papranueshëm.

Stabiliteti i Ballkanit është më i qëndrueshëm me pavarësinë e pakëthyeshme të Kosovës, me zbatimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e veta si edhe me kufizimin e politikes ekspansioniste serbe dhe me mos-nderhyrjet obstruksioniste ruse në Shqipëri dhe Kosovë.  Është e pakuptueshme se pse lejohet pasardhsi i Stalinit të ketë një një pikëmbështetje në Ballkan.  Pikësëpari u takon politikanëve të atij rajoni që të mos krijojnë ujëra të turbullta në punët e veta për të lehtësuar ndërhyrjen ruse, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë dhe njëkohsisht të përshpejtojnë plotësimin e kushteve për një antarësim më të shpejtë dhe më të përgjithshëm të dy shteteve shqiptare, në të gjitha organizmat euro-atlantike.

Është e doemosdoshme dhe në interesin kombëtar, që si Shqiperia ashtu edhe Kosova të kenë marrëdhenie të mira, në të gjitha fushat e me të gjitha vendet e botës — të mëdha e të vogëla — duke përfshirë këtu edhe Rusinë e Serbinë. Por këto marrëdhënie duhet të ndërtohen e të kultivohen në bazë të interesit kombëtar të shqiptarëve dhe pastaj, në bashkpunim me partnerët ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara, në interesin e përbashkët dhe të respektit reciprok midis vendeve të rajonit dhe në interes të lirisë, të demokracisë dhe të sigurisë në kontinentin evropian.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Kongresi Amerikan, per Shqiperine, Rreziku rus

Shqipëria ka nevojë për një “dhjetor” tjetër

March 20, 2017 by dgreca

1-andon-dedenga Andon Dede, Nju York/Sa u gëzuam atë dhjetor të ’90-ës! Si fëmijë, besuam se tash e mbrapa edhe ne do t’i ngjanim botës, jo vetëm se shpëtuam nga zinxhirët e një prej diktaturave më të tmerrshme që kishte njohur ky vend, por dhe për dritën jeshile që menduam se u hap edhe për ne, drejt lirisë, mirëqënies, prosperitetit e tërë të mirave që sjellin këto.

Por, shumë shpejt u zhgënjyem keqas, në të gjitha drejtimet. Dhe ky zhgënjim ishte dhe është edhe më i tmerrshëm, më shkatërrues e më vështirësisht i përballueshëm se ai i prindërve tanë kur, mbas Luftës së Dytë Botërore, jo më që nuk hëngrën me lugë floriri, siç iu qe premtuar, por ndjenë se në qafë iu vu një lak i ri që s’e kishin provuar kurrë më parë. Pse e them këtë? Se, tek e fundit, diktatori e shpura e tij nuk e fshihnin se qenë një diktaturë, gjoja ”e proletariatit”, paçka se ata që sundonin s’kishin asgjë të parbashkët jo më me proletarët por as me  turmat e pangopura me bukë që kishin nën vete. Kurse zhgënjimi i tanishëm është dhe më i pagëlltitshëm kur mendojmë se na vjen në një klimë krejt të ndryshme nga ajo e pas-Luftës, prej atyre që iu besuam e që, në dallim  nga të të parët, na u hoqën se i përkisnin një “race” tjetër, me demek demokratike. Por, s’qe e thënë. Edhe ata, si gjithë pushtetarët, shumë shpejt u tjetërsuan. Them u tjetërsuan apo u transformuan se, në fillimet e tyre, në mos të gjithë, të paktën disa syresh, edhe mund të kenë qënë sadopak idealistë. Por, përvoja jonë tregoi atë që bota e ka përjetuar me kohë, se pushteti është më i fortë se çdo ideologji apo ideal.

Klasa politike që ka sunduar në këtë çerek shekulli, e cilitdo krahu qoftë, e ka diskretituar keq veten dhe e ka humbur të drejtën për të qeverisur më tej. Por, ecë e hiqe! Është shumë e vështirë, në mos e pamundur.

*   *   *

Shpesh pyes veten dhe, ma merr mendja se këtë pyetje e kanë bërë dhe e bëjnë edhe shumë të tjerë: “Si qe e mundur që Enveri qëndroi në pushtet për afro gjysmë shekulli, kur shumë njerëz të ndershëm e të mënçur e kuptuan që në fillim se kishin të bënin me një mashtrues e kriminel që nuk i dhimbsej jo më jeta e popullit por as e miqve e bashkëpuntorëve të tij më të ngushtë, madje, edhe e atyre që e kishin mbajtur me bukë apo që kishin vënë në rrezik kokën e tyre për jetën e tij?! Dhe përgjigjen e kam kuptuar me kohë: Çdo diktator, gjë e parë që bën, krijon atë aparat apo mekanizëm që do t’i duhet për të mbajtur e forcuar pushtetin, për të vënë nën zgjedhë të tjerët. Këtë bëri edhe Enveri, sa mori pushtetin: solli nga fshatrat më të humbura legjionet e pashkolluara dhe mbushi me to radhët e aparatçikëve dhe sidomos të Sigurimit famëkeq.  Për jetën e re që po shijonin, përmes komoditeteve të shumta që iu siguroi, ata ishin gati të vrisnin dhe nënën e babën po t’ua kërkonte ai që i solli në ato poste.

Kalojmë tani në kohën tonë. Edhe këta të sotmit, jo vetëm e kanë kuptuar e përvetësuar me themel këtë “sekret” por edhe e kanë zbatuar e po e zbatojnë po me aq sukses, duke krijuar një strukturë administrative e mbrojtjeje sa që e ke të vështirë në mos të pamundur për t’i lëvizur nga karriget ku janë ulur, në pushtet apo në opozitë qofshin, gjë që për mua, tashmë nuk ka thuajse asnjë ndryshim e rëndësi. Janë gati njëlloj si ata, për nga etja për pushtet, zullumet që bëjnë e mjerimin që iu shkaktojnë masave të pambrojtura të popullit.

Gjithë sa shpreha më sipër, më shtyjnë të mendoj se Shqipëria mund të shpëtohet nga kjo gjendje kënetore ku është fundosur, vetëm përmes një “dhjetori” tjetër që të largojë nga pushteti apo dhe politika, në përgjithësi, tërë këtë lukuni mashtruesish, hajdutësh, pse  jo dhe kriminelësh, që në çerek shekullin që lamë pas, kanë menduar e punuar vetëm për xhepat e tyre dhe e kanë katandisur popullin si mos më keq, duke e detyruar edhe pas njëzet e pesë vjetëve pluralizëm që, për të mbijetuar, ta gjejë zgjidhjen tek emigrimi. Një ndjenjë turpi dhe tmerri më  kap sa herë që infrmohem nga Media se jemi vendi i dytë në Botë, pas Sirisë, për numurin e azil-kërkuesve. Mirë ata të gjorë që e bëjnë këtë për të shpëtuar kokën nga lufta vëlla-vrasëse apo dhe bombardimet e avionëve, qofshin ata të miqve apo të armiqve; po bashkë-atdhetarët tanë kush po i detyron të marrin rrugën e dhimbshme të kurbetit, edhe tani në shekullin e ri?! Do të mjaftonte vetëm ky fakt për të kuptuar se kush e ka qeverisur e po e qeveris Shqipërinë në këtë çerek shekullin e fundit të të ashtuquajturit tranzicion që një Zot e di se kur do të mbarojë. Hë, pra, a mund tu besosh të tillë poltikanëve, fatet e vendit e të popullit, me apo pa pushtet qofshin?  Zgjidhja e vetme, për mendimin tim, do të qe vetëm një fillim i ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj. Unë nuk e pres zgjidhjen përmes zgjedhjeve, qofshin ato edhe “të ndershme e të drejta”, siç po pretendohet nga protestuesit aktualë në çadrën e ngritur para kryeministrisë. Po a nuk jemi bindur katërcipërisht në këto 25 vjet se në Shqipëri një pretendim i tillë është as më shumë e as më pak por një utopi e kulluar?! Kush do t’i sigurojë ato, mos vallë e ashtuquajtura “qeveri teknike”, votimi elektronik apo ndërkombëtarët, që po bëhen qesharakë me refrenin e çdokatërvjetshëm se “zgjedhjet e fundit ishin një hap përpara, pavarësisht se kishin akoma disa probleme”, e të tjera dokrra si këto?! Ndaj them se do të ishte naivitet i pafalshëm që të presim ndryshime rrënjësore për të cilat folëm më lart, përmes zgjedhjeve, siç e kanë dëshmuar bindshëm rrotacionet politike të deritanishme.

*   *   *

Kur them se duhet një “dhjetor” tjetër, nuk kam parasysh që të ndiqen ato rrugë e të përdoren ato mjete të ’90-ës, se tashmë kanë ndryshuar kohët e, për pasojë, kushtet e brendëshme e të jashtëme nuk janë më ato, pavarësisht se hendeku në mes të pasurve e të varfërve apo, thënë ndryshe, mes atyre që ditën të përfitojnë nga ndërrimi i sistemit dhe shumicës së popullit që mbeti po aq i varfër e i braktisur, në  mos edhe më keq, vazhdon të jetë present në të katër anët e vendit. Me “dhjetor” tjetër pra, unë kam parasysh largimin nga skena politike e të gjithë kësaj klase oligarkësh e banditësh dhe zëvendësimin e saj me një të re, të edukuar e të formuar sipas standarteve të sotme perëndimore.

Jam i vetëdijshëm se në gjithë sa shpreha më sipër, ka një kontradiktë të madhe: nga një anë them se duhet “dhjetor” tjetër që të largojë klasën politike që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe, nga ana tjetër, pohova dhe pamundësinë e këtij ndryshimi, nga që pushtetmbajtësit e kanë krijuar e konsoliduar atë aparat apo mekanizëm mbrojtës sa që me një vlerësim realist thuajse e bën të pamundur një ndryshim të tillë. Po atëhere, ç’duhet bërë? Si mund të mendohet dalja nga kjo gjendje që është bërë prej kohësh një domosdoshmëri absolute?

E di gjithashtu se nuk po them ndonjë gjë të re, sidomos përsa i përket diagnozës së parë, daljes nga sistemi oligarqiko-diktatorial që është instaluar aty. Përsa i përket zgjidhjes, edhe pse duket si e pamundur, në tregun mediatik janë hedhur mendime të ndryshme, madje nuk kanë munguar edhe veprimtari të organizuara për  të bindur njerëzit se ç’duhet të bëjnë. Një pjesë e mirë e tyre kanë shprehur mendimin se duhet filluar pikërisht nga ndërgjegjësimi i masave për gjendjen ku janë e për ndryshimet që duhen bërë. Të tjerë, bien në pozitat e një fataliteti të skajshëm duke mohuar çdo dritë jeshile në atë realitet të errët shqiptar. Ka ndër ta që e shohin zgjidhjen tek ndërkombëtarët, duke pohuar se pa angazhimin e tyre as që mund të dilet nga ajo gjendje…Mund të jenë hedhur edhe ide e mendime të tjera. Unë, sado e çuditëshme të duket, bije dakord me të gjitha e me asnjë. Pse e them këtë? Po a nuk na dukej dhe realiteti ynë i para ’90-ës të shekullit të kaluar si i i çimentuar e si i përjetshëm, ndaj të cilit nuk mund të bëje dot asgjë për ta përmbysur? Por ja që mrekullia ndodhi. Për atë përmbysje apokaliptike sigurisht që ndikuan faktorë të jashtëm e të brendshëm: nga njera anë popullit i kishte ardhur shpirti në majë të hundës, si tani dhe, nga ana tjetër, Bota Lindore ish-komuniste, përqark, kishte kohë që ziente. Pa këta dy faktorë, pra, as që mund  të mendohej dhjetori i ’90-ës.

Po tani, si qëndron puna? Pavarësisht se jemi në kohë e në kushte krejt të tjera, disa analogjira qëndrojnë, siç dolën dhe nga ekspozeja e mësipërme. Duke ndërgjegjësuar masat brenda dhe në një bashkërendim veprimesh me ndërkombëtarët, diçka mund të bëhet për t’ia vështirësuar apo dhe pamundësuar sundimin e mëtejshëm kastës së re oligarqike, që herë është në pushtet e herë në opozitë.

Prapë sikur nuk thamë ndonjë gjë të re, nëse nuk zbresim në një plan më konkret se si mund të realizohet kjo. Po ta krahasojmë Shqipërine e sotme me një të sëmurë, para se të japim “ilaçet”, le të kthehemi pak mbrapa për të njohur shkaqet e sëmundjes. E, pra, pse erdhi kjo gjendje? Si mundi klasa e re poltike të zëvendësojë të vjetrën, në vend që të ndërtonte një të re, për të instaluar dhe këtu, më në fund, shtetin ligjor e demokracinë e vërtetë, që do t’i priste rrugën dhe çdo abuzimi me pushtetin?! Përgjigja është shumë e qartë për tërë ata që kanë një minimum kulture social-politike dhe sadopak njohje të realitet shqiptar: mungesa e institucioneve.(!) Pse e them këtë? Se korrupsion, krime e dukuri të tjera negative të të gjitha llojeve, ka edhe në shtetet më të përparauara e me demokraci të instaluar prej kohësh. Por, ajo që i dallon ato nga këneta jonë politiko-shoqërore, janë institucionet e konsoliduara që nuk merren me llafollogji boshe, siç po bëjnë “baballarët” tonë të kombit me të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”, dhe jo vetëm. Ata hartojnë ligje, në bazë të përvojave të huaja që i gjen me bollëk; ua përshtatin  kushteve të vendit dhe, më kryesorja, i zbatojnë ato me rreptësi deri në fund. Për tu bindur për këtë, mjafton t’i përjgijgemi një pyetjeje fare të thjeshtë: shteti oligarqiko-kriminal që është instaluar tek ne, mos ka ardhur nga mungesa e ligjeve dhe për këtë na u dashka reforma?! Absolutisht jo! Le ta ngul bisturinë edhe më thellë: mos regjimi i Enver Hoxhës e kishte të keqen vetëm tek ligjet? Prapë përgjigjem: absolutisht jo, kryesisht tek moszbatimi i tyre!

E zëmë se po biem dakord për këtë. Por lind problemi tjetër, edhe më i koklavitur se i pari: po si t’ia bëjmë që ne institucionet tona, siç e pohojnë tashmë njëzëri analistë e poltikanë, të huaj e të vendit, janë nga më të korruptarat?! Me ç’njerës do t’i mbushim ato institucione që të na zbatojnë ligjet e të krijojnë atë klimë mbytëse për hajdutët e kriminelët pushtetmbajtës?

Kjo është e vërtetë, por për të dalë nga kjo gjendje do të thosha përsëri: e vështirë, por jo e pamundur… “Po si, pra?” – do të më ndërpresë fjalën, jo pa të drejtë, lexuesi i mundshëm. Dhe përgjigja ime është ajo e fillimit: të përpiqemi për një “dhjetor” tjetër, jo përmes një revolucioni me dhunë, por të kadifenjtë, të butë, të shtruar, pak nga pak. Që të mbërrish në majë të malit, do hedhësh fillimisht hapin e parë. Këtu po, mund të ndihmojnë shumë edhe ndërkombëtarët në drejtimin apo monitorimin e institucioneve, por jo si deri tani që, për mendimin tim, nuk e kanë përligjur veten, duke u bërë përgjithësisht, palë e pushtetmbajtësve.

Nju York, 20 mars 2017.

Filed Under: Politike Tagged With: And on Dede, nje Dhjetor, shqiperia, tjetër

Europarlamentari McAllister inkurajon Shqipërinë

March 20, 2017 by dgreca

Europarlamentari gjerman i CDU-së dhe kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister paralajmëron në “Die Welt” nga rritja e ndikimit rus në Ballkan./

Në një artikull të së hënës, (20.03) me titullin “Ballkani një rajon me rrezikshmëri të lartë”, gazeta “Die Welt” shkruan se sikur Bashkimit Europian të mos i mjaftojnë problemet me Brexit, populizmin, Trumpin dhe Turqinë, tani para dyerve të BE-së po rriten tensionet. Në shumë vende të Ballkanit situata zien. Në të njëjtën kohë përpiqen Rusia, Turqia, Kina, Arabia Saudite e Katari të rrisin influencën në rajon -një përzierje e rrezikshme. Kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister, (CDU) thekson se “Ballkani është një rajon me rrezikshmëri të lartë, ku në një kohë të shkurtër një veprim i papërgjegjshëm mund të rindezë konfliktet që besonim se i kishim tejkaluar.”

McAllister: Shqipëria në rrugën e duhur

BE kërkon të kundërveprojë ndaj këtij rreziku duke sjellë një atmosferë të re në bisedimet e anëtarësimit. Shpresa nuk ka vetëm Serbia, shkruan “Die Welt”, por edhe Shqipëria. McAllister thekson, se “sipas Komisionit Europian, parlamentit dhe qeverive ky vend është në rrugën e duhur. Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të hapen brenda 12 muajve të ardhshëm, më së voni në fillim të vitit 2018”.Eurodeputeti gjerman McAllister ka lëvduar ujdinë që arritën partitë politikë në Tiranë për reformën në drejtësi. “Ky ka qenë një kriter i rëndësishëm për fillimin e negociatave. Kur të fillojnë negociatat, do të hapet që në fillim çështja e shtetit ligjor”, ka theksuar europarlamentari me influencë në Bruksel. Por megjithatë McAllister e sheh Shqipërinë ende larg anëtarësimit në BE.

Serbi: Rrezik nga ndikimi rus

Ndërsa duke folur për Serbinë, e cila i ka hapur në janar 2014 bisedimet e anëtarësimit me BE, McAllister shikon përparime, por edhe probleme. Shqetësimi i tij është përpjekja ruse për influencë në këtë vend. “Moska përpiqet të ndikojë në mënyrë masive mediat, pjesë të shoqërisë civile në Serbi”, thotë eurodeputeti. BE me 1,5 miliardë euro asistencë financiare në Serbi është -me distancë- donatori më i madh në këtë vend që mbështet reformat dhe projektet ekonomike. Megjithatë McAllister është i vetëdijshëm, se në të njëjtën kohë Rusia perceptohet në Serbi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të vendit. “Për BE kjo do të thotë që së bashku me ndihmën e politikës serbe dhe shoqërisë civile të bëjë më prezentë angazhimin e saj.”(DW)

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani, McAllister: Shqipëria, në rrugën e duhur, Rreziku rus

Teuta Arifi, në karrigen e Nikolla Poposkit?

March 19, 2017 by dgreca

“Politikania e cila në Qeverinë e re të Maqedonisë mund të jetë ministre për punë të jashtme”- kështu gazeta serbe “Politika” në numrin e saj të fundit e prezenton intervistën me kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi dhe shton – Arifi pohon se Platforma e partive shqiptare në Maqedoni nuk etikenton asnjë shtet të rajonit, e sa Serbinë, transmeton FLAKA.

teuta-arifi-890x395

Tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, pushteti ligjvënës dhe ekzekutiv në Maqedoni akoma nuk janë formuar dhe nuk dihet se kur do të nodh kjo, shkruan “Politika”.BE, SHBA dhe NATO çdo ditë bëjnë presione ndaj presidentit Gjorge Ivanov ta dorëzojë mandatin për të formuar Qeveri të re nga ana e përfaqësuesve të shumicës së re parlamentare të Zoran Zaevit.

Për Ivanovin, megjithatë kjo temë është e mbyllur dhe ai kthehet te punët e shtetit në vend dhe jashtë vendit. Populli akoma proteston dhe e mbron vendin nga Platforma e Tiranës, shkruan gazetari në pjesën hyrëse të intervistës me Teuta Arifi. Por, LSDM dhe partitë e koalicionit të shqiptarëve me durim e përgatisin seancën konstituive të Parlamentit të Maqedonisë, në të cilën duhet të zgjidhet kryeparlamentari, kurse VMRO-DPMNE instiston për zgjedhje të reja.Për situatën në Maqedoni, për atë se si kanë rrjedhur bisedimet paszgjedhore dhe për vetë dokumentin i cili quhet shqiptarë ose Platforma e Tiranës, për “Politika” flet nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi, e cila me siguri karrigen e kryetares së komunës do ta ndërrojë me karrigen e Ministrisë së punëve të jashtme, thotë “Politika”.

Në paralajmërimin e kësaj gazete në ueb faqen e saj elektronike për intervistën me Teuta Arifin, për atë shkruan se ajo flet rrjedhshëm angjisht, frengjisht, italisht, maqedonisht, turqisht, kurse intervista është zhvilluar në serbisht në kabinetin e saj në Tetovë, që dëshmon se e njeh edhe serbishten. FLAKA

Filed Under: Politike Tagged With: në karrigen, Poposkit, Teuta Arifi

Kosova, së shpejti lajme të mira

March 18, 2017 by dgreca

-Ministri Hoxhaj në New York takon mbi 10 vende jo-njohëse, së shpejti lajme të mira/

New York, 18 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Në ditën e dytë të qëndrimit në New York, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar me takime me përfaqësuesit e vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, ku në fokus kanë qenë shtetet e CARICOM-it, të Afrikës, si dhe vendet e Azisë.

Ministri Hoxhaj është shprehur optimist pas këtyre takimeve, ku ka thënë se shumë shpejt pret lajme të mira për njohje të reja, thekson njoftimi i dërguar.

“Kam pasur shumë takime me vendet e CARICOM-it, Azisë dhe Afrikës, të cilave u kam kërkuar ta njohin pavarësinë e Kosovës. Jam optimist që shumë shpejtë do të kemi lajme të mira dhe njohje të reja për Kosovën”, theksoi Hoxhaj.

Po ashtu, Hoxhaj ka takuar edhe ambasadorët e Francës, Senegalit dhe Egjiptit, të cilët i ka njoftuar për zhvillimet në Kosovë, raportet e mira dhe hapjen  së shpejti të ambasadës së Kosovës në Senegal, e cila do të jetë ambasada e parë e Kosovës në Afrikë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Hoxhaj, kosova, lajme të mira, së shpejti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 552
  • 553
  • 554
  • 555
  • 556
  • …
  • 652
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT