• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hahn: Deklaratat për ndryshim kufijsh, të papranueshme

April 24, 2017 by dgreca

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i ka cilësuar ‘të papranueshme’ dhe ‘kundërproduktive’ deklaratat e liderëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që implikojnë ndryshimet e kufijve, ka njoftuar Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë.

“Shpreh zhgënjim dhe nëse mund të them edhe zemërim për shkak të deklaratave nxitëse të disa liderëve në rajon. Deklaratat e tilla, që mund të cilësohen edhe si përzierje në shtetet e tjera dhe implikojnë ndryshime të kufijve, janë të papranueshme dhe për më shumë janë të panevojshme dhe kundërproduktive”, tha Hahn pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq në Bruksel.

Deklaratat e Hahn pasuan intervistën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në portalin Politiko në të cilën nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, ‘nëse perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit në BE, vazhdon të zbehet’.

Johannes Hahn tha se do të ishte e gabueshme të mendohet se me deklarata të tilla ‘mund të bëhet trysni ndaj BE-së’, për anëtarësim.

“Deklarata e tillë shumë lehtë mund të shkaktojë kundërefekt. Duhet të jemi të vetëdijshëm se evropianët kanë një interes të fuqishëm për paqe, përparim dhe stabilitet në rajon, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes marërdhënieve të mira fqinjësore, ku të gjithë punojnë bashkë dhe ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë të rajonit”, tha Hahn.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn tha se suksesi i negociatave të Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet edhe nga dialogu i Beogradit me Prishtinën.

“Shpresoj se të dyja palët do të tregojnë një qasje konstruktive dhe do të vazhdojnë më tutje me rezultate të prekshme. Jam i bindur se së shpejti do të hapim kapituj të ri dhe duhet të shfrytëzojmë çdo rast që ta mbajmë dinamikën”, tha Hahn. (REL)

Filed Under: Politike Tagged With: Hahn, ndryshim kufijsh, Rama

ÇADRA E LIRISE: LENDA KUNDRA VEPRUESE NDAJ VIRUSIT KOMUNIST!

April 24, 2017 by dgreca

besim_ndregjoniNGA BESIM NDREGJONI/Francezët kan një shprehje: “Nuk ndërtohet mbi boshllëk!’’ periudha 26 vjeçare pluraliste tregoi se vendi i jonë nuk vuni themelet e shëndosha  për nji shtet shqiptar  të së drejtës , dhe nji shoqëri demokratike fuksionale. Në këto ditë të protestës dy mujore të shqiptarve ndërmend më sillet çdo ditë historia e një patrioti shqiptar Ziso Vangjeli i cili besoi në “komunizma”. Plaku Ziso Vangjeli  ishte shkolluar në Amerikë dhe  gjatë luftës kishte zbarkuar në Normandi si oficer amerikan. Historian  dhe ushtarak  punoi në Paris pastaj kthehet në një klub kulturor dhe ju dha të kthehej në Shqipëri. Sëmundja e dashurisë për atdhe. Sipas bisedimeve paraprake do të punonte si pedagog . Ja fali shtetit shqiptar  gjithë biblotekën e tijë. Por përfundon në burg. Dhe në sallën e gjygjit ai nuk do të i përgjigjiej akuzës së  prokurorit komunist por do të ligjëronte një mesazh për të ardhmen e shqiptarve:- Kur të bjerë” komunizma”, -tha se do të bjerë “patjetër”  ne do të vuajmë më pas  me dekada  prej hibridit. Komunistët janë të sofistikuar në politikën e kuadrit. Bijtë e të kuqve do të vijojne etërit. Ajo përzjerje  zelli dhe inati, here i fshehtë e here i hapur  për etërit e kuq  që spatën fuqi  dhe mend të ishin të pëjetshëm, do të i bëjnë më dinakë dhe më të liq. Nga kundërshtarë e tyre  që i urrejnë për vdekje, do të u  vjedhin idetë , projektet dhe deri sloganet e do të i propogandojnë më mizorishtë  për ti vënë  ato në jetë, gjoja si amanete.. (Shifni sloganet e  “Rilindjes” sot “Për një Shqipëri europiane” etj slogane propagandistike .)  dhe do të kërkojnë me çdo çmim zhdukjen e zotërve  të këtyre ideve. Do të kërkojnë  pushtet të pamerituar  si trashgimtarë , si zanatçinj të kuq, dhe kundërshtarët do ti durojnë sa për sfond.  Do të kërkojnë të bëhen  ata pronarë  dhe që të mbrohen  do të bëjnë atë politikë që etërit e tyre  e rroposën  ose e luftuan  gjithë jetën si bolshevikë të trashë. Kundërshtarët e të kuqve  në Shqipëri ç’kanë mbetur  pas kasaphanave  dhe të rinjtë që do të dalin , janë pa përvojë dhe kështu do të sundojnë te ne hibridi. Gjatë, mjaftë gjatë.  Hibridët janë si monstrat. E për të luftuar ato duhet qënë si ata. Do të jetë më keq ca  kohë e njerzit  do të mendojnë diktaturën si zgjidhje. Burg i detyruar . Liri e detyruar.  Kaos dhe llum. Pra pas denimit  me burg populli do të denohet me liri qorre. Liria qorre është denim. Se  ne  nuk do të dime  ç’t’i bëjmë asaj si një gjeje të tepërt.  Do ta përdhunojmë si barbarët. Unë nuk do të jem atëhere . Ju do të jeni: Mbahe mend  dhe kujtojmë. Ske ç’bën jo. Veç kujtojmë  mua plakun. Nuk jam unë njeri, kundër komunistëve, jane komunistët kundra njeriut. Kështu përfundon fjalën e mbrotjes në gjygjin komuniste Ziso Vangjeli. E këtë ligjëratë plaku i urtë  profesori, historian,  dhe ushtaraku i mire e bëri para gjysëm shekulli. Dhe që vertetohet sot,  si para 50 viteve  kur e shqiptoi në sallën e gjygjit plaku i urtë. Ky ka qënë trashëgimi që na la komunizmi në vendin tone, nga i cili do të ndërtohej Shqipëria e re  demokratike;  e plagët e hapuna nga “diktatura e proletariatit” mbeten të hapuna , dhe na ndjekin  kamba –kambës. Kjo “tragjedi e pameritueme”  u dyfishue  nga mungesa  e traditës demokratike në vendin tone… larg  nga Europa. Mbas 26  vjet “tranzicioni” që akoma vazhdon, duket sikur kemi arritë pikën ma të ulët në qeverisjen e vendit, dhe kemi ra në nji pellg imoraliteti që kërcënon me u revelue “i pashërim”. Kemi shkelë pragun pa kthesë të humbjes së besimit në “njeriun”; nuk besojmë njeri, nuk përfillim njeri, përpiqemi të varrosim tjetrin në përpjekje me ngritë veten tonë…. Ashtë krijue nji atmosferë e sëmurë në shoqëninë tonë shqiptare. “Diçka qelbet në Danimarkë”, deklaronte Hamleti. E përpara  kësaj shurdhmërie a duhet të heshtim? Sot atdheu i jonë vajton  për një udhëheqje serioze, fisnike  e thellësishtë demokratike, me rrënjë të thella  në traditat e kombit tone. Revolta e shqiptarve në këtë 64 ditësh  jep kuptimin filozofik e praktik të kuptojmë se një rend publik demokratik dhe i qëndrushëm kërkon kryesishtë :“pushtet” dhe “moralitet”. Ne shqiptarët nuk duhet të i lejojmë vetes  të fundosemi në humnerën e shprehejes :”tani është vonë”  dhe flas për ata shqiptarë që nuk e ndjejne veten fajtorë.  Cadra e lirisë, është ndenje  pafajsie  që krijon revoltën , akt guximtar  që sjell lirinë. Misioni i votës së lirë asht një përgjegjesi  e paevitueshme  për botën ku jetojmë. Këtu lind shpresa  për një nji jetë që nuk është skllavëri,. Së bashku, të gjithë ngrihemi nalt e fitojmë betejën morale: shpresën për të gjithë ata që kërkojnë lirinë, pa lejue që fitorja e përbashkët të kthehet   në tragjeditë tona individuale , si në komunizëm. Sot shqiptarët janë të djegun  për liri e demokraci.  Shqiptarët janë të sigurtë që, nëse e tashmja është  në  duar  të oligarkëve të  pseudopushtetit  në Shqipëri, e ardhmja i takon  lirisë dhe demokracisë, republikës së re për të gjithë. Kjo andërr nuk shuhet dhe do të bëhet realitet. Ejani në vete, o shqiptarë! ( Faik Konica)

Filed Under: Politike Tagged With: Besim Ndregjoni, cadra e Lirise, virusi komunist

PROTESTA E SE HENES- QEVERIA: E PALIGJSHME- OPOZITA: PAQSORE

April 23, 2017 by dgreca

*Policia nuk jep leje për protestën e PD: Cenohet rendi, rrezikoni burgun/

* Opozita, policisë: Mos dilni kundër popullit për interesa të Ramës/

Një ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës, Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato, apeloi qytetarët të shmangin pjesmarrjen në tubime të paligjshme.Altin Qato: Policia nuk do të tolerojë aspak këdo që me veprimet e tij shkel ligjin në lidhje me tubimet e manifestimet. Policia e shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë  qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për qarkullim të lirshëm. Të gjithë ata që do të marrin përsipër tu shkojnë pas politikanëve të kujdo subjekti politik për të cënuar rendin publik, penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, dëmtuar bashkëjetesën e qytetarëve dhe ekonominë e bizneseve do të përballen me ligjin.Policia e Shtetit do të regjistrojë çdo shtetas dhe automjet që vihet në dispozicion të një manifestimi të tillë dhe bashkë me provat përkatëse do t’ia paraqesë organit të prokurorisë me kallëzimet penale përkatëse.

Në konferencën për shtyp, Qato kujtoi se ligji parashikon dënime të deri në burgim për pjesmarrësit në tubime të paligjshme. Ai  tha se protesta e opozitës cënon rendin dhe sigurinë, duke paralajmëruar organizatorët se do mbajnë përgjegjësi për pasojat.

Qato: Kodi penal sanksionon dënime të rënda deri në burgim për ata shtetas që marrin pjesë në manifestime të paligjshme, prishin rendin ose qetësinë publike. Organizatorët dhe udhëheqësit e këtyre manifestimeve të paligjshme duhet të kuptojnë dhe të kenë përgjegjshmëri politike dhe qytetare për pasojat që mund të vinë. Do jenë ata përgjegjës ligjorë për çdo pasojë të ardhur si rrjedhojë e prishjes së rendit publik ose destabilizimit publik. Zhvillimi i manifestimeve të paligjshme mund të shfrytëzohet dhe nga elementë kriminalë me qëllime të caktuara për të krijuar destabilitet. Qytetarët të shmangin pjesmarrjen në këto tubime të paligjshme, të jenë vigjilentë si dhe të tregojnë kujdes të madh nëse gjenden pranë këtyre tubimeve të paligjshme.

Qato tha se Policia e Shtetit gjithashtu, siç ka dëshmuar në gjithë këto vite, është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zhvillimit të çdo tubimi paqësor kudo dhe nga kushdo.

Opozita, policisë: Mos dilni kundër popullit për interesa të Ramës/

Partitë opozitare përmes një deklarate të përbashkët kanë reaguar ndaj paralajmërimit të Policisë së Shtetit për tubimin e nesërm të opozitës.

Në deklaratë thuhet se “me urdhër të Edi Ramës, krerët e policisë që nuk luftojnë krimin, trafikantët, banditët, por bëhen palë me ta, kërcënuan sot qytetarët e lirë të vendit, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndalur popullin të shprehet”.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, i bëjnë të qartë sot kupolës së policisë të heqin dorë nga keqpërdorimi politik dhe të mos pranojnë të dalin kundër popullit për interesat e Edi Ramës.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar i bën të ditur publikisht cdo punonjësi dhe funksionari të policisë, se do të filmohet e do të regjistrohet emër për emër kushdo që tenton të pengojë apo intimidojë qoftë dhe një qytetar të vetëm.

“Do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit, dhe nesër do të përgjigjet deri më një, cdo drejtues, shef apo punonjës policie që do tentojë të cënojë të drejtën sovrane të qytetarëve për të protestuar paqësisht.Protesta nesër do të jetë paqësore, por e vendosur dhe e pathyeshme”.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar bëjnë me dije se kanë 65 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria.

“Të gjitha veprimet kanë qenë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë europiane që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike”.

Në vijim të deklaratës thuhet se “protesta e Opozitës së Bashkuar dhe qytetarëve do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojë qëndresën qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Në përfundim një apel dhe për qytetarët.

“I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen masivisht nesër mes orës 11 dhe 12 paradite në këtë protestë kundër krimit dhe drogës me mbështetje qeveritare, për të ndalur krimin, për të ndalur pushtetin e lidhur me krimin dhe për të siguruar të drejtën themelore të qytetarëve në demokraci, të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”. 

 

Filed Under: Politike Tagged With: - OPOZITA: PAQSORE, - QEVERIA: E PALIGJSHME, PROTESTA E SE HENES

DIKTATURA ENVERISTE DHE PËRBALLJA ME TË

April 20, 2017 by dgreca

(Përsiatje rreth vëllimit : “NË SHQIPËRINË BURG. Ҫfarë ndodhi ?! Ҫfarë pashë ?! Ҫfarë hoqëm?!” të shkrimtarit KURT B. KOLA/

1-eugjen-merlikaNGA EUGJEN MERLIKA/

            U mbush një vit nga dalja prej shtypit të UETPress të një libri me kujtime të shkruar nga Z. Kurt Kola, që është munduar, simbas mendimit tim me sukses, t’i japë lexuesve shqiptarë një vepër letrare, në të cilën përshkruhet me mjaft vërtetësi jeta e tij, ajo e një njeriu të lindur në një familje të njohur të mjedisit atdhetar të Veriut të Shqipërisë, i cili në moshën e njomë tetëvjeçare, së bashku me të gjithë pjestarët e familjes, gra e fëmijë, hynë fatalisht në ingranazhin mishgrirës të diktaturës komuniste e sllavofile shqiptare.

Historia e këtij fëmije që rritet, burrërohet e vuan për gati një gjysëm qindvjeti, gjithmonë nën ingranazhet bluajtëse të fateve e jetëve të qindra mijra qëniesh njerëzore, i ngjet asaj të shumë sivëllezërve e simotrave të tij, bashkudhëtarë në natën tepër të gjatë t’acarit ngrirës të diktaturës komuniste shqiptare. Autori i kujton ato apo ata me emra e mbiemra, me keqardhjen dhe dashamirësinë e bashkëvuajtësit e me dhimbjen e thelle të bashkëkombasit që nuk i nënështrohet për asnjë çast idesë se regjimi njëjtësohet me popullin e tij. Për të që nga 10 maji i 1945 deri në 10 janar 1991, kur përbindëshi po jetonte çastet e tij të agonisë vdekësore, ai regjim u quajt si një lëngatë e pështirë që kishte pushtuar trupin e lashtë të Shqipërisë etnike, si një mallkim që dilte nga thellësitë e Ferrit e vinte e trupëzohej në figurat e drejtuesve të komunizmit shqiptar, të cilët, si Kont Ugolini në veprën madhështore të Dantes, që brente pa pushim eshtrat e arqipeshkvit Ruggieri, brenin ata të shokëve të tyre, t’akuzuar për tradhëti.

“Del mizuer këndejna, del prej mërzijet

                                     Zgaq i përbuzshëm Shqypnia t’volli…”

Kështu kishte prtretizuar vite më parë poeti i ndritur kombëtar, Ndre Mjeda, një krijesë shqiptare të ngjajshme me shembëlltyrat e atyre që, me yll në ballë, i kishin vënë Atdheut vargojtë më të rëndë që kishte provuar në mijëvjeçarët e qënies së tij.

Vepra e Kurt Kolës është një mozaik ndodhish, bëmash, episodesh, mjedisesh , njerëzish, të cilët autori i ka përshkruar me pasion në 90 kapitujt e saj, të shkëputur njëri nga tjetri, por secili prej tyre mund të jetë bërthamë e një vepre letrare. Është një lëndë jetësore, një dëshmi në vetë të parë e një odiseje të gjatë, e cila në këta vite të pas komunizmit nuk arriti të gjejë një strehë mikpritëse në letërsinë zyrtare të Shqipërisë edhe se nxori një përfaqësues madhor në fushën e letrave, në figurën e poetit dhe shkrimtarit të talentuar Visar Zhiti. “Në Shqipërinë burg”, për mendimin tim, mbetet një nga veprat më të arrira që pasqyrojnë periudhën komuniste, kryesisht pamjen e saj më të errët e kriminale : dhunën policore, terrorin shtetëror, mekanizmat e tyre të përsosura në mbarështimin e krimit të organizuar, që ishte ulur këmbëkryq, nga maja e piramidës deri tek skutat më të largëta të truallit shqiptar.

Kjo i detyrohet jo vetëm përvojës jetësore të autorit, por edhe kujtesës së tij të pazakontë, pa të cilën kjo vepër nuk do të kishte parë dritën. Për këdo, si i nënëshkruari, që ka kaluar familjarisht kalvarin e gjatë të tragjedisë shqiptare në kampet e internimit e në burgjet e socializmit shqiptar, leximi i këtij libri është një rikthim në një pjesë të madhe të jetës, episodet e së cilës ngjethin më shumë tashti kur kujtohen se  atëherë kur jetoheshin. Për shumicën, që ka patur fatin e mirë të mos kenë provuar në familjet apo në veten e tyre përvoja të tilla, ky libër vlen për t’u treguar se në të njëjtën kohë me jetët e tyre të thjeshta e normale, kishte edhe bashkatdhetarë të tyre jo të paktë, që atë normalitet e kishin të ndaluar edhe t’a ëndërronin…

Realiteti i mprehtë që gjen pasqyrim në veprën e Kurt Kolës është i larmishëm e rrok në një periudhë kohe prej 47 vitesh, ngjarje e personazhe të ndryshëm, që nga ish drejtuesit e lartë të shtetit parakomunist, që qenë viktimat e para të terrorit komunist e deri tek pashallarët e kuq, xhelatët-viktima të “demokracisë popullore”, që nga njerëzit më të shquar të jetës kulturore shqiptare të të gjitha fushave, përfunduar shpejt a vonë në burgjet e regjimit e deri tek njerëzit më të thjeshtë, hajdutë pulash, që “arsyeja e mos arsyes” së absurditetit të pashembullt të klasës sunduese i ka mbiquajtur si “armiqtë e klasës”. Ky univers i vogël njerëzor, në të cilin hyjnë edhe njerëzit e regjimit, sidomos ata t’organeve të dhunës, na paraqitet i ndarë në dy kampe të kundërta, mes të cilëve partia mbjell vazhdimisht një urrejtje të përherëshme e të pafund, të tillë që nuk mund të mos ketë si përgjigje të njëjtën ndjenjë. Ishte një simbiozë e llahtarshme urrejtjesh që asgjësonin çdo ndjenjë njerëzore, që lindnin tmerre e njerëz të tmerrshëm, të cilët nuk ngurojnë të kryejnë edhe veprat më mizore, edhe mbi fëmijtë. Vepra na përshkruan një betejë të përjetëshme e të pabarabartë mes xhelatësh e viktimash, dy grupe shqiptarësh, e këtu qëndron tragjedia e vërtetë.

Autori shpesh largohet me përsiatjet e tij nga tregimi i ndodhive, shkon larg në kohë e hapësirë tokësore, në të tjera përvoja, bën krahasime, por nuk gjen shëmbëlltyra askund n’Evropë, e gjen sprovën e kobëshme të Vendit të tij, si një nga më të rrallat, në mos të vetmen. Logjikisht, përvoja vetiake duhej t’a kishte ngurtësuar jo vetëm shpirtërisht por edhe mendërisht. Fatmirësisht ai i u shmang atij rreziku, ruajti njerëzoren si ndjenjë por edhe objektivitetin si gjykim. Ai gjen tek populli i tij gjurmët e virtutit, të fisnikërisë, të moralit të trashëguar. Objektiviteti në gjykim, një nga vështrimet më të dobishme të personalitetit t’autorit, gjen shprehjen e vet më të mirë në shmangien e paragjykimeve që ishin të rrënjosura thellë në fushën shtetërore, por që mund të ndikonin fuqishëm në lindjen e të tjerëve në kah të kundërt. Kurt Kola din të gjykojë secilin prej kundërshtarëve të betejave të tij, sepse për një zgjedhje vetiake, deri diku të detyruar, ai mbeti gjithmonë luftëtar kundër regjimit me armën e vetme që kishte, gojën që nuk reshti së foluri e së padituri. Megjithatë ai nuk e sheh botën me të cilën përballet vetëm me dy ngjyra, bardh e zi, din të shohë në të edhe nuancat, madje edhe ngjyrat e tjera.

Shqipëria fisnike nuk është vetëm rrethi i tij i ngushtë shoqëror apo bashkëvuajtës, nuk janë vetëm shokët e tij të fëminisë, Qemali, Genci, Hakiu, Agroni,  Gjoni, bashkëmoshatarët që u dënuan me burg politik sepse kishin fallsifikuar kuponat e reciprokut për një copë bukë që do të thyente urinë. Shqipëria fisnike shfaqet edhe nëpërmjet familjes qytetare beratase që kishte mbajtur me qira në shtëpinë e saj Bilal Kolën e internuar nga fashizmi e që nuk pranon t’i marrë qiranë familjes së tij t’internuar nga komunizmi ; nëpërmjet kryetarit të qytetit që i sjell asaj familje florinjtë për të mbijetuar, pa marrë parasysh rrezikun ; nëpërmjet figurave të policëve si Haxhi Ceka, kapter Todi, Hysen Lena, komandant Ismail Musta, polici pa emër që i bën me shenjë të dënuarit mos të pranojë të bëjë gjilpërën e të tjerë personazheve që, megjithëse ishin ushtarë të diktaurës, sa mundnin e bënin të mirën kur i u paraqitej rasti.

Me vërtetësi rrënqethëse janë përshkruar në libër shfaqjet e krimit shtetëror e përfaqësuesve të tij, që nga thënia proverbiale “një armik më pak” para vdekjes së një të dënuari tek arrestimet e internimet masive të qindra njerëzve në përndjekjen e Mirditës, që nga dhjetra të vdekur nga përdorimi i miellit me miza për bukën në kampin e Tepelenës tek torturat çnjerëzore në zyrat e hetuesive, nga ndëshkimet në biruca tek dënimet shumëfishe nëpër kampe, nga urdhërat e kryeministrit për të mos marrë në maqinat e shtetit njerëzit që shkonin në Spaç për të takuar të dënuarit, tek mbushja e burgjeve politikë me hajdutë e spiunë të llojit më të keq.

Vlera e librit qëndron pikërisht në vërtetësinë e pohimeve të tij, në përshkrimin e atij ferri mbitokësor që qe realiteti i Shqipërisë enveriste. Veç vlerës së dokumentuar të krimit komunist, ai pohon edhe madhështinë e qëndresës s’atyre shqiptarëve që nuk u njëjtësuan me të, nuk pranuan të bëhen pjesë e bashkëpuntorë të tij, duke e paguar këtë qëndrim me dhjetëvjeçarë burgjesh e kampesh internimi, me jetët e gjymtuara e shpesh edhe të këputura. Qëndresa ndaj së keqes, ndaj dhunës së verbër, ndaj përpjekjes së saj të hapur e të përherëshme për të prishur karakteret njerëzore e për të shkelur mbi dhuntitë morale përbën palcën e veprës e qëllimin kryesor të shkrimit të saj.

Ka një çast në rrëfimin e tij, kur para vetëdijes i vihet një mëdyshje hamletiane me pasoja më të dhimbëshme se ato të Princit të Danimarkës. Në faqen 274 të vëllimit autori shkruan :

“Kushte çnjerëzore të paimagjinuara….. S’besoj se në sistemin e skllavërisë të mund të ishin më keq. Kështu, ditë e natë vazhdonte kjo punë shumë e rëndë fizike e akoma më e rëndë morale. Unë isha në mëdyshje : të përzihem në turmë, të futem në shumicë, apo i vetëm në rrugën e mosbindjes me ndëshkime e vuajtje?!  …… Zgjodha të dytën. Këtë kisha ndjekur që fëmijë.”

Mënyra e përballjes me regjimin e diktaturës mendoj se është boshti qëndror, synimi më i lartë që vepra dhe autori shtrojnë para lexuesit. Është kuptimplotë një episod nga fundi i veprës, një bisedë e shkurtër ndërmjet të dënuarit pesë herë, por që çasti historik e liron nga burgu dhe rojtarit tepelenas të varrezave të Lushnjes, ku prehej Nënë Vasha. Është një bisedë që zbulon thelbin e gjithë veprës e i bën jehonë shpirtit t’asaj epoke, që përmbledh në pak fjalë palcën e tragjedisë shqiptare :

“Ishim duke dalë nga varreza dhe përsëriti pyetjen : Nuk më the, ç’bëre që të kredhën në burg ?

Luftova për lirinë time dhe lirinë tënde, këtë bëra. Më kapi për krahu dhe më ndaloi:

 Për lirinë u vranë dy djemtë e mij në luftë, dhe na erdhi kolera në Pushtet !

            Për atë liri, sigurisht, se djemtë e tu nuk kanë ditur se me gjakun e tyre do të ngrihet diktatura!

            Më pa goxha gjatë pa më lëshuar krahun, pastaj tha : “Ishallah po shembet ! Më uroi lirimin dhe kështu u ndava nga labi i mënçur e i përvuajtur.”

Kundërveprimi, si individë e si shoqëri, kundrejt ardhjes së komunizmit në Shqipëri është një proçes historik, pothuajse krejtësisht i pastudjuar. Shabllonizmi në paraqitjen e popullit “entuziast” për “çliruesit” dhe të renë e lufta kundër “armiqvet” në dy breza të tërë, që kanë qënë mënyrat zyrtare të paraqitjes së dukurisë, janë një thjeshtësim banal e i qëllimshëm i së vërtetës historike. Shkrimtari në veprën e tij mundohet t’a cekë problemin, nëpërmjet përshkrimit të ndodhive të njerëzve të ndryshëm që ai përshkruan, duke u bazuar në përvojën e tij apo t’atyre të cilëve ai u beson. Por vepra e tij është një dëshmi e atij realiteti, tashmë të largët në kohë, por jo një traktat i vërtetë studimor që e trajton dukurinë në të gjitha pamjet e saj e motivet shtyrëse të qëndrimeve të ndryshme.

Vetëpyetjes Kurt Kola i u vetëpërgjigj n’ujdi me karakterin e tij që nuk ishte i prirur për kompromise, por më shumë për ndeshje e vetëflijime. Një pyetje si ajo është vënë para shumë shqiptarëve të dy brezave të gjysëm shekullit komunist. Përgjigjet kanë qënë të ndryshme. Ato të tipit të Kurtit kanë qenë më të rrallat, në kufijtë e heroizmit deri në vetmohim, për një pakicë që bënte atë zgjedhje, në kufijtë e marrëzisë për shumicën që vendoste të zgjidhte rrugët e tjera. Këto të fundit paraqisnin larminë e tyre, por kishin gjithmonë si busull drejtuese ndërgjegjen vetiake, e cila përcaktonte caqet e kufijtë, përtej të cilëve nuk mund të kishte më bashkëjetesë në gjysëm lirinë e përgjithëshme dhe vendi i vetëm mbetej shkuarja në burg. Rruga e përplasjes së hapur me regjimin nuk ishte ajo më e praktikuara, jo vetëm sepse “nuk i bihet murit me kokë”, por edhe sepse përgjegjësia e pasojat binin mbi familjen e herë herë edhe mbi farefisin. Shumica dërmuese e të dënuarvet për agjitacion e propagandë nuk kishin folur hapur në publik kundër diktaturës, madje kishte prej tyre që mund të kishin biseduar në një rreth tepër të ngushtë, ose në një mjedis familiar ku Sigurimi kishte mundur të rekrutonte spiunët e tij, ndonjëherë vetëm me një njeri e shpesh herë as nuk kishin hapur gojë, por dënoheshin sepse nuk pranonin “bashkëpunumin” me organet e dhunës. E meqë ky fakt duhej të mbetej i fshehtë, sajoheshin padi të rreme edhe vetëm mbi hamëndje se mund t’a kishte atë mendim. Ky është krimi i vërtetë i atij regjimi, për të cilin askush nuk u përgjigj asnjëherë, sepse marrëveshjet e nivelit të lartë mbi ndryshimin e sistemit në gjithë bllokun komunist, patën si pikë të parë mos dënimin me gjyqe të krimit komunist. Kjo bëhej edhe me miratimin e atyre për të cilët neve kishim pësuar dënimet  e rënda, por “arsyeja e Shtetit” doli më e fortë se normat më parësore të moralit njerëzor.

Sigurimi i Shtetit kishte kartë të bardhë nga Enver Hoxha dhe partia e punës, për të sendërtuar strategjinë e saj të depersonalizimit të shqiptarëve kundërshtarë e jo vetëm të tyre. Heroizmi i vërtetë shprehej në qëndresën kundrejt kësaj dukurie kundër kombëtare e kundër njerëzore dhe kriteri i arrestimeve dhe dënimeve mbështetej kryesisht mbi përfundimet e këtyre ndeshjeve, që shpesh kërkonin edhe vetëflijimin, pra të paguarit me burg të vullnetit për të mos ndihmuar në shkuarjen atje të miqve, shokëve, familjarëve, apo dhe njerëzve të panjohur.

Në larminë e kundërveprimeve ndaj diktaturës, mendoj se meritojnë respektin e duhur të gjithë qytetarët apo qytetaret shqiptare që kanë ruajtur ndërgjegjen e pastër, pa dëmtuar askënd. Por edhe ata që nuk kanë mundur t’a arrijnë këtë synim madhor moral e shpirtëror, duhen gjykuar me shumë durim e mirëkuptim, rast për rast, mbasi        metodat e punës së Sigurimit kanë qenë jo vetëm mizore deri në sadizëm, por edhe të stërholluara deri në djallëzi. Mendoj se i tillë është edhe mesazhi që na vjen nga libri i Kurt Kolës, i cili din t’i bëjë dallimet e duhura edhe ndërmjet dëshmitarëve të dënimit të tij të dytë.

Ishin këto disa prej ideve që shtron dhe problemeve që ngre me sinqeritet e mënçuri autori i librit. Simbas mendimit tim, ky libër paraqet një ndihmesë të çmuar për njohjen e së kaluarës sonë të afërt, mbasi pasqyron jo vetëm përvojën e hidhur e dramatike të autorit, por na jep një panoramë të gjërë e të thelluar të një epoke historike, e cila ka shënuar jetët e dy brezave shqiptarësh. Meritat e vëllimit janë të shumta n’atë drejtim e, megjithë pak pasaktësitë që hasen aty këtu në katërqind faqet e tij, besoj se meriton një vend nderi në letërsinë e kalesës mbas komuniste, si përsa i përket saktësisë së pasqyrimit t’epokës dhe gjykimit objektiv mbi të, po ashtu edhe sa i përket stilit letrar të rrjedhshëm e të pasur.

Do t’ishte mirë që ky libër ashtu si edhe disa të tjerë, kryesisht të Visar Zhitit, Makensen Bungos apo autorëve të tjerë që kanë lëvruar këto tema, të mund të përktheheshin e t’i jepeshin edhe lexuesve evropianë, për të njohur më mirë kombin dhe historinë tonë.

Prill 2017                                                                           Eugjen Merlika      

Filed Under: Politike Tagged With: DHE PËRBALLJA ME TË, DIKTATURA ENVERISTE, Eugene Merlin, KURT KOLA

SHQIPËRIA ME TRE LOBINGJE NË WASHINGTON

April 19, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në të vërtetë nuk është Shqipëria që ka tre lobingje në Washington, por, sipas të dhënave në median shqiptare, janë tre partitë politike kryesore të Shqipërisë, PS-ja PD-ja dhe LSI-ja, që tani kanë nënshkruar marëveshje me organizata të lobit amerikan, për të shërbyer si agjentë ose përfaqsues të këtyre partive në Washington. Me fjalë të tjera, paguhen qindra mijëra dollarë për të punuar në interes të partive në fjalë, por jo doemosdoshmërisht në interes të Shqipërisë.

Tani, nuk dua që të keqkuptohem.  Unë besoj se Shqipëria dhe Kosova si shtete duhet të kenë – përveç ambasadave të tyre në Washington – edhe një organizatë lobingu për të shërbyer si përfaqsuese e interesave shqiptare në Washington, sidomos në lidhjet me Kongresin amerikan. Një gjë e tillë mund të justifikohet, pasi kjo është një praktikë që ushtrohet edhe nga shumë vende të botës. Natyrisht se ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës në Washington luajnë rolin e tyre si përfaqësi zyrtare diplomatike në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.  Por nuk besoj se për nga natyra e tyre, marrëveshjet e partive politike shqiptare, të nënshkruara me organizata amerikane të lobingut, u shërbejnë drejtë për drejtë, interesave të Shqipërisë ose të shqiptarëve.  Këto marrveshje u shërbejnë kryekëput vetëm interesave politike afat shkurta të partive në fjalë, ose udhëheqësve të tyre, të cilët gjatë vizitave në Washington “blejnë” në rend të parë marrjen e fotografive me anëtarë të Kongresit ose me zyrtarë të lartë të administratës.  Duket se fotot janë diplomacia e preferuar e politikanëve shqiptarë gjatë vizitave të tyre në Shtetet e Bashkuara.  Deri më sot, këto lobingje nuk kanë prodhuar asgjë më shumë se ndonjë foto të udhëheqsve shqiptarë me ndonjë zyrtarë të lartë amerikan ose kongresmenë.  I famëshëm tani është rasti i fotos 80-mijë dollarëshe e Kryministrit shqiptar Edi Rama me ish-presidentin Barak Obama dhe shtërngimi i duarve midis tyre prej një minute!

Përsonalisht, nuk jam dakort me këtë praktikë të partive politike shqiptare për të pasur grupe të tyre lobingu në Washington për arsyen se, në mendimin tim, ato marrveshje nuk i shërbejnë interesave dhe kauzave shqiptare që duhen mbrojtur në Washington.  Por u takon votuesve dhe medias shqiptare që të vlerësojnë përfitimet ose jo që mund të vijnë nga përfaqsi të tilla me pagesë në Washington, të sponsorizuara nga partitë e tyre politike.  Janë taksa-paguesit shqiptarë ata që duhet të vendosin nëse praktika të tilla janë në interes të shqiptarëve apo vetëm të partive politike, ose përfaqsuesve të tyre?

Unë në të vërtetë si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan– kam një shqetësim tjetër, që sipas meje është më i rëndësishëm dhe më i dëmshëm, për të mos thënë edhe më i rrezikshëm, që ky fenomen mund të ketë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe mbi rolin që diaspora shqiptare në Amerikë ka luajtur historikisht nëkëto marëdhënie, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica e deri më sot.   Pra, ka të bëjë me faktin se këto aktivitete lobiste të partive shqiptare në Washington, sidomos vitet e fundit, duket se po afektojnë komunitetin shqiptaro-amerikan dhe rolin e tij prej pothuaj një shekulli në mbrojtje të interesave shqiptare në Washington, gjatë një periudhe kur as Shqipëria dhe as Kosova nuk kishin ambasada e as lidhje diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Në fakt ishte komuniteti shqiptaro-amerikan, si individë dhe si grupe të organizuara, që ushtronte rolin e ambasadave dhe të lobit shqiptaro-amerikan.  Dihet se lobi shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë luftës në Kosovë, konsiderohej si ndër më të fuqishmit në Washington, gjë që u provua me mbështetjen e pakursyeshme të këtij vendi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjatë periudhës komuniste, ky komunitet ka promovuar lirinë dhe demokracinë në Shqipëri dhe rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Gjatë viteve të fundit – me përjashtim të Presidentit të Republikës — është venë re një mos interesim i gjithanshëm zyrtar për një pjesë të madhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, madje disa vërejtës thonë se shihen përpjekje për ta përçarë komunitetin, bazuar në mbështetje ose jo të partive politike në trojet shqiptare. Fatkeqsisht, duket se fryma e ndasive dhe e përçarjeve politike në trojet shqiptare ka përfshirë edhe komunitetin këtu.  Jo vetëm për t’a përçarë, por edhe për t’a injoruar dhe për ta anashkaluar si të pa rëndësishëm.   Në të vërtetë, marrëveshjet e partive politike shqiptare me lobingjet amerikane në Washington, përforcojnë këto ndjenja. Duke komentuar mbi marrëveshjet e partive shqiptare me grupe lobiste në Washington, dukebiseduar me një koleg timin, ai komentoi se me këtë veprim partitë politike shqiptare sikurë duan t’i thonë diasporës shqiptare në Amerikë: s’kemi nevojë më për ju. E kaluam lumin, e u…kalin.  Kemi ambasadat tona e kemi dollarë për lobingje personale…

Ndoshta zyrtarët e sotëm shqiptarë nuk i japin rëndësi diasporës shqiptare dhe rolit të saj historik në Shtetet e Bashkuara, por Washingtoni zyrtar i ka njohur gjithmonë meritat e tij në promovimin e marrëdhënieve të Amerikës me Shqipërinë dhe me Kosovën, ashtu siç kanë bërë edhe disa udhëheqës shqiptarë në të kaluarën.  Është kjo një traditë dhe një doemosdoshmëri që nuk duhet të harrohet as të zhduket sepse nuk dihet se kurë do të ndodhë kriza e ardhëshme për shqiptarët në trojet e tyre, dhe si rrjedhim do të ndjehet nevoja për mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan.  Është ky një rol që duhet vlerësuar, jo vetëm për arrrijtjet në të kaluarën, por me qëllim edhe për të mbajtur të interesuar dhe të angazhuar edhe brezat e ardhëshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në mbrojtjen e interesave shqiptare në Washington.

Por, pa marrë parasyshë marrëveshjet e nënshkruara nga partitë politike shqiptare me lobingjet amerikane dhe megjithë anash-kalimin dhe mos interesimin seleksionues zyrtar që vihet re sot, sidomos ndaj diasporës së vjetër në Amerikë, komuniteti shqiptaro-amerikan – besoj unë – do të vazhdojë të shërbejë me dinjitet dhe atdhedashuri, si ambasadori më i mirë që mund të ketë Shqipëria dhe Kosova në Washington.  Shqipëria dhe Kosova duhet të angazhojnë më shumë dhe në mënyrë më të organizuar diasporën pa dallim, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por kudo gjetkë, si një vlerë dhe pasuri të pazevendësueshme për forcimin e marrëdhënieve të shqiptarëve me botën.

Shqiptarët e Amerikës, si gjithmonë më parë, ç’prej kohës së Fan Nolit e Faik Konicës – dhe pa marrë parasyshë interesat personale politike dhe frymat e kohës aktuale matanë oqeanit – qoftë si individë qoftë si grupe të organizuara, kur të paraqitet nevoja, do të vazhdojnë të japin për Nënën, për Shqipërinë e për Kosovën dhe për shqiptarët kudo në trojet shqiptare, me ose pa ndihmën e lobingjeve të sponsorizuara nga partitë politike shqiptare.

FAN NOLI: JEPNI PËR NËNËN

Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët jan’ ata tiranë
Që të pren’ e që të vranë
Që të therrë bij e bija,
Dhe t’u-nxi, t’u-mbyll shtëpija?
Derthni plumba, o Shqiptarë,
Gjakn’ e Nënës për të marrë,
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Cilët bij të trathëtuan
Dhe të doqnë dhe të shuan
Dhe të lan’, o Shkab’ e ngratë
Pa fole, pa zog, pa shpatë?
Këta qena, o shok’ i mbytni,
Mbushni gjyle që t’i shtypni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Sa kërkon e sa të duhen?
Burrat nga detyra s’ndruhen!
Trim i mirë do të japë,
S’kursen jetën as paratë;
Hithni, hithni tok dollarë,
Të mos mbetemi të sharë.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë.
Se ke djemtë n’Amerikë.

Do të ndihim pa kursyer
Për ty, Nëna jon’ e vyer,
Që me drit’ e nder të thuresh
Dhe me bijt’ e tu të mburesh.
Cila Nënë lyp paranë?
Cilët bij me shpirt s’i dhanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.

Armë dhe fishekë mblithni,
Qesen edhe shpirtin hithni:
Për lirin’ e vëndit t’onë,
Sot – se nesër është vonë-
Jepni, Nënën të shpëtoni,
Komb e vatra të nderoni.
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë.

1917

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Ne Washington, SHQIPËRIA ME TRE LOBINGJE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 557
  • 558
  • 559
  • 560
  • 561
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT