• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARALAJMËRIMI I AT GJERGJ FISHTËS: KUJDES NGA RREZIKU I PËBRENDSHËM

January 18, 2017 by dgreca

1 fishta okFishta konsideronte se “rreziku i mbrendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e mbrendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë.  Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i mbrendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”./

1-Frank-shkreli-2-300x183Nga Frank Shkreli/Paralajmërimin për rrezikun e mbrendshëm, At Gjergj Fishta e ka bërë me shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrëndshëm” në revisten e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, Hylli i Dritës, numër 1 e vitit 1921. Megjithse artikulli është shkruar para 95 vjetëve, aktualiteti i fjalëve dhe paralajmrimi i At Gjergj Fishtës drejtuar klasës së atëhershme politike, mbi rrezikun e mbrëndshëm që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, aktualisht dhe fatkeqsisht tingëllon aktuale si një kambanë kushtrimi që bie edhe sot për shqiptarët dhe autoritetet politike të dy shteteve — Shqipëri e Kosovë — pothuaj një shekull më vonë.  At Gjergj Fishta e njihte mirë fizioniminë e shqiptarit. Ai nuk i kursente fjalët dhe nuk shkruante për të siguruar mbështetje politike nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të rastit ose të kohës, as për interesa personale ose politike dhe as nuk kishte për qëllim që me shkrimet e tija të argëtonte, “Damat e kalorësit e oborreve princore”, siç është shprehur dikur në një shënim, At Viktor Volaj, një mësim ky edhe për median e sotëme shqiptare.  Fishta konsideronte se “rreziku i mbrendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e mbrendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë.  Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i mbrendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”.

Mbi të gjitha, me këtë paralajmërim si edhe me të gjitha shkrimet e tija – pa marrë parasyshë se ç’mendojnë për të dhe për veprën e tij pseudo-historianët shqiptarë dhe nostalgjikët e sotëm të Enverit – At Gjergj Fishta synonte gjithmonë mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar dhe të avancimit të imazhit dhe të shpirtit të tij heroik e fisnik, në botë.   Frati i maleve paralajmëronte shqiptarët për ato që ai i konsideronte si rreziqe që i kanoseshin kombit shqiptar nga armiqët e mbrendshëm dhe të jashtëm.

Megjithëse për shqiptarët “modern” dhe për klasën e sotme politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, At Gjergj Fishta mund të konsiderohet shumë i largët dhe i pa konsekuenca për historinë dhe aktualitetin e sotëm shqiptar, unë u them se e kini gabim.  Në sytë e vrejtësve të pa-anshëm, mendimet dhe paralajmërimi i Fishtes janë aq aktuale sot sa ishin pothuaj edhe një shekull më parë, pasi duket sikurë fatkeqsisht, një shekull më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje. Sidomos kur të merret parasyshë gjëndja aktuale në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë grindjet politike dhe luftën për pushtet, korrupsionin, drogën, trafiqet e lloj-llojshme, mbrojtjen e interesave personale dhe familjare në punët e shtetit dhe të bizneseve nga ana e pushtetarëve, e të tjera — gjë që, historikisht, nuk e paraqet klasën e sotëme politike shqiptare në dritën më të mirë që mund të jetë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.   Fatkeqsisht shqiptarët nuk kanë mësuar aspak nga gabimet e së kaluares, përfshirë periudhën historike dhe hallet për të cilat ka shkruar Gjergj Fishta, pothuaj një shekull më parë.  Interesat personale dhe partiake sot po shkatërrojnë harmoninë e mbrendshme shoqërore të botës shqiptare dhe po nxisin armiqët e kombit që të peshkojnë në ujrat e turbullta shqiptare kurdo që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave shqiptare.  Gjëndja politike aktuale në Shqipëri, sidomos në prak të zgjedhjeve të qershorit dhe situata e brishtë e mbrendshme dhe e jashtme e Kosovës, kërkon prej atyre që ia duan të mirën kombit shqiptar, e sdimos nga ta që sot kanë në dorë fatin e kombit, që t’i vihet vesh paralajmërimit shekullor të At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i mbrendshëm!

Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët — sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare — përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm mbrenda trojeve shqiptare, por edhe në marrëdhënie me të tjerët.  Por, me një harmoni të mbrendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e mbrendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare që duhet të qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera politike dhe ekonomike.

Në paralajmërimin për rrezikun e mbrendshëm nga At Gjergj Fishta në revistën e famshme françeskane, Hylli i Dritës, të vitit 1921, Poeti i Kombit, me një përspektivë historike të tijën, shkruan në  se para fitimit të pavarsisë, shqiptarët ishin, “Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë, kur u thamë se kishte Shqypni.  Por, qe, sot koha na dha arsye.  Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë, e se ashtë e lirë dhe e pamvarun”. 

Fishta shkruante se, “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së kombit shqyptar u realizue”, duke shtuar se “Shteti shqyptar leu”, por njëkohsisht shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet? kombi shqiptar.  Ai shprehet se, aty për aty, nuk dukej të kishte ndonjë kërcnim të menjëhershëm nga jashtë ndaj Shqipërisë së re të pavarur, por paralajmëron se për të shuar jetën e re të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, nuk ishte e nevojshme që rreziku të vijë, patjetër, nga jashtë.  “Shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatosuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plumb që të përshkohet nëpër trup të tij…”  Prandaj, Fishta bën thirrje se, “Duhet pra që na, si edhe të gjithë njata që kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të pa arsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi.  Kombi s’do rrejtë; asht mëkat me e rrejtë kombin! Kombit i duhen çilë sytë e i duhen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij ashtë në rrezik, kështu që me kohë të mund të marrë ato masa që vendi e mendoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet.”  Fishta paralajmëron, siç shprehet, me fjalën e të moçmit se, “lëngatës i do ba ballë që në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjetë bari”.

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar Fishta dhe vazhdon se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund ti kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhe përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…”Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë nji.”   Si rrjedhim, ai paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se,  “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnji të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”“Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, paralajmëron Gjergj Fishta dhe pohon se, “ Elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni…”

“…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat.  Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar.  Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira?  E po ku jemi na, o Zot?  A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar…?“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë”, përfundon porosinë dhe paralajmërimin At Gjergj Fishta në vitin 1921.  Fatkeqsisht, paralajmërimi i Fishtës nuk u mor parasyshë në kohën e tij, as më vonë.  Por ia vlenë që sot, pothuaj 100-vjetë më vonë, kjo kambanë kushtrimi të dëgjohet nga “sundimtarët” e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare që është një thirrje për bashkim me qëllim për të mënjanuar përsëritjen e historisë së 100-viteve të kaluara të shqiptarëve, ashtu që siç ka thënë At Gjergj Fishta, “lëngatës” të rrezikut të mbrendshëm, t’i bëhet ball që në fillim, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, rreziku i perbrendshem

Betimit i zotit Donald Trump, vazhdim i traditës 200-vjeçare

January 18, 2017 by dgreca

Z.Obama dhe z.TrumpTë premten, më 20 janar, Donald Trump dhe Mike Pence, do të marrin pjesë në një traditë më shumë se 200-vjeçare tashmë: atë të betimit të Presidentit dhe zv/Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një gjë është e sigurtë, thotë zoti Trump, kur vjen fjala te dita e tij e madhe, do të jemi shumë, shumë, elegantë. Ajo ceremoni ka për të qenë diçka vërtet speciale dhe tepër e bukur. Kremtimet, megjithatë, do të nisin që përpara. Në 19 janar, ata që të dy, do të vendosin kurora me lule mbi varrin e ushtarit të panjohur, në Varrezën Kombëtare të Arlingtonit. Më vonë, do të ketë performanca bandash muzikore që do të pasohen nga një koncert në memorialin Lincoln. Si Presidenti i zgjedhur, ashtu edhe zëvendësi i tij, do të risjellin në kujtesën e publikut, me nga një fjalim të shkurtër, moton e fushatës “Ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri”, e cila është edhe tema e koncertit të mirëseardhjes. Në skenë do të ngjiten edhe këngëtari Tobey Keith, i cili ka shoqëruar marinsat amerikanë në cdo betejë,{Mjaft ushtarakë shqiptarë dëgjojnë muzikën e tij}, si dhe grupi “Three Doors Down”, ku do të përshëndesë edhe aktori John Voight. Në fund, pjesmarrësit do të shijojnë edhe një spektakël fishekzjarresh, ndërsa mëngjesin e së premtes, përpara betimit, zoterinjtëTrump, Pence dhe familjarët e tyre, do të marrin pjesë në shërbesën fetare në katedralen e Shën Gjonit, pranë Shtëpisë së Bardhë. Dy presidentët dorëzues dhe marës, zoti Barack Obama dhe z.Donald Trump, do të pinë së bashku një kafe apo çaj në shtëpinë më të famshme të botës, përpara se manjati të përgatitet për momentin e tij të shumëpritur.

Filed Under: Politike Tagged With: Betimit i zotit, Donald Trump, i traditës 200-vjeçare, vazhdim

Basha në Ceremoninë e Presidentit Donald Trump

January 17, 2017 by dgreca

1 BashaKryetari i opozitës do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump. Ndriçim Kulla shkruan se Basha po shkon te republikanët që janë miqtë tradicionalë, pavarësisht se nuk mori pjesë në konventën e tyre, por në atë të demokratëve.Ndricim-Kulla

 Nga Ndriçim Kulla*/

Në pamje të parë, prania e Lulzim Bashës në Washington, në 20 janar, në ceremoninë për marrjen e detyrës nga Presidenti i zgjedhur Trump, duke pasur parasysh marrëdhëniet preferenciale që PD ka pasur me republikanët amerikanë, mund të duket si rikthimi i djalit plëngprishës. Këtu kam parasysh që në fushatën zgjedhore amerikane, vitin e kaluar, Basha mori pjesë në konventën e demokratëve amerikanë që shpalli zonjën Clinton si kandidate në zgjedhjet presidenciale.

Një politikan, aq më tepër opozitar, si Basha, nuk do të kishte interes që të bënte një shkëputje kaq të madhe nga tradita e partisë së tij, në marrëdhëniet me palët politike në SHBA, në qoftë se kjo nuk do të bëhej në një situatë të jashtëzakonshme, për shkaqe madhore. Këtu nuk kam parasysh detyrimin që shqiptarët kanë ndaj familjes Clinton për çlirimin e Kosovës, por diçka tjetër. Këto zgjedhje presidenciale amerikane kanë qenë shumë të ndryshme, nga ato që kemi parë deri më sot, që nga koha e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në 1991.

Në vende të vogla si Shqipëria, disa fenomene që ndodhin në SHBA, reflektohen në veprimtarinë e përfaqësive diplomatike amerikane përkatëse në mënyrë shumë më të dukshme se në vendet e mëdha. Që në pranverën e vitit zgjedhor, kur u duk se Trump-i kishte shanse që të dilte si kandidati republikan, neve këtu në Shqipëri na u krijua përshtypja se shteti amerikan ishte kundër Trump. Si? Kur Kryeministri Rama bëri disa deklarata të njëpasnjëshme se Trump ishte rrezik për botën, ambasada amerikane në Tiranë heshti, heshti çuditërisht, duke mos bërë as reagimin minimal që t’i tërhiqte vëmendjen për këtë ndërhyrje në zgjedhjet amerikane dhe nëpërkëmbje të vullnetit të zgjedhësve amerikanë, kundër njërit prej kandidatëve që teorikisht disa muaj më pas mund të ishte shefi i diplomatëve amerikanë në Tiranë.

Ky qëndrim i ambasadës do ta bënte mirë të mendohej atë politikan shqiptar që kishte ndërmend të bënte diçka që mund t’i interpretohej si shenjë simpatie ndaj Trump-it. Për ta thënë troç, u krijua një frymë anti-Trump, e nxitur ndoshta edhe nga heshtja dhe mosreagimi i ambasadës amerikane në Tiranë, minimalisht me mosreagimin e saj ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama kundër Trump-it, por edhe nga disa qëndrime mediatike. Duke pasur parasysh peshën e madhe që ka ambasada amerikane në Shqipëri, heshtja e saj në këtë rast, ishte baras sikur ambasada të lëshonte një komunikatë zyrtare: “O burra, bjerini Trump-it sa të mundni!”

Z.Basha në një deklarim publik të kohëve të fundit e justifikoi mospjesëmarrjen me axhendën e ngjeshur të momenteve finale të Reformës në Drejtësi, për të cilën u punua fort më shumë se një vit. Por prishja e neutralitetit në atmosferën politiko-shoqërore në Shqipëri, në lidhje me kandidatët presidencial në Amerikë duhet të ketë qenë një arsye shumë e fortë.

Në një situatë të tillë, pjesëmarrja në konventën që do të shpallte kandidaturën e Trump, nga ana e kryetarit të opozitës, do të ishte baras me një sfidë ndaj shtetit amerikan. Asnjë politikan i një vendi të vogël nuk i bën një sfidë të tillë vendit më të fuqishëm të botës. Unë mendoj se është e pamundur, që kryetari i opozitës shqiptare, duke qenë njëkohësisht edhe kryetari i një partie me marrëdhënie preferenciale me republikanët amerikanë, të ishte në dilemë për të shkuar ose jo në konventën republikane amerikane. Por për cilindo që i ka ndjekur zhvillimet politike në Shqipëri në atë kohë është e qartë ajo heshtje e atyre njerëzve në ambasadën amerikane në Tiranë, të cilët për të mos thënë e nxitën frymën anti-Trump në Shqipëri, nuk e refuzuan atë frymë qe kishte si protagonist të hapur kryeministrin e Shqipërisë z. Edi Rama.

Gjykimi im personal është se ai që ka vepruar si ambasador politik në Shqipëri, duke qenë pjesë e shërbimit diplomatik amerikan, duhet të gjejë ndershmërinë profesionale dhe qytetarinë për ta ndjerë thirrjen që Presidenti i zgjedhur Trump iu ka bërë ambasadorëve të emëruar politikisht nga paraardhësi i tij, që së paku për hir të marrëdhënieve speciale ndërmjet popullit amerikan dhe popullit shqiptar të japë një shpjegim publik pse ka ndodhur kjo heshtje dhe ky tolerim për këtë ndërhyrje aspak diplomatike dhe aspak normale në marrëdhëniet ndërmjet mes dy vendeve? Mendoj se nuk mund të gjesh më kuptim që Presidentin Trump ta përfaqësojë në Shqipëri (ambasadorët janë përfaqësues të kryetarit të shtetit), ata që heshtën kur kryeministri shqiptar e bëri si sport që të tallej me Trump-in kandidat presidencial deri në CNN .

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të ndërtuara mbi themele solide, historike por edhe njerëzore dhe nuk mund të preken nga incidente të tilla. Por kjo nuk do të thotë se duhen toleruar precedentët e këqij. Në qoftë se ka precedentë të këqij në këto marrëdhënie dypalëshe, këta janë të njëanshëm dhe kanë ardhur përgjithësisht nga papjekuria politike ose etja për pushtet e liderëve shqiptarë të kohërave të ndryshme. Karriera e një ambasadori është shumë e parëndësishme kur është fjala që të vazhdojë me çmimin e krijimit të një precedenti të keq në marrëdhëniet dypalëshe, në vendin ku ai është akredituar.

Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë njohur një plejadë ambasadorësh amerikanë në Shqipëri, të cilët në përgjithësi kanë qenë profesionalisht mbi nivelin e rëndësisë që ka Shqipëria si një vend i vogël, dhe kjo staturë e tyre është normale për shkak të specifikës që kanë marrëdhëniet mes dy vendeve. Kjo orkestër e shkëlqyer nuk ka arsye pse të marrë koston e një stonimi kaq flagrant. Z. Lu do mjaftohet duke lënë pas në Shqipëri emrin e mirë që bëri si ambasador shqipfolës, por edhe shqiptardashës, gjë për të cilën meriton respekt dhe mirënjohje edhe përtej mandatit të tij.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë shkak që Lulzim Basha të ketë kompleksin e djalit plëngprishës ndaj Trump, duke pasur parasysh se Anti-trumpizmi dukej se u bë qëndrimi zyrtar i ambasadës amerikane në Tiranë, deri të nesërmen e zgjedhjeve presidenciale në këtë vend. Në qoftë se z. Basha nuk do të kishte shkuar në konventën republikane në rrethana normale, ai do të kishte bërë një gabim të madh. Por ai si përfaqësues i opozitës u privua nga kjo e drejtë që ishte njëherësh edhe detyrim i tij, për fajin e dikujt që kishte si detyrë zyrtare që të kujdesej që në Shqipëri Amerika të shfaqte një tjetër imazh në këtë rast, të cilin ai duhej ta mbronte nga çdo deformim, gjë që nuk e bëri aspak.

Në qoftë se z. Lu do të sillej sipas etikës së Etërve Themelues të SHBA, ai do t’i kërkonte falje opozitës që me qëndrimin e tij indirekt e pengoi përfaqësuesin e saj të merrte pjesë në konventën republikane amerikane ku do të shpallej kandidatura e z. Trump. Dhe mbi të gjitha, z. Lu duhet që së paku t’ i kërkonte falje Presidentit të tij të ri, z. Trump që ende hesht në suazën mbrojtëse të statusit të tij si anëtar i shërbimit diplomatik, duke mos dhënë asnjë shpjegim publikisht për mos mbrojtjen e kandidaturës së z .Trump.

*Publicist( Në ceremoni marrin pjesë edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta dhe Minsitri Socialist Ahmetaj)

Filed Under: Politike Tagged With: Basha në Ceremoninë, e Presidentit Tump

Takimi i parë Trump-Putin në Islandë, ashtu si Regani dhe Gorbaçovi

January 17, 2017 by dgreca

1 Trump-PutinUdhëtimi i parë i Donald Trump jashtë vendit si President do të bëhet në Islandë, për të zhvilluar një samit me homologun e tij të ardhshëm rus Vladimir Putin. Kjo eshte nje lëvizje, që i bën jehonë takimit të Luftës së Ftohtë mes Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev, në Rekjavik në vitin 1986. Mediat raportojnë se ekipi i Trump i ka komunikuar zyrtarëve britanikë se, samiti do të zhvillohet pak javë pasi miliarderi Njujorkez, të bëhet president i SHBA. 
Duket se kryeqyteti Islandez konsiderohet si vendi më i përshtatshëm për këtë takim, përderisa edhe 3 dekada më pare, kjo funksionoi mjaft mirë. Samiti do të jetë një përpjekje për të rivitalizuar raportet e SHBA me Kremlinin, ndaj në axhendë raportohet se përfshihet edhe një pakt për të kufizuar armët bërthamore.
Lajmi vjen, ndërsa Trump vazhdon të përballet me pretendimet se Rusia zotëron materiale komprometuese ndaj tij që mund të përdoren për shantazh. Të shtunën Trump tha se do të konsiderojë heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, nëse kjo e fundit bashkëpunon në luftën kundër terrorizmit. Lajmi për takimin Trump-Putin zor se, do të mirëpritet nga figurat e larta të qeverisë britanike, të cilat druhen se thellimi i raporteve SHBA-Rusi, mund të lërë jashtë Britaninë. Sipas ekspertëve, jo më kot kryeministrja Theresa May, pritet të vizitojë Trumpin në Shtëpinë e Bardhë që muajin e ardhshëm.

 

Filed Under: Politike Tagged With: në Islandë, Takimi i pare, Trump-Putin

Beogradi, i gatshëm që t’i viktimizojë serbët e Kosovës

January 17, 2017 by dgreca

-Presidenti Thaçi: Serbia po llogaritë në Rusinë për ndarjen e Kosovës/

1-Thaci-300x192

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se provokimet e Serbisë ndaj Kosovës janë pjesë e “skenarit të vjetër për ndarjen e një pjese të Kosovës”.

“Serbia llogaritë në ndihmën e Rusisë dhe kjo ishte arsyeja pse një tren i Rusisë ishte nisur nga Beogradi për në Kosovë. Asgjë nuk është e rastësishme, gjithçka ishte e planifikuar”, ka thënë Thaçi.Kërcënimet e Serbisë me luftë, ka shtuar Thaçi, janë dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari, që si qëllim ka aneksimin, e më pas edhe ndarjen e kësaj pjese të Kosovës (pjesa veriore).“Kërcënimi i vetëm për serbët e Kosovës, është atëherë kur Serbia i përdorë ata për realizimin e qëllimeve të saj”, ka shtuar Presidenti i Kosovës.Beogradi, sipas tij, është i gatshëm që t’i viktimizojë serbët e Kosovës për t’i realizuar synimet e veta politike e ushtarake, ashtu siç ka vepruar në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni dhënë urdhër që të mos lejohet hyrja e trenit nga Serbia në Kosovë, ndërkohë Serbia e akuzoi Kosovën që luan lojëra lufte, madje edhe presidenti i Serbisë ka thënë që është i gatshëm ta dërgojë ushtrinë në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë. Për fillim, kush po luan këtu lojëra lufte dhe a janë serbët aq të rrezikuar siç po thotë Nikoliqi?

Hashim Thaçi: Treni ilegal propagandues është një pretekst i Serbisë për të destabilizuar situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë. Ky veprim nuk paraqet një risi për sjelljen e Serbisë në relacion me Kosovën sepse Serbia vazhdon ta konsiderojë Kosovën si territor të saj. Sigurisht që nga ky provokim i radhës i Serbisë dhe provokime të tjera që do të mund të ndodhin në të ardhmen janë pjesë e një skenari të vjetër të Serbisë për ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës, për të arritur këtë qëllim.

Serbia është duke llogaritur në ndihmën e Rusisë dhe kjo është arsyeja pse pikërisht një tren i dhuruar nga Rusia niset nga Beogradi për në Kosovë. Pra, asgjë nuk është ndonjë skenar i rastësishëm. Është gjithçka e planifikuar dhe e menduar nga Beogradi. Kërcënimi me thirrje për luftë nga ana e Serbisë, me arsyetimin se Serbia është e gatshme t’i mbrojë serbët e Kosovës, që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, është dëshmia më e mirë e ekzistimit të këtij skenari lufte në Serbi që si qëllim e ka aneksimin fillimisht dhe më pas ndarjen e një pjese të territorit të Kosovës. Serbët e Kosovës gëzojnë të drejtat më të avancuara të bazuara në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: A duhet qytetarët e Kosovës të ndjehen të rrezikuar nga kjo që e flet dhe e bën Serbia?

Hashim Thaçi: Kërcënimi i vetëm për sigurinë e serbëve të Kosovës është vetëm përdorimi i tyre nga ana e Serbisë për realizimin e skenarit për destabilizimin apo ndarjen e Kosovës. Serbët e Kosovës i kanë të garantuara liritë dhe sigurinë e tyre në mënyrë të barabartë sikur të gjithë popujt e tjerë. Asnjë kërcënim nuk iu ka ndodhur në të kaluarën dhe asnjë kërcënim nuk do të ndodhë në të ardhmen qytetarëve të komunitetit serbë në Kosovë nga ana e shumicës shqiptare.

Serbët e Kosovës janë vetëm të rrezikuar nga manipulimi i politikës së Beogradit për qëllimet e tyre ekspansioniste, fillimisht të aneksimit të kësaj pjese të territorit të Kosovës dhe pastaj bashkëngjitjes së kësaj pjese të territorit të Kosovës – Serbisë. Pra, Serbia është e gatshme të sakrifikojë dhe të viktimizojë qytetarët e komunitetit serbë që jetojnë në Kosovë për qëllimet e tyre politike dhe ushtarake, siç i ka manipuluar dhe viktimizuar e sakrifikuar qytetarët serbë edhe në Kroaci dhe në Bosnje.

Radio Evropa e Lirë: Si ndikon kjo retorika dhe e Serbisë kohët e fundit ndërmjet dy shteteve në kohën kur ndodhë të arrihet një normalizim i marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Jetojmë në shekullin e 21-të, dhe kjo është periudha e paqes dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Fjala luftë duhet të hiqet nga fjalori i retorikës nacionaliste në Serbi. Sot, Serbia po e kërcënon Kroacinë, po e kërcënon Bosnjën dhe Hercegovinën, po e kërcënon Malin e Zi, po e kërcënon Kosovën. Është bërë adresa e kërcënimit për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor si kryeqytet nxitës, Beogradi si kryeqytet nxitës i trazirave të reja në Ballkanin Perëndimor.

Kërcënimi me luftë nga lidershipi më i lartë në Serbi duhet të jetë shqetësues për çdo njeri të zakonshëm. Duhet të konsiderohet tepër alarmuese edhe për NATO-n edhe për Bashkimin Evropian. Pavarësisht kësaj situate të tensionuar, unë e ftoj Serbinë për dialog, për paqe, për bashkëpunim ndërfqinjësor si rruga e vetme për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjërë.

Kështu, nëse Serbia thërret për luftë, Kosova thërret për paqe. Nëse Serbia thërret për ndarje territoriale dhe etnike, atëherë Kosova thërret pët integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni reagimin apo vëzhgimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj situate, që ka ndodhur?

Hashim Thaçi: Këtë skenar të vjetër të ndarjeve territoriale nga ana e Serbisë, që e ka riaktualizuar, e njeh shumë mirë bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, jam i bindur që nuk do të mund të realizohet sepse ne së bashku me NATO-n, institucionet e Kosovës do të garantojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të saj.

Radio Evropa e Lirë: SI e shihni ardhmërinë e dialogut? Keni thënë disa herë se duhet të reformohet, sa është i mundshëm suksesi i këtij procesi nëse nuk ekziston një sinqeritet?

Hashim Thaçi: Dialogu duhet të vazhdojë. Në vend të kërcënimit, unë ftoj për paqe. Në vend të konfrontimit, ftoj për dialog. Në vend të raporteve të ndara ndërfiqnjësore, ftoj për fqinjësi të mirë që do të dërgonte drejtë një normalizimi të raporteve tona ndërshtetërore dhe një pajtimi në bazë të vlerave dhe standardeve euroatlantike. Dialogu nuk ka alternativë. Duhet të vazhdojë, pavarësisht krizave dhe incidenteve ditore.

Radio Evropa e Lirë: Sapo jeni kthyer prej SHBA-ve. Keni pasur atje disa takime me zyrtarë të ndryshëm. Çfarë prisni nga administrata e re e Trumpit? A keni pasur mundësi të vëreni çfarë qasje kanë ndaj Ballkanit apo ndaj Kosovës?

Hashim Thaçi: Unë jam takuar me zëvendëspresidentin Biden, me shumë kongresmenë, senatorë, “think-tanke”, me shumë institute të ndryshme. Kam njoftuar për progresin e arritur në Kosovë dhe për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen. Kam falenderuar administraten e presidentit Obama dhe zëvendëspresidentit Biden. Kosova është në rrugë të sigurtë, është në rrugë të drejtë, në rrugë të ngadhnjimit të vlerave euro-atlantike.

Nga vizita ime e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe relacionet e reja që kemi filluar të ndërtojmë me administraten e re të presidentit Trump, mund të themi lirisht dhe me besim të plotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Trump, administrata e tij, do ta ruaj vëmendshëm kujtesën për Kosovën, për Ballkanin Perëndimor, pra do ta ruaj, do ta ketë në vëmendje të theksuar zhvillimet edhe në Kosovë, edhe në Ballkanin Perëndimor, dhe përspektivën euro-atlantike të këtyre vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Thaçi, nëse mund të kthehemi edhe njëherë në veri, sipas disa shkrimeve që janë dal në media serbe. A ka të drejtë ROSU të shkojë në veri?

Hashim Thaçi: Unë si president i Republikës së Kosovës, si komandant suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës, si përgjegjësi numër një për ruajtjen e rendit, të sigurisë, tërësisë terroritoriale, kam kërkuar prej të gjitha institucioneve të vendit që, në përputhshmëri me Kushtetën, ligjet, hiearkinë shtetërore të shfrytëzohet i tërë potenciali në shërbim të ruajtjes së paqes, stabilitetit, integritetit territorial.

Prandaj, e tëra është, i tërë angazhimi është i bazuar në Kushtetën dhe ligjet e Kosovës. Duke mos vepruar dhe lejuar që të ndodhin gjëra çfarë planifikon Serbia, atëherë nënkupton mos interesim dhe shkelje kushtetuese dhe ligjore. Ndërsa veprimi është respektim i Kushtetuës dhe ligjeve.

Radio Evropa e Lirë: A bën të mundësohet edhe shkuarja e FSK-së në një kohë të caktuar në veri?

Hashim Thaçi:

Unë e theksoj, i tërë angazhimi do të jetë i përbashkët, i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare. Do të jetë i koordinuar vetëm në ato përkushtime që çojnë në forcimin e paqes, në forcimin e stabilitetit, në integrimin e të gjitha komuniteteve, në jetën e sigurt të çdo qytetari dhe i ftoj të gjithë serbët e Kosovës, edhe ata në veri, që ta ndijnë vetën të sigurtë. Ata jetojnë në atdheun e tyre, jetojnë në shtëpinë e tyre, jetojnë në një përspektivë të së ardhmes së sigurt dhe shteti i Kosovës do të kujdeset për të gjithë në mënyrë të barabartë.

Gjithashtu i ftoj që të mos bëhen pjesë e manipulimit për pretekst të destabilitetit të Kosovës dhe të raporteve ndërfqinjësore. Nuk dëshiroi që në asnjë rrethanë që serbët e Kosovës, në veçanti ata në veri të viktimizohen për aspiratat e politikës nacionaliste apo ekspansioniste të regjimit të Beogradit.

Përgatiti: Artan Haraçia

Filed Under: Politike Tagged With: Beogradi, i gatshëm, që t'i viktimizojë, serbët e Kosovës, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 567
  • 568
  • 569
  • 570
  • 571
  • …
  • 651
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT