• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RREZIKU RUS NDAJ KOSOVËS, SENATORJA AMERIKANE JEP ALARMIN

July 31, 2018 by dgreca

 
2-Franku Nga Frank Shkreli/

Senatorja e Shteteve të Bashkuara e shtetit Ajova (Iowa), ç’prej vitit 2015 republikanja Joni Ernst, pas takimit të nivelit të lartë pak më heret këtë muaj, midis Presidentit amerikan, Donald Trump dhe Presidentit rus, Vladimir Putin, lëshoi një deklaratë për shtyp me të cilën reagoi duke thënë se, “Rusia nuk ka qenë kurrë dhe nuk është mike e Shteteve të Bashkuara” dhe se Moska vazhdon të, “Jetë një kërcënim për Amerikën dhe për aleatët e saj.”  Ndër këta aleatë, Senatorja e shtetit Ajova — shteti si motër i Republikës së Kosovës – ka përmendur drejt për drejt Kosovën si vendin që ajo thotë se, “Vazhdon të kërcënohet nga taktikat e luftës hibride të Rusisë, nepërmjet Serbisë.”

Senatorja e Partisë Republikane, Joni Ernst nga shteti Ajova ka shërbyer në radhët e forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara për më shumë se 23 vjetë dhe është veteranja e parë femër e zgjedhur në Senatin Amerikan.  Ndërda nga viti 1993 deri në vitin 2015, ajo ka shërbyer në Gardën Kombëtare të Ushtrisë së shtetit Ajova.  Në Washington, ajo është anëtare në tre komisione me rëndësi të Senatit: Në Komisionin që merret me Punët e Forcave të Armatosura, në Komisionin për Sigurinë e Atdheut dhe në Komisionin për Punët Qeveritare.

Senatorja Joni Ernst/

joni Erns

Në deklaratën e saj mbi takimin Trump-Putin, ligjvensja e lartë amerikane, Joni Ernst ka kritikuar qëndrimin e Presidentit Trump ndaj Rusisë duke u shprehur se, “Duhet të jemi tepër të kujdesshëm për mënyrën se si i zhvillojmë marrëdhëniet tona me Rusinë.  Shpresoj që Presidenti Trump të ketë dhënë një mesazh të fortë pas dyerve të mbyllura, se Rusia do të vazhdojë të ndëshkohet për aneksimin ilegal të Ukrainës në vitin 2014, për mbështetjen e neveritshme që Kremlini i jep regjimit vrasës të Bashar al-Assad-it në Siri, si dhe për veprimet dhe ndërhyrjet agresive ruse në politikën e mbrendëshme të Shteteve të Bashkuara.”  Në një intervistë, më heret, në programin e rrjetit të telelvizionit amerikan, “Face the Nation”, Senatorja e shtetit Ajovaka deklaruar shprehimisht besimin e saj se “Rusia nuk mund të jetë kurrë as mike dhe as aleate e Shteteve të Bashkuara”.

Ndryshe nga Presidenti Trump, i cili është shprehur fillimisht si i dyshimtë ndaj zbulimeve të enteve amerikane të inteligjencës në lidhje me ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, Senatorja Ernst ka theksuar mbështetjen e saj të fortë për entet amerikane të zbulimit të fsheht, duke u shprehur në deklaratën e saj për medien se ajo, “Ka besim të plotë në komunitetin e fshehtë të Shteteve të Bashkuara, si dhe në vlerësimin e arritur të këtij komuniteti se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane tëvitit 2016.”   Në vazhdim të deklaratës së saj për medien amerikane, pas takimit Trump-Putin në Finlandë më heret këtë muaj, Senatorja republikane ka theksuar shpresën e saj se, në takimin e tij me udhëheqësin rus Vladimir Putin, Presidenti Trump të ketë biseduar edhe për rolin e Rusisë në Ballkan, në përgjithësi dhe në Republikën e Kosovës, në veçanti.

Ndoshta dikush mund të pyes se pse një senatore nga një shtet amerikan si Ajova, ku mund të ketë shumë pak ose aspak shqiptaro-amerikanë, të jap alarmin për rolin dhe influencën e Rusisë në Kosovë dhe njëkohësisht të jetë e interesuar për Republikën e Kosovës dhe për ndërhyrjet ruse në atë vend dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.  Ndoshta nuk dihet gjerësisht, por disa mund të kenë dijeni se Republika e Kosovës ka marrëdhënie të veçanta shtetesh motra me shtetin Ajova, ç’prej vitit 2013.  Si përfundim i kësaj lidhjeje, Senatorja Joni Ernst ka vizituar Kosovën më 2016 dhe njihet si një nga politikanet amerikane me qëndrimet më miqësore ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti.

Marrëdhëniet e veçanta midis Republikës së Kosovës dhe shtetit amerikan Ajova kanë filluar ç’prej vitit 2003, kur në Kosovë janë dërguar më shumë se 700- ushtarakë të Gardës Kombëtare të Ajovës, si pjesë e misjonit ushtarak të Aleancës Perëndimore, NATO në mbështetje të një Kosove stabile, demokratike dhe në paqë.

Këto marrëdhënie midis shtetit Ajova dhe Republikës së Kosovës kanë ardhur e shtuar gjithnjë gjatë viteve, sidomos marrëdhëniet midis Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë të Republikës së Kosovës. Përveç lidhjeve në fushën ushtarake, janë shtuar kontaktet edhe në fusha të tjera, me prëfitime reciproke midis Kosovës dhe Ajovës, sidomos në bujqësi — pjesë e të cilave janë edhe vizitat e shpeshta dhe të ndërsjellta të zyrtarëve të lartë të dy shteteve. Ish-governatori i shtetit Ajova (tani ambasador i Shteteve të Bashkuara në Pekin), Terry Branstad është shprehur se bashkpunimi ushtarak dhe marrëdhëniet për zhvillimin bujqësor të Kosovës – si pjesë e partneritetit të shteteve motra Kosovë-Ajova – do të hapë dyer të reja edhe në fusha të tjera bashkpunimi, jo vetëm shtet-me-shtet, por edhe në baza të ndryshme individuale.  E gjithë kjo ka të bëjë me miqësinë midis dy popujve, është shprehur ish-governatori i Ajovës, Branstad dhe ka shtuar se “Nepërmjet forcës së kësaj miqësie është venë themeli për të ardhmen e marrëdhënieve të mrekullueshme midis Ajovës dhe Kosovës.”Ndërsa gjatë një vizite të një delegacioni të shtetit Ajova në Prishtinë kohët e fundit, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se vizitat e ndërsjellta janë shumë të rëndësishme për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, në të gjitha fushat. Duke shtuar se, “Raportet tona me SHBA-në përjetësisht do të jenë të veçanta.  Bashkëpunimi jonë me Iowa është vetëm reflektim i këtyre raporteve.  Ky bashkëpunim është duke forcuar shtetin tonë”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Në balancë është pra fati i kësaj miqësie të veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës në përgjithësi dhe të lidhjeve të shteteve motra të Ajovës e Kosovë në veçanti, ajo që ka alarmuar Senatoren amerikane të shtetit Ajova, Joni Ernst.  Çfarë shqetëson Senatoren Ernst është pikërisht influenca ruse dhe masat destabilizuese që ka ndërmarrë Moska vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë sidomos Kosovën, nepërmjet mbështetjes së Moskës ndaj Serbisë dhe politikave të saja kundër Republikës së Kosovës — në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, si pjesë e politikave të saja pan-sllaviste.  Është ky një shqetësim që Senatorja Ernst, së bashku me disa zëra të tjerë, po përpiqen të japin alarmin, para se të jetë tepër vonë, mbi rrezikun që paraqet influenca ruse, jo vetëm për Kosovën por edhe për Ballkanin Perëndimor.  Është një alarm që i drejtohet klasës politike të rajonit që më në fund të rregullojnë punët e shtëpisë së vet, por është edhe një thirrje Washingtonit zyrtar dhe Evropës Perëndimore që të merren masat e nevojshme për mbylljen e derës së strategjisë ruse dhe të kërcënimit të Moskës për të inflitruar vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën -politikisht dhe ekonomikisht – para se të jetë tepër vonë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Joni Ernst, kosova, Rreziku rus, senatorin I0wa

KONGRESI AMERIKAN: RREZIKU RUS PËR SHQIPËRINË…

March 20, 2017 by dgreca

… DHE MBARË EVROPËN/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Ja, më në fund u zgjua edhe Kongresi Amerikan dhe lëshon alarmin se Rusia putiniste mund të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri dhe në një numër vendesh të tjera evropiane që mbajnë zgjedhjet këtë vit, me qëllim të keq për të ndikuar në rezultatin përfundimtar të tyre dhe në fitoren e kandidatëve ose partive që mbështet Moska për interesat e veta. Rezoluta e Kongresit u përpilua pas shqetësimeve që janë shprehur kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara në lidhje me rolin rus për të influencuar zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, nepëmjet sulmeve hibernetike kundër Komitetit Kombëtar të Partisë Demokrate dhe kryetarit të fushatës së Hillary Clinton, John Podesta, ndërkohë që numër komisionesh të Kongresit amerikan vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë çështje.

Rezoluta e Kongresit amerikan ve në dukje se 17 agjenci të fshehta amerikane kanë ardhur në përfundimin se Rusia kishte bërë përpjekje për të influencuar zgjedhjet e vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe citon Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare James Clapper se ka deklaruar, në fillim të Janarit, para Kongresit Amerikan se, “Rusia ka përdorur gjithashtu sulmet dhe taktikat hibernetike me qëllim për të influencuar opinion publik anë e mbanë Europës dhe Euro-Azisë”.   Në rezolutën e tyre, kongresmenët amerikanë shprehen se “Vitin e kaluar kanë urdhëruar entet e fshehta amerikane që të hetojnë nëse shërbimet e sigurimit të fshetë rus janë duke financuar aktivitetet e partive politike dhe të organizatave bamirëse mbrenda Evropës, me objektivin përfundimtar për të rrezikuar normat dhe standardet demokratike, për të dobësuar aleancën NATO dhe për të mbështetur kandidatët ekstremistë pro-rus, për poste politike anë e mbanë Evropës.”

Rezoluta numëron një seri përpjekjesh ruse për të influencuar zgjedhjet në disa vende evropiane dhe anëtarët e Kongresit amerikan thonë se disa shtete evropiane kanë denoncuar sulmet kibernetike të hakerava rusë, të cilat kanë marrë ose janë përpjekur të marrin në kontroll servera të rëndësishëm kompjuterikë.   Me rëndësi është gjithashtu fakti se Kongresmët shfaqin gjithashtu shqetësimin e tyre serioz në lidhje me propagandën ruse në fushën e shpërndarjes së lajmeve të rreme nga dy agjensi lajmesh ruse në anglisht, “Russia Today” dhe “Sputnik”.

Në rezolutën e tyre, kongresmenët amerikanë bëjnë thirrje — ndërkohë që një numër vendesh evropiane kanë në plan të mbajnë gjatë këtij viti zgjedhje, parlamentare, federale, vendore dhe presidenciale, duke përmendur Shqipërinë, Armeninë, Xhorxhia-n Gjermaninë, Hungarinë, Lihtenstajnin, Holandën, Irlandën veriore, Norvegjinë, Portugalinë, Serbinë, Slloveninë dhe Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, dhe Serbinë – që Rusia menjëherë të ndërpresë të gjitha sulmet kibernetike kundër qeverive, partive politike, zyrtarëve të ndryshëm qeveritarë, subjekteve zgjedhore dhe sistemeve të ndryshme informuese të publikut anë e mbanë vendeve demokratike të Evropës.

Më në fund, në rezolutën e paraqitur nga kongresmeni republikan i shtetit Illionois, Peter Roskam dhe kongresmeni demokrat David Cicilline i shtetit, Rhode Island, theksohet se “Është politika e Shteteve të Bashkuara që të sanksionohen entitetet dhe individët mbrenda Rusisë, ose ata që bëjnë pjesë në qeverinë ruse, të cilët janë të angazhuar në sulmet hibernetike dhe në fushata propagandistike, me qëllim për të ndërhyrë në proceset e zgjedhjeve demokratike.”   Sponsorizimi i kësaj rezolute nga një kongresmen republikan i djathtë dhe tjetri demokrat i majtë, nënvijon shqetësimin e përfaqsuesve të dy partive në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,   me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vendeve perëndimore.  Në lidhje me këtë shqetësim, Kongresmeni republikan Peter Roskam duke folur për rezolutën, është prononcuar për gazetën britanike Guardian se, “Rusia po përpiqet të minojë demokracinë dhe institucionet demokratike anë e mbanë botës perëndimore.  Prandaj është e rëndësishme që të paraqesim një front të përbashkët dhe ta bëjmë të qartë për të gjithë se Kongresi i Shteteve të Bashkuara dënon fuqishëm ndërhyrjet qëllimkëqia të Rusisë në Evropë dhe në mbarë botën”, ka thënë kongresmeni amerikan.

Po si kemi ardhur deri këjo situatë?  Sipas ekspertit James Kirchick pranë entit The Foreign Policy Initiative, situata për të cilën flasim nuk është e rastësishme.  Rusia ka punuar për një kohë të gjatë për të sjellur Evropën në gjëndjen që është sot.  Ai ka shkruar kohët e fundit në revistën Politico se, “Ndërkohë që stabiliteti politik, kohezioni shoqëror, begatia ekonomike dhe siguria në Evropë janë sot më të kërcënuara se asnjë herë tjetër, ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë, Rusia është duke destabilizuar kontinentin në çdo front”.   Megjithse ish-kandidati republikan për president Mit Romney, i cili gjatë fushatës për president pesë vjetë më parë kundër kandidatit demokrat Barack Obama pat paralajmëruar se, sipas tij, ishte Rusia ajo që përbënte rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, e si rrjedhim edhe për botën.  Por në atë kohë të gjithë u tallën me deklaratën e tij, si jo reale.  Eksperti James Kirchick pjesërisht kritikon ish-administratën Obama për gjëndjen e krijuar me Rusinë, duke thënë se, “Barack Obama zbuloi tepër vonë se regjimi i Putinit përbënte një kërcënim ndaj vlerave dhe interesave perëndimore”, duke e cituar ish-presidentin Obama i cili ka thënë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia se, “Kjo nuk përbën një Luftë tjetër të Ftohtë…ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, Rusia nuk kryeson ndonjë blok kombesh. Nuk ka një ideologji globale. Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk kërkojnë ndonjë konflikt me Rusinë”, ka thënë ish-presidenti Obama pesë vjetë më parë.  Por James Kirchick parafrazon Leninin duke thënë se “Perëndimi mund të mos kërkojë konflikt me Rusinë, por Rusia kërkon konflikt me Perëndimin.  Kjo për arsye se regjimi i Putinit në natyrën e tij – nacionaliste, revizioniste dhe ekspansioniste – nuk mund të bashkjetojë me një Evropë demokratike, e gatëshme për të mbrojtur parimet dhe vlerat e veta.”

Hajde se Amerikanët i kanë proceset dhe entet qeveritare, shtetërore dhe ekonomike për t’ju kundërvenë  qëllimeve të këqia të Rusisë ndaj demokracisë amerikane, përfshirë Kongresin, siç pasqyrohet edhe në rezolutën e përmendur më lartë, por si duhet të veprojnë shqiptarët përballë qëllimeve të këqia të Rusisë – tani dhe historikisht –  kundër interesave të shqiptarëve në trojet e veta.  Jo me flirtime që dëgjohen herë pas here të politikanëve shqiptarë ndaj Moskës, por me dënimin më serioz, nga të gjitha palët e politikës shqiptare të përpjkejeve të Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Shqipëri, siç alludohet edhe në rezolutën e Kongresit Amerikan.  Për më tepër, ashtu siç kam shkruar vazhdimisht për këtë temë, madje vite më parë — ndoshta edhe kur pak kush fliste për rreziqet ruse në Ballkan — politika shqiptare duhet të deklarohet pa asnjë dyshim dhe me bindjen më të thellë se stabiliteti në Balkan minohet nga obstruksioni ose pengesat ruse, sidomos ndaj njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.  Duke heshtur ndaj këtij obstruksioni, ndihmohet perjëtësimi i mos-stabilitetit në rajon, nga i cili shqiptarët do pësonin pasojat më të këqia.  Drua se politika shqiptare nuk ka qenë aqë e vendosur në kundërshtimin parimor të këtij obstruksioni.  Nuk më duket se është e arsyeshme të quhen “marrëdhënie normale” ato me Rusinë, kur ky vend nuk njeh, lere më interesat jetike, por as ekzistencen e gjysmës së kombit shqiptar. Kapitullimi para interesave të mundshme e të përkohëshme ekonomike e financiare me Moskën, në kurriz të interesave kombetare, duhet të jetë i papranueshëm.

Stabiliteti i Ballkanit është më i qëndrueshëm me pavarësinë e pakëthyeshme të Kosovës, me zbatimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e veta si edhe me kufizimin e politikes ekspansioniste serbe dhe me mos-nderhyrjet obstruksioniste ruse në Shqipëri dhe Kosovë.  Është e pakuptueshme se pse lejohet pasardhsi i Stalinit të ketë një një pikëmbështetje në Ballkan.  Pikësëpari u takon politikanëve të atij rajoni që të mos krijojnë ujëra të turbullta në punët e veta për të lehtësuar ndërhyrjen ruse, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë dhe njëkohsisht të përshpejtojnë plotësimin e kushteve për një antarësim më të shpejtë dhe më të përgjithshëm të dy shteteve shqiptare, në të gjitha organizmat euro-atlantike.

Është e doemosdoshme dhe në interesin kombëtar, që si Shqiperia ashtu edhe Kosova të kenë marrëdhenie të mira, në të gjitha fushat e me të gjitha vendet e botës — të mëdha e të vogëla — duke përfshirë këtu edhe Rusinë e Serbinë. Por këto marrëdhënie duhet të ndërtohen e të kultivohen në bazë të interesit kombëtar të shqiptarëve dhe pastaj, në bashkpunim me partnerët ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara, në interesin e përbashkët dhe të respektit reciprok midis vendeve të rajonit dhe në interes të lirisë, të demokracisë dhe të sigurisë në kontinentin evropian.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Kongresi Amerikan, per Shqiperine, Rreziku rus

Europarlamentari McAllister inkurajon Shqipërinë

March 20, 2017 by dgreca

Europarlamentari gjerman i CDU-së dhe kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister paralajmëron në “Die Welt” nga rritja e ndikimit rus në Ballkan./

Në një artikull të së hënës, (20.03) me titullin “Ballkani një rajon me rrezikshmëri të lartë”, gazeta “Die Welt” shkruan se sikur Bashkimit Europian të mos i mjaftojnë problemet me Brexit, populizmin, Trumpin dhe Turqinë, tani para dyerve të BE-së po rriten tensionet. Në shumë vende të Ballkanit situata zien. Në të njëjtën kohë përpiqen Rusia, Turqia, Kina, Arabia Saudite e Katari të rrisin influencën në rajon -një përzierje e rrezikshme. Kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister, (CDU) thekson se “Ballkani është një rajon me rrezikshmëri të lartë, ku në një kohë të shkurtër një veprim i papërgjegjshëm mund të rindezë konfliktet që besonim se i kishim tejkaluar.”

McAllister: Shqipëria në rrugën e duhur

BE kërkon të kundërveprojë ndaj këtij rreziku duke sjellë një atmosferë të re në bisedimet e anëtarësimit. Shpresa nuk ka vetëm Serbia, shkruan “Die Welt”, por edhe Shqipëria. McAllister thekson, se “sipas Komisionit Europian, parlamentit dhe qeverive ky vend është në rrugën e duhur. Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të hapen brenda 12 muajve të ardhshëm, më së voni në fillim të vitit 2018”.Eurodeputeti gjerman McAllister ka lëvduar ujdinë që arritën partitë politikë në Tiranë për reformën në drejtësi. “Ky ka qenë një kriter i rëndësishëm për fillimin e negociatave. Kur të fillojnë negociatat, do të hapet që në fillim çështja e shtetit ligjor”, ka theksuar europarlamentari me influencë në Bruksel. Por megjithatë McAllister e sheh Shqipërinë ende larg anëtarësimit në BE.

Serbi: Rrezik nga ndikimi rus

Ndërsa duke folur për Serbinë, e cila i ka hapur në janar 2014 bisedimet e anëtarësimit me BE, McAllister shikon përparime, por edhe probleme. Shqetësimi i tij është përpjekja ruse për influencë në këtë vend. “Moska përpiqet të ndikojë në mënyrë masive mediat, pjesë të shoqërisë civile në Serbi”, thotë eurodeputeti. BE me 1,5 miliardë euro asistencë financiare në Serbi është -me distancë- donatori më i madh në këtë vend që mbështet reformat dhe projektet ekonomike. Megjithatë McAllister është i vetëdijshëm, se në të njëjtën kohë Rusia perceptohet në Serbi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të vendit. “Për BE kjo do të thotë që së bashku me ndihmën e politikës serbe dhe shoqërisë civile të bëjë më prezentë angazhimin e saj.”(DW)

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani, McAllister: Shqipëria, në rrugën e duhur, Rreziku rus

Artikujt e fundit

  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj
  • Liria e popujve kërkon sakrificë dhe vetëmohim
  • Poezi nga Lulëzime Malaj
  • Poezi nga Emine S.HOTI
  • LEGJENDA E DUKATIT DERVISH ALI AJANI 1794-1851

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT