• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE PËR DEMOKRACINË

December 8, 2016 by dgreca

3-castro-funeral11-fidel-castro2-castro

Shkruar nga Angelo Panebianco/

1-eugjen-merlika-225x300

Perktheu: Eugjen Merlika/

Nuk është vetëm brerore romantizmi që prej kohësh rrethon revolucionin kuban dhe heronjtë e tij (Fidel Kastro, Che Guevara), dikur të rinj e të pashëm, që shpjegon kaq shumë deklarata nderimi kujtimit të Kastros, deklarata në të cilat fakti që Kuba e tij ishte një diktaturë, një burg në qiell të hapur, mbetej me ndrojtje në hije.

Ka edhe diçka tjetër. Dy shkaqe kryesisht. Nëse në të drejtën ndërkombëtare, sidomos në shkëmbimet tregtare, vepron kushti i quajtur i “kombit më të përkrahur”, mund të themi se në politikë, n’atë perëndimore, vlen(me një ndryshim të vogël kuptimi) kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Në bazë të këtij kushti, për shembull, në gjysmën e dytë të shekullit të XX ishte e detyrueshme – nga ana e komentuesve të ndodhive publike – të dënohehin me furi krimet e nazistëve por nuk ishte – madje mund të shkaktonte dyshime për filofashizëm – të bëhej e njëjta gjë me krimet e komunistëve (varianti sovjetik apo ai maoist që t’ishte) : të vrarët nga të majtët, për shumë njerëz, vlenin më pak se të vrarët nga të djathtët. Gjykimi pozitiv për BRSS shtrihej, në frymën e atij kushti, te të gjithë revolucionet e të njëjtit frymëzim. Duhet mbajtur parasysh se ky zakon nuk zbatohej vetëm në brendësi të botës komuniste, që do të kishte qenë normale. Edhe shumë jo komunistë (shpesh nga frika se do të paditeshin për kriptofashizëm nga përfaqësues të asaj bote), përdornin dy pesha e dy masa.

Ajo mënyrë gjykimi u bë shkak ndarjesh t’ashpra edhe këtu n’Evropë. Për shembull, qe në origjinën e prishjes në Francë, të miqësisë së hershme ndërmjet sociologut liberal Raymond Aron dhe Jean-Paul Sartre. Kushti i “tiranisë më të përkrahur” është gjithmonë veprues. Mjafton të lexohen deklaratat mbi vdekjen e Fidelit të autoriteteve evropiane (nga Juncker tek Mogherini) dhe të tjerë akoma. Asnjëri prej tyre nuk do të kishte përdorur fjalë aq respektuese, të themi, për vdekjen e Gjeneralismit Franko.

Ideja se, të drejtohej një revolucion kundër një regjimi të korruptuar e shtypës, ishte një titull merite i tillë që të mbulonte çdo gjë të ndodhur mbrapa, ishte bijë, përveç se e një kundër-amerikanizmi të përhapur (Batista, ish diktatori i përmbysur, ishte i lidhur me amerikanët) por edhe e një paragjykimi : pikërisht kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Është e njëjta arsye që shpjegon se përse shumë evropianë, të verbuar nga miti i revolucionit, kanë menduar se qe një meritë e madhe e Kubës të përfaqësonte, për vite me rradhë, një fener, një shëmbull të ndritshëm të një (vetë) “çlirimi”, për një kontinent latino-amerikan të shtypur nga diktaturat ushtarake. Qe një lajthitje e madhe. Fatet e Amerikës Latine u përmirësuan ndjeshëm kur, mbasi u shemb Bashkimi Sovjetik, nuk qëndronin më arsyet gjeopolitike që, më parë, kishin shtyrë Shtetet e Bashkuara të mbështesnin diktatura të ndryshme latino-amerikane, në funksion kundër-sovjetik e kundër-komunist. Vetëm atëherë erdhi “çlirimi” (por jo për Kubën).

Ka edhe një arsye tjetër. Vlen sigurisht për Italinë, një nga Vendet evropiane, traditat politiko – kulturore të së cilës kanë disa ngjajshmëri me ato latino-amerikane. Mjafton të shihet për rreth : tek ne “peronistët”(të djathtë e të majtë) janë gjithënjë në numur të madh. Është një Vend, i yni, në të cilin vërtiten shpesh ide të turbullta mbi çfarë është demokracia, dhe cilat janë kërkesat e saj të domosdoshme. Për disa, si shembull, demokracia nënkupton “miratimin e popullit”, ose të shumicës së tij dërmuese. E gabuar. Edhe diktaturat mund të gëzojnë miratimin e shumicës, së paku në disa faza historike. Sepse shprehu këtë për fashizmin italian Renzo de Felice qe objekt i linçimit moral. Qe sepse linçuesit nuk e dinin aspak se nuk është “shkalla e miratimit të popullit” që vendos nëse kemi të bëjmë me një demokraci apo me një diktaturë.

E vendosin atë dy kushte : së pari mbrojtjet ligjore e qenësore që gëzon pakica, bashkësia e atyre që kritikojnë qeverinë, e së dyti, prania e rregullave të lojës që i japin mundësi qytetarëve të përzenë apo të zëvëndësojnë qeveritarët. Kuba e Kastros nuk ka gëzuar asnjërin prej këtyre kushteve. Atëherë përse kaq nderim kundrejt një diktatori? Ka qëndruar aq gjatë në pushtet për arsyen e thjeshtë se asnjëri nuk mundëte t’a përzinte.

Por, thuhet, diktatura kastriste ka patur edhe merita. Në sigurinë se ka qenë një katrahurë, si nga pikpamja politike ashtu edhe ekonomike (të shihet artikulli shumë i arrirë i Angela Nocioni-t tek Fleta e 30 nëndorit), ndonjë meritë – për shembull, në fushën e arsimit – e ka patur. Me që në botë ka gjithmonë drita dhe hije, ndodh që edhe diktaturat mund të mburren me këtë apo atë meritë. Por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me natyrën e regjimit.

A mund të kufizohemi duke i trajtuar si folklor disa deklarata mbi vdekjen e Fidelit ? Jo, plotësisht. Jo, mbi të gjitha sepse n’Evropë demokracia është përsëri e kërcënuar nga forca në ngritje që nuk e fshehin pakënaqësinë e tyre për detyrimet dhe kufijtë që demokracitë liberale venë në të vepruarit e atyre që deklarojnë se interpretojnë “vullnetin e popullit”. Për këtë është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat. Edhe këto të fundit, si të dala nga revolucionet, po ashtu si edhe nga grushtet e Shtetit, mëtojnë se veprojnë gjithmonë në emër të popullit. Me përfundime përgjithësisht shumë të këqija, në Kubë e kudo.

Marrë nga “Corriere della Sera”, 1 dhjetor 2016

 

SHËNIM I PËRKTHYESIT

Shkrimi i profesorit të Fakultetit të Shkencave politike të Univeritetit të Bolonjës, Angelo Panebianco, njërit ndër intelektualët më të spikatur liberalë të botës kulturore italiane, “Nderimet Kastros – një fyerje për demokracinë”, mund të them pa mëdyshje se është një nga artikujt më të goditur, të prerë, objektivë e mësimdhënës, që kam lexuar në shtypin italian gjatë një të katërt qindvjetori.

Shkrimi  është një Lectio magistralis, e zhveshur nga terminologjia e “korrektësisë politike”, karakteristike për gjuhën e zakonëshme diplomatike të së majtës evropiane gjatë shtatë dhjetëvjeçarëve të fundit, e me një thjeshtësi e saktësi mahnitëse trajton tema themelore për botën e sotme, duke marrë shkas nga kundërveprimet e ndryshme t’asaj bote kundrejt ndërrimit jetë të diktatorit kuban. Nuk është e lehtë të shtjellohen në një hapësirë kaq të vogël sa ç’është ky artikull, ato ide e koncepte themelore për të hyrë në vetëdijen historike të një epoke të ndërlikuar e të keqinterpretuar deri në tjetërsim, si ajo e mbas luftës së dytë botërore. Duhet një pendë e fortë, një kurajë qytetare për të shkuar kundër rrymës e, mbi të gjitha duhet një ndershmëri intelektuale, për të pohuar në mënyrë bindëse, siç bën autori, se historiografia e asaj periudhe vuan nga një simptomë e rëndë patologjike, mbi të cilën duhet vepruar, mbasi rrezikon t’u japë brezave t’ardhshëm një përceptim të rremë e të shtrembëruar t’epokës së gjyshërve e baballarëve të tyre.

Autori, i cili është bashkëpuntor i mjaft enciklopedive, ka shkruar për to kapituj të rëndësishëm. Mund të kujtohen ndër to ata me tituj : “Lufta”, Shkenca e politikës” dhe “Politika” për Enciklopedinë e Nëntëqindit (1998, 2000, e 2004). Ka shkruar libra të ndryshëm e parathënie të veprave të politologëve të shquar si Aron, Bull, Buzan, etj.

Shkrimi që përktheva m’u duk tepër i përshtatëshëm edhe për lexuesin shqiptar. Nëse interpretimi i dukurive historike në Perëndimin e zhvilluar lë shteg për diskutime e krijon zbrazëti informative, në Shqipërinë tonë mbetet, ende mbas një të katërt qindvjetori “demokracie”, një problem, jo vetëm i pazgjidhur, por që është tepër shqetësues për edukimin e brezit të ri, mbasi tekstet e shkollave kanë mbetur robër të klisheve të historiografisë së regjimit komunist. Të gjitha problemet që shtron profesori i mirënjohur bolonjez në shkrimin e tij, në Vendin tonë ngrihen në fuqi kubike. Dy peshat e dy masat, në gjykimin e krimeve të nazifashizmit e të komunizmit, mbeten një kostante, jo vetëm e politikës, por edhe e shkencave historike e shoqërore.

Bëjnë përjashtim këtu, fatmirësisht, përpjekjet e lëvdueshme të disa studjuesve e gazetarëve si Kastriot Dervishi, Admirina Peçi, Ҫelo Hoxha etj.,  që hulumtojnë me sukses  në arkivat e Shtetit apo organeve të tij të dhunës, duke botuar fashikuj të tërë e libra të materialeve që pasqyrojnë të vërtetën historike të luftës dhe të mbas luftës. Këta njerëz, ndoshta më shumë se e gjithë aradha e artikullshkruesve, ku hyn edhe i nënëshkruari, meritojnë mirënjohjen e përgjithëshme për punën e tyre të dobishme në drejtim të ndriçimit të së vërtetës historike shqiptare të tre çerek shekullit të fundit.

Konceptet liberale mbi demokracinë, që na paraqet profesori 68-vjeçar italian, janë piketa të rëndësishme të mendimit shoqëror edhe për ne, madje duhet të jenë edhe shtigje udhërrëfyese jo vetëm për studjuesit por, kryesisht, për klasën politike, e cila ka nevojë të domosdoshme të përmirësojë e të rifreskojë idetë e saj. Do të theksoja një frazë nga shkrimi i përkthyer : “Është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat”. Ngjarjet e fundit, sidomos rrahja e mendimeve në lidhje me dekorimet e ndryshme, tregojnë se ne jemi larg pohimit të këtij parimi të rëndësishëm. Malli për simbolet dhe “personalitetet” e diktaturës, i shfaqur jo rrallë edhe nga njerëz me moshë relaivisht të re në shoqërinë tonë, është tregues i faktit se rrënjët e “ançarit” të helmuar të saj janë ende të gjalla në trupin e tharë të saj. Titulli i këtij  shkrimi dhe ideja që shpreh, pavarësisht se emri i Kastros mund të këmbehet me secilin nga ish kolegët e tij, përfshirë këtu edhe Enver Hoxhën, duhet të hyjnë thellë në vetëdijen tonë e të jenë një gur themeltar në mendësinë liberale, që duhet të ndriçojë rrugën tonë për sot e për t’ardhmen.

Mendoj se, edhe në emër të lexuesve shqiptarë, është e drejtë të falënderojmë profesorin e nderuar, Angelo Panebianco, për leksionin e tij, aq të dobishëm jo vetëm për opinionin publik të Italisë së tij, por më shumë për atë tonin, i cili lëngon më tepër se të tjerët nga dogmat e së shkuarës komuniste.

Dhjetor 2016 Eugjen Merlika     

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE, për demokracinë!

Aneksimi i Veriut të Kosovës pa luftë?!

December 7, 2016 by dgreca

1-enver-bytyciNga  Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi /Historikisht pushtimet dhe aneksimet janë shoqëruar me konflikte e luftëra të pandërprera. Por Beogradi ka gjet një mënyrë të re aneksimi e pushtimi të Kosovës. Ndërtojnë një mur ndarës?! Kaq u mjafton atyre që “të mbrohen nga shqiptarët”! Serbët me ndihmën e Beogradit kanë filluar prej dy ditësh të ndërtojnë një mur të madh ndërmjet veriut dhe jugut të Mitrovicës. Lumi Ibër është i përshtatshëm për ta që të ndërmarrin akte të tilla të ndarjes së territorit të Kosovës me dhunë dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Edita Tahiri thotë se ky akt bie në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, por sa kohë që Brukseli bën sehir dhe lejon një mur në kontinentin e vet, le të kuptojë se Bashkimi Europian është një utopi e skicuar në disa dokumente, të cilat askush nuk i merr seriozisht, përveç elitave të korruptuara në Ballkanin Perendimor dhe banorët e varfër të tij. I merr seriozisht edhe Edita Tahiri në Prishtinë dhe Majlinda Bregu në Tiranë. Një mur betoni në mes të një qyteti, i cili deri në vitin 1999 banohej në shumicë dërmuese nga shqiptarët etnikë. Një mur i projektuar me ndihmën e KFOR-it francez dhe disa hajnave në drejtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas qershorit 1999, kur veriu I Mitovicës u spastrua etnikisht nga shqiptarët me dhunë, vendin e të cilëve e zunë serbët e shpërngulur nga zonat e brendshme të varfëra të Serbisë. Muri etnik ekziston te lumi Ibër prej gati 18 vitesh, atëherë kur gjeneralët dhe oficerët francezë nuk lejonin gazetarët shqiptarë as të fotografonin urën e bllokuar të këtij lumi. Thaçi e Mustafa kanë folur aq shumë në Bruksel e vende të tjera me Daçiçin e Vuçiçin për këto çeshtje sa ia kanë mbushur mendjen vetes se këta të dy udhëheqësit e Beogradit janë “pro Kosovës së pavarur”, por që “nuk kanë mundësi të veprojnë, sepse nacionalistët ekstremistë nuk do t’i mirëkuptonin”. Udhëheqësit serbë të Beogradit u thonin liderëve shqiptarë të Prishtinës e Tiranës se “Pse mërziteni ju, Kosova është e pavarur. Këtë ne e dijmë, por çdo gjë ka kohën e vet”. Dhe këta matufët tanë kënaqeshin me mashtrimin e madhe e të përsëritur të Serbisë, derisa erdhi pun ate aneksimi me dhunë I territorit të Kosovës. Daçiç e ka luajtur lojën politike me Brukselin dhe Prishtinën më mirë sesa të luante në telat e violinës në ditëlindjen e udhëheqësit botëror, naltgjatësisë së tij, kryeministrit tonë të nderuar, Edi Rama! Derisa erdhën te muri i betonit dhe moskokëçarja e askujt në botë për atë që po ngjet në zemër të Europës. Në fakt Beogradi dhe serbët e veriut të Kosovës e dijnë se çfarë bëjnë. Pse elita politike shqiptare e Kosovës është, pse drejtuesit e ekzekutivit shqiptar bëjnë lojën e Beogradit me shfaqjen e shtirur të ekstremizimit verbal, kjo nuk e ngarkon me përgjegjësi udhëheqjen politike në Beograd, madje as presidentin Nikoliç e as ekstremistin e shfajësuar në Hagë, Shejshel. Përgjegjësia për çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë është e institucioneve dhe liderëve të Kosovës, përfshi opozitën “nacionaliste”, e cila prej tri ditësh hesht para një akti të tillë, i cili cënon rëndë integritetin territorial të Kosovës. Përgjegjësia është gjithashtu e liderëve të shtetit shqiptar, të cilët prej gati tri vite punuan fort për ta rehabilituar lidershipin serb përballë komunitetit ndërkombëtar, duke i dhënë mundësi atij që para botës të paraqitet si elitë politike “e përgjegjshme, e gatshme për kompromise dhe për pajtim me shqiptarët”. Nesër Edi Rama mund të bëjë një konferencë shtypi e të thotë se “kryeministri i Serbisë më preu në besë”, çka do të evidentonte risinë e kundërt në rastin e Ahmet Zogut, aq shumë të anatemuar për “tradhëti” dhe “marrëveshje” me Nikolla Pashiq nga ana e së majtës shqiptare, të cilën e udhëheq me “shpatë në dorë”, nga dështimi në dështim lideri ynë global. Së paku Pashiq plasi prej marazi nga “tradhëtia” që i bëri Ahmet Zogu, po Edi Rama do të përpiqet që të shfajësojë veten përballë “tradhëtisë” që ia bëri miku i tij i ngushtë, Aleksandër Vuçiç. Ajo që po ndodh në veri të Kosovës, aty ngjit me Urën e Ibrit, aty ku prej 18 vitesh qyteti është i ndarë, ka zbuluar mashtrimin e madh të liderëve të Kosovës, të Brukselit dhe të Tiranës zyrtare të sotme për të ashtuquajturin “Proces të pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve” si dhe “normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”. Ura e Ibrit është sinonimi i Urës së Drinos në Bosnjë, për të cilën ka shkruar Ivo Andriç, por ajo që shkruan Andriç nuk e shqetëson Beogradin, ndërkohë që e frymëzon liderin tonë kryeministër. Ky mashtrim i madh nuk justifikohet me deklarata si ato të kreut të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kur thotë se “muri nuk ishte i planifikuar”. Eshtë idiotësi të presësh që Beogradi t’ia shpalosë planet e veta Agimit, Thaçit apo Mistafës. Mundet që se humta Edi Ramës e Baton Haxhiut t’ia kenë përshpërit në një farë mënyre aksionin që sot Beogradi zyrtar ka ndërmarrë në këtë territor. Por jo më shumë se kaq. Edhe në Bruksel ka mundësi që dikush të ketë pasur njohuri për planet serbe të ndërtimit të një muri të tillë si ai i Gazës dhe në Cisjordani. Njësoj si atje, në rastin e murit te Ura e Ibrit agresorët serbë, ndërtojnë urë “për t’u mbrojtur” nga viktimat e veta, shqiptarët. Si gjithmonë, miti dhe loja e viktimizimit është burim i nxitjes së nacionalizmit serb e njëkohësisht burim i një konflikti të ri në Ballkan. Ndoshta zotit Rama i konvenon një ndërmarrje e tillë nga ana e Serbisë dhe e serbëve, sepse do të ketë një aset më shumë në dorë për ta “frikësuar’ Angjela Merkelin dhe për t’i bërë asaj presion që në takimin e pas disa ditëve të krerëve të shteteve e të qeverive të vendeve të Bashkimit Europian, kur aty të shqyrtohet dosja shqiptare e integrimit dhe raporti i KE-së për hapjen e negociatave, të shprehet pozitivisht për “sukseset madhështore” të qeverisë së kryeministrit shqiptar. Serbët prej vitesh propagandojnë se ata janë “viktimat” e shqiptarëve, njësoj si në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Beograd të vitit 1986, kur vetëplagosjen e serbit Martinoviç e shitën si akt dhune barbarizmi të shqiptarëve kundër serbëve. Prandaj dhe në përgjigjen që do t’i japin Europës do t’i thonë asaj se “po mbrohen prej shqiptarëve”. Ndërsa shqiptarët prej 1999-ës e këtej u sollën si “fitimtarë”, duke heq dorë nga realiteti i hidhur i të qenit viktimë reale e agresionit, dhunës e terrorit serb në Kosovë. Ndërsa ndarjen faktike të Veriut të Kosovës e realitivizuan, duke krijuar një frymë euforie të pabazë, aq sa vunë në gjumë veten dhe komunitetin ndërkombëtar. E njëjta psikologji e politikë në Prishtinë e në Tiranë dhe i njëjti mentalitet hoxhist po ashtu në Shqipëri e në Kosovë. “E natyrshëm” tash Beogradi është në pozitë të favorshme përballë komunitetit ndërkombëtar. Ndryshe nuk do të kish ndërmarrë atë veprim banditesk që ndërmori para dy ditësh me fillimin e ndërtimit të murit ndarës midis shqiptarëve dhe serbëve. Tashmë aksioni serb i pushtimit të territoreve shqiptare ka nisur. Ndërsa shqiptarët bëjnë sehir. Bëjnë sehir ata që mburren se “kanë bërë luftën”, kur u thua se “Luftën e bëri NATO”. Dhe NATO nuk ka ndërmend të ndërhyjë edhe për t’u dhënë një mësim këtyre mburracakëve tanë shqiptarë. Bëjnë sehir ata që nuk morën pjesë në luftë, edhe pse nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të dëshmuar në Perendim mosreformimin dhe mosgatishmërinë e Beogradit për vendosjen e paqes e të sigurisë në rajon. Bën sehir opozita “nacionaliste”, edhe pse është një opozitë “trimëreshë” dhe e “pamposhtu” në luftën kundër institucioneve të Kosovës. Më në fund bëjnë sehir qytetarët e Kosovës, sepse politika i ka çuar në atë terexhe, që të mos kenë më forcë për të reaguar edhe kur kërcënohet jeta dhe territori. Nga Tirana nuk ka prit ndonjëherë Kosova, që të presë tani, nëse nuk i marrim serizosht nostalgjikët hoxhistë, të cilët nuk e kanë mendjen te mbrojtja e territorit të vendit, por te mundësia për t’i thur kënge, lavde dhe ngritur monumente diktatorit Hoxha. Ne merremi me të kaluarën, luftojmë njëri-tjetrin me biografitë e shkuara, ndërsa serbët merren me të tashmen e të ardhmen. Ne bëhemi copë-copë me njëri-tjetrin për një karrige pushteti e një grusht para, serbët bashkohen edhe me djallin që të na shkoqin e të na bëjnë copë-copë. Ne vrasim vëllain për një copë arë, ndërsa bëjmë sehir për 20 përqind të territorit të shtetit të Kosovës, të cilën po e merr me hir ose pahir Serbia. Ne “luftojmë” me Malin e Zi, e ndërkohë “flemë në një krevat” me Serbinë. Ne jemi ata që nuk duhet të jemi. Dhe më e keqja, ne kurrë nuk mbushemi me mend. Edhë ndonjë të mençëm që kemi pasur si Ibrahim Rugovën ose mund ta kemi (nuk jam i sigurt se mund të gjendet ndonjë, edhe po u gjend ai është në izolim “në çmendinë), e gjuajmë me gurë. Ne jemi shkaku kryesor i aksionit më të fundit të Serbisë për aneksimin e territorit të Kosovës dhe ne jemi fajtorët e vetëm para brezave që do të vijnë. Pastaj është Europa e At Gjergj Fishtës e më në fund mund ta çojmë zingjirin deri te ndikimi gjeopolitik i Vladimir Putin. Por ky i fundit ndersa ka rihyrë në vathën e shqiptarëve, nuk kemi pse presim të dalë nga vatha e serbëve. Gjithë sa shkrova është një elegji vaji për atë çfarë përfaqësojmë e çfarë jemi si komb e si rracë e deformuar nga mosntra të regjimeve të shkuara dhe politikanë sharlatanë të kohëve të sotme moderne. Megjithatë asgjë në këtë botë nuk mund të shihet pa rrugëdalje e pa zgjidhje. Eshtë koha që rinia ta marrë në dorë fatin e kombit, fatin e shteteve tona shqiptare, fatin e e vetevetes. Po pati vullnet dhe bashkim gjithçka është e mundëshme. Po të bashkohemi si shqiptarë pa dallim, atëherë muri serb i Mitrovicës bie për 24 orë. Mjafton një organizim modest dhe të krijohet fryma e përgjegjësisë për t’i dalë zot atdheut! Asgjë më shumë! Diaspora ndoshta ka fuqi që edhe njëherë të bëhet zot i atdheut të vet të nëpërkëmbur shumëfish nga tanët e fqinjët tanë.

Filed Under: Politike Tagged With: aneksimi i veriut, Prof. Asc. Dr. Enver Bytyçi, te Kosoves

Shqiptarët do të votojnë të dielën e 18 qershorit 2017

December 6, 2016 by dgreca

presidenti-i-republikes-bujar-nishani-1-300x2004-300x2008-300x200Presidenti Nishani dekreton datën e zgjedhjeve të reja/

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani dekretoi sot datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Për përbërjen e parlamentit të ri nga do të dalë dhe qeveria e katër viteve të ardhshme shqiptarët do të votojnë të dielën e 18 qershorit 2017.Ndonëse që prej muajit mars parlamenti votoi për ngritjen e Komisionit të Reformës zgjedhore, deri më tani nuk është bërë thuajse asgjë. OSBE-ja por dhe organizata të ndryshme joqeveritare të specializuara për zgjedhjet, kanë bërë thirrje të përsëritura për realizimin e ndryshimeve në Kodin elektoral.

Zgjedhjet e fundit në Shqipëri ishin ato të 2015 për pushtetin vendor. Vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR-it paraqitën në përfundim të tyre 23 rekomandime që lidhen me aspekte të ndryshme të procesit, që nga përbërja e komisioneve të votimit, te veprimtaria e KQZ-ës, rregjistrimi i kandidatëve, financimi i fushatës dhe rolin e mediave.

Filed Under: Politike Tagged With: e zgjedhjeve të reja, Presidenti Nishani dekreton datën

Maqedoni-Në mungesë të ofertave, partitë me retorikë nacionaliste

December 6, 2016 by dgreca

1-zgjedhjet-maqedoni

Ne Foto:Gruevski gjatë fushatës parazgjedhore/

Fushata elektorale në Maqedoni, që mbyllet të premten në mesnatë, po përcillet me akuza të rënda mes partive politike, ndërsa tonet nacionaliste janë të pranishme, para se gjithash tek VMRO-ja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski. 
Në tubimet me elektoratin, ai fjalimin e tij e ka përqendruar në akuzat drejtuar liderit të opozitës, Zoran Zaev, duke thënë se në rast të fitores së tij, Maqedonia do të ndahet si shtet, gjuha shqipe do të bëhet zyrtare, me çka, sipas tij, do të rrënohet karakteri i shtetit unitar.
Por, kreu i Lidhjes Social-demokrate të opozitës, Zoran Zaev, retorikës së tillë të Gruevskit i është përgjigjur me vendosmërinë e tij për të nxjerr para drejtësisë të gjithë zyrtarët e inkriminuar. Zaev ka thënë se akuzat e Gruevskit janë përpjekje për të ikur nga shpërdorimet e bëra.

Njohësit e çështjeve ndëretnike thonë se retorika e tillë nacionaliste është si pasojë e mungesës së ofertave konkrete për zgjidhjen e problemeve të shumta, me të cilat përballen qytetarët e Maqedonisë.

“Është evidente që partitë çdo herë gjatë cikleve zgjedhore paraqiten me retorikë nacionaliste. Unë habitem se pse edhe gjatë këtij cikli zgjedhor kjo përsëritet, por si duket partitë ende nuk kanë kuptuar se vota apo fitorja në zgjedhje nuk mund të arrihet me nxitje të tilla nacionaliste, që tanimë janë të lexuara nga populli dhe si të tilla nuk kalojnë”, thotë Vllado Dimovski, drejtues i Qendrës për Tolerancë Ndërentike.

ahmeti-1

Ne Foto:Ai Ahmeti i BDI gjatë fushatës zgjedhore/

Arsim Sinani, analist dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë se viteve të fundit, partitë si platformë kryesore kishin integrimin euroatlantik dhe tani pas dështimit të këtij premtimi, por edhe shumë premtimeve tjera, ata janë orientuar në retorikën nacionaliste, e cila gjithmonë u ka shërbyer për shpërqendrimin e vëmendjes së elektoratit.

sela-4-316tgpvubrcgz8bakq51ca

Ne Foto:Dr Zijadin Sela gjatë fushatës parazgjedhore/

“Retorika nacionaliste përdoret në mungesë të ofertave. Ky nacionalizëm përdoret për të vendosur në gjumë elektoratin, për ta mahnitur dhe për t’ia humbur toruan që të votojë për partinë e caktuar politike. Nacionalizmi maqedonas është nacionalizëm idilik, i cili tenton t’i fsheh të metat e veta. Në mungesë të Evropës, në mungesë të integrimit euroatlantik, normal që do të ofrojnë nacionalizëm që pastaj do t’i bëjë të rehatshme për të qeverisur parti të caktuara politike”, thotë Arsim Sinani.

1-thaciRaportet ndëretnike në Maqedoni janë të mira dhe retorikat e tilla nuk do të mund të ndikojnë në përkeqësimin e tyre, thotë Vllado Dimovski , drejtues i Qendrës për Tolerancë Ndëretnike.

“Për momentin, sipas vlerësimeve të mija, por edhe sipas hulumtimeve që bëjmë si qendër, ne kemi raporte shumë të mira ndëretnike në 10-15 vitet e fundit. Vlerësoj se partitë, këto ditë që kanë mbetur deri në mbylljen e fushatës, duhet ta ndërpresin gjuhën e urrejtjes dhe të prezantojnë platformat e tyre programore, se çfarë ofrojnë për qytetarët”, thotë Dimovski.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni mbahen të dielën, më 11 dhjetor, dhe bazuar në krizën e thellë politike në të cilën ndodhet tani dy vite, këto zgjedhje vlerësohen si më të rëndësishme që nga pavarësia e saj 25 vite më parë. (REL)

Filed Under: Politike Tagged With: ne mungese te ofertave, Zgjedhjet ne Maqedoni

MITI I KASTROS DHE REALITETI I MOHUAR

December 5, 2016 by dgreca

Shkruar nga Pierluigi Battista/1-eugjen-merlikaPërktheu për Dillen: Eugjen Merlika/ Në zemrat e adhuruesve të tij të Perëndimit Fidel Kastro nuk ishte një qënie njerëzore me mish e kocka, por një mit, një idhull, një figurë ëndërrash. Ishte Utopia e Karaibeve, Rousseau në fuqi, poezia e socializmit tropikal, fantazia e “njeriut të ri”, që mishërohet mes ujrave të koraleve dhe rërës së bardhë. Ishte kufiri i ri i një ëndrre revolucionare tërheqëse dhe gazmore, jo zymtësia e kobshme e kazermës sovjetike e dalë nga miti, apo asketizmi monastiror i varfërimit të përgjithshëm maoist. Thonte Alberto Ronchey se Kastro “nuk shkruan, mban fjalime të gjata në të cilët shkrin mendimet e problemet. Nuk i beson pothuaj asnjëherë mjetit gutenbergian, i le të rrjedhin fjalët me tingujt e tyre”. Fjala e shkruar i ngrin mendimet, i bën të maten me ashpërsinë e së vërtetës. Romantizmi i kastristëve nuk përfill realitetin. Lihet të përqafohet nga rrjedhja hipnotizuese e fjalëve. Po të matej me realitetin do t’ishte i shtrënguar të zbulonte se socializmi i Tropiqeve ishte një burg nën qiellin e hapur dhe ekzotizmi një perçe për të fshehur mizoritë e diktaturës.

Shkrimtarët dhe intelektualët që janë kapur nga fantazia kastriste e kanë mënjanuar realitetin për të adhuruar mitin e tyre. Disidentët në burgje janë bërë të paqenë. Të arratisurit që, madje, kishin qënë në krah të Fidel Kastros, në kohën e Sierra Maestras, ishin lënë në një qoshe. Carlos Franqui, një revolucionar i madh që nuk ka patur të drejtë të mos ishte në një mëndje me shtërngesat përndjekëse të regjimit, u detyrua të mërgojë e në rrethet përparimtare të botës u zhduk emri i tij (vetëm socialistët e Betino Kraksit dhe Radikalët n’Itali janë kujtuar për të). Gabriel Garcia Marquez, Susan Sontag, Jean-Paul Sartre e të tjerë më pak të njohur, nderoheshin në manifestimet e Havanës, por nuk harxhuan asnjë fjalë solidariteti për shkrimtarët e përndjekur. Shkruante Hans Magnus Enzensberger, i cili bënte pjesë në sërën e dëndur të “pelegrinëve politikë”, që e kishin zgjedhur Kubën si synimin e privilegjuar të turizmit revolucionar : “Në Havanë takonja disa komunistë në hotelet e të huajve që nuk kishin as më të voglën ide se në lagjet e puntorëve popullsia duhej të mbante rradhën dy orë për një copë picë, ndërsa turistët në dhomat e tyre diskutonin mbi Lukasc-in”. Kur një i burgosur politik, Orlando Zapate Tamayo, vdiq në burg mbas 85 ditësh greve urije për të protestuar ndaj kushteve çnjerëzore në të cilët regjimi i Kastros i mbante kundërshtarët  e tij, asnjë fjalë mëshire nuk u ngrit nga përkrahësit e ekzotizmit socialist në Kubë. Më 2005, në fund të një gjyqi farsë, nga ata  me të cilët diktaturës i pëlqente të kryente “spastrimet” e saj, grupet e sejmenëve të regjimit e kaluan natën duke rrahur gjithë disidentët që protestonin. Gianni Vattimo pati paturpësinë  të shkruante se “populli i zemëruar nga vepra tradhëtie kaq të pacipa, ndërhyu me shprehjen e zjarrit atdhetar”. Asnjë n’Itali nuk u revoltua për këto poshtërsi.

Rreth figurës së Kastros, ndërmjet intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, u krijua një rrymë mrekulluese që shumë shpesh ngjyente pendën në retorikën e sprovuar të kultit të personalitetit. Për Sartr-in Kastro e Che Guevara, të lëshuar drejt parajsës së socializmit për t’u sendërtuar, ishin gjithmonë zgjuar e në gatishmëri : “Fjetja ishte për këta njerëz një zakon nga i cili, pak a shumë ishin çliruar”. E diçka nga kjo pagjumësi revolucionare duhej t’ishte e vërtetë, mbasi edhe vetë Paolo Spriano, gjatë një udhëtimi në Kubë, në të cilin madje nuk kurseu shprehje kritike të tërthorta për një revolucion, në të cilin Internacionalja po “kthehej në një ritëm vallzimi”, kishte shkruar : “Këtu nuk fle asnjëri, thuhej”. Në epopenë kastriste janë për t’u mbajtur mënd filmat e propagandës së Michael Moore, intervistat e pafund të Oliver Stone e të Gianni Minà në të cilat Kastro mund të shfrente në tubimet e tij lumore, Norman Mailer që shihte tek Kastro “vërtetimin se ka heronj në botë”, “rrjedhjen e jetës në damarë”, “a thua se fantazma e Cortes-it ishte dukur në shekullin tonë, duke kalëruar mbi kalin e bardhë të Zapatës”.

Po e vërteta ? Nuk duhej t’ekzistonte. Nëse burgosej si kundërevolucionar poeti Hebert Padilla, që për t’u liruar duhej të nënëshkruante një “rrëfim”, në të cilin pranonte se kishte patur pjekje me K.S.Karol, një komunist guximtar e i ndershëm që padiste hapur përndjekjen e regjimit, shkrimtari Garcia Marquez nuk hiqte dorë nga ceremonitë e tij me Kastron. Edhe se dënonin me 19 vjet burg Armando Valladares, apo regjizorin Amaro Gomez, të dënuar me tetë vjet burg sepse kishte gjetur një kopje të Arqipelagut Gulag të Sollzhenicinit. Dhe nuk ekzistonin as në mit ”maricones”, homoseksualët “imoralë” të mbyllur në kampet e punës së detyruar, të pagëzuara nga fantazia guevariste Njunp, Njësi Ushtarake të Ndihmës së Prodhimit. Miti kastrist nuk lejonte pretime të tilla të bezdisëshme të së vërtetës. Hasta siempre. (Gjithmonë me fitore).

 

Marrë nga “Corriere della Sera”, 27 nëndor 2016

Shënim i përkthyesit

Sot, më 30 nëndor,  po i njëjti autor boton një shkrim tjetër të titulluar “Një arrogancë prekëse që nuk mund të ngadalësojë një proçes të pakthyeshëm”.

Njoftimi i gazetës, nëpërmjet gazetarit të mirënjohur Pierluigi Battista i referohet këtij fakti :

“Gazetares sonë, Sara Gandolfi, autoritetet kubane i kanë mohuar vizën si gazetare. Thonë autoritetet se mohimi është një formë ndëshkimi për informacionin “jo të barazpeshuar” që Corriere ka dhënë në këta vite mbi Kubën. Mund të qëndrojë në Havanë, por si turiste.”

Pa sjellë gjithë komentin e sotëm po mjaftohem me këtë fragment nga shkrimi :

“Sot Kuba, mbas vdekjes së Fidel Kastros, është në qendër të një vëmëndjeje mediatike dhe ndërkryerja për kontrollin dhe veçimin e virusit të informacionit merr vështrime që mund të kalojnë kufirin e paranojës, me dyshimin se mbas çdo kompiuteri fshihet një rrezik, një armik, një “sabotim”. Historia e informacioneve “jo të barazpeshuara” nuk qëndron në këmbë. “Jo e barazpeshuar”do të thotë thjesht jo e njëjtë, jo e gatëshme për të injoruar hijet. Mbi të gjitha për të mos mbajtur parasysh teknikat e makinës shtypëse që regjimi kastrist ka lubrifikuar në këta dhjetëvjeçarë kundër vetë qytetarëve të tij….”

            “Nuk do të jetë një vizë e munguar t’i ndalojë Corriere della Serës dhe gazetarëve të saj për të zhvilluar punën e tyre. Me skrupull. Si gjithmonë.”    

Kjo është Kuba e sotme, një Vend kundrejt të cilit në vitin që po mbyllet ka patur një “hapje” të konsiderueshme nga SHBA dhe Vatikani. Ndryshimet në këtë Vend janë më shumë të karakterit ekonomik por, sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, lehtësimit të “luftës së klasave” kubane, lirimit të të burgosurve politikë e masa te tjera të kësaj natyre, përparimi është tepër i ngadaltë. Në këtë drejtim udhëheqësi i vdekur para pak ditëve ka qenë një pengesë e madhe e shpresa mbetet në premtimin që vëllai i tij, Raul Kastro, udhëheqësi aktual i Kubës, ka shprehur duke paralajmëruar se nuk do të ketë një mandat të tretë të tij në drejtimin e Vendit.

Episodi i gazetares italiane nuk është i vetmi në panoramën mediatike të Havanës së këtyre ditëve. Fatin e saj e ka pësuar edhe i dërguari i së përditëshmes gjermane Bild, Peter Tiede dhe dy gazetarë të një televizioni argjentinas. Protestave të tyre autoritetet kubane i u përgjigjën me shprehjen :”Një dhunim i shëmtuar i lirive të shtypit ? Ky është mendimi juaj prej perëndimorësh”. Një vëzhgues i paanshëm dhe i vjetër i marrëdhënieve mes botës komuniste dhe botkuptimit të lirë të shoqërive perëndimore, gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar, do të shprehej kështu : “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”, duke perifrazuar titullin e famshëm të romanit të Remarkut. Ndryshimi qëndron se gazetarët mund të qëndrojnë si “turistë” në Kubën e zisë 9-ditore për vdekjen e Fidelit. Edhe ai është një farë përparimi, në krahasim me kohën kur nuk lejoheshin të hynin, apo përcilleshin në aeroport, mbasi kishin kaluar disa orë në zyrat e organeve të policisë politike e kishin dorëzuar gjithë materialet e regjistruara.

Ndoshta këtë shpejtësi breshke në reformat e kuptoi, pak me vonesë, edhe presidenti Obama, që vendosi mos të përfaqësojë Vendin e tij, në nivele të larta, në ceremoninë mortore të diktatorit të Kubës.

Dhjetpor 2016                                                                      Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, MITI I KASTROS DHE, Pierlugi Battista, REALITETI I MOHUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 592
  • 593
  • 594
  • 595
  • 596
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT