Nga Julia Petrovskaja/

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca
Nga Julia Petrovskaja/

by dgreca
-Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, është mbajtur një takim trepalësh/


-Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Edita Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë. “Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe nuk e bisedojmë me askënd”, deklaroi ministrja kosovare/
BRUKSEL, 20 Tetor 2016-Gazeta DIELLI/ Në Bruksel, sot, në bisedimet teknike Prishtinë-Beograd, është mbajtur një takim trepalësh, për ta vlerësuar gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, me theks të veçantë për bllokadën që Serbia ia krijoi marrëveshjes për kodin telefonik të Kosovës.
Me këtë rast, thekson njoftimi i dërguar, ministrja Tahiri tha se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të prekshme në këto vite të rrjedhës së vet, mirëpo kjo periudhë shquhet me tensione sidomos për faktin që Serbia bllokoi zbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik, si dhe arrestimin arbitrarë të zyrtarit të lartë të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi, që po vazhdon të mbahet në arrest në Serbi. Ministrja Tahiri kërkoi që BE-ja të vazhdojë angazhimet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik dhe pavarësimin e KOSTT-it, sepse janë marrëveshje që po diskutohen tani e pesë vjet dhe nuk është arritur rezultati i përcaktuar me marrëveshjet.
Ministrja Tahiri po ashtu e përsëriti kërkesën e lirimit të Nehat Thaçit, duke thënë që Serbia nuk mund dhe nuk ka juridiksion mbi qytetarët e Kosovës dhe se kjo sjellje e Serbisë po e dëmton edhe vet procesin e dialogut të Brukselit.
Pala serbe tentoi ta ngrisë në këtë takim edhe çështjen e Ligjit për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të biseduar për këtë temë. “Trepça është aset dhe pronë e Kosovës dhe nuk e bisedojmë me askënd”, deklaroi ministrja Tahiri.
Ajo po ashtu theksoi se kjo nuk është biseduar dhe nuk do të bisedohet asnjëherë në dialog. “Kosova nuk do të pranoj hapjen dhe diskutimin e temave të brendshme shtetërore për të cilat vendosë vetëm Kosova”, siguroi ministrja Tahiri.Ajo po ashtu theksoi se një palë nuk mund të imponojë hapjen e temave në dialog sepse për një gjë të tillë kërkohet pajtimi i të dy palëve pasi që po ashtu ky është edhe parimi themelor i dialogut të Brukselit i cili bazohet në respektimin e juridiksioneve të dyja shteteve.Krejt në fund të takimit, thekson njoftimi, ministrja Tahiri i rikujtoi palës Serbe së janë të kota tendencat e tyre për diplomaci në Bruksel rreth çështjes së Trepçës, pasi që njëzet e tre nga vendet anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se tashmë Kosova ka hyrë në marrëveshje kontraktuale me BE-në duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
NË BRUKSEL U MBAJT EDHE TAKIMI PËR DIPLOMAT
Bruksel, 20 tetor 2016/Në një njoftim tjetër të dërguar theksohet: Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur takimi tre palësh për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 10 janar 2016 e cila parasheh fillimin e njohjes së diplomave.
Në këtë takim delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja Edita Tahiri, kryenegociatore, raportoi përgatitjet për zbatimin e kësaj marrëveshje si dhe mirëpriti faktin që BE ricaktoi organizatën SPARK për administrimin e procesit të aplikimit për certifikim të diplomave.
Po ashtu u vlerësua përcaktimi i mekanizmit të BE-së për certifikimin e diplomave të cilat pastaj të dyja shtetet obligohen t’i pranojnë në bazë të marrëveshjes. Në takim po ashtu edhe pala serbe dha një raport për përgatitjet rreth zbatimit të marrëveshjes.
BE e vlerësoi progresin e arritur, si dhe theksoi se në të ardhmen do të mbahet edhe një takim për të finalizuar të gjitha aktivitetet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes.
Delegacioni i Republikës së Kosovës udhëhiqej nga ministrja Edita Tahiri dhe kishte në përbërje: Arjeta Rexhaj, koordinatore për çështjen, Qemajl Marmullakaj, koordinator profesional dhe drejtor i Zyrës për Planifikim Strategjik në ZKM, Bekim Samadraxha, udhëheqës i divizionit në Arsim të lartë në MASHT, Gazmir Raci, këshilltarë politik dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Bruksel./b.j/
by dgreca

Mastriht, 20 tetor 2016/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në samitin e liderëve të shteteve dhe të partive anëtare të Partisë Popullore Evropiane, i cili u zhvillua në Mastriht të Holandës.Të pranishëm ishin liderët e shumë shteteve dhe qeverive të BE-së, duke përfshirë Kancelaren Angela Merkel, drejtuesit e BE-së, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber.Gjatë samitit është biseduar për përgatitjet rreth takimit të Këshillit Evropian, si dhe për tema të tjera të rëndësishme për anëtarët e familjes së madhe të partive të qendrës së djathtë evropiane.Kryeministri Isa Mustafa është takuar me homologët e shteteve dhe liderët politikë të vendeve evropiane, të cilët kanë vlerësuar progresin dhe kanë shprehur përkrahjen e tyre të mëtejme për Kosovën.Një takim të veçantë, kryeministri Mustafa e ka zhvilluar me kryesuesin e Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, me ç’rast u diskutua në mënyrë të veçantë çështja e liberalizimit të vizaveKryeministri Isa Mustafa ka kërkuar përkrahjen e Grupit të EPP-së, si grupi më i madh në Parlamentin Evropian, për proceset eurointegruese të Kosovës, duke përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.Kryesuesi i Grupit të EPP-së, Manfred Weber vlerësoi progresin në Kosovë dhe theksoi mbështetjen Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian për Kosovën.
EPP, mbështetje Kosovës evropiane
-Presidenti i EPP-së, Joseph Daul, në takim me kryeministrin Isa Mustafa theksoi vlerësimin e tij për progresin e arritur dhe punën e përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e mëtejmë të proceseve demokratike e zhvillimore në Kosovë-
-Presidenti Daul, po ashtu, shprehu përkrahjen e tij dhe të EPP-së për proceset evropiane, zhvillimin ekonomik dhe proceset e tjera në Kosovë/
MASTRIHT, 20 Tetor 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Holandë ku do të marr pjesë në samitin e liderëve të shteteve dhe partive anëtare të Partisë Popullore Evropiane (EPP), u takua sot me nikoqirin e kësaj ngjarje të rëndësishme evropiane, presidentin e EPP-së, Joseph Daul.Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe presidenti Daul kanë biseduar për zhvillimet pozitive në Kosovë si dhe për përkrahjen e mëtejme të EPP-së për proceset eurointegruese të Kosovës dhe më gjerë.Pasi e njoftoi për progresin që po arrihet në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës dhe në fuqizimin e shtetit, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për proceset eurointegruese.Kryeministri Isa Mustafa, duke e falënderuar për përkrahjen vendimtare të EPP-së dhe të presidentit Daul për Kosovën në fazat e deritashme, kërkoi mbështetjen e familjes së madhe të EPP-së për proceset eurointegruese të Kosovës.Presidenti i EPP-së, Joseph Daul, theksoi vlerësimin e tij për progresin e arritur dhe punën e përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për avancimin e mëtejmë të proceseve demokratike e zhvillimore në Kosovë.Presidenti Daul, po ashtu, shprehu përkrahjen e tij dhe të EPP-së për proceset evropiane, zhvillimin ekonomik dhe proceset e tjera në Kosovë.Samiti i liderëve të shteteve dhe të qeverive, si dhe drejtuesve të partive opozitare anëtare të familjes së Partive Popullore Evropiane (EPP), do të zhvillohet sot në Mastriht të Holandës.Në këtë samit ku do të jetë i pranishëm kryeministri Isa Mustafa, do të marrin pjesë edhe liderët e shumë shteteve dhe qeverive të BE-së, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe kryetari i Grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian, Manfred Weber./b.j/
by dgreca
…Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon./

Nga Frank Shkreli/
Ditët e fundit është ndezur debati në Shqipëri dhe në Kosovë në lidhje me deklaratat që bëri Kryeministri i Shqipërisë gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd. Kryesisht debati përqëndrohet në faktin nëse Kryeministri Edi Rama gjatë takimeve të tija me serbët, kishte të drejtë të fliste në emër të Kosovës ose për Kosovën. Komentet dhe interpretimet mbi prononcimet e Z. Rama në Beograd vazhdojnë të jenë të ashpra nga komentues, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, madje me akuza të ashpëra se kush po i frynë erës së ndasive dhe përçarjeve midis shqiptarëve, dashtë e pa dashtë, duke hedhur më shumë benzinë në flakët e kësaj gjëndjeje të krijuar, krejtsisht pa nevojë. Reagimeve të komentuesve të ndryshëm u praprinë deklaratat e qeverisë së Republikës Kosovës dhe të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Z. Enver Hoxhaj.
Qeveria e Kosovës, nepërmjet zëdhënsve të saj, përfshirë edhe Këshilltarin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Gecaj, citohet nga media të ndryshme të ketë thënë se problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhen zgjidhur midis nesh, duke shtuar se “Ne mirëpresin angazhimet e të gjitha shteteve mike rreth shtensionimit të marrëdhënieve në mes Republikes së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, posaçërisht angazhimet të cilat vijnë nga Shqipëria. Megjithatë, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës, posaçërisht nga shtetet me demokraci të zhvilluar, prandaj në emër te Kosoves flasin institucionet e shtetit tonë. Ne jemi në dialog për normalizimin e marrëdhënive në mes Republikës së Kosoves dhe Repbulikës së Serbise, dhe ato probleme duhen zgjidhur kryekëput në mes nesh”, është cituar të ketë thënë këshilltari Kryeministrit të Republikës së Kosovës.Ndërsa Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama duke reaguar ndaj atyre që disa i cilësuan si “përplasje” midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare në lidhje me ato që u thanë e që nuk u thanë në Beograd, u shpreh se në takimet me Kryeministrin serb Vuçiq ai, “Nuk kishte folur në emër të Kosovës, por për Kosovën.” Në rregull, sepse gjatë një vizite zyrtare në Beograd, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk kishte si mos të fliste për Kosovën, ndonëse deklarata e Z. Rama për njohjen e Kosovës nga Serbia nuk është asgjë e re. Ai e kishte thënë këtë edhe gjatë vizitës së parë në Beograd, ndërkohë që edhe udhëheqsit perëndimorë në çdo takim me zyrtarët serbë bëjnë thirrje për një gjë të tillë, që Serbia ta njohë Kosovën, shtet të pavarur. Kjo është një thirrje drejtuar Serbisë ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian.
Ndërsa edhe Prishtina zyrtare, qeveria dhe ministri i jashtëm Hoxhaj kishin të drejtë të shpreheshin – sidomos për faktin që të mos kishte ndonjë keq kuptim nga ana zyrtare e Beogradit – se janë ata që flasin në emër të shtetit të Kosovës dhe jo Kryeministri i Shqipërisë. Kaq e pranoi edhe vet Z. Rama, se ai kihste folur për dhe në emër të Kosovës.
Por, cilat do qofshin interpretimet e deklaratave të Z. Rama në Serbi, në lidhje me marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe të reagimeve zyrtare nga Prishtina, një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë, se askush nuk i njeh serbët më mirë së shqiptarët e Kosovës. Gjithashtu duhet thënë se Z. Rama ka të drejtë kurë thotë se shqiptarët, për një jetë më normale duhet të ndërtojnë ura midis serbëve dhe shqiptarëve. Por urat duhet të ndërtohen midis serbëve dhe të gjithë shqiptarëve, dhe jo vetëm gjysmës së shqiptarëve. Shpesh ëshë dhënë shembulli i pajtimit midis gjermanëve dhe francezëve pas Luftës së Dytë Botërore, ndoshta si model për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve. Në rregull, historikisht, shqiptarët kanë qenë gjithmonë dhe janë për pajtim. Por ndryshimi është se shqiptarët e Kosovës, as shqiptarët në përgjithsi anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk kanë qenë kurrë agresorë kundër asnjë populli dhe nuk kanë pushtuar tokat e askujt, përfshirë tokat serbe. E vërteta ëshët anasjelltas. Duhet kuptuar gjithashtu se serbët nuk janë si gjermanët. Gjermanët, jo vetëm kërkuan falje për krimet e tyre gjatë luftës, por ata madje edhe kompensuan materialisht dhe financiarisht shumë prej viktimave të tyre anë e mbanë Europës. Fatkeqsisht, shqiptarët dhe serbët janë shumë larg pajtimit dhe për këtë nuk janë fajtorë shqiptarë dhe as Tirana as Prishtina zyrtare. Për këtë, faji i duhet lenë të dera Serbisë. Por për mua në këtë moment historik kanë më shumë rëndësi marrëdhëniet dhe avancimi i tyre midis shqiptarëve – në radhë të parë midis Prishtinës dhe Tiranës zyrtare — se sa marrëdhiet midis Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë, ndonëse të nevojshme. Sepse nëqoftse nuk ka bashkim dhe marrëdhënie vëllazërore midis shqiptarëve kudo, nuk na duhet gjë hiç as ndërtimi i urave me Serbinë, në kurrizë të bashkpunimit dhe të bashkimit të shqiptarëve. Të gjitha këto komente gjatë ditëve të fundit në lidhje me këtë situatë të krijuar pa nevojë, vetëm çojnë ujë në mullirin serb dhe përkeqsojnë edhe më shumë, ato që disa vëretjës po i cilësojnë si “ndasi dhe përçarje” në rritje midis shqiptarëve, si rezultat i kësaj vizite në Beograd nga kryeministri shqiptar. Duket se të gjitha reagimet, zyrtare dhe jo-zyrtare ndaj kësaj vizite, tregojnë se nuk kishte asnjë bashkrendim të ideve dhe qëndrimeve të përbashkëta në lidhje me takimin shqiptaro-serb që Serbia e kishte cilësuar si një të ashtuquajtur, “Dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, ku fillimisht pritej të ftoheshin të merrnin pjesë edhe përfaqsues politikë të Republikës së Kosovës, gjë që nuk ndodhi. Ose nëqoftse ka patur këshillime zyrtare midis Tiranës dhe P rishtinës, atëherë qëndrimet mund të kenë qenë diametrikisht të kundërta në lidhje me takimin midis kryeministrit shqiptar dhe atij serb.
Në mendimin tim, gjëja që duhet të kritikohet më shumë me këtë rast, nuk është vizita e Edi Ramës në Serbi, por është mungesa e bashkpunimit, e këshillimeve dhe e koordinimit të qëndrimeve midis Tiranës dhe Prishtinës, në muajt dhe javët para vizitës së Kryeministrit Rama në Serbi. Me një bashkrendim të tillë, besoj se gjithë ky debat krejtsisht i pafrutshëm për interesat shqiptare në Ballkan do të ishte mënjanuar.
Prandaj, në vend të akuzave dhe kundër akuzave të analistëve që njellin zi, duke fajësuar njërn ose tjetrën palë, do të ishte më mirë të bëhej pyetja: Kishte koordinim midis Prishtinës dhe Tiranës ndërkohë që planifikohej vizita në Beograd? Nëqoftse nuk kishte këshillime, pse nuk kishte një bashkrendim të qëndrimeve për një vizitë që në sipërfaqe dukej si e rëndësishme? Për më tepër dhe më me rëndësi, a është ky gjithmonë “modus operandi” — mungesa pra e këshillimeve dhe bashkrendimit të pikëpamjeve midis dy kryeqyteteve shqiptare — sidomos kur kemi të bëjmë me çështje madhore të interesit kombëtar, siç janë marrëdhëniet shqiptaro-serbe? Këto pyetje nuk kanë të bëjnë aspak me nacionalizëm primitiv siç e quajnë disa, por kanë të bëjnë me ekzistencën e kombit, pikëspari me identitetin komblëtar dhe me interesat afat shkurtëra dhe afat gjata të të gjithë shqiptarëve, historikisht të ndarë në pesë shtete nga të huajt, por aktualisht të përçarë nga vetja e tyre, fatkeqsisht. Në fillim të gushtit, në artikullin “Punë Ballkanasish, Hesapi”, duke shkruar për vizitën e lajmëruar të kryeministrit Rama që mori fund disa ditë më parë në Serbi, kisha shënuar se, “Përsa i përket takimit shqiptaro-serb, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”.
Kam drojë se takimi Rama-Vuçiq, sidomos duke marrë parasyshë edhe komentet e kryeministrit serb gjatë dhe pas vizitës, jo vetëm që nuk kontriboi aspak drejt pajtimit midis popujve, por nga ky takim nuk përfitoi as paqa dhe stabiliteti në rajon. Dihej se pa pjesëmarrjen e përfaqsuesve legjitim të shqiptarëve të Kosovës në takimin, “për një dialog midis shqiptarëve dhe serbëve”, dialogu midis dy palëve kësaj radhe, ishte i pre-destinuar të dështonte. Përkundrazi, kjo vizitë duket se pati efektin e pa dëshirueshëm të acarimit për të mos thënë përçarje të marrëdhënjeve Tiranë-Prishtinë, siç po e cilësojnë disa komentues. Tashti është në duarë të dy palëve, Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — që sa më shpejtë të zgjidhin çdo mosmarrveshje që mund të ekzistojë midis tyre ose në përceptimin e mendjes së popullit në lidhje me këtë çështje – me qëllim për të ndaluar një debat të dëmshëm dhe të pa nevojshëm nga të dy shtetet shqiptare, zyrtar dhe jo-zyrtar, ashtuqë sutuata të mos degjeneroj më keq, në një përçarje më të thellë midis shqiptarëve. Sepse në fund të fundit, qëllimi i vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi ishte për të përmirësuar atmosferën në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe jo për ndarë dhe për të përçarë shqiptarët.
by dgreca
Ne shqiptarët duhet të zgjohemi. Të kuptojmë përfundimisht…, se ekzistenca e një shteti të dytë për shqiptarët. Eshtë mundësia e dhënë nga bota. Detyrë shtëpie për ne. O të dimë e të bashkohemi urtë e butë. Ose të vazhdojmë kështu, me gërr-vërret tona….Ca turq myslimanë, ca ortodoksë grekë… e ca shqiptarë pa atdhe./

Ne Foto: Ministri i Jashtem i Kosoves. z. Enver Hoxhaj/
Shqipëria reale,- nuk është çështje as Enver Hoxhës nga Gjirokastra, as e atij nga Suhareka. Eshtë çështje e vitalitetit të një race. Kësisoj nuk ka gjë, nuk ka çështje e imja apo e jotja, kur ndihet qartë se si aroma e racës po çel sythë të përtërirë. Mjerë ai politikan që nuk e shikon gjindjen e tij me syrin e një bujku. Ai nuk është politikan, por një perandor i vogël, që është i suksesshëm vetëm në dëmtimin e racës së tij.
Dhe ne deri tani i kemi pasur me bollëk këto soje.Po, po me bollëk.Që Edi Rama bën mirë që flet për Kosovën, as që diskutohet.Kjo jo vetëm për ne shqiptarët në koracën e mendjes serbosllave…,por edhe serbët vetë. Qytetarët që jetojnë një dyzim civil midis ekzistencës sonë;mos pranimit apo pranimit të kësaj ekzistence…Ne ekzistojmë. Me mëkatet tona por edhe me gjëmat e tyre….Të njëjtën gjë do thosha edhe për grekët, në lidhje me Çamërinë./

Nga Ilir Levonja/Florida/
Ndofta duket paksa e vonuar kjo si temë që do trajtojë. Por preokupimet e shumta, dita e ngarkuar. Lajmet që na ulin kokën, të tjera ndodhira…, e bëjnë ditën të më tretet si kripa në ujë. Megjithatë akoma nuk po i përtyp dot këto deklarata prej Kosove se, nuk ka çfarë i duhet Kryeministrit të Shqipërisë të merret me marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve.
Dhe kjo vjen nga ministri i jashtëm i Kosovës shtet, nga një njeri që për koiçedenca jo rastësore. Kur dihet që në vitet 60-70, shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve shtëterorë e kishin për lavdi tu vendosnin fëmijëve emrin Enver. Ashtu si vite me vonë, kur shqiptarët brenda vendit. Shtetit në dheun e amlë, iu përveshën modës së futbollistëve nga kampionet europiane e botërorë të futbollit. Ndaj sot kemi gjenerata të tëra shqiptarësh muslimanë, katolikë apo orthodoksë. Me emrat Ziko, Xhorxhinjo, Sokrates, Krujf, Neske, Maradona etj. Ndërkohë që ata shqiptarët jashtë këtij territori vërshonin tek Enveri, Noli, Isa etj. Apo emrat e qyteteve e lumenjëve. Si Berat, Shkumbin, Vjosë, Vlonë etj.
Duhet ngulur mirë në fletoret e kujtesës kjo. Thjesht që të mos u hapet punë kolosale studiuesve të etimiologjisë së emrave.
Pra është kjo arsyeja (moda e kohëve të përçartjes kolektive, kohërave pa busull) që sot kemi një batalion dekadash njerëzish, një batalion myslimanësh me emrin Sokrates, Ramadel Falkao etj.
Por le të rrimë tek tema jonë.
Ajo që, a ka të drejtë Kryeministri i Shqipërisë të flasi për Kosovën?
Po, shumë fare.
E vërteta është se politikanët shqiptarë janë dorë e tretë në hollet e kancelarive të botës. Edhe kur janë njohur, janë dalluar o për marrëzitë e tipit soji bllokon sojin. O për heroizminin e tipit soji shfaros sojin. Vetëm tek ne është prodhur kryetipi që për hatër të karrikes nuk e ka për gjë të shes edhe gjysmën e Shqipërisë. Siç edhe është rasti i beut të Durrësit, Esat Toptanit. Apo të izolojë vendin për teka dhe inate shokësh e fisnore, deri në marrëzi të tilla pse u refuzua nga një vajzë. Siç është rasti i (anti) komunistit nga Gjirokastra, Enver Hoxhës.
Së pari, sa do me inat ta kemi Edi Ramën…, është Kryeministri i shqiptarëve. Dhe ndofta nga të vetmit që në këto dekada demokracie ka prekur çështje tabu. Ato të cilat shtetarët shqiptarë të deritanishëm, i quajnë të nxehta. Shikojnë sa majtas e djathtas. Rrinë pa gjumë gjithë natën që t’i flasin apo jo? Ta përmendim Çamërinë apo jo.? Ta përmendin Kosovën? Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni? Mal të Zi etj. Atyre në Turqi që janë asimiluar fare. Ose edhe nëse nuk janë, rrinë strukur sokakëve të Stambollit. Edhe pse kanë ngritur administrata dhe akademi, siç është rasti i familjes Frashëri.
Nuk ka më çështje të nxehta. Dhe kjo shpjegohet me ca fakte të thjeshta. Të drejtat e njeriut, qarkullimi i lirë në botën e madhe, globalizmi etj. Dështimet e politikave të deritanishme që kanë çuar në falimente ekonomike. Apo në kriza të thellla sociale shumë vende kështjella të rajonit.
Së dyti, duam apo nuk duam ne Enver djali, është shqiptarizma ajo që na ka mban në një vathë. Nëse e ke inat Edi Ramën për drogën, foli e qortoje aty. Në ato kangjellat e hequra të selisë së tij. Madje në faqet e tia sociale në Fb e Twitter. Bjeri vënçe. Zgjoje nga gjumi i shefave mëndje mbushur. I thuaj se është një betejë që nuk fitohet vetëm. Asesi. Që nuk fitohet duke i thënë popullit se fajin e kanë ata që ishin para meje në pushtet etj. Vota e popullit nuk të jepet për ankuar për paraardhësit. Por për të qeverisur.
Së treti, duket si rastësore. Por mendojë se nuk është e tillë.
Para pak ditëve në studiot telelvizive shqiptare u fol për herë të parë për bashkimin e trojeve shqiptare. E ardhmja si do jetë etj.
Ndofta të mos i mëshojmë Enverit nga Suhareka. Por egos që vuajnë politikanët shqiptarë. Ndër shekuj. Atë të interesit personal mbi kombin. Disave u është mbushur mendja se do vazhdojnë kështu. Proincër apo mbretër të fushatave elektorale. Me shtete të shqiptarësh. Duhet ta dini mirë se perandoritë janë ngrehina të përkohëshme. Eshtë vloja e popullit që për një apo dy arsye ka marrë rrugën e pashmangshme. Perandoritë e vogla do vdesin. Por lum ai politikan që ua shpejton vdekjen. Pasi sado, sido, qyshdo, shqiptarët janë faktor dhe do ta kenë shtetin e tyre. Jo atë që e mbytën me frymë frike. E që i thonë Shqipëria e madhe. Jo, jo, …
Thjesht Shqipërinë reale. Kjo nuk është çështje as Enver Hoxhës nga Gjirokastra. As e atij nga Suhareka. Eshtë çështje e vitalitetit të një race. Kësisoj nuk ka gjë, nuk ka çështje e imja apo e jotja, kur ndihet qartë. Se si aroma e racës po çel sythë të përtërirë. Mjerë ai politikan që nuk e shikon gjindjen e tij me syrin e një bujku. Ai nuk është politikan, por një perandor i vogël. Që është i suksesshëm vetëm në dëmtimin e racës së tij.
Dhe ne deri tani i kemi pasur me bollëk këto soje.
Po, po me bollëk.
Që Edi Rama bën mirë që flet për Kosovën, as që diskutohet.
Kjo jo vetëm për ne shqiptarët në koracën e mendjes serbosllave…,
por edhe serbët vetë. Qytetarët që jetojnë një dyzim civil midis ekzistencës sonë. Mos pranimit apo pranimit të kësaj ekzistence.
Ne ekzistojmë. Me mëkatet tona por edhe me gjëmat e tyre.
Të njëjtën gjë do thosha edhe për grekët, në lidhje me Çamërinë.
Grekëve që jetojnë me dyzimin e varreve në kokë. Me mos pranimin apo pranimin ekzistencës tonë. Duke i mohuar pala palës, me dhunl, me përbuzje, me gjithfarësoj politikash …, deri me duart e Zotit. Prani e njëri-tjetrit… edhe pse si nëri-si tjetri janë djegur e përvëluar nga mundja prej së keqes.
Eshtë një epokë mbetjesh politike e tillë që, kujton se karrikja është për tu mbajtur. Jo, ore jo, është thjesht, për tu ulur. Kaq…
Një Kryeminstri, një të pari të një race njerëzore, ia jep e drejta kushtetuese për të folur për racën e tij. Po kujt ia thua…
Ne shqiptarët duhet të zgjohemi. Të kuptojmë përfundimisht…, se ekzistenca e një shteti të dytë për shqiptarët. Eshtë mundësia e dhënë nga bota. Detyrë shtëpie për ne. O të dimë e të bashkohemi urtë e butë. Ose të vazhdojmë kështu, me gërr-vërret tona.
Ca turq myslimanë, ca ortodoksë grekë… e ca shqiptarë pa atdhe.