• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A PO IKEN QEVERIA RAMA-META ?

July 17, 2016 by dgreca

*Propozim surprizë i Kryeparlamentarit Ilir Meta: Më 21 korrik të miratojmë reformën me konsensus. Më pas qeveri teknike dhe zgjedhje/

*Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Romana Vlahutin pranojne ftesen e Ilir Metes per te Henen/

Sot, në orën 12: 15 Kryetari i Kuvendit Ilir Meta doli në një deklaratë për median duke kërkuar domosdoshmërisht miratimin me konsensus të reformës në drejtësi më 21 korrik. Më pas shpërndarjen e Kuvendit, ngritjen e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.

Zoti Meta i cili mban dhe postin e kreut të LSI-së tha se vendi rrezikon të kthehet në një burim destabiliteti nëse nuk miratohet me konsensus reforma në drejtësi.  “Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni” 

Meta: Absolutisht miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.

Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi të jap dorëheqjen nga ky moment nga kryetar i parlamentit nëse i shërben kompromisit. Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrën që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese të egër e të papranueshme”

Meta: Ky është një parlament që ka probleme 

“Dekriminalizimi është një proces që i ka kushtuar shumë imazhit të vendit tonë për shkak të atyre që futën nëpër lista njerëz që nuk kontrollojnë vendin në Kuvendin e Shqipërisë dhe për shkak të një retorike të papërgjegjshme. Të mos harrojmë se disa deputetë kanë humbur mandatet, disa të tjerë kanë procese gjyqësore të tjerë mund të preken në të ardhmen, përfshi dhe Ilir Metës a Petrit Vasilit, dhe ne nuk mund ti lëmë një njollë Shqipërisë që Kushtetuta u bë me 94 apo me 95 vota, u bë me votën e këtij deputeti që ka këtë proces gjyqësor apo atë proces tjetër me drejtësinë. Ky është momenti i së vërtetës. Secili prej nesh të marrë përgjegjësinë. Nuk është më tani, nuk duan ata 2 të mëdhenjtë, nuk është më kjo zgjidhje. Absolutisht. Nuk është momenti për tu përgatitur se po kaloi mirë, po skaloi do të bëjë njëri mocion mosbesimi, tjetri mociobesimi e kështu. Kështu do bëhet Kushtetuta e Shqipërisë? Ky është një turp i madh për të gjithë ne, dhe e vetmja mënyrë për ta shlyer këtë turp, që nga dekriminalizimi që nga çdo tjetër, korrupsioni, ndikimi politik tek drejtësia është kjo: Të mbyllemi të pestë që jemi marrë më shumë këtu në parlamentin e Shqipërisë e të japim një zgjidhje përndryshe secili nga ne të iki nuk ka punë as me politikën as me diplomacinë. Eksperimente me të ardhmen e shqiptarëve nuk pranoj ta bëjë askush”     

Meta: Pas miratimit të reformës parlamenti të shpërndahet 

“Opozita është e Shqipërisë është garanci për Shqipëri. Ajo që i takon opozitës duhet ta marrë. Ftoj të bëjmë këtë veprim të japim një zgjidhje se lamë nam me dekriminalizimin. Nuk ngeli njeri në botë pa e marrë vesh a thuajse në parlamentin e Shqipërisë ka vetëm kriminelë. Ky do të ishte momenti më i rëndësishëm për këtë parlament që të mbahet mend për mirë, votoi reformën në drejtësi dhe u shpërnda dhe më pas kemi mundësi të gjithë kryetarët të shohim listat dhe të respektojmë kriteret e dekriminalizimit“

Meta: Miratimi i reformes i vetmi moment dinjitoz i parlamentit 

“Ky parlament vetëm këtë moment dinjitoz mund të ketë, të miratojë reformën në drejtësi dhe të shkojë në zgjedhje të reja dhe dinjitetin e drejtësisë së ardhshme që duhet të prodhojë garanci dhe siguri jo vetëm për sistemin demokratik por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Nuk bëjmë reformë për politikanët, për politikanët kemi prokurori dhe gjykata speciale që do i bëjmë më pas. Është më shumë se kaq.  Kemi të bëjmë me të ardhmen e Shqipërisë për 30 vjet.”

Ngujohemi ne Kuvend per zgjidhje: Une- Rama-Basha-Lu dhe Vlahutin

Meta propozon një takim të përbashkët në Kuvend ku të jetë ai, Basha, Rama dhe ambasadori Lu e Vlahutin.  “Nëse ne të pestë nuk gjejmë zgjidhje, secili të ikë. Të mos dalim nga Kuvendi e të mbyllemi përgjithmonë këtu”

Ilir Meta: “Propozimi im është ky: Të takohemi të pestë. Unë si krytar parlamenti, dy kryetarët e forca kryesore politike që kanë përgjegjësi para popullit. Dy ambasadorët e nderuar nëse kanë propozime të tjera janë të mirëpritur. Dhe të mos dalim e të mbyllemi përgjithmonë këtu nëse nuk japim zgjidhje dhe nuk votojmë ndryshimet kyushtetuese të enjten në orën 10:00. Seopse të gjithë kemi premtuar këtë gjë dhe të gjithë duhet të sakrifikojnë këtë gjë. Dhe për ti hequr kujtdo çdo lloj meraku”

Reforma ka rrezik te asfiksohet

Meta: ” Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra se si ka filluar historia e reformës në drejtësi. Këtë ua kam bërë të ditur të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtar. Ja ku jemi, reforma që duhet të kalonte në pranverë ka rrezik të asfiksohet nga stina e vapës. Përpjekjet për të shpikur fajtor për mosgjetjen e konsensusit duhet të marrë fund. 

“Edhe mua si Lu mu sos durimi” thotë Meta

“Shoh rrezikun serioz të dështimit të saj dhe maxhoranca aktuale nuk i ka këto vota, por dhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin e opozitës them me bindje të plotë se nëse mosmiratimi është hap prapa, miratimi në mënyrë të diskutueshme mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë apo e forcimit të shtetit ligjor por përkundrazi mund të çelë një kapitull afatgjatë të mungesës së stabilitetit në vend. Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni. Miratimi pa konsensus rrezikon të kthehet në një burim destabiliteti.

Meta e quajti situatë kritike dhe kjo është përpjekja e tij e fundit për miratimin e reformës

Meta:  Ia kam thënë dhe Ramës dhe Bashës, që ia kam dhënë fjalën ndihmës sekretarit të shtetit se do të bëj çdo gjë për të kaluar reforma me konsensus dhe sipas Venecias dhe ai më ka kërkuar të bëj çdo përpjekje. Kjo është përpjekja ime e fundit. 

Jam pak pa gjumë sepse vërtet kam menduar këto ditë se kjo është një situatë kritike sesi vendi për teka ka rrëshqitur për hiçgjë në kaos dhe destabilitet, dhe ne të majtëve na takon të jemi shumë të përgjegjshëm”

Meta: Reforma me konsensus, Shqipëria nuk duhet të ketë viktima pas 21 korrikut

Kam dëgjuar lloj historish, që kjo reformë bëhet për të futur në burg Sali Berishën dhe Ilir Metën, pse si keni dëgjuar ju këto?! Që Ilir Metës nuk i japin viza amerikanët, e shumë të tjera… E bëj unë burgun për të gjithë politikanët shqiptarë absolutisht dhe ku të kenë dëshirë dhe partnerët tanë, në Ëashington, në Alaskë apo Bruksel por nuk është kjo zgjidhja për Shqipërinë. Shqipëria nuk duhet të ketë sherr, viktima pas 21 korrikut. E dini ju që Ilir Metës i bënë gjoja dhe një skandal ta mbanin peng përmes një përgjimi dhe e dini si u orkestrua cdo gjë. Por Ilir Meta është një politikan i përgjegjshëm nuk është nga ata që bën presione as mbi prokurorinë dhe as mbi gjykatat. Sepse më ka kalitur Sali Berisha me drejtësinë që në mars, në verën e vitit 1993 kur isha i pari deputet i opozitës në atë kohë që më hoqi imunitetin dhe donte të më fuste në burg dhe më thërrisnin prokurorët, ik ti se do të të arrestojmë javën tjetër, dhe unë u thosha pse ta vonojmë një javë, çfarë problemi ka, kush ka frikë nga burgu. Po pse burgu politik do të trembë politikanët shqiptarë?! Kjo është për Shqipërinë për ti forcuar institucionet dhe jo personalizuar ata. Cfarë do të bëjmë eksperimente. Këtu votat e LSI-së janë por këtu kemi problemin e konsensusit, legjitimitetit, integritetit dhe të bëhet një proces demokratik.

Duket se Qeveria Rama eshte ne renie te lire…

***

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për të zhvilluar një takim për gjetjen e kompromisit për reformën në drejtësi.

Ambasadorja Romana Vlahutin ka informuar kryeparlamentarin Meta se pranon ftesën për t’u bashkuar në diskutime gjatë ditës së hënë. Vlen për t’u theksuar se në deklaratën e BE-së thuhet se i gjithë pushteti vendimmarrës tek Vetingu duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.

Ndërkohë, edhe ambasadori Donald Lu tha se pranon ftesën e kryeparlamentarit Meta për të diskutuar, siç thekson si për diskutimin e propozimit hibdrit për reformën në drejtësi.

Reagimi i ambasadës së SHBA: Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit Z. Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS.

Deklarata e plotë e ambasadës së BE-së: Ambasadorja e Bashkimit Evropian e informoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid.

Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarres duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.

Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën nënë drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE.

Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencën tonë me anën e po ketij roli edhe në të ardhmen. Megjithatë, është e qartë që përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Meta, miratim reformen, qeveri teknike em pas, zgjedhje te reja

Rama e Basha replikojnë në Fb, kreu i PD kërkon rikthimin e negociatave

July 16, 2016 by dgreca

Rama letër Bashës: Reflekto, koha nuk pret! Reagon kreu i PD: Sill negociatorët/

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një letër publike kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të gjetur një dakordësi lidhur me reformën në drejtësi.

Letra e Ramës drejtuar kreut të opozitës vjen një ditë pasi ambasadori amerikan Donald Lu i kërkoi publikisht dy liderëve që të takohen ditën e hënë dhe të gjejnë zgjidhje për reformën.

Në letrën e tij Rama i thotë Bashës se koha nuk pret më dhe se sfida që kanë para është historike.

Më poshtë letra e plotë e Ramës.

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike,

I dashur Lulëzim,

Dje ambasadori Lu bëri propozimin e çuditshëm që Ju dhe unë të mbyllemi përjetë në një dhomë(!), për të prodhuar zgjidhjen e shumëpritur nga populli shqiptar e nga miqtë e mëdhenj të këtij vendi dhe aq të domosdoshme për të çelur rrugën e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një propozim i tillë e shpreh qartë, përmasën e pazakonshme të frustrimit të aleatit tonë strategjik, SHBA, në kushtet e ngërçit ku ndodhet procesi, teksa ora e të vërtetës po afron. Por po ashtu, ky propozim nxjerr në pah më shumë se njëqind deklarata zyrtare, se çfarë rëndësie madhore ka për Shtetet e Bashkuara, kjo reformë në drejtësi në një vend aleat si Shqipëria; ku askush nuk do të donte të përballej nesër me regresin shqetësues që mosvotimi i reformës do të sillte në disa plane themelore.

Më anë tjetër, i dërguari i qeverisë gjermane, foli dje me një qartësi krejt “jodiplomatike”, jo vetëm për peshën e madhe që Gjermania i jep Reformës në Drejtësi për vlerësimin e mëtejshëm të Shqipërisë, po edhe për frustrimin e partnerit tonë të madh europian, përballë shfaqjes së dhënë deri më tash nga opozita. Eksperienca ime po besoj edhe e Juaja, nuk e njeh një rast të ngjashëm, kur një diplomat, i ardhur posaçërisht për një çështje politike në Tiranë, të flasë në emër të një qeverie (e të kujt qeverie se!) dhe të kritikojë pa asnjë rezervë opozitën.

I sjell këto në vëmendjen Tuaj për t’Ju bërë një thirrje të sinqertë, publike, për një reflektim shumë serioz në kuptimin më të mirë të fjalës.

Nuk do të ndodhte kurrë që bota demokratike të shënjestronte opozitën këtu, në vendin tonë të vogël, përmes zërave më autoritarë të saj, nëse rëndësia e Reformës në Drejtësi nuk do të ishte e jashtëzakonshme dhe jo vetëm për Shqipërinë në vetvete, po edhe për Shqipërinë si një vend aktualisht joproblematik i Ballkanit Perëndimor. S’ka hije dyshimi për mua, se ky angazhim i paprecedent i partnerëve tanë në këtë proces, është edhe një çështje e forcimit të mëtejshëm të ligjshmërisë në Shqipëri, si një element që rrit qendrueshmërinë demokratike të shtetit tonë në funksion të rritjes së sigurisë së vendit e të vetë rajonit ku jetojmë.

Duket qartë që rrjedha e deritanishme e procesit po i bie ndesh, në një formë haptazi të papranueshme për ta, jo thjesht dëshirës së partnerëve tanë më të mëdhenj, për ta parë Shqipërinë të hedhë me kurajo një hap kaq të rëndësishëm përpara, po edhe objektivit të tyre për ta nxitur më tutje procesin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, përmes çeljes së negociatave me Shqipërinë. Këtë të fundit e ka konfirmuar si vullnet të plotë dhe më shumë se në një rast, vetë kancelarja gjermane me të cilën biseduam gjerë e gjatë për perspektivën e Shqipërisë, edhe pak ditë më parë në Varshavë.

Çka rrezikojmë të humbasim në shumë drejtime si vend dhe si popull, nëse nuk e kalojmë Reformën në Drejtësi, është vërtet jashtëzakonisht shumë! Dhe nxjerrja si pengesë e fundit për votimin e reformës, e shkeljes së sovranitetit tonë kushtetues për shkak të mënyrës së përfshirjes së ndërkombëtareve në procesin e vetingut, është vërtet e tepërt dhe plotësisht vetëndëshkuese; jo thjesht e vetëm për Partinë Demokratike, po për të gjithë pa përjashtim dhe për Shqipërinë në radhë të parë.

Ne nuk duhet ta lejojmë kurrësesi që Shqipëria të turpërohet botërisht, si vendi ku Kuvendi nuk kaloi reformën në drejtësi sepse deputetët nuk donin përfshirjen reale të partnerëve të vendit tonë, në procesin e pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar! Kjo është një nga ato njolla që nuk hiqen për një kohë shumë të gjatë ndërkombëtarisht dhe që kushtëzojnë cilësinë e marrëdhënieve më të rëndësishme ndërkombëtare të vendit.

Si mund t’ia bëjmë ne këtë vendit tonë, njerëzve tanë, fëmijëve të këtij vendi?!

Duke Ju uruar gëzuar ditëlindjen e vajzës Suaj, dua të nënvizoj këtu në fund, se jam gati të mbështes pa asnjë vërejtje, çdo propozim që Ju do të bëni, për ta kaluar me sukses këtë reformë jetike e për ta shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe rreziku real i regresit demokratik në rast dështimi. Natyrisht, çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE. E ndërkohë që propozimin Tuaj të fundit ata e kanë rrëzuar edhe publikisht, mbetem me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv nga ana Juaj.

 Koha nuk pret, sfida është historike.

Shumë sinqerisht,

Edi Rama

***

PERGJIGJA E LULZIM BASHES

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur menjëherë letrës së kryeministrit Rama.  Përmes një reagimi të shkurtër, Basha i thotë Ramës të lërë mënjanë akrobacitë politike dhe të autorizojë negociatorët e PS-së t’i rikthehen negociatave për zgjidhje. Basha shprehet nëse do të takohet apo jo të hënën me Ramën:

“Zoti Rama, leri letrat e hapura dhe shfaqjet publike. Reforma ne drejtesi kerkon seriozitet dhe impenjim, jo tallje e as manovra politike. Propozimi yne bazohet 100% tek rekomandimet e Venecias te cilat PD dhe PS i kane pranuar si udherrefyesin e vetem. Autorizo negociatoret e PS ti rikthehen negociatave per zgjidhje. Negociatoret e PD jane, sic e dini, te gatshem qe sot”, shkruan Basha.

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama dhe Lulzim Basha, Reforma e Drejtesise, replika e Letra

Kosove-AAK: Vendim i drejtë edhe pse i vonuar, debati për Demarkacion!

July 15, 2016 by dgreca

Vendimi i sotem i Kryesisë së Kuvendit, që debati për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të mbahet më 3 gusht është vendimi më i mirë i kësaj mazhorancë në raport me temën e cila është kontestuar me të drejtë që sa kohë nga opozita, profesionistë të shumtë e qytetarë jo vetëm të Pejës por të mbarë Kosovës.

Ky vendim edhe pse i vonuar do të jetë mundësia më e mirë që të binden të gjithë ata që po e mbrojnë ketë formë të demarkacionit me Malin e Zi, e cila i falë mbi 8 mijë hektarë tokë të Kosovës, se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe prek integritetin territorial të vendit.I falenderojmë të gjithë deputetët, padallim partie, që kanë insistuar vazhdimisht në organizimin e një debati të tillë, dhe poashtu ju bëjmë thirrje edhe kolegëve të tjerë deputetë që t’i thërrasin arsyes së shëndosh dhe të mbrojnë atë çka është interes madhor i vendit, siç është territori.Ne do të vazhdojmë të jemi konsistent mbi argumentet tona të qendrueshme se nuk kemi territor për t’i falur askujt.

Pal Lekaj

Kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së

Filed Under: Politike Tagged With: AAK, i drejte, Pal Lekaj, vendimi per Demarkacionin

REFORMA NE DREJTESI- Basha: Jo kompetenca kushtetuese faktorit ndërkombëtar

July 13, 2016 by dgreca

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se propozimi i ri i partisë që ai drejton ka në thelb Komisionin e Venecias, pa asnjë kërkesë shtesë dhe shtoi se nuk dëshiron që faktori ndërkombëtar të ketë kompetenca kushtetuese.

“Në këtë propozim inkorporojmë 95% të propozimit hibrid të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin. PD-ja jo se nuk ka besim ndaj faktorit ndërkombëtar, pasi e kemi thënë që nuk do të ketë votë pa Komision Ndërkombëtar Monitorimi, por jo kompetenca kushtetuese. Nëse diçka nuk shkon mirë, ku do e drejtojë gishtin qytetari shqiptar: te kryeministri i Finlandës? Ne duam monitorimin më të fuqishëm, por jo ndërtimin e perdeve”, theksoi Basha.

“Konfirmoj se PD-ja e konsideron propozimin hibrid si një hap drejt marrëveshjes. Konfirmoj vullnetin e PD-së për të arritur një marrëveshje sa më shpejt. Vullneti ynë është që reforma që të votohet pa vonesë, pasi është kthyer në një alibi për Edi Ramën për krimin dhe korrupsionin që është ulur këmbëkryq në aeroporte dhe banka”, shtoi Basha.

Në lidhje me Donald Lu, i cili shprehu zhgënjimin e tij për propozimin e demokratëve, Basha tha: “Ambasadori amerikan ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Unë besoj në një vend proamerikan. Miqtë flasin hapur me njëri-tjetrin, si kur bien dakord dhe po ashtu kur nuk bien dakord“.

Lu: Jemi të zhgënjyer

Pas publikimit të propozimit të ri të Partisë Demokratike, ambasadori amerikan tha se “është i zhgënjyer me përgjigjen e zotit Basha ndaj propozimit hibrid për reformën në drejtësi, që iu la në dorë kryetarit të Partisë Demokratike nga ana e Viktoria Nuland gjatë vizitës të së dielës në Tiranë”.

Siç e përshkruan ambasadori amerikan, propozimi ishte një zgjidhje në mirëbesim, gjysma nga qeveria, gjysma nga opozita. Ndërsa për propozimin e Partisë Demokratike, Donald Lu thotë se kjo është diçka që vetë zoti Basha ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Komisionit të Venecias.

Megjithatë, ambasadori amerikan thotë se është ende duke vazhduar bisedën me të dyja palët në përpjekje për t’i sjellë përsëri tek mbështetja për propozimin hibrid, të diskutuar të dielën me Ndihmëssekretaren Nuland.

Rama: PD-ja nuk i do të huajt se ka frikë profesionalizmin e tyre

Edi Rama, në një konferencë për shtyp pas propozimit të ri të Partisë Demokratike për reformën në drejtësi, theksoi se nuk habitet “nga refuzimi i radhës”, pasi, sipas tij, PD-ja “i ka dhënë sinjalet që nuk e do reformën”.

“Partia Demokratike e ka bojkotuar procesin për një kohë të gjatë; ka hyrë e ka dalë nga procesi vetëm për ta ngatërruar atë; ka abuzuar me opinionin e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht pas një paragrafi 55 e më pas me paragrafin 88; është tallur me partnerët strategjikë të Shëipërisë duke u thënë se kishte frikë që Rama do të kapte drejtësinë… PD-ja nuk e ka patur hallin te vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë e partnerëve strategjikë të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se PD-ja tregoi me propozimin e ri se “nuk i do të huajt nëpër këmbë sepse i frikësohet profesionalizmit të tyre. Çfarë do të thonë tani? Se kanë frikë që Amerika dhe Europa do i kapë drejtësinë?”

Edi Rama shtoi se “t’i thuash ndërkombëtarëve mbani distancë, është e papranueshme”. “Të gjitha kërkesat për hetime ndërkombëtare për skandale dhe korrupsion që ka bërë prej vitesh PD-ja, paskan qenë tallje”, tha Rama.

“E ftoj Lulzim Bashën të ulemi përsëri që t’i japim shqiptarëve një vend të integruar në Bashkimin Evropian”, deklaroi Rama.

Filed Under: Politike Tagged With: ambasadori Lu dhe Edi Rama, Basha, Reforma ne Drejtesi

Demarkacioni i kufirit Kosovë-Mal i Zi: Të qartësohen dilemat…

July 12, 2016 by dgreca

Instituti Demokratik i Kosovës-KDI: Të qartësohen dilemat rreth Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi/

-Thirrja e kryetarit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e përkrahin e ratifikojnë këtë formë të demarkacionit me Malin e Zi/

PRISHTINË,  12 Korrik  2016-Gazeta DIELLI/ Të qartësohen dilemat rreth Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi para se të procedohet për miratim, kërkon Instituti Demokratik i Kosovës.

Komunikata e KDI e sapodërguar sot thekson se, tashmë kur po bëhet gati një vit që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, nevoja për një debat të hapur parlamentar lidhur me këtë çështje të hapur është e domosdoshme.
Shënjimi i kufijve të Kosovës është i rëndësishëm për të ardhmen politike të saj, si dhe për rritjen e nivelit të sigurisë në tërësi. Për më tepër, rëndësia për përmbyllje sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje është rritur me vendosjen si kriter për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga ana e Komisionit Evropian.

Pretendimet për gabime të mundshme nga Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si nga qytetarët e zonës ashtu edhe ekspertë të kësaj fushe, kanë prodhuar kundërshtime nga subjektet politike opozitare, e që janë përcjellë me veprime jo parlamentare. Për pasojë, Kuvendi nuk është tërësisht funksional, gjë që po ndikon direkt edhe në mungesë të efikasitetit të institucioneve tjera shtetërore.
Kuvendi si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend, është i obliguar të mbajë qeverinë të përgjegjshme dhe llogaridhënëse por edhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve dhe t’u ofrojë atyre zgjidhje. Përkundër që ky proces kërkon zgjidhje të shpejtë,  kjo nuk përbën arsye të ndërmerren vendime të ngutshme që janë të pakthyeshme.

Nisma e deputetit Shpejtim Bulliqi, e përkrahur tashmë nga 20 deputetë për një ballafaqim ndërmjet Komisionit shtetëror me ekspertë të kësaj fushe meriton vëmendjen e udhëheqësve institucional dhe përbën një mundësi reale për një debat të mirëfilltë.

Në anën tjetër, shfaqja e gatishmërisë së subjekteve opozitare për t’u kthyer në Kuvend për të diskutuar çështjen e demarkacionit dhe për të hequr dorë nga veprimet me mjete jo parlamentare, është situatë e  re politike e cila duhet të merret seriozisht nga qeveria edhe koalicioni qeveritar. KDI beson që sfidat mund të tejkalohen nëse ato debatohen dhe adresohen bashkërisht dhe vetëm në interes të shtetit dhe qytetarëve.

KDI kërkon nga Kuvendi dhe Qeveria që të mbështesin dhe inkurajojnë debatin parlamentar, organizmin e dëgjimeve publik apo formave tjera të ballafaqimit të argumenteve për demarkacionin para se të procedohet në Kuvend për ratifikim. Kjo do të siguronte një transparencë më të madhe të procesit dhe do t’i kontribuonte përmbylljes së kësaj çështje përmes një dialogu gjithëpërfshirës dhe një konsensusi të gjerë shoqëror. Në këtë kontekst, KDI pret nga deputetët, subjektet politike në Kuvend dhe Qeveria, pjekuri dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësitë dhe për të respektuar obligimet kushtetuese dhe shtetërore./b.j/

THIRRJA E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË AAK-së, PAL LEKAJ DREJTUAR DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS QË TË MOS E PËRKRAHIN E RATIFIKOJNË KËTË FORMË TË DEMARKACIONIT ME MALIN E ZI

Nga Grupi Parlamentar i AAK u dërgua sot thirrja e kryetarit të Grupit, Pal Lekaj drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës:Të nderuar kolegë deputetë, ajo çka është interes kombëtar as që do të duhej të negociohet.

Në fillim koalicioni u arsyetua, se janë bashkuar për të mirën e Kosovës, por doli se u bë thjeshtë për interesa personale…e ato po ju ndryshojnë çdo ditë…nëse është ndryshe, të na tregojnë një vendim e nënshkrim, në të mirë t’Kosovës.

Kolegë deputetë, gjykoni drejt, për hirë të interesave Kombëtare, lërini anash interesat e politikës ditore.

Mos tentoni të mbani pushtetin duke ju përshtatur të tjerëve, por bëjeni këtë duke qenë në anën e popullit dhe territorit të vendit, për çka edhe jeni betuar.

Nëse mendoni se duke e ratifikuar një marrëveshje të dëmshme për vendin, do të qëndroni gjatë në pushtet, ndoshta në kuptimin politik edhe keni të drejtë, por natyra i ka rregullat e saj, e kur s’do të jeni më as në kolltukët e pushtetit e as në këtë jetë…gjeneratat do t’u gjykojnë për tradhtarë, me të drejtë.

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion, do të jetë më shumë se gabim do të jetë krim. Çdo vendim në favor të saj, vetëm sa do ta përkeqësojë rrezikun për diçka edhe më keq.

Kolegë deputetë, logjika e ftohtë e politikës, kërkon që politikanët edhe pasurinë ta sakrifikojnë për të mbrojtur interesat kombëtare, ju po veproni në të kundërt.

Mos na i vërtetoni dyshimet tona, se ju nuk mund te funksiononi ndryshe pos mbi mashtrimin, dhunën dhe thyerjen e premtimeve. Na tregoni se keni edhe virtyte të mira.

Bëjeni njëherë në jetën tuaj për Kosovën, atë që keni bërë gjithmonë për veten… pasurone, zhvillone dhe mbrone atë.

E keni rastin, thuani jo Demarkacionit!

Pal Lekaj,

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së

Filed Under: Politike Tagged With: AAK, demarkacioni, dilemat, Pal Lekaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 603
  • 604
  • 605
  • 606
  • 607
  • …
  • 651
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT