• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veseli, homazhe te varrezat e Familjes Deliu

September 26, 2016 by dgreca

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e 18-vjetorit të masakrës ndaj Familjes Deliu, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në varrezat e kësaj familjeje, si dhe në varrezat e dëshmorëve në Abri të epërme të Drenasit. Në këtë përvjetor të dhimbjes, Kryetari Veseli, vizitoi po ashtu, familjet Xhemajli dhe Deliu në këtë fshat.

Kryetari Veseli, shprehu respektin dhe dhimbjen për familjen Deliu, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e masakrave të kryera nga ushtria e policia e regjimit serb, jo vetëm në Abri, por në tërë Kosovën, që me jetën e tyre dëshmuan përkushtimin për çlirim nga regjimi serb. 

Ai me këtë rast theksoi se në këto masakra, nga këto njësite militare e paramilitare serbe, nuk u kursyen as foshnjet në djep dhe as pleqtë, që sot, si dëshmi mbeten kujtesë për neve, për peshën e lirisë së vendit për të cilin kemi obligim të punojmë çdo ditë.

“Kjo është historia jonë. Si e tillë, ajo është kujtesë e cila nuk duhet të harrohet. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë sakrificë dhe gjak të derdhur, që nga foshnjet 3-muajshe deri te pleqët 90-vjeçarë. Nuk do të lejojmë asnjëherë që në këtë tokë të përsëriten gjëra të tilla. Kjo është një arsye më shumë pse duhet të jemi të bashkuar dhe ta forcojmë shtetin tonë”, theksoi kryetari Veseli.

Kryetari Veseli, theksoi po ashtu se zhvillimi i vendit, sundimi i ligjit, partneriteti me ShBA-në dhe Bashkimin Evropian, janë rruga dhe e ardhmja e vendit tonë. 

Ai më tej vuri në dukje se krimet e kryera si ky ndaj Familjes Deliu, por edhe autorët e masakrave tjera në Kosovë ndaj qytetarëve të pafajshëm, ende nuk e kanë marrë dënimin nga organet e drejtësisë. Kryetari Veseli theksoi se ekziston përkushtimi i institucioneve që përgjegjësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar. Ai tha se lirinë nuk do t’ia falim askujt.

“Shtetin tonë do ta mbrojmë me fanatizëm dhe nuk do të lejojmë askënd ta cenojë atë. Do ta forcojmë si shtet ligjor dhe demokratik, me perspektivë për gjeneratat e reja”, theksoi kryeparlamentari Veseli. 

 

Filed Under: Politike Tagged With: e Familjes Deliu, homazhe te varrezat, Veseli

Kryeministri ka shkelur dokumentin strategjik për sigurinë kombëtare

September 24, 2016 by dgreca

LETER E HAPUR/

Nga Dr. Enver Bytyçi/*

Presidentit të Republikës, Shkëlqesisë së Tij, zotit Bujar Nishani!/

I nderuar dhe respektuar/

Shkëlqesia Juaj, zoti President,/

Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ju, më lejoni të ndaj shqetësimin tim intelektual dhe qytetar për një akt të paprecedentë sa i përket menaxhimit të sektorëve strategjikë të Shqipërisë. Kaskada e Drinit në veri të vendit prodhon mbi 80 përqind të nevojave energjitike të Shqipërisë. Por prodhimi i energjisë elektrike të këtyre hidrocentraleve i është dhënë për menaxhim një kompanie të Republikës së Serbisë, përkatësisht asaj ETF. Qeveria shqiptare, ministri i Energjitikës, Damjan Gjiknuri si dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, me këtë vendim kanë shkelur dokumentin strategjik për sigurinë kombëtare, për disa arësye: 1. Serbia historikisht ka dëshmuar një sjellje antishqiptare, armiqësore dhe madje në shekullin e kaluar ka ndërmarrë disa herë aksione ushtarake kundër territorit të Shqipërisë. Gjatë fushatave ushtarake dhe në kohë të vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë, ajo ka asgjësuar, sipas studimeve serioze, më shumë se 120 mijë shqiptarë dhe ka shpërngulur nga trojet e veta më shumë se 1 milion e 500 mijë të tjerë. Konflikti i fundit të shekullit të kaluar midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë shkaktoi afërsisht të njëjtin numër të viktimave si edhe konflikti I vjeshtës 1912, mbi 20 mijë. Në ditët e sotme politika e Serbisë nuk ka ndryshuar. Këto ditë mediat serioze gjermane njoftuan se Serbia ende nuk ka heq dorë nga projekti i saj i “Serbisë së Madhe”. Përkrahja e referendumit në Republikën Srpska në Bosnjë të ditës së nesërme, më 25 shtator, referendum i cili na sjell në vëmendje fillimin e luftës në Bosnjë më 1992 është njëra nga dëshmitë e qëndrimit destruktiv të Serbisë. Por nuk ka nevojë të shkojmë në Bosnjë. Veriu i Kosovës është ende i pushtuar nga paramilitarët e ministrisë së Brendshme të Serbisë. Serbët e Kosovës janë ende të manipuluar nga Beogradi. Pavarësia e Kosovës ende nuk po njihet nga Serbia dhe qeveria e saj. Parlamenti dhe institucionet e Kosovës ende nuk funksionojnë me efektshmëri, sepse disa vendime të rëndësishme i bllokon politika e Beogradit. 2. Serbia dhe serbët jaën po aq nacionalistë sa edhe ç’kanë qenë më parë. Ata po thirren gjithnjë e më shumë në nacionalizmin e tyre për “Serbinë e Madhe” me mbështetjen totale të Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin. Ky fakt e bën shumë serioz pozicionin e Serbisë në rajon dhe shton shanset për riaktivizimin e saj jo vetëm kundër pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, por edhe kundër Shqipërisë dhe interesave të saj strategjike. Serbia është ende në dilemën “midis Perendimit dhe Lindjes” dhe ka dalë kundër politikave të BE-së dhe SHBA-ve sa I përket sanksioneve kundër Rusisë. Serbia e ndihmon politikën e Kremlinit të tipit të Ukrainës në Ballkan. 3. Eshtë e vërtetë se Serbia është përcaktuar për integrim në Bashkimin Europian. Por zyrtarisht është kundër integrimit në NATO. Sa kohë që kundërshton idenë e përfshirjes në NATO nuk mund të ketë asnjë garanci se Serbia ka heq dorë nga ambicjet e saj nacionaliste antishqiptare. Ndërkohë ju bëj me dije se shumica e udhëheqësve politikë dhe deputetëve serbë janë gjithashtu kundër integrimit në BE, nëse kjo kushtëzohet me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës nga ana e Beogradit. Ne i shohim çdo ditë përpjekjet e Beogradit për ta penguar integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në ato euro-atlantike. 4. Qeveria shqiptare dhe institucionet e vendit tonë duhet të saktësojnë në qëndrimet e tyre se sjellja armiqësore e Serbisë ndaj Kosovës është qëndrim armiqësor edhe me Shqipërinë. Nuk mundet që Shqipëria ta trajtojë Beogradin dhe Serbinë si mike të saj, ndërkohë që në Kosovë ajo ndjek një politikë bllokimi, mosnjohjeje dhe destruktive në politikat e brendshme. Kryeministri serb, Vuçiç, rikonfirmoi në fjalën e tij të para dy ditëve në OKB, se Serbia i përmbahet të njëjtave qëndrimeve si të paraardhësve të tij, filluar me Vladan Gjorgjeviç e Pashiç e deri te Milosheviç, sa i përket sjelljet me shqiptarët, kur u mor me akuzën e përfshirjes së tyre në organizatën terroriste ISIS, në vend që të merrej me çeshtjet e brendshme të vendit të tij. Për këto si dhe arësye të tjera, ju kërkoj zoti President që të shqyrtoni nga pikëpamja e sigurisë kombëtare vendimin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë kompanisë serbe ETF menaxhimin e energjisë elektrike të kaskadës së lumit Drin. Kërkoj që me autoritetin që Ju jep ligji dhe kushtetuta të merrni një vendim të prerë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare – anulimin e këtij vendimi dhe tërheqjen e vëmendjes për ekzekutivin shqiptar, që të mos përsërisë historinë tragjike të viteve 1945-1948. Mos harrojmë se ambicjet e Beogradit për daljen në Adriatik dhe shënuar kufirin e Serbisë përgjatë lumit Drin janë pjesa më e dukshme e platformës nacionaliste të punuar dhe ripunuar gjatë gjithë historisë së re të saj prej mesit të shekullit të XIX e deri në fund të shekullit XX. Më i fundmi ishte memorandum i vitit 1986 i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë si dhe deklarata e Sinodit të Kishës së Shenjtë Serbe e vitit 2003. Edhe nëse Serbia do të përcaktohet për integrim në BE e NATO, sa kohë që ajo nuk është bërë pjesë e këtyre organizatave, nuk mund të fitojë statusin e vendit joarmiqësor me Shqipërinë. Sa kohë që Serbia nuk do t’i njohë dhe nuk do të kërkojë ndjesë për krimet makabre kundër shqiptarëve gjatë më shumë se një shekulli e sidomos më 1998-1999, aq kohë ajo nuk mund të përfitojë statusin e vendit mik për Shqipërinë. Sa kohë që Serbia nuk do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës, aq kohë ajo duhet parë jo vetëm me spekticizëm, por duhet ndaluar në trajtimin e saj si vend konkurues në administrimin e sektorëve strategjikë të Shqipërisë. Nuk po ju drejtohem për mënyrën jo transparente dhe shkeljet e ligjit të konkurimit sa i përket përzgjedhjes së kompanisë serbe për adriministrimin e sektorit energjitik të kaskadës së Drinit, sepse këto janë çeshtje të gjyqësoorit, opinionit, për pasojë edhe tuajat si President, por jo në kompetencën tuaj për zgjidhje! Duke ju falenderuar për mirëkuptimin Zoti President,

Dr. Enver Bytyçi

Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, Pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Tirane, 24.09.2016

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Enver Bytyci, leter e hapur, Presidentit Nishani

Presidenti Nishani u takua me APEN

September 23, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani me Rrjetin e Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (APEN): Kurrë mos u dorëzoni!/

23 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u prit me entuziazëm nё njё takim që pati me shumë anёtarё dhe drejtues tё Rrjetit tё Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (Albanian Professionals and Entrepreneurs Network) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi u përshëndet ngrohtësisht me të pranishmit, Presidenti Nishani zhvilloi njё bashkёbisedim tepër tё çiltër dhe të sinqertë me auditorin lidhur me situatën nё Shqipёri, reformat që janë ndërmarrë në përgjithësi dhe në veçanti reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, marrёdhёniet dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, lidhjet e shumta dhe bashkёpunimin sa më të ngushtë e vëllazëror me Diasporёn, sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare, nevojën që brezi i ri të mos e braktisë përfundimisht vendin, por ta ndërtojë aty të ardhmen e vet, “thithjen e trurit”, ndryshimin e mendësisë, etj.

Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë për mundësinë që po i jepej të shkëmbente mendime, ide për probleme me interes për të gjithë, por sidomos për të ardhmen e brezit të ri dhe të profesionistëve të suksesshëm, që pavarësisht se jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara, “duke qenë me fat që po rriten dhe arsimohen në një vend kaq të madhe e të lirë, falë sakrificave dhe përkushtimit të familjeve të tyre”, e bëjnë mbarë kombin të ndihet krenar që janë shqiptarë.

Presidenti Nishani nënvizoi rëndësinë që mbart në kohët modern komunikimi i hapur dhe i drejtpërdrejtë, duke i këshilluar të pranishmit dhe përmes tyre, gjithë të rinjtë profesionistë të pajisur me virtyte, vlera, parime dhe ambicie, që: “Të mos dorëzohen kurrë”!

Duke folur për fenomenin tepër shqetësues të mërgimit aktual të shqiptarëve, sidomos të të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova, Presidenti Nishani pasi nënvizoi se pavarwsisht se duket sikur po humbet shpresa, vendi ynë është i pasur me burime natyrore dhe me mundësi të panumërta për zhvillim, tha se është vërtet diçka e mirë kur të rinjtë shkojnë jashtë për të studiuar, por ata duhet të kthehen dhe të vënë në jetë përvojat, praktikat, shembujt dhe modelet më të mira e të efektshme duke shfrytëzuar dijet e përfituara për të ndërtuar të ardhmen e Atdheut dhe ndryshuar mendësinë e zhvilluar mendësinë e shoqërisë shqiptare, sidomos veprimtarinë atë të shoqërisë civile.

Në përfundim të takimi, Presidenti Nishani duke siguruar se Institucioni i Kreut të Shtetit shqiptar do të jetë dhe mbetet gjithmonë i hapur për ta duke i mbështetur palëkundur në nismat e tyre, iu përgjigj pyetjeve të shumta dhe interesimit të madh të të pranishme lidhur me realitetin dhe sfidat shqiptare dhe vizionit të Tij rreth tyre.

Filed Under: Politike Tagged With: presidenti Nishani, takoi APEN

Kisha “Svetog Spasa” apo e Shën Shpëtimtarit

September 23, 2016 by dgreca

Në Korpusin Universitar të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në dekadën e dhjetë të shekullit të kaluar gjatë okupimit serb filloi të ndërtohet kompleksi i Manastirit të kishës së Shën Shpëtimtarit. Ky është një kompleks fetar me karakter politik. Kisha të tilla u ndërtuan gjatë Mbretërisë SKS, periudhës së Rankoviqit dhe së fundi edhe të Millosheviqit./

1-fejaz-drancolliNga Prof. Dr.sc. Fejaz Drançolli/

Trashëgimia historiko-kulturore ne territorin e Kosovës së sotme është trajtuar dhe studiuar nga autorët shqiptarë dhe të huaj në veçanti. Në lidhje me këtë çështje kemi “studime” ku mohohet ekzistimi i kulturës materiale shqiptare në këtë pjesë të territorit etnik shqiptar në disa periudha historike. Kur flitet për rëndësitë dhe vlerat historiko-kulturore, gjatë periudhës të sundimit romak, bizantin, nemanjid dhe osman, nuk tregohen bartësit e kulturave materiale. Ato, në shumë raste, përvetësohen dhe tregohen si joshqiptare. Natyrisht, këtu qëllimi është i qartë: mohimi i ekzistimit dhe i vazhdimësisë së etnisë ilire-arbërore-shqiptare, i historisë dhe i trashëgimisë etnokulturore mijëra vjeçe shqiptare. Mjerisht, edhe sot, vërehen tendenca të tilla mohuese.

Trashëgimia nën okupimin serb

Gjatë okupimit dhe riokupimit të Kosovës, nga ana e Serbisë (1912 deri më 12 qershor 1999), kultura materiale shqiptare mijëvjeçare fetare e laike, jo vetëm që mohohet e përvetësohet, por edhe digjet e rrënohet, kurse popullata shqiptare keqtrajtohet: poshtërohet, burgoset, vritet dëbohet e shpërngulet nga vatrat shekullore të tyre. Shumë kisha a kishëza u adaptuan për nevoja liturgjike ortodokse serbe të kohës apo u ndërtuan mbi themele të rrënojave dhe objekteve fetare para krishterimit të sllavëve. Për këtë nuk kemi dokumentacion të gjendjes ekzistuese të shtresave me të vjetra kulturore. Shpesh kultura materiale, trashëgimia fetare bëhet objekt i  instrumentalizimit për nevojat dhe qëllimet e caktuara të politikës antishqiptare e ekspansioniste dhe të shovinizmit serb me qëllim të krijimit të një Serbie garashaniane apo “Serbie të Madhe” duke gllabëruar dhe zgjeruar në tokat shqiptare. Propaganda serbe millosheviqiane, një kohë, trumbetonte për ekzistimin e 1300 kishave ortodokse serbe në territorin e Kosovës! Duhet cekur se, në Kosovë, kemi rreth 1414 vendbanime: fshatra e qytete. Sipas kësaj del se gati në çdo fshat e qytet ekzistuaka nga një kishë serbe!!! Realiteti është krejt tjetër. Sipas dokumentacionit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, në territorin e Kosovës ekzistojnë 130 objekte të karakterit ortodoks, si kisha, manastire, rrënoja të kishave, objekte eremite dhe varreza.

Kishat serbe

Gjatë Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (1918/1941), në pjesët e ndryshme të Kosovës, u ndërtuan disa kisha e përmendore të dedikuar viktimave serbe të frontit të Selanikut, edhe pse nuk ka të dhëna se atyre që iu dedikuan përmendoret ishin nga Kosova. Këto objekte kulti janë kisha të tipit kryq i brendashkruar me kupola. Kishat janë me nga një anijat, e cila mbaron me absidë gjysmërrethore, në pjesën lindore. Këto ndërtime arkitekturale fetare janë të thjeshta, pa ndonjë element, që do ta veçonin kishën në aspektin artistik. Ndërtimet ishin të një tipologjie dhe u ndërtuan për kolonistët serbë e malazez, që u vendosën në pjesët e ndryshme të Kosovës.

Kisha u ndërtuan edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur territori i Kosovës mbeti nën Serbinë, përkatësisht ish-Jugosllavinë. Ky ndërtim i kishave, me qëllim të serbizimit të Kosovës, vazhdoi edhe gjatë kohës së Aleksandër Rankoviqit e të Sllobodan Millosheviqit. Disa prej tyre, madje, mbetën të papërfunduara. Këto kisha, të tri periudhave të përmendura, u takojnë ndërtimeve të kultit ortodoks serb. Qëllimi dihet: serbizimi i e trevave shqiptare dhe të shndërrimit të kishave në manastire. Pra, janë kisha të reja ortodokse serbe me karakter politik.

Fati i trashëgimisë

Trashëgimia etnokulturore e Kosovës kishte fatin e keq, të dyfishtë: ishte koha në dëm të trashëgimisë etnokulturore shqiptare, e cila përballohej disi dhe ishin shkatërrimet e planifikuara, në kushtet e okupimit serb, posaçërisht gjatë “realizimeve” të planifikimeve hapësinore, të planeve urbanistike të qyteteve të Kosovës e që kishin për qëllim zhbërjen e komplekseve urbane-arkitekturale, pra, ekzemplarëve të veçantë të objekteve të vjetra qytetare të banimit etj.,  që ishin të valorizuara dhe kishin vlera me rëndësi historike, artistike, arkitekturale, mjedisore, gjurmëve të lokaliteteve arkeologjike, gjurmëve të kulturës shqiptare, e veçmas kjo e fundit që ndodhi pas luftimeve të para në Kosovë në vitet 1998-1999 nga formacionet e policisë, të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.

Pasioni i rrënimit

Gjatë dekadës së fundit të mileniumit që shkoi, serbët, në mënyrë të organizuar institucionale, i rrënuan përmendoret e rilindasve, patriotëve, humanistëve e shkrimtarëve shqiptarë të vendosura në shkolla, biblioteka, sheshe e vende të tjera publike, si akte jo humane e jo civilizuese, që bien ndesh me normat morale të civilizimit bashkëkohës në kundërshtim edhe me normat ndërkombëtare për ruajtjen dhe kujdesin ndaj trashëgimisë të një populli. Një popull që më egoizëm e mbron trashëgiminë e vet e në anën tjetër e shkatërron trashëgiminë e një populli tjetër apo ndërton kisha pa nevojë vetëm e vetëm për të serbizuar vendbanimet shqiptare, nuk bën pjesë ndër popujt e qytetëruar. Kjo e cekur, pos tjerash ka të bëjë dhe është aktuale për kohën dhe ditët e sotme, konkretisht fjala është për manastirin e kishës “Svetog Spasa” a Shën Shpëtimtarit që i dedikohet Jezu Krishtit.

Manastiri “ Svetog Spasa”

Me qëllime politike, antishqiptare, antiuniversitare, antistudentore, antihumane, antinjerëzore e anti anti të tjera, në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” filloi ndërtimi i kishës “Sv. Spasa” apo të Shën Shpëtimtarit, në vitin 1992. Kjo kishë ortodokse serbe, përkatësisht manastir, sepse në kuadër të kishës së dhunshme u ndërtua edhe kompleksi i konaqeve ku parashihet të jetojnë e veprojnë murgjit e murgeshat e manastirit. Sot, këto konaqe  përdoren për nevojat e studentëve dhe profesorëve të Akademisë së Arteve të Bukura të Prishtinës. Me këtë, duhet kuptuar se ritualet fetare në kishë janë të përditshme dhe objektet e banimit apo konaqet janë në përdorim dhe funksion të përditshëm. Pos, kësaj, nëse kishës i lejohet funksionimi (e që për mendimit tim një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë) atëherë do të pasojnë dhe do të ndërtohen muret rrethuese, kambana si dhe objekte përcjellëse ekonomike, bujqësore etj., për nevojat e personalitetit kishtar, murgjve e murgeshave të manastirit. Pos konaqeve të përfunduara, kisha trikonëshe e mbuluar me kube qendrore e kompleksit të  manastirit nuk është përfunduar, janë kryer vetëm punët e vrazhda konstruktive-arkitektonike. Me këtë duhet kuptuar se ende kemi kohë për dislokimin e manastirit. Për dislokim duhet të sigurohet një lokacion dhe të realizohet me mjete lokale e qeveritare. Po ashtu, dihet se serbët nuk kanë nevojë për një kompleks të përmasave të tilla, në zemër të kampusit dhe në qendër të qytetit të Prishtinës. Është absurde që edhe në këtë kohë, të mbesim në mendësinë okupuese millosheviqiane.

Nëse kisha nuk rrënohet, meqë kemi dhe jepen indikacione që do të ngelë, atëherë është e udhës që ky ndërtim i dhunshëm fetar të shndërrohet në “Muze të Holokaustit”, që do të na i përkujton të bërat e regjimit të apartheidit millosheviqian dhe të bashkëpunëtorëve të tij e që disa prej tyre ende janë aktivë në politikën e sotme serbe. Duhet cekur dhe supozojmë se ndërtimi i kësaj kishe është realizuar edhe me ndihmën materiale të disa biznesmenëve kosovarë, të cilët siç duket kanë qenë të detyruar me dhunë nga krimineli serb Zhelko Razhnjatoviq – Arkan. Natyrisht, të tillët, në rrethana të okupimit dhe të politikës millosheviqiane ishin të detyruar të ndihmojnë ndërtimin e kompleksit, se përndryshe…Kompleksi i manastirit në fjalë përfshin shtatë  hektarë të sipërfaqes së Kampusit të Universitetit. Kompleksi fetar në anën perëndimore kufizohet me rrugën “Agim Ramadani”, në anën lindore me Rektoratin e që i bie deri te shkallarët e pjesës së prapme të objektit. Ndërkaq, në pjesën perëndimore do të kufizohet me Fakultetin e Edukimit dhe Bibliotekën Kombëtare |Universitare, kurse në anën veriore me Fakultetin e Ekonomisë dhe të Drejtësisë. Sipas kësaj, i bie që Kampusi i Universitetit, përveç karakterit publiko-laik do të ketë edhe karakter fetar. Pra, për nga funksioni dhe ndërtimi arkitektonik do të jetë një ”mix” universitet, universitet që do të jetë sui generis për Evropën dhe më gjerë.

Të cekim se me vendim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës nr. 011.54/75, të dt. 12 dhjetor të vitit 1975, të shpallur në “Gazetën Zyrtare të KSAK” 54/75, të dt. 30 dhjetor 1975, u aprovua Plani detaj Urbanistik i Qendrës Universitare. Në bazë të këtij plani, pos tjerash nuk lejohet të inkorporohet asnjë ndërtim që nuk i përgjigjet nevojave të kompleksit universitar. Kjo është verifikuar edhe me vendimin e Planit Urbanistik Gjeneral të qytetit të Prishtinës, deri në vitin 2000, “Gazeta Zyrtare KSAK “ 2/88. Por, pa marr parasysh, pos tjerash, vendimet e cekura, në parcelën kadastrale nr. 7090, që i takon Universitetit të Prishtinës, filloi ndërtimi i kompleksit të manastirit të kishës “Sv. Spasa”. Për këtë rast kemi edhe një padi nga Universiteti i Prishtinës në emër të Prof. Dr. Ejup Statovci, Rektorit të Universitetit, nr.1/dt. 5.I.1993. Shpresojmë që vendimet e Kuvendit të Prishtinës të zbatohen në Kampusin e Universitetit.

*(Autori i tekstit është historian i artit dhe ka punuar dyzet vite në mbrojtje të trashëgimisë historike-kulturore të Kosovës).

Prishtinë, Kisha “Sv. Spasa” në Kampusin Universitar

Filed Under: Politike Tagged With: apo e Shën Shpëtimtarit, Fejzi Drancolli, Kisha “Svetog Spasa”

Normalizim në dobi të popullit të Kosovës

September 22, 2016 by dgreca

-Përfaqësuesja e BE, Apostolova shpreh pritjet se të gjitha marrëveshjet Kosovë-Serbi do zbatohen plotësisht/

-Ministrja Tahiri takon shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova/

PRISHTINË, 22 Shtator 2016-B.Jashari/ Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë njëherit Përfaqësuesja Speciale e BE-së,  Nataliya Apostolova, në një takim sot me ministren për Dialog në qeverinë kosovare, Edita Tahiri, e përgëzoi për punën e saj të rëndësishme dhe theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian i jep Dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Apostolova shprehu pritjet se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen plotësisht, me interes parësor që të sjellin normalizim në dobi të popullit të Kosovës, si dhe për hir të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Përfaqësuesja e BE-së, Apostolova theksoi nevojën për të përfshirë opozitën në procesin e dialogut, si dhe për t’i njoftuar më mirë qytetarët e Kosovës për të mirat që po sjell Dialogu dhe ndikimet e tij për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

Të dy bashkëbisedueset u pajtuan për vazhdim të bashkëpunimit me qëllim të avancimit të rrugës së Kosovës drejt përmbushjes së kritereve të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian, thekson njoftimi i dërguar.

Në takimin njohës, fillimisht ministrja Tahiri i uroi Apostolovas mirëseardhje në Kosovë dhe i dëshiroi suksese në detyrën e saj të re. “Do të vazhdojmë me bashkëpunimin e shkëlqyer që e kemi pasur me zyrën e BE-së për të arritur synimet e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha ministrja.

Duke folur për zhvillimet e përgjithshme ajo tha se Kosova ka arritur progres në axhendën demokratike të shtetndërtimit të Kosovës si dhe në planin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ministrja Tahiri theksoi përparimet për forcimin dhe konsolidimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës si në aspektin e brendshëm edhe në atë të jashtëm, për integrimet euroatlantike të Kosovës, duke thënë se  reformat evropiane të realizuara në Kosovë dhe angazhimi serioz në Dialogun e Brukselit kanë bërë që Kosova të hap një kapitull të ri në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
“Kjo marrëveshje me BE-në ka qartësuar ardhmërinë evropiane të shtetit të Kosovës dhe ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara procesin e integrimit të plotë të Kosovës në BE”, theksoi ministrja Tahiri. Ajo vlerësoi lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kërkoi që vendimi për liberalizimin e vizave të bëhet sa më parë.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, në shtimin e numrit të njohjeve të pavarësisë, anëtarësimin në BE, NATO, OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare”, theksoi ministrja Tahiri.
Duke folur për dialogun e Brukselit, ministrja Tahiri tha se ky dialog është pjesë e politikës së jashtme të shtetit të Kosovës dhe bazohet në Kushtetutë në kuadër të politikave të fqinjësisë së mirë dhe përkundër një historie të rëndë Kosova po dëshmon gatishmëri për të normalizuar marrëdhëniet ndërfqinjësore edhe me Serbinë, sipas standardeve evropiane.

“Dialogu i Brukselit po kontribuon për integrimin e serbëve të Kosovës, për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës dhe shuarjen e strukturave paralele, sfida këto të trashëguara nga ish misioni i UNMIK-ut, i cili nuk arriti ta administronte tërë territorin e Kosovës, sepse pjesa veriore e vendit mbeti peng i ndërhyrjeve nga Serbia”, tha ministrja Tahiri.

Ajo potencoi se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të rëndësishme, ndërsa tha se zbatimi i plotë i disa prej marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë duhet të përshpejtohet. Ajo përmendi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën, marrëveshjen për energji, pavarësimin e Operatorit kosovar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, zbatimi i të cilave hap rrugë për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin, ndërsa theksoi se revitalizimi nga BE-ja dhe hapja e urës së lumit Ibër në Mitrovicë është mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me kombësi bullgare, vazhdon takimet njohëse të nisura me presidentin Hashim Thaçi, një ditë pasi mori detyrën në 1 shtator, kur në të njëjtën datë kanë marrë pozitat tre krerë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë – edhe Shefja e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), grekja Alexandra Papadopoulou dhe komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Majori italian, Giovanni Fungo.

Filed Under: Politike Tagged With: Apostolova dhe Tahiri, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT