Presidenti Nishani me Rrjetin e Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (APEN): Kurrë mos u dorëzoni!/
23 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u prit me entuziazëm nё njё takim që pati me shumë anёtarё dhe drejtues tё Rrjetit tё Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (Albanian Professionals and Entrepreneurs Network) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasi u përshëndet ngrohtësisht me të pranishmit, Presidenti Nishani zhvilloi njё bashkёbisedim tepër tё çiltër dhe të sinqertë me auditorin lidhur me situatën nё Shqipёri, reformat që janë ndërmarrë në përgjithësi dhe në veçanti reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, marrёdhёniet dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, lidhjet e shumta dhe bashkёpunimin sa më të ngushtë e vëllazëror me Diasporёn, sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare, nevojën që brezi i ri të mos e braktisë përfundimisht vendin, por ta ndërtojë aty të ardhmen e vet, “thithjen e trurit”, ndryshimin e mendësisë, etj.
Kreu i Shtetit shprehu kënaqësinë për mundësinë që po i jepej të shkëmbente mendime, ide për probleme me interes për të gjithë, por sidomos për të ardhmen e brezit të ri dhe të profesionistëve të suksesshëm, që pavarësisht se jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara, “duke qenë me fat që po rriten dhe arsimohen në një vend kaq të madhe e të lirë, falë sakrificave dhe përkushtimit të familjeve të tyre”, e bëjnë mbarë kombin të ndihet krenar që janë shqiptarë.
Presidenti Nishani nënvizoi rëndësinë që mbart në kohët modern komunikimi i hapur dhe i drejtpërdrejtë, duke i këshilluar të pranishmit dhe përmes tyre, gjithë të rinjtë profesionistë të pajisur me virtyte, vlera, parime dhe ambicie, që: “Të mos dorëzohen kurrë”!
Duke folur për fenomenin tepër shqetësues të mërgimit aktual të shqiptarëve, sidomos të të rinjve nga Shqipëria dhe Kosova, Presidenti Nishani pasi nënvizoi se pavarwsisht se duket sikur po humbet shpresa, vendi ynë është i pasur me burime natyrore dhe me mundësi të panumërta për zhvillim, tha se është vërtet diçka e mirë kur të rinjtë shkojnë jashtë për të studiuar, por ata duhet të kthehen dhe të vënë në jetë përvojat, praktikat, shembujt dhe modelet më të mira e të efektshme duke shfrytëzuar dijet e përfituara për të ndërtuar të ardhmen e Atdheut dhe ndryshuar mendësinë e zhvilluar mendësinë e shoqërisë shqiptare, sidomos veprimtarinë atë të shoqërisë civile.
Në përfundim të takimi, Presidenti Nishani duke siguruar se Institucioni i Kreut të Shtetit shqiptar do të jetë dhe mbetet gjithmonë i hapur për ta duke i mbështetur palëkundur në nismat e tyre, iu përgjigj pyetjeve të shumta dhe interesimit të madh të të pranishme lidhur me realitetin dhe sfidat shqiptare dhe vizionit të Tij rreth tyre.