


Letra e Parë – Naum Prifti
Ti më pyet s’të vjen keq? Përse ma bën këtë pyetje?
Unë s’e dija në ato çaste, ose së paku nuk e dija me saktësi se ç’ ishe ti për mua e se çfarë përfaqësonte kjo lidhje shpirtërore, ato mendime që mbushnin zbrazëtinë dhe hapësirat e bardha.
Tronditja ishte kaq e madhe sa vërtet nervat sikur u mpinë dhe kjo ish arsyeja që unë nuk ndjeva asgjë, veç lajmit. As më besohej, qe tamam sikur të lajmërojnë papritur se të ka vdekur një i afërm dhe ty të duket e pabesueshme, e pakonceptueshme se me të ke qenë para dy ore, ke biseduar në një tryezë, dhe ke bërë shaka, ke pirë usmjall e ngrënë akullore.
Pastaj vjen e vërteta e hidhur, humbja është e rëndë, tronditëse, e pazëvendësueshme.
Ç ‘është kjo zbrazëtirë që ndjej? Gjithçka brenda meje u shemb e u vithis, dhe unë e shikoj këtë gërmadhë të rrëzuar.
Unë provoj një ndjenjë të tillë. S’ di si do marr veten, po ndjej sikur një pjesë brenda meje vdiq, pa shpresë shërimi.
Nuk e paskam ditur se të paskam dashur kaq shumë. Ky zbulim, në raste të tjera do të më ngushëllonte po tani më bën të mendohem. Sikur gjithë ditën të kisha ngrënë bakër nuk do ta ndjeja gojën kaq të hidhur. Diçka u helmua brenda meje, por jo me vullnetin tënd, jo me dëshirën tënde. Dhe këtu qëndron fatkeqësia jonë e përbashkët.
Lumturia më e madhe për mua është se të desha, po sot tok me hidhërimin ndjeva se edhe ti më paske dashur. Unë s’e kërkova asnjëherë këtë pohim.
Ne nuk u ndamë, ne na ndanë
Po unë pyes veten si mund të na ndajnë?
Unë mund të mos të të shoh, po kjo s’ më pengon të të dua, unë mund të mos të takoj, po kjo s’ më pengon të bisedoj me ty, unë mund të mos dëgjoj zërin tënd, po kjo s’ më pengon të mendoj për ty, të këshillohem me ty të të ëndërroj ty, ty!
Atëherë nuk kisha pse të shqetësohesha dhe aq më pak s’kisha të drejtë të shqetësoja askënd. Prita. Ish gjëja më e mirë që mund të bëja. Dhe pritja nuk më dha përgjigje të saktë. Unë e dija se kjo do ngjiste njëherë, e prisja si një të ardhme që do vinte pa tjetër, sepse njeriu provon thuajse të njëjtën gjë dy herë në jetë, njëherë kur hyn në moshën e rinisë dhe herë tjetër kur ndahet prej saj. Janë dy stinë të afërta, me drita, nuancë e ngjyra si pranvera me vjeshtën dhe çuditërisht ngjasin shumë midis tyre.
Po kështu, ti paske qenë Ajo! E pritura, e mjegulluar, pa formë konkrete, pa timbër të caktuar, pa zë, pa emër. Tani si një figurë që del nga nata çdo gjë u qartësua gjer në detajet më të vogla, gjer te kaçurrelja e flokëve mbi një anë të ballit, gjer te ngjyrat e irisit.
A mund të ishte dikush tjetër në vend teje? Më përpara s’mundej se po të qe e mundur do të kish ngjarë kjo që po ngjet me ty. Më vonë?
Tani që të gjeta ty, kë mund të pres më vonë?
Letra e Dytë
Naum Prifti
Ndjenja (’50 -’60)
Kujtimi dhe përfytyrimi yt nuk më ndahet. Ato vijnë tek unë kudo që jam e kudo që shkoj sikur ajri i këtij qyteti të ketë fuqi e të komandojë pa pushim imazhe nga të tuat, timbrin e zërit tënd, ngjyrat e tua.
Si është e mundur që një njeri të zërë kaq shumë vend brenda jetës së një njeriu tjetër, si është e mundur që parafytyrimi e mendimi të pushtojnë edhe çdo qelizë të trurit?
Tani më duket sikur e shpjegoj atë dalldisje (më fal s’gjeta fjalë më të përshtatshme) që provon njeriu kur dashuron për herë të parë, atë gjendje kur nis të jetojë e jeton mes ëndrrës dhe realitetit, mes botës që krijon vetë dhe midis asaj që ekziston në të vërtetë.
Më duket se për këtë arsye, ata që duhen mbeten aq të pakuptuar për të tjerët dhe veprimet e topitja e tyre mbetet disi enigmatike. Kontrast i çuditshëm tropitja dhe egzaltimi në të njëjtën kohë.
Kam pyetur veten në se ti je vërtet Ajo dhe kam venë në provë sinqeritetin e ndjenjave të mia. Po të qenë të sipërfaqshme s’do të arrinin të ngrinin valë nga fundi, ai do ishte i qetë dhe lëkundjet do të fashiteshin shpejt.
Letra e Tretë
Naum Prifti
Dita e fundit e gushtit!
Kjo verë mbaroi po mua më duket se ka qenë vera më e gjatë në jetën time. E dija se vera i ka ditët të gjata po është tjetër ta dish e tjetër ta ndjesh peshën e gjatësisë dhe asnjëherë nuk jam gëzuar më tepër se këtë vit për mbarimin e verës. Duke numëruar ditët e gjata thosha sa larg është vjeshta!
Po kë prisja vallë afrimin e vjeshtës apo afrimin tënd?
Kjo dita e fundit e gushtit ka një ngjyrë të posaçme në Tiranë. Ajo ripërtërihet nga viti në vit duke ruajtur gjithmonë po ato karakteristika. Rrugët mbushen çuditërisht shumë me fytyra të reja. Një ecejake e vazhdueshme. Takime. Qeshje. Hyrje e dalje nëpër dyqane. Parakalojnë valixhet e drurit. Të famshmet valixhe druri. Vula e provincës dhe e nxënësve të rinj. Ata duken menjëherë nga ecja, nga vështrimi i tyre kureshtar, nga habija që shfaqin padashur, nga kontrasti që bëjnë me të tjerët. Të tjerët si të njohur të vjetër me qytetin dhe me rrugët e tij e dinë ku venë, dinë ku të qëndrojnë, dinë të ambientohen, kurse ata të valixheve ecin si të hutuar me vështrim të etur shikojnë kalimtarët mos dallojnë ndonjë fytyrë të njohur.
Valixhe druri! Edhe unë kështu kam ardhur në Tiranë, me një valixhe të rëndë druri. Dhe s’ mund ta harroj një episod. Atëherë i peshonin gjërat personale në agjencitë e transportit dhe nuk duhej të kalonte peshë 10 kg. Dhe mund ta merrni me mend në ç ‘telash rashë dhe s’dija si të dilja nga
halli që më kishte zënë kur vura re se vetëm valixhja pa asgjë brenda peshonte plot 7 kg. Qe prej druri të njomë. Pra duhej të shpija në Tiranë 7 kg dru dhe 3 kg tesha. Raport i çuditshëm. Atëherë fillova ta gdhendja me sqepar, po përbrenda që të mos ia prishja bukurinë. Nxora një tufë të madhe me bujashka dhe valixhen e bëra gdhënçka-gdhënçka . Kur erdha në Korçë që ta lehtësoja akoma në shumë, një pjesë të mirë të rrobave i vesha.
E merrni me mend vapën time. Sikur nuk ishin mjaft rrobat që kisha veshur u shtova sipër edhe disa të tjera. Ca nga ndryshimi i klimës e ca nga rrobat e malësisë ai udhëtim po kthehej në vuajtje e mundim, po unë s’ i vija re se shkolla e Tirana ishte si një dritë që vezullonte në largësi dhe më ndizte ëndrrat e fantazinë.
Ti ndoshta ke ardhur mbrëmë ose do të vish sot. Unë e ndjej këtë afrim, e ndjej se humori im ndryshon. Vjeshta ty do të sillte këtu dhe mua më gëzon kaq shumë ardhja e kësaj vjeshte. Nesër është vjeshtë!