
Një reflektim mbi realitetin shqiptar, dinjitetin dhe përgjegjësinë ndaj atdheut.
Nga Alketa (Kapaj) Burimi
Më ka mbetur në mendje një replikë nga filmi «Nëntori i dytë», në zërin e aktorit të madh Sandër Prosi:
«Shqiptarët s’e kanë zakon të shesin shqiptarin. A ka shqiptar në taborrin tënd? Unë nuk po pyes për ata arnautë që u është bërë gjaku ujë, por për shqiptarë që kanë besë, për shqiptar e bir shqiptari.» Në këto fjalë dëgjova një thirrje që ma gufoi zemrën me krenari. Prej asaj ndjesie lindi ky shkrim. Sa herë i dëgjoj, më duket sikur pyetja del nga filmi e ndalet përpara nesh. Përpara kohës sonë. Përpara asaj që kemi bërë me besimin e njëri-tjetrit dhe me vendin që na është lënë në duar.
«Shqiptar e bir shqiptari».
E përsëris ngadalë.
Më vjen zëri i babait. Më vijnë fjalët e nënës, pragu i shtëpisë, kujtimi i të parëve tanë, gjuha me të cilën mësova t’i jepja emër botës. Më vijnë fytyra njerëzish që e mbajtën jetën me mund, por u përpoqën të mos e humbnin ndershmërinë. Në atë shprehje njoh identitetin tonë. Dhe bashkë me të, ndiej një përgjegjësi që kalon nga një brez te tjetri.
Çfarë do të thotë të jesh shqiptar e bir shqiptari?
Mendoj për besën. Për dorën që i zgjatet tjetrit në ditë të vështirë. Për nderin që ruhet edhe kur askush nuk të sheh. Për përgjegjësinë që kemi ndaj jetës së njëri-tjetrit. Ndoshta aty fillon edhe dashuria për atdheun: te njeriu që kemi përballë.
Dhe aty më dhemb më shumë Shqipëria.
Prej kësaj ndjesie po ju drejtohem sot juve, zoti Kryeministër, por edhe klasës politike shqiptare që, përgjatë tridhjetë e pesë viteve, ka marrë përsipër drejtimin e këtij vendi. Këtë fjalë po ia besoj edhe lexuesit shqiptar në diasporë, që largësinë nga atdheu e jeton me mall, por edhe me shqetësim. Po ju shkruaj për të rinjtë që janë ngritur në protestë. Për pakënaqësinë që ua rëndon fjalën dhe për të ardhmen që dëshirojnë ta ndërtojnë në vendin e tyre. Për dhimbjen që më zgjon mendimi se zëri i tyre mund të pritet me goditje shkopinjsh gome, kur ka kaq shumë nevojë të dëgjohet.
Si nënë, më dhemb çdo goditje mbi një të ri. Pas atij trupi shoh një fëmijë që dikush e ka rritur me mund dhe me shpresën se jeta do ta priste më butë.
Dhe ju, zoti Kryeministër, pas trembëdhjetë vjetësh në krye të qeverisë, keni përgjegjësinë ta dëgjoni atë zë dhe të jepni llogari. Ndërsa gjithë klasa politike shqiptare duhet të reflektojë për atë që ka bërë gjatë këtyre tridhjetë e pesë viteve dhe për atë që ende u ka borxh shqiptarëve.
Kanë qenë vite shprese e zhgënjimi, përpjekjesh e largimesh. Në jetën e shumë familjeve kanë mbetur plagë që koha ende nuk i ka mbyllur. Mes gjithë këtyre mundimeve, dëshira ka qenë kaq njerëzore: një jetë më e denjë, një e nesërme më e sigurt, një vend ku zëri yt të dëgjohet. Të qeverisësh do të thotë të qëndrosh pranë jetës së njerëzve. Të kuptosh se çdo vendim mbërrin diku: në një tryezë familjare, në shqetësimin e një prindi, në ëndrrën e një të riu.
Pushteti të jep të drejtën të vendosësh, por të kërkon edhe përulësinë për të dëgjuar.
Vallë, a ndihet kjo përulësi?
A ndihet në mënyrën si u flitet njerëzve? Në durimin për t’ua dëgjuar dhimbjen? Në gatishmërinë për të parë se pas një kundërshtimi mund të qëndrojë një shpresë e lënduar?
Më dhemb të mendoj se shpresa që dikur më bëri të kthehesha në atdhe është sot ajo që këta të rinj përpiqen të mos e humbasin.
Ata meritojnë të shohin një dritë përpara vetes. Të mësojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë një jetë me dinjitet. Të ndiejnë se përpjekja e tyre ka vlerë dhe se vendi i tyre ka hapësirë edhe për ëndrrat që mbartin.
Meritojnë përgjigje edhe për shqetësimet që ua cenojnë besimin: akuzat për korrupsion e përvetësim të pasurisë publike, shitjen dhe tjetërsimin e tokave, pretendimet për zaptimin e tyre dhe ndikimin e interesave të fuqishme ekonomike në vendimmarrje.
Këto shqetësime kërkojnë transparencë. Dyshimet për abuzim kërkojnë hetim dhe shkeljet e provuara kërkojnë përgjegjësi, cilido qoftë emri apo posti i atij që i ka kryer.
Pas gjithë kësaj janë njerëz që punojnë, rrisin fëmijë dhe duan të besojnë se ajo që na përket të gjithëve do të ruhet me ndershmëri.
Toka e Shqipërisë mbart jetën dhe historinë tonë. Mbi të janë përkulur breza që kanë punuar, kanë ndërtuar dhe kanë shpresuar. Aty janë pragjet ku u rritëm, varret ku përulemi dhe vendet ku fëmijët tanë duhet të mund të hedhin rrënjë.
Vendimet që marrim sot për këtë tokë lënë gjurmë që zgjasin përtej mandatit të një qeverie. Pasojat do t’i mbartin edhe ata që sot janë fëmijë.
Dhe pyes veten: çfarë do të korrin brezat që vijnë, nëse sot vazhdojmë të mbjellim padrejtësi?
A nuk meriton ky popull, pas kaq mundimesh, ta shohë më në fund shpresën të zërë rrënjë në tokën e vet?
Unë u largova për t’u kërkuar fëmijëve të mi një të ardhme më të mirë. Ata po kërkojnë mundësinë që ta ndërtojnë të ardhmen në shtëpinë e tyre.
Ndoshta pikërisht pse jam larguar, e ndiej kaq thellë dëshirën e tyre për të qëndruar. E di çfarë mbetet brenda njeriut kur shtëpia bëhet mall. Dhe do të doja që, për ta, ajo të mbetej një derë e hapur drejt së nesërmes.
Përmes zërit të tyre, kthehem edhe te rrugëtimi im.
Te besimi që dikur pata te ju, zoti Kryeministër.
Te shpresa që më bëri të kthehesha.
Te zhgënjimi që më detyroi të largohesha.
Dhe te Shqipëria që e desha edhe më shumë pasi u largova prej saj.
Dikur u ktheva me dëshirën për të punuar, për të ndërtuar jetën dhe për t’i rritur fëmijët në vendin tim. Besova se mund t’ia dilnim aty. Punova dhe u përpoqa ta mbaja gjallë atë besim.
Nuk është e lehtë ta mbledhësh një jetë e ta nisësh përtej oqeanit. Diçka mbetet gjithmonë pas: një derë që e njeh trokitjen tënde, një rrugë ku hapat e tu nuk janë të huaj, një njeri që plaket ndërsa ti je larg.
Kur je larg, të mungon ajo që ke lënë dhe të dhemb ajo që do të doje të ishte ndryshe.
Megjithatë, dashuria gjen mënyrën e vet për të qëndruar pranë.
Çdo javë, këtu në diasporë, u mësoj fëmijëve gjuhën shqipe.
Është mënyra ime për të ruajtur atë që më është besuar. E ndiej si një detyrim moral ndaj gjuhës që trashëgova dhe brezave që rriten larg vendit të të parëve.
I dëgjoj teksa përpiqen të shqiptojnë një fjalë. Ndonjëherë ndalen, e përsërisin, gëzohen kur ia dalin. Dhe mua më duket sikur, në atë çast gëzimi, një fije drite lidhet përsëri me rrënjën e saj.
U flas për Shqipërinë.
Përpiqem t’ua përcjell me bukurinë e saj, me gjuhën, me kujtesën. Do të doja që, kur të thonë «Jam shqiptar», ta ndiejnë atë fjali si një vend ku mund të mbështeten.
Por ndërsa ua mësoj atyre, e pyes edhe veten: çfarë po u lëmë ne pas këtyre fjalëve?
Të jesh shqiptar e bir shqiptari do të thotë ta ndiesh këtë trashëgimi si një amanet. Ta ruash atë që të është besuar dhe të mendosh për ata që do të vijnë pas teje.
Do të thotë të mos mësohesh me dhimbjen e tjetrit. Të mos e marrësh të mirëqenë besimin. Të dish të përulesh përpara një të vërtete, edhe kur ajo të kërkon të ndryshosh.
Sa shumë do të doja që çdo kryeministër i vendit tim, kur të vijë dita të dorëzojë detyrën, të mbetet në histori për një Shqipëri më të mirë se ajo që gjeti.
Që pas çdo detyre të mbetej diçka e mirë: një barrë më e lehtë për njerëzit, një mundësi më shumë, një arsye për të besuar.
Do të doja që të rinjtë të kishin mundësinë të zgjidhnin nëse duan të ikin apo të qëndrojnë. Dhe, nëse largohen, të kenë gjithmonë një arsye të bukur për t’u kthyer.
Politikanët vijnë e ikin.
Shqipëria mbetet.
Le ta nderojmë Shqipërinë tonë me fjalën, me veprën dhe me përgjegjësinë ndaj njëri-tjetrit.
Dhe kur të themi «Shqiptar e bir shqiptari», të mund ta themi qetë, duke e ditur se jemi përpjekur t’i japim nder asaj fjale.
Ashtu siç na ka hije.
Alketa (Kapaj) Burimi është autore dhe poete shqiptare që jeton në Naples, Florida. Shkrimet e saj mbi ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar janë botuar në gazetën «Dielli» dhe në revista shqiptare. Angazhohet vullnetarisht në Shkollën Shqipe në Naples, duke u përcjellë fëmijëve gjuhën shqipe dhe lidhjen me trashëgiminë e tyre kulturore.