• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Qeveria me ndryshime

September 9, 2016 by dgreca

 

qeveria-kosove-5shkurt2016-foto-gazeta-dielli-behlul-jashari-Dhe drejt “reformatimit e rekonstruimit”…/                                                                            Kabineti qeveritar 5 Shkurt 2016

-Kryeministri Mustafa pranon kërkesën e ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, për lirim nga detyra/

-Cilat ishin ndryshimet në qeverinë e Kosovës gjatë më pak se dy viteve?/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

1-qeveria-dhjetor-2015

Kabineti qeveritar Dhjetor 2015

PRISHTINË, 9 Shtator 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pranuar sot kërkesën e ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, për lirim nga detyra.Duke i uruar suksese në detyrat e reja, kryeministri Mustafa, ka vlerësuar lartë kontributin e ministrit Çollaku gjatë punës së tij.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka vlerësuar angazhimin e ministrit Çollaku në realizimin e prioriteteve të Programit Qeveritar duke përfshirë vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.Ky njoftim u dërgua sot nga Kryeministria kosovare, ndërkohë që ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në një konferencë shtypi ka folur për largimin nga ky post.

“Unë po largohem nga kjo pozitë e po shkoj në një institucion tjetër që do të jap kontribut më të madh. Edhe pse pozita do të jetë ndryshe e do të jem vetëm një nga këshilltarët e presidentit, kontributi do të jetë edhe më i madh”, tha Çollaku.Në qeverinë e Kosovës, siç ka deklaruar kryeministri Isa Mustafa në një mbledhje të qeverisë dy javë më parë, me partnerët e koalicionit është duke u biseduar edhe për “reformatim e rekonstruim”.Në mbledhjen e qeverisë në 25 gusht, kryeministri ka njoftuar lirimin nga detyra e zëvendëskryeministrit të Kujtim Shalës, me kërkesën e tij, që t’i përkushtohet tërë kohën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku është ministër.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e cila dje ka mbajtur mbledhjen e 108-të, të 40-tën këtë vit, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Gjatë kësaj kohe në qeverinë Mustafa ka pasur edhe disa ndryshime tjera dhe më i rëndësishmi ishte dorëheqja e zëvendëskryeministrit të parë e ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, pasi në 26 shkurt 2016 u zdhodh President i Republikës në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Në qeveri, në vend të Thaçit, në pozitën e zëvendëskryeministrit të parë u emërua Hajredin Kuçi, e në vend të tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë u emërua Dhurata Hoxha, ndërsa ministër i Jashtëm u emërua Enver Hoxhaj.

Në qershor të kësaj vere, kryeministri Mustafa e ka liruar nga detyra ministrin e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihej edhe ai. Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit e Planifikimit Hapësinor aktualisht është Ferat Shala, që ishte zëvendësministër.

Ndyshimi i parë në qeverinë Mustafa u bë më pak se dy muaj pas zgjedhjes së saj në Kuvendin e Kosovës. Në 3 shkurt 2015 kryeministri i Kosovës shkarkoi ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanoviç, pasi deklarata e tij ku protestueset në Gjakovë, familjare të personave të zhdukur gjatë luftës, i kishte quajtur “egërsira” shkaktoi shumë reagime dhe protesta, madje edhe të dhunëshme. Dalibor Jevtiç, po nga Lista Serbe,  u emërua në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në 24 prill 2015, pasi  serbët i dhanë fund bojkotit institucioneve kosovare  që po vazhdonte në muajin e tretë si reagim kundërshtimi pas shkarkimit të ministrit Jablanoviç.

Në Kosovë, një marrëveshje koalicioni e dy partive më të mëdha, në 8 e 9 dhjetor 2014, i dha fund situatës së “ngrirë” pas zgjedhjeve të 8 qershorit dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë, dhe si rezultat i saj lideri i partisë së dytë sipas rezultatit zgjedhor – LDK-së, Isa Mustafa u bë kryeministër, e pas kalimit të mandatit kushtetues të Presidentes Atifete Jahjaga, lideri i partisë më të madhe fituese në zgjedhje – Hashim Thaçi u kandidua dhe zgjodh President i Kosovës ndërsa dha dorëheqje edhe nga kryetari i PDK-së, të cilën e drejtonte që nga themelimi në vitin 2000.

SHTYPI: DRIDHET KOALICIONI, PDK GATI PËR ZGJEDHJE

“Dridhet koalicioni, PDK gati për zgjedhje”, është një kryetitull balline sot në shtypine Kosovës.Gazeta Zëri shkruan se, Kosova shpejt mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Të paktën këtë ide e ka dhënë nëpërmjet  deklaratave publike shefi i ri i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, duke theksuar se partia e tij është e gatshme për zgjedhje.

Share

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Behlul Jashari, ndryshime, qeveria e Kosoves

POLITIKA E JASHTME DHE FUSHATA PËR PRESIDENT TË SHBA

September 8, 2016 by dgreca

 

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Deri tani,  politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Por ka giasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtëme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.

Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirsojë jetën ekonomike të familjeve amerikane.  Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë.  Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan.  Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjëndet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër  vjeçar.

Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike.  Presidenti/tja e ardhëshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile.  Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim.  Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lamsh e rrëmujë, pa ndonjl shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt.  Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti.   Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalur nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit.  Përfshirë Korea  e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqsi i ardhëshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhëshme.   Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.

Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama — pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit — si të dështuar.

Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temparamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt.   Donald Trump, nëqoftse siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare.  Duke marrë parasyshë rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.

Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj  në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.

Është e pamundur të parashikohet se cilin prej kandidatëve, Hillary Klinton apo Donald Trump, do të zgjedhin votuesit amerikanë në fillim të nëntorit.  Por mbetet për tu pa nëse çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme amerikane do të jenë çështjet kryesore ose faktori kryesor që votuesit amerikanë do të përdorin për të vendosur se për cilin kandidat për president do të votojnë më 8 nëntor, 2016.  Por një gjë është e sigurt. Duke marrë parasyshë statusin që gëzojnë sot Shtetet e Bashkuara si fuqia numër një në botë, zgjedhja e cilit do prej tyre — për mirë ose për keq – dhe politika e tyre e jashtme që eventualisht do të ndjekin,  do të ketë pasoja të thella jo vetëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, por për mbarë botën.  Le të shpresojmë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të jenë të vetdijshëm të këtij fakti.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Frank shkreli, Fushata, Politika e jashtme, presidentet

Nënë Tereza, mbesë e Gjakovës

September 7, 2016 by dgreca

-Në Gjakovë mbahet manifestim kulturor për shenjtërimin e Nënës Terezë/

nene-tereza-gjakove-kosove-2

nene-tereza-gjakove-kosove-4

nene-tereza-gjakove-kosove-7

nene-tereza-gjakove-kosove-6

nene-tereza-gjakove-kosove-5

nene-tereza-gjakove-kosove-3

nene-tereza-gjakove-kosove-1GJAKOVË, 5 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/Në qytetin perëndimor të Kosovës  – Gjakovë me 5 Shtator është mbajtur manifestimi kulturor në nderim të veprës dhe shenjtërimit të Nënës Terezë. Ceremonia është hapur nga kori i Kishës Katolike, ndërsa fjalën hyrëse e ka mbajtur kryetarja e Komunës Mimoza Kusari Lila, nën patronatin e  së cilës është mbajtur manifestimi.

Njoftimi i komunës së Gjakovës thekson se, kryetarja Kusari – Lila ka folur për të Shenjtën Nënë Tereza, për bijën e tokës sonë si një nënë e madhe e gjithë botës e cila me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj ju shërbeu të varfërve dhe të gjithë atyre në nevojë. Ndër të tjera ajo theksoi: “Dje, e gjithë bota kishte sytë, veshët dhe mendjet nga kryeqendra e botës së krishterë, nga Selia e Shenjtë ku një nënë e madhe, një misionare, humaniste, një nobeliste, një shembull i dashurisë dhe paqes, me bekimin e Papa Françeskut u shëndërrua në të shenjtë”.
Kryetarja u shpreh që kjo ka një domethënie të madhe për kombin tonë dhe për Gjakovën ngase nga një mbesë e Gjakovës, me zemërgjerësinë dhe humanitetin e saj, përmendet në tërë botës. Më tutje, ajo ka përmendur disa nga thëniet më të bukura të Nënës Terezë, duke përmbyllur se çdo fjalë e jona për të është shumë e pakët dhe se ne sot po bëjmë diçka të vogël por me dashuri shumë të madhe.
Në këtë manifestim, ka folur edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike në Gjakovë, Pater Ndue Kajtazi, i cili ka përshkruar në pika të shkurtra biografinë e Nënës Terezë, duke theksuar se si një bijë me gjak Shqiptari, ajo asnjëherë nuk e mohoi origjinën e saj dhe se emrin e saj u munduan çdo komb ta përvetësoj. Ai më tutje ka shprehur që Nënë Tereza kishte zemër të madhe dhe roli i saj ka zënë vend në histori duke na bërë të gjithë neve që të ndjekim rolin dhe shembullin e saj për dashuri për njëri tjetrin.
Më tutje, profesor Ruzhdi Sefa ka mbajtur një fjalë rasti në emër të shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë. Ai ka folur për rolin historik që ka dhënë Nënë Tereza për kombin shqiptar, duke theksuar takimin me presidentin Bill Clinton dhe kërkesën drejtuar atij për ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, gjatë luftës së vitit 1999.
Në fund të kësaj ceremonie, Gladiola Dema ka lexuar një recital për Nënën Terezë si dhe është përmbyllur ceremonia me disa pika muzikore nga kori i Kishës Katolike dhe kori i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, mbesë e Gjakovës, Nene Tereza

“Është shenjte Tereza, por do të vijojmë ta quajmë Nënë”

September 4, 2016 by dgreca

Formula e Shenjtërimit/

Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini,/

për lartimin e fesë katolike/

dhe thellimin  e jetës së krishterë,/

me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,/

të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal  e Tonin,/

Pasi reflektuam gjatë,/

kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore/

e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni./

e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës

Dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve,

duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve.

Në shenjtërimin e Nënë Terezës, “murgeshës së të fundmëve” Papa Françesku e nxiti Kishën t’ia shtrijë dorën refugjatëve e të burgosurve”. Më se 120 mijë besimtarë në Meshën, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, pjesëmarrës në një nga çastet më të rëndësishme të Jubileut të Mëshirës.

Papa i njohu, kështu, meritat Motrës së vogël, e cila ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Dora e saj shtrëngoi mijëra duar, që shtriheshin për të kërkura ndihmë. E kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë! – kujtoi Ati i Shenjtë Bergoglio, duke shtuar jashtë tekstit fjalët, që e prekën aq turmën, sa ta ndërpriste me duartrokitje të fuqishme:

“Mendoj se ndoshta do ta kemi pakëz vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza!”

Këto, fjalët e Papës, që e ka bërë mëshirën program të papnisë së Tij e që në vijim  të homelisë kujtoi: “Gjatë gjithë jetës së saj, Nënë Tereza,  qe bujare e shpërndarëse  e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, mikpritëse e mbrojtëse e jetës njerëzore, jetës së braktisur e  të flakur tutje.  U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre:

“Bamirësia është thirrje. E mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre”.

Kështu Papa, i shoqëruar nga duartrokitjet e mijëra të pranishmëve, në një Shesh që sot skuqte nga Flamujtë Kuq e Zi, pranë e pranë të cilëve, ato blu e verdh të Kosovës, që valëviteshin kudo.

Françesku theksoi në vijim edhe  se “Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.

“Le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë!” – u tha Papa vullnetarëve, duke ia dorëzuar këtë figurë simbolike mbarë botës së vullnetariatit, në sa kremtonte, i rrethuar nga 70 kardinaj, 400 ipeshkvij, 1700 meshtarë.

Por vendet më të zgjedhura sot i ruajti për të varfërit: ata qenë në krye të vendit në festën e shentjërimit të Nënës së tyre në shpirt, e edhe në krye të gostisë së festës, që shtroi për ta Françesku në tremen e Sallës Pali VI.

Kështu, me këtë ceremoni madhështore, Papa Begoglio e shkroi Nënë Terezën në librin e shenjtorëve të Kishës katolike, që mbarë bota të mund ta kundrojë.

Do ta marrin me vete, në kthim, qindra mijëra besimtarët, jehonën e paharrueshme të formulës së shentjërimit:

e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte

Të Lumen Terezë të Kalkutës…

duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale

me devocion ndërmjet shenjtorëve….(Radio Vatikani)

Filed Under: Politike Tagged With: eshte e shenjet Nene Tereza, Formula e Shenjtërimit

GRACKA E RE E GRACKËS SË VJETËR

September 3, 2016 by dgreca

NGA BARDHYL MAHMUTI/

Dy ditë pas kritikave të shumta për bojkotimin e seancës parlamentare të 1 shtatorit, ku duhej të votohej Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Lista Serbe u lëshua në sulm të ashpër. Pretekst për këtë ofensive propagandistike shërbeu dëmtimi i pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër në Lipjan, pllakë kushtuar civilëve serbëve të vrarë në verë të vitit 1999 që propaganda serbe ua vesh “terrorit shqiptar”.

Akti i përdhosjes së pllakave përkujtimore është akt neveritës. Por, ajo që është thelbësore në këtë  çështje ka të bëjë me pyetjen se kush mund të qëndrojë realisht prapa vrasjes së këtyre civilëve serbë dhe kujt i intereson sot të bëhen akte të shëmtuara mbi pllakat përkujtimore? Pikërisht rreth kësaj çështjeje do të mundohem të jap përgjigje.

Strategjia serbe e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës është një strategji tanimë e njohur dhe e pranuar edhe nga vetë intelektualët serbë. Intelektuali i parë që ngriti zërin kundër kësaj forme të veprimit ishte Mirosllav Filipociqi, gazetar i gazetës beogradase «Danas», i cili, në të njëjtën kohë ishte gazetar i «Agjencisë France-Presse» dhe ana­list i «Institutit Raportues për Luftën e Paqen». Për akuzat që u visheshin shqiptarëve ky gazetar serb tërhoqi vërejtjen e opinionit publik serbe se “Serbia krijoi eskadronët e përbërë nga serbë që sulmonin serbët dhe pronat e tyre në Kosovë dhe kështu i ngritën tensionet ndëretnike”. Për denoncimet e krimeve serbe në Kosovë që bëri në mediet serbe dhe ato ndërkombëtare, më 26 korrik të vitit 2000 Gjykata Ushtarake në Nish shqip­toi dënimin me 7 vjet burg kundër Mirosllav Filipoviq. Një respekt i veçantë për këtë intelektual serb sepse denoncimet i bëri në kohën kur Millosheviqi ishte ende në pushtet.

Shumë vite më vonë, shkrimtari dhe politikani serb Vuk Drashkoviqi, i cili gjatë periudhës më të vështirë të luftës në Kosovë kishte qenë Zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë dhe i ngarkuar të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë, nxori në shesh të vërtetën që tronditi opinionin publik të Serbisë.

Në intervistën e titulluar «Milosheqi urdhëroi Radetan dhe Legian t’i vrasin fëmijët serbë» (http://www.kurir-info.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359), Vuk Drašković-i foli edhe për mënyrën e organizimit, të funksionimit dhe të sjelljes së vendi­meve kriminale në funksion të nxitjes së urrejtjes kundër shqiptarëve dhe stig­matizimit të UÇK-së. Në këtë intervistë ai sqaron se “vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe kundër shqiptarëve, që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin publikisht UÇK-në, e solli Milosheviqi dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, të Njësisë për Operacione Speciale, u caktua Milorad Ulemek-Legija. Ky i merrte urdhrat nga Radomir Markoviqi, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i dënuar sikurse Milorad Ulemek-Legija, me 40 vjet burg për dhënien e urdhrit dhe porosinë e vrasjeve të shumta (…) ” deklaroi, ndër të tjera, Vuk Drašković-i për gazetën beogradase «Kurir».

Krahas publikimit të fakteve se Shtabi strategjik i Milošević-it kishte marrë vendimin për vrasjen e civilëve serbë dhe shqiptarë dhe publikimit të emrave të strukturës komanduese dhe operative të «eskadronit të vdekjes», ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Vuk Drašković-i, bëri publik edhe qëllimin e këtyre akteve kriminale. “Përmes një varg sulmesh terroriste të kryera nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së, do të arriheshin dy qëllime: UÇK-ja do të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dhe vrasja e civilëve të pafajshëm do t’u jepte zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë.” (Intervista e cituar)

Për të ilustruar me shembull konkret këtë strategji të dyfishtë të regjimit të Milosheviqit, Vuk Drashkoviqi theksoi se “në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me në krye Radomir Marković-in, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legija-s, më 14 dhjetor 1998 kreu masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë në kafenenë «Panda» në Pejë.” (Intervista e cituar).

Megjithatë, zbulimi i këtij rasti u bë falë gatishmërisë së ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviqit, që t’i ndriçojë vrasjet e kryera nga ky shërbim me shpresë se do të përfitojë në uljen e dënimit prej 40 vjet burg. Por, refuzimi i autoriteteve serbe që t’ia ulin dënimin Radomir Markoviqit ndikoi që ky kriminel, “në kërkesën për falje të dënimit që ia drejtoi Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolić-it, të kërcënojë se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.” (http://www.kurir-info.rs/rade-markovic-dao-nalog-da-se-ubiju-srpska-deca-u-peci-1998-clanak-1182597).

Radomir Markoviqit u arrestua më 24 shkurt 2001 si organizatorë dhe udhëheqës në vrasje të shumta me motive politike në periudhën janar 1998 – janar 2001. Që nga arrestimi i tij e deri më ditën e sotme të vitit 2016  janë vetëm 10 vrasje që Serbia përpiqet t’ia veshë UÇK-së. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës (në komunën e Zveçanit dhe atë të Leposaviqit) atje ku shqiptarët vështirë se mund të depërtojnë.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës asnjë institucion me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk morri iniciativë që Radomir Markoviqi të transferohet në një vend neutral, të merret në pyetje për të gjitha vrasjet që është në dijeni, që një herë e përgjithmonë të ndriçohen të gjitha vrasjet e civilëve që do ta çlironin Serbinë e shndërruar në “peng të kriminelëve që kanë kryer këto krime” (Intervista e cituar e Vuk Drashkoviqit).

Pa ndriçimin e plotë të asaj që mban të fshehur Shërbimi Sekret Serb lidhur me vrasjen e civilëve në Kosovë, ekziston rreziku që të painformuarit të biem pre e sajesave në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit. Rasti i Grackës së Vjetër hap shtegun e grackave të reja propagandistike.

Bardhyl Mahmuti

3 shtator 2016

Filed Under: Politike Tagged With: Bardhyl Mahmuti, GRACKA E RE E GRACKËS, SË VJETËR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 610
  • 611
  • 612
  • 613
  • 614
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT