• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

100 Vjetori i Lindjes- Vlerësohet Dr. Xhelal Mitrovica

September 14, 2016 by dgreca

*Dr. Xhelal Mitrovica, së bashku me disa intelektualë tjerë, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Tafil Boletini, Ymer Lutfiu, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Ferat Draga, Vehbi Frashëri, Ali Draga, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa e të tjerë, ndër të tjera  u angazhua me tërë qenien për organizimin e pushtetit lokal e administratën në gjuhën shqipe, për hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri-Novi Pzari i sotëm). Ishte shumë dinamik, prandaj përcillte dhe ndihmonte çdo aktivitet me karakter politik, kulturor, arsimor etj”…/

dsc_1211

dsc_1227

dsc_1191

Në Mitrovicë, nën patronazhin e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri dhe në prani të një numri të madh pjesëmarrësish, që kishin ardhur nga  e tërë Kosova, Shqipëria e Mali i Zi, është shënuar 100 vjetori i lindjes së atdhetarit të devotshëm, intelektualit të shquar dhe gazetarit rtë njohur, Dr Xhelal Mitrovica. Në tubim ishin edhe tri vajzat dhe djali i tij, që jetojnë në Kanada, Belgjikë, Shqipëri e gjetiu.

Pasi i përshëndeti të pranishmit në emër të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, i cili mungonte për shkak se ndodhet në udhëtim zyrtar jashtë, nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, falënderoi në mënyrë të veçantë pinjollët e atdhetarit dhe intelektualit Dr Xhelal Mitrovica që kishin ardhur nga shtete të ndryshme të botës në Mitrovicë, disa prej tyre për herë të parë, për të marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të lindjes së babit të tyre.

Ai në vazhdim tha se mitrovicasit, por edhe të gjithë shqiptarët duhet  të ndjehen krenarë që kanë  pas një personalitet të shquar, intelektual të jashtëzakonshëm, atdhetar të devotshëm, gazetar të shkëlqyeshëm, çfarë ishte Dr Xhelal Mitrovica.

“Dr. Xhelal Mitrovica, së bashku me disa intelektualë tjerë, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Tafil Boletini, Ymer Lutfiu, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Ferat Draga, Vehbi Frashëri, Ali Draga, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa e të tjerë, ndër të tjera  u angazhua me tërë qenien për organizimin e pushtetit lokal e administratën në gjuhën shqipe, për hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri-Novi Pzari i sotëm). Ishte shumë dinamik, prandaj përcillte dhe ndihmonte çdo aktivitet me karakter politik, kulturor, arsimor etj”, tha ndër të tjera nënkryetari Kamberi.

Ai i njoftoi pjesëmarrësit në tubim, se kryetari Bahtiri dhe komuna e Mitrovicës, duke pas parasysh faktin se Dr Xhelal Mitrovica vërtetë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare dhe lirinë e popullit shqiptar, e kanë vlerësuar lartë këtë kontribut. Komuna e ka emërtuar një rrugë me emrin e Dr Xhelal Mitrovicës, ndërsa kryetari Bahtiri i ka propozua Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të dekoroj me ndonjërin nga çmimet e Presidencës këtë atdhetar të devotshëm.

Iniciatori I shënimit të ëktij përvjetori të figurës së madhe Dr. Xhelal Mitrovica, profesor Fazli Hajrizi, kishte përgatitur nergut për këtë tubim një dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë e patriotit Mitrovica, duke e ilustruar me fotografi ët vjetra të kohës, disa nga të cilat u publikuan për herë të parë.

“Dr. Xhelal Mitrovica, thekson Zef Pashko Deda në shkrimin nekrologjik për të, botuar në vitin 1974, në jetën e tij u ba simbol dhe shprehje ma e gjallë e dinamike e mija të rijve kosovarë, të cilët, si të rij idealistë nuk dëshirojshin ma shumë se të mundeshin me folë e me shkrue si foli e shkroi ai gjatë gjithë jetës së tij, për të drejtat etnike, politike e kombëtare, gjithkah flitet gjuha shqipe. Çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i saj me nanën Shqipni qenë për Xhelal Mitrovicën si dy faqet e nji flamuri, të cilin ai kurrë nuk e hoqi nga zemra derisa vdiq më 10 nëntor 1974”, tha profesor Fazli Hajrizi.

Në vazhdim ai shtoi se Dr. Xhelal Mitrovica ishte njeri shumë dinamik dhe zhvillonte një aktivitet të shumanshëm. Sipas tij ai ishte njëri ndër anëtarët më të respektuar të organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” që u themelua në gusht të vitit 1941 në Mitrovicë.

Prof. Dr. Nexhemdin Spahiu, tha se Radio Televizioni i Mitrovicës që pas 6 ditësh mbush 17 vjetorin e themelimit,  ka nderin dhe privilegjin që si një nga organizatorët të identifikohet me figurën madhore të Dr. Xhelal Mitrovices, djali i Dervish Mitrovicës, i cili së bashku me Rexhep Mitrovicën shpallën pavarësinë e Shqipërisë më 28.11.1912, për të shtuar se ai po ashtu ishte djalë motre i Xhafer Devës, atdhetarit dhe vizionarit më të madh të kohës,  që parashikoi me kohë rrezikun nga partizanët komunistë.

“Tani kur Kosova po krijon identitetin e vet politik, apo më saktë atë kombëtar, ajo ka nevojë që ta pastroje pluhurin e harresës për figurat më të shquara të saj, të së  kaluarës, të cilët përbëjnë boshtin e këtij identiteti. Dr. Xhelal Mitrovica dhe baba i tij Dervish Mitrovica, si dhe daja i tij Xhafer Deva, janë shtylla kurrizore e identitetit të Kosovës. Këta, secili në fushën e vet, i dhanë Kosovës shndritjen më të madhe në histori, kurse Shqipërisë ia dhanë shkëlqimin e Kosovës”, tha ndë të tjera Spahiu.

Për veprimtarinë e suksesshme në gazetari të intelektualit Dr. Xhelal Mitrovica, foli gazetari Hysni Syla. Ai ndër të tjera tha se Xhelal Mitrovica ka lëruar me mjeshtri të gjitha gjinitë e publicistikës dhe ka ngritur probleme madhore që lidhen me çështjen tonë kombëtare: me kulturën, ekonominë, arsimin, politikën, historinë etj. Ai ishte njëri ndër intelektualët më të fuqishëm në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, ishte një emblemë e kësaj fushe, drejtues i disa gazetave.

Ndërkaq, në emër të familjes Mitrovica, ka folur vajza e madhe Lolita Mitrovica-Kupi. Sipas saj, pjesa më e madhe e nacionalistëve sot janë lënë në harresë ose ju është hedhur baltë prej të cilës ende nuk kanë dalë. Ajo ka bërë të ditur se e ka njohur Xhelalin si një bashkëshort dhe baba të dashur, të përkushtuar dhe të interesuar për zhvillimet shoqërore, intelektuale e njerëzore të Kombit shqiptar.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi ia dorëzoi zonjës Kupi mirënjohjen që ia dedikoi, pas vdekjes, kryetrai Bahtiri dhe Emblemën e Komunës së Mitrovicës.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Mitrovica, PËR CËSHTJEN KOMBËTARE?, vleresohet

Kosova në axhendën evropiane…Do të vazhdojë të ketë përkrahjen e BE-së

September 13, 2016 by dgreca

 

2-mustafa-apostolova-Shefja e re e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian (PPBE) në Kosovë, Natalia Apostolova: Që nga viti 1999, tre miliardë dollarë të asistencës së BE-së në Kosovë. Duam ta sjellim MSA-në më afër njerëzve, për këtë kemi krijuar një instrument të ri të quajtur Axhenda Evropiane e Reformës. Për liberalizimin e vizave, BE-ja është shumë e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është për Kosovën/

-Dimitris Avramopolous i ka deklaruar Minsitrit te Jashtem, kryediplomatit te Kosoves, z. Enver Hoxhaj, se beson që kilometri i fundit i Kosoves drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë/

PRISHTINË, 13 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Avancimi i rrugës evropiane të Kosovës është biseduar sot në një takim njoftues të kryeministrit Isa Mustafa me shefen e re të Zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e Bashkimit Evropian (PPBE) në Kosovë, Natalia Apostolova.

“Në takimin me kryeministrin e përsërita edhe një herë përcaktimin tonë të plotë që Kosova është lartë në axhendën evropiane dhe se Kosova do të vazhdojë të ketë përkrahjen e BE-së në rrugën e saj evropiane”, u shpreh ajo pas pritjes në kryeministri.

Apostolova tha se, Bashkimi Evropian është partneri, donatori dhe përkrahësi kryesor tregtar i Kosovës. “Që nga viti 1999 tashmë kemi shpenzuar 3 miliardë dollarë të asistencës së BE-së. Kemi krijuar vende pune, po e ndihmojmë ekonominë e vendit dhe po bëjmë gjithçka që qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë”, theksoi ajo.

Në të njëjtën kohë, vijoi Apostolova, i thashë kryeministrit se tash që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është nënshkruar, puna e vështirë fillon tani.

“Puna do të jetë shumë intensive. Bashkimi Evropian, Zyra e BE-së dhe PPBE do të ju qëndrojnë pranë për t’ju përkrahur në këtë rrugëtim shumë sfidues. I theksova kryeministrit që duam ta sjellim MSA-në më afër njerëzve. Për këtë ne kemi krijuar një instrument të ri të quajtur Axhenda Evropiane e Reformës. Shumë shpejtë do të kemi vizita në Kosovë nga Drejtori i Përgjithshëm Danielsson dhe Komisioneri Hahn për të shpjeguar iniciativat konkrete që rrjedhin nga kjo Axhendë e Reformave në mënyrë që të paraqesin idenë evropiane te qytetarët”, tha ajo.

Shefja e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së bëri të ditur se i ka thënë gjithashtu kryeministrit që janë të interesuar për zhvillimin e institucioneve në Kosovë dhe në këtë kontekst sidomos për shtyllën e qeverisjes së mirë.

“I kërkova kryeministrit të na njoftojë me masat konkrete që qeveria po ndërmerr në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, sepse kjo është diçka ku Kosova ka hapësirë për përmirësim. Ne jemi këtu për ta ndihmuar qeverinë në këtë përpjekje”, theksoi përfaqësuesja e BE-së.

Apostolova tha se në takim me kryeministrin Mustafa kanë folur edhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili është shumë i rëndësishëm. “Siç tha edhe kryeministri, ne jemi të interesuar shumë për intensifikimin e tij”, vijoi ajo.

Përfaqësuesja e BE-së tha se, u pajtuam me kryeministrin që të kemi takime të rregullta në mënyrë që zyrat tona të gjejnë mënyrat për të avancuar më tej axhendën evropiane të Kosovës.

“Për liberalizimin e vizave, theksova se BE-ja është shumë e vetëdijshme se sa i rëndësishëm është për Kosovën. Ne po punojmë shumë me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare për këtë çështje. Por, Kosova duhet gjithashtu të veprojë sa i përket demarkacionit të kufirit si dhe luftës kundër korrupsionit. Do të ndihmojmë kryeministrin dhe qeverinë në këtë përpjekje gjithashtu”, tha ajo.

Si PPBE, vijoi Apostolova, kam theksuar se të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve, shoqëria civile, të drejtat e grave dhe fëmijëve do të jenë prioriteti im. “Unë do të punoj ngushtë me kryeministrin dhe zyrën e tij në këto çështje, si dhe në luftën kundër terrorizmit i cili është një kërcënim për të gjithë ne”, tha përfaqësuesja e BE-së.

Apostolova në përfundim të fjalës e falënderoi shumë kryeministrin për këtë vizitë të parë duke u shprehur se pret që të kenë një bashkëpunim të dobishëm në të ardhmen.

Ndërsa, fillimisht tha se është e nderuar dhe me entuziazëm po e merrte detyrën e re si Shefe e Zyrës së BE-së dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.

“Po e them këtë duke e pasur në mendje përvojën time shtatë vjeçare në procesin negociator të vendit tim Bullgarisë me Bashkimin Evropian. Prandaj, ajo që i thashë kryeministrit është se e njoh shumë mirë se çfarë pune të vështirë keni para vetes por që unë jam shumë e gatshme të ju përkrah pa rezervë në këtë proces”, tha ajo.

Shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me kombësi bullgare, takimin e parë njohës e ka zhvilluar me presidentin Hashim Thaçi, një ditë pasi mori detyrën në 1 shtator, kur në të njëjtën datë kanë marrë pozitat tre krerë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë – edhe Shefja e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), grekja Alexandra Papadopoulou dhe komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Majori italian, Giovanni Fungo.

DEKLARATA E PLOTË E KRYEMINISTRIT ISA MUSTAFA:Pata nderin të pres në takim njoftues znj. Natalia Apostolova, e cila tash e tutje do të jetë Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, si dhe Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë.

I dëshirova mirëseardhje dhe suksese në detyrën e saj e cila ka rëndësi për avancimin e shumë proceseve për Kosovën në Bashkimin Evropian.

Duke  pasur parasysh përvojën shumë të pasur të znj. Apostolova në kuadër të Bashkimit Evropian në Bullgari, por edhe përfaqësimit të saj në vendet e tjera mbi 25 vjet, besoj se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer dhe rezultativ që e kemi pasur edhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të gjejë vendin e vet dhe të intensifikohen edhe më tutje marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit biseduam për proceset konkrete që kanë të bëjnë me avancimin e rrugës evropiane të Kosovës.

Biseduam për procesin e Stabilizim Asocimit,  proces i cili po tregohet i suksesshëm në Kosovë, por që dëshirojmë që edhe më tutje ta dinamizojmë dhe të implementojmë me sukses këtë marrëveshje.

Biseduam po ashtu për procesin e dialogut me Serbinë dhe përkushtimin e Kosovës për dialogun, por po ashtu theksova nevojën që Bashkimi Evropian të bëjë trysni mbi Serbinë, në mënyrë që të implementohen marrëveshjet e deritanishme të arritura, sepse ka zvarritje të këtyre marrëveshjeve, të cilat ndikojnë pastaj edhe në zvarritjen e proceseve europianizuese, për të cilat ne jemi të interesuar në mënyrë esenciale.

Biseduam po ashtu edhe për procesin e liberalizimit të vizave, si një proces shumë i rëndësishëm për ne. Theksova përkushtimin tonë që ne të përplotësojmë edhe kriterin e fundit, i cili ka mbetur, por po ashtu edhe falënderova për vendimin e LIBE-s, që me këtë të procedohet në Parlamentin Evropian, që është një besim për Kosovën, por po ashtu edhe për të gjithë atë që Kosova ka bërë deri më tani në plotësimin e të gjitha kritereve, të cilat kanë qenë shumë më shumë sesa kriteret që i kanë pasur vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian me të gjithë mekanizmat po përkrahë Kosovën, por ne po ashtu kërkojmë përkrahje edhe më të madhe rrugës integruese evropiane të Kosovës, pasi që konsideroj që Kosova dhe populli i saj meriton plotësisht një përkushtim më të madh që t’i bashkëngjitet familjes së madhe evropiane.

Ne jemi thellësisht të bindur se edhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Kosovën dhe për potencialin e saj progresiv, human, ekonomik, politik dhe aspekte të tjera, që e pasurojnë atë.

Ne do të punojmë me përkushtim me znj. Apostolova dhe të gjithë përfaqësuesit tjerë të Bashkimit Evropian që Bashkimi Evropian kërkon prej nesh, për anëtarësimin tonë sa më parë në Bashkimin Evropian

Konsiderojmë që integrimet euroatlantike janë aspiratë jona, vizion, përkushtim dhe synim i padiskutueshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj.

Faleminderit znj. Apostolova, të uroj mirëseardhje dhe sukses në Kosovë.

***

TAKIMI I KOMISIONERIT  PER MIGRACION DHE PUNE, Z. AVRAMOPOLOUS  ME MINISTRIN E JASHTEM

eh_avramopolous

-Në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, Komisioneri për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous, ka deklaruar se beson që kilometri i fundit drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë/

Strasburg, 13 shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar në Strasburg, Komisionerin për Migracion dhe Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopolous me të cilin ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.Në takim me Avramopolous, i cili është njëri prej mbështetësve kryesor të Kosovës në BE për heqjen e vizave, Hoxhaj e ka njoftuar me zhvillimet e brendshme dhe zotimin e Qeverisë së Kosovës për ti përmbushur obligimet e saj.Njëherësh, ministri Hoxhaj ka kërkuar edhe vendim pozitiv në javët që vijnë sapo të përmbushen këto kritere, thekson njoftimi i dërguar nga Strasburg.“Në takimin që kisha me Komisionerin Avramopolous dhe me shumë deputetë të tjerë të Parlamentit Evropian, kemi marrë një zotim të madhë dhe të plotë se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt Evropës në momentin kur i plotësojmë kriteret e fundit që kanë mbetur pa u plotësuar” ka thënë Hoxhaj.Nga ana e tij, Avramopolous ka deklaruar se beson që kilometri i fundit drejt Evropës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë.“Jam shumë i lumtur që e takoj sërish një mik të vjetër dhe të mirë, Enver Hoxhaj, ministrin e punëve të Jashtme të Kosovës. Ne zhvilluam një diskutim shumë të mirë, si gjithnjë. Edhe njëherë ritheksuam vullnetin tonë për të lëvizur përpara. E dini që në këto muajt e fundit, së bashku, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni kanë punuar për ti tejkaluar pengesat e fundit që nuk janë arritur ende në mënyrë që të arrijmë atë moment ku qyetetarët e Kosovës ti gëzojnë të drejtat dhe ti gjejnë dyert e hapura për të lëvizur pa viza në Evropë. Ashtu siç e kam theksuar gjatë vizitës sime të fundit në Prishtinë, ne jemi në kilometrin e fundit. Ju siguroj që ky kilometër nuk do të zgjasë edhe më”, ka thënë Avramopolous pas takimit me Hoxhajn.

Në margjina të punimeve vjeshtore të Parlamentit Evropian në Strasburg, Hoxhaj ka takuar ndaras edhe eurodeputeten, Ulrike Lunacek, raportuesin në hije për Kosovën nga grupi S&D, Antonio Panzeri, udhëheqësin e Delegacionit për Kosovë dhe BeH, Tonino Picula, Kryetarin e grupit S&D, Gianni Pittella së bashku me Tanja Fajon, raportuesin për Kosovën, David McAllister dhe bashkëudhëheqësin e Komitetit për Politikë të Jashtme të PE, Elmar Brok.

Në këto takime, ministri Hoxhaj i ka njoftuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, raportin mes Kosovës dhe BE-së, si dhe për dialogun Kosovë Serbi. Po ashtu, ka kërkuar mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave.Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Hoxhaj ka takuar Komisionierin Hahn, Shefen për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe takime në NATO./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Apostolova, kosova, Mustafa, në axhendën evropiane, perkrahje BE

NJË BANESË AFËR BANKKOS – it TË QEVERISË

September 12, 2016 by dgreca

Nga: Sinan KAMBERAJ/

Një fshatar nga Muçivërci, që kish ra mbas lufte në shehër, ka vendosë ta shesë një banesë katërdhomëshe në Prishtinë. “E shes banesën në qendër të Prishtinës, mbrapa Skënderbeut të Bukoshit, pra afër BANKKOS-it të Qeverisë”, thotë ai. Ai shton se banesën ia ka lanë për shfrytëzim djali i tezes, kur ka ikë drejt Evropës, nëpër Hungari, dukë shtuar se nuk do të kthehet deri sa Hasha e Isa f’i liberalizojnë vizat me Evropën. Shitësi thotë se “blerësi mundet ‘me fjetë dathë’, sepse ka punë veç me mu”. Ja në vazhdim njoftimi i plotë i shitësit: Banesa i ka 4 dhoma. E ka nji dhomë gjumi (me mundësi fjetjejr prej orës 4:00 të mëngjesit deri në 7:00, kur flen kojshia mbi banesë). Dhomat tjera i kam shndërru’, pa e pyet hiç ish-pronarin, dmth. ish – tezakun, në tri sallone pritjeje për mysafirë. * I lindur në një familje të varfër, por tepër bujare, e kam dijtë se ka me ardhë nji ditë kur kam me pritë mysafirë që vijnë për dert në Spitalin e QKUK-së, e ku s’ka me pasë dhoma të lira për akomodim të nafakëpremëve. Parashikimi im ka dalë i saktë, mbasiqë ka kohë që Ministria e Shëndetësisë, që dikur moti i kanë thanë serpçe “za zdravlje”, – që shqip dmth.: kundër zhugës, – Drejtoria ka bashku shumë dhoma të Spitalit, për me i shndërru në sallone – rezidenca për anëtarë të, tashmë, ish – Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që po e vuajnë ose do ta vuajnë burgun, për shkak se pop’llin e kanë “çliru'” prej s’largu, pra prej “Rognerit” të Tiranës, larg vijave të frontit. Ky veprim i Ministrisë ka bërë që të zvogëlohet shumë kapaciteti spitalor për t’i akomoduar dasmorët e dalldisun e të çallamitun me kallasha gjatë sezonit të dasmave kosovare. Sallonet janë të shtrume me qylyma kuqezi me shqiponja dykrenare – dhuratë nga VV (në këmbim të gazit lotësjellës, që i ka pas’ metë prej luftes nji kushërini). Muret e salloneve janë të stolisuna me çiftelia që i ka shpëtu Shtabi i Zonës së Dukagjinit, pa i djegë serbët gjatë luftês – dhuratë nga AAK. Ato janë të stolisuna edhe me kumona të lopëve që kanë cofë mbas lufte në Drenicë nga smundja e gungau’ – dhuratë nga PDK, – ato që kishin pasë fat me shpëtu pa i pre Shtabi i Zonës sē Drenicës, për nevoja të veta. Pastaj, muret janë të stolisuna edhe me defa të madhësive të ndryshme të katundeve të Ferizajt, që i kanë çky gratë në dasma mbas lufte, tu knu kangën “Jena gëzu, jena tranu tu fluturu”, kur pat bâ kUalicion Lë-Dë-Kë me Py-Dy-Ky në zgjedhjet parlamÊntare. Muret janë të veshuna, dyfish, me tulla të Fabrikës së Prishtinës, e falimentume nga AKP-ja, për shkak të konkurrencës me nji të ngjashme në Zonën Opreative të Llapit. Pastaj ka stoli të tjera, si rrotë bicikletash të vjetra, të kohës kur ka lujtë me to në Zhabar, kryetari i Ri i Py-Dy-Ky-së, Zotriu Veseli, pak para se me u ba Shef i SHIK-it , etj.. Ka edhe stoli metalike, si psh. fenerë të ish-Hekurudhave tu Kosovës, zinxhirë të ndalim-parkingjeve të Isës, që i pat ‘zavencu’ me kunxha Shpeni, pastaj llampa të moçme me gaz, që s’janë veç stoli. Ato përdoren kur na çkyq shefi I Operatorit të KEK-ut, me kryeshef (pa kUnkurs) tezakun e nipit të burrit të hallës së shefit të Shefave, Grabovçit, si dhe stoli të tjera. Në muret e sallonit tjetër ka të mbështetun hûj gardhi, që dikur I kanë përdorë si mjete konkretizimi “mësuesit” e Zonës Operative të Nerodimes, që, mbasi e kanë çliru popllin, e kanë çliru edhe Universitetin dhe instUtucionet tjera tê shtetit tonë të p-a-v-a-r-u-r dhe de-mo-kra-tik. Në sallone mund të xhirohen emisione me kangë patriotike, nga RTK, sa me ua hjekë dhimbjet e prostatës disa veteranëve të LDK-së, që u kanë mbetë vathët në cica, qyshkur kanë thithë, disa prej të cilëve janë tezeq e baxhaneq me veteranê të PDK-së. Në Këto Sallone, deri tash janë xhiru emisione me rapsodë tek: nji këngëtare ose nji këngëtar, ose çift: nji këngëtare me nji si-kangëtar, ose e kundërta. Salloni i tretë asht i pajisun me aparate mjekësore që m’i ka pas’ pru dhuratë gabimisht ni nip prej Suedie, për shkak se nuk e kishte kuptu’ porosinë e nji donatori zemërbardhë, kur asht nisë për Kosovë. Momentalisht në këtë sallon asht i shtrimë nji mysafir fatkeq, që e kishte nxanë nata në Lagjen e Spitalit, i cili, tu mos dijtë ku me bujtë, hyn në QKUK. I lodhun, qysh kish qëllu , ia kish futē gjumë në nji dhomë në Pavionin e Kirurgjisë, tu’ menu’ se ndonji pasanik e ka lanë çelë derën e Kullës për mysafirë. “Mysafiri” kishte përfundu në zyrat e Policisë në Lagjen e Trimave, zonê zgjedhore e Ismet Ebu Bekirit. Mbasi kish bâ be e rrëfe se nuk kishte shku me vjedhë në spital, por me fjetë nji natë, sepse, – siç kishte thanë, – atU, pra në Spital, nuk kish mâ kush çka me vjedhë, përveç shiringave të ndryshkun dhe ndonji skalperi që e përdorin motrat me pre suxhuk. Mbas deklEratës, nji rreshter ia kish dhânë nji shkelm bythëve dhe një pusullë për antibiotik. Unë e kam vendosë në sallon përkohësisht, shumë të traumatizuem, – mbasiqë s’ka kush që ia heq dyshimin se në spital, kur ka qenë n’gjumë, e kanë ba synet, për të dytën herë në jetë, me ‘udhëzim’ të Dr. Mulla Krasiqit, një javë para Bajramit, për shkak të nji inati të vjetër. Ky Mullai që po flet gati çdo natë për gra në TV, kur ka qenë i vogël tu lu’jtë guxhaz, me fëmijë, me nder jush, e paska pasë dhi Abetaren në faqe 37 te germa U – e madhe e shtypit, u – e vogël e shtypit, “Ujku ra ndër dele”. Dhe, ‘musafiri i Spitalit’, e paska pasë tregu këtë ngjarje në nji dasmë. Dr. Mullai, e ka mohu’ këtë, por prej atëherë i ka mbetë “ves” me rrejtë. Fatkeqi i Lagjes sê Spitalit ka me banu nê Sallonin tim, deri sa të vjen kysmeti me e shitê banesën. Shitësi thotë se ka qef me e shitë banesën pa ardhë tezaku i tij prej ‘jashti’ dhe shton se për çmim, merremi vesh lehtë. Emnin e shitësit e ka Agjencia e Patundshmërive “PALLATE, KULLOSA e GURËTHYES”

Filed Under: Politike Tagged With: AFËR BANKKOS - it, NJË BANESË, Sinan Kamberaj, te qeverise

Mbështetje e fuqishme e BE-së për Kosovën

September 12, 2016 by dgreca

-Hoxhaj në Bruksel takon Mogherinin, më shumë presion ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën/

eh_mogherini_1

Bruksel, 12 shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur një vizitë dy ditore në Bruksel dhe Strasburg ku do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të institucioneve të BE-së dhe Këshillit të Evropës.

Njoftimi dërguar nga Brukseli thekson se, takimin e parë ministri Hoxhaj e ka zhvilluar me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, sfidat rajonale, liberalizimin e vizave dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.Hoxhaj ka thënë të ketë marrë mbështetje të fuqishme politike të BE-së për Kosovën, institucionet e saj dhe zhvillimin e dialogut me Serbinë. Por, sipas tij, BE-ja duhet të bëj presion në Serbinë që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura dhe të kushtëzojë progresin e mundshëm të saj në rrugën evropiane me njohjen e Kosovës.

“Zhvillova një takim shumë të mirë dhe përmbajtësor me Shefen e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së, Federica Mogherini. Diskutuam për shumë çështje të zhvillimeve politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe raportet mes Kosovës dhe BE-së pas nënshkrimit të MSA-së. Theksova nevojën për më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzim në rrugën e saj evropiane nëse vazhdon të ketë qasje bllokuese ndaj Kosovës. Pa një afatizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve, vështirë të flasim për progres dhe normalizim të mirëfilltë”,  ka thënë Hoxhaj.

Po ashtu, temë diskutimi ka qenë edhe çështja e votimit të demarkacionit me Malin e Zi, për çka është shprehur gatishmëria dhe vullneti i plotë që ka Qeveria e Kosovës për ta shtyrë sa më parë këtë.

Hoxhaj pritet të takohet edhe me Komisionerin Johannes Hahn, Komisionerin për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, Zëvendësekretarin e Përgjithshëm e të NATO-s dhe shumë eurodeputetë./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: BE mbeshtet Kosoven, Enver Hoxhaj, Frederica Mogherini

Kosova, përherë përkrah SHBA-së

September 11, 2016 by dgreca

 

1-kosova-amerik-Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet/

*PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN/

*KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT/

PRISHTINË, 11 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot në Prishtinë, në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, u mbajt Akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KRYEPARLAMENTARI VESELI: KRENARË PËRKRAH SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Kryeparlamentari Veseli tha gjatë fjalës së tij se 15 vite më parë bota pa me sy dhe ndjeu me zemër një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore – sulmin e pashembullt terrorist mbi kullat binjake në New York.

“Atë ditë, anë e kënd botës, u tronditën zemrat njerëzve nga të gjitha kombet e racat, kulturat dhe religjionet. U tronditën zemrat e njerëzve që besojnë në lirinë njerëzore, në të drejtat e njeriut, në demokracinë dhe paqen mes popujve. Janë këto

vlera supreme, të cilat, sot, tek Shtetete Bashkuara të Amerikës gjejnë garantuesin kryesor”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kreu i legjislativit theksoi se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen krenarë që janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër terrorizmit.“Ne ndihemi krenarë se liria jonë, shteti ynë i pavarur dhe sovran, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne ndihemi krenarë duke qenë populli më proamerikan në botë. Kjo nuk është as oportunizëm, as servilizëm. Përkundrazi, është mirënjohje morale për përkrahjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë popullit tonë në momentet më të rënda të tij”, tha Veseli.Kryetari Veseli po ashtu tha se qytetarët dhe institucionet kosovare asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë dilema rreth partneritetit me SHBA-të.“Zërat individualë që vënë dyshime mbi këtë partneritet, e që lansojnë ide të mjera  për aleanca të reja, janë zëra kundër Kosovës dhe të adhmes së saj. Ne nuk mund  t’i definojmë interesat tona nacionale strategjike duke mbyllur veshët apo injoruar qëndrimin amerikan mbi zhvillimet në vendin tonë”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli tha në ceremoni se miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet.

PRESIDENTI THAÇI: NE JEMI PRANË POPULLIT MIK AMERIKAN

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në ‘facebook’: Në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ne jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.Po ashtu, shprehim respektin tonë për fuqinë e madhe shpirtërore të këtij kombi madhështor, i cili e përballoi këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar terrorizmin.Ato akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror.

Në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, gjë që tregon se terrorizmi na kërcënon të gjithë e nuk njeh fe, racë apo komb. Prandaj, kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.

KRYEMINISTRI MUSTAFA PËRKUJTOI VIKTIMAT E SULMEVE TERRORISTE TË 11 SHTATORIT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 15-të, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, të cilat morën jetën e mijëra njerëzve dhe shkaktuan pasoja të tjera të mëdha.

Kryeministri Mustafa tha se më 11 shtator 2001 në Nju Jork, në objektin e Pentagonit dhe në Pensilvani, u sulmua bota demokratike dhe vlerat më kulmore të saj.

“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës ishin cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por, koha po e dëshmon se bota demokratike në krye me SHBA-të, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale. SHBA-të, populli i saj dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri.

Duke shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjithë viktimat e 11 shtatorit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Mustafa, perkrah SHBA, Thaci, Veseli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 612
  • 613
  • 614
  • 615
  • 616
  • …
  • 670
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT