• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndodhi Sot-Basha: Ngërçi për Reformën u kapërcye

July 20, 2016 by dgreca

Kryetari i opozitës njoftoi arritjen e një zgjidhjeje për rolin e ekspertëve ndërkombëtarë: Do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja do të jetë në duart e palës shqiptare…

Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi sot se pas ndërhyrjeve të Komisionerit për Zgjerimin Johannes Hahn është arritur mirëkuptimi dhe për aspektet e mbetura pezull për Reformën në Drejtësi. “Eshtë rënë dakort se roli i Misionit Ndërkombëtar do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja do të jetë në duart e palës shqiptare dhe kjo do mishërohet në kushtetutë. Nuk do përjashtohet asnjë qytetar nga konkurrimi mbi bazën e hamendësimeve por vetëm i provave”, deklaroi zoti Basha duke shtuar se “PD është e gatshme që nesër të bashkojë votat për draftin kushtetues”. Kreu i opozitës foli për “një betejë që ja vlejti”, pasi tani siç u shpreh ai “drafti mishëron e reflekton plotësisht rekomandimet e Venecias dhe është i bazuar në propozimin e zonjës Nuland”.

Filed Under: Komente, Politike Tagged With: Basha: Ngërçi për Reformën, u kapërcye

ÇFARË THONË TRE AKTORËT KRYESORË PËR 21 KORRIKUN ?

July 19, 2016 by dgreca

Reforma e drejtësisë; flasin Rama, Basha dhe Meta/

Kyeministri Edi Rama i bëri sot thirrje opozitës që t’i qëndrojë propozimit të ambasadores Nuland mbi reformimin e drejtësisë si e vetmja mundësi për kompromis në 21 korrik.

Zoti Rama tha se deri pas mesnate u bë një progres i mirë në disa aspekte teknike mes ekspertëve, por vija e kuqe e SHBA-ve rezultoi e pakapërcyeshme, dhe se propozimi i PD-së është për të hequr ONM-në (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ).

“Jemi përballë një zgjedhje të qartë: ose të votojmë, si duan shqiptarët, për të shpëtuar nga gjyqtarët e korruptuar, ose të votojmë që këta të vazhdojnë të mbajnë peng sistemin gjyqësor.

Ose të ulemi në tryezën e BE-së, ose të turpërohemi duke dalë kundër SHBA dhe Europianë, duke refuzuar ndihmën e tyre për të fshirë papastërtitë e drejtësisë tonë” – tha zoti Rama.

Ai tha se opozitës iu plotësua çdo kërkesë e negociueshme dhe ajo ka arritur shumë, por nuk ia plotësojmë dot kërkesën për të dalë kundër SHBA dhe BE, sepse këta janë garancia e fshesës së hekurt kundër të korruptuarve.

“Jam gati deri në orën 10 të enjten, por kemi arritur deri në një bllokim absurd. Kjo nuk është reforma ime, nuk është reforma e një partie. Të bashkojmë të dy koalicionet dhe të ngremë duart lart me kartonin jeshil dhe të miratojmë reformën në drejtësi” – tha zoti Rama.

Ai zhvilloi sot një takim me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Ndëkohë kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi një takim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, pjesëtar i koalicionit qeveritar, njëkohësisht kryetar i parlamentit.

Zoti Basha tha se kryeministri Rama po bën një përpjekje ogurzezë për të shkatërruar konsensusin. “Rama nuk dëshiron të lejojë PD-në të bashkojë votat në një proces konsensual. Dolën petët e lakrorit, kush e do konsensusin dhe kush do ta sabotojë atë” – tha zoti Basha.

Ai tha se ishte i gatshëm t’i drejtohej Brukselit për të shpartalluar “komplotin e kryeministrit” ndaj reformës në drejtësi.

“PD ka votat gati për të votuar në parim draftin, dhe dy çështjet e rikthyera në tryezë, nëse nuk zgjidhen dot, do ta zgjidhim në Bruksel bashkë me Metën për të shpartalluar komplotin e Edi Ramës”, tha ai.

Ndërsa zoti Meta shprehu optimizmin se korrupsioni nuk luftohet me korrupsion dhe krim të organizuar.

“Nuk mund të bëhet reforma në mënyrë jo shumë transparente dhe si telefon i prishur. Politika armiqësore dhe përjashtuese nuk e ndihmon drejtësinë. Shqiptarët duhet të dalin të bashkuar pas së enjtes, me besim se Shqipëria do të hedhë një hap madhor.”, – tha ai.( sipas Zerit te Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Basha dhe Meta, Reforma e drejtësisë; flasin Rama

REFORMA NE DREJTESI, TAKIM TRESH: RAMA, BASHA, META

July 18, 2016 by dgreca

Bisedimet trepalëshe, Basha: “është rënë dakort për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Rama: Konsensus janë dhe dy të tretat e votave në parlament/

Në Shqipëri palët politike duket se po bëjnë një përpjekje të fundit në kërkim të një marrëveshjeje për Reformën në Drejtësi. Në përfundim të takimit të sotëm mes kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, i cili zgjati pak më shumë se 100 minuta, palët kanë vendosur të rinisin bisedimet. Zoti Basha njoftoi se është rënë dakort që “secili të angazhojë nga një përfaqësues për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias”. Sipas kryetarit të opozitës Basha kjo është “një mundësi për të përmbyllur me sukses reformën”.

Pak më vonë, duke folur për Reformën në Drejtësi, kryeministri Edi Rama nuk shfaqi ndonjë shenjë optimizmi mbi takimin e sotëm. “Edhe një herë sot kam bërë të qartë që ne pranojmë çdo propozim dhe cdo zgjidhje që ofron PD, me kusht që zgjidhja në fjalë të konsiderohet zgjidhje dhe jo zgjedhë mbi sistemin e drejtësisë, nga partnerët tanë”, deklaroi zoti Rama. Ai shtoi se “ne nuk mund t’i lejojmë vetes për asnjë arsye, për asnjë interes të natyrshëm legjitim, politik, partiak apo numerik që të pranojmë në heshtje pengmarrjen e vendit tonë dhe që në heshtje të shohim se si Shqipëria në vend që të çelë dyert e BE jo vetëm ta humb këtë mundësi por të damkoset si vendi që nuk pati kurajon për shkak të përfaqësuesve në parlament të kalojë Reformën në Drejtësi dhe refuzoi përfshirjen e partnerëve tanë në procesin e pastrimit të sistemit nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”.

Pavarësisht se uroi që më 21 korrik Reforma të kalojë me konsensus, zoti Rama nuk duket se ka shumë shpresë për këtë, por se Reforma do të mund të votohet “me konsensus apo pa konsensus. Kushtetuta ka një konsensus, me dy të tretat”, theksoi ai si një përgjigje që tingëllon t’i drejtohet edhe aleatit të vet LSI-së, drejtuesi i së cilës, Ilir Meta deklaroi një ditë më parë se “miratimi i Reformës në mënyrë të diskutueshme, jo plotësisht legjitime dhe me integritet, mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë ajo e forcimit të institucioneve dhe të shtetit ligjor”.

Në pamje të parë duket se opozita ka bërë një hap të lehtë pas, duke pranuar që bisedimet të mbështeten te propozimi i bërë nga Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, më 10 korrik në Tiranë, ndonëse zoti Basha përsëriti se “ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid tërësisht brenda paramatrave të Komisionit të Venecias është dëshmia e përkushtimit dhe sinqeritetit të PD”. Praktikisht zoti Basha nënvizon se sipas tij propozimi hibrid nuk është në përputhje me rekomandimet e Venecias, ndërkohë që si ambasadori amerikan Donald Lu dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian Romana Vlahutin, por edhe vetë zonja Nuland, mbështesin të kundërtën.

Gjatë paradites, në përgjigje të ftesës së djeshme të zotit Meta për takimin e sotëm, zoti Basha kishte deklaruar se “PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjesisë politike, bashkëpunimit dhe parneritetit strategjik”, saktësonte zoti Basha, në deklaratën e cila niste me përkrahjen e idesë tjetër të zotit Meta për një qeveri teknike pas miratimit të Reformës në Drejtësi.

Por kjo përgjigje e tij nuk është mirëpritur nga ambasadori amerikan Lu dhe kreu i Delegacionit të BE-së Vlahutin të cilët dje kishin deklaruar se ishin të gatshëm të përfshiheshin në bisedimet të cilat duhet të kishin si bazë propozimin hibrid të zonjës Nuland. Në një deklaratë të përbashkët, ambasadorët Lu dhe Vlahutin shpjeguan se kishin informuar kryetarin e Parlamentit Meta se “pas deklaratës së zotit Basha, nuk e kanë të mundur të marrin pjesë në negociatat e parashikuara për 18 korrik. Zoti Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi propozimin hibrid që ai diskutoi me Ambasadoren Nuland më 10 korrik”, nënvizohej në deklaratë, duke shtuar se “nëse zoti Basha e rideklaron angazhimin e tij të mëparshëm për të negociuar ekskluzivisht mbi bazën e propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’u bashkohen këtyre diskutimeve”.(VOA)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Basha, Meta, Reforma ne Drejtesi, TAKIM TRESH: RAMA

A PO IKEN QEVERIA RAMA-META ?

July 17, 2016 by dgreca

*Propozim surprizë i Kryeparlamentarit Ilir Meta: Më 21 korrik të miratojmë reformën me konsensus. Më pas qeveri teknike dhe zgjedhje/

*Ambasadori Lu dhe Ambasadorja Romana Vlahutin pranojne ftesen e Ilir Metes per te Henen/

Sot, në orën 12: 15 Kryetari i Kuvendit Ilir Meta doli në një deklaratë për median duke kërkuar domosdoshmërisht miratimin me konsensus të reformës në drejtësi më 21 korrik. Më pas shpërndarjen e Kuvendit, ngritjen e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.

Zoti Meta i cili mban dhe postin e kreut të LSI-së tha se vendi rrezikon të kthehet në një burim destabiliteti nëse nuk miratohet me konsensus reforma në drejtësi.  “Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni” 

Meta: Absolutisht miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.

Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi të jap dorëheqjen nga ky moment nga kryetar i parlamentit nëse i shërben kompromisit. Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrën që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese të egër e të papranueshme”

Meta: Ky është një parlament që ka probleme 

“Dekriminalizimi është një proces që i ka kushtuar shumë imazhit të vendit tonë për shkak të atyre që futën nëpër lista njerëz që nuk kontrollojnë vendin në Kuvendin e Shqipërisë dhe për shkak të një retorike të papërgjegjshme. Të mos harrojmë se disa deputetë kanë humbur mandatet, disa të tjerë kanë procese gjyqësore të tjerë mund të preken në të ardhmen, përfshi dhe Ilir Metës a Petrit Vasilit, dhe ne nuk mund ti lëmë një njollë Shqipërisë që Kushtetuta u bë me 94 apo me 95 vota, u bë me votën e këtij deputeti që ka këtë proces gjyqësor apo atë proces tjetër me drejtësinë. Ky është momenti i së vërtetës. Secili prej nesh të marrë përgjegjësinë. Nuk është më tani, nuk duan ata 2 të mëdhenjtë, nuk është më kjo zgjidhje. Absolutisht. Nuk është momenti për tu përgatitur se po kaloi mirë, po skaloi do të bëjë njëri mocion mosbesimi, tjetri mociobesimi e kështu. Kështu do bëhet Kushtetuta e Shqipërisë? Ky është një turp i madh për të gjithë ne, dhe e vetmja mënyrë për ta shlyer këtë turp, që nga dekriminalizimi që nga çdo tjetër, korrupsioni, ndikimi politik tek drejtësia është kjo: Të mbyllemi të pestë që jemi marrë më shumë këtu në parlamentin e Shqipërisë e të japim një zgjidhje përndryshe secili nga ne të iki nuk ka punë as me politikën as me diplomacinë. Eksperimente me të ardhmen e shqiptarëve nuk pranoj ta bëjë askush”     

Meta: Pas miratimit të reformës parlamenti të shpërndahet 

“Opozita është e Shqipërisë është garanci për Shqipëri. Ajo që i takon opozitës duhet ta marrë. Ftoj të bëjmë këtë veprim të japim një zgjidhje se lamë nam me dekriminalizimin. Nuk ngeli njeri në botë pa e marrë vesh a thuajse në parlamentin e Shqipërisë ka vetëm kriminelë. Ky do të ishte momenti më i rëndësishëm për këtë parlament që të mbahet mend për mirë, votoi reformën në drejtësi dhe u shpërnda dhe më pas kemi mundësi të gjithë kryetarët të shohim listat dhe të respektojmë kriteret e dekriminalizimit“

Meta: Miratimi i reformes i vetmi moment dinjitoz i parlamentit 

“Ky parlament vetëm këtë moment dinjitoz mund të ketë, të miratojë reformën në drejtësi dhe të shkojë në zgjedhje të reja dhe dinjitetin e drejtësisë së ardhshme që duhet të prodhojë garanci dhe siguri jo vetëm për sistemin demokratik por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Nuk bëjmë reformë për politikanët, për politikanët kemi prokurori dhe gjykata speciale që do i bëjmë më pas. Është më shumë se kaq.  Kemi të bëjmë me të ardhmen e Shqipërisë për 30 vjet.”

Ngujohemi ne Kuvend per zgjidhje: Une- Rama-Basha-Lu dhe Vlahutin

Meta propozon një takim të përbashkët në Kuvend ku të jetë ai, Basha, Rama dhe ambasadori Lu e Vlahutin.  “Nëse ne të pestë nuk gjejmë zgjidhje, secili të ikë. Të mos dalim nga Kuvendi e të mbyllemi përgjithmonë këtu”

Ilir Meta: “Propozimi im është ky: Të takohemi të pestë. Unë si krytar parlamenti, dy kryetarët e forca kryesore politike që kanë përgjegjësi para popullit. Dy ambasadorët e nderuar nëse kanë propozime të tjera janë të mirëpritur. Dhe të mos dalim e të mbyllemi përgjithmonë këtu nëse nuk japim zgjidhje dhe nuk votojmë ndryshimet kyushtetuese të enjten në orën 10:00. Seopse të gjithë kemi premtuar këtë gjë dhe të gjithë duhet të sakrifikojnë këtë gjë. Dhe për ti hequr kujtdo çdo lloj meraku”

Reforma ka rrezik te asfiksohet

Meta: ” Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra se si ka filluar historia e reformës në drejtësi. Këtë ua kam bërë të ditur të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtar. Ja ku jemi, reforma që duhet të kalonte në pranverë ka rrezik të asfiksohet nga stina e vapës. Përpjekjet për të shpikur fajtor për mosgjetjen e konsensusit duhet të marrë fund. 

“Edhe mua si Lu mu sos durimi” thotë Meta

“Shoh rrezikun serioz të dështimit të saj dhe maxhoranca aktuale nuk i ka këto vota, por dhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin e opozitës them me bindje të plotë se nëse mosmiratimi është hap prapa, miratimi në mënyrë të diskutueshme mund të hapë një situatë krejt të re për vendin e cila nuk do të jetë apo e forcimit të shtetit ligjor por përkundrazi mund të çelë një kapitull afatgjatë të mungesës së stabilitetit në vend. Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni. Miratimi pa konsensus rrezikon të kthehet në një burim destabiliteti.

Meta e quajti situatë kritike dhe kjo është përpjekja e tij e fundit për miratimin e reformës

Meta:  Ia kam thënë dhe Ramës dhe Bashës, që ia kam dhënë fjalën ndihmës sekretarit të shtetit se do të bëj çdo gjë për të kaluar reforma me konsensus dhe sipas Venecias dhe ai më ka kërkuar të bëj çdo përpjekje. Kjo është përpjekja ime e fundit. 

Jam pak pa gjumë sepse vërtet kam menduar këto ditë se kjo është një situatë kritike sesi vendi për teka ka rrëshqitur për hiçgjë në kaos dhe destabilitet, dhe ne të majtëve na takon të jemi shumë të përgjegjshëm”

Meta: Reforma me konsensus, Shqipëria nuk duhet të ketë viktima pas 21 korrikut

Kam dëgjuar lloj historish, që kjo reformë bëhet për të futur në burg Sali Berishën dhe Ilir Metën, pse si keni dëgjuar ju këto?! Që Ilir Metës nuk i japin viza amerikanët, e shumë të tjera… E bëj unë burgun për të gjithë politikanët shqiptarë absolutisht dhe ku të kenë dëshirë dhe partnerët tanë, në Ëashington, në Alaskë apo Bruksel por nuk është kjo zgjidhja për Shqipërinë. Shqipëria nuk duhet të ketë sherr, viktima pas 21 korrikut. E dini ju që Ilir Metës i bënë gjoja dhe një skandal ta mbanin peng përmes një përgjimi dhe e dini si u orkestrua cdo gjë. Por Ilir Meta është një politikan i përgjegjshëm nuk është nga ata që bën presione as mbi prokurorinë dhe as mbi gjykatat. Sepse më ka kalitur Sali Berisha me drejtësinë që në mars, në verën e vitit 1993 kur isha i pari deputet i opozitës në atë kohë që më hoqi imunitetin dhe donte të më fuste në burg dhe më thërrisnin prokurorët, ik ti se do të të arrestojmë javën tjetër, dhe unë u thosha pse ta vonojmë një javë, çfarë problemi ka, kush ka frikë nga burgu. Po pse burgu politik do të trembë politikanët shqiptarë?! Kjo është për Shqipërinë për ti forcuar institucionet dhe jo personalizuar ata. Cfarë do të bëjmë eksperimente. Këtu votat e LSI-së janë por këtu kemi problemin e konsensusit, legjitimitetit, integritetit dhe të bëhet një proces demokratik.

Duket se Qeveria Rama eshte ne renie te lire…

***

Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta për të zhvilluar një takim për gjetjen e kompromisit për reformën në drejtësi.

Ambasadorja Romana Vlahutin ka informuar kryeparlamentarin Meta se pranon ftesën për t’u bashkuar në diskutime gjatë ditës së hënë. Vlen për t’u theksuar se në deklaratën e BE-së thuhet se i gjithë pushteti vendimmarrës tek Vetingu duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.

Ndërkohë, edhe ambasadori Donald Lu tha se pranon ftesën e kryeparlamentarit Meta për të diskutuar, siç thekson si për diskutimin e propozimit hibdrit për reformën në drejtësi.

Reagimi i ambasadës së SHBA: Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit Z. Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS.

Deklarata e plotë e ambasadës së BE-së: Ambasadorja e Bashkimit Evropian e informoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, në rast se të gjitha partitë bien dakord, me mirëkuptimin se këto diskutime do të bazohen tek propozimi hibrid.

Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarres duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.

Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën nënë drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE.

Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të japim asistencën tonë me anën e po ketij roli edhe në të ardhmen. Megjithatë, është e qartë që përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Meta, miratim reformen, qeveri teknike em pas, zgjedhje te reja

Rama e Basha replikojnë në Fb, kreu i PD kërkon rikthimin e negociatave

July 16, 2016 by dgreca

Rama letër Bashës: Reflekto, koha nuk pret! Reagon kreu i PD: Sill negociatorët/

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një letër publike kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për të gjetur një dakordësi lidhur me reformën në drejtësi.

Letra e Ramës drejtuar kreut të opozitës vjen një ditë pasi ambasadori amerikan Donald Lu i kërkoi publikisht dy liderëve që të takohen ditën e hënë dhe të gjejnë zgjidhje për reformën.

Në letrën e tij Rama i thotë Bashës se koha nuk pret më dhe se sfida që kanë para është historike.

Më poshtë letra e plotë e Ramës.

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike,

I dashur Lulëzim,

Dje ambasadori Lu bëri propozimin e çuditshëm që Ju dhe unë të mbyllemi përjetë në një dhomë(!), për të prodhuar zgjidhjen e shumëpritur nga populli shqiptar e nga miqtë e mëdhenj të këtij vendi dhe aq të domosdoshme për të çelur rrugën e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një propozim i tillë e shpreh qartë, përmasën e pazakonshme të frustrimit të aleatit tonë strategjik, SHBA, në kushtet e ngërçit ku ndodhet procesi, teksa ora e të vërtetës po afron. Por po ashtu, ky propozim nxjerr në pah më shumë se njëqind deklarata zyrtare, se çfarë rëndësie madhore ka për Shtetet e Bashkuara, kjo reformë në drejtësi në një vend aleat si Shqipëria; ku askush nuk do të donte të përballej nesër me regresin shqetësues që mosvotimi i reformës do të sillte në disa plane themelore.

Më anë tjetër, i dërguari i qeverisë gjermane, foli dje me një qartësi krejt “jodiplomatike”, jo vetëm për peshën e madhe që Gjermania i jep Reformës në Drejtësi për vlerësimin e mëtejshëm të Shqipërisë, po edhe për frustrimin e partnerit tonë të madh europian, përballë shfaqjes së dhënë deri më tash nga opozita. Eksperienca ime po besoj edhe e Juaja, nuk e njeh një rast të ngjashëm, kur një diplomat, i ardhur posaçërisht për një çështje politike në Tiranë, të flasë në emër të një qeverie (e të kujt qeverie se!) dhe të kritikojë pa asnjë rezervë opozitën.

I sjell këto në vëmendjen Tuaj për t’Ju bërë një thirrje të sinqertë, publike, për një reflektim shumë serioz në kuptimin më të mirë të fjalës.

Nuk do të ndodhte kurrë që bota demokratike të shënjestronte opozitën këtu, në vendin tonë të vogël, përmes zërave më autoritarë të saj, nëse rëndësia e Reformës në Drejtësi nuk do të ishte e jashtëzakonshme dhe jo vetëm për Shqipërinë në vetvete, po edhe për Shqipërinë si një vend aktualisht joproblematik i Ballkanit Perëndimor. S’ka hije dyshimi për mua, se ky angazhim i paprecedent i partnerëve tanë në këtë proces, është edhe një çështje e forcimit të mëtejshëm të ligjshmërisë në Shqipëri, si një element që rrit qendrueshmërinë demokratike të shtetit tonë në funksion të rritjes së sigurisë së vendit e të vetë rajonit ku jetojmë.

Duket qartë që rrjedha e deritanishme e procesit po i bie ndesh, në një formë haptazi të papranueshme për ta, jo thjesht dëshirës së partnerëve tanë më të mëdhenj, për ta parë Shqipërinë të hedhë me kurajo një hap kaq të rëndësishëm përpara, po edhe objektivit të tyre për ta nxitur më tutje procesin e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në, përmes çeljes së negociatave me Shqipërinë. Këtë të fundit e ka konfirmuar si vullnet të plotë dhe më shumë se në një rast, vetë kancelarja gjermane me të cilën biseduam gjerë e gjatë për perspektivën e Shqipërisë, edhe pak ditë më parë në Varshavë.

Çka rrezikojmë të humbasim në shumë drejtime si vend dhe si popull, nëse nuk e kalojmë Reformën në Drejtësi, është vërtet jashtëzakonisht shumë! Dhe nxjerrja si pengesë e fundit për votimin e reformës, e shkeljes së sovranitetit tonë kushtetues për shkak të mënyrës së përfshirjes së ndërkombëtareve në procesin e vetingut, është vërtet e tepërt dhe plotësisht vetëndëshkuese; jo thjesht e vetëm për Partinë Demokratike, po për të gjithë pa përjashtim dhe për Shqipërinë në radhë të parë.

Ne nuk duhet ta lejojmë kurrësesi që Shqipëria të turpërohet botërisht, si vendi ku Kuvendi nuk kaloi reformën në drejtësi sepse deputetët nuk donin përfshirjen reale të partnerëve të vendit tonë, në procesin e pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar! Kjo është një nga ato njolla që nuk hiqen për një kohë shumë të gjatë ndërkombëtarisht dhe që kushtëzojnë cilësinë e marrëdhënieve më të rëndësishme ndërkombëtare të vendit.

Si mund t’ia bëjmë ne këtë vendit tonë, njerëzve tanë, fëmijëve të këtij vendi?!

Duke Ju uruar gëzuar ditëlindjen e vajzës Suaj, dua të nënvizoj këtu në fund, se jam gati të mbështes pa asnjë vërejtje, çdo propozim që Ju do të bëni, për ta kaluar me sukses këtë reformë jetike e për ta shpëtuar vendin nga njollosja e pashmangshme dhe rreziku real i regresit demokratik në rast dështimi. Natyrisht, çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE. E ndërkohë që propozimin Tuaj të fundit ata e kanë rrëzuar edhe publikisht, mbetem me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv nga ana Juaj.

 Koha nuk pret, sfida është historike.

Shumë sinqerisht,

Edi Rama

***

PERGJIGJA E LULZIM BASHES

Kreu i PD-së, Lulzim Basha i është përgjigjur menjëherë letrës së kryeministrit Rama.  Përmes një reagimi të shkurtër, Basha i thotë Ramës të lërë mënjanë akrobacitë politike dhe të autorizojë negociatorët e PS-së t’i rikthehen negociatave për zgjidhje. Basha shprehet nëse do të takohet apo jo të hënën me Ramën:

“Zoti Rama, leri letrat e hapura dhe shfaqjet publike. Reforma ne drejtesi kerkon seriozitet dhe impenjim, jo tallje e as manovra politike. Propozimi yne bazohet 100% tek rekomandimet e Venecias te cilat PD dhe PS i kane pranuar si udherrefyesin e vetem. Autorizo negociatoret e PS ti rikthehen negociatave per zgjidhje. Negociatoret e PD jane, sic e dini, te gatshem qe sot”, shkruan Basha.

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama dhe Lulzim Basha, Reforma e Drejtesise, replika e Letra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 618
  • 619
  • 620
  • 621
  • 622
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT