• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLIQI DHE FISHTA PËR MJEDJEN DHE VEPRËN E TIJ

August 7, 2024 by s p

Frano Kulli/

Ajo ç’farë shkruante Ernest Koliqi për Ndre Mjedjen, fill mbasi Poeti mbylli sytë dhe do ta botonte në revistën “CIRKA” të Cuk Simonit, saktësisht 35 ditë më mbas, është, ndoshta portreti në pak radhë, më i ravijëzuari për Poetin vezullues të lirikës e letërsisë shqipe të traditës:

” Kur e shifshe, Dom Ndreu të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të lânunt. Shkurtalak edhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto të randë të zezë të përlyeme përpara me pluhun burrnoti, me nji fytyrë kuqloshe në të cilën syt e vogjël zhdukeshin nën vetulla të denduna fije-trasha dhe goja nën shllungën e musteqeve të ngathët e vërdhukë: kështu të dilte para Poeti i njimbëdhetë rrokshave të Lissus e nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të veçantë.

Për natyrë perbuzës i çdo reklami dhe i çdo esibicjonizmi, urrente lávdin dhe ndryhej ne nji pervujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë ne.

Nuk i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa copa, i qitte prej goje me mundim. Ngatrrohej tue folë e, kur vèhej disi për fije në bisedë përdorte terminologji të thatë. Anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve, por jo i panjerezíshem, perkundrazi, tue e njoftë s’afermi ndihej në tê nji edukatë humaniste plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja.

Dom Ndreu duhej zbulue si njerí dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësëpari gjêjshe Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike ? Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte në themel. Qyshë në rini fitoi përjâshta konkurse me vjerrsha klasike.

Shetiti mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në Spanjë, në Poloni, në Jugosllaví. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me analyza të reja e me objekcijone të paprituna.”

Ernest Koliqi,

“Cirka” nr. 28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937

Kurse Fishta, pak mbas botimit të “Juvenilia”-s, në shkrimin me titull: “D.Ndre Mjedja: Juvenilja” të botuar në gazetën dygjuhëshe Posta e Shqypnis” “(Vjenë 1917) e shpërfaq kështu analizën e vet:

“Qe nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe. Në ket veper gjuhën e gjen të paster, stilin e naltueshém, shembélltyrat të gjalla e plot njomësi e gjithmonë të arsyeshme. Aty ke nji prendverë lulesh e bilbilash, e nji natyrë të kérthnestë e plot jetë; e fillim e mbarim né ket veper zotnon nji melankoni e kandshme, e cilla edhe sendeve ma të vogla u jep nji interes e nji randësi të veçantë: sado qi kisha me thanë se kjo melankoni nuk rrjedh gjithmón prej zemres aq sa prej mendes s’autorit. Njimend, duket se kjo melankoni nisë njiherë prej mendes s’autorit, pershkohet neper rreze të filozofisë e të poezisë klasike, e mandej deperton neper fashóje të gjuhes shqipe: por jo aq e përmallshme, sa me t’u molisë zemra per çka auktori k’ndon mbi lirë të vet të tingëllueshme, me gjithëse bukurín e formës e rreh orë e çast edhe flladi i poezisë. Si prej shllimeve të zgjedhuna, si prej mjeshtris’ me të cillen janë ndertue vjershat e lidhë mendimet, shihet çeltas se autori, para se me e botue vepren e vet, e ka përshkue kushedi sa herë nen limë të mendes e të teknikës. Prandej kjo veper ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në perpilim të k’saj vepre”.

At Gjergj Fishta (Posta e Shqypnís, 1917/ 20)

Dy fjalë për botimin e ri të Veprës së Mjedjes

Vepra e plotë letrare e Poetit Ndre Mjedja, përgatitur më së fundi në Tiranë, më 1988, nga studiuesi Rinush Idrizi, dhe në Kosovë më 1982 nga akademik Sabri Hamiti, përbëjnë dy botimet më gjithpërfshirëse të poetit. Ato vijnë mbas përmbledhjeve të pjesshme: “Vjersha dhe poema”, sjellë nga Llazar Siliqi, 1953, “Juvenilia dhe vepra të tjera”, nga Mark Gurakuqi ,1964, etj.

Ndërkaq “Juvenilia”, përmbledhja e parë dhe e vetme e Mjedës, qe botuar qysh në vitin 1917, në Vjenë, kur ai ishte 51 vjeç, në kulmin e pjekurisë së vet letrare.

Vepra e Mjedjes, ka qenë gjithnjë e pranishme në shkolla, që nga koha kur përgatitte vetë tekste leximesh. Edhe në periudhën e sundimit të komunizmit poezia e Mjedjes, si dhe botimet studimore e monografike rreth mjeshtrisë e artit të tij, kanë qenë përherë pjesë e historisë së letërsisë shqipe, si dhe objekt studimi i lëndës së letërsisë në shkolla andej e këndej kufirit ndërmjet shqiptarëve.

Këtë pozicion Mjedja e merr që herët mbas vlerësimit të një tjetri, kolos të letrave shqipe, At Gjergj Fishta, që kur botohet “Juvenilia”: ” Qe nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe…-shkruan për të Fishta-Prandej kjo vepër ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në përpilim të k’saj vepre.

Me këtë rast, dëshirojmë e synojmë që edhe ky botim t’i shërbejë sa të jetë e mundur përmirësimit të teksteve shkollore dhe pasurimit të bibliotekave si dhe enteve të tjera të leximit. Synimi ynë gjithashtu është që t’i sjellim lexuesit të apasionuar të Mjedjes veprën e tij të plotë, më origjinale se kurrë më parë, me bindjen se do të shërbejë edhe për thellimin e studimeve të veprës së tij.

Përreth Mjedjes dhe veprës së tij ka pasë analiza e studime të hollësishme në kohë e rrethana të ndryshme. Ne kemi zgjedhur për botimin tonë punimet e prof. Kolë Ashtës, që nisin që në vitin 1940, në revistën “XIV, Aprile”, dhe vijojnë deri në vitin 1942 me botimet në revistat “Shkëndija”, në Tiranë dhe në “Kumbona e së Diellës”, Shkoder.

Gjithashtu kemi parapëlqyer që, në vend të hyrjes të jetë një ese e shkurtë e Ernest Koliqit, e botuar pak më shumë se një muaj mbasi autori ndërron jetë.

* * *

Vepra letrare e Ndre Mjedjes, në këtë botim, i paraqitet lexuesit e strukturuar në dy vëllime. Vëllimi i parë përmban: “Juvenilia”, esenë e At Gjergj Fishtës “D. Ndre Mjedja, Juvenilja” , Vjersha të papërfshira në Juvenilia, Vjersha të mbetura në dorshkrim si dhe artikulli i tij shtjellues teorik: “Permbi poezi pergjithësisht ” .

Në vëllimin e dytë do gjeni poemat e papërfshira te “Juvenilia”: “Lissus”, “Scodra”, “Liria” ; Vjershat për fëmijë; Dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedjes dërguar albanologut Gustav Meyer në vitet 1892-1893, si dhe Bibliografinë e veprave të Mjedjes.

E gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe, aty ku është parë e nevojëshme, është bërë edhe shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë.

Janë sjellë, për herë të parë edhe strofa që, për shkak të rrethanave censuruese të kohës nuk gjinden në asnjërin prej botimeve të mëparëshme dhe ato shënohen në footnote respektive. Sikundërse është ruajtur forma Mjedja e mbiemrit të tij, duke marrë për shembull botimet e bëra në gjallje të autorit.

Filed Under: Politike

PAPA FRANÇESKU DHE LETËRSIA…

August 6, 2024 by s p

Vazhdon të bëjë jehonë “letra e shkëlqyer” që Papa Françesku publikoi para ca ditësh mbi rolin e letërsisë në formimin e vetveteve dhe veçanërisht priftërinjëve dhe atyre që bëjnë “punë baritore”, pra, shpirtërore.

Është një tekst që pohon leximin e poezisë dhe romaneve si “thelbësore” dhe, – sipas lajmit, – shpjegon arsyet.

Letërsia “ka të bëjë, në një mënyrë apo në një tjetër, me atë që secili prej nesh dëshiron nga jeta”, shkruan Papa Françesku. Nuk janë krijues vetëm ata që shkruajnë, por edhe ata që lexojnë.

Dhe arrin deri aty sa shprehet se lexuesi është bashkautor, pra “ai rishkruan veprën, e amplifikon me imagjinatën e tij, krijon një botë, përdor aftësitë e tij, kujtesën

e tij, ëndrrat e tij, historinë e tij.”

Gjithçka si lexim…

Kur Papa Françesku erdhi në Shqipëri para 10 vjetësh, në Presidencën e atëhershme të Tiranës ai bëri si dhuratë “Mesharin” e Gjon Buzukut, një kopje digjitale të tij. Siç dihet, “Meshari” njihet si libri i parë në gjuhën shqipe dhe ka mbetur veç një, i zhdukur nga rrebeshet e shekujve dhe pushtimet dhe ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit.

Ç’donte t’i thoshte Ati i Shenjtë me atë dhuratë lidershipit shqiptar? Që të kujtonin se cili ishte libri ynë i parë? Që duhet ta rinisnin me librin, me atë të vazhdohej? Që institucionet e vendit, nga më i larti, duhet të kenë bibliotekat e tyre, të lexojmë patjetër, si popull? Ndoshta të gjitha këto bashkë, etj, etj, na la si porosi.

Dhe presidenti shqiptar i radhës nuk e di sa e kuptoi porosinë, se ai ia dha dhuratën Bibliotekës Kombëtare, aty e ka vendin, tha, sikur dhuruesi i madh të mos e dinte këtë gjë, kur vendi i vërtetë i librit është koka e gjithsecilit, duke përfshirë dhe kokat e shtetit.

Do të doja që ai libër të kthehej në Presidencë…

Gjithsesi, dua të them se jam i mrekulluar nga letra e fundit e Papa Françeskut, se si e do ai letërsinë dhe befas m’u ndërmend një bisedë me ambasadorin e Argjentinës në Vatikan, na tregonte kur ishte gjimnazist në Buenos Aires dhe një jezuit aty, Jorge Mario Bergoglio, po përgatiste një antologji me krijime të gjimnazistëve dhe ftoi t’i bënte parathënien shkrimarin gjenial Jorge Luis Borges. Dhe ashtu u bë.

Sot ai jezuit është Papa, ku gjimnazisti i dikurshëm dorëzoi letrat kredenciale si përfaqësues i atdheut, nga ata të dy vijnë.

“Unë dua artistët tragjikë” – shkruan Papa Françesku, jo si atraksion ndaj tragjedisë si gjini letrare, por si dëshirë për të hyrë në kushtin njerëzor edhe nëpërmjet rrugës së paraqitjes estetike, etj, etj.

– Mos harroni folenë dhe plagët! – i porositi shqiptarët Papa Françesku gjatë vizitës së tij. Folenë se ai e dinte që shqiptarët mbahen si bij të shqipes, kështu tha, dhe iknin larg, ndërsa plagët nga që jemi popull i vuajtur, me një kishë martire, prandaj dhe zgjodhi që vizitën e parë jashtë vendit si Papë ta bënte në Shqipëri.

Foleja si një plagë dhe plagët si fole, dhëmbin të dyja, shkruajta unë.

Dua të kujtoj takimet tona me Papa Françeskun, buzëqeshjen e tij plot dritë kur i kemi dhuruar librat e mi, poezitë dhe romanet në italisht si dhe një ese për Shenjten Nënë Tereza, “Le piaghe non hanno patria” (Plagët nuk kanë atdhe), i bëri përshtypje titulli, vështroi nga Eda ime, ndoshta donte te gjente diçka nga Nënë Tereza në një bashatdhetare të saj, por mua më ka mbetur në mendje kujdesi dhe dhembshuria se si ai mori librat, gishtat sikur i kumbonin, sikur të kishte një lirë të padukshme diku pranë…

Siç duket leximet, që Papa Françesku na dërgoi një letër të gjithëve tani për rëndësirën e tyre jetike, ndikojnë dhe në gjestet tona, ka rëndësi si e merr një gjë dhe po aq, në mos më shumë, si e jep…

Visar Zhiti

May be an image of 6 people and text

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

22

Filed Under: Politike

SINTEZA E KOMBIT SHQIPTAR DUKET TË JETË NGJIZUR NË SHEKULLIN XVI

August 5, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

“Agjentë perandorakë” i Noel Malkolmit, sipas autorit është mikrohistori, por për ne shqiptarët është një makrohistori, kundër makroamnezionit tonë kronik. Ky studim filigranik i Malkolmit ndjek fatet e familjea shqiptare nga Ulqini, familjes Bruni, (në relacion me të edhe të familjes Bruti), që përgjatë shekullit XVI do të jenë të mpleksura në shumë ngjarje dhe në shumë vende, që nga Venediku, Vatikani, Spanja, Austria, Hungaria, Moldavia, Perandoria Osmane. Pjesëtarë të kësaj familjeje ulqinake e shqiptare, që ishin shtetas të Venedikut, do të luanin role të ndieshme në ngjarje të mëdha të asaj kohe, si Kuvendi i Trentit, Beteja e Lepantit, armëpushimi spanjollo-osman, traktati osmano-polak, pushteti moldav, etj. Celësi për ta kuptuar rolin që u ishte rezervuar Brunëve, sipas zbulimit që ka bërë Malkolmi, është fascinues: ndonëse ata ishin të krishterë dhe në shërbim të Venedikut, Spanjës a Vatikanit, përparësia e tyre ishte “për faktin se ata ishin të afërm të njërit prej vezirëve më të fuqishëm të qeverisë osmane.” Brunët ishin kusherinj të Sinan pashës nga Topojani, njëri nga vezirët më të fuqishëm të Shtetit Osman. Edhe pse u përkisnin besimeve të ndryshme fetare dhe shërbenin në shtete të kundërvëna e të armiqësuara, Brunët dhe Sinan pasha ruanin lidhjet farefisnore, ruanin njëri-tjetrin. Disa nga Brunët kryenin shërbimet e tyre për shtetet krishtere, duke qëndruar në Stamboll, duke mbajtur kontakte me Sinan pashën dhe me shqiptarë të tjerë të fuqishëm në administratën osmane. Nga ana tjetër, traktati i famshëm i Antonio Brunit, tregonte gjithë kujdesin që të mos nxitej nga shtetet e krishtera rebelim në viset shqiptare, që do ta dëmtonte popullsinë shqiptare. “Brunët dhe Brutët ishin amfibë të mirëfilltë gjuhësorë dhe kulturorë. Dhe kjo siç do të shohim, ishte qenësore për suksesin e tyre në botën e paanë mesdhetare”, konkludon Malkolmi.

Nga studimi i Malkolmit unë nxjerrë një përfundim, të cilin më parë nuk e kisha përfytyruar: sinteza e kombit shqiptar, si komb unik, që kishte dy besime të mëdha fetare, Islamin dhe Krishterimin, paskësh filluar të ngjizej në shekullin XVI, pikërisht nga raportet ndërmjet shqiptarëve që shërbenin në Shtetin Osman dhe të atyre që shërbenin për shtetet e krishtera, Venedikun, Vatikanin e Spanjën. Duke qenë lidhjet e gjakut mes shqiptarësh të forta, ato përballuan presionet që vinin nga ndarjet në besime fetare dhe në shtete të armiqësuara. Pra, uniteti i familjes shqiptare paskësh triumfuar mbi dasitë fetare, shtetërore e madje edhe mbi ato gjeopolitike.

Sipas narracionit të Noel Malkolmit, ruajtja e këtyre lidhjeve kaq të forta ka qenë e ndihmuar edhe nga fakti që Perandoria Osmane nuk e nxiste konvertimin: “Në rrethana normale, megjithatë, regjimi Osman nuk bëri përçapje për t’i detyruar nënshtetasit e tij jomyslimanë të konvertoheshin në islam, si Kisha Ortodokse, ashtu edhe ajo Katolike romane e vazhduan veprimtarinë e tyre në territorin osman. Kjo ishte pjesërisht për shkak të parimeve tradicionale islame lidhur me “njerëzit e librit” (një kategori që përfshinte të gjithë të krishterët dhe hebrenjtë) dhe sërish për shkak se të ardhurat publike do të binin në qoftë se reshtte së paguari taksa mbi jomyslimanët.” (f.33.)

Mirëpo, rivalitetet dhe konfrontimet ndërmjet shteteve të krishtera në njërën anë dhe të Shtetin Osman, në anën tjetër, ishin shumë të ashpra, sikundër që edhe rivalitetet ndërmjet vetë shteteve të krishtera ishin shumë herë tinëzare dhe madje të ashpra. Me një fjalë, bota mesdhetare e shekullit të XVI, ishte shumë e dhunshme, me rregulla loje që bëheshin ad hoc dhe që prisheshin që në rastin e parë. Veçmas luftërat detare ishin pothuajse të pandërprera, me stimulimin e kusarëve dhe piratëve, po edhe të aleancave tinëzare të shteteve. Pra, në këtë botë të dhunshme dhe me armiqësi nivelesh të shumta, pjesëtarët e familjes shqiptare Bruni, ia dilnin të kishin ndikime dhe të kalonin edhe barrierat më të forta, sepse në anën tjetër, në Shtetin Osman, ata kishin kontakte e mbrojtje nga pushetarë që ishin farefis i tyre.

Në tërë këtë sfond të ngatërruar, sensi që kishin për realitetin shqiptarët si Brunët, ishte më pragmatik se sa i të tjerëve, që dinin të bënin plane jorealiste në raport me shtetin osman. Malkolm konkuludon: ‘ feja pati rëndësi në një nivel të thellë, çka duhet të ndihmojë për të shpjeguar përse asnjëri prej tyre nuk u bë musliman. Por në shumicën e rasteve nuk ishte feja ajo që drejtoi jetën e tyre dhe as ajo që i ndaloi disa syresh të forconin lidhjen me një kusheri të fuqishëm që ishte konvertuar në musliman. Ndërsa, fakti që ata ishin katolikë të ardhur nga njëra prej zonave të kufi të krishterimit mund të ketë forcuar ndjenjën e tyre të katolicizmit, fakti që ata ishin shqiptarë, të lidhur me anë të gjuhës, gjakut dhe historisë me nënshtetas osmanë dhe territorin Osman, u dha atyre aftësinë t’i shikonin gjërat nga një këndveshtrim që ngjasonte më shumë me atë osman. Teksa papët dhe mbretërit bënin plane gjithnjë e më jorealiste për mposhtjen e Sulltanit dhe ngadhënjimin e krishterimit, puna e përditshme e bashkëveprimit me botën osmane varej, në realitet, nga njerëz të tillë si këta.” (f.405)

Pozicioni i tillë i Brunëve, ka pasur vazhdimësi edhe në shekujt që pasuan, duke përfshirë madje edhe shekullin XIX, kur u konstituua dhe u konsolidua lëvizja shqiptare e kombfromimit dhe e ndërtimit të shtet-kombit shqiptar. Edhe ajo lëvizje e madhe ideologjike, kulturore, politike e ushtarake ishte brenda atij sfondi, që e skicuan Brunët në shekullin XVI, pra, të jesh me Evropën por pa qenë në armiqësi të domosdoshme me Shtetin Osman. Armiqësia “instiktive” ndaj shtetit Osman dhe trashëgimisë shqiptare brenda atij shteti, u patentua më vonë. Ajo u patentua dhe u farkua si pasojë e infliltrimit të elementeve të ideologjisë së pansllavizmit në ideologjinë dhe në mendimin politik, historiografik e kulturor shqiptar. Sigurisht kjo ka ndikuar edhe që të thellohet amnezioni ynë ndaj të kaluarës, injorimi i figurave, familjeve dhe kontributeve signifikante të tyre në të kalaurën, në raportet ndërmjet Evropës dhe Shtetit Osman. Kjo është motivuar gjoja në emër të vesternizimit, ndërsa në fakt kjo ka ndodhë nën influencën e pansllavizmit. Prandaj, leximi i vëmendshëm i kësaj historie për familjen katolike Bruni, relacionet e saj me Sinan pashën dhe me shqiptarë të tjerë muslimanë dhe kontibutet e tyre të përbashkëta në relacionet ndërmjet Evropës dhe Shtetit Osman, na ndihmon në kthjellimin e përfytyrimeve për të kaluarën tonë. Studimi “Agjentë perandorakë” i Noel Malkolmit, në këtë konstekst, më duket si guri i parë kilometrikë, me të cilin fillon të markohet një rrugë e gjatë në hapësirat e një historie të shpërbërë, por e cila ende mund të ribëhet në kujtesë.

Titulli i librit, “Agjentë perandorakë”, përveç që shenjon aktivitetet bazike të familjeve shqiptare Bruni e Bruti, më duket se mund të lexohet edhe si metaforë, sipas të cilës jo vetëm Brunët, Brutët e Topojanët, por vetë shqiptarët kanë qenë agjentë ndërmjet perandorive të mëdha, u kanë shërbyer atyre, kanë marrë prej tyre, kanë pësuar prej tyre dhe kanë mbijtuar falë dinamizmit dhe vlerave të veta, familjare, gjuhësore e kulturore. Natyrisht, duke paguar çmim të lartë në këtë rol tragjik, siç është edhe rasti që paraqet Malkomi, të luftës së gjatë habsburge-osmane austriake, ku shqiptarët ishin në të dyja anët e frontit.

Mesazhi i titullit dhe i vetë librit “Agjentë perandorakë’, mund të lexohet edhe përtej metaforës: edhe në shekullin XXI, ne shqiptarët jemi një komb unik ndërmjet dy perandorive të mëdha, që ideologjikisht mund të shprehen si gjendje ndërmjet atlantizmit dhe pansllavizmit. Zgjedhja e tashme është e qartë, koncensuale, pra, si komb në tërë hapësirat jemi vetëm në anën e atlantizmit. Por, kjo mund të ndryshojë, nëse në të ardhmen, nga ndonjë përmbysje gjeopolitike e gjeostrategjike, ndryshojnë raportet ndërmjet SHBA dhe Rusisë, në favor të Rusisë. Në atë rast, sërish mund të gjendemi siç u gjendëm pas Luftës së Dytë Botërore, në variantin më tragjik, nën darat e pansllavizmit. Ose si në shekullin e Brunëve, vetëm si “agjentë perandorakë”, në një rast pak më shpresëdhënës, se sa vetëm nën darat e e pansllavizmit.

Filed Under: Politike

VATRA DËNON ASHPËR INCIDENTIN E MAQEDONISË SË VERIUT ME PRESIDENTEN VJOSA OSMANI NË SHKUP

August 1, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër incidentin e rëndë të ndodhur në aeroportin e Shkupit ku Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u përball me një situatë të paprecedentë dhe në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, privilegjin e imunitetin diplomatik. Vatranët dhe shqiptaro-amerikanët shprehin indinjatën e tyre më të thellë rreth kësaj ngjarjeje fyese e të pa dinjitetshme. Një ngjarje e rëndë që cënon çdo shqiptar. Arroganca, trajtimi i padinjitetshëm dhe provokimi i pa shëmbullt nuk i përkasin civilizimit perëndimor dhe euro-atlantik. Vatra i bën thirrje autoriteteve në Shkup që të zbardhin sa më parë ngjarjen e rëndë dhe posaçërisht kërkon nga Uashingtoni dhe Brukseli hetime të thelluara rreth kësaj ngjarje të rëndë.

Ngjarje të tilla nuk i shërbejnë aspak fqinjësisë së mirë, integrimit dhe rrugës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Federata Vatra kërkon menjëherë prej autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut që sulmi dhe trajtimi i parregullt i Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, totalisht në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror, jo vetëm që duhet të dënohet nga bota demokratike perëndimore por shteti i Maqedonisë së Veriut duhet të kërkojë falje e nuk duhet ta përsërisë më kurrë këtë veprim të ndyrë e të paligjshëm.

I indinjuar

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

Një udhëtim tek arbëreshët e Palaco Adrianos në Sicili me rastin themelimit të ngulimit të tyre 1482  

July 31, 2024 by s p

Ornela Radovicka

Çdo datë 1 Gusht arbëreshët e Palaco Adriano në  Sicili, ngrihen herët, ende pa dalë djelli ngjiten  në majën e malit, ndryshe i quajtur mali i trëndafilave,  dhe më veshtrim nga Lindja, presin rrezet e tij, për  kujtuar  të parët e tyre, ardhur nga gadishulli ballkanik shqipfolës,të cilët të detyruar nga pushtimi turk lanë atdheun e tyre dhe u vendosën në këto troje.  

Mali i trendafilave ( Monte delle Rose), në Palazzo Adriano, është një  1436 metra ku eshte  vendosur një kryq i  ritit arbëreshë, dhe  cdo 1 Gusht  arbëreshët e Palcos me himnin e tyre “Moj e bukura More,” i ngjiten malit dhe  nisen së bashku për të festuar ritin, kujtimit  me  nostalgji të ardhjes së  Etërve Shqiptarë qe themeluan Palazzo Adriano më 1482.

C:\Users\ACER\Desktop\facebook_1586002433965.jpg

Arbëreshët e Palco Adriano, janë asimiluar në gjuhë, por ende mbajnë ritin e tyre bizantin. 

I pari dokument ku përmenden punimet e ndërtimit në kishën e San Nicola daton në 9 shkurt 1656. Pas tre vjetësh kisha shembet. Konsistenca e punimeve kishte shkaktuar transferimin në Matricën e statujës së San Nicola dhe pezullimin e funksione duke përfshirë festimin e festës së Kryqëzimit të Shenjtë “ i cili  bëhej çdo vit ”si një letër nga Peshkopi i Girgenti që daton nga 12 korriku 1656.  

Popullsia  arbëreshe Palacese e kujton  me hidhërim të madh  edhe datën e  14 janarit 1968 për një arsye se tërmeti i tmerrshëm shkaktoi dëme dhe vdekje të mëdha edhe në popullsinë arbëreshe  dhe dyert e kishës u mbyllën për mbi 50 vjet.

Kisha Bizantine  Maria SS Assunta 

Ajo që lidh ende identitetin arbëresh është Kisha  S. SS. Assunta/ U ndërtua me vullnetin e arbëreshëve në vitin 1532 dheu zgjerua në vitin 1770. Kisha greko-bizantine, kushtuar  Maria Santissima Assunta dhe gjendet  ne shehsin Umberto I.  Shkallet anësorë janë në blloqe: fakt ky  është për shkak të traditës popullore të mbretit Borbon  Ferdinand IV i cili  mbërrinte me kalë deri në hyrjen e kishës, sa herë që shkonte në Palazzo Adriano. 

Kjo kishë është Panteoni i bashkësisë shqiptare të Palazzo Adriano: Në të ekzistojnë varret e disa prej bijve të saj te shquar dhe gurët e të varreve te te  pare jane  në gjuhën shqipe, te cilat kane rëndësi të madhe historike dhe kulturore. 

Midis te tjereve lexojme Kete lapidar shkruar ne shqip ku thuhet:qe Vellezer ishim ne jete…”. me poshte jane rradhitur emrat;Martino Spata, Giuseppe (Sepa) Prifti Paolo prifti dhe mban vitin,1867. 

Popullsi  arbëreshe e Palco Adriano është asimiluar në gjuhë.  

Askush nuk flet sot gjuhën atje. 

Është e dhimbshme kur mendon se kjo qytezë është vendi ku u lind dhe u rrit Gavril Dara Plaku dhe i riu. Gavril  Dara, i cili nuk harroi kurre  rrenjet e tij, dhe kjo duket edhe tek pasardhesi i tij G. Dara (i Riu) i cili ne nje leter i shkruan  De Radës:  “..banorët e hershëm… (prinderit tane) erdhën drejt e nga Kruja dhe viset afër Krujës pas betejave të fundit që bënë me turqit”. Dhe rreth 100 vjet me vone erdhen edhe vellezerit nga Korona”.  

Kujtoj si sot kur shkova për herë të parë në Palaco Adriano. Mbrrij ne shehsin Umberto I . Ulem tek nje bar. Aty gjejme edhe disa pleq.   

i pershendes, belbezojne, dhe nuk flasin shqip. 

Ndihen si ne faji,  por edhe thone me krenari që janë “arberesh”.

– Pse nuk flisni arbërisht?  

– Nese doni arberesh i gjeni ne Amerike. Ne fillim nuk i kuptova mendova se ishte batute por ata menjëherë m[ spjeguan  se në Amerike, eshte shoqeria e Palacit qe mbajne gjalle gjuhen ritin, dhe traditat. 

Me erdhi keq, por ne te njejten kohe duhet të ndihemi pergjejges  te gjithe, perfshiere edhe ne shqiptaret qe kurre nuk u lidhem te ndihmonim vellezerit tane, arbëresh por i lame deri sa te asimiloheshin.( Foto Palaco Adriano 2018) 

Gjatë promovimit të librit “Arbëreshët” të mikut tim Rexhep Rifati, në Hora të arbëreshëve   pata rastin të takoja Kryetarin e komunës të Palacos, i cili  mu afrua dhe me plot mirësi më fotoi që të promovonim këtë leibër edhe në Palco. “Unë vijë nga familja – Granai- Vrana- më tha Ai- Ndihem keq që nuk kam mundur ta mësoj gjuhën arbëreshe. Këtu në Palaco ka shumë që duam ti rikthehemi gjuhës së të parëve tanë.” Them të drejtën mu bë zemra mal që kishte interes për gjuhën. Një vizitë për promovimin e librit “ Arbëreshët” në Palaco Adriano e kemi në projekt.  

Shën Mëria e  Palazzo Adriano-s 

C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1590500647075.jpg

Në një kodër të butë dhe të këndshme, jo shumë larg nga qendra e banuar, ndodhet Shenjtërorja  “Madonna delle Grazie”, ndërtimi i së cilës daton që nga viti 1560 dhe historia e saj është e lidhur me një shfaqje të  Shën Mërisë tek një vajzë 6-vjeçare, së cilës i tregoi ekzistencën e saj, imazh i së cilës në fakt u gjet i pikturuar në tempera në gur dhe sot është në absidën e Kishës.Në brendesi te ketij santuari eshte piktura e arbereshit  Francesco  Licurisi  1643 ( Santa Lucia).

Një nga figurat e rendësishme në Palaco Adriano  është Giuseppe\ Zef Crispi, 1781-1859), nga Pallaci i Sicilisë. Prift, profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos dhe rektor i seminarit grek atje. Veprat e tij  Memoria sulla lingua albanese, Palermo 1831 (Shënime mbi

gjuhën shqipe), mronte tezn për  prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, një teori ende interesante edhe në ditët e sotme . Crispi \ Krispi është autor i një

përmbledhjeje këngësh popullore arbëreshe të Sicilisë, shoqëruar nga përkthime në italishte, të

titulluar Canti degli Albanesi di Sicilia (Këngë të shqiptarëve të Sicilisë), botuar në Canti

popolari siciliani, Katania 1857 (Këngë popullore siciliane), të Leonardo Vigos dhe i Memorie

storiche di alcune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia, Palermo 1853 

Tri burime të cilat simbolikisht identifikonin fare qartë statusin civil të vajzave dhe grave

Tek arbëreshët, të cilët kanë banuar në Palazzo Adriano (deri në fund të shekullit XIX, statusi civil i vajzave dhe i grave identifikohej qartazi  nëpërmjet burimin të cilën ato frekuentonin për të mbushur uji apo për të larë rrobat. Ishin tre burimet fqinje, të ndodhur në pikën më të lartë të malit.
Studiuesi arbëreshëve , Guiseppe Crispi thekson se, “në tri nga këto burime shkonin të lanin rrobat gratë e renditura në këto grupe : në atë të mesit lanin vashëzat e pamartuara, në burimin e majtë lanin të martuarat, në të djathtin shkonin të lanin gratë e veja”. 

Bekimi i ujrave 

Arbërshët e Palaco Adriano-s ashtu si ata të Horës së Arbëreshëve, festojnë bekimin e ujrave në 6 Janar sipas liturgjise Bizantine, tradizionale  e quajtur “vulata da palumma”e cila  zhvillohet ne sheshsin Umberto 1.  

C:\Users\ACER\Desktop\facebook_1584912923345.jpg

Familja e shquar  ne Palaco Adriano, familja Dara

Gavril Dara, plaku, lindi me 15 të Korrikut 1765 e vdiq me 19 Maj 1832.  Studimet i beri në Seminarin Italo-Shqiptar të Palermos dhe me vone u dipllomua  në mjeksi e në drejtësi.

Mblodhi  nga pleqte “Kënkat e pleqërisë” dhe hartoi disa vjersha në gjuhën shqipe, dhe kengen e Shen Lazari  qe kendohet edhe sot tek arbereshet e Siçilise,përmbledhja me këngë popullore arbëreshe e të cilit ka humbur (Pallati Dara qe sot eshte kthyer ne nje muse natyralistik)  

Andrea Dara, i biri i Gavrilit, lindi me 17 Maj 1796. Vdiq me 2 Prill 1872. U dipllomua ne Drejtesi
shkrime e tij jane :, dëshmoi interesim të gjallë për folklorin arbëresh dhe qe autor jo vetëm i një përmbledhjeje me këngë popullore arbëreshe të Sicilisë dhe i një vepre mbi Usi e costumi di Palazzo Adriano, 1859 (Zakonet e Pallacit), por edhe i një fjalori 5000 fjalësh shqip-italisht (1862-1868), pas një gramatike të shkurtër të shqipes (1830) dhe një përkthimi të Ungjillit të Shën Mateut. Shumica e këtyre veprave mbetën të pabotuara dhe ruhen në formë dorëshkrimi në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë ( bibliogrfià. Gangale 1973, f. 16 (II 10), 21 (II 17), 25 (II 20a), 62 (IV 6), 82 (V 4), 126 (V 50) dhe 129 (V 53).

Gavril Dara, i riu autori i Vepres ”Kënka e Sprasme e Ballës”. Dara I ri ishte  letrar, poet, gazetar, jurist. Lindi me 8 dhjetor 1825  dhe Vdiq me 19 nentor 1885. Ai ishte i biri i  Andrè Darës e i Françeskës Dragota. Studioi në Seminarin italo-shqiptar të Palermos dhe u dipllomua per drejtesi. Fillon pune ne Agrigento. Merr pjesë në levizjet e ringjalles italjane si antar i Komitetit kryengritës t’Agrigjentit e me 1860 emerohet  me dekret të Zef Garibaldit sekretar u përgjithshëm i Qeverise se’atij qyteti. Më 1867 emerohet  prefekt i Trapanit. Me 1870, si e la ketë detyrë për arsye politike, shkoi në Romë e aty drejtoi për disa vjet (1871-1874) fletoren “La Riforma” ku u dallua  edhe si gazetar. Pas disa vitesh kthehet ne Agrigento dhe jetoi aty deri ne fund te jetes.  (fonte  Kole Kamsi  “Mbi katundin arbëresh Palaco Adriani”, )

 Arbereshet shkruan ne gjuhen shqipe mbi  lapidarin e familjes Dara,  ku prehen eshtrat e tyre. 

“Burre i dijeshem nga me te dijshmit” 19 Maji  1832. 

C:\Users\ACER\Desktop\facebook_1584914399781.jpg

Mali i  trendavilave. Ky mal nuk eshte nje“shpikje letrario nga Dara, por  egziston ne te vertet me kete emer. Ky mal ndodhet ne lugina e Sosio, (Palacio Adriano ) dhe ngrihet në një zonë ku natyra është e pa kontaminuar dhe pak e populluar. Eshtë përmendur nga Aristoteli dhe Plini Plaku dhe në lashtësi ishte i famshëm për bimët e tij të egra të virtytshme, objekt i studimeve për shumë botanistë. Hipoteza më e mundshme është se emri rrjedh nga lulja, dhe më saktë nga trëndafilat e peonies, të cilët lulëzojnë në shkurt, pa gjemba, dhe rriten mbi të gjitha në këtë mal; thuhet se trëndafilat u rritën kur kaloi Shën Rosalia, vajza e fisnikës Sinibaldo, zot i Quisquina dhe Malit te trendafilave. Keto trendafila  janë  i bardhë, i verdhë, rozë dhe i kuq.Largo mi duke lene mbarapa kete lugine.Nje copë shkëmbi duket ne horizonte. 

Ndalojme tek sheshi shikojme kroin (shatervanin) me dy goje nje veper e arbersheve  te shekullit 16. Muret e vjetra te shtepive karakteristike arbereshe, arkitekture e qytezes , harqet, gjitonia,  jane vetëm gjurmeë të asaj jete të zhurmshm të botës së djeshme arbërshe.

Nje heshtje malinkonike ndjen në kete hapsire. 

Shtepite e Darenjve, Bastave, Biderave, Krispëve, Kjarajve, jane atije edhe pse shekujt rrjedhin. 

Në sheshin Umberto I ndodhet shatervani i ndertuar nga arbereshet, shekullit XVI . Elegante ne stilin e tij, me formen tete kendore. Për pjesën strukturore të ndërtuar në 1607 punuan Chiusi Nicolò Gagliano dhe Vito Termini, xhaxhai dhe nipi, dhe për pjesën dekorative të përbërë nga një vazo me një kon pishe të skalitur me shije të rafinuar baroke në 1684 u punua nga Burgitan Vito Lo Domino.Aty mesojme prej banoreve qe  te kjo fontane u xhiruan sekuenca te filmit  Oscar “Nuovo Cinema Paradiso” di G. Tornatore. Sot ky shatërvan nuk ndodhet më. (Në vijim foto e shatërvanit.)

Disa figura që meritojnë të përmenden 

Emanuel Bidera 1784-1858) nga Pallaco Adriano.  Vepra e tij mbi prejardhjen e shqiptarëve, u botua në katërvëllimshin Quaranta secoli racconti su le Due Sicilie, Napoli 1846-1850. Vëllimi i parë përmban disa poezi popullore arbëreshe. Themelues dhe drejtor i një shkolle të gojëtarisë në Napoli, Bidera shkroi edhe librete operash për kompozitorin Gaetano Donixeti 

Gjatë ekspeditës  Të Njëmijtëve, të Garibaldianeve,  G. Bandi,  thotë se u dëgjua të këndoheshin këto vargje : Ky përfytyrim i ëmbël/Do të ledhatojë shpirtin tim/Dhe kohë e ndritur do shpaloset/Përpara meje plot shkëlqim, dhe se autorui i tyre ishte  Libretist, arbëreshi Giovani Emanuele Bidera (Palazzo Adriano 1784-Palermo, 1858).

Pietro Chiara\ Kiara,1840-1915).Lndi nëPallac Adriano. Gazetar, jurist dhe epistolar, por edhe politikan.

Kushëri i Gavril Darës së Riut (1826-1885),Chiara bëri udhëtime në Shqipëri e

në Ballkan më 1879. Ishte njohës i mirë i gjuhës dhe arriti të depërtojë thellë në  politike, ishte deputet në parlament, botoi artikuj në të përmuajshmen e De Radës si  Fiàmuri Arbërit,

dhe shkroi disa poezi.Është autor i dy librave italisht

për Shqipërinë: L’Albania, Palermo 1869 (Shqipëria), monografi në dymbëdhjetë krerë për

gjuhën, letërsinë, historinë dhe politikën shqiptare, dhe L’Epiro, gli Albanesi e la Lega, Palermo

1880 (Epiri, shqiptarët dhe Lidhja), përmbledhje shkrimesh informative të botuara së pari në

gazetën e Romës La Riforma, redaktuar në vitet 1871 deri 1874 nga Gavril Dara i Riu. 

Kostumet e Palacit 

Ndalojme tek muzeu i kostumeve. Piktori i njohur francez Zhan Houel, kur erdhi në Palac më 1782, i bënë shumë përshtypje kostumet e grave arbërshe. Piktori francez J. Houel përshkroi veshjet gala dhe veshjet e përditshme të grave të Palazzo Adriano me detaje dhe ishte aq i magjepsur prej tyre sa që donte t’i bente ato te pavdekshme . Thuhet qe ai beri nje perzjerje te bojrave te ujit me qymur  druri dhe krijoji gjallerine  e veshjeve  prototipeve të ahengut të madh. Në to pikturoi fustanet gjysëm festive, fustanit të dasmës femra dhe mashkull, fustanin e gruas së martuar, atë të vajzës dhe në fund veshjen e përditshme .

Veshja e festës në raste solemne siç është Pashka, dita e Zonjës dhe për festën e Kryqëzatës, tesuti  eshte e  bërë nga mëndafshi të pastër. Me të krijohet pjesa e fundit, trupit, keza dhe vello. Të gjitha këto pjesë  qëndisen me ar.  Në vijim  një dasëm në Palazzo Adriano në ritin grek, J.- P. Houel, 1770. Mendohet  te jete stampimi  më i vjetër që riprodhon veshjet e grave të një vendi arbëresh. Burrat janë të veshur siç visheshin si fisnikët e kohës.

Në pikturën në vijim  pikturë e  francezit, Jean  Houel, kostumi i grave arbëreshe të Palazzo  Adriano. Veshja e përditshme.

C:\Users\ACER\Desktop\facebook_1584918879951.jpg

Mbiemrat me origjine shqiptare 

Mbiemrat më të zakonshëm me origjinë shqiptare janë: Alessi, Barbata, Barcia, Cuccia, Francaviglia, Gagliano, Granà, Grisafi, Longo, Marino, Masaracchia, Raggio, Russo, Sabella, Schirò, Sciurba, Sulli

Palazzo Adriano “bashki e pakicës shqipfolëse”

Palazzo Adriano konsiderohet si “bashki e pakicës shqipfolëse”, sipas ligjit 482/99 (Norma në lidhje me mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore), por gjuha e lashtë shqipe  ashtu si e përmenda nuk është më gjuha e komunitetit; sot është humbur pothuajse plotësisht, por egziston një shoqatë e cila quhet Skënderbeg . Kjo i bënë të ndihen ende të gjallë.

C:\Users\ACER\Desktop\facebook_1584913810220.jpg

Arbëreshët e Palacos me duart  me mund  edjersë ndërtuan jetën në një atdhe që nuk ishte e tyre. 

Përveshën krahët dhe filluan punën .

Ndërsa përshëndesim këtë ngulim arbëresh  sot në prag të 1 Gushti, na vijnë ndër mend  fjalët e Rodotas: 

… Kjo lugine te Maxares, lëndina, vreshta, ullishta, peme, ishte ajo parajse tokesore qe jo me kot Rodatò e kishte pagezuar  te tille. Ishte dora e Arbershit, qe kete fole  ku rrinin shqipet te egera e rilulezoi me sakrificat e tij, nga gjaku i tyre , malli it tyre, prodhoi  “Malin me Trendafila”,  elizirin me aromen e tij te perbere prej gjuhes shqipe, mitit, ritit rapsodive. Edhe  per poetët e tjere te  Palacit. Mali u pjese e jetes e historisë së tyre, legjendave, malli, dhe riteve, të ketij populli qe jeta nuk ishte aq bujare por që nuk harruan kurrë tokën e trë parëve të tij, të cilët çdo një gusht i afrohen këtij mali me vështrimin nga Toka mëmë. 

Arbëreshët vazhdojnëtë kujtohen për tokën mëmë, por mëma e tij çfarë bënë për këta bijë shpërndarë në Itali prej 600 vjetësh.   

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • 88
  • …
  • 667
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT