Dr. Paulin Marku/
Prend Doçi është një personalitet i rëndësishëm i klerit katolik shqiptar dhe me kontribute të shumta në periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai ishte një atdhetar i madh dhe u aktivizua për mbrojtjen e territoreve shqiptare, për zhvillimin e gjuhës, kulturës e traditës sonë kombëtare. Ai lindi më 7 shkurt 1846 dhe u nda nga jeta më 22 shkurt 1917. Prend Doçi e hasim në dorëshkrime e dokumente shqipe dhe të huaja të kohës, si Dom Prend Doçi, Abat Prend Doçi, si dhe emri i tij gjendet edhe në forma të tjera si: Preng Doçi, Prengë Doçi si dhe Prenk Doçi sipas shqiptimit dialektor e krahinor si dhe, sipas dorëshkrimeve të bashkëkohësve të tij. Prend Doçi në shkrimet e tij në gjuhën shqipe e ka shkruar Prend, ndërsa në gjuhën italiane e në latinisht e gjejmë, Primo Dochi, Primus Docci, Primo Docci, dhe prej vitit 1888 pasi u dekretua nga Vatikani, Papa Leoni XIII do të emëronte Dom Prend Doçin“Supra, montem Mirditarum” abatis nullius, i cili do të drejtonte Abacinë e Oroshit të Mirditës dhe do të kishte varësi të drejt për drejtë nga Selia e Shenjte në Vatikan.
Ai lindi në Bulger të Mirditës, më 7 shkurt 1846 dhe pati veprimtari të gjerë klerikale katolike me funksione të ndryshme në Shqipëri, Itali, Mali i Zi, Greqi, Indi, Kanada… Ai ishte diplomat e vizionar me ndjenja të thella atdhetarie, poet, publicist, themelues i shoqërisë “Bashkimi”, shoqëri kjo, e cila, bëri shumë punë të mëdha bashkë me Atë Gjergj Fishtën e Dom Ndoc Nikën e shumë intelektualë brenda e jashtë vendit. Shoqëria “Bashkimi” ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin shqiptar, nga aty u realizuan shumë botime të karakterit gjuhësor, letrar, historik e kulturor si dhe ishte një zë i fuqishëm për jetësimin dhe mbrojtjen e alfabetit shqip me germa latine dhe për zhvillimin e shkollës shqipe. Abat Doçi ishte kontribues i madh për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, si dhe drejtues i rëndësishëm i kishës katolike në krahinën e Mirditës, në Abacinë e Oroshit.
Fatkeqësisht, ashtu si për shumë klerikë e intelektualë të tjerë shqiptarë edhe figura e atdhetarit të madh, Prend Doçi u la në harresë gjatë regjimit diktatorial komunist në Shqipëri. Veprimtaria e atdhetarit të flaktë që luftoi me çdo mënyrë me penë e me armë për mbrojtjen e territoreve shqiptare, që e pagoi fort shtrenjtë, me arrestimin e pastaj me dëbimin e tij për të mos shkelur në tokën ëmë për disa vite, i cili është një prej rilindësve më të spikatur të kohës, promovues i vlerave atdhetare shqiptare, nuk u vlerësua dhe nuk u mor në konsideratë nga regjimi komunist.
Pas rënies së regjimit komunist, figura dhe veprimtaria e Prend Doçin filloi të trajtohej dhe të shihej me syrin pozitiv duke i dhënë vendin dhe vlerësimin e merituar. Për të është shkruar në revista shkencore, në gazeta të ndryshme, si dhe, i janë kushtuar dy monografi jetës dhe aktivitetit të tij. Në vitin 1997 autori Pal Doçi publikoi monografinë: “Prend Doçi Abati i Mirditës, jeta dhe vepra”, dhe në vitin 2012 në Shkodër u publikua një tjetër monografi nga autori Luigj Martini: “Abati i Mirditës, Prend Doçi (1846-1917)”.Ndërsa në Rrëshen, Mirditë sheshi mban emrin Abat Prend Doçi në nder dhe respekt të veprës së tij. Mund të thuhet se është cekur dhe trajtuar kontributi i figurës kombëtare Prend Doçi, por mund ta them me bindje të plotë se aktiviteti i tij është më i gjerë sesa është shkruar deri në ditët e sotme, nëse do të hulumtohet nëpër arkivat e huaja të periudhës, kryesisht në ato të Vatikanit, Propaganda Fide, arkivat e Romës dhe të Vjenës do të njiheshim edhe më shumë për veprimtarinë e tij atdhetare e intelektuale.
Për Prend Doçin kanë lënë shënime të shumta edhe autor te huaj që e njihnin shumë mirë rolin dhe veprimtarinë e tij, si, Edith Durham, Franc Nopcia, Antonio Baldacci, Hyacinthe Hecquard, … si dhe diplomatë të ndryshëm që bashkëpunuan dhe u njohën me aktivitetin atdhetar e klerikal. Ata shprehnin vlerësime dhe konsideratë të lartë për klerikun katolik Prend Doçin, si një prej njerëzve me kontribute të mëdha kombëtare për zhvillimin e shoqërisë e kulturës shqiptare, e vlerësonin për ngritjen e marrëdhënieve të mira me mirditorët dhe për lidhjet e forta me shtëpinë e Gjon Marka Gjonit, si dhe angazhohej nëpërmjet njohjeve e kontakteve që kishte për të rikthyer nga internimi në vendlindje Princin e Mirditës, Preng Bib Doda.
Dom Prend Doçi pasi përfundoi studimet me rezultate të larta në Romë në vitin 1871 u kthye në atdhe. Ai kishte fituar dije dhe kulturë të përgjithshme, jo vetëm në fushën teologjike-klerikale por gjatë qëndrimit në Itali kishte patur mundësi të lexonte libra të ndryshëm filozofik, historik, gjuhësor e kulturor, pasi ishte edhe njohës i disa gjuhëve të huaja. Prej njohësve të kohës, ai njihet si njeri i zgjuar e mendje mprehtë, vizionar e atdhetar i flakte me ndjenja të larta kombëtare shqiptare. Në periudhën që shërbente në Mirditë atij iu shtuan edhe më tepër ndjenjat atdhetarie, për shkak edhe të trysnive të vazhdueshme të pushtuesve. Pak vite pasi u kthye në atdhe, Prend Doçi ishte një prej krerëve që organizoi mirditorët në kryengritjen e vitit 1876-1877. Ai vihet në krye të lëvizjes duke përdorur edhe armën për të luftuar me vendosmëri për mbrojtjen interesave kombëtare e territoriale shqiptare. Por kryengritja u shtyp nga forcat e shumta ushtarake të Perandorisë Osmane dhe autoritetet urdhëruan për të arrestuar shtatë organizatorët, një ndër ta edhe Imzot Prend Doçi. Ai ishte larguar së bashku me Kolë Mark Çunin përmes bjeshkëve të Malësisë së Mbishkodrës për të mos ra në duart e ushtrisë por në malet e Gucisë ata u rrethuan nga ushtria dhe iu kërkua të dorëzoheshin.
Gjatë qëndrimit në burgun e Stambollit, autoritetet osmane i morën në pyetje dhe i kërkuan nëse kryengritja ishte organizuar nga Preng Bib Doda, në mënyrë që mund të largoheshin nga përgjegjësia e organizimit të lëvizjes së armatosur, por ata e mohuan kategorikisht.
Nga burgu, me ndihmën edhe të Patrikut armen, Prend Doçi i dërgoi një letër patrikut katolik armen në Stamboll, i cili kishte marrëdhënie të mira me Sulltanin Abdyl Hamiti. Patriku armen, Stefan Azarian sapo u njoftua për këtë çështje i kërkoi Sulltanit t’ia falte atij dhe të lironte nga burgu dom Prend Doçin. Kështu pas ndërhyrjeve të Vatikanit, Austro-Hungarisë dhe të patrikut armen në Stamboll u bë e mundur lirimi i Prend Doçit, por me kusht se nuk duhet të kthehej në viset shqiptare. Prend Doçi i falënderoi për nderin e madh që i mundësuan lirimin e tij nga burgu, dhe shprehte mirënjohje ndaj patrikut armen, autoriteteve të Vjenës dhe të Vatikanit. Ai duhet që të vishte veladonin e priftit dhe të largohet sa më shpejt prej aty, para se Dervish Pasha të kthehej në Stamboll sepse mund të jepte urdhër për ta arrestuar sërish, pasi nuk ia falte organizimin e kryengritjes së mirditorëve. Ashtu ndodhi, sapo Dervish Pasha u kthye, ai u ankua për lirimin e tij, edhe pse ishte liruar me kusht dhe e kishte të ndaluar për mos kthimin e tij në viset shqiptare.
Në këto kushte dhe rrethana aspak të pëlqyeshme prej tij, por i detyruar që t’i zbatonte dhe dom Prend Doçi do të shërbente si prift jashtë trojeve shqiptare dhe nuk duhet të angazhohej më në lëvizje kryengritëse. Imzot Prend Doçi, do rifillonte jetën në emigrim edhe pse kishte dëshirë të madhe për t’u kthyer në vendlindje. Pas lirimit nga burgu i Stambollit, Prend Doçi shkon në Romë nga ku ngarkohet me detyrën e shenjtë të misionarit ekumenik dhe meshtar në Kanada. Atje shërbeu për disa vite por nuk ka shumë detaje rreth veprimtarisë së tij në Kanada edhe pse Dom Ndoc Nikaj dhe Atë Pashk Bardhi kanë shkruar për aktivitetet dhe formimin e tij, ndërsa rreth veprimtarisë në Kanada nuk gjenden shumë detaje rreth atyre viteve që jetoi dhe veproi në kontinentin e largët.
Pas 6 viteve në emigrim me mision apostolik, në pranverë të vitit 1883 Imzot Prend Doçi ftohet nga Propaganda Fide të rikthehet në Romë. Sapo kishte mbërritur në Vatikan ai kishte kërkuar të dinte për situatën në viset shqiptare dhe insistonte që t’i jepej e drejta për t’u kthyer në atdhe. Përpjekjet e Sekretarisë së Propagandës Fide pranë autoriteteve osmane në Romë për të lejuar që Imzot Prend Doçi të rikthehet në vendlindje rezultuan të pasuksesshme. Pra, edhe pse sulltani urdhëroi lirimin e tij nga burgu më 1877, Perandoria Osmane vijonte të linte në fuqi dekretin si i dëbuar nga territoret perandorake dhe moslejimin e tij në viset shqiptare. Por, në maj të vitit 1883 Propaganda Fide e dërgoi Imzot Doçin si misionar të saj provizorisht në Tivar të Malit të Zi. Mbërritja në Tivar i mundësonte atij që të ftonte nënën e të afërmit e tij që të shkonin ta vizitonin. Gjatë periudhës që ishte në Mal të Zi ai u prit në audiencë nga mbreti Nikolla i Malit të Zi. Sipas Atë Pashk Bardhit ky takim nuk përfundoi mirë pasi mbreti ishte shprehur “shpresoj së shpejti me shti në dorë Shqypnin, deri në lumin Drin” por përgjigja që i kishte dhënë Imzot Prend Doçi e kishte zëmëruar mbretin Nikolla: “Naltsi, ju ndoshta shtini në dorë krejt Shqypnin, por shqiptarët nuk do t’i keni kurrë miq”. Kjo përgjigje e hidhëroi mbretin Nikolla dhe nuk u prit aspak mirë nga autoritetet malazeze. Për pasojë u morën masa për largimin e tij nga territori i Malit të Zi. Ata kuptuan se ai nuk ishte në anën e tyre dhe qeveria malazeze urdhëroi që Prend Doçi të largohet sa më parë nga territori malazez. Ky veprim nuk u prit mirë sepse atij i interesonte të kishte mundësi të takonte familjarët dhe bashkëkombësit e tij gjatë misionit në Malin e Zi por qëllimi kryesor ishte rikthimi për në vendlindje. Ai përpiqej të shfrytëzonte çdo njohje politike e diplomatike, si në Vatikan, apo në qeverinë e Stambollit për t’u kthyer në vendlindje i lirë. Duke parë që mundësi për t’u kthyer në vendlindje nuk kishte, Imzot Doçi duhet të pranonte ose një mandat të dytë në Amerikë ose të shkonte në Athinë. Në nëntor të vitit 1883 ai pranoi detyrën e sekretarit të arqipeshkvit katolik të Athinës me shpresën se mund të ndryshonte diçka për rikthimin në atdhe. Por edhe nga Greqia nuk arriti të fitojë pafajësinë që e kërkonte me çdo kusht.
Kështu, në gusht të vitit 1884, Propaganda Fide e emëroi Sekretar të argjipeshkvit Antonin Agliardi delegat apostolik i Vatikanit në Indi, që ishte themeluar nga papa Leoni XIII. Por brenda pak muajsh, dom Prend Doçi mbajti postin në krye të misionit diplomatik deri në largimin e tij nga qyteti i Bombejt të Indisë për shkak se Imzot Agliardi duhej të kthehej në Romë për kurime shëndetësore. Pas dy vitesh, në shtator të vitit 1886 ai u kthye në Romë duke e mbyllur me sukses misionin në Indi. Gjatë qëndrimit në Romë i paraqiste Propagandës Fide me kritika të ashpra, pakënaqësitë për situatën në dioqeza dhe të klerit në viset shqiptare. Imzot Doçi synonte në krijimin e klerit shqiptar, organizimin dhe ripërtëritjen e Abacisë së Oroshit. Pas misionit klerikal në emigrim në shtete të ndryshme, që nga Italia, Kanadaja, Mali i Zi, Greqia e India, Prend Doçit në vitin 1888 atij iu realizua dëshira për t’u kthyer në vendlindje me detyrën e abatit të Mirditës -Nullius- (do të thotë se Abacia e Oroshit do të vepronte e pavarur nga dioqezat e tjera, ajo kishte lidhje direkt me Selinë e Shenjtë në Vatikan). Për periudhën 1876-1888 në Orosh nuk pati Abat, veç një famullitar të thjeshtë. (Ky studim vijon në numrin e gazetës “Dielli” – Shtator 2024)
Bibliografia:
• Historia e Popullit Shqiptar, vëllimi II, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Historisë, Tiranë: “Toena”, 2002,
• Historia e Perandorisë Osmane, nën drejtimin e Robert Mantran, Dituria 2004,
• Shqipëria në Dokumentet Austro-Hungareze, I-VII, Botime Albanologjike 2012
• Dokumente Diplomatike Italiane për historinë e Shqiptareve 1912, Botime Albanologjike 2019
• Pal Doçi, Prend Doçi Abati i Mirditës, jeta dhe vepra. Tiranë, Naim Frashëri 1997,
• Luigj Martinit, Abati i Mirditës Prend Doçi 1846-1917, Shkodër, MIRGEERALALB 2012,
• Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, 2008,
• Peter Bartl, Shqipëria nga mesjeta deri sot, Prizren, Drita 1999,
• Edith Durham, Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Tiranë, Argeta-LMG, 2001,
• Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Përkth. Mihallaq Zallari, Tiranë, Eneas 2013,
• Revista “Hylli i Drites” Pashk Bardhi o. f. m. , Emzot Prend Doçi, në Hylli i Dritës, nr. 3-4, mars-prill 1942-XX, Vjeti XVIII, Shkodër,
• Revista “Studime Historike” Pal Doçi, Tri shkrime të Prend Doçit, në Studime Historike nr. 1-4, Tiranë, 1994,
• Kalendari “Afredita” per motin 1910,
• Flamuri i Arbërit, (La Bandiera dell’Albania, pubblicazione periodica mensile per cura d’un comitato di sinori d’Albania e delle sue Collone),
• Pontificia università urbaniana” është instituti i studimeve të larta të Kishës Katolike në (Gianicolo) në Romë, i specializuar në formimin e klerit nga vende të ndryshme në misionin e të rinjve të kishës. Nullius- do të thotë që abacia e Oroshit ishte e pavarur nga dioqezat e Lezhës apo të tjera, por kishte lidhje direkt me Selinë e Shenjtë në Vatikan.