• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova është e njohur dhe e dashur për Amerikën

September 14, 2024 by s p

Prof. Besnik Tahiri/

Gjatë qëndrimit tim në Huston të Teksasit pata nderin të isha pjesë e një eventi të nivelit të lartë në SHBA 🇺🇸 dhe të takoj kryetarin e Kongresit Amerikan, z. Mike Johnson dhe pesë Kongresmenë (z. Randy Weber, z. Dan Crenshaw, z. Morgan Luttrell, Brian Babin dhe Kevin Brady kryesuesi i Ways & Means Committee) të cilët i falenderova për mbështetjen që SHBA i dha Kosovës në të gjitha etapat e saj.

Në të gjitha takimet theksova se: Kosova ka një të ardhme të ndritur, dhe së bashku me miqtë tanë amerikanë 🇺🇸 me mbështetjen e NATO-s 🇽🇰, do të vazhdojmë të ndërtojmë një rrugë drejt prosperitetit, sigurisë dhe suksesit të përbashkët!

Theksova se si vend angazhohemi në forcimin e miqësisë dhe partneritetin në mes të dy shtetëve dhe kërkova të kemi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës më NATO.

Gjatë qëndrimit në Teksas, pata nderin t’i takoj anëtarin e Senatit Amerikan nga ky shtet, Ted Cruz, Senatorin dhe Kryetarin për Arsim në Shtetin e Teksasit, Brendon Creighton, si dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit, Ken Paxton.

Në këto takime dhe diskutimet e shumta, është e qartë se jo vetëm ndjenja e mirë, por edhe energjia për të mbështetur Kosovën janë prezente të figura të larta të SHBA-ve. Kosova është e bekuar që e ka fituar lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me ndihmën e Amerikës.

Edhe pse jemi një vend i vogël, Kosova është e njohur dhe e dashur për Amerikën. Këtë ndjesi dhe këtë marrëdhënie duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë me shumë kujdes.

Filed Under: Rajon

Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës

September 13, 2024 by s p

Albin Kurti/

25 vjet pas gjenocidit në Kosovë, me 186 masakra, rreth 500 varreza masive në Kosovë, 5 varreza masive në Serbi, ku mbetën të vrarë mbi 13 mijë njerëz (1392 fëmijë; 1739 gra; 1882 të moshuar), rreth 20 mijë gra e vajza të dhunuara dhe keqtrajtuara, dhjetëra mijëra qytetarë të persekutuar, mbi 860 mijë të dëbuar nga Kosova dhe qindra mijëra të tjerë që nga malet shihnin qysh po ju plaçkiten e digjen shtëpitë (gjithsej 119,855 sosh), dhe ende 1595 persona të zhdukur me dhunë, qindra familje që jetojnë me ankth e dhembje, ndërsa i mbanë të fshehura informacionet për vendndodhjen e të paktën 11 varrezave masive brenda territorit të saj, Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatitin kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës.

Serbia flenë mbi varreza masive nga gjenocidi i kryer në Kosovë. 950 civilë të paarmatosur u masakruan, ua rrëmbyen kufomat dhe i futën në varreza masive në Serbi, përfshirë këtu kamionë frigoriferë që dolën nga fundi i liqeneve atje. Dëshmitë e gjenocidit janë të freskëta gjithandej në Kosovë e Serbi, por kjo nuk po e pengon Presidentin e Serbisë për të kërcënuar sërish.

Në vend që Serbia:

▪️të pendohet për krimet, të kërkojë falje për to dhe të mos i mohojë ato;

▪️t’i hapë arkivat e luftës të policisë dhe ushtrisë jugosllave, sidomos të brigadës së motorizuar 37;

▪️të paguajë dëmshpërblimet;

▪️të bashkëpunojë për të vendosur drejtësi për viktimat e gjenocidit;

▪️të angazhohet për pajtim e paqe duke reflektuar mbi përgjegjësinë që ka;

ajo ka zgjedhur anën e kundërt, duke përsëritur kërcënimet dhe ultimatumet, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë. Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkanit.

Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike.

Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta.

Filed Under: Rajon

Një vizitë e paharruar në Kosovë…

September 13, 2024 by s p

Gjatë një vizite e pritje të përzemërta e vëllazërore të realizuar në Kosovë më 11 shtator 2024, kryetari i VATRA dega Toronto z. Tonin Sufaj, u prit në takim nga kryetari i Komunës së Albanikut (Leposaviçit), z. Lulzim Hetemi. Kryetari Sufaj, i shoqëruar nga Prof. Dr. Pajazit Hajzeri, profesor në UBT, Kolonel Nexhat Dedia, Sejdi Shkupolli afarist biznesmen nga Montreali dhe Pashko Gjokaj asambleist në Kuvendin Komunal Tuz, zhvilluan një vizitë në komunën më veriore të Kosovës Albanik (Leposaviç) ku u priten në një takim të ngrohtë nga kryetari z. Lulzim Hetemi.

Më pas kryetari Sufaj, vizitoi varrezat dhe kullat e Jasharajve në Prekaz. Në këtë rast Sufaj vizitoi edhe memorialin Heroinat në Prishtinë kushtuar grave dhe vajzave të dhunuara gjatë Luftës në Kosovë.

Si përfaqësues i Vatrës në Toronto z.Sufaj u prit edhe në odën e kolonel Nexhat Dedis, nga ku dha edhe një mesazh, se tradita shqiptare do ruhet dhe kultivohet brez pas brezi ashtu si e ruajtëm deri tani. Mirënjohje luftëtarëve, çlirimtare, dëshmorëve e heronjve të Kosovës.

Filed Under: Rajon

NJË SHTATORE NË PODUJEVË PËR PRESIDENTIN HISTORIK TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVËN 

September 11, 2024 by s p

“Për më të dijturin dhe më të urtin e të gjithëve” (At Zef Pllumi)

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
May be an image of monument

Në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, fund javën që kaloi, me 7 shtator, në Podujevë u përurua shtatorja e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë historik të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002). Kjo shtatore në Podujevë, u bashkohet  disa shtatoreve si motra të Presidentit historik në Prishtinë, Rugovë, Istog dhe Pejë, mos qofsha gabim.  Në ceremoninë e përurimit morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit dhe dhe qeverisë qendrore dhe përfaqsues të administratës lokale të Podujevës, bashkëpunëtorë të ish-Presidentit Rugova, familjarë të tij, si dhe qytetarë nga treva e Llapit por edhe nga gjithë trevat shqiptare. Fjalën kryesore me këtë rast e mbajti Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani.  Në emër të familjes Rugova përshëndeti djali i Presidentit Rugova, Ukë Rugova.

“Shtatorja e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, e zbuluar sot në Podujevë, nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat punoi deri në vdekje ati themeltar i Republikës sonë: për Kosovën e lirë, të pavarur e demokratike”, është shprehur fillimisht, Presidentja Vjosa Osmani, duke përshëndetur të pranishmit. “Prandaj, sot po nderojmë kujtimin për udhëheqsin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun i cili me guxim e mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike, pikërisht, në Kosovë.  Përball shtypjes dhe dhunës së Millosheviqit, ai zgjodhi rezistencën paqësore. Kur rruga përpara, ishte e pasigurt, vemdosmëria dhe qëndrueshmëria e tij ishte e palëkundur.  Ai ishte njeri i dijeve. Siç thoshte At Zef Pllumi, ‘Ai ishte më i dijturi dhe më i urti i të gjithëve’.  Presidenti Rugova ishte një njeri i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës.” 

“Në vitet më të errëta të historisë tonë ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij: pavarësi dhe asgjë më pak. Në ditë më të errëta, ai dëshmoi se forca e Kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm, për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi. Kjo shtatore është një nderim për burrshetasin, për kryearkitektin e shtetit tonë, i cili na priu në kohët më të rënda për ne. Ishte mjeshtria diplomatike e Presidentit Rugova, ajo që forcoi lidhjet tona me miqtë dhe aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e kuptoi se rrugëtimi drejt shtetësisë, nuk mund të bëhej i vetëm. Ndaj besoi fort se shtëpia mbahet me miq. Ai ndërtoi ura besimi me liderët anë e kënd globit, të bazuar në respektin reciprok dhe në vlerat e përbashkëta. E këto miqësi janë bërë shtyllat mbi të cilat qëndron edhe shteti ynë i ri. Ajo që bëri Presidenti Rugova nuk ishte vetëm vizioni i tij politik por edhe integriteti i tij. Ai kurr, askujt nuk i punoi pas shpine.  Presidenti Rugova ishte transparent, i ndershëm dhe thellëssisht i përkushtuar ndaj punës së bazuar në vlera”, ka thenë ndër të tjera Dr. Vjosa Osmani.  “Ai besonte në unitet, nepërmjet vlerave të përbashkëta, ndaj udhëhoqi me çiltërsi dhe pastërti morale.  Presidenti Rugova nuk ishte i vetmi në këtë mision. Ai ju kishte të gjithë juve prapa tij…”. 

Presidentja Osmani e përfundoi fjalën e saj me këtë rast, duke thënë se vizioni i Presidentit Rugova për Kosovën “është më aktual së kurrë “.  Me këtë rast, Presidnrtja e Republikës së Kosovës, bëri thirrje për bashkim të klasës politike për realizimin e plotë të ëndrresë së Ibrahim Rugovës: “Si udhëheqës dhe përfaqësues të popullit tonë, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe të fokusuar në realizimin e ëndrrës së plotë të Presidentit Rugova. Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk është vetëm një aleancë strategjike, por është, poashtu edhe themeli i sigurisë, prosperitetit dhe të ardhmes sonë…Le të qëndrojë kjo shtatore si simbol i përkushtimit tonë të përbashkët ndaj vlerave që na përcaktojnë, si shtet, si popull dhe si Komb”, përfundoi Presidentja e Republikës së Kosovës, fjalimin e saj me rastin e përurimit, fund javën që kaloi, të shtatores së Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës në Podujevë.

Në ceremoninë e përurimit të shtatores së Presidenti historik të Kosovës, Dr. Ibrahim mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, cili nuk foli në ceremoninë e zhvilluar në Podujevë, por ka shënuar në portalin zyrtar të tij fjalët dedikuar Presidentit Ibrahim Rugova me këtë rast:“Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi. Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të”.

May be an image of 4 people and text

Por në emër të qeverisë Kurti foli me këtë rast Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, duke e cilësuar Presidentin Ibrahim Rugova, “Si intelektual e idealist, kur po rrënohej liria dhe po rrezikohej ekzistenca e popullit të tij, Ibrahim Rugova doli në ballë të lëvizjes për liri e pavarësi të Kosovës”, tha ajo ndër të tjera. “Shqiptarët dhe bota po shihnin se brenda natyrës së qetë e të butë, shprehjes së hollë e të kulturuar, brishtësisë dhe elegancës së intelektualit Rugova, ekzistonte një vullkan i rrallë energjie dhe vendosmërie për Kosovën. Dhe, së bashku me të, edhe ne të gjithë, një popull i tërë, po e formësonim e po e forconim Kosovën me një imazh të ri.” Ministrja e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla shtoi se Presidenti Rugova, “Me vizionin largpamës dhe udhëheqjen e tij të matur e të mençur, zgjoi mobilizimin më të madh në historinë e shqiptarëve për një rezistencë pa dhunë, por shumë aktive dhe konsekuente. Kosova jo vetëm që shpalli pavarësinë e filloi jetësimin e saj, por edhe i shpëtoi goditjes së planifikuar me dekada të nacionalizmit serb, goditje që do të ishte e përmasave ndoshta apokaliptike.”

Vizionit dhe parimeve, Ibrahim Rugova u qëndroi edhe në vitet nëntëdhjetë, edhe gjatë luftës 98/99, nënvijoi Zonja Gërvalla: “Edhe një herë, vizioni i tij i qartë, mençuria, thellësia e mendimit, këmbëngulja në parime, dhe sidomos besimi e dashuria që populli i Kosovës nuk ia kursyen as pas luftës, e shpëtoi vendin tonë nga një vorbull e rrezikshme e nga një rivalitet i egër politik, i cili rrezikonte të zhbënte Kosovën prapë, edhe pasi ishte fituar liria.”  Ajo paralajmëroi se, “furtunat në Ballkan ende nuk kanë pushuar. Kosova e lirë dhe e pavarur, të cilën po mundohemi ta zhvillojmë e përparojmë, është trashëgimia më e madhe e vizionarit Ibrahim Rugova. Prandaj, sot kur po e kujtojmë dhe nderojmë veprën e tij, duhet të reflektojmë për rrugën e vizionin e tij, rrugën e vështirë të Kosovës deri këtu”, përfundoi ajo fjalën e saj.

A person in a military uniform standing at a podium with a person in a crowd

Description automatically generated

Ndërkaq, Kryetari Komunës së Podujevës, që miratoi dhe financoi shtatoren e Presidentit Rugova, Z. Shpëtim Mulliqi tha se, “Në këtë ditë, në 34-vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, një prej ngjarjeve më të ndritura të Kosovës, po nderojmë njërin nga figurat më të shquara të historisë sonë, Presidentit Ibrahim Rugova, duke e zbuluar shtatoren e tij në qendër të qytetit tonë. Ky monument, që tashmë do të qëndrojë në Parkun e Qytetit të Podujevës, është një përkujtim i përjetshëm për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion e udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë”, ka thënë Kryekomunari i Podujevës, Z. Shpejtim Bulliqi. Ai, ndër të tjra, se Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi që simbolizoi lëvizjen për liri të Kosovës. “Shtatorja që po e zbulojmë sot është më shumë se një vepër arti; ajo është një simbol i përkushtimit të Rugovës për paqe, dialog dhe unitet. Ky monument na kujton për çdo ditë se liria dhe pavarësia jonë janë arritur falë përkushtimit dhe sakrificës së njerëzve të mëdhenj si Rugova, që vunë interesat kombëtare mbi gjithçka tjetër”.

Duke marrë parasysh zhvillimet politike të fundit të botës shqiptare, sidomos absurditetin aktual të zhvillimeve politike në Shqipëri, figura e Dr. Ibrahim Rugovës sa vjen e rritet dhe shkëlqen, si një udhëheqës ndryshe. Ndërsa është kujtuar dhe kujtohet si udhërrëfyesi i Kombit. At Zef Pllumi e ka cilësuar Presidentin historik të Kosovës, “Një ndër burrat e rrallë të kombit”, ndërsa Ismail Kadare, është cituar të ketë thënë se, “Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe e një qytetërimi, i botës shqiptare. Kjo botë ka nevojë sot të mbrohet.”   Fatkeqësisht, Presidenti Rugova ka ikur nga kjo botë tepër herët, atëherë kur Kosova dhe Kombi shqiptar, ndoshta, kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një zgjim dhe hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert, për një zëdhënës dhe për një përfaqësues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perëndimore të shqiptarëve — pas një periudhe errësire shekullore 500-vjeçare dhe më pas të përvojës së shekullit të kaluar, të një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli. Të bazuar në një ideologji sllavo-aziatike, e cila zbatonte brutalisht, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht – të kundërshtarëve që përfaqësonin këto vlera kombëtare dhe zhdukjen e identitetit autentik kombëtar të shqiptarëve. Një ideologji enveriste, trashëgimia tragjike e të cilës shihet qartë edhe sot në zhvillimet politike shqiptare 34 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit — sidomos, në Shqipëri, por, fatkeqsisht, edhe në Kosovë. Megjithse përurimi i një shtatorje tjetër në Kosovë — në nder të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, në Podujevë – është një simbol shprese në mbrojtje të  vlerave të këtij Kombi shqiptar – një pasqyrim i aspiratave dhe i një qytetërimi i botës shqiptare që përfaqësonte Dr Ibrahim Rugova,  i një bote –e cila siç është shprehur edhe i ndjeri Ismail Kadare – ka nevojë sot të mbrohet.

Frank Shkreli

*Për më shumë foto nga ceremonia: Komuna e Podujevës | Podujevë | Facebook

A group of people standing around a statue

Description automatically generated
May be an image of 9 people and monument
May be an image of 1 person
May be an image of one or more people, crowd, the Basilica of the National Shrine of the Immaculate Conception and text
May be an image of 7 people and monument
May be an image of 6 people and crowd

Filed Under: Rajon

Çamëria vatër trimërie, por edhe diturie

September 8, 2024 by s p

Dr. Laurant Bica/

Sami Frashëri, diku në enciklopedinë e tij Kamus’ul Alam, Fjalori i Botës, duke folur për shqiptarët, thotë se çamët janë më të zgjuarit e toskëve, dhe kur flet direkt për ata vetë i shquan për inteligjencën dhe mençurinë e tyre, ndërsa Robert d’Anzheli, në librin “Enigma”, duke shkruar për Epirin, e konsideron atë si djepi i burrave të mëdhenj në Bizant e më gjerë gjatë historisë, për personalitetet e shquara ka nxjerrë. Çamëria, apo e thënë ndryshe Epiri, ka qenë vatër trimërie, por edhe një vatër diturie, që e ka dëshmuar këtë në shekuj deri në ditët tona. Ajo i ka dhënë jo vetëm kombit shqiptar personalitete të spikatura, por edhe mbarë botës. Ndihmesa e saj në raport me territorin që zë dhe popullatën që e banon është do të thoshim e jashtëzakonshme. Le t’i referohemi fakteve.

Çamëria i dha botës dy strategë të mëdhenj ushtarakë. Njëri Aleksandri i Maqedonisë shkoi deri në Indi. Çam nga e ëma, Olimbia, ai mori me vete në fushatat e veta ushtarake dhe çamët. Ata ishin ndër gjeneralët më të mirë të tij si Lagosi. Në kthim nga India një pjesë e ushtrisë së tij përfshi edhe çamët u vendosen në pllajat e Indokushit në Afganistan, ku pasardhësit e tyre janë edhe sot dhe kanë ruajtur deri vonë përkatësisht shqipen e lashtë. Pirroja i Epirit me trupat e tij dhe elefantët u erdhi në ndihmë vëllezërve të tij ilirë të Tarantos në Itali dhe u kalli tmerrin romakëve. Ishte gjak çam nga Ledhëza e Gumenicës, si mbarë dinastia e tij që sundoi për shekuj në Epir. Shqiptarët dy herë i kanë kontribuar Egjyptit me dy dinasti, një në kohën e re me Mehmet Aliun e Oparit, që ringjalli dhe lulëzoi Egjyptin në kohën e re, ekonominë dhe kulturën e tij, e cila vazhdoi një shekull e gjysëm deri në 1952 dhe në lashtësi për rreth 3 shekuj dinastinë çame të Ptolemejve, gjatë së cilës u krijua qyteti i Alkeksandrisë me bibliotekën dhe akademinë e vet. Dhe për tre shekuj para erës sonë dhe në fillim të saj lulëzuan veç zhvillimit ekonomik edhe shkencat dhe dijet. Ky lulëzim vazhdoi edhe në sundimin romak edhe për 3-4 shekuj të tjerë. Shkolla Aleksandrine e famshme e dijes ka në themel ndihmesen e kësaj dinastie çame për shqiptarsinë e së cilës na sigurojnë dy eruditët tanë, Sami Frashëri dhe Faik Konica. Ptolemejtë ishin fjesht çamë, shqiptarë, do të shkruajë Samiu. Nuk është rastësi që një dijetar nga Aleksandria me kulturë helene si Klaud Ptolemeu do të përmendet për herë të parë në histori te Albanët dhe qytetin e tyre Albanopolis. Ne mendojmë se ky duhet të jetë një pinjoll i derës çame të Ptolemejve, një stërnip i tyre, por për këtë duhen bërë kërkime.

Çamëria i dha Krishterimit në fillimet e tij një Papë si Shën Eleuteri (Lefteri= greqisht Liria) në shekullin e dytë, i cili e çoi Krishterimin deri në Angli. Një shenjtor tjetër i Kristianizmit është Shën Donati (shekulli IV) . Populli e përjetësoi, duke ja dhënë emrin një qyteti, atij të Paramithisë, i cili në kohën bizantine dhe ate osmane u njoh me emrat Ajos Dhonatos, apo Ajdonat. Çamëria është ajo që i dha Bizantit dhe Patriakanës së Stambollit shumë personalitete në shekuj dhe mijëvjeçarë, por ne po përmendim vetëm patrikun Atenagora, i cili vdiq në 1972 dhe ishte nga një fshat i Konicës as dy hapa matanë kufirit shqiptar, përballë me Leskovikun . Në bashkëpunim me Papën Gjon Pali Katërt, ai u përpoq për afrimin e Kishës Ortodokse me atë Katolike dhe kudo manifestoi shqiptarizmin e tij dhe faktin që ishte bir i Epirit, i Çamërisë. Qysh prej plot 450 vjetësh në Manastirin e Troickut në periferi të Moskës ku është qendra e Kishës Ortodokse Ruse, digjet një qiri që nuk shuhet kurrë në një odë tëp tij. Në të, sipas dëshmitarëve okularë, ruhen reliket e humanistit shqiptar me famë botërore të Rilindjes Evropiane, Mihal Artioti- Trivoli, i njohur në Rusi dhe me emrin Maksim Greku (në kuptimin Ortodoks). Ky shenjtor i Kishës Ruse , bir i Artës së Çamërisë, i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me mbi 150 veprat e tij, Kishës dhe kulturës Ruse dhe asaj mbarëbotërore. Veprat e tij i gjen të botuara veç rusishtes në gjuhët kryesore të Evropës por, për fat të keq, s’ka asgjë prej tyre në shqip, ndonëse ai ka folur edhe për Skënderbeun dhe s’e harroi kurrë atdheun e tij. Famila nga rridhte ishte një familje fisnike aristokrate shqiptare e Çamërisë, që kishte stemën e vet, kishte një bibliotekë të pasur me libra dhe zaten kjo u bë shkak që djali i ri Mihali të studiojë në shkollat më të mira humaniste të kohes si në Itali, Francë, Spanjë etj. Mihal Artioti është një vigan i mendimit humanist botëror që pret studiuesit e rinj të veprës së tij të lavdishme. Mos lejojmë që me emrin dhe veprën e tij të mburren të tjerët, siç është bërë deri më sot, por të zotët e punës, çamët shqiptarë…. Të dy nga trojet e Epirit, Çamërisë dhe Mehmet Esat Janinasi dhe Jani Koduni. I pari në shekullin XVIII, filozof dhe dijetar, do të përkthejë në osmanisht me çeljen e shtypshkronjës së parë osmane (afërsisht në një kohë me ate të Voskopojës) nga Ibrahim Muteferrika komentarët e veprës së Aristotelit, të bëra me kompetencë të plotë nga humanisti i Rilindjes Evropiane, Jani Koduni në latinisht. Të dy bota i kujton se janë njëri turk dhe tjetri latin, por të dy as më shumë dhe as me pak janë shqiptarë të Epirit. Ka Çamëria, siç do të shprehej ndonjë çam, gjaku inë. Ironi e fatit! Ç’të thuash! Ç’të them për Evgjen Bullgarin, çamin ortodoks i cili është njëri nga themeluesit e Akademisë Ruse të Shkencave, një pus dijesh, një nga më të diturit e kohës së vet. Veç e shpreh keqardhjen që e njohim pak, shumë pak, për të mos thënë aspak! Fqinjët tanë këtë filozof dhe erudit të kombit tonë nuk mungojnë ta lakojnë në të gjitha rasat si të vetin. Emri i Profesor Hoxha Hasan Tahsin Filatit është i dëgjuar për auditorin shqiptar, por veprën e bëmat e tij të nivelit botëror në Perandorinë Osmane e në Francë pak i njohim. Një personalitet që krijoi Universitetin e parë Osman, një përfaqësues i shtetit Osman në Francë, që njihej personalisht dhe me Napolonin III, me akademikët e Francës së Kohës, me shkencëtarë të kalibrit të Lauavazerit, që futi dijet dhe shkencat e reja i pari në krejt perandorinë, një kryemësues i tërë rilindasve shqiptarë, një personalitet që do të krenohej çdo shtet po ta kishte të vetin dhe s’do të kishte lënë asnjë presje të tij pa studiuar. Sokrati i Greqise së lashtë nuk shkroi vetë asnjë gërmë, por ai ka mbërritur deri në ditët tona, sepse ishte një korife i dijes. I tillë ishte dhe Hasan Tahsini ynë, i cili nuk la vepra në përputhje me dijet e tij, por edhe ato që la me turp duhet ta themi, pak i njohim, për të mos thënë ndonjë fjalë më tepër… Këtë kryerilindës nuk na falet të mbetet kështu. Shteti Francez, pa u shkarkuar mirë nga posti i rektorit të Universitetit të Stambollit, i propozoi ta bënte rektor të Universitetit të Bordosë. Hasan Tahsini i Filatit kaloi një pjesë të jetës në Perëndim dhe e përfundoi në Lindje të Europës në Stamboll. Dora d’Istria, bashkëkhohësja dhe bashkëvendesja e tij me rrjënjë nga Parga e Çamërisë, kaloi nga Lindja në Perëndim në tërë Evropën Perëndimore dhe vdiq në Firence të Italisë. Ajo dha një ndihmesë në fushën e letrave, jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë Ballkanin dhe për kombet e Evropës. Kjo grua famoze njihej me personalitetet më të shquar të Evropës Perëndimore e më gjerë, akademike, shkrimtare, publiciste etj. Dhe e hyrë bile, që në të gjallë të vet, në enciklopeditë e Evropës, për më tepër ishte grua shkencëtare. Çamët me krenari mund të thonë “ ishte ka Epiri”. Xhaxhai i saj, Jani, apo i njohur në Rumani si Jon Gjika, është themelues i Akademisë Rumune të shkencave dhe përkrahës dhe mbështetës i pakursyer i shoqatave shqiptare në Rumani gjatë Rilindjes Kombëtare. Do të shkonte gjatë të flisnim për stratiotët çamë, që dhanë ndihmesën e tyre me grykën e armëve në shtetet e ndryshme Evropiane dhe ja zbardhën faqen dhe e ngritën lart emrin e shqiptarit dhe të çamit. Nuk mund të la pa përmendur vëllezërit Zosimea, shqiptarë të Janinës, që punuan, jetuan dhe vunë pasuri në Rusi, në Odesë. Ata ngritën një vatër diturie të kulturës helenike, në gjuhën greke që ishte gjuhë e kulturës për mbarë Ballkanin, siç qe latinishtja në Perëndim dhe arabishtja në Lindje. Të tjerët nuk mungojne t’i përvetësojnë siç i kanë përvetësuar deri më sot. Gjimnazi i famshëm Zosimea i Janinës ishte shkolla e ngritur nga çamët shqiptarë për çamët, për veten e tyre, pra shqiptarët në një gjuhë të kulturës së kohës siç qe greqishtja. Aty u shkolluan një pjesë e rilindësve tanë si Jani Vreto, Ismail Qemali, Vëllezërit Frashëri, përfshi dhe çamin e madh Abedin Dino. Detyra jonë është të nxjerrim në shesh të vërtetën.. Abedin Dino që u bë ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane, ishte njëkohësisht kryetar i lidhjes së Prizrenit për Jugun shqiptar dhe bëri çmos që Çamëria të mos ndahej nga Shqipëria dhe bashkë me çamin tjeter Hoxha Tahsinin, ja arritën. Të njëjtën gjë bëri 30 vjet më vonë i biri, Rasih Dino në Londër, por pa sukses. Diplomacia Evropiane e kishte dhënë verdiktin. Çamëria kaloi në duar të huaja në vitin 1913, sadoqë çamët dhe lebërit e lanë me gjak Janinën. Por Rasih Dino s’u tërhoq, bashkë me të bijën e tij me të madhe, Lejlanë, që ishte ndihmëse, sekretare, këshilltare, përkthyese etj. në Konferencën e Versajës do të bënte të pamundurën të shpëtonte Çamërinë. Pasurinë e vet e bëri zero, veç të shpëtonte Çamëria. Më kot. Veshi i Evropës ishte shurdh dhe oreksi i fqinjit tonë s’kishte kufi . Epopeja e Dinove për Çamërinë s’mbaron me kaq. Djali i madh i Rasih, Ali Dino, piktor i shquar, do të mbronte çështjen çame nga brenda parlamentit grek (si deputet i tij). Gjysma e Epirit ka shkruar në kujtimet e tij, vëllai i tij më i vogël, piktori i madh Abedin Dino, ka qenë pronë e familjes sonë. Gjithe Çamëria e çoi në banesën e fundme në Athinë kur vdiq, birin e saj që mbrojti të drejtat e saj legjitime. Fatkeqësisht ne s’dimë asgjë për Dinot e brezit të tretë, që u shkrinë për komb e atdhe, për Çamërinë. Ali Dino ka qenë karikaturisiti më i madh dhe një nga piktorët më të mëdhenj të Greqisë dhe pati nderime të shkallës sipërore nga shteti Grek. Në Panteonin Grek, ku shumica e figurave janë të gjakut shqiptar, ka dhe shumë çamë por po përmend vetëm dy: Marko Boçarin e Sulit dhe Kostandin Kanarin e Pargës. Bëmat e tyre janë shkruar me gërma të arta në historinë greke dhe atë shqiptare. Këta janë, siç thotë populli në mënyrë lapidare , Trimat e Shqipërisë që i dhanë lirinë Greqisë.

Filed Under: Rajon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?
  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT