• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë- Himni i Nënës Terezë nga Inva Mula përmbyllë festën

September 6, 2015 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës do ta shpallë 5 Shtatorin e Nënës Terezë ditë të humanizmit dhe bamirësisë/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 6 Shtator 2015/ Festa e Nënë Terezës në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, është përmbyllur mbrëmë me koncert në Katedralen me emrin e shenjtëreshës shqiptare, ku në mesditë u zhvillua mesha solemne. Himni i Nënës Terezë performuar nga solistja e njohur shqiptare me famë botërore, Inva Mula, përmbylli festimet.

Në Koncertin e  Himnit të Nënë Terezës me vepra muzikore të kompozitorëve të njohur shqiptarë dhe botërorë dhe recitime të aktorëve të shquar ishin edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë Musa Xhaferi, veprimtari dhe simboli i rezistencës kosovare Adem Demaçi, deputetë dhe shumë personalitete tjera të jetës politike, kulturore e fetare.

 Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ndërsa kryetari i Kuvendit, Veseli, në një fjalë rasti vlerësoi kontributin dhe shërbimin që Nënë Tereza i bëri atdheut, nëpërmjet misionit të saj fisnik të bamirësisë e të përkujdesjes njerëzore, duke u bërë kështu vlerë krenarie për shqiptarët në të gjitha anët e globit.  
Kreu i Kuvendit kosovar tha se tre vite më parë, kur OKB-ja vendosi që duhej të kishte një datë dhe një emër që do të simbolizonte përkushtimin global për bamirësi dhe humanizëm, askush nuk kishte dilema se cila do të ishte kjo datë dhe se cili do të ishte ky emër.
“E lindur dhe e rritur në një kohë të trazuar, vasha e ndrojtur e bojaxhinjve të Prizrenit, në një ditë gushti të vitit 1928, shumë afër nga këtu, në Letnicën e Vitisë, mori vendimin jetësor për t’u nisur në rrugën e madhe të bamirësisë dhe humanizmit…Shpirtin e kësaj toke e mori me vete, për ta kthyer në një lëvizje botërore të bamirësisë, solidaritetit, paqes dhe dashurisë njerëzore”, tha kryetari Veseli, duke theksuar se Nënë Tereza, me veprën e saj jetësore i tregoi gjithë botës se vinte nga një popull i vogël, por me zemër të madhe, duke i bërë kështu një dhuratë të çmuar atdheut të saj.
“Sonte jemi mbledhur këtu në këtë tempull të respektuar të zotit, që së bashku të dëgjojmë tingujt e himnit të saj. Nga këtu, nga toka e saj, nga Prishtina, këta tinguj do të dëgjohen në të gjithë botën, për të dhënë përsëri mesazhin për të cilin veproi gjithë jetën e saj, bija jonë e madhe, Nënë Tereza. Mesazhin e paqes që triumfon mbi urrejtjen dhe shkatërrimin, mesazhin e solidaritetit që triumfon mbi indiferencën dhe mospërfilljen, mesazhin e dashurisë njerëzore që triumfon mbi dhunën, mesazhin se jeta jonë merr kuptim vetëm duke punuar me besimin se gjithmonë është e mundur një botë më e mirë, më e drejtë dhe më paqësore. Urime e gëzuar të gjithë Himni i të Shenjtës Nënë Tereza”, u shpreh Veseli.
Kryeparlamentari kosovar tha se Kuvendi i Kosovës e konsideron Nënën Terezë të shenjtë, sepse ajo e tillë ka qenë gjatë gjithë jetës së saj. Ai shprehu besimin se Kuvendi shumë shpejt do ta shpallë 5 Shtatorin e Nënës Terezë ditë të humanizmit dhe bamirësisë.
Në  Katedrale, në meshën e Festës të së Lumes Nënë Tereza, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshëv i Kosovës, gjatë predikimit/homelisë  u shpreh se, “gjithë jeta e saj ka qenë një Himn dashurie për Zotin dhe një  altar sakrifice për vëllain e motrën njeri”. 
“Ja se çfarë bëri Zoti për ne: Gjithë dashurinë që njerëzit tanë e kanë mohuar në histori, Zoti e ka vu në zemrën e Gonxhes. Dhe kjo dashuri e derdhur në një zemër bujare, të një vajze Shqiptare, e ka mahnitë gjithë njerëzimin. Fryti i kësaj dashurie ka shëruar plagë, të trupit e të shpirtit, të shumë njerëzve mbi tokë. Kësaj bije të popullit tonë, kësaj Nëne të njerëzimit dhe këtij engjëlli të qiellit, ne i kemi ngritë këtë Katedrale”, theksoi Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Gjergji.
Në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë, gjatë manifestimit treditësh Ditët e Nënës Tereze këtë vit  është hapur ekspozita e fotografive dëshmi kohe gjatë çerek shekulli – 25 vjetëve të Shoqatës Humanitare Bëmirëse të Kosovës Nëna Terezë, e cila u themelua edhe si pjesë e rezistencës përballë pushtimit e dhunës dhe e lëvizjes gjithëpopullore për liri e pavarësi.
Katedralja Nëna Terezë, si në meshë ashtu edhe në koncert, ishte e mbushur përplot qytetarë të komuniteteve e besimeve të ndryshme, si dhe pjesëtarë të misioneve diplomatike, pranisë ndërkombëtare në Kosovë.
 Në qytetin jugor kosovar të Kaçanikut është mbajtur pardje Manifestimi Nënë Tereza – Simbol i Dashurisë dhe Bamirësisë, ku morën pjesë krerë të Kishës Katolike të Kosovës, të Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të ftuar të tjerë dhe qytetarë të shumtë.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, festa, Himni i Nenes Tereze, Inva Mula

Në Katedralen “Nëna Tereza” Janë Ngritur Flamujt E Festës

September 5, 2015 by dgreca

REPORTAZH I VITIT 2010 – NE 100 VJETORIN E NENES TEREZE/
PRISHTINË, 1 Korrik/ATSH-Behlul Jashari/.- Flamujt janë ngritur këtë verë lart mbi kulmin e katedrales në ndërtim, me emrin e Nënës Terezës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, përballë Universitetit të Prishtinës.
Janë flamujt e ngritur në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, në këtë vit jubilar, të cilin Kosova e shënon si “Viti i Nënës Terezës”, i shpallur e tillë nga presidenti i shtetit më të ri evropian.
I pyetur për këtë imazh flamujsh në Katedrale, Don Shan Zefi, thotë se “është flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i shtetit të Kosovës, dhe Flamuri i Vatikanit Janë tre flamujt, që paraqesin Kishën Katolike edhe në Kosovë”.
Ipeshkvia e Kosovës, e cila kishte selinë në qytetin e Prizrenit, tani ka selinë në Prishtinë, në një ndërtesë të sapondërtuar, shumë pranë, në një oborr, me Katedralen “Nëna Tereza”, e cila është në ndërtim.
Don Shan Zefi, i cili udhëheq punën për ndërtimin e Katedrales, thotë se projekti ecën përpara, sipas afatit të parashikuar. “Deri më 26 gusht 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezës, mendojmë se ndërtesa e Katedrales do hyjë nën kulm, do përfundojnë punimet e mëdha, do të ketë dyert e hyrjes dhe dritaret”, thotë ai.
“Dita e 100-vjetorit të Nënës Terezë është një jubile jashtëzakonisht madhor, do të kremtohet me një pjesëmarrje të madhe e shumë veprimtari. Do të ketë edhe një meshë solmene”, tregon Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.
Ndërsa, shton ai, shenjtërimi – shugurimi i Katedralës “Nëna Terezë”, do të jetë më vonë, pas një kohe që do zgjasë sa dhe përfundimi i të gjitha punimeve, përfshirë edhe ato të brendshme në objektin e Katedrales, që do jetë edhe një mrekulli arkitekturore.
“Është një projekt që do kohë të realizohet. Do të ketë piktura, skulptura, simbole.Do të ketë dekorim me mermere të çmueshëm, me ngjyrat e Nënës Terezës.Edhe arkitektura do të ‘flasë’ shqip”, thotë Zefi.
Katedralja në Prishtinë do të jetë ngjarja më e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të “Vitit të Nënës Terezës” në Kosovë.
Më 11 nëntor 2009 në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ të Kosovës për 100-vjetorin e lindjes së të Lumes Nënës Tereze, ndërsa viti jubilar u hap në 10 dhjetor, me Akademinë kremtore me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezës me Çmimin Nobel për Paqe.
Në këtë Akademi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujtoi se “30 vjet më parë, Nëna Tereza, teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, pasi i nënshkroi Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, shkruajti ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar”.
Presidenti Sejdiu më atë rast shpalli dhe vendimin për “Vitin e Nënës Terezës”.
Don Shan Zefin tregon dhe për kalendarin e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare me famë botërore, të cilat janë paralajmëruar deri në fund të këtij viti nga Këshilli Organizativ i Kosovës.
Ai ka folur dhe rreth temës “Kush ishte e Lumja Nënë Tereza?”, në një nga aktivitetet e zhvilluara deri tani, gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor.
“Kjo datë historike e 100 vjetorit të Nënes Terezës do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua, e sidomos për popullin shqiptar, nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë”, pat theksuar më atë rast Zefi.
Gjatë kesaj vere, gushtit, pritet që “Figura e Nënës Terezës në letërsi” të jetë tema e një sesioni në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Po gjatë gushtit, mendohet që të bëhet përurimi dhe emërtimi i Urës së Mitrovicës, mbi lumin Ibër, “Ura e Paqes – Nëna Tereza”.
Për ditën e lindjes së Nënës Terezës, krahas veprimtarive për Katedralen, do të jetë edhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, dhe pritet akordimi i Medaljes Humanitare “Nëna Terezë” nga presidenti i vendit.
Më 5-10 shtator është paraparë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezës”.
Ndër aktivitetet që priten deri në fund të vitit është dhe botimi i pullës postare me portretin e Nënës Terezës dhe përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereza” në qytetin e Prizrenit.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujton fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, nga takimi i parë me të në vitin 1975.
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë. Kur i thamë se jemi nga Kosova, Nëna Tereza menjëherë u shpreh shqip. Tregoi se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakonshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët.”, kujton Zefi.
Zefi tregon se me Nënën Terezën u ritakua dhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregon se me Nënën Terezën ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë.E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidh botën shqiptare”, thotë Zefi, ndërsa bisedojmë në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralen në ndërtim në Prishtinë. Fryma, emri dhe shembulli i Nënës Terezës në Kosovë është kudo. Emrin e saj e mban dhe shoqata e bamirësisë, që ka vepruar e ndihmuar që nga kohët më të vështira për Kosovën. E mban dhe sheshi kryesor i kryeqytetit, Prishtinës.Do ta mbajë dhe ura e Mitrovicës mbi Ibër, me mesazhin për t’u shndërruar nga një simbol konfliktesh e ndarjesh në një simbol paqeje e bashkimi.
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në Akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, theksoi se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”./s.s./
NE FOTO:Sot ne Katedralen Nene Tereza ne Prishtine. Foto:Behlul Jashari

Filed Under: Reportazh Tagged With: 100 vjetori, Behlul Jashari, Janë Ngritur Flamujt E Festës, ne katedralen

GJITHË KOMBI SHQIPTAR NDEROI AKADEMIK MARK KRASNIQIN

August 31, 2015 by dgreca

-Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar/
-Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë. Mbledhje komemorative kushtuar akademik Mark Krasniqit dhe homazhe/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 30 Gusht 2015/ Gjithë kombi shqiptar nderon akademik Mark Krasniqin. Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u mbajt sot mbledhje komemorative kushtuar akademik Mark Krasniqit, i cili u shua në 28 gusht në moshën 95 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa e përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë morën pjesë në mbledhjen komemorative, ku të pranishmëve i janë drejtuar kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Hivzi Islami dhe sekretari i Jusuf Bajraktari.
“Akademik Mark Krasniqi e jetoi një jetë me plot peripeci, duke përjetuar rrugëtimin e rëndë dhe kompleks të Kosovës edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i tij, me të gjitha ngritjet dhe rëniet; rrethanat ishin të tilla që asnjë ditë shkolle nuk e bëri në gjuhën shqipe. Por gjithmonë duke qenë optimist – deri në minutin e fundit të jetës nuk pushoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare dhe në këtë front pa dyshim doli fitues. Të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe emocionale për kaq këto dekada të jetës i la në dispozicion të shkencës, të krijimtarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi dhe qëndrese. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar”, theksoi akademik Islami.
Presidentja Jahjaga e kryeministri Mustafa poashtu bënë homazhe në nderim të figurës markante të Akademik Mark Krasniqit, dhe i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe kolegëve, për këtë humbje të madhe për të gjithë qytetarët dhe Republikën e Kosovës.
Drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës kanë dërguar telegrame ngushëllimi me rastin e ndarjes sot nga jeta të akademik Mark Krasniqit, duke shprehur vlerësimet më të larta.
“Njërin prej njerëzve më të mëdhenj të Kosovës që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë” e ka vlerësuar presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga akademik Mark Krasniqin, ndërsa kryeministri Isa Mustafa personalitet të “kontributit të jashtëzakonshëm për Kosovën”.
Për akademik Krasniqin, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehet se “ka lënë gjurmë të pashlyera”, ndërsa zv/kryeministri i parë Hashim Thaçi e vlerëson “një nga figurat e shquara të botës intelektuale dhe politike shqiptare përgjatë dy shekujve”. “E harxhoi një jetë në shërbim të atdheut”, thekson kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka njoftuar se ditën e diel, më 30 gusht 2015, në orën 13:00, do të mbahet mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së akademik Mark Krasniqit, ndërsa homazhet nga ora 13:30-15:00, në mjediset e Akademisë.
Arkivoli me trupin e pajetë të akademik Mark Krasniqit niset për në varrezat e Prishtinës nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në orën 15:00, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 17:00.

FJALA E KRYETARIT AKAD. HIVZI ISLAMI, NË MBLEDHJEN KOMEMORATIVE TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS ME RASTIN E VDEKJES SË AKADEMIK MARK KRASNIQIT, 30.08.2015
E nderuar familje Krasniqi,
Miq të nderuar,
Zonja dhe zotërinj
Të premten, në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në Qendrën intensive të QKUK-së të Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shek. XXI, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe njëri nga doktorët e parë të shkencave në Kosovë, akademik Mark Krasniqi. U shua dijetari, intelektuali, profesori, organizatori i punës shkencore-hulumtuese dhe i institucioneve arsimore e shkencore të Kosovës dhe veprimtari i spikatur i çështjes sonë kombëtare, që la gjurmë të thella në jetën e gjithmbarshme të Kosovës dhe të botës shqiptare.
Ju thërras që me një minut heshtje ta nderojmë prindin, gjyshin, kolegun dhe mikun tonë të dashur, Akademik Mark Krasniqin.
Lavdi!
Duke qenë pjesë përbërëse e lagjes së vogël, por të fortë intelektualësh, dijetarësh dhe patriotësh të Kosovës, sikurse Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Ali Hadri, Anton Çetta, Gazmend Zajmi, Dervish Rozhaja, Hilmi dhe Fehmi Agani e të tjerë, me punë, mund dhe guxim të pashoq, akademik Mark Krasniqi dallohej në ngritjen, organizimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë, të institucioneve shkencore dhe të veprimtarive kulturore e shoqërore të Kosovës. Këto angazhime ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën e tij për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar. Këtij brezi i takon pa dyshim dhe merita për ngritjen e institucioneve dhe të kuadrove për Universitetin e Prishtinës, i cili luajti një rol të madh në përmbushjen jo vetëm të funksionit arsimor, shkencor dhe edukativ, por u bë dhe faktor i fuqishëm integrativ i shqiptarëve në gjithë ish-Jugosllavinë. Prof. Mark Krasniqi drejtoi me sukses për shumë vjet disa institucione të rëndësishme shkencore e kulturore të Kosovës, nga ato universitare deri te Shoqata e Shkrimtarëve dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
Me rezultatet e pakontestueshme në fushën e shkencës, para së gjithash të asaj gjeoetnografike, të mbështetura në fuqinë e argumenteve dhe të dhënave shkencore, prof. Marku arriti ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe ta pasqyrojë objektivisht realitetin e ndërlikuar dhe kompleks hapësinor dhe shoqëror të Kosovës, duke u bërë emër dhe jashtë suazave kombëtare. Deri në paraqitjen e tij në fillimet e viteve të 50-ta të shekullit XX, epërsinë e studimit shoqëror-gjeografik dhe etnografik të Kosovës e kishin antropogjeografët, historianët dhe etnografët serbë, trajtimet e të cilëve përshkoheshin thellë nga të pavërteta, gjysëm të vërteta, shtrëmbërime dhe paragjykime deri te ato shoviniste dhe raciste.
Në rrethana tepër të rënda të kohës nuk ishte aspak lehtë për studiuesin shqiptar që të merrej me këto çështje, e lere më t’i kundërshtonte pikëpamjet e bollshme antishqiptare, të thyente klishetë e metodologjisë klasike të shkollës tashmë me traditë të gjatë, të drejtimit antropogjeografik, të Cvijiqit dhe ithtarëve të tij, madje duke qenë brenda Akademisë Serbe të Shkencave dhe punonjës shkencor i saj. Në fillim të viteve të 60-ta kaloi të punojë profesor në fakultetet e para të Prishtinës, në kohën kur hegjemonizmi serbomadh ishte tërbuar dhe me ngulm kërkonte që Kosova të kundrohej vetëm si çështje serbe. Pas ndjekjes së disa studiuesve dhe veprimtarëve shqiptarë, në adresë të prof. Markut pasuan shantazhet dhe kërcënimet më brutale, duke u hapur një fushatë e gjerë, e paparë deri atëherë në gjithë botën objektive shkencore. Kulminacioni arriti në mars të vitit 1966, kur u sulmua rëndë libri i tij shkencor, i botuar tre vjet më parë, që në fakt ishte doktorata e tij e mbrojtur në Universitetin e Lublanës në vitin 1960 nën drejtimin e shkencëtarit dhe akademikut të njohur Anton Melik. Ky botim i kishte vënë bazat për studime të mëtejme në disa fusha të shkencave sociale-hapësinore dhe kulturore-historike. Profesori ishte ndër shqiptarët e rrallë në Kosovë që i përgjohej telefoni nga organet policore në kohën e Rankoviqit.
Akademik Mark Krasniqi e jetoi një jetë me plot peripeci, duke përjetuar rrugëtimin e rëndë dhe kompleks të Kosovës edhe si dëshmitar edhe si pjesëmarrës i tij, me të gjitha ngritjet dhe rëniet; rrethanat ishin të tilla që asnjë ditë shkolle nuk e bëri në gjuhën shqipe. Por gjithmonë duke qenë optimist – deri në minutin e fundit të jetës nuk pushoi të kontribuojë në fushën e shkencës dhe të çështjes kombëtare dhe në këtë front pa dyshim doli fitues. Të gjitha energjitë intelektuale, fizike dhe emocionale për kaq këto dekada të jetës i la në dispozicion të shkencës, të krijimtarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare. Gjithë veprimtaria e tij shkencore, letrare, publicistike dhe publike përshkohet me mesazhe të qarta optimizmi dhe qëndrese. Mesazhi i fundit në librin që doli nga shtypi vetëm një ditë para vdekjes ishte – bashkimi kombëtar.
Edhe pse në moshë të shtyrë, në dobi të kauzës sonë, në vitet e 90-ta të shekullit XX u vu në krye të një partie politike shqiptare, duke u bërë pjesë e “Alternativës” së atëhershme shqiptare me dr. Rugovën si prijës. Për punën dhe kontributin e tij, në vitin 2003 nga Presidenti I. Rugova u dekorua me “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ndërsa në vitin 2014 presidenti i Shqipërisë B. Nishani ia dha çmimin “Nderi i Kombit”.
Duke marrë pjesë aktive në studimin e shumë çështjeve shoqërore-kulturore dhe në zhvillimin e mendimit ashkencor, prof. Marku merrte pjesë aktive në afirmimin dhe emancipimin e shqiptarëve në hapësirat ballkanike e më gjërë. Jo vetëm në krijimtarinë shkencore, letrare dhe publicistike, por edhe në procesin e emancipimit social, kulturor, politik dhe nacional të shqiptarëve, me ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore-kombëtare, gjithnjë u prononcua dhe pati guximin ta thoshte atë që e mendonte. Si intelektual i orëve të para, me ndjenjë të fortë individualizmi, mbeti brenda synimit kolektiv për emancipim dhe përparim të kombit shqiptar dhe pjesë e kujtesës së tij kolektive. Me kurajon dhe thellësinë shkencore, intelektuale e krijuese që kishte, ishte reagues i pavonuar ndaj shumë dukurive dhe proceseve të ndjeshme dhe të dëmshme për shkencën, shoqërinë dhe interesin kombëtar. Njihej si polemist i mprehtë me bartësit e pikapamjeve antishkencore dhe antishqiptare. Vepra e tij shkencore në përgjithësi mbetet për shumë çështje burim reference.
Me rrugën e bujshme dhe komplekse shkencore, intelektuale e publike dhe trashëgiminë e begatshme, profesor Mark Krasniqi la gjurmë të pashlyeshme në jetën shkencore, kulturore, kombëtare dhe shoqërore të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillim të këtij që po e jetojmë. Si i tillë do të mbetej i pavdekshëm.
Me këtë rast Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së akademik Mark Krasniqit, si dhe të gjithë miqve dhe shokëve të tij të shumtë anë e mbanë botës shqiptare.
Akademisë dhe familjes i kanë arritur shumë telegrame ngushëllimi, nga të gjitha anët e trungut gjeoetnik shqiptar dhe nga diaspora jonë e gjerë.
Për jetën dhe veprën e akademik Mark Krasniqit do të flasë anëtari i Akademisë dhe sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore, dr. Jusuf Bajraktari.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, GJITHË KOMBI SHQIPTAR, MARK KRASNIQIN, NDEROI AKADEMIK

Në kulmak për 5 ditë, në kryeqytetin e Sektit Bektashjane

August 25, 2015 by dgreca

Pranë Tyrbes të Shënjëtorit “Abas Aliu”, në malin e bekuar të Tomorrit/
Nga Sulo GOZHINA/
TOMORR 2015 – Duket se sot janë bërë bashk me malin e bekuar të Tomorrit edhe retë ato kanë zbritur ndodhta për t’u puqur, me të, në të tilla raste dhe me freskin e tyre duket se kanë zbritur edhe perndit të cilat për pes ditë rresht presin mbi 200 mijë besimtarë të cilit ngjiten deri laret ne Tyrben e “Abaz Aliut”, për të takuar perënditë e tyre , mbi 7 mijë kurban dhe mbi 80 mijë besimtarë gdhihen pranë tyrbes të shënjëtorit, pikerishte aty ku si në pllëmbën e dorës shikon gjith Myzeqen nga qyteti i Vlorës deri tek kepi i Duresit dhe nga aty larte në majën e Tomorrit tej në horizont vren ujirat e kaltra të jonit dhe Adriatikut të gërshetuar këto me flladin që të rreh fytyrën dhe vërtet të duket vetja sikur je në bregun e detit edhe pse për momentin je rreth 100 km larg dhe 2417 metra lartësi nga niveli i detit. Këtë fest për 5 – ditë e gushtit e festojnë mbi 320 milion Bektashjan në të
gjithë botën , pjesëtarët e së cilës u bëmë edhe ne gazetarët në këto ditë gushti 2015.
Përshkrimi : Një herë në vite nga Poshnja e Beratit, aty ku bashkohen dy rrugët, ajo e Jugut të Shqipërisë me atë të ShqipërisëMesme e asaj të Veriut dhe deri lart në malin Tomorr në një gjatësi rruge prej rreth 108 km, këmbehen dy lumenj nga njëra anë nga lart gurdullisin ujrat e rrëmmbyshëm të lumi Osum rrënjët e të cilit një pjesë e tij dalin nga mali i bekuar i Shënjëtorit dhe nga ana tjetër nga posht lumi i besimtarëve bektashjan që nuk ka të sosur për të mbërritur lart tek tyrbejai në malin e bekuar.
Por ndryshe nga më parë që kishte vetëm një rrugë, pas vitit 2006 filluan ndërtimet e një rrugë letësimi si dhe vetë sekti bektashjanë që letëson dhimbjet e vuajtjet e besimtarve për të shkurtuar km për në Tyrbene e shënjtorit Ali. Ndërsa ne gazetarët duke i qëndruar nostalgjisë së përvitshme pasi kemi lënë pas qytetin e Çorovodës jemi ngjitur në të majtë të tij, në rrugën e kalldrëmtë dhe me gropa që gjarpëronte duke u ngjitur lart në qafën e Dëvris . I pari fshat që u prezantuam ishte Radëshi , që aty dukej se kishte fest , veç vargut të pa mbaruar të makinave në të dy anët e rrugës fëmijët kishin dalë ndoshta për të plotësuar ato pak nevoja që mundet të kishin udhëtarët .
Diku në një kthesë në hije të pemës Entela dhe Arditi motre-vëlla 12 e 14 vjeç tregtojn pagure të mbushur me dhallë të ftot dhe më tej fëmijët e tjerë shisnin frutat e kohës dhe të zonës si thana, bajame e misra të pjekur etj. Ky femomen na u bë shoqërues në të gjithë rrugën që përshkruam deri lart në malin Tomor . Qafa e Dëvrisë si dhe vetë feja bektashjane gjelbëronte në të dy anët e rrugës me një pyll të dëndur me lajthi. Vërtet ?!…. ishte bukur shumë bukur , veç lajthive e shpatit gjigand në të dy anët e luginës së ngushtë kishte dhe një livadh të vogël, kur dikur vite më parë zbriste helikopteri i udhëheqjes. Kështu pohoj bashkshoqëruesi që nuk na u nda gjatë udhëtimit, ashtu si edhe shtyllat e linjës elektrike që i ishin qepur luginës e që i japin dritë e jetë zonës të tomorricës prej më shumë se 40 fshatra. Në anën tjetër të malit ishin tunelet e udhëheqjes komuniste
në rast lufte, këtu ishte planifikuar strehimi i udhëheqes të partisë nëse një ditë Shqipëria e vogël si “fener ndricues”, do të sulmohej nga armiqët imangjinar. E sa kalojmë qafën teje e gjelbëruar, tejjjj në horizont shohim një tjetër pamje, sa të çuditëshme po aq edhe mahnitëse . Në faqen e malit janë me qindra makina dhe me ngjyrat e tyre të ndryshme mes gjelbërimit duket sikur krijojnë një ylber shumëngjyrësh , në këtë rast bukurinë e rrallë nuk e japin vetëm vetëm lëvizjet të qeshurat e të bërtiturat e njerëzve, por edhe vijat e tymit të qindra zjarreve të ndezura në ç’do pesë e gjashtë a dhjet metra. Lart në qiellin blu dy re tymi duket se po i afroheshin malit të shënjët që para tij dukeshin të fije fare të vogla. Duket se atje, Në Tomorr ku puqen retë” , zërat e fëmijëve dhe cicërimat e zogjve kishin bashkuar për një moment meloditë e tyre të ëmbëla , … a thua se
vetë perënditë kishin zbritur dhe festonin në atë gjelbërim madhështor, festën e Bektashinjve së bashku me Besimtarët.
Në këto momente nuk të rrinë pa ardhur ndërmend edhe poezitë e të madhit Naimit, për Abaz Aliun :

1
Ëngjëll që m’u qase pran O moj fushë e Qerbelasë
Nga i madhi Zot Që më rri ndër sy
Pse më rrëfen Qerbelan Plot me gjak t’Ali Abazë,
A do të derdh lot ? Vall ç’është ay ?

3 4

Ç’është ai që shkon kaluar Ç’ikën ky kal’ i shkretë,
Ikën si veriu Mi dhe nuk shkel !
Me dy tre foshnja ndër duar ? Nga patkonjët që ikën shpejtë ,
Është Abaz Aliu. Zjarr dhe flak i del .

5 6

Hyjnia desh njerzinë Abaz – Aliu z’u Tomorë
Dhe për të u vra Erdhi afër nesh
Për të shpëtuar njerinë Shqipëria s’mbeti e gjorë
Ra ndër Qerbela . Se Zoti e desh .

ÇUDIA : Edhe vetë njerëzit dukeshin të bekuar, askush nuk guxonte të prishte apo priste një gjë qoftë edhe një degë të hollë pishe të njomë. Një pastërti e zilishme, një rregull i përsosur, një pastërti shëmbullore si të një familje madhështore. E të gjitha këtyre punëve kaq të kujdesshme duket se po i printe Dede Baba Ibrahimi, ndërsa kryente pritjen në vargun e besimtarve që kërkonin të takoni, përshëndesnin dhe marjen e bekimit nga kryegjyshi botror i kësaj feje.ritual ky si dikur Dede Baba Reshat Bardhi. Vargu i gjatë i njerëzve për të takuar baban , vargu i gjatë për të prekur shenjtorin në tyrben tek Mekami, vargu i gjatë i njerëzve në vendin afër tyrbes ku behej kurbani, vargu i gjatë i njerëzve që falnin ato pak të ardhura në shenjtore dhe për të puthur në Mekame shenjtorin, nuk kishte të sosur, sa i shikoje të krijohej mendimi ! A do më vij radha , a do të mbarojnë ky lum
besimtarësh!!!
Këta njerëz punët e tyre dhe vërtet duke parë me sytë e tu këtë mori njerëzish në ajrin e freskët të krijohej mendimi vërtet …. !!!!!….. ?????…. Vërtet këta besimtarë të ardhur nga shtatë shtetet e ballkanit dhe nga e gjithë bota po takonin perënditë e tyre . Kedo që kishe mundësi të vreje në ato caste dukej sikur futen në një hulumtim përpara Shënjëtorit, e dikush edhe murmuriste me vete a thuaj se kjo ka qënë moment që në mendjen e tyre kishte trokitur përndija dhe komunikonte për hallet e problemet e tyre për ti përshëndetur, dhënë shpresë dhe bekuar. Ndoshta në këto pak sekonda, një i tillë isha edhe unë apo edhe dy bashkëurdhtarët e mi, Arifi e Leli, këtu dukej qartë se edhe fëmijët edhe pse janë vetë engjëj kryenin të njëtin rit, a thuja se përndija apo dora e shënjëtorit i predikonte n ëkëtë rrugë të bekimit. E ndrësa turma e njerzve në heshtje priste radhën për tu future
në tyrbene e shënjëtorit mbi kokat tona retë hidhnin valle e gati sa nuk na prekni floket, e ndërsa ora temperature shënonte 6 apo 7 gc, aty nuk djeje ftohët pasi shumë , shumë e shumë prej besimtarve me veshje verore, a thuaj se vetë perndija mbronte delet e saja besimtare që këta të fundit të kuvendonin me të.

Sevapi ; Sevapi e kërkon që disa nga babat duhet të jenë të parnishëm në ç’do prekje të mishit të kurbanit . Kjo bëhet në emër të mirësisë e të bollëkut por edhe sevapi për të vobektët, një tjetër anë mirësie .Sevapet nuk kanë të sosur duhen takuar të sëmurët që kanë ardhur nga të gjitha anët nga të gjitha fetë, për të marrë bekimin e shërimit . Edhe gërshëra e kuntërllëkut nuk ka munguar e nuk mungon në këto ditë gushti, por edhe parja, fejesa , pajtimi i mërive , etj . janë në përbërjen e punës të Baba Edmondi gjithmon i prirur nga mësimet që kanë lënë të parët, shënjtori e vetë pernditë, por edhe Dede baba Reshat Bardhi që në fasadat e Teqes nuk kanë munguar fotot dhe në një kend ndëri edhe busti i tij. Megjithatë nuk ka munguar takimi në grupe ku me mijra besimtarë të vegjël e të mëdhenj nuk kanë munguar në puthjen e dorës të Dede Baba Edmondit Ibrahimit që
është në të njëjtën kohë në krye të të gjith këtij pelingrazhi. Këtë vitë ndryshe nga më parë kemi bërë mbi 100 krer bagti kurbane për të vobektit, kemi ngritur guzhinen e menxën ku punojn 3 guzhinier e tre shërbyes që shtrojn ushqim, kemi siguruar mbi 80 çadra prej kohësh dhurat nga forcat e “Natos”, të cilat i kemi vënë në dizpozicion të pelingazheve të spjegon sekretari i teqesë Zalo Qamo, një besimtar i devollëshëm, njeri i qeshur dhe i rrspektuar për të gjithë besimtarët. Gjysh i kryegjyshatës botërore të Bektashizmit është shpërngulur nga Tirana e gjate këtyre ditëve është vendosur me qëndër në Tomorr, aty ku besimtart nga e gjith bota kanë kthyer sytë, e ju thrret….!!!.. ejani festoni me ne, pasi këtu nuk ka të ndar, ndër peligrint e besimeve të tyre rëndësi ka që besimtarët nga të kater fet dhe nga të katër anët e botës këto ditë u falen perndive të tyre në malin e
bekuar tek shënjëtori Ali.
“ Rixhaja” një tjetër temë prekëse, janë me qindra besimtarë që në njërën mënyrë apo tjetrën kërkojnë të lajnë mëkatet e tyre . E kjo “ rixha” bëhet në heshtje në vetmi pa e dëgjuar njeri. Të tillë njerëz i luten perëndive në heshtje e me kokën ulur – perënditë falin thotë Dede Baba Edmon Ibrahimi, por kur vërtet je i penduar dhe nuk e përsërit më mëkatin, ndryshe nuk ka më kuptim falja. Por rixhaja nuk është vetëm për falje mëkatesh me mijra besimtarë luten për pasuri, shëndet jetë e mirëqënie, për shërim, fejesë e martesë. Më ndihmoi shenjetori “Abaz Aliu” thotë 70-vjëçari nga Dushari i Korçës Asllan Çoro shita 18 krerë bagëti por ajo që më gëzon veç lekëve është se këto bagëti i shita për kurbanë. Thuaj se të njëjtën gjë thotë edhe 18 vjecarja Entela Çerja nga fshati Zaloshnje që ka ardhur deri lartë në tomor për të ndimuar baban e saj për të shitur
bagtit por me dhjetra banor të kësaj zonë kanë siellë deri lartë në mal mijra kokë bagti të destinuara për kurban. Edhe kjo “Rixha”, predikon edhe bekimin e perëndive ndaj njeriut.
Qeveritarët munguan : megjithëse mungesa e pa përfillshme nga besimtarët, përsëri qeveritarët munguan, pavarësisht se festa e mbushur me ritet e saja në pelegrinazhin e ditëve të tomorrit ishte e kompletuar. I vetmi “ pushtetar “ që ishte i pranishëm ishte vetë kreu i kësaj feste Bektashiane ishte kryegjushi i bektashjanve dede baba Edmond Ibrahimi, si dhe Kryerari i bashkisë të Skraparit Nesim Spahiu. E si gjithmonë i qeshur , i dashur e respektuar qëndroj mes besimtarëve e festoj bashkë me ta ditët e gushtit të shenjtorit “Abaz Aliut” në malin e shenjtë që Baba Meleq Shtermbërdhenji tha :

Po m’u hap mëngjezi mirë Mejtova “Abaz Alinë”
Hodha sytë nga tomori Qysh iku nga Qerbelaja
Dhe më dogji një dëshirë Erdh e gjeti Shqipërinë
E po qasem unë i gjori Në Tomor në ato maja .

Por festa nuk kalon pa halle, kështu tha baba Edmondi për gazetën kemi shumë për të bërë për këtë festë– e pra duhet siguruar ujë, rruga ka ende probleme, energjin elektrike nuk mungoj por duhet qëndruar korekt, vendet ku punohet e festohet, megjithse kemi hyre në bisetime me pushtetin vendor dhe disa probleme janë vënë në rrugën e zgjidhjes . Jemi ende në gjyqe për pronat e teqeve etj. Ndërsa kemi zgjidhur problemet mjeksore në raste urgente kemi në dizpozicion një ambulancë dhe dy mjeke e infiermer, në ndimë kemi dhe forcat e rendit.
Një lumë investimesh priten të hidhen nga kryegjyshate Botrore të Bektashinjve për tre vjet dhe këto kryesisht në malin Tomorr në vendin e të madhit Abaz Aliut këtu ku perndit bekuan malin e bukur thot baba Edmondi. Do të investohen dhe mes investimeve prioritet do të kenë 7 km rrugë nga fshati Gjerpës – deri në teqen e faljes në majën e malit tek shenjtoti “Abas Aliu”, që edhe pse rruga është zgjeruar ende ka punë për tu bërë. Ndërsa kemi në prespektiv ngritjen e një fshati turistik, mbielljen e një siperfaqe prej 5 ha me pisha etj, për realizimin e këtyre projekteve nga vet teqeja dhe nga kryegjyshata botrore e bektashinjve me qëmdër me Shqipëri do të investoj për përmirësimin e terenit rugëve dhe krijimin emabjetit më t ëmirë për besimtarët në këto 5 ditë qëndrimi. Ndërsa kemi bërë miljona lek investime thot Zalo Qato sekretati i kryegjyshatës gjyshatës bektashjane në prishtë dhe në
dhjetra teqe të Skraparit. Vetëm për tre muaj kemi investuar në vite mbi 200 miljon lek 5 km rrugë, në riparimin e teqeve të Therepelit, Gjurma e Dhores. Backës, Prishtës etj. Por ka pasur edhe besimtar të cilit kanë investuar deri në 10 miljon lek për ndërtimin e 2 km rrugë dhe nëse vazhdojn me këto ritme për vitin tjetër do të jenë zgjidhur shumë probleme të cilat deri tani kanë ecur ngadal në ritmin e tyre.
Preçedente – Kane vizituar teqen e Abaz Aliut — Me 1923 Fanoli dhe Luigj Gurakuqi ku kanë fjetur në fshati Dobrenjë, poeti kosovar Ali Bodrem, poeti Dritro Agolli, ish presidenti Rexhep Mejdani, Kryeministra, Kryetari kuvendit Ilir Meta, Ministrat mes tyre Nasip Naço, Deputet e tje. I përhershëm në këtë fest ka qënë ish kreu i kryegjyshates Botrore të Bektashinjve Dede Baba Reshat Bardhi, rrugën e të cilit ndjek edhe dede baba Edmond Ibrahimi. Dhe së fundi Malit të poetve i ka kënduar edhe vete Omeri i famshëm thot poeti nga Skrapari që ka vizituar malin e bekuar dhe tyrben e shënjtorit edhe poeti Xhevair Spaiu i cili ka cituar në vargje —

Në Tomorr që një moti
Thon se ka zbritur edhe vet zoti …….

Nga Tyrbeja e shënjtori Abaz Ali Tomorr

Filed Under: Reportazh Tagged With: e Sektit Bektashjane, në kryeqytetin, Në kulmak, për 5 ditë, Sulo Gozhina

Me arbereshet ne Falconara Albanese

August 24, 2015 by dgreca

Reportazh/
Në Kalabrinë e brigjeve të Tirrenit qyteza më e njohur dhe më e rëndësishme e “gjegëve” të zonës është Falconara Albanese.
Në autostradën Salerno-Rexho Kalabria, menjëherë sapo kalon Paola-n (qytezë kalabreze), tabelat rrugore të japin drejtimin për në Falconara e në udhëkryqin e parë drejt saj gjen të shkruar në shqip Fallkunarë.
Mali përballë është guida drejt “gjegëve” të Tirrenit. Kthesat janë aq të shumta, rruga e ngushtë e shtruar mirë, tek-tuk ndonjë makinë, e sy brenda tyre që të shikojnë kuriozisht deri sa humbet pas anës së malit. Herë majtas, herë djathtas, gjithnjë e në ngjitje duke shpresuar që përballë të shfaqet Fallkonara.
Asnjë shtëpi nuk ndesh buzë rrugës, veç nga një anë pyje e nga ana tjetër një masë e pafundme deti e qielli, lidhur në një ngjyrë unike që të lë pa frymë nga bukuria.
Gjendesh gjithnjë e më lart duke iu larguar detit e duke përshkruar malin rreth e qark. Kur mbërrin pothuajse në majë të tij, 700 metra mbi nivelin e detit e krejtësisht në anën e kundërt të asaj pjese që më parë shihte në horizont Tirrenin, shfaqet Fallkunara.
Banorët e parë të Fallkunarës ishin shtatë familje shqiptare të ardhur nga Kruja e Shkodra. Quheshin: Musacchio, (pa dyshin Muzaka në shqip), Candreva, Manes, Staffa, Fionda, Scuragreco e Ioschi. Familjet Musacchio, Scuragreco e Ioschi janë zhdukur e veç nga kjo e fundit ka mbetur toponimi i një përroi në rrethinat e Fallkonarës i quajtur “Përroi Josh”.
Legjenda popullore që arbëreshët kanë ruajtur e që i tregojnë çdokujt që i pyet se s’dinë mbi historinë e vendndodhjes së banorëve të parë në këtë tokë, thotë se brigjet e deti Jon qenë destinacioni i këtyre shtatë familjeve të larguara nga Shqipëria për t’i shpëtuar pushtuesve turk. Bregdeti jonik për afërsinë territoriale e lidhjet miqësore midis dy popujve duhej të ishte vendqëndrimi i kërkuar nga ata. Të gjendur në det, stuhia e fortë e një nate i shtyn në ngushticën e Messinës duke i detyruar të ndërrojnë drejtim. Vazhduan udhëtimin duke mos iu larguar bregdetit në kërkim të një toke të sigurt për ti mirëpritur. Ndaluan në afërsitë e Fiumefreddo Bruzzio-s, pronë e princit Girolamo Sanseverino, i cili i priti mjaft mirë duke i caktuar një territor banimi të quajtur “Campo”.
Në këtë pikë legjenda merr disa versione: ai më popullori thotë se një ditë prej ditësh shtatë familjet shikojnë së largmi në det anije turke që i afroheshin brigjeve. Braktisin gjithçka duke iu ngjitur malit gjithnjë e më larg detit. Versioni tjetër thotë se shtatë familjet u përzunë nga banorët e Fiumefreddo-s, të frikësuar nga sulmet e piratëve turk, e nga diferencat gjuhësore, fetare e zakonore. Një tjetër akoma tregon se qenë vetë arbëreshët e ardhur që u larguan nga mikpritja e princit Sanseverino, në kërkim të tokave më pjellore për t’u kultivuar.
“Gjeg” e ujqër takon lehtësisht në atë pjesë të Kalabrisë ku horizonti të ofron çdo ditë panoramën e detit me qiellin në një ngjyrë të vetme, që veçse shikimi i vendaliut arrin t’i japë kufirin ujit e ajrit.
“Gjeg” e ujqër janë banorët shekullorë të maleve në këtë pjesë të Kalabrisë që shtrihet mbi brigjet e detit Tirren. Pyjet e shkurret mesdhetare mbulojnë çdo pëllëmbë toke duke krijuar vendbanimin normal për një kafshë të egër e të shpejtë si ujku, por dhe territorin jetësor dikur perfekt për “gjegët” e zonës. Ky reliev malor, shumë kohë më parë krijoi për ta banesën e domosdoshme e të sigurt nga sulmet e turqve, në një terren që aq shumë i kujtonte vendlindjen.
“Gjegët” janë arbëreshët e Kalabrisë Tirrenike, prej shekujsh popullojnë territore në këtë zonë, duke shënuar fatkeqësisht humbjen e rëndësisë së tyre si minorancë etnike. Disa prej qytezave janë asimiluar me popullsinë autoktone, disa të tjera kanë pasur fatin e shumë fshatrave kalabrezë me një popullsi gjithnjë në pakësim, për shkak të emigrimit të kushtëzuara nga një ekonomi e orientuar veç në blegtori. Po të gjendesh në anën tjetër të Kalabrisë, në atë që laget nga brigjet e detit Jon, realiteti është krejt ndryshe, qytezat arbëreshë janë të shumta, të lidhura mes tyre e më një rol të respektueshëm në jetën sociale-ekonomike të territorit.
Fallkunara ka shumë rrugica të ngushta, që lidhin mes tyre shtëpi e ndërtesa publike. Duke i përshkruar ato habitesh kur ndeshesh me makina që xhirojnë lirshëm në këto hapësira e që më shumë qetësi presin sa ti të spostohesh në ndonjë kthinë porte për t’i lejuar kalimin. Nga rrugët e qytezës, më kryesoret janë: rruga “Jeronim De Rada”, rruga “Felice Staffa”, shkrimtar e poet falkonar, rruga “Nënë Tereza” e sheshi “Skanderbeg”.
I ndodhur në sheshin “Skanderbeg” me kokën e ngritur lart mund të admirosh në distancë një nga pamjet më të bukura të Fallkunarës. Quhet “Castellucio”, vendi piktoresk që çdo banor në shesh të fton ta vizitosh. Është një masë gjigande shkëmbi i lartë 50 metra, pak i përkulur para, që i ngjan një kulle shkëmbi të mbirë nga toka. Nuk është një ndërtim i epokës mesjetare, siç mund të mendosh në vështrim të parë, nuk ka as urë e as kullë brenda tij, është një krijim i natyrës veshur nga të gjitha anët me gjelbërimin e bimëve të zonës. Për t’u ngjitur deri aty mjaftojnë 127 shkallë guri e në pikën e tij më të lartë është vendosur një kryq i madh çimentoje. Pak shkallë poshtë kryqit ndodhet një kishë e vogël “Madona dell’ Assunta” e ndërtuar më 1544, e pranë saj një hark me formën e një kulle ofron përballë dy kambana, që në një anë të tyre shënojnë datën 1757.
Zona ku ngrihet “Castellucio”, quhet nga banorët “Kurtina” emër që i ka nominativ të tillë gjithë lagjes përreth. Çdo vit në ditën e Pashkëve, mblidheshin aty gjithkush që ka marrë pjesë në ceremoninë e quajtur “Motrat” duke konsumuar drekën me bazë vezë të gatuara në furrë, salsiçe e pije vendase. “Motrëmat” është një ceremoni e rizbuluar pak kohë më parë në Fallkonarë, e rinovuar në thjeshtësinë e saj e në respekt të kuptimit të saj autentik. Ashtu siç ndodhte në kohët antike një grup vajzash e djemsh, pasi kanë marrë pjesë në meshën e Pashkës, kanë rrethuar altarin më të lartë të kishës ku është vendosur një kryq.
Mbi të vendosin dorën e tyre të djathtë duke krijuar një grumbullim duarsh. Ceremonia kërkon që lartësia e duarve të arrij atë të kryqit e veç atëherë një djalosh e puthte atë e më pas të gjitha vajzat, që quheshin mes tyre motrëmat, e djaloshi i ri thërritej vëlla. Ky rit që veç një betim ku çdo i ri i premtonte tjetrit e bashkërisht impenjoheshin dikur për ta mbrojtur Shqipërinë përherë nga pushtimi turk. Sot është një thirrje e arbëreshëve ndaj atdheut të tyre, për të vazhduar e për te jetuar në traditat, zakonet, gjuhën e historinë e tyre.
Fallkonara është përbërë si çdo qendër urbane nga lagje, secila e quajtur me emra që kujton shtatë familjet e para që e themeluan si qytezë, por dhe njerëz të rëndësishëm të jetës sociale, fetare e politike të saj, si dhe kushtëzuar nga prezenca e një çezme apo të një kishe.
Por gjitonia është një prezencë e fortë e ende e pranishme jetën e arbëreshëve, një përbërje më intime e më thjeshtë e jetesës urbane të qytezës. Çdo gjitoni ka sheshin e saj ne formë rrethi, me shtëpitë përreth me shkallë jashtë e plot lulemëllage, karafila e lulebore që i zbukurojnë. Mbajnë emra të ndryshëm si “Dera e Baut”, “Mbrunkunxhilli”, “Kasteli”, “Kurtina”, “Kroi i vjetër” etj. Rregulli kryesor i gjitonisë kërkonte e impononte që në raste vdekjesh, fatkeqësisht natyrore, apo nevojëshmëri të rëndësishme të liheshin mënjanë mëritë e grindjet e të jepnin secili kontributin e tyre duke shprehur një solidaritet të sinqertë.
Në sheshin e gjitonisë kujton Mikele ka dëgjuar për herë të parë historinë e princit Skanderbeg, përralla e legjenda të treguara me zërin e pleqve.
Udhëza e bukur, Mbikatundi, Kaprikatundi, Kroj i Bardhë, Shoshi i Djallit, Kaiëndulla, Prroi Markes, Hjimaza, Kori Moll, Fikthi, Shola Belës etj janë disa toponime vendesh rreth e qark Fallkunarës, lidhur secila me një histori antike./ TV Ora news

Filed Under: Reportazh Tagged With: Me arbereshet, ne Falconara Albanese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 129
  • 130
  • 131
  • 132
  • 133
  • …
  • 172
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT