• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTËSË- INXHINIER KOSTA MANI, SHOQËRUESI I FAN S. NOLIT, U SHUA NË MATHAUZEN

May 9, 2021 by dgreca

Inxhinieri Kosta Mani, i diplomuar  në M.I.T(Massachusetts Institute of Technology), babai i regjisorit të famshëm Pirro Mani, vatrani që shoqëroi Fan S. Nolin në Tepelenë dhe Vlorë, u shua në kampin e vdekjes në Mathauzen, më 27 Janar 1945.Një histori tragjike. Inxhinier Kosta Mani la Amerikën për të projektuar e ndërtuar urat, rrugët, ndërtesat e Shqipërisë, u arrestua nga fashizmi, u burgos dhe u pushkatua nga nazizmi, u shpall dëshmor dhe tradhëtar nga komunizmi….

Nga Dalip Greca*

Ngjarjen ma ka treguar këtu në New York,i biri i Kosta Manit, Pirro Mani,gjeniu i skenës shqiptare, gjenerali i regjisurës,i cilësuar si Stanislavski shqiptar. Ishte një peng, që e shoqëroi për shumë kohë.

Pyetjes që i drejtova për misteret e jetës të të atit, ai iu përgjigj shkurtazi:

  • Më rëndoi shumë ai peng. Më ka ndjekur gjatë të gjithë jetës, edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod, duke patur në mendje fundin e babait tim, Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin, që ai dha shpirt duke mbajtë mbi shpinë pesha të rënda,gurë, ja, ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie të nëndheshme, si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes së Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpikje e nazistëve… Pasi mbush mushkëritë thellë, më thotë se këtë të vërtetë ia ka treguar një durrsak, që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes, pas mbërritjes aty të aleatëve antinazistë….Ishte një nga ata që i shpëtuan ferrit të Mathauzenit.

Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, që i mori jetën inxhinier Kosta Manit:

“Babai i Pirros, Kosta, ishte rebeluar nga stërmundimi dhe vuajtjet e pafundme.Dikur kishte thënë”mjaft”, nuk duroj më! Nuk kishte pranuar Kosta të vazhdonte të ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshtërimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtarët gjermanë të kampit i dërgonin të burgosurit në një galeri të nëndheshme dhe i detyronin të ngrinin thasë apo gurë të mëdhenj mbi shpinë (si rrasë varri) dhe i shtrëngonin me pahir që t’i ngjiteshin të përpjetës. Motivi? Të stërmundoheshin derisa të fikeshin fare. Dhe ata çapiteshin me shpirt ndër dhëmbë me shpresë e me gurin e rëndë mbi shpinë.

E ka përshkruar mjeshtrisht këtë episod studiuesi Josif Papagjoni në librin kushtuar jetës dhe skenës të mjeshtrit Pirro Mani….”Kosta e kishte imagjinuar veten edhe si Krishti, edhe si Sizifi në këtë ngjitje”…

Po përse duhej ta bënte sakrificën, kur, pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? – pyet Pirro më shumë veten, se sa të atin. Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasën e varrit”, gurin e poshtërimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua më 1945, u shpall dëshmor, po në 1945, ndërsa komunistët e ripushkatuan më 1946, duke e ekzekutuar përsëdyti!

KUSH ISHTE INXHINIERI KOSTA MANI ?

Tregon Pirro – Babai im, Kosta Manim ka lindur në Korçë. Si shumë korçarë, emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave, kur mori rrugën e kurbetit përtej Atlantikut. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm M.I.T. të Bostonit, ku kishte studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë, Gjon Mili, madje Kosta është diplomuar para mjeshtrit Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës dhe idhtar I Fan S.Nolit. Si shumë idealistë të tjerë vatranë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallur vendin, për të bërë Shqipërinë. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit.Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierë të tillë si Kosta Mani!

Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet, që kryezoti i shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij.Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për inxhinierë dhe ai do të qëndronte. Vendimi ishte i prerë. Ati i shqiptarisë, Noli, i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punojë për disa kohë në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat, nga që ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake, ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës.

Pirro përhumbet në rrëfimin e tij:

– E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukuritë e egra të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte e bukur natyra e atyre anëve.

Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete disa herë. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara, tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo, ku ndërtohej. Kishte ndërtuar për vete edhe një shtëpi provizore në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë.

Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë libra. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit e të shumë e shumë shkrimtarëve të tjerë me emër.

Kosta Mani ndërtoi edhe urën e Kardhiqit, në Gjirokastër. Kjo urë i dha një fatkeqësi dhe një dhuratë, që do ta kishte të shtrenjtë gjatë jetës së tij të shkurtër.

Tregon Pirro:

– Gjatë punimeve për ndërtimin e urës Kosta theu këmbën. Ku të gjente mjek në ato anë, ku nuk shkelte këmbë njeriu? E mbartën me mushkë dhe e çuan tek një mjeshtre popullore, që i kishte dalë nami si ortopede e rrallë. Mjeshtrja, (plaka thirrej Dade), jetonte në Stegopull të Gjirokastrës. Muskujt e Kostës sforcoheshin nën dhimbjet e shtrëngimeve të plakës, ndërsa sytë i ishin ngulë në bukurinë e rrallë të një vajze 15-16 vjeçare, mbesës së plakës Dade. Inxhinieri shëroi njëherësh këmbën dhe shpirtin. Vajza bjonde, zanë e shkuar zanës, me emrin e bukur Amali, do të bëhej “robinë” e inxhinier Kostës, i cili e kërkoi sakaq për grua. U martuan me Amalinë dhe lindën fëmijën e parë, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, ndërkohë kishte blerë një truall 6 mijë m2, në rrugën “Shën Gjergji” në Tiranë, sot rruga”Ali Demi” dhe aty ndërtoi shtëpinë e tij. Jeta ecte në rrjedhat e veta. Shpesh, Kosta bridhte nëpër Shqipëri, ku ndërtonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogël dhe e ushqente me dashuri për kombin, Atdheun e shtrenjtë, që duhej dashur, edhe kur ishte kockë e lëkurë. Në ditën e pushtimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se kishte hedhur në erë urën e Limuthit, atë urë që e kishte projektuar e ndërtuar vetë. Kosta kishte shtetësi amerikane, urrente fashizmin dhe u trondit nga pushtimi i Shqipërisë. Dikur hapi një zyrë private në Tiranë, “Stika”, së bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyrë nisi projektet e ndërtimit të infrastrukturës së Tiranës; projektoi rrugë, sheshe, parqe, vila të bukura dy dhe tri katëshe. Kosta projektoi vilën e njohur mbi kodrat e Tiranës, “Baballarët e Teqesë” dhe vepra të tjera që i rezistuan kohës.

Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhur edhe në Këshill. Madje, për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapësirë në kronikën e vet fjalës së deputetit Kosta Mani:“Çamëria dhe Kosova janë pjesë të pandara të Shqipërisë”, deklaronte deputeti Kosta  Mani.

      Në kohën e Asamblesë Kombëtare, në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Partizanët e qëlluan me top, duke e shpallur si “Asambleja tradhëtare”. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë, Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesëmarrje nuk ia falën komunistët. Umblodh qarkori dhe e përjashtoi Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur. Komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë.Edhe gjermanët, po ashtu, e arrestojnë si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famëkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se, nëna, e cila kishte marrë vesh lajmin e largimit nga burgu dhe internimin jashtë Shqipërisë, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë, që të mos kishte ftohtë, nën astarin e së cilës kish qepur, nën një arnë, 40 napolona flori. T’i ketë për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë, 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram, që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër.

E gjithë jeta e Kosta Manit, është një dramë me shumë skena të mistershme, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteriet mbeten të pazbardhura ende edhe sot.

Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu, në Sh.B.A.. Erdhën në Amerikë, u vendosën në Kolorado dhe më pas, në New York. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…

Pirro nuk hoqi dorë nga gjurmimet për të gjetur të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm, kur e nisën në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mathauzen, ku i ra fati të shkonte baba Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes, 27 Janar 1945, vendin e  vrasjes dhe të dhëna të tjera…., madje, edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit.

…Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi kishte shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën, edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën.

U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha edhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve, të gjermanëve dhe të komunistëve, secili e pa si armik.

Pirro tregon: Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi. Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë, ngaqë kishte qenë partizan…”

Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë: – Ç’po bën këtu? A e di ti se po demaskojnë gratë e familjes Mani?!

Shkoi me vrap. Agjitatorët komunistë ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar. Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani, që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe”,  sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhëtare! Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhëti!Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë: Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet.Pirron dhe motrën Marikën i hoqën nga puna, ndërsa motrën tjetër, Mirelën, e pezulluan nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat. Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor!

    Pirro thotë se e pagoi rëndë faturën.Por, siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira të sëmura komunistësh, sigurimsash,militantësh.Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte ekzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull e kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq, por Kostës nuk iu përmend emri asnjëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë, diplomuar në Sh.B.A.. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë, i Gjadrit dhe i të tjerëve.

Rehabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë…..

E kujtojmë në ditën e fitores mbi nazizmin…*Dielli-arkiv

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Kosta Mani, Mathauzeni

Presidenti: Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa Spaçi

December 6, 2015 by dgreca

* Presidenti Nishani në ish-burgun famëkeq të Spaçit: Të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për Drejtësi!/

*Kreu i Shtetit nderoime Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) ,Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”,si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes)/

Spaç, Mirditë- 6 dhjetor 2015/

Në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vizitoi sot ish-burgun famëkeq të Spaçit në Mirditë, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Mirditë, Ndrec Deda si dhe nga ish-të burgosur e të përndjekur të shumtë politikë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mes rrënojave të ish-burgut të Spaçit, Kreu i Shtetit çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Xhelal Koprenckën (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për qëndrimin heroik dhe të papërkulur kundër diktaturës komuniste, duke u flijuar, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë”; Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, dëshmor i qëndresës heroike kundër diktaturës ç’njerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.” si dhe Mersin Vlashit(pas vdekjes): “Si protagonist i një revolte me rëndësi historike, artist krijues i flamurit pa yllin komunist, që udhëhoqi kryengritjen heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.”

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kreu i Shtetit nuk i fshehu emocionet shumë të forta dhe trishtimin që vinte prej rrënojave dëshmitare të një historie të dhimbshme, duke e cilësuar këtë ceremoni si më e vështira në jetën tij, qoftë atë institucionale, qoftë edhe si qytetar i këtij vendi.

“Nuk jam këtu për të folur mbi historinë e këtij burgu famëkeq, as për të përshkruar kalvaret që shumë prej jush i kanë provuar mbi kurriz, i kanë përjetuar, dhe fatmirësisht, falë durimit, forcës dhe pamposhtmërisë suaj, shoqëruar nganjëherë edhe me vullnetin e mirë të Zotit, u keni mbijetuar. Nuk do të përmend as shifra dhe as statistika, sepse do të na nevojiteshin ditë, javë, muaj dhe ndoshta vite të rendisnim një nga një mizoritë e panumërta, tmerret dhe vuajtjet çnjerëzore të shkaktuara nga veglat shtazarake e të pashpirt të diktaturës komuniste. Ky burg-kamp sot është thjesht një vend ogurzi, një rrënojë që qëndron gati e hepuar mes malesh hijerëndë e kreshtathinjur, por që në ajrin dhe atmosferën tij sillen e përsillen histori të tmerrshme jetësh dhe fatesh njerëzore, madje edhe shpirtra të parehatuar, sepse varret e tyre ende nuk janë zbuluar.

Aushvici, Mathauzeni, Dahau, Treblinka nuk kishin asgjë më shumë se sa ky kamp / burg / ferr e skëterrë. Ndoshta kanë pasur shumë më pak, sepse të paktën në hyrje të kampit të Aushvicit lartësohej parulla paralajmëruese dhe cinike njëkohësisht: ‘Puna të bën të lirë kurse këtu jeta e privuar nga liria, puna e stërmundimshme në galeritë e thella të nëntokës dhe normat mbinjerëzore t’i rëndonin jo vetëm këmbët dhe krahët dhe shpirtin, por të fundosnin e madje të varrosnin nganjëherë edhe çdo lloj shprese e dëshire për të vazhduar të përpiqeshe të jetoje. Ata që kanë gërmuar nëpër galeritë e errëta, ata që kanë shtyrë me stërmundim vagonët e rëndë të mbushur me bakër, ata që janë lidhur me kavo çeliku në dimër pas shtyllave kur nuk plotësonin dot sasinë ditore gjithnjë e në rritje të mineralit, e dinë shumë mirë se po të mos bëje punën, po të mos kapje normën, po të të shpëtonte padashur qoftë edhe një psherëtimë e lehtë nga skutat e thella të shpirtit – ishe i mbaruar, ishe i kryqëzuar, ishe i harruar edhe nga vetë Zoti, ishe për një moment, dhe më pas nuk ishe më, madje as varri nuk të gjendej dot.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Më tej, Kreu i Shtetit e cilësoi burgun e Spaçit, si ferrin e vërtetë mbi tokë dhe Shqipërinë, një burg i errët, ku shumë rrallë depërtonin rreze drite e shprese: “Të burgosurit e Spaçit asnjëherë nuk ishin vetëm: jashtë kampit nëpër qytete, fshatra, majë malesh, në luginë e rrëzë kodrinave ishte një popull i tërë që vuante e përpëlitej fizikisht, shpirtërisht e mendërisht, njësoj si ata, por kurrsesi aq shumë, aq rëndë e aq dhimbshëm sa ata. Sa ju!”

“Të përndjekurit shqiptarë pësuan dënime dhe vuajtje të padrejta, por më e keqja është që edhe sot, në prag të 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist, atyre ende nuk u është kërkuar ndjesë, paçka se disa prej jush janë gati, të prirë dhe vullnetmirë për të falur. Vuajtjet tuaja për fat të keq u shkaktuan nga shqiptarë. Ndjesa ndaj jush pritet dhe duhet të vijë, po nga shqiptarë. Falja, pajtimi dhe bashkimi do jetë një vepër shpirtmadhe e shqiptarëve. Ndaj jush u kryen krime, dhe jo “gabime” siç është pretenduar dhe vazhdon ende të dëgjohet aty-këtu ndonjë lloj shfajësimi foshnjarak dhe mashtrues. Vendprehjet ende të pagjetura dhe shpirtrat akoma të paqetë të viktimave të pafajshme vazhdojnë të klithin duke u prishur gjumin e trazuar xhelatëve të diktaturës, disa prej të cilëve ende u kemi dhënë një mundësi dhe shans për të larë ndërgjegjen e tyre të zezë. Ne të gjithë sot nga ky vend, nga Spaçi dikur aq i mallkuar, duhet të ngremë zërin bashkërisht e bërtasim deri në kupë të qiellit për: Drejtësi! Gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve! Hapjen e dosjeve! Pastrimin njëherë e përgjithmonë të shoqërisë dhe sidomos të politikës sonë, nga kriminelët e dikurshëm dhe veglat e tyre! Dënimin, ligjërisht dhe sidomos moralisht, të kriminelëve gjakatarë, shkaktarë të gjithë këtyre vuajtjeve të parrëfyeshme dhe jo rilindjen e ringjalljen e simboleve aq të urryera të diktatorit! Vënien në vend të dinjitetit tuaj të nëpërkëmbur! Respektimin dhe integrimin moral, shoqëror, kulturor dhe ekonomik të familjeve, bijve, nipave dhe mbesave të të përndjekurve padrejtësisht shqiptarë! Mbi të gjitha, ndjesën dhe përgjunjen e shkaktarëve të dhunës, shtypjes, torturës fizike dhe psikologjike, vrasjeve, burgosjeve, përdhunimeve. Asgjë nuk harrohet! Por ata që pendohen e që kërkojnë falje sinqerisht, edhe mund të përqafohen! Por siç është ajo shprehja jonë e urtë dhe e vjetër e popullit: ‘I ra gurit, u thye. I ra njeriut, e mbajti dhe e duroi’, edhe ata që patën fatin e zi sterrë të vuanin e ta përjetonin këtë ferr mbi tokë, nuk u dorëzuan. Shqiponjat nuk jetojnë dot në kafaz!’ – tha me tej Presidenti Nishani në fjalën e tij.

“Më 21 maj 1973 burrat trima dhe sypatrembur të Spaçit i treguan dhe i provuan diktaturës se ajo edhe mund t’u burgoste trupat, por jo shpirtin dhe mendjen! Ata ishin me dhjetëra heronj, të cilët me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës, me vetëmohimin shembullor, kurajën e paepur dhe disidencës së patjetërsueshme, duke zënë vend përjetësisht në panteonin e kujtesës sonë historike kombëtare, u shndërruan në në simbole të përjetshme. Sot jemi mbledhur këtu për të nderuar dhe për t’u përulur me respekt ndaj vuajtjeve, heroizmit dhe altruizmit të tyre që shpërthyen të parët prangat e mendjes duke tronditur themelet e të ashtuquajturit ‘pushtet popullor dhe diktaturë e proletariatit’, por që në fakt u përpoq të skllavëronte e të izolonte një popull të tërë. Me këtë rast, në vigjilje të 25-vjetorit të rrëzimit të komunizmit, në cilësinë e Kreut të Shtetit shqiptarë dhe në emër të mbarë qytetarëve të këtij vendi kam nderin, privilegjin dhe detyrimin institucional të vlerësoj jetën dhe veprën e Pal Gjet Zefit, Dervish Bejkos, Skënder Dajës, Hajri Pashajt dhe Mersin Vlashit – krijuesit artist të flamurit të revoltës së Spaçit ku shqipja dykrenore fluturonte e lirë, pa zgjedhën e yllit të imponuar komunist mbi krye. Gjithashtu nderoj dhe përulem me respekt para jetës së shumëvuajtur dhe sakrificave të panumërta të Xhelal Koprencës. Këta heronj i përkasin atij grupi atdhetarësh të prangosur, që iu kundërvu diktaturës së egër komuniste me veprat, me jetën dhe sakrificat e tyre në kërkim të lirisë e demokracisë, duke mbetur të gjallë në kujtesën historike të Shqipërisë, për hir të së cilës ata u burgosën, luftuan, u përpoqën dhe u rebeluan në emër të idealeve më të shenjta të lirisë, përparimit dhe demokracisë dhe vlerave të saj. Ky vlerësim dhe nderim i lartë shtetëror, paçka se fatkeqësisht po u bëhet pas vdekjes, fatmirësisht është një tregues domethënës që vënia në vend e drejtësisë vërtet vonon, por kurrë nuk mënon.” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh se: “Shqipëria e shekullit të njëzet e një ua ka borxh të paktën këtë lartësim këtyre antikomunistëve kryelartë, me shpirt liridashës e demokrat, të cilët për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë nuk u gjunjëzuan dhe s’iu përulën as diktaturës dhe as veglave e shërbëtorëve të saj duke sakrifikuar edhe jetën për këtë lir dhe demokraci që jetojmë sot! Shqipëria e sotme është krejt ndryshe nga ç’ishte 25 vite më parë: një vend i lirë, edhe në saje të këtyre martirëve të demokracisë, anëtare e denjë me merita të plota e NATO-s dhe jo më e ish-Paktit të vdekur e të dalë boje të Varshavës, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian.

Po brezat e rinj duhet të mësojnë mirë historinë, të dëgjojnë përvojat e hidhura, të shohin e të përpiqen të përfytyrojnë ferrin e dikurshëm komunist, në mënyrë që e kaluara e hidhur të mos përsëritet më. Ne së bashku do të jemi përsëri këtu në majin e ardhshëm, në majin e revoltës së Spaçit për të kujtuar dhe mbajtur gjallë jo vetëm atë akt, por edhe dhunën e ushtruar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e mbi të gjitha rezistencën e të gjithë atyre që u dergjën galerive dhe birucave të Spaçit. Ne së bashku do të vazhdojmë pa u lodhur deri në realizimin që së paku Spaçi të kthehet në një muze kombëtar të kujtesës. Ne të gjithë së bashku do të vazhdojmë rrugën deri në realizimin që Spaçi të bëhet një vend pelegrinazhi në kurrikulat shkollore të nxënësve tanë për ta vizituar në mënyrë të organizuar çdo vit. Që e keqja jo vetëm të mos harrohet, por të mos përsëritet më kurrë. Kurrë më, sepse siç e ka thënë edhe Bertold Brehti: ‘Mitra që e polli, ende nuk është shterpëzuar’. I përjetshëm qoftë kujtimi i këtyre martirëve shqiptarë dhe i gjithë atyre që vuajtën dhe u flijuan për një jetë në liri e me dinjitet për një Shqipëri të përparuar, për një komb krenar dhe me ballin lart! Nderim përjetë!”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Aushvici, Mathauzeni, presidenti Nishani, Spaci

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT